OSBE-ja kujton Masakrën e Reçakut: Misioni ynë është për të ndërtuar një të ardhme paqeje

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë me mision në Kosovë, ka kujtuar Masakrën e Reçakut në 25-vjetorin e saj.

Përmes një postimi në facebook thënë se misioni i saj është i përkushtuar në mbështetjen e përpjekjeve për të ndërtuar një të ardhme paqeje dhe prosperiteti në Kosovë.

“Sot shënohet 25 vjetori i Masakrës së Reçakut. Ne kujtojmë dhe nderojmë viktimat dhe u shprehim ngushëllimet tona të përzemërta familjeve të tyre në pikëllimin e tyre të pangushëllueshëm”, ka shkruar organizata në facebook.

Misioni është i përkushtuar të mbështesë përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme paqeje dhe prosperiteti”./KultPlus.com

OSBE promovon të drejtat e të rinjve të verbër në procesin zgjedhor

Prezenca e OSBE-së zhvilloi një sesion informues për anëtarët e Forumit të të Rinjve të Verbër për t’i njohur me rregullat gjatë zgjedhjeve, procesin e votimit dhe procedurat e tjera në ditën e votimit.

Në këto zgjedhje, të rinjtë e verbër të angazhuar nga Forumi do të luajnë një rol aktiv në monitorimin e pjesëmarrjes së votuesve të verbër në votime, njofton Prezenca e OSBE në Shqipëri.

Forumi është një shoqatë kombëtare e të rinjve me probleme me shikimin nga e gjithë Shqipëria, e krijuar në vitin 2017 për t’u mundësuar atyre të punojnë së bashku për të mbrojtur të drejtat, për të kapërcyer përjashtimin social dhe për të përfaqësuar interesat e tyre./ KultPlus.com

Platforma Rinore e Kosovës, mjeti dixhital inovativ për të rinjtë e vendit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë bashkojnë forcat për të fuqizuar të rinjtë përmes mjeteve digjitale

Në një ceremoni të mbajtur sot në Muzeun Kombëtar të Kosovës, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, i dorëzoi ministrit të Rinisë Hajrulla Çeku, Platformën Rinore të Kosovës, një mjet dixhital inovativ që u mundëson të rinjve të kenë qasje në mundësitë e arsimimit, punësimit dhe angazhimit qytetar.

Kjo platformë e cila është e para e këtij lloji në Kosovë është rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm ndërmjet OSBE, MKRS-së dhe OJQ-së “LENS”.

Kosovoyouth.com, është platformë me informacione dhe shpallje mbi mundësitë e fundit për arsimim, punësim dhe angazhim qytetar për të rinjtë e Republikës së Kosovës. Kjo platformë është e paraparë në programin e Qeverisë dhe planin operacional të Ministrisë, dhe falë punës profesionale të OSBE-së dhe NGO Lensit është aktive qe një vit. Lansimi i saj u bë si pjesë e Muajit të Rinisë të organizuar nga Ministria vitin e kaluar, dhe pas një viti menaxhim, testim dhe avancim nga ana e OSBE-së dhe NGO Lensit, Ministria e Rinisë është e gatshme që ta pranojë platformën, t’i rris kapacitetet për menaxhimin e saj dhe ta inkuadrojë në punën ditore të Departamentit të Rinisë” tha ministri i kulturës, Hajrulla Çeku, duke falenderuar po ashtu OSBE-në dhe Ngo Lens për punën e deri tanishme.

Ndërsa ambasadori Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë tha që kjo platformë do të ju lehtësoj qasjen në punë dhe arsim të rinjve të vendit.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se interneti dhe teknologjia kanë ndryshuar shumë mënyrën se si punëkërkuesit kërkojnë mundësi punësimi dhe se si punëdhënësit i identifikojnë punonjësit; ata tani i drejtohen platformave online me një ndalesë për të gjetur mundësi angazhimi. Platforma Kosovare Rinore lehtëson qasjen në mundësitë relevante arsimore dhe të lidhura me punën, duke e bërë atë një mjet të përsosur për rritjen individuale dhe profesionale të të rinjve” shtoi ai.

Platforma është në dispozicion në të gjitha gjuhët zyrtare dhe mund të jetë e qasshme këtu: https://kosovoyouth.com/ /KultPlus.com

Shqipëria hapë negociatat me BE, OSBE: Hapet kapitull i ri

Sot mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare e Shqipërisë me BE që shënon hapjen e negociatave për anëtarësim.

