21 qershori, Dita Ndërkombëtare e Jogas

Data 21 qershor është shpallur si Dita Ndërkombëtare e Joga-s nga Kombet e Bashkuara, më 11 dhjetor 2014 me anë të Rezolutës 69/131, duke njohur vlerat e saj universale.

Joga është një praktikë e lashtë fizike, mendore dhe shpirtërore që e ka origjinën nga India. Fjala “Joga” rrjedh nga një gjuhë e lashtë si sanskritja, dhe kuptimi i saj është të lidhësh/bashkosh, që simbolizon bashkimin e trupit dhe ndërgjegjes.

Sot kemi forma të ndryshme të praktikimit të Joga-s në gjithë botën, dhe popullariteti i kësaj praktike është në rritje.

Dita Ndërkombëtare e Joga-s ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e popullsisë së globit në lidhje me përfitimet e praktikimit të Joga-s.

Qëllimi i Joga-s është të krijojë forcë, vetëdije dhe harmoni, si në mendje ashtu dhe në trup. Ndërkohë që ka më shumë se 100 lloje ose “shkolla” të ndryshme të Joga-s, shumica e sesioneve tipike përfshijnë ushtrimet për frymëmarrjen, meditimin, ushtrime të caktuara fizike (pozicione të trupit që ndryshe quhen asana, në sanskrit) të cilat tërheqin dhe tkurrin grupe të caktuara të muskujve të trupit.

Përfitimet fizike

Teknikat e relaksimit, të cilat janë pjesë e praktikimit të Joga-s, mund të lehtësojnë dhimbjet kronike, si dhimbja e shpinës, artriti, dhimbjet e kokës, si dhe sindromën “Tuneli Carpal”. Gjithashtu, Joga mund të ulë presionin e lartë të gjakut dhe të përmirësojë problemet e gjumit.

Përfitimet e tjera fizike përfshijnë:

Elasticitet më të mirë

Tonifikim të muskujve dhe rritje të masës muskulore

Përmirësim të frymëmarrjes, energjive dhe vitalitetit

Ruajtje të balancës metabolike

Rënie në peshë

Përmirësim të qarkullimit të gjakut dhe shëndetit kardiovaskular

Përmirësim të performancës fizike/atletike

Mbrojtje nga dëmtimet fizike

Përfitimet mendore

Përveç përfitimeve fizike, një nga përfitimet më të mira të Joga-s është se ndihmon personin që të menaxhojë stresin, i cili ka pasoja të dëmshme për trupin dhe mendjen. Stresi mund të shfaqet në shumë mënyra, duke përfshirë dhimbje të shpinës ose të qafës, probleme të gjumit, dhimbje koke, abuzime me drogën dhe një paaftësi për t’u përqendruar. Joga mund të jetë shumë efektive në zhvillimin e aftësive përballuese dhe në arritjen e realizimit të një këndvështrimi më pozitiv të jetës.

Përfshirja në Joga e meditimit dhe ushtrimeve të frymëmarrjeve mund të ndihmojë në përmirësimin e mirëqenies mendore të individit. Praktikimi në mënyrë të rregullt i Joga-s krijon qartësi mendore dhe qetësi; rrit vetëdijen ndaj trupit; lehtëson dhimbjet kronike; qetëson mendjen; rrit përqendrimin; ndihmon në identifikimin e hershëm të problemeve fizike dhe mundëson parandalimin nëpërmjet veprimeve paraprake.

8 arsye përse duhet të praktikoni Joga-n :

Redukton stresin dhe përmirëson humorin

Disa metoda të Joga-s përdorin teknika medituese specifike, të cilat fokusojnë mendjen në frymëmarrjen tuaj për të qetësuar “bisedën mendore” që është konstante, lehtëson stresin dhe ju relakson. Praktikimi i këtyre teknikave të frymëmarrjes në seanca të zgjatura mund të rrisin nivelin e oksigjenit në tru, duke ju dhënë ndjesinë e të qenit të lumtur dhe më të kënaqur me jetën tuaj.

Përmirëson vetëbesimin

Përveç rritjes dhe konsolidimit të vlerave shpirtërore, meditimi përmirëson vetëbesimin. Ky proces qetëson mendjen tuaj duke ju dhënë më shumë vetëbesim për trupin tuaj. Në mungesë të ankthit, ju mund të vendosni një marrëdhënie të brendshme me veten. Kjo, më pas reflektohet në perceptimin që keni për të tjerët, dhe përmirëson marrëdhëniet me ta duke rritur dhembshurinë dhe vetëdijen.

