Celine Dion po përgatitet të këndojë në Eurovizion

Celine Dion nuk ka ndërmend të “zhduket” sërish nga qendra e vëmendjes, pasi pas Olimpiadës përflitet se do të shfaqet edhe në Eurovision 2025.

Sipas Daily Mail, Dion ” thuhet se do të rikthehet në konkursin e këngës në Zvicër, vendi që ajo përfaqësoi në konkursin e vitit 1988 me Ne Partez Pas San Moi .”

Pas performancës së saj në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit në korrik, spekulimet kanë qenë të shumta për një paraqitje, megjithëse kjo ende nuk është konfirmuar, as nga organizata, as nga përfaqësuesit e Celine Dion. Këngëtarja ishte larg muzikës për një kohë të gjatë, duke luftuar me sëmundjen e rëndë nga e cila vuan.

Pjesëmarrja e Dionit në konkursin e këngës në vitin 1988 ishte një moment kyç në karrierën e saj. Ajo përfaqësoi Zvicrën me këngën “Mos u largo pa mua”, një baladë e fuqishme. Konkursi u mbajt në Dublin, Irlandë më 30 prill 1988.  Performanca e saj mahniti publikun dhe gjyqtarët. Ajo fitoi, duke siguruar 137 pikë. Kjo fitore jo vetëm që i dha Zvicrës fitoren e dytë të Eurovizionit në histori, por gjithashtu nisi karrierën ndërkombëtare të Dion, veçanërisht në Evropë./KultPlus.com

epa07309827 Canadian singer Celine Dion poses for the photographers prior to the Spring/Summer 2019 Haute Couture collection show by French designer Alexandre Vauthier during the Paris Fashion Week, in Paris, France, 22 January 2019. The presentation of the Haute Couture collections runs from 21 to 24 January. EPA/ETIENNE LAURENT

Pse Roma e Lashtë mbetet e rëndësishme?

Nga Shlomo Ben-Ami*, Project Syndicate

Përse Roma e vjetër rezonon kaq shumë me publikun bashkëkohor? Një faktor mund të jetë sepse historia e Perandorisë Romake është aq komplekse, saqë elemente të ndryshme të saj mund të studiohen veçmas njëri tjetrit, të rirenditen dhe ri-interpretohen sipas një sërë narrativash dhe besimesh.

Vjet, mediat sociale u përfshinë nga një trend, ku gratë pyesnin burrat se sa shpesh ata mendonin për Perandorinë Romake. “Shumë,” rezultoi të ishte përgjigjia e tyre. Një numër i konsiderueshëm burrash thanë se mendonin për perandorinë e lashtë disa herë në javeë e madje, edhe disa herë në ditë.

Po, përse Roma e vjetër rezonon kaq shumë me publikun bashkëkohor? Sipas klasicistes dhe studiueses së njohur të Romës, Mary Beard, Republika Romake përbën themelin e politikës dhe kulturës moderne. Për më tepër, duket se historia e Romës është aq komplekse, saqë elemente të ndryshme të saj mund të studiohen veçmas njëri tjetrit, të rirenditen dhe ri-interpretohen sipas një sërë narrativash dhe besimesh.

Roma ishte frymëzimi kryesor i demokracisë liberale. Mendimet dhe veprimet e “etërve themelues” të Amerikës ishin të injektuara nga idealet romake dhe vetë SHBA u paraqit si standardi i ri i lirive republikane. Por, në mënyrën e tyre, edhe fashistët Italianë me Musolinin në krye, u përpoqën po aq të paraqiteshin si trashgimtarë të denjë të Perandorisë Romake.

Historia e Romës është gjithashtu historia e një republike demokratike që kthehet në autokraci kur bëhet viktimë e zemërimit popullor dhe kur normat politike shkelen, duke i hapur rrugën dëshirës së përgjithshme për një udhëheqës “të fortë.” Kritikët shpesh e krahasojnë Donald Trump me Jul Çezarin, ndërsa i referohen demagogjisë së tij, luftës së pamëshirshme për pushtet dhe dëshirës për të shkelur rregullat dhe normat. Nga ana tjetër, ekstremistët e djathtë në amerikë bëjnë po të njëjtin krahasim, duke dashur ta paraqesin Trump-in si një pushtues të lavdishëm perandorak.

Mbështetësit e Trump-it, besojnë (në mënyrë të gabuar), se ishin emigrantët ata që sollën rrënimin e Perandorisë Romake. Më gjerësisht, forcat e ekstremit të djathtë kanë sugjeruar gjithmonë se Roma e lashtë hodhi themelet e “kulturës së bardhë.” Kjo ndihmon në spiegimin e pikëpamjeve të klasicistit të Universitetit të Princeton-it, Dan-el Padilla Peralta, se disiplina që ai drejton është e pandashme nga mendësia imperialiste.

Por, Beard e sfidon mitin e kulturës së bardhë në librin e saj “SPQR: Një Histori e Romës Antike” (botuar në vitin 2016), duke argumentuar se historia e Perandorisë Romake – e cila në fakt kishte një diversitet etnik – është “historia e njerëzve me ngjyrë.” Në fakt, libri mbyllet me dhënien e shtetësisë gjithë subjekteve të perandorisë nga perandori Caracalla. Aristokracia e vjetër romake i humbi të gjitha privilegjet, pasi nuk pranoi t’i ndante ato me pjesën tjetër të popullsisë.

Kështu, historia e Romës është kthyer në një fushë ëndrrash për njerëz që besojnë tek patriarkalizmi. Ndonëse Roma kishte figurat e saj heroike femërore, ato përgjithësisht ishin nënat dhe gratë e perandorëve. Në thelb, shoqëria romake ishte një shoqri pretoriane, e cila çmonte trimërinë, nderin dhe burrërinë, ose të ashtuquajturat virtus. Njëkohësisht, marrëdhëniet homoseksuale konsensuale ishin të ligjshme, ndaj, Roma e vjetër mund të shihet edhe si një burim i hershëm i legjitimitetit të të drejtave për personat homoseksualë.