Në këtë ditë të rëndësishme për nuk kanë munguar urimet nga përfaqësues të huaj që e kanë ndjekur këtë proces. Komisioneri i BE për Zgjerimin Oliver Varhelyi ka shkruar në Twitter se prioriteti i BE-së mbetet Ballkani Perëndimor dhe më shumë se kurrë Bashkimi Europian është i angazhuar për ta bërë gjithë rajonin pjesë të saj.

“Ne po hapim negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në ndryshimin e mjedisit gjeopolitik, prioriteti ynë mbetet Ballkani Perëndimor. Ne jemi të përkushtuar më shumë se kurrë për të sjellë të gjithë rajonin në BE. Sot ne po bëjmë një hap të madh drejt këtij angazhimi”, ka shkruar Oliver Varhelyi.

OSBE në Shqipëri e ka cilësuar ditën e sotme si një kapitull  të ri të Shqipërisë i shumëpritur dhe i merituar.

“Një kapitull i ri i shumëpritur nga shqiptarët dhe i merituar hapet sot. @OSBE Prezenca do të mbetet një partner i vendosur i vendit në arritjen e objektivave të reformës prioritare“- shkruhet në postim. 

CDU-CSU në Gjermani kanë përshëndetur çeljen e negociatave, duke e cilësuar si përparim shpresëdhënës për rrugën drejt BE por paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë lëshim për kriteret.

Ohann Wadephul: “Negociatat për anëtarësimin në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë priten te ndodhin tani afër. Ky është një hap historik drejt rrugës se integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE. Negociatat duhet të fillojnë tani shpejt në mënyrë që më në fund të ndezin një dinamikë të re pozitive. Deputetët e parlamentit të Maqedonisë së Veriut kanë treguar largpamësi. Ata janë shprehur pro një propozimi kompromisi nga Franca që po kërkon shumë prej tyre. Por kjo hap derën për në BE. Mbetet për të shpresuar se ky hap është gjithashtu mënyra për të promovuar bashkëjetesën multietnike në të gjithë rajonin dhe për të ulur tensionet. Megjithatë, duhet të jetë po aq e qartë se ne nuk do të bëjmë asnjë lëshim ndaj kritereve të anëtarësimit. Për Shqipërinë në veçanti, Bundestagu ka formuluar kritere të qarta për pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e shtypit. Këto kritere ende nuk janë përmbushur. Pres që qeveria e Edi Ramës t’i zbatojë këto reforma me guxim dhe qe BE-ja të kërkojë permbushjen e tyre gjatë bisedimeve.”

Gunther Krichbaum: “Marrëveshja midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për një plan pune për fillimin e negociatave të anetaresimit të Maqedonisë së Veriut në BE jep arsye për shpresë. Bashkimi Europian tani duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të siguruar që negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të mund të fillojnë pa vonesë. Pres që qeveria bullgare të mos vendosë pengesa të tjera në rrugën e këtyre negociatave dhe përfundimisht ti jape fund lojerave te tyre të motivuara thjesht nga politka e brendshme, të cilat bien ndesh me frymën europiane. Por Maqedonisë së Veriut i kërkohet gjithashtu si Shqiperise të vazhdojne perpjekjet. Partitë demokratike në Shkup duhet të vazhdojnë fuqishem rrugën europiane ”.

Edhe ish-ambasadori i Shqipërisë në BE, Luigi Soreca e ka konsideruar si një moment historik çeljen e negociatave për Shqipërinë.

“Sot është një moment historik për Shqipërinë dhe për BE! Më në fund ka ardhur koha që Shqipëria të ecë përpara në rrugën e saj drejt bërjes një Shtet Anëtar i BE-së. Shumë të lumtur për të gjithë njerëzit në Shqipëri dhe miqtë që e shohin Europën si destinacionin e tyre natyror. E ardhmja është së bashku”– shkruan Soreca.

Sot mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare e Shqipërisë me BE që shënon hapjen e negociatave për anëtarësim. Pjesë e këtij procesi është edhe Maqedonia e Veriut. /Gezeta Express / KultPlus.com

Shefi i OSBE-së: Presim që toka të regjistrohet si pronë e Manastirit të Deçanit sipas ligjit

Shefi i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport ka vizituar Manastirin e Deçanit dhe ka thënë se pret që toka ngjitur të regjistrohet si pronë e Manastirit, përcjell KultPlus.

