Sot shënohet 18 vjetori i vdekjes së një ndër artistëve më të mëdhenj të skenës shqiptare, Sulejman Pitarka.
Sulejman Pitarka, i cili ka luajtur me sukses 50 role në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe 20 të tjerë në fushën e kinematografisë, shkruan KultPlus.
Ai ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës “Familja e peshkatarit”. Më 1927, ai i lindur në Dibër, kur ishte në moshën trevjeçare së bashku me familjen e tij u vendosën në Durrës, ku edhe e kaloi fëmijërinë e tij.
Disa përvoja skenike, pothuaj rastësore, gjatë shërbimit ushtarak (1945 – 1947) e shtynë të interesohej më shumë për teatrin dhe të përfshihej në lëvizjen amatore të Durrësit. Më 1951, u përzgjodh për t’iu bashkëngjitur trupës, ende në formim, të Teatrit Popullor (sot Kombëtar) në Tiranë, ku u bë menjëherë margaritari i kurorës. Luajti rreth 50 role, duke shkëlqyer njësoj, si në dramë, ashtu edhe në komedi./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në 26-vjetorin e bombardimeve të NATO-s është shprehur se kjo ditë është dita kur liria mori krahë dhe që bota demokratike nuk ka heshtur.
“Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës”, ka shkruar Osmani.
Tutje, ajo është shprehur se nga flaka e sakrificës dhe lufta çlirimtare, lindi Kosova e lirë. 26 vjet më pas, Kosova ecën krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur.
“Lavdi të gjithë të rënëve për liri! Falënderim aleatëve që ndihmuan kauzën tonë për Kosovën shtet të lirë, të pavarur e sovran!”, është shprehur presidentja./KultPlus.com
Sot mbushen 26 vite nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi.
Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.
“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.
Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.
Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike. / KultPlus.com
I lindur në vitin 1809, Edgar Allan Poe ishte fëmija i dytë i dy aktorëve Elizabet dhe David Poe. Në vitin 1810, babai i tij braktis familjen. Në vitin 1811, mamaja e tij vdes nga tuberkulozi i mushkërive, duke e lënë jetim. Ky do të jetë fillimi i jetës së tij mizore. Gjatë jetës së tij ai shkroi disa vepra, prozë dhe poezi të cilat edhe sot lexohen me endje, shkruan KultPlus.
Më poshtë po listojmë disa thënie nga veprat e tij:
Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon.
E gjithë feja ka dalë thjesht nga mashtrimi, frika, lakmia, imagjinata, dhe poezia.
Gjithçka që ne shohim apo duket është një ëndërr, por brenda një ëndrre.
Bukuria e çfarëdo lloji, në zhvillimin e saj suprem, pa ndryshim e prek shpirtin ndjeshëm deri në lot.
Do të vërtetohet, në fakt, se të zgjuarit janë gjithmonë të çuditshëm, dhe me të vërtetë përfytyrues shumë me tepër se analitikë.
Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu.
Shkenca nuk ka mësuar ende nëse çmenduria është apo nuk është madhështi e inteligjencës.
Kufijtë që ndajnë Jetën nga Vdekja janë të paqartë dhe të vagullt. Kush do të thotë se ku e mbaron njëra dhe ku fillon tjetra?
Të përgojuarit e një njeriu të madh është mënyra në të cilën një njeri i vogël mund të arrijë madhështinë.
Ata që ëndërrojnë ditën njohin shumë gjëra që iu shpëtojnë atyre që ëndërrojnë vetëm natën./KultPlus.com
Kam zbritë tu’ ta mbajtë dorën, t’paktën një milion shkallë Dhe tash që s’je ma, boshllëku asht në çdo hap. Gjithsesi i shkurtë ka qenë udhëtimi ynë i gjatë. I imi ende vazhdon, s’ka ma nevojë për rastësitë, rezervimet, kurthet, përbuzjet e atij që beson se realiteti asht ai që shikon. Kam zbritë miliona shkallë tu’ ta mbajtë dorën Jo veç pse me katër sy ndoshta shihet ma mirë. Me ty i kam zbritë sepse e dija që nga ne të dy T’vetmit sy të vërtetë, edhe pse kaq të turbullt, ishin të tutë.
Filharmonia e Kosovës do të prezantojë koncertin e datës 28.03.2025, në bashkëpunim me Institutin Francez në Prishtinë.
Nën drejtimin e mjeshtrit Marco Crispo dhe me pjesëmarrjen e solistëve Liza Kerob (violinë) dhe Altin Tafilaj (violë), koncerti fillon në orën 19:30 në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Në program:
Lili Boulanger – D’un matin de printemps
Wolfgang Amadeus Mozart – Simfonia koncertante në E-dur, K. 364
Gabriel Fauré – Pelléas et Mélisande, Op. 80
Maurice Ravel – Suita Ma Mère l’Oye, M. 60
Me këtë koncert, Filharmonia e Kosovës i bashkohet botës muzikore në shënimin e 150-vjetorit të lindjes së kompozitorit të madh francez, Maurice Ravel./ KultPlus.com
Prej atij që kam qenë atëherë nuk ka mbetur më asgjë: ende jo burrë, isha një fëmijë. E dija prej kohësh, por gjithçka ndodhi në fund të dimrit, një mbrëmje e një mëngjes. Ishim bashkë, thuajse të fshehur, në një dhomë që shihte për nga shëtitorja. Atë natë, Silvia më tha se duhej të largohesha, ose do të largohej ajo – nuk kishim ç’të bënim më bashkë. Iu përgjërova që ta provonim sërish; isha shtrirë përkrah saj dhe e përqafoja. Ajo më tha: – E për çfarë? – Flisnim me zë të ulët, në errësirë. Pastaj, Silvian e kapiti gjumi, ndërsa unë e mbajta njërin gju ngjitur me të sajin, deri në mëngjes.
Mëngjesi u shfaq siç qe shfaqur gjithmonë, dhe bënte shumë ftohtë; Silvias i kishin rënë balluket përmbi sy dhe nuk lëvizte. Unë shihja kohën teksa kalonte në gjysmëhije, e dija se kalonte dhe vraponte, dhe se jashtë kishte rënë mjegulla. E gjithë koha që kisha kaluar me Silvian në atë dhomë, ishte si një ditë-natë e vetme, e cila po mbaronte tani në mëngjes. Atëherë e kuptova se nuk do dilnim kurrë së bashku në mjegullën e freskët. Do bëja mirë të vishesha e të ikja pa e zgjuar. Por, tani kisha në mendje ta pyesja edhe për diçka tjetër. Prita, duke u përpjekur të merrja një sy gjumë.
Kur u zgjua, Silvia më dhuroi një buzëqeshje. Filluam të flisnim. Ajo tha: – Është bukur të jesh i sinqertë si ne. – Oh Silvia, – i pëshpërita – çfarë do të bëj kur të dal që këtej? Ku të shkoj? – Për këtë doja ta pyesja. Ajo qeshi sërish, lumturisht, pa e lëvizur kokën nga jastëku. – Budalla, – më tha – do shkosh ku të duash ti. A nuk është bukur të jesh i lirë? Do të njohësh shumë vajza, do bësh ç’të duash. Diçka, për të cilën të kam zili. Tani mëngjesi mbushte dhomën dhe veçse shtrati kishte ruajtur pak ngrohtësi. Silvia priste e duruar. – Ti je si një prostitutë, – i thashë, – dhe gjithmonë ke qenë e tillë. Silvia nuk i hapi sytë. – Ndihesh më mirë tani që e the? – më tha.
Atëherë u mbështeta sikur ajo të mos ishte aty, vështroja tavanin dhe qaja në heshtje. Lotët më mbushnin sytë dhe më rridhnin poshtë faqeve. Nuk ia vlente që ajo ta dinte këtë. Ka kaluar shumë kohë, dhe tani e di se ato lot të heshtur qenë e vetmja burrëri që tregova me Silvian; e di se qaja jo për të, por sepse kisha parashikuar fatin tim. Prej atij që isha atëherë nuk ka mbetur më asgjë. Mbeti vetëm se e kisha kuptuar kush do të isha në të ardhmen.
Pastaj, Silvia më tha: – Tani mjaft. Duhet të ngrihem. U ngritëm bashkë, të dy. Nuk e pashë teksa vishej. U ngrita shpejt në këmbë, në dritare, shihja lulet që çelnin. Pas mjegullës fshihej dielli, ai diell që kishte përshkuar kaq herë dhomën. Edhe Silvia u vesh shpejt, dhe më pyeti nëse do t’i merrja me vete gjërat e mia. I thashë se më parë doja të bëja një kafe, dhe ndeza furnelën. Silvia, e ulur në cepin e shtratit, nisi të bënte thonjtë. Më parë i kishte bërë gjithmonë në tavolinë. Dukej e menduar dhe flokët i binin vazhdimisht mbi sy. Atëherë bënte një lëvizje me kokë dhe çlirohej prej tyre. Unë u vërdallosa nëpër dhomë të mblidhja gjërat e mia. Bëra një grumbull mbi karrige, kur për një çast Silvia u ngrit dhe vrapoi të hiqte kafenë që po derdhej.