Nga ana tjetër, Roma sillet në kujtesë edhe kur është fjala për hegjemoninë amerikane. Paqja Romake – një lloj “epoke e artë” paqeje relative e prosperiteti, e mbështetur në një perandori të fuqishme – ka qenë modeli për krijimin e Paqes Amerikane (Pax Americana), që lindi pas Luftës së Dytë Botërore. Ashtu sikurse lufta për një “paqe të përbashkët” mes qytet-shteteve greke pas Luftës së Peloponezit i dha Romës bazën morale për ta pushtuar Greqinë, edhe luftërat e pafundme në Europë, i nxitën gradualisht SHBA-të që të silleshin si garantues të jashtëm të paqes dhe rendit. Paqja, mesa duket, rrallë përputhet me lirinë e plotë politike.

Por, Paqja Amerikane sot duket se po zbehet, duke i hapur rrugën spekulimeve të shumta për “rënien” e afërt të “perandorisë” amerikane. Bazat për këto spekulime u hodhën qysh në shekullin e tetëmbëdhjetë, kur figura si Edward Gibbon dhe Montesqueiu shkruajtën për fatin e Perandorisë Romake. Megjithatë, SHBA-të kanë ende shumë për të mësuar, që të mund të shmangin rënien e tyre.

Ndoshta mësimi më i rëndësishëm është se edhe hegjemonia kërkon një sens mase. Roma vuajti nga ajo çfarë Gibbon e përshkruan si “pasoja e natyrshme dhe e pashmangshme e madhështisë së tepruar.” SHBA-të njihen për një mungesë të ngjashme përulësie, veçanërisht gjatë viteve të hegjemonisë së pakontestuar pas Luftës së Ftohtë. Ndaj, ato duhet të kujdesen që kryelartësia mos të kthehet në fundin e tyre.

Megjithëse krahasimet historike mund të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë të tashmen dhe të ardhmen, ato nuk na ofrojnë asnjë garanci. As i ashtuquajturi “Kurthi i Tukididit,” i cili flet për përplasjen e “pashmangshme” mes një hegjemoni ekzistues (si SHBA) dhe një fuqie në rritje (si Kina), nuk duhet parë si një ligj i hekurt i historisë, qoftë edhe për shkak të çmimit të lartë të luftërave modern.

Kjo na sjell tek dallimi i madh mes Perëndimit sot dhe Romës në ditët e saj të lavdisë: ndërsa romakët shpresonin se e ardhmja do të përsëriste lavditë e tyre të dikurshme, për botën post-iluministe thelbësore janë  besimi tek progresi dhe rimëkëmbja. Të armatosur me shpresë dhe besim, ne kemi ende mundësi t’i aplikojmë mësimet e historisë dhe të shpresojmë se do të mund t’i shmangim gabimet më të rënda të paraardhësve tanë. (Përgatiti për Gazetën TemA: Bjorn Runa)

*Shlomo Ben-Ami është ish-Minsitër i Jashtëm i Izraelit. Aktualisht, ai është Zv. President i Qendrës Ndërkombëtare për Paqe në Toldeo, si edhe autor i librit “Prophets wthout Honor: The 2000 Camp David Summit and the End of the Two-State Solution.”/KultPlus.com

‘Në sa mënyra të dashuroj, lermë t’i numëroj’

Poezi nga Elizabeth Barrett Browning

Në sa mënyra të dashuroj? Lermë t’i numëroj.
Të dashuroj deri në thellësinë, në gjerësinë dhe në lartësinë
Që shpirti im mund të arrijë,
kur merr pjesë i padukshëm
Në qëllimet e Ekzistencës e të Faljes
ideale.

Të dashuroj po aq sa nevoja më modeste
E çdo dite, në diell dhe në dritën e qiririt.
Të dashuroj bujarisht, si dikush që lufton
për drejtësi.
Të dashuroj me pastërti, si dikush që
nga lutja kthehet.

Të dashuroj me pasionin që hidhja
Në dhimbjet e mia të shkuara, e me besimin
e fëmijërisë sime.
Të dashuroj me një dashuri që e besoja të humbur,
Së bashku me engjëjt e mi të humbur- të dashuroj me frymëmarrjen,
Buzëqeshjet, lotët, e gjithë jetës sime! –
e nëse Zoti do dojë,
Do të të dashuroj akoma më shumë pas vdekjes. / KultPlus.com

Abetarja (Klasa Zhurmëtare) e Petrit Halilajt, sot hapet në galerinë “kurimanzutto” në New York

Petrit Halilaj: Abetare (Klasa Zhurmëtare) risjell kujtimet e klasave shkollore dhe i bën homazh intelektualëve dhe artistëve shqiptarë të diasporës për kontributin e tyre në themelimin, praktikimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe përgjatë historisë

Ekspozita e fundit e Petrit Halilajt, Abetare (Klasë Zhurmëtare), hapet sot në galerinë “kurimanzutto” në New York. Në këtë hapësirë, Halilaj ekspozon banka shkollore të braktisura, të gërvishtura me vizatime të fëmijëve që ai i gjeti nëpër shkollat e Kosovës dhe i solli në studion e tij në Berlin.

Në Berlin, ai i rielaboroi dhe i montoi bankat e vjetra në objekte skulpturore, vizatimet e të cilave janë burim frymëzimi për serinë e tij të njohur me skulptura prej bronzi dhe çeliku me titull Abetare, që është aktualisht e ekspozuar në Muzeun Metropolitan të Artit (MET) si pjesë e projektit Roof Garden Commission (e hapur deri më 27 tetor).

Të integruara me bankat shkollore janë edhe skulpturat prej bronzi nga seria Abetare, që transformojnë vizatimet e fëmijëve mbi bankat e tyre në forma tre-dimensionale.

Në galerinë “kurimanzutto” Halilaj rikrijon një klasë shkollore, ku skulpturat reflektojnë mbi gjuhën, rininë dhe komunitetin në kontekstin e historisë së Kosovës, si dhe fuqinë e fantazisë për ta tejkaluar një mësim të mërzitshëm shkolle ose kërcënimin e luftës.

Kjo ekspozitë është vazhdimësi e serisë Abetare të Halilajt e cila merr format e saj të larmishme nga vizatimet dhe skicat e fëmijëve gdhendur në bankat e tyre, për ti shndërruar këto ëndrra të përditshme dhe akte të vogla rebelimi në krijime hapësinore të gjera dhe tridimensionale.

“Klasa Zhurmëtare” shënon një moment të ri në artikulimin artistik të Halilajt. Kjo është hera e parë që bankat shfaqen si objekte skulpturore të varura në mur. Më parë, bankat ishin elemente të integruara në instalacione më të mëdha, por asnjëherë nuk janë kombinuar dhe modifikuar për t’u bërë vepra të pavarura arti.