Minimizon mundësitë për dëmtime

Ushtrime si vrapi janë një seri lëvizjesh të forcuara dhe të shpejta, që do të thotë se organizmi sforcohet në maksimum, dhe ekziston një rrezik i lartë për dëmtim dhe tension të lartë muskulor. Shpesh, aktivitetet e sforcuara shpien në disbalanca të grupeve të muskujve të kundërta me njëra tjetrën, ndërsa Joga përqendrohet në balancimin e tyre.

Ndihmon rënien në peshë

Të qenit mbipeshë është një shenjë që tregon se ka mungesë balance në përditshmërinë tuaj, dhe një nga ndikuesit kryesor të saj është stresi i tepërt. Praktikimi i Joga-s ju mundëson që të fitoni një ndjeshmëri më të thellë, të relaksoni trupin dhe mendjen tuaj, ndihmon në largimin e stresit dhe mundëson rënien në peshë në mënyrë natyrale.

Rrit elasticitetin

Shpesh njerëzit thonë se nuk janë mjaftueshëm elastikë për të bërë Joga. Në fakt, nuk është e rëndësishme se sa të tonifikuar janë muskujt tuaj, pasi kryerja e pozave (asana) të Joga-s mundëson tërheqjen e muskujve në mënyrë të sigurt dhe ndihmon praktikimin e tyre në vazhdimësi. Gjithashtu, Joga bën të mundur tërheqjen e muskujve të imët të trupit, si ligamentet, duke rritur gamën e gjerë të lëvizjeve të ligamenteve dhe lëvizje më të lirshme të muskujve të trupit.

Përmirëson tonifikimin dhe fuqizimin e muskujve

Një pjesë e mirë të pozave të Joga-s asana, siç mund të jenë pozicionet “Doënëard dog” dhe “upperëard dog”, kanë efekt në forcimin e pjesës së sipërme të trupit, ndërsa pozicioni “plank” përqendron muskujt kryesorë të trupit. Pozat e qëndrimit në këmbë forcojnë muskujt e sipërm të këmbëve dhe të fund shpinës. Në përgjithësi, çdo pozë forcon një zonë të trupit nëse praktikimi i saj bëhet ashtu siç duhet, pa sforcuar grupe muskujsh specifikë.

Përmirëson frymëmarrjen dhe presionin e gjakut

Nëse praktikoni Joga në mënyrë të vazhdueshme, kapacitetet e mushkërive tuaj do të rriten si rezultat i procesit të frymëmarrjes së thellë. Kjo do të ketë një efekt pozitiv në praktikimin e sporteve të tjera, duke rritur staminën dhe rezistencën e trupit tuaj. Gjithashtu, meditimi dhe praktikimi i një forme më të qetë të Joga-s ngadalëson rrahjet e zemrës, e cila ul presionin e gjakut duke përmirësuar sistemin imunitar dhe uljen e kolesterolit në gjak.

Përmirëson qëndrimin drejt të trupit

Duke praktikuar Joga, ju mbani një peshë trupore optimale, bëheni më elastikë dhe përmirësoni muskujt duke i tonifikuar dhe fuqizuar. Me kalimin e kohës, do të vini re që pozicioni i trupit tuaj drejt do të përmirësohet. Muskujt e barkut dhe të shpinës mund ta mbajnë plotësisht peshën tuaj trupore, dhe ju do të jeni në gjendje të qëndroni drejt, ulur ose në këmbë, duke parandaluar kërrusjen, dhimbjet në shpinë ose pjesë të tjera të trupit./ KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Muzikës

Muzika është pjesë e pandashme e jetës, është ajo pa të cilën askush nuk do të mund të imagjinonte jetën.

Ndërkaq, muzika popullore shqipe, ka një histori tejet interesante, mënyra sesi kjo lloj muzike ka jetuar gjithmonë me popullin shqiptar duke u trashëguar brez pas brezi dhe duke vazhduar të jetoj gjithmonë me popullin shqiptar, shkruan KultPlus.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës, KultPlus ju sjell një artikull të shkurtër mbi muzikën popullore shqipe.

