Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore kanë vizituar qytetin e Konispolit për të gjurmuar e hulumtuar trashëgiminë kulturore.
Vizitat në terren kanë evidentuar vlerat kulturore që Konispoli mbart. Ato kishin si fokus zhvillimin urban, objektet përfaqësuese të arkitekturës vernakolare si dhe teknikat tradicionale ndërtimore të ruajtura ndër vite.
Materialet e grumbulluara nga specialistet e IKTK do të shërbejnë për studime të mëtejshme me synim propozimin e deklarimit të interesit kulturor të qytetit të Konispolit.
Konispoli është qyteza e vendosur në skajin më jugor të Shqipërisë, e njohur që prej lashtësisë dhe banuar nga fisi i kaonëve.
Vizitorëve iu lë mbresa për qetësinë, ajrin e pastër e panoramën e mrekullueshme. Pranë Konispolit gjendet edhe pika kufitare e doganës së Qafë Botës, një portë nga e cila qyteti mirëpret jo vetëm emigrantët e ardhur nga Greqia, por edhe turistët, të cilët kanë interes të njohin këtë vend të vogël.
Konipoli njihet gjithashtu për trashëgiminë kulturore siç është vendbanimi antik i fortifikuar i Çukës së Ajtoit./ KultPlus.com
Vullkani Kilauea në Hawaii ka shpërthyer për të 25-ën herë që nga dhjetori i vitit të kaluar, duke nxjerrë kolona gjigante lavash të nxehta, hiri dhe tymi.
Vullkani konsiderohet si një nga vullkanet më aktivë në botë. Magma e shkrirë që del nga krateri arrin një lartësi prej mbi 100 metrash.
Shpërthimi i mëparshëm i madh ishte më 26 maj, kur lava arriti një lartësi deri në 300 metra./ KultPlus.com
UNI – Universum International College ka kënaqësinë të njoftojë lansimin e programit profesional në Inteligjencë Artificiale – Niveli V me mundësi transferi në BA në vitin e tretë, të Akredituar nga Pearson, institucioni më i madh i akreditimit profesional në Mbretërinë e Bashkuar.
Ky program inovativ është pjesë e ofertës së zgjeruar akademike të UNI, dhe synon të përgatisë gjeneratën e re të profesionistëve të teknologjisë në Kosovë dhe më gjerë, përmes një qasjeje praktike dhe të orientuar drejt aftësive të kërkuara në tregun ndërkombëtar të punës.
Çfarë përfiton nga ky program?
Aftësi të avancuara në fusha si Inteligjenca Artificiale, Machine Learning, Data Science dhe Automatizimi,
Qasje në materiale të përgatitura sipas standardeve të industrisë globale të teknologjisë,
Mësimdhënie praktike nga profesionistë vendorë dhe ndërkombëtarë të fushës,
Mundësi për punësim të shpejtë apo vazhdim të studimeve në universitete ndërkombëtare të teknologjisë.
Ky program është i krijuar për ata që dëshirojnë të futen shpejt në tregun e punës me njohuri konkrete dhe të aplikueshme në teknologjitë më moderne, pa kaluar domosdoshmërisht nëpër rrugën tradicionale të studimeve universitare.
Partneritet strategjik me Arizona State University, universiteti më inovativ në SHBA,
Lidhje të fuqishme me industrinë dhe qasje në praktika profesionale,
Ambient modern mësimor dhe mbështetje për zhvillim të karrierës,
Edukim ndërkombëtar, në Kosovë.
UNI – Universum International College është i menaxhuar dhe fuqizuar nga Universiteti Shtetëror i Arizonës (ASU), i njohur si Universiteti Nr.1 në SHBA për inovacion.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim nga Lartmadhëria e Tij, Perandori i Japonisë, gjatë qëndrimit të saj në Tokio.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi se miqësia e thellë dhe marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Japonisë janë ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta, respektin dhe besimin e ndërsjellë. Presidentja ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit të Republikës së Kosovës për mbështetjen e Japonisë përgjatë viteve.
Presidentja Osmani e falënderoi Perandorin për mikpritjen dhe i uroi popullit japonez mirëqenie, shëndet dhe përparim të mëtejshëm./ KultPlus.com
Sot, sërish mblidhen deputetët e Kuvendit të Kosovës në përpjekjen e radhës për konstituimin e legjislaturës së 9-të.
Derisa në disa seanca rresht, kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t`i marrë 61 votat e nevojshme, ka qenë Vetëvendosje e cila ka propozuar votim të fshehtë, me të cilin nuk janë pajtuar opozita.
Ndërkohë çdo përfundim të seancës përfaqësuesit e partive politike po hedhin akuza ndaj njëra-tjetrës për bllokim institucional.
Seanca për konstituimin e Kuvendit ka nisur më 15 prill dhe po vazhdon pa asnjë rezultat e tash e 30 herë.
Seanca e sotme është caktuar për në ora 11:00 apo 48 orë pas asaj paraprakes.
Kjo seancë ka mbetur në pikën e tretë të rendit të ditës, zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Seanca është vazhdim i ndërprerjes së vazhdueshme për shkak të pamundësisë për të krijuar Komisionin për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka të drejtën të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë post. Megjithatë, ajo nuk ka arritur të sigurojë numrin e nevojshëm të votave në asnjërën nga herët kur është proceduar në votim.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar liderët partiakë më 15 maj, në përpjekje për të gjetur në zgjidhje, por as nga ky takim nuk ka rezultuar ndonjë progres në tejkalim të bllokadës institucionale.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me opinion në lidhje me kërkesën e AAK-së për vlerësimin e kushtetushmërisë së propozimit për formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë për Zgjedhjen e Kryeparlamentarit të Kosovës.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 9 shkurt./ KultPlus.com
Revista e njohur e udhëtimeve me seli në Afrikën e Jugut “Getaway Magazine” e cilëson Shqipërinë destinacion sekret të Mesdheut në një artikull të saj.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale artikullin e gazetares Lee-Ann Steyn të botuar në këtë revistë.