“Për ‘Klasën Zhurmëtare’, jam rikthyer tek rrënjët”, shpjegon Halilaj, dhe kjo pasqyrohet në vetë hapësirën e galerisë, e cila është transformuar në një klasë tradicionale frymëzuar nga kujtimet dhe përvojat personale të artistit.

Për dallim nga klasat e zakonshme, Halilaj mbush muret me banka të shkollave të vizatuara nga fëmijët. Nga larg ato duken si piktura minimaliste, por në vështrim më të afërt, vizatimet dhe skicat e fëmijëve bëhen të dukshme mbi sipërfaqet e drurit.

Krahas këtyre bankave janë edhe skulpturat e njohura prej bronzi nga seria “Abetare”, që përfaqësojnë motive të përsëritura – zemra, shtëpi, yje. Së bashku, skulpturat dhe bankat krijojnë një logjikë të veçantë hapësinore: ato luajnë nëpër muret, dyshemenë dhe tavanin e galerisë, duke rikrijuar klasën si një peizazh ëndrrash.

Për të shoqëruar ekspozitën, Halilaj ka ftuar kuratoren shqiptare Eriola Pira, për të organizuar një seri prej tre punëtorish gjatë kohëzgjatjes së ekspozitës (14 shtator, 28 shtator dhe 19 tetor, secila duke filluar në orën 15:30), duke aktivizuar klasën si një hapësirë për të përjetuar dhe mishëruar gjuhën shqipe. Përmes aktiviteteve dëgjimore, gojore dhe të bazuara në lëvizje, pjesëmarrësit e të gjitha moshave janë të ftuar të rikrijojnë dhe përjetojnë një kujtim formativ huazuar nga fëmijëria e Halilajt dhe Pirës në Kosovë dhe Shqipëri. Duke jetuar në diasporë, ky bashkëpunim nderon rolin që intelektualët dhe artistët shqiptarë të diasporës kanë luajtur në themelimin, praktikimin dhe qëndrueshmërinë e gjuhës shqipe gjatë historisë.

–   –

Petrit Halilaj

1986, Kostërrc, Kosovë

Petrit Halilaj i kupton ekspozitat si një mënyrë për të ndryshuar rrjedhën e historive personale dhe kolektive, duke krijuar botë komplekse që krijojnë hapësirë për liri, dëshirë, intimitet dhe identitet. Veprat e tij lidhen ngushtë me historinë e Kosovës, dhe pasojat e tensioneve kulturore dhe politike në rajon. Të rrënjosura në biografinë e tij, projektet e Halilajt përfshijnë një gamë të gjerë mediumesh, duke përfshirë skulpturë, vizatim, tekst dhe performancë.

Duke inkorporuar materiale nga Kosova dhe duke i manifestuar ato në instalacione ambicioze hapësinore, puna e tij transpozon marrëdhënie personale, vende dhe njerëz në forma skulpturore. Puna e Halilajt mund të shihet si një përpjekje lozonjare dhe herë pas here e guximshme për të rezistuar politikave shtypëse dhe normave sociale, duke festuar në mënyrë të paepur të gjitha format e lidhjeve dhe lirisë.

Në vitin 2013, Halilaj përfaqësoi Kosovën në paraqitjen e parë të vendit në Bienalen e Venecias. Në vitin 2017, ai u ftua të marrë pjesë në Bienalen e 57-të të Venecias nga kuratorja Christine Macel, ku mori Mirënjohje të Veçantë nga Juria. Po atë vit, ai mori çmimin Mario Merz, që rezultoi në një projekt madhor të porositur, të cilin e prezantoi në vitin 2018 në Zentrum Paul Klee, Bern dhe në Fondazione Merz, Torino, Itali. Ai gjithashtu mori çmimin Kunstpreis Berlin nga Akademie der Künste, Berlin (2023). Petrit Halilaj është anëtar i Akademisë së Arteve të Botës në Këln, Gjermani, dhe aktualisht është profesor në École Nationale Supérieure des Beaux-Arts de Paris, Francë, ku ndan klasën e tij me Alvaro Urbano. Petrit Halilaj jeton dhe punon në Gjermani, Kosovë dhe Itali.

Ceremonia e Hapjes:

kurimanzutto, New York

E enjte, 12 shtator, ora 18:00

Punëtoritë:

14 shtator, 28 shtator, dhe 19 tetor, ora 15:30./KultPlus.com

Presidentja Osmani pranon Çmimin M100 për përkushtimin ndaj vlerave euroatlantike, lirisë e demokracisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot ka pranuar në Gjermani Çmimin M100 për përkushtimin ndaj vlerave euroatlantike, lirisë e demokracisë, përcjell KultPlus.

Në vijim gjeni postimin e presidentes Osmani:

Në Gjermani, në shtetin tonë mik dhe në shtetin ku e kemi mërgatën tonë më të madhe, për ta pranuar Çmimin M100 për përkushtimin ndaj vlerave euroatlantike, lirisë e demokracisë.

Ky çmim është inkurajim për vazhdimin e rrugës përpara, për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe për një të ardhme me të mirë për qytetarët tanë.KultPlus.com

Vera e parë pas sulmeve të 11 shtatorit (FOTO)

Nëntë muaj pasi kullat u rrëzuan, Lucas Foglia vizitoi lagjet e ndryshme të Nju Jorkut me kamerën e tij.

Fotografi Foglia thotë: ‘Kështu më kujtohet New York City në vitin 2002. Isha 19 vjeç dhe sapo isha shpërngulur në Manhattan nga ferma e familjes sime në Long Island. Ishte vera e parë pas sulmeve të 11 shtatorit.”, transmeton KultPlus.

Ai paraqiti përmes fotove ‘qytetin që po shërohej … por me plagë’.

Më poshtë mund të gjen fotografitë që ai i realizoi gjatë asaj kohe:

Lucas Foglia
Lucas Foglia
Lucas Foglia
Lucas Foglia
Lucas Foglia
Lucas Foglia

Taylor Swift bën histori në MTV, lë pas Beyonce si artistja më e mirë

Më 11 shtator, në UBS Arena në New York, u zhvillua eventi madhështor i MTV Video Music Awards, nën moderimin e Megan Thee Stallion, e cila ishte gjithashtu e nominuar në 7 kategori. Mbrëmja pati surpriza fantastike, performanca dhe sigurisht artistë të vlerësuar për kontributin e tyre në muzikë.