Pastaj nxorra valixhen dhe futa teshat. Ndërkaq, brenda përpiqesha të mblidhja të gjitha kujtimet e këqija që kisha me Silvian – kotësitë, gjendjet e mërzitshme, fjalët acaruese, rrudhat. Këto po merrja nga dhoma e saj. Ajo çfarë lija ishte një mjegull. Kur mbarova, kafeja ishte gati. E pimë në këmbë, pranë furnelës. Silvia diç tha, se do të shkonte tek një tip për të folur për një punë. Pas pak, lashë filxhanin dhe u largova me valixhen. Jashtë mjegulla dhe dielli të qorronin sytë./ KultPlus.com
Këtë javë, studentët e Kolegjit të Evropës në Tiranë ishin në udhëtimin e tyre të parë studimor të organizuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe të udhëhequr nga studentët, si pjesë e fushatës “EU4Education”.
Udhëtimi nisi në Rrëshen, ku studentët u takuan me të rinjtë vendas për të ndarë përvojën e tyre në Kolegjin e Evropës dhe për të folur për mundësitë e shumta që BE ofron për të rinjtë shqiptarë në arsim.
Ata vizituan gjithashtu kishën e Rubikut, e restauruar me mbështetjen e BE-së dhe Info Kullën.
Në Lezhë, studentët u takuan me të rinjtë e Qendrës Rinore HANA, për të shkëmbyer ide dhe përvoja.
Udhëtimi studimor përfundoi me një vizitë në Shirokë, ku studentët panë nga afër se si fondet e BE-së po ndihmojnë zhvillimin e turizmit dhe mbështetjen e komuniteteve lokale.
Një mundësi e shkëlqyer për këta liderë të ardhshëm evropianë që të lidhen, të mësojnë dhe të shohin sesi investimet e BE-së po krijojnë ndikim real për të rinjtë dhe rajonet shqiptare./ KultPlus.com
Më poshtë gjeni rezolutën e tryezës së dialogut ndërfetar:
Populli ynë shqiptar, ndër shekuj ka dëshmuar aftësinë e tij për të jetuar në paqe, në harmoni dhe me dashuri vëllazërore. Për ne, bashkëjetesa dhe harmonia ndërfetare nuk janë vetëm një vlerë e trashëguar nga të parët tanë, por edhe një shtyllë themelore e identitetit tonë kombëtar, paqes mes nesh dhe të ardhmes tonë të përbashkët.
Historia jonë dëshmon se, për të ruajtur këtë pasuri të paçmueshme janë bërë shumë sakrifica nga të gjithë. Se ndër ne nuk ka munguar kurrë mbështetja vëllazërore, ku të krishterët dhe myslimanët, kanë ndarë së bashku gëzimet e jetës, kanë përballuar sfidat historike dhe asnjëherë nuk kanë lejuar të ketë përgjuarës mes nesh. Por, vazhdimisht është kultivuar ndjenja e thellë e përgjegjësisë për njëri-tjetrin, njësimi gjuhësor, trashëgimia kulturore, dhe bashkëpërgjegjësia për të ardhmen e përbashkët. Ky është amaneti i të parëve tanë, ky është synimi ynë sot, dhe kështu duhet të mbetet edhe për brezat që do të vijnë.
Duke qenë të vetëdijshëm se sot gëzojmë paqen dhe lirinë – vlera të cilat të parët tanë nuk i patën asnjëherë – e të vetëdijshëm që duhet t’i ruajmë këto vlera si një pasuri të paçmuar ndërvëllazërore dhe me dëshirën që t’i bëjmë ato më të qëndrueshme dhe më të vlefshme në dimensionin e paqes dhe të lirisë,
Ne përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhe liderët shpirtërorë në Kosovë, pjesëmarrës në tryezën e dialogut ndërfetar, të iniciuar nga fondacioni “Drita” zotohemi si më poshtë:
Harmonia ndërfetare nën dimensionin e paqes dhe lirisë
Ne riafirmojmë se paqja dhe liria, që sot gëzojmë janë vlera të çmuara për çdo shoqëri dhe dhuratë e paçmueshme për çdo individ, të cilat nuk duhet cenuar askujt, e as të jenë të cenueshme nga askush. Paqja e arritur është fryt i shumë sakrificave dhe vuajtjeve, prandaj do ta ruajmë dhe ta mbrojmë me përkushtim, duke e jetuar me mirëkuptim, besim dhe dialog të hapur e të sinqertë. Duke mbrojtur të drejtën e çdo individi dhe bashkësie fetare, për të ushtruar besimin e tyre pa frikë e kufizime nga askush. Ndërsa i ftojmë të gjitha institucionet tona që të ruajnë, kultivojnë dhe forcojnë këto vlera si frymë që na mbanë të bashkuar dhe na ndihmon të bashkëshpresojmë për një të ardhme të sigurt.
Ruajtja e unitetit në Diversitetin
Respekti për diversitetin fetar si dhe uniteti ynë etnik, gjuhësor dhe kulturor, janë vlera të përbashkëta që nuk duhet të cenohen nga askush. Feja nuk duhet të shfrytëzohet për të krijuar ndasi, por për të bashkuar bijtë dhe bijat e Krijuesit tonë të përbashkët, në mirësi, dashuri dhe përgjegjësi për njëri-tjetrin. Prandaj, ne angazhohemi të punojmë së bashku për forcimin e harmonisë ndërfetare, promovimin e vlerave të dialogut, të mirëkuptimit dhe paqes. Po edhe do të ruajmë unitetin tonë kombëtar në diversitetin fetar që e kemi.
Refuzimi i ekstremizmit dhe dhunës në emër të fesë
Ne dënojmë fuqimisht çdo formë të ekstremizmit ndër ne, sikur është: dhuna, fyerjet verbale, përhapja e urrejtjes në mediat social, instrumentalizimi i fesë për qëllime politike, përdorimi i fesë për interesa të grupeve të veçanta, apo individëve të caktuar që duan të vetëpromovohen në shoqërinë tonë duke keqëinterpretuar fenë apo faktet historike. Pra, elementi përçarës ndër ne duhet të kundërshtohet kudo dhe nga kushdo që mund të vijë. Sepse Feja është dhe duhet të mbetet burim paqeje, pajtimi e vëllazërimi dhe harmonie mes njerëzve.
Dialogu – mënyra më e mirë e bashkëpunimit
Ne besojmë se një shoqëri e fortë dhe e drejtë ndërtohet mbi dialogun dhe bashkëpunimin e të gjithë faktorëve të saj pavarësisht dallimeve. Prandaj, angazhohemi dhe duam të jemi shembull të një dialogu të hapur, të sinqertë dhe me respekt të ndërsjellë. Pasi, jemi të bindur që vetëm kështu mund të ndërtohen ura të qëndrueshme mirëkuptimi mes nesh, mund të kemi një shoqëri që respekton të gjithë dhe nuk e diskriminon askënd.
Thirrje brezave të ardhshëm
Një thirrje të sinqertë iu drejtojmë të gjithë të rinjve në vendin tonë, me ftesën që të mbrojnë dhe të kultivojnë paqen, lirinë dhe harmoninë ndërfetare. Pasi, paqja ju mundëson ta gëzoni jetën, liria ju jep të drejtën të jeni vetja juaj, kurse harmonia ndërfetare dhe dashuria ndërvëllazërore mes jush, përmbushë shpresat tuaja dhe të gjithë neve. Ju, të rinjtë, jeni bartësit të së ardhmes, ne jemi dëshmitarë të së kaluarës, ndërsa së bashku bashkëpërgjegjës për të ardhmen. Ne, vazhdimisht do të angazhohemi, t’ju dëshmojmë se vetëm përmes respektit, dashurisë dhe mirëkuptimit reciprok mund të ruajmë unitetin tonë kombëtar dhe të sigurojmë një të ardhme më të ndritur për të gjithë.
Angazhimi për të ardhmen e përbashkët
Në këtë frymë, ne i ftojmë të gjithë – besimtarët, jobesimtarët, pakicat etnike dhe institucionet shtetërore – të bashkohen dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin duke ruajtur këto vlera. Po, edhe ne nuk do të pushojmë kurrë duke ofruar kontributin tonë për paqe, bashkëjetesë në harmoni dhe respekt ndaj të gjithëve, që janë ndryshe, mendojnë ndryshe ose konsumojnë të drejtën e tyre. Pasi jemi të përkushtuar të jemi pjesë dhe kontribuues, për të pas një shoqëri të drejtë, të barabartë dhe paqësore. Përveç kësaj, riafirmojmë përkushtimin tonë për të respektuar Kushtetutën e Kosovës, ligjet në fuqi, rendin shoqëror, duke kontribuar në ruajtjen e bashkëjetesë ndërfetare dhe dashurinë ndërvëllazërore si një vlerë të patjetërsueshme për të gjithë ne.
Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, angazhohemi që së paku një herë në vit të takohemi në këtë Tryezë të Dialogut Ndërfetar, për të frymëzuar besimtarët tanë të vazhdojnë të jetojnë në harmoni, për të bashkëndarë përvoja dhe për t’iu dhënë përgjigjen e duhur sfidave me të cilat mundë të përballemi.