“Shqipëria, perla europiane e turizmit për të cilën po flitet edhe në Afrikën e Jugut. “Gateway Magazine” promovon Shqipërinë si sekretin mesdhetar të mikpritjes së ngrohtë dhe peizazheve përrallore të majave që bashkohen me detin dhe qyteteve të skalitura në gur”, shkruan Rama.
“Me mikpritje të ngrohtë, peizazhe mahnitëse malore që takohen me detin dhe kosto më miqësore se pothuajse çdo vend tjetër në Mesdhe, Shqipëria ofron diçka të rrallë: një ndjesi zbulimi”, thuhet ndër të tjera në artikullin e botuar në “Gateway Magazine”.
Artikulli i plotë:
Gjirokastra: Një qytet i gdhendur në gur
Nisni udhëtimin tuaj në Shqipëri jo në bregdet, por në brendësi, ku e kaluara është gdhendur në mure guri dhe çati të stilit osman. Gjirokastra, një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, njihet si “Qyteti i Gurtë”.
Qyteti i saj i vjetër shtrihet poshtë një kodre në shtresa çatish gri, rrugica me kalldrëm dhe pamje nga fortesat.
Vizitoni pazarin ku artizanët vendas ende shesin qilima të endur me dorë, punime tradicionale prej druri dhe enë bakri.
Vizitoni Kalanë e Gjirokastrës për të shijuar pamjet gjithëpërfshirëse mbi Luginën e Drinit dhe për të eksploruar koleksionin e saj eklektik të armëve dhe historisë (duke përfshirë një aeroplan të kapur të Forcave Ajrore Amerikane nga epoka e Luftës së Ftohtë).
Mos humbisni Muzeun Etnografik të Krujës.
Akomodohuni në një shtëpi mysafirësh ku muret janë të mbushura me histori dhe mëngjesi juaj përfshin reçel fiku të bërë në shtëpi dhe byrek të sapo dalë nga furra.
Berati dhe Butrinti: Gjurmë historie
Ndërsa Gjirokastra është e tëra me gur, Berati është një ëndërr e zbardhur në brigjet e lumit Osum.
Gjithashtu një vend i UNESCO-s, shtëpitë e tij ngjiten në kodër në rreshta të pafundme dritaresh të harkuara.
Eksploroni Kalanë e Beratit (njerëzit ende jetojnë brenda mureve të saj), ose shijoni një kafe në shëtitore ndërsa vendasit kalojnë aty pranë.
Më në jug, pranë kufirit grek, shtrihet Butrinti, një qytet i lashtë me rrënoja greke, romake, bizantine dhe veneciane. Mendojeni si mini-Pompei i Shqipërisë – pa turmat.
Amfiteatrot, tempujt dhe dyshemetë mozaiku shtrihen midis lagunave të qeta dhe shtigjeve me hije.
Riviera Shqiptare: E egër dhe e mrekullueshme
Pas maleve dhe muzeve, është koha për të shkuar në bregdet.
Riviera Shqiptare shtrihet nga Vlora deri në kufirin grek, një hark i mbuluar nga dielli me shkëmbinj dramatikë, ullishte dhe plazhe të qeta të përshkuara nga ujërat bruz.
Plazhet më të mira për t’u vizituar:
Ksamili: Shpesh i quajtur “Maldivet e Evropës”, është plazhi perfekt me rërën e bardhë dhe ujërat e kristalta.
I vendosur në jug të Sarandës dhe pranë Butrintit, mund të mbushet me pushues në mes të verës, por është ende shumë më i qetë se ishujt grekë.
Dhërmiu: Një ndërthurje e sharmit tradicional dhe ujërave kristalore, Dhërmiu ofron plazhe me guralecë, shpella dhe një fshat të vjetër mahnitës të vendosur në kodër.
Mendojeni sikur ndodheni në Bregun e Amalfit – por pa çmimin e lartë.
Plazhi i Gjipesë: Ky vend i mrekullueshëm i izoluar ndodhet në fund të një kanioni dhe kërkon një shëtitje të shkurtër ose një udhëtim me varkë për të arritur.
Gjipeja është një nga plazhet më të bukura dhe të pacënuar në vend – perfekt për një detoksifikim digjital.
Himara: Një qytet i vogël – ndërthur atmosferën e qetë me plazhet me rërë të butë dhe gjire aty pranë – ideale për kajak ose zhytje me maskë.
Borshi: Nëse ju pëlqejnë plazhet e gjata – Borshi është një ëndërr.
Plazhi më i madh në Rivierë, i rrethuar nga ullishte dhe rrënoja, dhe ujërat e tij të qeta janë perfekte për not./atsh/KultPlus.com
Dardha është një nga perlat e turizmit malor në juglindje të vendit. Ky fshat turistik, i cili tërheq vizitorë gjatë gjithë vitit, po përfiton një ndërhyrje të rëndësishme në infrastrukturë, për t’iu përgjigjur siç duhet fluksit të vizitorëve dhe nevojave të përditshme të komunitetit.