Por Taylor Swift mori çmimin si artistja më e mirë në historinë e ceremonisë, duke shënuar kështu një rekord. Ajo fitoi shtatë çmime, duke përfshirë dy çmimet kryesore: artisten dhe videon e vitit.

Këngëtarja me famë botërore tani ka 30 trofe MTV, duke kaluar Beyoncé si fituesja më e madhe e eventit.

Swift përdori fjalimin e saj për të inkurajuar fansat të votojnë në zgjedhjet presidenciale të SHBA muajin e ardhshëm, një ditë pasi ajo mbështeti publikisht  kandidaten demokrate Kamala Harris.

Ajo gjithashtu përkujtoi viktimat e sulmeve terroriste të vitit 2001 në SHBA.

“Duke u zgjuar këtë mëngjes në Nju Jork më 11 shtator, thjesht kam menduar për atë që ndodhi 23 vjet më parë, të gjithë ata që humbën një të dashur dhe të gjithë ata që humbën jetën ”, tha Swift.

“Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për sot./KultPlus.com

Dokumentari për Rexhep Lucin, Kurti: Ky dokumentar tregon se drejtësia për të ende nuk është vendosur dhe se ne kemi humbur shumë më tepër sesa ai vetë

Mbrëmë në Prishtinë është shfaqur dokumentari “Rexhep” – Çka e vrau arkitektin?, përcjell KultPlus.

I pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook tha se Rexhep Luci duhet të kujtohet jo vetëm me fjalë, por duke kërkuar drejtësi, duke luftuar për llogaridhënie, dhe duke u përkushtuar ndaj të njëjtit vizion për integritet dhe përparim për të cilin ai nuk u spraps derisa dha edhe jetën.

Në vijim gjeni postimin e kryeministrit Kurti:

“REXHEP” – Çka e vrau arkitektin?
Vizion 20 vjeçar: Kryeqyteti me qytetarët në qendër. Planifikimi për mirëqenie të të gjithëve përkundruall kaosit për përfitime të disave.

Teksa e shikoja këtë film, ndjeja zemërim gjithnjë e më të madh. Përse ka ende kaq shumë të panjohura? Si mund të shndërrohet një atentat mizor mbi një arkitekt të mirënjohur të qytetit në një historik të paditur për të cilën ende ka kaq shumë frikë saqë as emrin e tij nuk e themi më? A është emërtuar asokohe një rrugë Prishtine “Rexhep Luci” pikërisht që të mos i përmendet emri më atij as në Prishtinë? Apo me atë rrugë deshën të na e dëshmojnë që anarkia ngulfatëse e privatizimit abuziv ka ngadhënjyer edhe në rrugën që mban emrin e tij?

Mbrëmë në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë, u shfaq dokumentari “Rexhep – Çka e vrau arkitektin”, nga MB OFFICE me regji të Mathieu Jouffre dhe skenar nga Besa Luci dhe Mathieu Jouffre, ku përkujtuam jetën dhe veprën e Rexhep Lucit. Rexhep Luci nuk ishte vetëm një arkitekt, por një njeri me vizion pasionant e profesional urbanistik, njëkohësisht të qartë e të realizueshëm, për të ardhmen e qytetit të tij të dashur, Prishtinës.

Ai punoi pandalshëm para dhe pas luftës për një plan modern, human e konkret për kryeqytetin duke shpalosur dy dekadat e ardhshme: 2000-2020. Një vizion i tillë, largpamës dhe i fortë, është gjithsesi shembull unik te ne jo vetëm për atë kohë. Nuk mund ta imagjinoj që në vitin 2000 ndokush tjetër në Prishtinë a Kosovë të ketë planifikuar urbanizëm e hartuar projekte për të gjithë neve për vitin 2020! Madje edhe në vitin 1987 kur kishte propozuar planin urbanistik zhvillimor për Prishtinën 1988-2000, regjimi i atëhershëm i Serbisë dhe Jugosllavisë e kishte dëbuar nga puna dhe ia kishte marrë banesën. Sepse shqiptarët që donin të mbeten në Kosovë dhe po bënin plane progresiste nuk i duronin dot.

Në 11 shtator të vitit 2000, Rexhep Luci u vra brutalisht me gjashtë plumba para hyrjes së ndërtesës në lagjen “Dardania” ku banonte me familjen e tij. Vrasja e tij nuk është thjesht humbja e një njeriu tonë të mirë, eliminimi i një eksperti qytetar nga Peja, apo këputja e një jete shqiptari në Prishtinë, por një goditje ndaj së ardhmes së përbashkët që ai po na e vizatonte. E sot ne kemi një të ardhme tjetër prej atij vizatimi ariktektonik, diçka që i afrohet një shkarravitje aspak arkitektonike, pikërisht sepse nuk e kemi më atë dhe as ndokend tjetër të patrembur sikur ai tash e 24 vjet.

Ky dokumentar tregon jetën e arkitektit Rexhep, përkujton se drejtësia për të ende nuk është vendosur dhe se ne të tjerët kemi humbur shumë më tepër sesa ai vetë.

Rasti i vrasjes së Rexhep Lucit i cili fillimisht trajtohej nga ndërkombëtarët e UNMIK-ut është transferuar te prokuroria e drejtësia vendore. Dorasi(t) ende në liri, me drejtësi të mohuar për rastin, familjarët e miqtë e tij, mbarë popullin e shoqërinë.

Ne të gjithë duhet të flasim, të zemërohemi me të panjohurën sublime që e shfaq ky krim dhe të angazhohemi për dokumentimin e punës dhe qasjen që e kishte arkitekt Rexhepi.

Le të nderojmë kujtimin e Rexhep Lucit jo vetëm me fjalë, por duke kërkuar drejtësi, duke luftuar për llogaridhënie, dhe duke u përkushtuar ndaj të njëjtit vizion për integritet dhe përparim për të cilin ai nuk u spraps derisa dha edhe jetën.

Trashëgimia e Rexhep Lucit mbetet e gjallë dhe duhet të vazhdojë përmes veprave tona. Puna e tij, vizioni për një Prishtinë më të drejtë dhe më të rregullt, është një udhërrëfyes për të gjithë ne që besojmë në një të ardhme më të mirë./KultPlus.com

‘Po plakemi dhe po mësohemi me njëri- tjetrin…’

Sot shënohen gjithsej 21 vite nga vdekja e muzikantit të talentuar Johnny Cash.