Dhënë në Prishtinë, më 21 mars 2025./ KultPlus.com
Ka pasur disa pretendentë për kurorën kinematografike gjatë viteve, por asnjë nuk i është afruar aq shumë sa serialit mahnitës me katër pjesë të Jack Thorne dhe Stephen Graham – “Adolescence”, arritjet teknike të të cilit – çdo episod është bërë në një paraqitje të vetme – përputhen me një sërë shfaqjesh të denja për çmime dhe një skenar që arrin të jetë natyralist dhe në të njëjtën kohë jashtëzakonisht evidentues. “Adoleshenca” është një përvojë thellësisht prekëse, thellësisht pikëlluese, transmeton KultPlus.
Fillon me depërtimin e policisë në shtëpinë e familjes së 14-vjeçarit Jamie Miller dhe arrestimin e tij me dyshimin për vrasjen e shoqes së tij të klasës Katie një natë më parë. Dy episodet e para na zhytin në botën e komisariatit, detajet procedurale dhe ndërtesën e detektivëve të çështjes kundër Jamie (Owen Cooper), megjithëse ai mohon përfshirjen.
Ai zgjedh babanë e tij, Eddie (Stephen Graham), si të rriturin e tij të përshtatshëm. Ne do të shikojmë që mosbesimi i këtij njeriu të kthehet gjatë periudhës 13-mujore të tregimit në pikëllim të pamatshëm. Nuk është e keqe të thuhet se Jamie vrau Katie – provat na janë dhënë herët dhe në mënyrë të pakundërshtueshme. Shqetësimi i dramës është pse. Ne drejtohemi në një botë adoleshente që jetohet kryesisht në internet dhe që të rriturit janë, çfarëdo që mund të mendojnë, të paaftë për ta monitoruar apo kuptuar siç duhet.
DI Luke Bascombe (Ashley Walters, jashtëzakonisht e mirë, veçanërisht në kapjen e zymtësisë thelbësore të një pune që mund të sjellë ose jo drejtësi, por kurrë nuk do t’ua kthejë prindërve një fëmijë të vdekur) vetëm në të vërtetë fillon të kuptojë “pse” e mundshme kur djali i tij adoleshent përkthen emoji-t e përdorur në komentet e Katie nën disa nga postimet e Jamie në Instagram. Bota e kulturës “incel”, mesazhi i përhapur mes djemve dhe të rinjve për atë që ata kanë të drejtë të presin dhe të marrin nga vajzat dhe gratë, bëhet i gjallë. Emri i Andrew Tate përmendet nga të rriturit ndërsa ata përpiqen të kuptojnë atë që po mësojnë, por fëmijët nuk shqetësohen – është vetëm uji në të cilin notojnë.
Ben Blackall/Netflix
Episodi më befasues – i një kuarteti verbues – është i parafundit, i cili përbëhet pothuajse tërësisht nga një seancë midis Xhemi dhe një psikologeje fëmijësh, Briony (Erin Doherty), e cila është dërguar për të bërë vlerësimin e pavarur të kërkuar përpara çështjes gjyqësore. Inteligjenca e lezetshme dhe e shpejtë e nënshkrimit të Doherty-t përdoret në mënyrë të përsosur këtu, ndërsa Briony e shtyn dhe e ngërthen djalin me kthesa, duke e shtyrë atë gjithnjë e më pranë të vërtetave që ai nuk dëshiron t’i pranojë dhe artikulimit të besimeve që ai mezi e di se i ka.
Dhe këtu duhet të ndalemi, teksa ai përballohet me një grua që me siguri po shfaqet si një nga aktoret më të mira të brezit të saj, për të vënë në dukje se ky është roli i parë i 15-vjeçarit Cooper, i fituar duke i dërguar një kasetë drejtorit të kastit, Shaheen Baig, i cili pati 500 djem që aplikuan për rolin. Është një performancë mahnitëse që na lejon të shohim se mizogjeni i radikalizuar Xhemi është ose mund të bëhet ende. Por ta bësh këtë pa përvojë të mëparshme është një dëshmi e talentit të lindur dhe nxitjes krijuese që duhet të ketë ndjekur të gjithë xhirimet.
Nëse episodi i fundit, i cili përqendrohet në përpjekjet e dëshpëruara të familjes për të mbajtur veten së bashku, ndihet pak më i dobët, është vetëm në kontekstin e asaj që ka ndodhur më parë. Refuzimi i tij për të ofruar dalje të lehta (pa prindër abuzues, pa sekrete të errëta familjare), asnjë shpjegim i qartë se çfarë e çon një djalë drejt vrasjes dhe të tjerët jo, ndihet i guximshëm dhe i vërtetë. “Adoleshenca” pyet se kujt dhe çfarë po u mësojmë djemve dhe si presim që ata të lundrojnë në këtë botë gjithnjë e më toksike dhe të pamundur, kur koncepti i maskulinitetit ende duket se varet nga djemtë dhe burrat që e bëjnë këtë vetëm. Dhe kjo e mban viktimën mjaft të pranishme që pyetja se sa vajza dhe gra do të vdesin ndërsa ne përpiqemi t’i zgjidhim të gjitha./ KultPlus.com
“Jeta është një kalim, bota është një teatër: njeriu hyn, shikon dhe del”, është një nga thëniet e njohura të filozofit të njohur, Demokriti. Dhe, njeriu së shpejti do të hyjë në teatër e do të shikojë një nga shfaqjet më interesante të krijuara ndonjëherë. Bëhet fjalë për shfaqjen “God bless America” me tekst dhe regji nga Fatos Berisha e cila së shpejti do të epet premierë në Teatrin e Gjilanit.
Shfaqja është një parabolë dramatike që flet për katër shitës të Biblës që udhëtojnë derë më derë nëpër tërë Amerikën duke lëvizur nëpër ëndrrën kapitaliste, duke takuar njerëzit e margjinave të shoqërisë moderne bashkëkohore, të cilëve tentojnë t’u shesin Biblën përmes ‘ëndrrës Amerikane’. Drama është inspiruar nga dokumentari ‘Salesman’ i viteve ’60, i cili paraqet realitetet e ashpra të jetës së shitësve. Ata merren me refuzimin, rraskapitjen emocionale dhe barrën e detyrimit për të nxitur vazhdimisht shitjet në një industri që shpesh është indiferente ndaj betejave të tyre personale. Ne i shohim ata duke u përpjekur të plotësojnë kuotat e tyre dhe të përballojnë bukën, gjë që jep një ndjenjë tensioni dhe urgjence.
Ndërsa tekstin e shfaqjes “God bless America”, regjisori Berisha e ka shkruar në kohën e pandemisë, i dëshpëruar me gjithçka që ndodhte në atë kohë dhe i inspiruar nga ‘Shitësit’. Por, ajo që i ka bërë përshtypje më së shumti ka qenë se si bibla trajtohej si çdo mall tjetër dhe shitja e atij malli ishte punë me të cilën ata njerëz mbijetonin, apo thënë ndryshe, tentonin të arrijnë mirëqenien.
“God bless America”, ky titull ngjall ndjenjën e kërkimit të pamëshirshëm të mbijetesës dhe ngarkesën emocionale të përpjekjes për të siguruar jetesën në rrethana të vështira, njësoj si shitësit në dokumentar. Brenda shfaqjes pritet të shpalosen përpjekjet përfundimtare të bëra kur gjithçka duket e humbur, ndërsa koha kur teksti është shkruar na flet për izolimin dhe pasigurinë që përcaktoi pandeminë. Pra, shfaqja do të simbolizojë pasqyrimin e thellësisë dhe qëndrueshmërisë emocionale. Shikuesi do të hyjë në vështrimin e thellë dhe personale të vetë individëve. Ata do të shohin shpresat, zhgënjimet dhe pasiguritë e tyre. Në një farë mënyre, shfaqja vjen si kritikë ndaj kapitalizmit dhe konsumizmit amerikan. Fusha e shitësve bazohet jo vetëm në cilësinë e produktit, por edhe në shfrytëzimin e cenueshmërisë së familjeve që vizitojnë, duke përdorur apele emocionale dhe taktika presioni për të arritur shitjen.
“Edhe pse ngjarja e filmit ishte e vendosur në vitet 60-të, mendoj që epoka e konsumerizmit është në pikun e saj në kohën të cilën po e jetojmë, andaj më është dukur temë e përshtatshme për ta trajtuar në teatër”, ka thënë Berisha në një intervistë për KultPlus.
Brenda shfaqjes, trajtohen raportet mes katër personazheve dhe tentimet e shitjes nëpër shtëpitë e njerëzve të shtresave, kryesisht, të varfëra. Nëpërmjet këtij relacioni shpresohet të kuptohet tërë xhungla e mbijetesës, ashpërsisë dhe presionit të papërballueshëm për sukses brenda ‘ëndrrës amerikane’ që është sinonim i botës së konsumerizmit në këtë rast.
“Është hera e parë që si regjisor e punoj një tekst timin. Kjo, mund të tingëllon paradoks, por më solli në vështirësi që nuk kam hasur në punët e mëparshme. Duke mos pasur distancën e duhur ndaj tekstit, kam tentuar të jem sa më ‘i ashpër’ dhe më ‘i pamëshirshëm’ ndaj tekstit, në kuptimin që kam qenë i hapur edhe me ekipin e aktorëve dhe bashkëpunëtorëve për të zhvilluar tekstin dhe në tentim të ngritjes së shfaqjes përtej tekstit”, ka thënë Berisha për KultPlus.