Rruga hyrëse e fshatit po shtrohet me asfalt, ndërsa në qendër po rivendoset kalldrëmi karakteristik që ruan identitetin dhe hijeshinë tradicionale të zonës. Punimet po realizohen nga bashkia e Korçës në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Punimet përfshijnë: 5000 m² asfaltim në rrugën hyrëse si edhe 1400 m² kalldrëm në zemër të fshatit.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo bëri të ditur se, ky investim do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe do ta bëjë Dardhën më të aksesueshme për vizitorët, duke ruajtur vlerat historike dhe kulturore që e bëjnë kaq të veçantë këtë destinacion./atsh/KultPlus.com
Bukuria jote Elenë asht për mue Si njato drrasat e Nikeas së dikurshme që tspërkunduna lehtë prej nji deti erëmirë e shtyjnë lundërtarin e lodhun e temërzitun drejt bregjeve t’vendlindjes. Ndër dete të dëshprueme rreshkun n’gabime, flokët e tu të zymbyltë, ftyra jot’e pastër, hiret e tua prej Najade mikanë kthye mbas te lavdia e dikurshme e Greqisë dhe madhëshba e Romës. Dhe ja! N’nji nikie ti shndrit aq bukur e krejt si nji statujë m’je shfaqë me Ilampën e Agatas ndër duer! Eh, ti Psyke, e zbritun prej njatyne vendesh që quhen Tokë e Shenjtë…/ KultPlus.com
”Përshëndetje. Hebrenjtë fshihen në fund të rrugës Prinsengracht 263 në Amsterdam. Nga e di ti?” “E di”. “Dhe kush je ti?” “Askush”. Ishte kjo përmbajtja e bisedës ”tradhtare” ndaj Ana Frankut, e vrarë në mars 1945, shkruan focus.it.
Kjo mund të ketë qenë biseda telefonike e 4 gushtit 1944 që “dënoi” Ana Frankun, e cila është kthyer në simbol të persekutimit antisemit.
Le të zbulojmë se si u kryen hetimet për të vërtetuar se kush e tradhtoi Anën, përmes artikullit “Të tradhtuar!” nga Anita Rubini, marrë nga arkivat e Focus Storia.
Informacioni arriti në zyrën e Julius Dettmann, një oficer eses gjerman, i cili dërgoi menjëherë një ekip për të kontrolluar shtëpinë.
Pas një rafti librash është hyrja e strehës ku Otto Frank, gruaja e tij Edith dhe dy vajzat e tyre Anna dhe Margot, tre anëtarë të familjes Val Pels dhe dentisti Fritz Pfeffer kishin jetuar për dy vjet.
Ata u arrestuan të gjithë dhe u dërguan në kampin tranzit Westbord dhe më pas u transferuan në Aushvic.
Sot ai “askush” nuk mund të kishte emër.
Sipas dy gazetarëve flamandë, Jeroen de Bruyn dhe Joop Van Wijk, ishte vërtet Nelly Voskuijl, një nga motrat e Elizabeth një daktilografiste e punësuar nga Otto.
Nelly filloi vullnetarisht të bashkëpunonte me Gestapon pas pushtimit gjerman deri në atë denoncim mizor./KultPlus.com
Jeto dhe jetën time po e deshe, Eja dhe merre, veç jeto.
Ata që s’duan dashurinë, Nuk dinë seç është mirësia. Folenë e ngrenë në errësirë, Edhe mbi ty lëshojnë stuhira. Se jane mësuar të zvarriten, Të të helmojnë, pastaj të vdesin. Pa prekur trupin tënd të ngrohur, Nga afshi i puthjesh, ledhatimit. Dhe pena ime nis e shkruan, Kaq e lodhur nga mundimi. Kërkon nga ty dhe merr dy fjalë, Dhe ndalet lumi i zemërimit.
Të dua, të dua, të dua, Oh, këngë hyjnore e kësaj bote. Që pëshpëritet nga buzët e dashuruara, Që frymë ty të dhanë.
Shumë të kërkova gjersa të gjeta. Dhe nëse vdes mos u trishto, Por, ti jeto!
Nëpër rrugët e dashurisë, Enden këngët dhe legjendat. Nëpër vargjet e poetit, Zemrën ta njoh. Dhe në vija pentagramesh, Derdhet shpirti i një artisti. Por diçka pa thënë ka mbetur, Le të tjeret ta tregojnë.
Dhe jetën time po e deshe, Eja dhe merre, Por, ti jeto… / KultPlus.com
Nga një tryezë poste që kurrë s’mbetet shkretë ku rrinë kujtimi, brenga zemra dhe heshtja vetë, posi pëllumba letrat degdisen që me natë. I ndiej tek flatrojnë për në shtegtim të gjatë.
Dhe ja, ku jam rrethuar me burra e me gra, plagosur nga mungesat, nga ndarjet e mëdha.
Letra, pusulla, fjalë: që nisen në hapësirë, ëndrra ende pa çelur, mendime ende pa gdhirë, të gjitha marrin rrugën drejt vatrës e drejt pragut, si ndjenjë dërguar ndjenjës, si gjak dërguar gjakut.
Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë, se unë do të të shkruaj. Një shtresë e trashë pluhuri mbulon letrat që s’duhen, aty u zverdhën faqet, aty germat u shuhen, aty humbasin radhët.
Ku mallet derdhur qenë, aty jep shpirt gëzimi. Pasi cepat u brenë,aty rropaten thellë (ç’varrezë e llahtarshme!) hem ndjenjat e kaluara, hem dashuritë e tashme
Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë, se unë do të të shkruaj.
Po kur të shkruaj unë do dridhet kallamari: do skuqet bojë e zezë, me flakërima zjarri. Se kur të shkruaj unë, do shkruajnë eshtrat e mia: do shkruaj gjaku im gjithë gulç nga dashuria
Do marrë letra udhë, si shpend në zjarr kalitur, me dy flatra të forta dhe një adresë të ndritur. Si zog që për fole qiell- ajër do të ketë, mishin, gishtërinjtë e tu dhe frymëmarrjen vetë. Do mbetesh ti e zhveshur tek dridhesh me ngadalë, e gatshme ta ndiesh letrën pas gjoksit tënd të valë.
Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë, se unë do të të shkruaj.
Një letër dje kam parë sesi mbeti pa zot, mbi sy tek i flatëronte dikujt që s’ngrihej dot. Letrat që mbesin gjallë dhe për të rënë tregojnë: që regëtijnë si njerëz, veç sy s’kanë të shikojnë.