Muzika popullore Shqiptare përbën një ndër pasuritë më të çmuara të vendit. Në përshkrimet e studiuesve të huaj të ardhur në Shqipëri gjatë shekujve XVIII-XIX është arritur përafërsisht në konkluzionin se pasuria kryesore e Shqipërisë është folklori muzikor.

Folklori muzikor bën një jetë aktive edhe sot, ndërkohë që gjurmët e lashtësisë së tij janë provuar që prej shekujve XIV-XIII p.e.s. Në objekte të ndryshme arkeologjike – skulptura, basoreliefe, terrakota, etj. – janë përfiguruar qartë vegla popullore, që përdoren deri në ditët tona, valltarë, këngëtarë, kostume karakteristike, etj.

Folklori muzikor shqiptar është jashtëzakonisht i pasur , çka dhe shprehet në ekzistencën e muzikës vokale që nga forma njëzërëshe e deri tek shumëzërëshi; në muzikën me vegla popullore; muzikën me zë e vegla; muzikën për shoqërimin e valleve popullore, etj. Këtyre u shtohet dhe një fond i madh veglash popullore të klasifikuara në katër grupet tashmë të njohura si ideofone, membranofone, kordofone, areofone.

Folklori muzikor shqiptar e bën jetën e vet në një ndarje specifike, që lidhet me format e të shprehurit muzikor dhe me tipet kryesore të instrumenteve të përdorur. Lumi i Shkumbinit, që përshkon mes për mes Shqipërinë, përvecse ndan dy dialektet kryesore të vendit në Gegë në Veri të Shkumbinit dhe në Toskë në Jug të Shkumbinit, shërben edhe si kufi natyror për klasifikimin e tipologjisë së folklorit muzikor.

Folklori u ka qëndruar shekujve ndonëse është transmetuar e ruajtur në kujtesën popullore brez pas brezi. Duke mesuar folklorin në mesojme se si ka ecur dhe është zhvilluar populli si I ka perjetuar fatet e veta historike çfare ka vleresuar etj.

Folklori ndryshe mund të quhet edhe gurra popullore. / KultPlus.com

Media britanike “Daily Express”: Shqipëria – zbuloni disa nga brigjet më të bukura të vendit ballkanik

E fshehur pas “Perdes së Hekurt” për vite me radhë, Shqipëria mirëpriti turistët në fillim të shekullit XXI, duke i shndërruar blloqet e zymta komuniste në peizazhe urbane të gjalla të mbushura me kafene në modë, shkruan Aurora Bosotti në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Daily Express”.

Brigjet e vendit ballkanik – të cilat dikur qëndronin nën hijen e destinacioneve më të njohura – tani konsiderohen si disa nga më të bukurat e Evropës.

Fshati bregdetar i Ksamilit – në Rivierën Shqiptare – është krahasuar me Maldivet nga përdoruesit e TikTok-ut dhe blogerët e udhëtimit.

Plazhet me rërë të bardhë të Ksamilit, ujërat e qeta dhe kasollet e kashtës buzë plazhit sigurisht që i bëjnë jehonë joshjes së parajsës së famshme tropikale – të cilat ofrohen me një çmim shumë më miqësor me buxhetin.

Sektori i turizmit në rritje në Ksamil ofron një sërë opsionesh akomodimi, duke përfshirë dhoma që fillojnë nga vetëm 19 paund nata.

Përdoruesja e TikTok, “@The Travel Mum”, ishte mahnitur me destinacionin mesdhetar, duke e krahasuar vendin evropian me Maldivet – ‘shumë më të njohura dhe më të shtrenjta’.

“Kur njerëzit shohin foto të këtij vendi, ata menjëherë mendojnë për Maldivet! Por për fat për ne, është shumë më afër shtëpisë”, tha ajo.

“Shtojeni atë në listën e destinacioneve tuaja për 2024”, rekomandoi një turist tjetër.

Aktivitetet e njohura përgjatë bregdetit përfshijnë zhytje dhe not – por për ata që kërkojnë një qëndrim më të gjatë duke u relaksuar, ka shumë shelzongë të vendosura përreth bregdetit për të shijuar rrezet e diellit.

Kostoja mesatare e një birre në Shqipëri është vetëm 1,78 paund, ndërsa sezoni veror priret të jetë i këndshëm dhe i ngrohtë, me temperatura mesatare deri në 25°C.