Sipas tij, frymëzuar nga filmi dokumentar që përcjellë fatin dhe jetën e njerëzve të vërtetë dhe ngjarjeve të vërteta, ku personazhet mbijetojnë duke shituar biblat, regjisori Berisha ka tentuar të ndërtoj një tekst dramatik, një parabolë skenike që flet për individin në shoqërinë konsumeriste, në një xhungël mbijetese ku nuk ka asgjë të shenjtë dhe e shenjta është mall, e ku përfitimi financiar përcakton pozitën shoqërore dhe sociale.
Shfaqja më e re “God bless America”, (“Zoti e bekoftë Amerikën”) do të epet premierë në Teatrin e Gjilanit. Provat kanë filluar qysh më 25 shkurt dhe premiera pritet të jetë në javën e parë të prillit.
“Ka disa vite që kam pranuar ftesë nga Teatri i Gjilanit për të punuar shfaqje, dhe ishim në komunikim me drejtorin Erson Zymberi për të përzgjedhur tekstin. Në fund propozova dy tekste, njëri nga ta ishte ‘God bless America’ dhe bordi i teatrit e zgjodhi pikërisht atë. Sinqerisht isha i befasuar. Ndërsa sfidat janë ato të zakonshmet, në fakt janë vetëm sfida artistike të brendshme, ndërsa procesi deri tani ka rrjedhë pa sfida dhe pa ndonjë problem. Kemi një atmosferë të mirë në një ekip të madh ku janë gjithë aktorët e trupës së Gjilanit”, thotë Berisha.
Kasta e aktorëve është si vijon: Avni Shkodra në rolin e Lepurit, Gani Rrahmani në rolin e Dhelprës, Kushtrim Qerimi në rolin e Demit dhe Ali Demi në rolin e Arushës. Këta janë katër shitësit që në rrugëtimin e tyre takojnë edhe aktorët apo personazhet tjerë. E ata janë: Aurita Agushi, Alban Shahiqi, Mejreme Berisha, Tringa Hasani, Safete Mustafa, Bashkim Nexhipi, Artan Selimi dhe Florent Salihu.
Kompozitori është Memli Kelmendi, koreograf Robert Nuha, skenograf Bekim Korça dhe kostumografe Leudita Hyseni. Asistente e regjisë është Emine Toska ndërsa dramaturg Shkelzen Berisha.
Ministrja gjermane e Mjedisit, Steffi Lemke, iu bashkua një aksioni në Tepelenë në ditën ndërkombetare të pyjeve, për ripyllëzimin e Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa.
Në ditën ndërkombetare të pyjeve, ministrja gjermane e Mjedisit, Steffi Lemke iu bashkua një aksioni në Tepelenë për ripyllëzimin e Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa. Dikur pyjet këtu siguronin mbrojtje natyrore kundër erozionit. Tani, ky ekosistem ka nevojë për ndërhyrje, sidomos nën ndikimin e ndryshimeve klimatike. ‘’Ndryshimet klimatike shoqërohen në çdo vend të botës me periudha thatësirash, me stuhi, me përmbytje dhe politika nuk ka reaguar ende mjaftueshëm ndaj këtyre fenomeneve. Ne duhet të kuptojmë që ne jemi të varur ndaj mjedisit, që na duhet të konsiderojmë natyrën si aleaten tonë, nëse duam të mbrojmë jetën tonë, dhe jo ta dëmtojmë atë‘’, tha Lemke.
15,000 fidanë bimësh autoktone
Vitin e kaluar u ndërtua një fidanishte që ka rreth 15,000 fidanë bimësh autoktone, të cilat do të mbillen në dhjetë zona të ndryshme përgjatë Luginës së Vjosës. Eksperti i mjedisit Olsi Nika e cilëson këtë proces si jetik për ruajtjen e biodiversitetit të parkut. ‘’Një nga problematikat më të mprehta që ka lumi i Vjosës si ekosistem është shkalla e lartë e erozionit, dhe kjo reflektohet edhe në transportin e madh të sedimenteve, ccka ka qënë edhe një argument kryesor kundër ndërtimit të Hidrocentraleve. Dhe kjo vjen si pasojë kryesore e shpyllëzimeve’’, sipas Nikës.
Industri që përbëjnë kërcënim serioz
Sipas ligjit, pas marrjes së statusit të mbrojtjes, në Vjosë duhet të zhvillohen vetëm aktivitete që nuk e dëmtojnë mjedisin. Megjithatë, Organizata mjedisore Eco Albania ka identifikuar disa industri që vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim serioz. ‘’Një është idustria nxjerrëse-përpunuese, dhe kam këtu parasysh industrinë e naftës, minierave, bitumit. Marrja e inerteve në mënyrë direkte nga shtrati i lumit, dhe ne kemi identifikuar gati 10 të tilla që veprojnë gjatë shtratit të Vjosës. Dhe e treta është marrja e ujit nga lumi’’, thekson Nika.
Plani i menaxhimit të parkut, i miratuar në fund të vitit 2024, ende nuk ka filluar të zbatohet në terren. Por kjo sipas ekspertëve do të jenë vendimtare për të ardhmen e tij. /DW/ KultPlus.com
Edicioni i katërt i festivalit Ndërkombëtar të Koreve të Grave u hap me poezinë “Grua” e shkruar dhe interpretuar nga aktorja e njohur, Safete Rogova.
Pjesëmarrës në festival ishin kori nga qyteti i Ferizajt, nën udhëheqjen e Lindita Isufit, kori “Canta Peja”, nën udhëheqjen e Melisa Xheladinit dhe kori “Lira”, nën udhëheqjen e Valire Buzës. Ndërsa kori St. Zlata Meglenska, me dirigjente Letka Dimovska, ka anuluar pjesëmarrjen për shkak të tragjedisë në Maqedoninë e Veriut, pasi vendi është në ditë zije për një javë.
Në sallën e mbushur plot me mysafirë, adhurues të muzikës korale, u prezantuan koret e grave me këngë të përpunuara popullore, të kompozitorëve shqiptarë të të gjitha trojeve.
Interpretimet zgjuan interes te publiku pasi disa këngë u kënduan për herë të parë si përpunime për këndim akapela në kor. Sipas njohësve të muzikës së përpunuar që ishin prezent në sallë, niveli këndimit është përmirësuar dukshëm dhe se zërat e artisteve përcollën emocione për artdashësit duke e përmbyllur festivalin me një urim special për organizatoren Valire Buza “I lumtë, pasi që falë angazhimit të saj u arrit të mbahet ky festival”. Për shkak të pandemisë për tri vite nuk është mbajtur dhe sivjet megjithatë, u arrit të organizohet me gjithë kapacitetet.
Materiali sivjet ka qenë shumë i vështirë dhe sfidues, shumica e anëtareve të koreve nuk dinë ti lexojnë notat, por falë punës së drejtueseve të koreve, ia dolën për mrekulli. Anëtaret e koreve ishin të moshave e profesioneve të ndryshme e të gjitha bashkë i mblodhi festivali dhe dashuria për artin e bukur të muzikës.
Përgëzime për interpretimet pranuan nga kompozitorja, Pranvera Badivuku e cila u shpreh e kënaqur për aq sa dëgjoi në këtë festival. Ajo ka thënë se është mirë që tashmë po vihen në skenë materiale nga tradita jonë duke zbuluar kështu “margaritarë” nga shtresat më të thella të muzikës që këndohet edhe sot në popull.
Nga ana tjetër organizatorja e këtij festivali, Valire Buza është shprehur e kënaqur me prezencën e koreve, pavarësisht se kori nga Maqedonia e Veriut në momentet e fundit e anuloi pjesëmarrjen. Ajo ka falënderuar publikun e shumtë në numër dhe Komunën e Prishtinës për mbështetjen solide. Njëkohësisht shpreson që vitet në vijim do të ketë përkrahje më të madhe nga institucionet shtetërore.
Organizatorja ka ndarë mirënjohje për grupet pjesëmarrëse dhe disa nga solistet më të vjetra./ KultPlus.com
Madeleine Albright ishte gruaja e parë që shërbeu si Sekretare amerikane e Shtetit.
Kujtimet e saj kryesore, ajo i përshkroi në librin e shkruar në vitin 2003 – “Zonja Sekretare”.
Ishte pothuajse e pakonceptueshme që dikush që nuk kishte përvojë politike deri në të 40-at, e për më tepër nëna e tre fëmijëve, të bëhej gruaja më e rëndësishme në historinë amerikane.
Kredencialet e saj mbresëlënëse janë: profesoreshë, ambasadore, autorja më e shitur sipas New York Times, kryetare e Institutit Kombëtar Demokratik për Çështjet Ndërkombëtare, si dhe kryesuese e Grupit Albright Stonebridge, një biznes i strategjisë globale.
Ajo njihet për thënien: “Ka një vend të posaçëm në ferr për gratë që nuk i ndihmojnë gratë e tjera”.
Por si kaloi jeta e saj nga fëmijëria deri në shtigjet e politikës, mund ta mësoni më poshtë:
“Madaleine” nuk është emri i saj origjinal
Ajo quhet Marie Jana dhe ka lindur në Pragë më 15 maj 1937, si fëmija i Anna Spieglova dhe Josef Korbel. Por emri “Marie” nuk u përdor gjatë. Anëtarët e familjes e quajtën Madla, Madlin ose Madlenka kur ishte shumë e re. Kur Albright filloi të studionte frengjishten, ajo pëlqeu versionin Madeleine. Megjithatë, Albright kurrë nuk e ndryshoi ligjërisht emrin e saj zyrtar – Marie Jana.