Kur dhëmbëqenzit rriten, unë ndiej pranë veshit tim ërmimn’ e letrës sate tamam si një gjëmim. Dhe mos e marsha zgjuar, në gjumë do e marr atë letër./KultPlus.com
Shtegu malor që lidh Liqenin e Kallabakut me Majën e Kallabakut, një nga zonat më të bukura dhe të paprekura të Parkut Natyror Korab-Koritnik është një ndër të preferuarit e të pasionuarve pas ngjitjeve në mal.
Në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës turistike dhe promovimit të ruajtjes së natyrës brenda Parkut Natyror “Korab-Koritnik”, stafi i Administratës së Zonave të Mbrojtura Kukës ka realizuar shenjimin e këtij shtegu.
Shënimi i shtegut synon të lehtësojë orientimin e vizitorëve dhe të nxisë një turizëm të qëndrueshëm, në përputhje me vlerat natyrore dhe biodiversitetin që mbrohen në këtë zonë.
Parku Korab-Koritnik përfaqëson një zonë me sipërfaqe shumë të madhe dhe ndodhet në vargun malor të Korabit, midis lumenjve Drini i Zi dhe Drini i Bardhë, në lartësitë nga rreth 800m në 2,754m (maja e Korabit) si dhe në kufi me shtetet fqinje, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Është vargu malor më i lartë, më kompakt dhe me reliev më të larmishëm në vendin tonë, ku ndërthuren forma dhe mbetje të relievit të periudhave apo etapave të ndryshme të këtij evolucioni./atsh/KultPlus.com
Fshati i Radomirës, 37 km nga Dibra është kthyer vitet e fundit në një destinacion të preferuar për të pasionuarit pas ngjitjeve në mal.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga liqeni i zi në Radomirë, si një ftesë për t’u vizituar nga turistë vendas e të huaj.
Liqeni i zi, një mrekulli natyrore e fshehur në fshatin Radomirë të Dibrës, është një destinacion përrallor.
Liqeni në dimër ngrin në sipërfaqe dhe ka një hapësirë prej 0.8 ha. Është i pasur me një botë të gjallë. Ka vlera shkencore gjeologjike, hidrologjike, biologjike, estetike, didaktike, ekologjike dhe kulturore.
Ky liqen është i rrethuar nga një masiv pyjor me pishë të zezë. Për vlerat e veçanta natyrore gëzon statusin Monument Natyre.
Radomira, pjesë e parkut natyror Korab-Koritnik, shënon hyrjen në rrugën turistike që ngjitet drejt malit të Korabit.
Pranë këtij fshati sidomos gjatë stinës së verës vijnë shumë turistë vendas e të huaj. E vendosur rrëzë malit të Korabit, majës më të lartë në Shqipëri dhe e rrethuar nga pisha është Radomira magjike.
Ajri i pastër, burimet e ujit, kullotat dhe pyjet në anët e Korabit përbëjnë burime të çmuara që mund të kontribuojnë në zhvillimin e zonës, duke e kthyer Radomirën në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.
Dibra ka resurse të jashtëzakonshme natyrore, pasi është një nga trevat më të bukura të vendit, kufizohet me Maqedoninë dhe shtrihet në një territor të gjerë, nga lartësia e malit të Korabit dhe deri në kufijtë e Matit me malin e Dejës, ku shtrihet në veri Lura, një nga perlat e Shqipërisë./atsh/KultPlus.com
Ditën e djeshme u çel, në Romë, “No Man is an Island”, projekti më i ri i artistit Adrian Paci.
“No Man is an Island” është një ekspozitë që fton të reflektojmë mbi humanizmin, përgjegjësinë e përbashkët dhe përvojat që na afrojnë, përmes një rrëfimi vizual mbi udhëtimin dhe fuqinë transformuese që ai mbart.
Titulli vjen nga vargjet e poetit anglez, John Donne, që na kujtojnë se askush nuk është një ishull i veçuar, por pjesë e një bashkësie më të gjerë njerëzore.
Artisti Adrian Paci ndërton një narrativë ku udhëtimi bëhet hapësirë reflektimi për përkatësinë, ndërlidhjen dhe sfidat e kohëve tona.
Në inaugurim ishte e pranishme zëvendësministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa, ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri si edhe ambasadorja pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj.
Adrian Paci ka lindur në vitin 1969, në Shkodër. Ai ka studiuar pikturë në Akademinë e Arteve në Tiranë. Në vitin 1997 u vendos në Milano. Gjatë karrierës së tij, Adrian Paci ka hapur shumë ekspozita personale në institucione të ndryshme ndërkombëtare si: Musée d’Art Contemporain de Montréal (2014); Padiglione d’Arte Contemporanea – PAC, Milan (2014); Jeu de Paume, Paris (2013); National Gallery of Kosovo, Prishtina (2012); Kunsthaus Zurich, Zurich (2010); Bloomberg Space, London (2010); The Center for Contemporary Art – CCA, Tel-Aviv (2009); Museum am Ostwall, Dortmund (2007); MoMA PS1, New York (2006) dhe Contemporary Arts Museum, Houston (2005).
Veprat e tij gjenden në disa koleksione private dhe publike, përfshirë Metropolitan Museum, New York; Muzeun e Artit Modern, New York; Musée d’Art Contemporain de Montréal; Centre Pompidou, Paris; Israel Museum, Jeruzalem; MAXXI, Romë; Fundacio Caixa, Barcelonë; Moderna Museet, Stokholm; Kunsthaus Zürich, Zyrih; UBS Art Collection, Londër; Museum of Contemporary Art, Majemi, Shtetet e Bashkuara; New York Public Library, New York; Solomon Guggenheim Foundation, New York; Seattle Art Museum, Seattle./atsh/KultPlus.com
Anna Frank është vajza që vdiq në vitin 1945 në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen, në Gjermani. Ajo u bë e famshme kur ditari i saj iu publikua pas vdekjes, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, shkruan KultPlus.