Në Ksamil do të keni gjithashtu të gjithë Rivierën Shqiptare “në pragun tuaj”, një zonë e bukur, relativisht ende e paprekur nga turizmi ndërkombëtar, e cila krenohet me vendet e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, qytetet magjepsëse dhe vendasit miqësorë.

Pikat kryesore turistike përfshijnë Lagunën e Kripës në liqenin e Butrintit, Shpellën enigmatike të Kreshmoit dhe qytetin antik bizantin të Gjirokastrës.

Një qytet historik i vendosur mes maleve, kryeqyteti, Tirana ia vlen të vizitohet për ata që duan të shijojnë pushime në qytet, me ndërthurjen e tij të gjallë – të së vjetrës dhe modernes – i jep një hyrje të shkëlqyer Shqipërisë përpara se të zbulosh pjesën tjetër të vendit./atsh/KultPlus.com

Zgjerohet harta e monumenteve arkeologjike përreth Tepelenës

Në kuadrin e projektit Peisazhe Arkeologjike në zonën Memaliaj-Tepelenë, po zhvillohen kërkime në fortesën e Matohasanaj.

Projekti është një bashkëpunim midis Institutit të Arkeologjisë (ASHSH) dhe Universitetit Sweet Briar College, USA, me bashkëdrejtues Sabina Veseli dhe Erin Pitt, që përqendrohet në sondazhe dhe kërkime në fortesën e Matohasanaj dhe rrethinat e saj. Për këtë projekt po përdoret metodologjia e tipit Lidar dhe do të hartohet një planimetri e integruar dhe gjeoreferencuar e vendbanimit.

Gjithashtu gërmimet e kryera deri tani kanë nxjerrë në dritë një godinë, e cila për nga planimetria dhe teknika e ndërtimit duket se ka një karakter publik.

Në bashkëpunim me DRTK Gjirokastër e cila menaxhon fortesën, projekti ka si synim zgjerimin e hartës së monumenteve të zonës së Tepelenës./atsh/KultPlus.com

Muzeu Historik i Shkodrës në ndërtesën monumentale të shekullit XIX

Muzeu Historik i Shkodrës është monumenti i radhës i përfshirë në projektin “Të çelen arkapijat”, që synon të risjellë në vëmendje objekte të trashëgimisë kulturore.

Muzeu Historik i Shkodrës nisi të organizohet që në vitin 1947, nën emërtimin “Muzeu Popullor” dhe mori formë të plotë në vitin 1949. Ai u vendos në qendër të qytetit, në një ndërtesë monumentale të shekullit XIX, vlerat e së cilës ia shtonte “Kulla e Sahatit” pranë tij.

Fillimisht u ngrit mbi bazën e koleksioneve të vjetra të kuvendeve të Jezuitëve dhe Franceskanëve themeluar që nga fundi i shekullit të XIX, si dhe nga koleksionet e familjeve shkodrane.

Në vitin 1996, Muzeu Historik i Shkodrës u transfer­ua në shtëpi karakteris­tike shkodrane që mban emrin “Oso Kuka” ku ndodhet edhe sot.

Ky muze përbëhet nga seksionet e etnografisë, arkeologjisë, artit pamor dhe bibliotekës. Si muze lokal, bën pjesë në rrjetin e institucioneve kulturore në vartësi të Bashkisë Shkodër.

“Të çelen arkapijat” është një projekt që sjell në kujtesën e qytetarëve shkodranë deriçkat që zakonisht gjendeshin në murin e kopshtit prapa shtëpive, e që shërbenin për t’u lidhur me fqinjët. Kjo traditë deri para disa dekadash mbante të lidhur njerëzit me njëri-tjetrin. Projekti synon të trokasë në portat shkodrane që t’u hapen të rinjve dhe fëmijëve dhe jo vetëm për të dëshmuar një trashëgimi kulturore që ështe ngulitur fort në shoqërinë tonë./atsh/KultPlus.com

Dhe sikur

Poezi nga Dritëro Agolli

Dhe sikur në botë ti mos ishe,
Do jetoja si çdo gjë që jeton,
Veç pa ty kjo botë do lëvizte
Siç lëviz pa ngrohje një vagon.