Familja e saj iku nga nazistët
Roli i babait të saj si ambasador i Çekosllovakisë në Beograd dhe respekti i thellë për demokracinë, vënë në dyshim sigurinë e familjes nën regjimin nazist.
Ndërsa prindërit u organizuan për të shkuar në Londër, Albright jetoi me gjyshen në Çekosllovaki. Albright dhe familja e saj u larguan për në Angli 10 ditë pasi nazistët pushtuan kryeqytetin Pragë.
U shfaq në një film për refugjatë
Kur ishte në Angli, Albright u përzgjodh për t’u shfaqur në një film për fëmijët e refugjatëve të luftës. Si formë shpërblimi, ajo morri një arush prej pellushi.
Familja kthehej në Çekosllovaki herë pas here
Albright (e cila flet rrjedhshëm gjuhën çeke) do të kthehej në Çekosllovaki shumë herë si e rritur, duke përfshirë edhe tetorin e vitit 2003, kur ajo udhëtoi atje për të nisur autobiografinë e saj.
Megjithëse familja i ishte mirënjohëse që u kthye në vendin e lindjes, ajo nuk qëndroi atje shumë gjatë.
Familja e tyre nis një jetë të re në Denver
Pasi babai i saj mbërriti në SHBA, familja jetoi në Long Island duke pritur që t’i jepej azil politik. Pasi Josef siguroi punë si mësimdhënës në Universitetin e Denverit, familja u vendos në qytetin e tyre të ri dhe Albright filloi të studionte në Kolegjin Kent Denver, ku dhe themeloi Klubin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të shkollës.
Ishte tejet e sukseshme në Kolegj
Albright studioi Shkenca Politike në Kolegjin Wellesley, dhe u diplomua me nderime të larta në vitin 1959. Në vitet para diplomimit, ajo u bë shtetase dhe u njoh me burrin e saj të ardhshëm, Joseph Medill Patterson Albright, gjatë një pune praktike në Postën e Denverit. Në librin e saj, Albright kujton se ishte traditë që gratë në Wellesley të martoheshin në ditën e diplomimit. Përkundër kësaj, ajo priti tri ditë pas marrjes së diplomës për t’u martuar me Jozefin.
Nga një vend në tjetrin – një jetë në lëvizje
Albright u zhvendos disa herë për shkak të karrierës së Jozefit. Nga viti 1961, çifti jetoi në Rolla të Missourit dhe Çikago përpara se të jetonin në Long Island, ku edhe lindën binjakët e tyre, Alice dhe Anne.
Në vitin 1962 familja u zhvendos në Georgetown, ku Madeleine studioi marrëdhëniet ruse dhe ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins.
Kur ata u kthyen në Long Island në vitin 1963, Albright vazhdoi studimet e saj në Universitetin e Kolumbias, ku dhe morri një certifikatë masteri, në vitin 1968 edhe një doktoraturë, e më pas lindi edhe vajza e saj e tretë.
Zhvendosja në Uashington i dha kahje karrierës së saj
Albright u përfshi më shumë në politikë kur familja e saj u rikthye në D.C në vitin 1968. Nga viti 1976 deri në vitin 1978, ajo shërbeu si ndihmëse kryesore e senatorit Edmund S. Muskie, më pas ndihmëse e senatorit Zbigniew Brzezinski.
Ajo ndoqi hapat e të atit për shkollim akademik
Pasi martesa e saj 22-vjeçare përfundoi me divorc në vitin 1982, Albright u bashkua me Shkollën e Shërbimit të Jashtëm të Universitetit Georgetown si profesoreshë e Shkencave Kërkimore në Çështjet Ndërkombëtare, ku ushtroi disa kurse universitare dhe pasdiplomike. Ajo gjithashtu shërbeu si drejtoreshë e programit të Shërbimit të Gruas në Shërbimin e Jashtëm.
Si ambasadore e OKB-së bëri zgjedhje të vështira
Si ambasadore e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Albright votoi në favor të një rezolute të OKB-së më 10 gusht 1995, përmes së cilës serbët e Bosnjës detyroheshin të tërhiqeshin nga lufta, gjë që çoi edhe në mbarimin e konfliktit më të përgjakshëm të Europës pas Luftës së Dytë Botërore.
Megjithëse ishte shpesh një nga gratë e pakta në Dhomë (dhe shumë herë, e vetmja), Albright nuk e la veten në heshtje; ajo e kuptoi se nëse vetëm vëzhgonte, dëgjonte dhe nuk do të fliste, do të thoshte se zëri i Shteteve të Bashkuara nuk do të dëgjohej.
Roli i saj historik si Sekretare Shteti
Ndërsa Presidenti Bill Clinton morri detyrën, Albright u betua si Sekretare e Shtetit në janar të vitit 1997.
Albright në librin e saj shkruan për postin që Clinton i besoi. “Ai më dha mundësinë që asnjë individ, mashkull apo femër tjetër, nuk më ka dhënë. Ai më ka nderuar duke më emëruar Sekretare e Shtetit e SHBA-ve”.
Ky emërim e bëri Albright si gruan më të lartë në pozitë në gjithë historinë e qeverisë amerikane deri atëherë.
E para zyrtare amerikane që takohet me liderin koreanoverior
Sekretarja amerikane e Shtetit Albright u takua me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Il më 23 tetor 2000.
Udhëtimi i saj drejt vendit komunist, shënoi herën e parë që një Sekretar amerikan i Shtetit dhe zyrtar i nivelit të tillë shkel aty.
Ajo vonë e kuptoi prejardhjen hebreje
Albright u rrit si katolike nga prindërit të cilët ishin konvertuar në krishterizëm me të ardhur në SHBA. Megjithatë, ajo nuk ishte në dijeni të ndonjë përkatësie të mëparshme fetare.
Gjatë procesit të vetingut për Sekretar Shteti, ajo zbuloi se mund të ketë paraardhës hebrenj. Gjatë hulumtimi, Michael Dobbs, gazetar i Washington Post, zbuloi se tre prej gjyshërve të Albright vdiqën në Aushvic dhe Terezin. Familja e saj bëri kërkime të mëtejshme dhe mësoi se 25 anëtarë të tjerë nga trungu vdiqën në kampet e përqendrimit.
Gjithnjë ka patur një sens humori
Albright ka thënë se ajo ishte shumë serioze si fëmijë, por duke u rritur ka zhvilluar sens të jashtëzakonshëm humori.
Kështu, si diplomate, ajo ka ditur të reagojë edhe në situata të tensionuara. Për t’u argëtuar, zonja Albright madje ka marrë pjesë në show-in televiziv – Gilmore Girls.
Veshja e saj me stil dhe karficat me mesazhe
Albright është e mirënjohur për karficat e saj që mbante në pallto sa herë që paraqitej në takime diplomatike. Për secilin takim kishte karfica të ndryshme, me mesazhe të ndryshme gjithashtu.
Kur mediat irakiane të Sadam Huseinit e quajtën atë “gjarpër”, ajo u shfaq në konferencë të nesërmen me një karficë në formë gjarpri, të vendosur në xhaketë.
Shkrirja e shpejtë e akullnajave mund të çojë në zhdukjen e tyre deri në fund të shekullit të 21-të, duke rrezikuar burimet e ujit, bujqësinë dhe biodiversitetin për miliona njerëz, ka theksuar një raport i ri i UNESCO-s.
Në pesë nga gjashtë vitet e fundit është parë tërheqja më e shpejtë të akullnajave, me periudhën 2022-2024 që shënon humbjen më të madhe trevjeçare të masës së akullnajave të regjistruar ndonjëherë.
Me ritmet aktuale të shkrirjes, shumë akullnaja në rajone si Kanadaja Perëndimore, SHBA-ja, Skandinavia, Evropa Qendrore, Kaukazi, Zelanda e Re dhe Tropikët pritet të zhduken deri në fund të shekullit të 21-të.
Sipas vëzhgimeve globale, akullnajat – duke përjashtuar shtresat e akullit kontinental të Grenlandës dhe Antarktikut – kanë humbur mbi 9.000 miliardë tonë akull që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1975.
“Kjo është e barabartë me një bllok të madh akulli të përmasave të Gjermanisë me një trashësi prej 25 metrash”, ka thënë Michael Zemp, drejtor i Shërbimit Botëror të Monitorimit të Akullnajave.
Ulja e akullnajave dhe reduktimi i reshjeve të borës në rajonet malore, të nxitura nga kriza klimatike, pritet të prekin dy të tretat e bujqësisë globale të ujitur.
Ndërsa rajonet e larta malore, të njohura si kullat e ujit të botës, ruajnë ujin në akullnajat që mbështesin qindra miliona nëpërmjet rrjedhave, shterimi i akullnajave kërcënon furnizimin me ujë dhe rrit rreziqet natyrore si përmbytjet, veçanërisht gjatë periudhave më të nxehta dhe më të thata.