Në një postim në Twitter të llogarisë së OSBE-së, thuhet se misioni pret që toka të regjistrohet si pronë e Manastirit në përputhje me sundimin e ligjit.

“Ambasadori Michael Davenport vizitoi Manastirin e bukur të Deçanit me Igumenin Sava Janjic. Misioni i OSBE-së në Kosovë do të mbështesë Kishën Ortodokse Serbe për të ruajtur trashëgiminë e saj kulturore dhe fetare në Kosovë ndërsa ne presim që toka ngjitur të regjistrohet si pronë e Manastirit në përputhje me sundimin e ligjit”, thuhet në postim. / KultPlus.com

Publikohet udhëzuesi për planifikim menaxhues të trashëgimisë kulturore

Në ambientin ku zë fill trashëgimia kulturore e Kosovës, në Muzeun Kombëtar u bë përurimi i udhëzuesit për standardet e hartimit të planeve menaxhuese të trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.

Nën prezencën e ministres për Kulturë, Rini dhe Sport, ambasadorit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore u bë prezantimi i këtij udhëzuesi me rëndësi për kulturën në vend.

Ky udhëzues i cili është rezultati i përpjekjeve afatgjata të Misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) do të ketë kontribut kyç për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

“Ne këtu po e prezantojmë një udhëzues të planeve menaxhuese, se si duhet të hartohen ato, të cilat e kanë një rol të rëndësishëm dhe kanë dal nga kërkesat e grupeve të ndryshme punuese dhe nga raportimet që nga viti 2014”, u shpreh ministrja Dumoshi.

Në anën tjetër, ambasadori Braathu theksoj se ky udhëzues është rezultat i bashkëpunimit në mes të anëtarëve të misionit të OSBE-së dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Udhëzuesi ka për qëllim të jetë i përdorshëm, praktik dhe frymëzues dhe është i adresuar për të gjithë palët e interesuara në përfshirje të menaxhimit të trashëgimisë kulturore”, tha ambasadori Jan Braathu.

Në fund ai shtoj se udhëzuesi duhet te jetë frymëzues për faktin se ri-përpilimi i këtyre dokumenteve të cilat ndihmojnë trashëgiminë kulturore duhet të bëhet çdo 5 vite. Pas fjalimeve ministrja Dumoshi ia dhuroj një mini- statujë të Hyjneshës në Fron si dhuratë ambasadorit Braathu, të cilën ai e priti gëzueshëm.

Në fund, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me ambasadorin e OSBE-së Jan Braathu dhe stafin e përbashkët e vizituan brendinë e Muzeut Kombëtar të Kosovës, për çka Braathu u nda i kënaqur me pasurinë trashëgimore. /KultPlus.com

Misioni i OSBE-së në Kosovë, thirrje për artistët në fushën e arteve pamore

Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe alumnat e Akademisë së Dialogut po fillojnë projektin “Togetherness”, një fushatë në internet për të promovuar vlerat e bashkimit dhe mbështetjes, pavarësisht nga ndryshimet, dhe për të nxitur bashkëpunimin midis grave dhe burrave të rinj të interesuar në fushën e arteve pamore.

“Ne u bëjmë thirrje individëve krijues nga zonat e mbuluara nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Misioni i OSBE-së në Serbi që të paraqesin punën e tyre në temë nga një larmi mediash duke përfshirë: fotografinë, pikturën, videon, artin dixhital 2D dhe artin interaktiv. Dorëzimet do të bëhen pjesë e një ekspozite në internet nga Akademia e Dialogut dhe mbështetur nga DokuFest, me çmime të caktuara për tre veprat më të mira të artit”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

OSBE mbështeti nxitjen e dialogut në Shqipëri për të kaluarën komuniste

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ka mbështetur nga viti 2015 deri më vitin 2018 nxitjen e dialogut në Shqipëri për të kaluarën e saj komuniste.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Bernd Borchardt u shpreh në konferencën “Emigracioni politik shqiptar 1944-1990” se, “Prezenca e OSBE-së e ka mbështetur dialogun për shkeljet e të drejtave të njeriut në të kaluarën prej shumë vitesh”.