S’ma zëvendëson ti botën mua,
S’të zëvendëson as bota ty,
Por sa botën sigurisht të dua,
Kur jetojmë e vdesim tok të dy./KultPlus.com

Shqipëria dhe UNESCO, bashkëpunim për zhvillimet në zonat e trashëgimisë botërore dhe zonat e mbrojtura

Shqipëria dhe UNESCO po bashkëpunojnë për zhvillimet në zonat e trashëgimisë botërore dhe zonat e mbrojtura.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja u shpreh sot se në vijim të bashkëpunimit të vazhdueshëm të Qeverisë shqiptare me UNESCO-n, zhvilluan së bashku me ministren Mirela Kumbaro Furxhi, një takim mjaft pozitiv me drejtoreshën e përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay së bashku me përfaqësuesit teknikë dhe ekspertë të të dyja palëve.

Gonxhja thekson se institucionet shqiptare u vlerësuan pozitivisht për angazhimin serioz dhe progresin në ndjekjen e detyrave dhe rekomandimeve të UNESCO-s, si dhe për shkëmbimet e mendimeve dhe informacioneve për zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve shqiptare të trashëgimisë botërore dhe zonave të mbrojtura, duke vlerësuar veçanërisht zhvillimin e bujshëm të turizmit në dy vitet e fundit në Shqipëri, si një nga destinacionet e reja më të preferuara.

Ministri Gonxhja thekson se një nga çështjet kryesore të diskutuara ishte mbrojtja dhe promovimi i Parkut Kombëtar të Butrintit, ku drejtoresha Azoulay vlerësoi përpjekjet e qeverisë shqiptare për hapat e ndërmarrë për zbatimin e planit të menaxhimit të integruar të Butrintit, si dhe për masat e ruajtjes dhe mbrojtjes në planet e zhvillimit ekonomik dhe social të zonës.

“Rekomandimet e ICOMOS-it janë në përputhje të plotë të vizionit të MEKI-t, siç reflektohet dhe në projektvendimin e fundit të publikuar nga Qendra e Trashëgimisë Botërore”, tha Gonxhja.

Në takim u diskutua dhe për Luginën e Vjosës, ku Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur procesin e përgatitjes së dosjes teknike të nominimit të Luginës së Vjosës, Rezervë Biosfere dhe një ekosistem i rëndësishëm natyror.

Ministrja Kumbaro nënvizoi angazhimin e qeverisë për të mbrojtur dhe menaxhuar këtë zonë në mënyrë të qëndrueshme, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së Luginës së Vjosës si një model bashkëkohor i ruajtjes së biodiversitetit dhe promovimit të turizmit ekologjik.

Gjithashtu, u diskutua për statusin aktual të qendrave historike të Beratit dhe Gjirokastrës si vende të trashëgimisë botërore dhe hapat e mëtejshëm për përmirësimin e menaxhimit të këtyre zonave. Përfaqësuesit e UNESCO-s ofruan mbështetjen e tyre për të siguruar që këto qendra të mbeten të ruajtura mirë duke kapitalizuar mundësitë për turizëm të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm.

Përfaqësuesit e palës shqiptare theksuan përkushtimin për të forcuar bashkëpunimin me UNESCO-n dhe për të përmirësuar kapacitetet e menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Shqipërisë.

Një fokus të veçantë morën dhe përpjekjet e deritanishme të shtetit shqiptar për përfshirjen e aspekteve të trashëgimisë kulturore jomateriale të tilla si xhubleta, transhumanca, iso-polifonia, si dhe për aplikimet e reja në pritje të vlerësimit, si një mundësi e promovimit të njohjes dhe ruajtjes së traditave ndër breza.

Delegacioni shqiptar do të udhëtojë drejt Parisit për një takim të posaçëm me përfaqësuesit e lartë të UNESCO-s, për të trajtuar në mënyrë më të detajuar dhe teknike të gjitha tematikat, e ndërsa në muajin korrik, Shqipëria do të jetë pjesë e sesionit nr. 46 të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që do të zhvillohet në Nju-Delhi, Indi./KultPlus.com

Vdes At Antonio Bellusci, Kurti: Ishte figura kyçe në komunitetin arbëresh në Itali

Ka vdekur protopresbiteri i Eparkisë së Lungrës, At Antonio Bellusci, përcjell KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shpehur se At Antonio Bellusci qe figura kyçe në komunitetin arbëresh në Itali, dhe një nga personalitetet më përbashkues mbarëshqiptar.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e kryeministrit Kurti:

Me hidhërim të thellë mora lajmin që miku ynë i kahmotshëm, Protopresbiteri i Eparkisë së Lungrës, At Antonio Bellusci, ose zoti Ndoni siç e thërrisnin sivëllezërit e tij arbëreshë, shkoi në amshim.