Ata që pëlqejnë muzikën e Johnny Cash, e njohin pasionin e tij të çmendur për të shoqen, June. Një letër që ai i dërgonte gruas së tij me rastin e 65- vjetorit të lindjes njihet si letra e dashurisë më e bukur në botë.

Letra është shkruar në vitin 1994. Në këtë letër ai i uron ditëlindjen gruas së tij.
KultPlus ju sjellë këtë letër, ku shkruhet:

“Po plakemi dhe po mësohemi me njëri- tjetrin. Mendojmë njësoj. I lexojmë mendjen njëri- tjetrit. E dimë se çfarë duam pa pyetur. Ndonjëherë e irritojmë njëri- tjetrin nga pak. Ndoshta ndonjëherë e marrim njëri- tjetrin si të dhënë. Por ndonjëherë, si sot, meditoj për këtë dhe e kuptoj sa me fat jam që kam ndarë jetën me gruan më të mrekullueshme që kam takuar ndonjëherë. Ti më magjeps sërish dhe më frymëzon. Ti ndikon për mirë tek unë. Je objekti i dëshirës sime, arsyeja numër një në botë për ekzistencën time. Të dua shumë”.

Johnny Cash u lind në vitin 1933 dhe ka vdekur në vitin 2003, ai ishte martuar me June Carter Cash në vitin 1968 kjo martesë zgjati deri në vdekjen e tij. Paraprakisht Cash ishte i martuar edhe me Vivian Liberto gjatë viteve 1954 deri në 1968./ KultPlus.com

Orkestra Simfonike e RTSH-së hap më 13 shtator stinën koncertore

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar çel stinën koncertore të premten, në datën 13 shtator.

Orkestra së bashku me pianisten, Alba Shkreli dhe klarinetistin, Lorenc Stajka do të interpretojë një program të larmishëm me 3 prej kompozitorëve më të njohur botëror sikurse është Mozart, Chopin, dhe Weber.

Dirigjenti, Gridi Kraja premton se ky sezon do të sjellë për publikun edhe më shumë koncerte.

“Kemi menduar që gradualisht të shtojmë numrin e koncerteve për të qenë më afër publikut”. Me koncertet që ofrojmë e mirëpresim publikun pa bileta dhe kjo është veprim shumë simpatik i RTSH-së”, u shpreh Kraja.

Koncerti do të mbahet në Sallën e Qendrës Kulturore, Katedralja Ortodokse./rtsh/KultPlus.com

‘Çast lamtumire’

Poezi nga Mitrush Kuteli

… Pra, bir, mos qaj: ky është ligji e qënies
Të vijë rrotull dhe të kthehet rishtaz
Përbrenda gjirit t’amës s’amëshuar
Të mosqënies.

Ku janë ata që patën qënë? Shkuan
Atje ku qenë – lanë prapa tyre
Një tingull n’erë, shuar dalngadalë,
Si çdo qënie.

Nga shtati i tyre ngjizet rishmë jeta
Që duhet rrojtur: mbajtur, vojtur, falur
Kur çasti i madh troket në derën tone
Urdhëronjës.

Koprace është jeta në të mira
Dhe dorëhapur gjëmash dhe mënxyrash –
Të gjitha duhen hequr dhe duruar
Zemërkthjellët.

Un’ rrethin tim e mbylla keq a mirë,
Si vdekëtar i thjeshtë – hallkë e lidhur
Dhe shkoj i velur hojesh dhe sherbelesh
Pa keqardhje.

Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje
Se kjo ka qënë ëndra ime: shpirtin
Tim trashëgim të ta le pas vdekjes
Siç e mora.

Vazhdo dhe ti të jetës shteg, të shkruar:
Të larta mos lakmo – se shtypës bëhesh
As poshtë shumë mos rrëshqit, se shtypesh,
Qofsh i lumtur!./KultPlus.com

Panairi i Librit në Tuz, marrin pjesë dhe shtëpi botuese nga Shqipëria

Komuna e Tuzit ka organizuar panairin e pestë të librit, një ngjarje kulturore e rëndësishme që tërheq vëmendjen e shtëpive botuese dhe dashamirësve të librit.

Ky panair synon të promovojë letërsinë, autorët dhe botimet e reja, duke krijuar një platformë për të lidhur lexuesit me krijimet më të fundit nga shtëpitë botuese të ndryshme.

Në këtë panair, morën pjesë shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, duke ofruar libra në fusha të ndryshme si historia, filozofia dhe arti. Kjo ngjarje ndihmon gjithashtu në nxitjen e bashkëpunimit kulturor mes vendeve të rajonit dhe përhapjen e vlerave të përbashkëta kulturore përmes librave.

Në Panairin e Librit,Tuz 2024, janë të pranishme edhe botimet e Akademisë të Shkencave të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani nderohet me çmimin e forumit M100 Sanssouci Colloquium

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Gjermani për ta pranuar çmimin e forumit M100 Sanssouci Colloquium, i cili mbahet një herë në vit që nga viti 2005 në qytetin e Potsdam-it.

“Nominimi i Presidentes Osmani është bërë nga juria e Forumit me unanimitet të plotë nga të gjithë anëtarët e jurisë dhe është liderja e parë nga Ballkani që nderohet me këtë çmim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në njoftimin e bërë nga juria, thuhet se Osmanit i është dhënë ky çmim për përkushtimin e saj ndaj vlerave euroatlantike dhe për punën e saj të palodhur në reforma. Ky çmim u jepet personaliteteve që janë të përkushtuara për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut.

“Përpos Presidentes Osmani, laureat i këtij çmimi është edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, teksa në garë për këtë titull kanë qenë edhe personalitete të ndryshme evropiane, përfshirë presidentë dhe kryeministra. Ky forum ndërkombëtar udhëhiqet nga kryebashkiaku i qytetit të Potsdam-it Mike Schubert”, ka njoftuar tutje presidenca.

Me këtë çmim deri tani janë nderuar edhe personalitete të ndryshme evropiane, si: Hans-Dietrich Genscher, Bernard Kouchner, Mario Draghi, Vitali Klitschko, Alexei Naëalny, populli ukrainas dhe Lëvizja për Lirinë e Jetës së Grave Iraniane./KultPlus.com

Pal Skiroi, studiuesi arbëresh zbuluesi i Mesharit të Buzukut

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujtoi sot, në 82-vjetorin e ndarjes nga jeta, studiuesin arbëresh Pal Skiroi.