Raporti thekson nevojën për financim të përshtatjes klimatike dhe përfshirjen e sektorit privat për të mbrojtur infrastrukturën e ujit, bujqësisë dhe energjisë në rajonet malore.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së caktoi vitin 2025 Viti Ndërkombëtar i Ruajtjes së Akullnajave dhe të premten, 21 Marsin, Ditën Botërore të Akullnajave, për të theksuar rolin kritik të akullnajave, borës dhe akullit në sistemin klimatik dhe ekonomitë globale.
Një projekt dedikuar historisë së Vlorës, që risjell në kujtesë vlera të çmuara si mikpritja dhe humanizmi ndër shekuj i vlonjatëve, sapo ka nisur jetësimin në terren. Muzeu Hebraik Shqiptar është projekti më i ri që u zgjodh të ndërtohet në Vlorë, e cila ishte shtëpia e komunitetit më të madh hebre në Shqipëri.
Muzeu po ngrihet mbi Lagjen e dikurshme të Hebrenjve dhe ndodhet në sheshin kryesor të qytetit, afër tre muzeve të tjerë, Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Muzeut Historik dhe Muzeut Etnografik, ku Muzeu Hebraik Shqiptar do të jetë pjesë e kompleksit kulturor.
Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet sot në Vlorë, nisi inspektimet nga ky kantier, ku së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, u njoh me ecurinë e punimeve të nisura 1 muaj më parë.
“Vlen të meritojë më shumë prezantimi këtu, sepse objekti nuk shtrihet vetëm në këtë mbrojtjen, e objektit ekzistues, i cili është objekti i mbrojtur, po është gjithëpërfshirja po themi në gjithë këtë ansambël urban, ku ndihet fryma e restaurimit të Lagjes së Hebrenjve, që quhej një herë e një kohë. Ndërtimi është jashtëzakonisht shumë kompleks. Do të ketë disa përforcime që do të bëhen gati. Dhe strukturat e xhamit do jenë unike në të gjithë Shqipërinë. Edhe në botë ka shumë pak struktura të tilla”, u shpjegua gjatë prezantimit të punimeve.
“Është shumë e rëndësishme që të kuptohet nga të gjithë, që ky është një gur i munguar në mozaikun e Vlorës dhe atë shqiptar. Historia e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët është një histori e jashtëzakonshme. Trashëgimi historiko-kultutore e jashtëzakonshme për të gjithë ne, dhe që flet për shqiptarët, pavarësisht myslimanë apo të krishterë. Dhe duhet pasur parasysh që me vendosjen e linjës direkte me Izraelin fillon kërkesa nga turistët izraelitë për të ardhur në Shqipëri. Kërkesa është shumë e madhe. Kanë filluar ta njohin historinë tonë me ta dhe ky është një gur themeli me të cilin do të ndërtojmë gjëra në turizëm, ekonomi, teknologji. Besoj që Vlora është me fat dhe duhet të jetë krenare që ka këtë histori”, tha Rama.
Drejtuesi teknik i punimeve për Muzeun Hebraik tha se ky është një objekt i mbrojtur, por është gjithëpërfshirja në këtë ansambël urban ku ndihet fryma e restaurimit të Lagjes së Hebrenjve, me gjithë sensin e mikpritjes së shqiptarit.
“Në këtë zonë do të jetë pavijoni i hyrjes, dhe pjesa e mbrapme ka një portë të hapur që do të thotë që është shumë pritëse. Veshja do të jetë 98% gurë shqiptarë dhe 2% gurë izraelitë, ku ai guri dhe për historinë e tyre personifikon lidhjen që kanë ata me vendin e tyre”, tha ai.
Sipas inxhinierëve dhe drejtuesve të këtij projekti, është parashikuar që ndërtimi të përfundojë për dy vjet, por Kryeministri Rama nënvizoi se pavarësisht kompleksitetit të godinës, projekti duhet të përfundojë brenda 18 muajve.
“Jam i bindur që për 18 muaj kompania e mbyll ndërtimin, e bashkë me të edhe muzealizimin”, u shpreh Rama.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ka përkujtuar ish-Sekretaren e Shtetit Madeleine Albright, në trevjetorin e shkuarjes së saj në amshim.
Në shkrimin e ambasadës kushtuar Albrightit, përmendet lidershipi i saj i guximshëm në lidhje me Ballkanin, dhe specifikisht Kosovën.
“Jeta e Madeleine Albright ishte personifikimi i ëndrrës amerikane dhe lidershipi i saj i guximshëm në Ballkan shpëtoi jetë të panumërta. Progresi i Kosovës është një homazh i vazhdueshëm ndaj trashëgimisë së saj”, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane në X transmeton Klankosova.tv
Ambasada e Shteteve të Bashkuara, kujtoi se në Amerikë, Sekretari i Shtetit është “diplomati më i lartë i kombit” – “personi përgjegjës për zbatimin e politikës së jashtme të Presidentit, forcimin e marrëdhënieve diplomatike në mbarë botën dhe menaxhimin e një force të madhe pune globale”.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka njoftuar se profesoresha e Fakultetit Juridik dhe njëherësh gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Remzije Istrefi – Peci, e ka fituar çmimin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Ngjarja ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ky çmim ipet nga Samiti Global mbi Kushtetutshmërinë që organizohet nga Universiteti i Texasit, i vendosur në Austin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, njoftoi Jahjaga.
Ajo theksoi se gjyqtarja dhe profesoresha Remzije është shembull dhe pasqyrë e grave shqiptare, dhe model për vajzat e reja!
“Urime e dashur Profesoreshë Remzije, më se i merituar! Qoftë ky vetëm një nga sukseset e juaja në detyrën tuaj të shenjtë!”, theksoi ajo.
Janë bërë 36 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 dhe u suprimua autonomia e Kosovës në ish-Federatën jugosllave, duke e lënë atë si pjesë të Serbisë.
Parlamenti i Kosovës ishte i rrethuar me tanke dhe ushtri, dhe nën një shtetrrethim, Serbia dhunshëm ia mori Kosovës autonominë.
Nga 190 delegatët e pranishëm në Kuvend, disa prej tyre, edhe pse nën presionin e shtetrrethimit të hekurt, kishin votuar kundër këtij suprimimi, e në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës.
Para 23 marsit 1989, muaji shkurt i të njëjtit vit do të karakterizohej me grevën e minatorëve të gjigantit Trepça, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës.
Në demonstratat kundër suprimimit të autonomisë dhe me kërkesa për krijimin e Republikës së Kosovës, ranë rreth 30 dëshmorë, qindra u plagosën dhe qindra të tjerë u arrestuan dhe u dënuan me burg.
E tërë fushata kundër Kosovës kishte filluar nga serbët në Fushë Kosovë, më 1987, e cila njihet edhe si lëvizja serbe antishqiptare, ku edhe fillon ardhja në pushtet e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
Sot, janë bërë tre vjet nga vdekja e ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
Ajo ishte njëra prej mikeve më të mëdha të Kosovës.
Albrighet kishte një rol vendimtar në vendimin e NATO-s për të nisur bombardimin e forcave ushtarako-policore serbe e po ashtu ka luajtur një rol jetik në procesin e çlirimit të Kosovës.
Ish-sekretarja e kishte vizituar Kosovën pas çlirimit, duke zbarkuar në Prishtinë më 29 korrik 1999.
Gjatë kësaj vizite i kishte bërë thirrje serbëve që të mos largohen nga Kosova, por të ndihmojnë në krijimin e një shoqërie multietnike.
Ajo e kishte vizituar vendin tonë edhe për herën e dytë në qershorin e 2019-tës.
Në atë udhëtim, ajo u shoqërua nga ish-presdienti amerikan, Bill Clinton.
Ish- Sekretarja Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, vdiq më 23 mars të vitit 2022 në moshën 84 vjeçare.
Poezi nga Sabile Keçmezi-Basha (Babait time, Shaqir Keçmezit)
Sot, Baba U takuam përsëri Sabile Keçmezi-Basha
Në Tivar
Në veshë më ushtin malet Nga rafalët
Ku je baba Vetë më the Se linde nga katrahura Nga këto brigje Cullak nga blerimi.
Më the Se me sytë e tu i pe kafka si bartte gjymtyrët Nga trupat e shkërmoqur
Më the Se vdekja të luante lojën Të qëndronte karshi Duke të qitur gjuhën Lavire… kishin jehuar malet
Tradhtia përbindësh ishte Në përtej kohë. Sot, homazh bëra në Monopollin e duhanit Për të gjithë ata Që Ti kurrë nuk i takove Në vaporin për Triesten e premtuar.
Unë ende po të pres Këtu… Në takimin e premtuar
Baba, takohemi sot Në këtë fushë të kuqe Më the Se më pritje mua Në rrasë të gurit
Unë erdha… Të flasë me ty…
Ku je… Ku je… Babaaaaaa Gjithandej U trazua deti/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë bashkëbisedimit me turoperatorët turistikë në Vlorë dhe me kryetarët e bashkive të bregdetit, se qeveria po synon një formalizim të sektorit të turizmit, për shkak se ka një “hile” të madhe në deklarimin e netqëndrimeve gjatë sezonit turistik.