Antonio Bellusci qe figura kyçe në komunitetin arbëresh në Itali, dhe një nga personalitetet më përbashkues mbarëshqiptar.

Puna e tij në vitet ’60 për mbledhjen e materialeve etnografike e gjuhësore te arvanitasit e Greqisë qe e jashtëzakonshme. Ai hyri me mikrofonin e tij në shtëpitë e vëllezërve tanë për të imortalizuar gjuhën e tyre duke faktuar atë ekzistencë.

Antonio Belusci jetoi e punoi për çështjen arbëreshe, për çështjen shqiptare.

Nismat e tij nuk u ndalën deri në orët e fundit.

Në 1966 themeloi Revistën “Vatra jonë” në “San Costantino Albanese”, në 1980 Revistën “Lidhja në Cosenza”, si dhe botoi edhe dhjetëra vëllime e artikuj.

Për kontributin e tij të gjithanshëm u nderua nga Republika jonë, ku Presidentja znj. Vjosa Osmani-Sadriu i dha ‘Shtetësinë e nderit të Republikës së Kosovës’.

Në ndarje të këtilla nuk ka tjetër veç se mungesë të parikuperueshme.

Ai, u kujdes të na lë pas një thesar të paçmueshëm. Shtëpia e tij në Frasnitë, biblioteka “A. Bellusci”, është sot pasuria e shumëfishtë, ku përveç mijëra vëllimeve mbi albanologjinë, ai themeloi aty edhe një vatër studimesh unike.

Mendimet tona shkojnë sot për familjen e tij, miqtë dhe të gjithë komunitetin arbëresh.

U bëftë emri, puna dhe vullneti i tij, burim frymëzimi për studiuesit e rinj e për secilin prej nesh!/KultPlus.com

Poezia e Eqrem Çabej për djalin e tij të vdekur

ARTANIT 

Ti vazë e derdhur mjeshtërishte dore
Ti formë e hequr baltëje bujare:
Te mes’ i ditës sate re në fare
E shove gjurmën vet’ e vet’ u bore.
Të mblonte ditën ujët tat rrafshore
E derdhej natën detesh harrimtare.
Po ky i jetës qark t’u err: krenare
Ti theve shtatin në thermi mizore.
Kush pati et iu bëre ujë e krua
Kush pati gaz i dhe të bardhë verë
E vaj të butë plagash kush i pat.
Tani na re si ra një yll q’ u shua.
Krip-artat vasha derdhin vaj të gjerë
Me sy të lagur përmbi kurmit tat.

Mbi ty ku dergje te banesa jote
Të motit gjurmë ndjekin varg e varg.
Fryn er’ e malit, ndihet vera larg
E vesa shtrohet si një shtrojë e lote.
Mbi ty kalojnë muaj edhe mote
Me dit të rënda e me net të shkreta.
Mimoza frorit, pika shiu të qeta,
Nata e vitit pa një krismë gote.
Ti rri si rri një shenjt edhe një mbret.
Nuk ngrin prej dimri as nuk pret prëndverë;
Nuk pyet për shokë që ke tash përherë,
Për ç’le këndej, për vjet që po kalojnë,
Për sytë e errur, gjeth të mbulojnë,
Për qelq që pive, gjëmën që të gjet.

Fryn er’ e malit, bie bora larg
Fryn er’ e malit, hëna ndrit nga larg

15 dhjetor 1970…/KultPlus.com

Plazhi më i fotografuar në botë, ka qenë vendi për xhirimet e shumë filmave

Rrjetet sociale janë plot me foto të plazheve joreale nga e gjithë bota dhe më e fotografuara ndër to është Source d’Argent në Seychelles.

Uji i pastër dhe i cekët, rëra e artë e bëjnë këtë plazh një destinacion të paarritshëm për të gjithë vizitorët në Seychelles. National Geographic e ka shpallur si plazhin më të fotografuar në botë, gjë që nuk është për t’u habitur duke pasur parasysh peizazhin përrallor që e rrethon.