Sot, në 96-vjetorin e lindjes së saj, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të fuqishme të kësaj vajze që tashmë konsiderohet si zëri i të gjitha viktimave të Luftës së Dytë Botërore:
“Vërtet është për t’u habitur se si nuk kam hequr dorë nga të gjitha idealet e mia sepse duken shumë absurde dhe të pamundura për t’i realizuar. Megjithatë nuk tërhiqem nga ato, përkundër të gjithave edhe më tutje besoj se njerëzit janë të mirë.”
Njerëzit mund të të thonë mbylle gojën, por kjo nuk të ndalon e as nuk të pengon që të kesh mendimin tënd.
Sa mirë është ajo kur askush nuk duhet pritur asnjë çast për ta bërë botën më të mirë.
Në shtigje të gjata, arma më e mprehtë nga të gjitha është shpirtmirësia dhe ndjeshmëria.
Kujto të gjitha bukuritë rreth teje dhe bëhu i lumtur.
Fati meritohet duke bërë vepra të mira dhe duke punuar, duke mos spekuluar dhe duke mos qenë i mërzitshëm e i bezdisshëm.
Madhështia e njeriut nuk bazohet në pasuri dhe forcë, por në karakter dhe mirësi. Njerëzit janë vetëm njerëz dhe të gjithë njerëzit kanë mangësi dhe veti, por të gjithë ne lindim të mirë.
Mund të jesh i vetmuar madje edhe atëherë kur shumë njerëz të duan, nëse për askënd nuk je një dhe i vetëm.
Të gjithë jetojmë me dëshirë që të jemi fatlum dhe të lumtur. Jetët tona janë të ndryshme, por përsëri të njëjta.
Thellë në vetvete, të rinjtë janë më të vetmuar se të moshuarit.
Pse disa njerëz duhet të durojnë urie, përderisa ne viset tjera të botës ka tepricë? Oh, pse njerëzit janë ashtu të çmendur.
Nuk dua të jetoj kot, si shumica e njerëzve. Dua të jem e dobishme dhe t’u sjellë kënaqësi të gjithë njerëzve, madje edhe atyre të cilët kurrë nuk i kam njohur. Dua të vazhdoj të jetoj edhe pas vdekjes.
Kam kuptuar se bukuria gjithmonë diku ekziston-në natyrë, në rrezet e Diellit, në liri, në ty; e gjithë kjo mund të të ndihmojë.
Prindërit mund të japin këshillë të mirë ose ta orientojnë fëmijën në rrugë të drejtë, por përfundimisht formimi i karakterit të ndokujt qëndron në duart e tij.
Është vetëm një rregull që duhet mbajtur në mend: qeshu për gjithçka dhe harro të gjitha të tjerat! Tingëllon shumë egoiste, por ky është ilaçi i vetëm kundër vetëkeqardhjes (dëshpërimit).
Megjithëse jam 14 vjeçe, e di mjaft mirë se çfarë dua, e di çfarë është e drejta dhe çfarë është e gabuara.
Kam opinionet e mia, idetë e mia dhe pariemt e mia, dhe megjithëse mund të duket çmenduri për një adoleshente, ndihem më shumë përson se sa fëmijë, ndihem më e pavarur se çdokush.
Secili që është i lumtur do ti bëjë edhe të tjerët të lumtur.
Pavarësisht gjithçkaje unë besoj akoma që njerëzit kanë një zemër të mirë.
Nuk e mendoj kurrë mjerimin, por bukurinë që ka ngelur ende. /KultPlus.com
Platforma “Airbnb” e ka konsideruar qytetin bregdetar shqiptar të ngjashëm me Ibizën – duke ofruar plazhe mahnitëse dhe të pastra dhe një jetë nate të gjallë – por me një kosto shumë më të ulët, shkruan Danielle Canagasuriam në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.
Në një raport “Airbnb” detajon destinacionet më trendi të udhëtimeve në Britaninë e Madhe për verën e vitit 2025.
Duke ofruar bare plazhi dhe një jetë të gjallë nate – Durrësi është destinacioni ideal për turistët që kërkojnë një përvojë të ngjashme me Ibizën – por me një buxhet të kufizuar.
“Britanikët po kërkojnë gjithnjë e më shumë ambiente të gjalla dhe argëtuese – që ofrojnë të njëjtën bukuri bohemiane dhe një jetë nate plot gjallëri si Ibiza – por pa çmimet e larta”, sipas “Airbnb”.
“Shqipëria është një perlë. Kërkimet (searchings) për qytetin e vendosur në bregdetin e Adriatikut po rriten për momentin, ndërsa britanikët kërkojnë të eksplorojnë destinacione të lira pushimesh”, tha platforma.
Por, Durrësi është më shumë sesa një destinacion i ngjashëm me Ibizën – ai ka një histori të pasur për t’u zbuluar.
Durrësi është një nga qytetet portuale më të vjetra dhe më të rëndësishme në Ballkan, me një histori që daton gati 3,000 vjet më parë.
Historia e tij mbresëlënëse i ka dhënë Durrësit titullin “Qytet i Përjetshëm” në Detin Adriatik.
Një nga atraksionet më të mëdha në Durrës janë padyshim plazhet e tij me rërë.
Durrësi është shtëpia e disa prej plazheve më mahnitëse të Shqipërisë, të përshtatshme si për adhuruesit e sporteve ujore ashtu edhe për turistët që kërkojnë plazhe të qeta.
Plazhi më i njohur në qytet është plazhi me të njëjtin emër: Plazhi i Durrësit.
Vija bregdetare është krahasuar me Rivierën Franceze me ujëra të cekëta dhe rërë të butë.
Në zonat ngjitur me portin fshihen disa shkëmbinj – kështu që mund të merrni me vete këpucë uji.
Vizitorët që kërkojnë aventura mund të marrin me qira një motor uji ose të provojnë të hidhen me parashutë, në plazhin e Durrësit.
Gjithashtu, ofrohen aktivitete si volejbolli dhe seanca joge, të organizuara nga klubet më të mëdha të plazhit.
Mos humbisni një tjetër perlë lokale: Plazhi i Golemit.