“Pranimi dhe dënimi i krimeve të së shkuarës, mbart në vetvete një dimensionin transformues konsolidimi publik i të cilit sjell çlirimin e shoqërisë. Ekspozimi i gabimeve stigmatizon autorët e tyre, i nxjerr jashtë loje dhe i lë ata pas te një e kaluar e keqe. Një gjë e tillë përshpejton lëvizjen normative që është shumë e rëndësishme për këtë tranzicion çlirues”, tha Borchardt.1 nga 11  

Sipas tij, “janë zhvilluar shumë studime rreth mënyrës se si armiqtë e luftës apo armiqtë politikë të së shkuarës mund të pajtohen pas luftës apo pas një shtypjeje të madhe, veçanërisht sa i përket Luftës së Dytë Botërore dhe shpërbërjes së diktaturave, qofshin ato komuniste apo të djathta dhe se si shoqëritë mund të pajtohen”.

“Përfundimet ende nuk kanë arritur të kenë karakterin e një paradigme mbizotëruese, por vërej një opinion të gjerë akademik, sipas të cilit, pa u marrë me të kaluarën, ndasitë në shoqëri do të qëndrojnë të thelluara dhe kthehen në hendeqe edhe më të vështira për t’u kaluar”, u shpreh Borchardt.

“Duke parë Shqipërinë e sotme unë vërej argumente të forta që e mbështesin këtë pikëpamje akademike: Shpesh dëgjojmë – dhe sa më i ndezur debati, aq më shpesh ndodh – fajësim pa kursim për ata që mendojnë ndryshe. Nuk dëgjojmë vetëm argumente kundër këndvështrimeve të tyre, gjë që do të ishte normale, por dëgjojmë përpjekje për t’u zhbërë figurën. Dëgjojmë refuzimin e dialogut me kundërshtarin politik. Dëgjojmë sulme ndaj atyre që përpiqen të vendosin faktet përballë miteve”, tha ai.

“E gjitha kjo më duket si mbetje nga modeli i sjelljes komuniste. Sikurse e përshkruajnë shkencëtarët, në pak vende polarizimi politik është kaq i thellë sa në Shqipëri dhe “përballja me të kaluarën”, me krimet e neveritshme të diktaturës komuniste, vetëm sa ka filluar” theksoi Borchardt.

“Dialogu rreth së kaluarës, për mua, është një akt i rëndësishëm për përparimin e lëvizjes normative të transformimit politik që përmenda më herët.  Konferenca e sotme përbën një tjetër hap të rëndësishëm e të nevojshëm drejt të kësaj të vërtete. Vrasjet e njerëzve që përpiqeshin të largoheshin nga Shqipëria, ekzekutimi i atyre që kapeshin ndërsa përpiqeshin të largoheshin, eksodi i një pjese të mirë të elitës së para luftës në vitin 1944, largimi i detyruar i bashkëshortëve të huaj të shqiptarëve pas shkëputjes me Bashkimin Sovjetik – së bashku sollën kaq shumë dhimbje te njerëzit. Kjo vuajtje e meriton të theksohet këtu – dhe të jetë pjesë e përballjes me të kaluarën e keqe”, tha ai.

Ne, vijoi Borchardt, “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, kemi mbështetur nga viti 2015 deri më vitin 2018 nxitjen e dialogut në Shqipëri për të kaluarën e saj komuniste. Po ashtu, kemi ndihmuar në zhvillimin e Autoritetit të Dosjeve të Ish-Sigurimit. Sot po punojmë me Fakultetin e Shkencave Sociale, Fakultetin e Drejtësisë dhe Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës për krijimin e një programi studimi të nivelit Master për Drejtësinë Tranzitore, në mënyrë që të krijojmë mbështetjen e duhur akademike në Shqipëri për këtë detyrë të vështirë. Jemi të lumtur që kontribuojmë në këtë dialog”. / atsh/ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi priti Ambasadorin e OSBE-së, Jan Braathu

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim Ambasadorin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu dhe këshilltarin e tij, Senad Sabovic.

Ambasadori Braathu, përshëndeti emërimin e Ministres Dumoshi në krye të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe uroi që bashkëpunimi i mëhershëm i OSBE-së me MKRS-në të vazhdojë edhe më tutje.

Ministrja Dumoshi, siguroi Ambasadorin Braathu që bashkëpunimi i saj dhe i Ministrisë që ajo drejton do të vazhdojë në të mirë të synimeve të përbashkëta për qytetarët e Kosovës.