Lindi më 1866 në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), Siçili. Ndoqi studimet në seminarin arbëresh të Palermos, rektor i të cilit do të bëhej më vonë. Në vitin 1912 themeloi revistën e së dielës arbëreshe, “Fjala e t’in Zoti”, një revistë fetare, por edhe një shkollë dhe vatër patriotizmi për shumë të rinj arbëreshë.

Pal Skiroi është autor i shumë përkthimeve fetare që u botuan kryesisht në këtë revistë gjatë viteve 1912-1915.

Skiroit i njihet merita e rizbulimit të Mesharit të Gjon Buzukut, i pari libër në gjuhën shqipe që përfundoi së shkruari më 1555. Skiroi e fotokopjoi tekstin më 1909-1910 dhe përgatiti një transliterim të tij, por ky studim nuk u botua i plotë. Puna e tij e fundit, ishte përkthimi i Liturgjisë së San Giovanni Crisostomo më 1964, në Palermo. Vdiq më 12 shtator 1941 në Horën e Arbëreshëvet./atsh/KultPlus.com

Veliaj: Festa e Pezës, këtë vit më e bukur se kurrë

Festa e Pezës po afron dhe këtë vit pritet të jetë edhe më e paharrueshme. Me një program të pasur aktivitetesh, koncertesh, piknikësh, lojërash dhe sportesh për të gjitha moshat, Peza do të shndërrohet në një qendër të vërtetë argëtimi për të gjithë familjen.

Kryebashkiaku Veliaj ftoi qytetarët që t’u bashkohen festimeve që do të zhvillohen të dielën, më 15 shtator, ndërsa ceremonia zyrtare do të mbahet të hënën, më 16 shtator.

“Festa e Pezës po afron, dhe këtë vit pritet të jetë më e bukur se kurrë. Ejani të festojmë dhe nderojmë së bashku me aktivitete të ndryshme, koncert, piknik, lojëra & sporte për të gjitha moshat dhe shumë argëtim për gjithë familjen”, shkroi kryebashkiaku Veliaj./atsh/KultPlus.com

Tri ditë me “Summer Cult XI”, këtë vit do të shpërblehen artistët e rinj të teatrit

Edicioni i sivjetëm i Festivalit “Summer Cult” vjen me risi. Pjesëmarrësit do të garojnë nga ky vit, për disa çmime, që do të jepen për shfaqjet dhe artistët më të dalluar. “Summer Cult XI” u dedikohet regjisorëve të rinj dhe kontributit që po japin ata në skenën teatrore.

Shfaqje nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, vijnë në skenën e Teatrit “Dodona” me 16,17 dhe 18 shtator. Në Programin e Festivalit, si edhe vitet e kaluara, nuk mungojnë as aktivitetet e tjera interesante. Dy punëtori me emra të njohur të koreografisë dhe pikturës, do të mbahen me 16 dhe 17 shtatore në CNP, në Prishtinë (Center for Narratives Practices). Dhjetëra të rinj, kanë shprehur interesimin e tyre për të mësuar më tepër rreth këtyre zhanreve të artit.  Arjan Syknej, profesor universitar dhe koreograf i njohur si dhe Adriana Sedaj, piktore e shpërblyer me çmime për veprat e saj, do të ndajnë me pjesëmarrësit përvojën e tyre të gjatë. Ndërkohë në ditën e fundit të Festivalit do të mbahet në Institutin Albanologjik, Konferenca Teatrore-Edicioni VI. Tema e konferencës sivjet është – Orientimi në të Ardhmen: Sfidat dhe Mundësitë për Gjeneratën e Re të Regjisorëve të Teatrit. Në dy sesione, profesorë të Fakultetit të Arteve, artistë të njohur të teatrit, regjisorë të rinj, përfaqësues nga institucionet, do të diskutojnë dhe nxjerrin rekomandime.

Programi me 16 shtator

Shfaqja e parë që do të jepet, është “Katër trëndafilat” nga Kosova, në orën 17:00. Autore: Julia Cameron, Regjia: Erleta Rexhepi. Luajnë: Donikë Zeqiri, Gresë Gashi, Uratë Shabani, Albana Gashi, Fitore Jashari, Erza Sejdiu. Subjekti i shfaqjes është intrigues për publikun. Në një udhëtim tundues mes varësisë dhe shërimit, vihet në sfidë forca e shpirtit njerëzor dhe i rimëkëmbjes së gjashtë grave, të cilat i gjejnë rrugët e tyre që kryqëzohen në një qendër rehabilitimi, teksa ato përballen me demonët e tyre të brendshëm, traumat dhe pasiguritë…

Po të njëjtën mbrëmje, në Teatrin “Dodona: jepet shfaqja “ Në të njëjtën kohë, vitin tjetër” nga Kosova. Autor: Bernard Slade, Regjia: Blerta Cakaj. Luajnë: Blerta Cakaj & Elton Tahiri. Në qendër të rrëfimit është një histori komplekse dashurie. Doris dhe George, dy të huaj që takohen rastësisht në një hotel krijojnë një lidhje të veçantë që i bashkon çdo vit në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend. Edhe pse të martuar dhe të përkushtuar ndaj familjeve të tyre, ata e vazhdojnë këtë marrëdhënie për 25 vite, të shtyrë nga ndjenja të pavetëdijshme që i ndihmojnë të kërkojnë vetveten dhe të plotësojnë boshllëqet në jetët e tyre të zakonshme.

Programi me 17 shtator

Të martën me 17 shtator, do të jepet prej orës 17:00 shfaqja “Shërbëtoret” nga Shqipëria. Autor: Jane Genet, Regjia: Klajdi Malollari. Interpretojnë:  Xhoana Karaj. Erina Lazi. Fabiana Proi. Pushteti, është lajtmotivi i veprës. Solange dhe Claire janë dy motra që janë shërbyese shtëpie. Kur zonja e tyre (Madame) është larg, ata me radhë luajnë rolin e Zonjës, ndërsa tjetra luan rolin e shërbëtores së saj. Në këtë mënyrë, ata portretizojnë të dyja anët e ndarjes së pushtetit. Qëllimi përfundimtar i lojës së tyre me role është kryerja e vrasjes së vërtetë të Zonjës si e vetmja mënyrë për të çliruar veten nga nënshtrimi.