“Ka një shifër që thotë se nga 10 milionë e 155 mijë turistë që e kanë vizituar Shqipërinë në 2023, tre milionë e 900 mijë net kanë qenë të deklaruara. Janë pak si problem. E kemi studiuar me ekspertizë të huaj, këtë vit do t’ju japim mundësinë që të bëni një paradeklarim, 1 maj-30 shtator nëse nuk doni as kontrolle dhe të fokusoheni te klientët dhe jo tek inspektorët, një nivel shfrytëzimi 65% në bazë të dhomave dhe për atë nivel do të paguani detyrimin te bashkia. Niveli është më i lartë, por duam ta nisim nga ky, sepse na intereson formalizimi i sektorit. Pastaj, nga 1 tetori deri 1 prill një nivel 20%. Prapë ju do dilni me një fitim ekstra, përtej atij që ju takon.
Përgatituni sepse në 2026-ën, nuk do të keni nga të lëvizni më, sepse do fusim platformën digjitale e-Visitors dhe aty nuk do bëni asnjë shmangie sa i takon strukturave hoteliere”, tha Rama.
Kryeministri Rama iu referua modelit të bashkisë së Lezhës nën drejtimin e Pjerin Ndreut, sa i takon mirëmenaxhimit të plazheve publike dhe strukturave pritave hoteliere. “Një nga pikat më të nxehta të marrëdhënieve me qytetarët gjatë sezonit është stresi i krijuar nga xhungla e çadrave dhe shezlongëve dhe pavarësisht se çfarë është bërë vitet e fundit për t’i disiplinuar, vitin e kaluar kemi konstatuar që ishin ende shumë në anën e privatit, dhe për këtë arsye edhe në bashkëpunim me kryetarët e bashkive dhe Pjerin Ndreun e bashkisë Lezhë, që ka krijuar në bregdetin e Lezhës një model shumë të suksesshëm edhe për shkak të background-it që ka si polic që nuk rri dot pa kontrolluar çdo mizë që fluturon. Kemi ndërtuar një plan të ri me një ndarje shumë më të qartë dhe me një balancë shumë më të arsyeshme mes plazheve të menaxhuara nga privati dhe plazhet publike që do menaxhohen nga bashkitë”, pohoi Rama.
“Të ndërtohet një sistem bashkiak i administrimit ku bashkia jo thjesht të ruajë, por të zhvillojë një sipërmarrje bashkiake që po e bën edhe Himara, që të gjitha bashkitë të kenë ofertën e tyre paralele me ofertën e operatorëve privatë dhe t’i ofrojë qytetarëve shezlonge me çmime shumë më të ulëta. Kuptohet edhe me një gamë shërbimi më modeste, sepse nuk do ndërtojnë bashkitë edhe beach bare për plazhet publike që shumëkush i kërkon të lira me hapësira ku ka disa që thonë që ne duam thjesht të shkojmë si më përpara po harrojnë që dikur nuk ka qenë dielli dhe nxehtësia kaq e madhe”, shtoi Kryeministri.
Kryeministri shprehu edhe faktin që operatorët turistikë kërkojnë shumë, teksa bëri edhe një batutë me tramin e supozuar që do të ndërtohej nga Lulzim Basha në Tiranë.
“Duhet të biem dakord që kërkoni sa më shumë, për tramin në Vlorë do na duhej Luli. E ka bërë një në Tiranë, siç e kanë parë qytetarët është shumë i suksesshëm me një shpejtësi marramendëse, e kishte planin që ta çonte deri në Durrës po për shkak se e zuri gjumi e la vetëm në Tiranë. Shpresoj që mos të arrihet për shkak të tramit, që të çohet Vlora në këmbë dhe të thotë duam Lulin kryetar bashkie”, pohoi Rama.
Kryeministri Rama theksoi në fjalën e tij se ka një “hile” të madhe në deklarimin e netqëndrimeve në strukturat hotelerie, krahasuar me numrin total të turistëve që kanë vizituar vendin tonë.
“Duhet të jemi shumë të vërtetë që ka një hile të madhe që e bëni të tërë ju, një hile me deklarimin e netëve të fjetjes. Dhe ne për t’ju dhënë mundësi juve që të dilni faqebardhë nga kjo fazë informaliteti, kemi ulur TVSH-në ndërkohë që 6% nuk e ka asnjë vend në Mesdhe, jua kemi ulur që të deklaroni netët e fjetjes”, vijoi Rama.
Helen Garner (1942), romanciere, tregimtare, skenariste australiane. Më 2006 ka fituar Çmimin Melbourne për letërsi, dhe më 2016 çmimin prestigjioz Windham–Campbell. Më 2019 është nderuar me Australia Council Award for Lifetime Achievement in Literature. Librat e saj më të njohur: ‘Monkey Grip’, ‘The Children’s Bach’, ‘Cosmo Cosmolino’, ‘The Spare Room’, ‘The First Stone’, ‘This House of Grief’, ‘Everywhere I Look’, dhe ditarët ‘Yellow Notebook’, ‘One Day I’ll Remember This’, dhe ‘How to End a Story’.
1978
Mbase do të jetë një ide e mirë të nis një ditar të ri, thjesht për ta ajkëtuar. E bleva këtë fletore të verdhë sot.
***
Monkey Grip duket ta ketë fituar National Book Council Award. Letër nga T në Melburn: “Nganjëherë ndiej se po bie në grackën e mendimit se puna, paratë dhe grantet janë fat në vend se mirënjohje për talentin dhe punën e rëndë. A ndihesh ende kështu?”.
***
E di si është puna. Nuk kam gjetur asnjë grua mike këtu. Më mungon, më mungon. Ndihem e çmendur dhe me vaj në buzë.
***
F. thotë se nuk është francez i vërtetë: se vjen nga jugu, se atje është ndryshe. Ai thotë se nëse nuk e rrotullon jastëkun, atëherë nis të zërë erë të keqe. Këndon me vete duke punuar. Nëse më përgjon pas supeve do të filloj të bërtas.
Në të vërtetë s’ma ndien nëse e lexon këtë. Jam duke u mbrojtur nga mjegulla e moskuptimit që gjendet përherë mes nesh, përveç kur jemi duke punuar si një mendje e vetme në kontakt të drejtpërdrejtë.
***
Rilke ka shkruar se kur njerëzit ju njohin me emër, atëherë ata ‘i shkërmoqin forcat tuaja’. Ai sugjeron ta ndërroni emrin posa të vihen ata në dijeni të tij.
***
Më duhet ta çmësoj veten nga iluzioni se dikur do të ulem a shkruaj një roman. Nuk jam e mirë në ndërtimin e pjesëve të mëdha të veprës. Kam një masë të shkurtër të përqendrimit. Mund të punoj veç me hove të shkurtra intensive. Nuk më duket se punoj vetëdijshëm. Shkruaj ta shkarkoj veten, të habis veten, të vë në rend gjërat që më gufojnë në kokë, të bëj veten të vërej gjërat.
***
Stili i Jerzy Kosińskit është absolutisht jo emocional. I qartë si kristal, si gjërat e vëna në radhë. Saherë që fëmija i humbur i Zogut të ngjyrosur i avitet një ferme për të kërkuar punë ose strehë, fshatarët ‘konsultojnë fqinjët e tyre’.
***
Kam një miro telashesh me vetë-neverinë. Ma neverit fakti si përsëris gjëra në këtë libër që sapo i kam shkruar në letra. Ma neverit se jam kaq e ngathët.
***
Një kritik në Melburn shkruan se ‘disa njerëz e konsiderojnë lëndën e temës së romanit Monkey Grip të pashije’. Dikush tjetër ka thënë se jam tradhtare e klasës sime. Tash po e rrok kuptimin e termit provincial.
***
Kurë për mallin e shtëpisë dhe mërzinë: ecja. Dje do të kem ecur nja dhjetë kilometra. I bleva dy xhemperë dhe një palë këpucë të kuqe, që janë të përsosura.
***
Shkova të tokja dorën me Solangen. Ajo qeshi dhe ia plasi një ‘Oh!’, si të donte të thoshte, ‘Varja bre asaj pune!’, dhe më puthi në faqe.
***
M nuk i ka kuptuar informacionet që ka dhënë mësuesi rreth pushimit fundjavor për Toussaint: kishte menduar se ishte kamp shkolle dhe ishte munduar të pyeste në duhej të merrte me vete thesin e fjetjes dhe ndonjë gjë për të ngrënë. Mësuesi s’kishte pasur asnjë ide se për çfarë kishte qenë duke folur ajo. M kishte hequr dorë dhe u kthye në shtëpi e shastisur. Qau kur u mundua të ma shpjegonte se çka kishte ndodhur.
***
Ecëm në të ftohtë deri te Place Clichy dhe rue Joseph de Maistre, etj. Ai e vuri dorën përreth supeve të mia dhe unë qeshë e lumtur.
Vizitori në rrugën e tij për në Londër – ‘Është shtëpia ime shpirtërore!’ – foli rreth poezive të tij si diçka që janë para kohës së tyre. ‘Pas pesë vjetësh njerëzit do të shohin se çfarë po përpiqesha të bëja’. Dyshoja. Po ashtu, ishte aq kurnac sa të mos donte të paguante pesëdhjetë centë për përdorimin e tualetit në Parc Monceau.
***
Do të doja të jetoja në paqe diku. Do të doja të kisha një punë muti që të dërmon fizikisht.