Plazhi mbrohet nga një shkëmb koral, kështu që uji është i cekët, me valë të vogla dhe një ngjyrë të bukur bruz.

Ndodhet në jugperëndim të La Digue, ishullit të tretë më të populluar të Seychelles, ku njerëzit ngasin biçikleta dhe trafiku është pothuajse inekzistent. Biçikleta është atraksioni kryesor në këtë ishull, dhe vizitorët mund ta rrethojnë atë në vetëm gjysmë ore.

Hyrja në plazh kushton 10 euro për person dhe shumë do të pajtohen që një vizitë në këtë plazh vlen çdo cent.

Rruga për në plazh është gjithashtu befasuese, pasi vizitorëve u duhet të ecin nëpër një shteg me rërë të rrethuar nga natyra e paprekur. Një tjetër detaj interesant është se në plazh nuk ka çadra dhe shezlonge, edhe pse është ndër më të famshmit në botë, ndaj skenat janë përrallore./KultPlus.com

Koreografi popullor, shfaqja kushtuar artistit Gazmend Golemi, krijues i shumë valleve popullore

Veprimtaria 45-vjeçare e koreografit të njohur Lezhjan Gazmend Golemi, u ngjit në skenën e pallatit të kulturës.

Mbrëmja e djeshme bëri bashkë valltar të grupmoshave të ndryshme, të cilët prezantuan të artin dhe kulturën përmes valleve popullore dhe folklorike.

Ishin dhe artistë të tjerë lezhjan që ju bashkuan kësaj mbrëmje me performancat e tyre artistike.

Një veprimtari 45-vjeçare ka pasur si qëllim të mbajë gjallë traditën dhe ta përcjelle tek brezat e rinj thotë koreografi Golemi. Puna dhe përkushtimi i tij do të vijojë më gjatë që tradita dhe kultura të vijojë brez pas brezi.

Koreografi Gazmend Golemi u ngjit për herë të parë në skene në moshën 6 vjeçare, e që prej asaj kohe arti koreografik u bë pjesë e pandashme e jetës së tij.

Gjatë këtyre viteve  ai ka nxjerr dhjetëra grupe valltaresh të cilët kanë qenë pjesë në aktivitet kulturore brenda dhe jashtë vendit, duke u vlerësua dhe me çmime./TopChannel/KultPlus.com

Promovohet libri ‘Shqiptarët dhe Serbët’, shpërfaqet e vërteta kundrejt trillimit

Vjollca Duraku

“Nuk ka zot më të lartë se e vërteta” – është një thënie e Mahatma Gandit të cilën autori Shyqri Nimani e ka përdorur si pikënisje në librin “Shqiptarët dhe Serbët- E vërteta kundër të pavërtetës”, i cili post-mortem u promovua në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ky libër, i teti me radhë i autorit Nimani, i cili erdh plot një vit pas vdekjes së tij shpërfaqë argumente me fotografi, dokumente e harta të papublikuara më parë për autoktoninë shqiptare, kundrejt miteve dhe trillimeve serbe të cilat përgjatë historisë me planifikim synonin rrëmimin e historisë, kulturës dhe etnisë shqiptare.

Siç u tha në promovim vet titulli i librit “Shqiptarët dhe Serbët- E vërteta kundër të pavërtetës”, parathotë një ballafaqim në mes të fakteve historike dhe trillimeve mitologjike të cilat përbëjnë thelbin e ideologjisë shtetërore të pushtimit dhe të asgjësimit të tjetrit, në këtë rast të popullit serb ndaj shqiptarëve.

Profesori  Jusuf Buxhovi ka thënë se autori Nimani i paraqet raportet në mes të vërtetës faktike dhe asaj që është gënjeshtër, mbi përvetësimin serb.

“Ky libër është vazhdimësi e punës së gjatë të Shyqri Nimanit për ta pasqyruar një të vërtetë të fshehur apo një të vërtetë të përvetësuar nga politika hegjemoniste serbomadhe në planin historik dhe kulturor”, ka thënë Buxhovi duke potencuar se shteti i Kosovës duhet ta shpërndaj sa më shumë këtë libër mënyrë që t’i përgjigjet propagandës të cilën po e bën Serbia, veçmas në planin e rrënimit të historisë dhe kulturës shqiptare.