I vendosur 20 kilometra në jug të qendrës së qytetit të Durrësit, plazhi i Golemit – me rreth 3,5 kilometra rërë të butë dhe të artë dhe ujëra bruz – ia vlen të vizitohet.
Ka shumë plazhe të tjera – si perla të fshehura ashtu edhe vende turistike – që janë mjaft të lehta për t’u arritur nga qendra e qytetit.
Plazhet pranë Durrësit:
Plazhi i Spillesë Plazhi i Porto Romanos Plazhi i Kallmit Kepi i Rodonit Shkëmbi i Kavajës Plazhi i Currilave
Nëse jeni duke kërkuar një eksperiencë më kulturore, eksploroni galeritë, teatrot dhe muzetë e shumta në Durrës.
Një nga më të frekuentuarit është Muzeu Arkeologjik ku ekspozohen objekte që përfshijnë periudha të shumta.
Nëse dëshironi një atmosferë më moderne dhe pasuri kulturore, jugu i qytetit është zgjidhja më e mirë.
Këtu, do të gjeni restorante dhe resorte të zhurmshme, si dhe një jetë nate të gjallë./atsh/KultPlus.com
Si pjesë e Javës Kulturore Izraelite, erdhi mbrëmjen e së martës, koncerti rock plot energji me legjendat “Orphaned Land”.
Grupi rock bashkoi ritmet e fuqishme me një thirrje për paqe dhe unitet.
“Legjendat e metalit oriental “Orphaned Land” sollën në skenë muzikë që tejkaloi kufijtë. Një mbrëmje plot energji dhe ritëm”, shkruhet në faqen e Javëve Kulturore Ndërkombëtare.
“Orphaned Land” është vlerësuar me çmime ndërkombëtare për paqen dhe me mijëra nënshkrime për një Nobel.
Mbrëmjen e djeshme, ky grup nuk krijoi thjesht muzikë, por krijoi një atmosferë që frymëzoi zemrat dhe ndërgjegjen e publikut./atsh/KultPlus.com
Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi ka mirëpritur drejtoren e Qendrës së Librit dhe Leximit nga Tirana, Alda Bardhyli.
Së bashku vizituan bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, ku bashkëbiseduan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në funksion të promovimit të letërsisë shqipe, me theks të veçantë në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta kulturore e letrare.
Gjithashtu, Halimi ka njoftuar Bardhylin për krijimin e hapësirave të reja për kulturë dhe art në Kryeqytet, si dhe për dinamikën e angazhimeve të tyre në fuqizimin e lexueshmërisë sidomos tek gjeneratat e reja./ KultPlus.com
Standardet ndërkombëtare e përkufizojnë punën e fëmijëve si punë që është e rrezikshme për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës, kërkon shumë orë dhe kryhet nga fëmijë shumë të vegjël. Zakonisht, puna e fëmijëve ndërhyn në të drejtën e fëmijës për arsimim dhe lojë.
Që nga viti 2000, bota ka bërë përparim të qëndrueshëm në reduktimin e punës së fëmijëve. Por gjatë viteve të fundit, konfliktet, krizat dhe pandemia COVID-19, kanë zhytur më shumë familje në varfëri dhe kanë detyruar miliona fëmijë të punojnë.
Rritja ekonomike nuk ka qenë e mjaftueshme, as gjithëpërfshirëse, për të lehtësuar presionin që shumë familje dhe komunitete ndiejnë dhe që i bën ata të përdorin punën e fëmijëve. Sot, 160 milionë fëmijë janë të angazhuar në punë. Kjo shifër është pothuajse 1 në 10 fëmijë në mbarë botën. 79 milionë e këtyre fëmijëve, kryejnë punë të rrezikshme. 97 milionë e tyre janë djem dhe 63 milionë janë vajza.
Afrika renditet e para me 72 milionë fëmijë që punojnë, Azia dhe Paqësori renditen në vendin e dytë me 62 milionë fëmijë. Popullsia e mbetur është e ndarë midis Amerikës (11 milionë), Evropës dhe Azisë Qendrore (6 milionë) dhe vendeve Arabe (1 milionë)./ KultPlus.com
Të shtunën prej orës 13:00 në KultPlus Caffe Gallery do të promovohet libri “Psikologji në jetën time” nga autori Imri Demisai, i cili përpos që është poet, ai është edhe psikolog dhe psikoterapeut, shkruan KultPlus.
Demisai është nga Struga por që jeton në Suedi, dhe në këtë promovim libri ai do të ligjërojë edhe për cështje sociale, psikologjike dhe psikiatrike, duke vën në pah rëndësinë e ndërgjegjjes familjare për ti kuptuar brengat shpirtërore dhe konfliktet.
Kjo ngjarje është e hapur për të gjithë ata që janë të interesuar për këtë prezantim, dhe në të njëjtën kohë Imri Demisai do të jetë i hapur edhe për pyetjet e audiencës./ KultPlus.com
Visar Kryeziu, Vjosa Sadriu- Hamiti dhe Ridvan Slivova mbrëmë kanë shpalosur përvojat, kujtimet dhe sfidat e gazetarisë gjatë kohës së luftës në një panel diskutimi të mbajtur në shenjë të manifestimit të Ditës së Çlirimit, përkatësisht 26-vjetorit të lirisë së Kosovës, në KultPlus Caffe Gallery.
Tre panelistët janë personazhe të cilët koha e luftës i ka gjetur në një moshë fare të re, megjithatë ambicia e tyre për të treguar të vërtetën e popullit të përvuajtur, i ka shëndrruar ata në dokumentues të ngjarjeve në vitet më të vështira të popullit të Kosovës, duke e tronditur edhe ndërgjegjen ndërkombëtare.
Moderuesja e këtij paneli diskutues me shumë rëndësi, Vlora Merovci, ka thënë se puna e fotoreporterëve në momentet më të vështira të Kosovës, ka bërë që të gjitha përjetimet e asaj kohe të kthehen në momente të përjetshme.