***
Në Toulouse mikpritësja jonë e ktheu në konvikt dhomën e saj të gjumit dhe ajo, M dhe unë fjetëm rehatshëm me radhë. Të gjithë çarçafët dhe peshqirët, nga trousseau e saj e para gjashtëmbëdhjetë vjetësh, mbajnë inicialet e saj. Në orën katër pasdite më ra ndërmend se e kisha ditëlindjen. Na çoi jashtë qytetit të rrinim me ca miq në një fshat. Gjatë vozitjes na tregoi se burri i saj kishte pasur një aferë. Gruaja e kishte luftuar, ose e kishte nxjerrë jashtë loje. Ai ishte kthyer tek ajo. ‘Kështu që’, tha ajo me një lloj kënaqësie që nuk më bindi edhe fort, ‘kishte fituar’. Ajri në shtëpi dukej i zënë. Burri dhe gruaja nuk e shikonin njëri-tjetrin. Pasdite u ngjitëm deri në gjysmën e një mali të vogël. Një shteg i lehtë. Gështenjat ende të ndritshme me gjethe të verdha. Në mbrëmje errësira dhe heshtja përreth shtëpisë më frikësoi.
***
Ca gaz lotsjellës më hyri në sy në demonstratë. Ishte doza ime e parë, turbulluese dhe therëse në mënyrë të pabesueshme. Isha e befasuar nga ajo se sa filozofikë bëhen njerëzit në lidhje me këtë. I mbulonin hundët dhe gojët. ‘Aiii!’, tha shoku i F-së. ‘Të vret në sy! Mirë, për ketë arsye përdoret, ma ha mendja’. Të gjithë përreth tij qeshën.
***
Është më e lehtë të shkruash për dëshpërimin, trishtimin dhe frikën se sa për shpresën, lumturinë, vetëbesimin.
***
Botuesi im i famshëm dhe përkthyesja e tij më nxorën për drekë në Brasserie Lipp. Jam e sigurt se nuk do ta duan librin tim. Më folën në një anglishte të përsosur. Ishin padurueshmërisht shik. Kur ia zgjata dorën përkthyeses, e gjitha që ai ma zgjati ishte gishti i saj i vogël. U skuqa sa e ngathët isha. Ajo u mundua fort, ma ha mendja: ‘A po e sheh atë burrin me mustaqe? Ai është Roman Gary’.
‘Duket i trishtuar’, thashë.
‘Kështu duket prej se e ka lënë Jean Sebergu’.
***
F është sëmurë. Po kujdesem për të. E ka mëri të jetë ‘dépendant’, por duket se u ka dhënë fund përpjekjeve të luftojë dhe është ulur në shtratin tim të lexojë Playboy-n në frëngjisht.
***
M qau se unë mora tetë letra e ajo veç një kartolinë. Refuzoi të më fliste, pastaj shpërtheu në lot, m’u hodh në prehër dhe psherëtiu: ‘Kam një ndjesi të keqe plogështie’. Pasdite u ulëm bashkë të endnim. Është aq e dalldisur nga çizmet e saj të reja deri në gjunjë, ngjyrë qershie, sa mezi ia del të flejë. Menjëherë pas mesnate u zgjova dhe e gjeta atë duke qëndruar mbrapa shtratit tim, e veshur dhe gati për shkollë: ‘Mendova se është mëngjes!’.
***
U zura me F-në ngase s’ia kam treguar një letër të këndshme që po ia shkruaja Woody Allenit. Ai tha se ai dhe ish e dashura e tij e kishin zakon t’i tregonin njëri-tjetrit gjithçka. Më tha se mbaj sekrete. Është e çuditshme ta kuptoj se jam një person shumë ndryshe nga ajo që mendoja se isha.
***
Dokumentet e shkurorëzimit erdhën sot nga Australia. Isha e trishtuar, duke e kujtuar atë dështim, e frikësuar për një tjetër, e të qenit e pazonja të dua dikë që ia vlen të duhet pa mëdyshje. ‘Dashuria është shansi juaj i fundit. S’ka asgjë tjetër mbi faqe të dheut që t’ju mbajë këtu’. – Louis Aragon, i cituar nga Patrick White, në A Fringe of Leaves.
***
Po binte borë në Père Lachaise. Motra ime me një beretë të kuqe, një pallto të gjatë të kaltër, shall rozë. Morëm rrugën tonë mes varreve në kërkim të varrit të Proustit. Një narcissus jonquilla i ngrirë dergjej gurin e tij të zi shkëlqyes të varrit. Një ditë e vranët, shumë e qetë dhe e ftohtë. Nesër ajo do ta kthejë M-në në shtëpi në Melburn.
Nuk u përlotëm në aeroport. Ajo ishte e eksituar që po udhëtonte për në shtëpi te babai i saj me hallën e saj gaztore. U ktheva në apartamentin në terr dhe i paketova gjërat e mia. Këtu ndodhi që ulërita, pasi që i gjeta një duzinë fletore shënimesh gjysmë të përdorura, në të cilat ajo ishte obliguar ta habiste veten duke vizatuar dhe shkruar, për shkak se nuk kishte shokë për të luajtur me ta. Bija ime, e zënë pisk në një vend të huaj dhe mamanë e saj të luajtur mendsh. A ka ndonjë arsye për këtë faj? Çfarë ka mësuar ajo duke qenë këtu unë veç mund ta marr me mend.
***
Lexoj gazetat dhe në kokën time hapen dyert si ato tek ora me lavjerrës. Kisha harruar pse njerëzit lexojnë gazeta. Njeriu mëson diçka. I vijnë ide. Lidhjet shkëputen nga njëra-tjetra me shpërthime kumbuese ose ngjiten si nyjat e drurit në dorën e zdrukthëtarit.
***
Apocalypse Now është në gojën e të gjithëve. Puna ime duket e pakuptimtë, e varfër, shtëpiake.
***
E ndiha mikun gazetar të F-së të mbushte muret në apartamentin e tij të ri. Kisha frikë se do të më përçmonte për shkak të injorancës sime rreth politikës, por kur rastësisht e përmenda Ibsenin ai u ndje në siklet dhe tha, ‘Qui ça?’.
M më mori nga Melburni: ‘Unë dhe shoqja ime më e mirë kemi dhënë një shou dhe fëmijët na kanë duartrokitur shumë fuqishëm. Më fuqishëm se sa për fëmijët e tjerë që dhanë shfaqjen’.
***
F dhe unë morëm biçikletat në tren për në pyllin e Compiègne dhe i ngamë përgjatë shtigjeve dhe bulevardeve. Vetëm një zënkë. Gjethe të gjelbra të zbehta. Lule të kaltra si re vezulluese në lirishtë. Një dre i kufizuar përreth rrugës përballë nesh – erdhi fluturimthi nga asgjëja, i përplasi njëherë thundrat delikate për toke dhe u kthye përsëri mes pemëve. Në një kafe i folëm për këtë me entuziazëm një kamerieri. Ishte aq i mërzitur sa as nuk mund të shtirej se ishte i interesuar. U ndjemë budallenj dhe urbanë; pimë dhe ia mbathëm.
***
Xhemper blu të filmbërësit dhe sy të kaltër të ndritshëm. Tha se në Cannes njerëzit e ngatërronin për Mick Jaggerin dhe i kërkonin autografe. S’e kisha vënë re deri më sot se ishte goxha i bukur. Po them ‘goxha’, ngase është ka telashe fizike. Pyes veten si është kur është vetëm.
Mendoj gjithë kohës për gjërat që supozoj se duhet t’i shkruaj, se kam marrë një bursë për të shkruar. E kam gjetur një bibliotekë ku mund të punoj. Rue Pavée. Nëse shkruaj atë që dua unë, për njerëzit që i njoh në shtëpi, kurrë s’do të jem në gjendje të jetoj në Melburn prapë. Për gruan që këndon gjithmonë në një regjistër tepër të lartë për zërin e saj dhe kjo madje nuk është më e keqja. Dembelin, sharmantin G në grupin e tij, të gjitha vajzat duke u pispillosur përreth tij në pritje që të qihen. Unë madje as nuk laj enët, as nuk gatuaj. E ndërroj pozicionin e shtratit tim. Blej letra të mëdhenj të vizatimit, i ngjit në murin e dhomës së gjumit, i mbuloj me diagrame personazhesh dhe marrëdhënieve të tyre. E luaj ‘High Rise Bombers’ me tërë fuqinë dhe vallëzoj me veten, duke kërcyer lart në ajër. Pastaj më kapin ca sulme të frikshme të vetëdyshimit, ndiej neveri ndaj sjelljes sime në të kaluarën, ndot për zakonet e mia emocionale dhe faktin se ende ndiej nevojë të ekspozojë, paksa të maskuar ose disi të metamorfizuar, përvojën time. Në metro këtë mëngjes rrugës për në bibliotekë u ndjeva e thinjur dhe e rrudhur, duke i parë dritat e tunelit të rrëshqasin në ritmin e tyre, duke dëshiruar të mund të flisja frëngjisht dyfish më mirë se tash dhe të kisha një punë të mirë me njerëz që nuk i dua kushedi se sa, ashtu që të mos jem e detyruar të sajojë për çdo ditë raison d’être time, si një merimangë që i nxjerr fijet prej të brendshmeve të veta, a nga ku dreqi tjetër i nxjerrin.
/Helen Garner, ‘How to End a Story’, Pantheon, 2025 /Gazeta Express/ KultPlus.com