Ministrja e falënderoi Ambasadorin Braathu për tërë kontributin që ka dhënë OSBE-ja në Kosovë, e sidomos në fushat që mbulon MKRS-ja, ngase kjo përkrahje dhe bashkëpunim i saj me ministrinë kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në konkretizimin dhe realizimin e shumë projekteve të artistëve, të të rinjve e sportistëve.

Ndër të tjera, Ambasadori Braathu, shprehu gatishmërinë që të punojnë bashkërisht në shumë fusha, ndër to trashëgimia kulturore, meqenëse OSBE-ja ka luajtur rol kyç në monitorimin dhe lehtësimin e zbatimit të legjislacionit.

Po ashtu, OSBE-ja ka dhënë kontributin e saj bashkëpunues në lidhje me mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore por dhe në fusha si angazhimi i të rinjve për ndërtimin e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm, përmes shtysave dhe projekteve që kanë të bëjnë me ngritjen e vetëdijes, luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, ndërtimin e dialogut ndëretnik, u shpreh mes tjerash ambasadori.

Edhe Ambasadori Braathu edhe Ministrja Dumoshi, ofruan gatishmërinë e tyre për intensifikimin e punës së përbashkët në të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Gratë afariste prezantojnë produktet e tyre në panairin tregtar në Prishtinë

Në platon e Pallatit të Rinisë, sot ka filluar Panairi i tretë tregtar për gratë ndërmarrëse nga komunitete të ndryshme, që organizohet nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, që do të mbahet me datë 1 dhe 2 korrik, shkruan KultPlus.

Në vitin e tretë me radhë që organizohet panairi për gratë ndërmarrëse nga komunitet e ndryshme në Kosovë, ku ideja kryesore është që të sillen produktet e grave ndërmarrëse nga Kosova, që të stimulohet një bashkëpunim në mes komuniteteve, si dhe të ju jepet një mundësi që në tregun e Prishtinës të i sjellin dhe prezantojnë produktet e tyre. Në pamundësi që punimet artizanale të punuara në shtëpitë e tyre, të ekspozohen para blerësve të tjerë, ideja e panairit, me bashkëpunimin e misionit OSBE, ofrojnë këtë mundësi për zonjat, që të prezantohen sa më mirë me produktet e tyre.

 Edona Bajrami-Shala, zyrtare nacionale e programit për misionin OSBE për KultPlus ka treguar edhe numrin e grave ndwrmmarrwse nw kwtw panair.

 “Kemi rreth 100 gra ndërmarrëse, ku vijnë nga, kryesisht komuniteti shqiptar, serb, turk, boshnjak, ku në panair kanë sjellë punime dore artizanale, ushqime, dhe do të qëndrojnë nga ora 10:00 deri në ora 20:00, me datë 1 dhe 2 korrik”, ka thwnw ajo.

Shala tregon edhe për sfidën që kanë organizatorët në temperaturat e larta, ku ata po përpiqen që me klimatizimin e ambientit të panairit, të krijojnë sado pak kushte të mira për prezantimin e produkteve, e sidomos atyre ushqimore.

Mihrije Canolli nga Prishtina, në tendën e saj sot në panair prezantohet me punime artizanale të bizhuterive, ku Canolli falënderon misionin e OSBE-së për mundësinë që i ka dhuruar për prezantimin e punimeve, ndërsa Ganimete Byqmeti nga qyteti i Gjilanit, në pjesëmarrjen e saj të tretë më radhë në panair, ku prezantohet me ushqime tradicionale, si bakllavaja, kifle, mantia dhe reçel.

Në tendën e Afërdita Murati nga qyteti i Podujevës, prezantohet me lëngun e aronisë, një lëng shërues, lëngun e boronicës, mjaltin dhe shurupin e boronicës, ku si biznes, kryesisht merret me biznesin e mbledhjes së frutave të egra. Murati për lëngun e aronisë, tregon vlerat ushqyese dhe shëruese, pa aditiv, ku preferohet për personat me anemi, mungesë imuniteti, antikancerogjen, ku si produkt ja vlen që ta ketë çdo familje në shtëpinë e tyre. Gratë ndërmarrëse, për produktet e tyre shprehen se çmimet e produkteve janë më të lira sesa ato të importuara në Kosovë, ku në mbështetjen e OSBE-së, po përpiqen që ti fusin në treg produktet e tyre.  Visar Shabani/ KultPlus.com