“Një ndër dimensionet më të fuqishme të këtij rrugëtimi ishin momnentet e pathëna, shikimet e heshtura dhe fotoreporterët ata që i kthyen këto në kujtime të përjetshme. Pra, nëpërmjet objektvave të tyre ata nuk e dokumentuan vetëm luftën, ata e tronditën ndërgjegjen ndërkombëtare dhe ata ishin gjithmonë aty ku dhimbja bërtiste, ku dhimbja mbijetonte dhe ku imazhi bëhej dëshmi”, ka thënë Merovci.
Visar Kryeziu, i cili ka fotografuar të gjithë trupat e dëshmorëve të Familjes Jashari nisi të shpalos rrëfimin e tij duke shpërfaqur guximin, sinqeritetin dhe atdhedashurinë e një djaloshi 21 vjeçar, i cili me punën e tij ka dhënë një kontribut të madh e të pashlyeshëm për çlirimin e vendit.
“Kur kam filluar unë kam qenë 21 vjeçar, megjithëse të rinj, ne kemi qenë të vetëdijshëm për barrën që e mbanim mbi supe. Në atë kohë të gjithë kemi qenë të indoktrinuar politikisht. Deshëm apo jo kemi qenë të përfshirë në atë që ndodhte, ndryshe nga rinia e ditëve të sotme, që nuk janë të përfshirë në situatën politike. Kam filluar në Kohë Ditore, dhe pastaj më kanë ftuar gazetarët prej Associated Press, Reuters dhe agjenci e televizione të ndryshme. Fotografia ka qenë thirrje e imja e brendshme, me të cilën kam menduar për të bërë punë më të madhe. Mendoja që arma të cilën nuk e kishim për luftë, ishte aparati. AP ishte agjencia më e madhe botërore e lajmeve, e për këtë ndoshta nuk kam qenë i vetëdijshëm sa shtrirje të gjerë kanë pasur në tërë globin. Çdo ditë kemi qenë në terren dhe çdo gjë që raportonim merrte jehonë në dimensione tjera. Nuk e kam ditur që fotografitë e mija janë publikuar në Japoni, Tajlandë, Indonezi, Rusi dhe Beograd”, ka thënë Kryeziu.
Kurse Vjosa Sadriu-Hamiti, e cila e kishte filluar misionin e saj në moshën 24-vjeçare si përkthyese në informatorin gjerman, tha se rrugëtimi i saj kishte nisur me përgjegjësinë që ajo e ndiente për të plasuar gjendjen e Kosovës para publikut gjerman.
“Unë kam filluar të punoj në QIK në 95-tën, pasi kisha qenë në Gjermani për një vit në studime. Kur u ktheva më ftuan se donin të fillonin edhe me informatorin gjerman, pas informatorëve në gjuhën shqipe dhe angleze. Në Kosovë ‘QIK’ ka qenë i vetmi zë që fliste për shqipatarët, çdo lajm që është botuar, është verifikuar përmes nëndegëve dhe KMDLNJ-së deri në 10-të herë. Në atë kohë kam qenë 24 vjeçe, ku edhe i kam ngarkuar vetes detyrën për ta bërë atë punë, pasi mendoja që nëse nuk do të përktheheshin lajmet në gjuhën gjermane, Gjermania nuk do ta dinte se çfarë po ndodh me ne. Pasluftës e kemi kuptuar që një barrë të tillë e ka pasur secili prej nesh në atë kohë. Ky aktivitet nuk është cilësuar si barrë, por si diçka që pa ty nuk mund të ecën procesi dhe nuk mund të informohen njerëzit. Nga perspektiva e sotme, ajo është një barrë bukur e rëndë për një moshë shumë të re”, ka thënë Sadriu- Hamiti duke kujtuar edhe kohën kur në shtëpinë e saj i kanë bërë konak gazetarëve të huaj.
Kurse, Ridvan Slivova përvojën e tij si fotograf e ka filluar pikërisht në trazirat më të mëdha të vendit, duke mos e menduar faktin që përmes punës së tij do të ndërtonte histori, duke filluar nga shfaqjet e Faruk Begollit në Dodonë, e deri te lufta dhe masakrat e ndryshme.
“Kemi qenë të përgatitur si nga ana psikologjike, e po ashtu edhe nga ana informative mbi atë se me çka po përballej vendi ynë, pavarësisht moshës që e kemi pasur. Çdo lajm pasi është marrë, është analizuar disa herë. Nuk janë publikuar lajme që dalin sot në publik. Unë kam filluar shumë i ri, pikërisht në vrullin e trazirave më të mëdha, pasi lufta është një kurorë e asaj që ka ndodhur përpara. Shumë kemi përjetuar si të rinj, duke filluar në 91-tën duke fotografuar një kufomë për ta parë opinioni. Në atë kohë kam punuar për mediat vendore, mirëpo përmes Këshillit për të Drejta të Njeriut dhe Qendrës Informative, janë dërguar informacionet në qendrat kryesore të botës. LDK ka pasur degë dhe nëndegë me njerëz të informuar për çkado që ka ndodhur në Kosovë. Kjo qendër është njoftuar brenda një ore”, ka thënë Slivova.
Në këtë panel diskutues i cili ngjallte kuriozitet, fotografi Visar Kryeziu ka treguar se ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me cilët është takuar kanë qenë krye-komandanti Adem Jashari dhe Abedin Rexha- Sandokani, pasi deri atëherë UÇK-ja kishte vepruar në ilegalitet.
“Secilin shqiptar apo ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që e kemi fotografuar me armë, ka qenë rrezik individual për të, por edhe për familjen e tij. Ne e dijmë çfarë hakmarrje ka pasur aparati shtetëror serb. Ka qenë një përgjegjësi shumë e madhe, në të njëjtën kohë duhej për ta fituar besimin për të kryer misionin. Ndoshta edhe nuk e kam ditur peshën që e ka pasur. Jam munduar që ta kryej punën pa i kalkuluar dëmet që do të mundja t’i shkaktoj. Mendonim se me ato fotografi ne kemi me ndal luftën”, ka thënë Kryeziu.