Po në këtë mbrëmje, në orën 20:00, jepet shfaqja “Pacienti i doktor Frojdit” nga Maqedonia e Veriut. Autor: Miro Gavran,Regjisor: Gent M. Çajani. Interpretojnë: Muzafer Etemi, Adrian Aziri dhe Linda Shabani. Ngjarja groteske zhvillohet në Vjenë në zyrën e Zigmund Frojdit. Tridhjet vjeçari Adolf Hitler vjen në zyrën e Frojdit për të kërkuar ndihmë, jeta e tyre seksuale nuk po fuksionon siç duhet me të dashurën e tij Kristinën dhe si do dëshironte ai. Personazhet e diktatorit të ri të ardhshëm dhe psikiatrit më të famshëm në botë përshkruhen me shumë humor.

Programi me 18 shtator

Të mërkurën me 18 shtator nga ora 17:00 jepet shfaqja nga Kosova, “Një dorëzim në Spokan” . Regjia: Blendi Arifi , Aktorë: Alban Shahiqi, Florent Salihu, Djellza Dema, Blendi Arifi. Një njeri misterioz kërkon dorën e tij që prej 27 vitesh në një qytet fiktiv- Tarlington, Amerikë. Një çift të dashuruarish kuptojnë se ka një njeri në qytet që kërkon një dorë dhe është i gatshëm të paguaj për të. Ngjarja zhvillohet në një hotel ku pritet të ndodhë “dorëzimi” dhe aty ndodhet edhe një sportelist i cili prish planet e dy palëve.

Ndërsa prej orës 20:00 është shfaqja “Impromptu” nga Shqipëria. Autor: Tad Mosel, Regjia: Artemis Beluli. Luajnë: Erina Lazi, Klodian Çelmeta, Eva Gjika, Ronaldo Kolgjokaj, Shandi Ismailaj.  Nje kast aktoresh te rinj jane te detyruar te improvizojnë një pjesë për të argëtuar publikun por jo vetëm. “Impromptu” është një shfaqje brenda shfaqjes ku asgjë nuk shkon ashtu si duhet.

Në ditën e fundit të festivalit, prej orës 21:30 jepet edhe premiera e leximit skenik “Anija nuk kthehet më”. Autore, regjisore: Elmaze Nura. Interpretojnë: Hazir Haziri, Anisa Ismajli. Në qendër është drama e emigracionit. Dy prindër rrezikojnë gjithçka për t’u bashkuar me fëmijët e mbetur në atdheun e përfshirë nga lufta. Sakrificat e babait dhe nënës janë të paimagjinueshme. Fati i tyre, është i rëndë, si dallgët që trazojnë anijen me emigrantë.

Ndarja e çmimeve të festivalit, bëhet pas leximit skenik. Me grupin muzikor “Third Stream”, mbyllet edicioni i njëmbëdhjetë i Festivalit “Summer Cult”.

Në jurinë e Festivalit janë : Besar Zahiti, aktor dhe producent, Profesor në Fakultetin e Arteve – Kosovë, Suela Konjari, aktore -Shqipëri, Ylber Nuredini, aktor, regjisor-Maqedonia e Veriut.

Festivali “Summer Cult”, është  pjesë e Programit Vjetor të organizatës kulturore Cult Club, që mbështetet nga MKRS dhe komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

‘Veç ajo ndijonte tingujt e heshtjeve të mia’

Poezi nga Eugenio Montale

Kujtim

Veç ajo ndijonte tingujt
e heshtjeve të mia. Me raste
druhesha se mos koha pengestare
ia mbathte teksa flisnim.
Paskëtaj humba kujtesën
dhe ja tek gjendem duke folur
rreth saj me ty, mes dredhash duhani
q’e fshehin ngashërimin tonë.
Ja se ç’qenka ndryshe te kjo
vetja ime: ndjenja, vetë e patrajtë,
në kët’ ditë që është veç përmallimi.

Nga përmbledhja “Diario postumo: 66 poesie e altro”

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Veliera turistike “Talitha” me flamur britanik ndalon në portin e Durrësit

Veliera turistike “Talitha” me flamur britanik është ndalur mëngjesin e sotëm në Autoritetin Portual Durrës për shërbime portuale.

Me një dizanj klasik, vepër e kompanisë “Bannernburg & Rowell”, jahti turistik me gjatësi prej 80m, ndalet sot për herë të parë në Durrës.

Vendi ynë tashmë ofron komoditetin dhe sigurinë për ndalesa turistike apo shërbime në funksion të mjeteve detare, ndërsa ndërtimi i Marinës Turistike do ta kthejë Durrësin në destinacionin kryesor turistik detar.

Porti i Durrësit edhe gjatë këtij sezoni turistik ka qenë ndalesa e një numri të lartë mjetesh turistike. Gjatë periudhës janar-korrik 230 mjete turistike detare janë ndalur në Autoriteti Portual Durrës./atsh/KultPlus.com

Mos u zhduk

Poezi nga Yevgeny Yevtushenko

Mos u zhduk… Duke u zhdukur nga mua,
e çmishëruar vetvetes ju zhduke.

Vetja jote kështu u tradhëtua
me pandershmëri prostitute.

Mos u zhduk… Të zhdukesh është lehtë,
të ringjallesh për tjetrin s’ka se si.
Vdekja të tërheq shumë thellë,
të vdesësh nuk është mënçuri.

Mos u zhduk. Harro hijen e tretë.
S’ka të tretë. Dy janë dashurive.
Bashkë do shkojmë në gjyqin e shenjtë,
kur gjaku t’na thërrasë për përgjigje.

Mos u zhduk… e kemi shlyer mëkatin,
fajtorë s’jemi ne, as damkosur.

Të denjë jemi unë dhe ti për të falur
në-mos-dashje ç’kemi plagosur.

Mos u zhduk. Të zhdukesh është çast,
por si do takohemi nëpër shekuj?
Ç’sozi kemi në botë, ti fantazmë
dhe unë? – Fëmijët tanë të qeshur.

Mos u zhduk. Jepma dorën tënde,
në të jam shkruar unë – i besoj sekretit.