Ndërsa, Vjosa Sadriu- Hamiti ka rrëfyer edhe rastin më sfidues të cilin e ka përjetuar gjatë asaj periudhe të vështirë.
“Një herë kemi qenë në afërsi të Llapit, me një gazetar të huaj. Na patën thënë hyni këtej, nga një rrugë e arave dhe të kthehemi në të majtë. Rrugës duke shkuar ngelëm në baltë pasi vetura nuk ishte në gjendje shumë të mirë. Dikush tha që dalim jashtë e t’i ngrisnim duart lartë duke i lëvizur, në mënyrë që të vijnë pastaj ushtarët e UÇK-së për të na ndihmuar. Ne faktikisht aty kishim qenë në vijë të frontit. Aty vetëm Zoti ka dashur të na shpëtoj. UÇK-ja e kanë ditur se janë në vëzhgim dhe kishin dërguar një banor të asaj ane për të na nxjerrë nga balta”, ka kujtuar Sadriu-Hamiti.
Ndërsa, fotografi Ridvan Slivova tha se gjatë kësaj kohe është munduar të fotografoj sa më pak ushtarë, me qëllim që të mos i ekspozoj para pushtuesve.
“Në Llap, Isa Havolli- një ushtar i vjetër në front të luftës së bashku me një ushtar tjetër nga Shqipëria, na thoshte të mos i rrinim përpara. Ai askënd nuk e lejonte përpara tij, me idenë që mos t’i vritej asnjë i ri, sepse ai ishte në front dhe përpara kanë qenë të barrikaduar pala tjetër. Kemi raste të lloj- llojshme. Për fat të mirë kemi ditur edhe të ballafaqohemi edhe na kanë njohur njerëzit pak a shumë” ka thënë Slivova.
Fotografi Visar Kryeziu, i cili posedon një arkivë me trupat e dëshmorëve të familjes Jashari i ka bërë thirrje komunitetit për t’u angazhuar në ruajtjen e materialit arkivor, i cili do të shërbej si mbamendje për memorien kolektive.
“Familjen Jashari e kam fotografuar sepse për mua ka qenë e rëndësishme të dokumentoj. Kam menduar që e kam kryer punën e një prokurori ose një fotografi të prokurorisë për krime, sepse misioni im ka qenë të paraqes atë çfarë kanë bërë serbët në këtë familje. 80 % e viktimave janë fëmijë, gra, pleq e plaka. Aty vetëm katër persona kanë qenë të moshës që mund të përfshiheshin në luftë. Fotografitë që i posedoj nuk janë për tu ekspozuar. Unë ende nuk e di se si shteti i Kosovës nuk i posedon në Arkivë. Në mbledhjen komemorative të Alban Bujarit i bëra pyetje vetes çka nëse nesër mua më ndodh e njejta gjë? Çka do të ndodhe me materialet e mija? Unë nuk e di nëse gruaja dhe fëmijët e mi do të jenë në gjendje të jetësojnë punën që nuk kam mundur unë ta arkivoj. Kërkojnë një qasje profesionale” ka thënë ai duke e përmendur edhe shumëllojshmërinë e fotografive të cilat gjenden në arkivën e tij personale.
“Unë frikësohem kur hyj në arkivë me punu sepse aty gjej gjithçka. I kam gjetur ushtarët në morg të Prizrenit, dëshmorët e Pashtrikut. Kam pasur rastin të hyj edhe në morg të Prizrenit. Unë nuk e kam ditur deri vonë që ata janë ushtarët e komandant Mujë Krasniqit. Këto fotografi kërkojnë një profesionist për t’i trajtuar dhe për t’i arkivuar pasi nuk janë foto për publikim. Por, unë po mendoj që janë të vlevshme për shtetin tonë”, ka thënë Kryeziu.
Drejtoresha e gazetës online për art dhe kulturë, Ardianë Pajaziti në këtë takim me panelistët e gazetarëve dhe fotografëve të luftës ka propozuar që të themelohet një Institut për Fotografët dhe Reporterët e Luftës, me qëllim të zbardhjes së fotografive dhe dokumentimeve të tjera.
“Është më rëndësi që të themelohet një Institut me gazetarët dhe fotoreporterëve të luftës, shumë fotografi kanë mbetur në arkivat e fotografëve dhe vetëm në këtë mënyrë dokumentohet vuajtja e popullit shqiptar”, ka thënë Pajaziti, e cila më pas ka shtuar se për këtë punë duhet një angazhim maksimal dhe dërgimi I këtij ekipi në një rezidencë disa mujore do të ndihmonte në këtë çështje.
Edhe të pranishmit tjerë, këtë panel diskutues e cilësuan të një rëndësie të veçantë, tema e të cilit duhet të trajtohet nga organet kompetente me prioritet, ndjeshmëri dhe serozitet, në mënyrë që shteti i Kosovës të ketë arkivë me qindra e mijëra fotografi nga një periudhë shumë e rëndësishme e vendit./ KultPlus.com
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka përkujtuar 12 qershorin e vitit 1999, ditën e çlirimit të Kosovës nga forcat serbe, duke e cilësuar atë si një moment historik që i dha fund errësirës dhe riktheu shpresën.
“Sot kujtojmë ditën që i dha fund errësirës dhe ringjalli shpresën. Çdo hap i trupave të NATO-s në Kosovë ishte një hap drejt jetës, lirisë dhe dinjitetit,” shkroi Vengu në platformën X.
Sot shënohen 26 vjet nga hyrja e forcave të NATO-s në Kosovë, që çuan në largimin e trupave serbe të Millosheviqit dhe shënuan fillimin e një epoke të re për vendin, në rrugën e lirisë dhe pavarësisë./ KultPlus.com