Dashuria e fundit është e tmerrshme,
S’është dashuri, por frikë e humbjes së tjetrit./KultPlus.com

Përktheu: Visar Zhiti

Sibel Halimi: Nga sot Teatri “Dodona” do të udhëhiqet nga aktorja e mirënjohur Arta Muçaj

Teatri Dodona tashmë ka drejtoreshën e re, e cila është zgjedhur nga Komuna e Prishtinës, dhe për këtë emërim ka njoftuar drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.

Me poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë të Halimit.

Njihuni me Drejtoren e Re të “Teatrit Dodona”

Teatri Dodona është themeluar më 12 nëntor 1986 me angazhimin e pashoq të Rabije Bajramit dhe Ismajl Ymerit dhe që nga atëherë nuk është drejtuar nga një grua.

Nga sot Teatri “Dodona” do të udhëhiqet nga aktorja e mirënjohur Arta Mucaj.

Arta Muçaj studioi në Akademinë e Arteve në Tiranë, në degën Artet Skenike, ku edhe diplomoi në vitin 1997 me titullin Aktore.

Në Teatrin Kombëtar të Tiranës si dhe atë Kosovës Arta ka qenë e angazhuar në shumë projekte teatrore regjionale dhe ndërkombëtare.

Arta ka shumë çmime si aktorja më e mirë në shfaqje të ndryshme duke na përfaqësuar me dinjitet brenda e jashtë vendit.

Artë, punë të mbarë në rrugëtimin tënd të ri!

Faleminderit ushtruesit të detyrës së drejtorit, Valdet Ramës për angazhimin dhe përkushtimin e tij./ KultPlus.com

“Karnavalet e Korçës” vijnë në Teatrin Kombëtar

Komedia “Karnavalet e Korçës” zbret në Teatrin Kombëtar nga data 15 deri më 22 shtator. Lajmin e ndau në rrjetet sociale edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ku shkroi se “Karnavalet e Korçës” është një komedi me trajtim e spektakël dinamik e cila do sjellë në skenën e Arturbina një gërshetim midis komedisë e serenatava gjithë ajër “pe Korçe”.

Komedia, sipas motiveve të Spiro Çomorës, vjen me regji nga Erion Isai dhe sapo u shpall fituesja e festivalit “Koko Fest 2024”, i zhvilluar në qytetin e Korçës.

“Karnavalet e Korçës” e trupës së Teatrit “Andon Z.Çajupi” u vlerësua si shfaqja më e mirë në edicionin e 11-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Komedisë.  Komedia ishte në program në natën e fundit të festivalit dhe mori duartrokitjet e vlerësimet e publikut, të cilit i solli të qeshura pa fund./atsh/KultPlus.com

‘Dhe tash që s’je ma,  boshllëku asht në çdo hap’

Eugenio Montale

Kam zbritë tu’ ta mbajtë dorën, 
t’paktën një milion shkallë 
Dhe tash që s’je ma, 
boshllëku asht në çdo hap. 
Gjithsesi i shkurtë ka qenë udhëtimi ynë i gjatë. 
I imi ende vazhdon, 
s’ka ma nevojë për rastësitë, 
rezervimet, kurthet, 
përbuzjet e atij që beson se realiteti asht ai që shikon. 
Kam zbritë miliona shkallë tu’ ta mbajtë dorën 
Jo veç pse me katër sy ndoshta shihet ma mirë. 
Me ty i kam zbritë sepse e dija që nga ne të dy T’vetmit sy të vërtetë, 
edhe pse kaq të turbullt, 
ishin të tutë.

Përktheu Orjela Stafasani / KultPlus.com

120 artistë të TKOB hapin sezonin e ri artistik me Beethoven e Mozart

Sezoni i ri artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, nis me një koncert.

Choral Fanstasy e Beethoven-it dhe Requiem-i i Mozart-it, dy kryevepra të muzikës klasike, janë pjesë e koncertit që do të zhvillohet në TKOB në 14 shtator. Ky koncert do të angazhojë më shumë se 120 artistë.

TKOB në një postim në rrjetet social shprehet se, Choral Fantasy njihet si një ndër kompozimet më të bukur të Beethoven-it, që i ka paraprirë Simfonisë numer 9, ndërsa Requiem-i i Mozart-it, kompozimi i tij i fundit, na fut në një tjetër mister të radhës.

Koncerti zhvillohet me pjesëmarrjen e virtuozit në piano Ivo Gjika, solistëve, korit dhe orkestrës së TKOB-së, nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli.

Eva Golemi, Matias Xheli, Vikena Kamenica dhe Bledar Domi janë disa prej artistëve që do të shoqërojnë më datë 14 shtator në Requiem-in e jashtëzakonshëm të Mozartit./atsh/KultPlus.com

Jeta asht fort e bukur për me u dukë e pakuptimtë

Poezi nga Charlie Chaplin
Përshtati në shqip Arjola Zadrima

“Kam falë gabime pothuajse të pafalshme,
jam mundue me zëvëndsue njerëz të pazëvëndsueshëm,
e kam harru persona të paharrueshëm.

Kam veprue impulsivisht,
jam zhgënjye prej njerëzve që nuk e mendoja,
dhe unë kam zhgënjye.

Kam mbajtë ndokënd brenda krahëve
për më e mbrojtë;
Kam ba miq të përjetshëm.

Kam qeshë kur nuk ishte me u qeshë,
kam dashtë e më kanë dashtë,
por edhe jam refuzu.

Më kanë dashtë e s’kam mujtë me i dashtë.
Kam ulëritë e jam hedh përpjetë
për shumë e shumë gëzime.

Kam jetu dashnisht e kam ba premtime
të përjetshme,
ani pse kam djegë zemrën
mija herë.

Kam qa tuj dëgju muzikë,
e tuj pa fotografi.

Kam telefonu dikë veç me ja dëgju zanin.
Dhe tash prapë dashurohem
mbas një buzëqeshje.

Kam kujtu se po vdes prej mallit…e kam pasë frikë, se mos po humbas ndokënd
fort të dashtun,
( që e humba), por mbijetova!
Ende jetoj.
E jeta nuk më lodhë…
as ti nuk duhet me u lodhë.

Jeto! Asht prej mend gja e mirë me luftu me bindje,
me e rrokë jetën ,
e më jetu me pasion,
me humbë me klas, e me fitu tuj guxu,
sepse bota i përket kujt guxon.

Jeta asht fort e bukur për me u dukë e pakuptimtë./ KultPlus.com