“Unë them se e vërteta absolute dhe e vërteta të cilës i referohet Shyqyri Nimani është aspekt moral. Raportet shqiptaro-serbe nuk kanë qenë raporte morale, por kanë qenë raporte hegjemoniste, raporte në mes të viktimës dhe viktimizuesit, raporte në të cilat më së paku ka pasur moral. Prandaj këtu mund të merret edhe një asimetri në aspektin e të drejtës politike dhe të drejtës ndërkombëtare, sepse sipas këtij libri Nimani i thotë të vërtetat kundër të pavërtetave. Esenca është viktima kundër viktimizuesit. Viktimë është kultura shqiptare dhe historia shqiptare prej gjysmës së dytë të shek. XIX”, ka thënë Buxhovi.

Ndërsa poeti Lulzim Tafa autorin Shyqri Nimani e quajti personalitet të respektuar, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare.

“Në artin, historinë, shkencën dhe përgjithësisht kulturën shqiptare prof. Shyqyri Nimani është ndër emrat më të rëndësishëm dhe më të respektuar. Nimani është studiues që kulturës shqiptare i la një pasuri të madhe të veprave të ndryshme shkencore dhe artistike. Është autori që me punën e tij të palodhshme bëri shumë për të rigjetur dhe për të rizbuluar edhe personalitete të njohura botërisht që patën gjak e rrënjë shqiptare”, ka thënë Tafa duke potencuar se tendencës së serbëve për të përvetësuar figurat të shquara shqiptare, Nimani iu është kundërvënë përmes argumenteve shkencore.

“Shyqyri Nimani ka bërë përpjekje të vazhdueshme e këmbëngulëse për vërtetësinë e autoktonisë shqiptare. Në këtë drejtim edhe kjo vepër që profesori Shyqyri Nimani e la në dorëshkrim vazhdon në shtjellimin e temave të çështjeve që lidhen me etninë shqiptare, historinë e trazuar e me fatin e popullit tonë gjatë historisë. Kështu ai i qaset edhe temës për pushtimin e trojeve shqiptare nga Serbia dhe masakrat që përcollën gjatë tërë historisë”, ka thënë ai.

Kurse akademik Pëllumb Xhufi tha se si te asnjë studiues tjetër shqiptar tek Shyqyri Nimani bashkoheshin historiani, fotografi, epigrafi, piktori, hartografi, heraldisti dhe kaligrafi, të cilat edhe i dhanë privilegjin për të shkruar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

 “Titulli i librit na parathotë atë që është përmbajtja e tij: një ballafaqim midis fakteve historike nga njëra anë dhe trillimeve mitologjike nga ana tjetër, të cilat, këto të fundit përbëjnë thelbin e ideologjisë shtetërore të pushtimit dhe asgjësimit të tjetrit qysh në kohën e Nemanjiqëve serbë në shekujt XIII dhe XIV”.

Më tej akademik Xhufi tha se profesor Nimani i konsideron si pasues të ideologjisë mesjetare  serbe të asgjësimit të shqiptarit apologjetët modernë të asaj ideologjie si Ilia Garashanin dhe “Naçertanien” e tij, Vaso Çubriloviqin dhe elaboratin “Dëbimi i shqiptarëve” apo edhe nobelistin Ivo Andriq, i cili në memoarin e tij tregon se s’ka asgjë të përbashkët me humanizmin, që është një rekuizitë kryesore për ata që aspirojnë për çmimin Nobel.

“Një nënvizim të fortë autori i bën rolit të historiografisë serbe si gjenerator të pavërtetash e mitesh. Këtu vijnë në konsideratë dy mite të montuara me art nga historianë e më shumë nga kleri serb. Miti serb i Kosovës- 1389 dhe miti i së ashtuquajturës ikje e madhe- 1690-1691”, ka thënë akademik Xhufi.

Botimi i libri “Shqiptarët dhe Serbët- E vërteta kundër të pavërtetës” u mundësua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Krijoi muzikën e dokumentarit të Celine Dion, flet shqiptari: Si u përzgjodha nga diva e muzikës botërore

Redi Hasa është kompozitori dhe violincelisti shqiptar që i ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët. Ai është përzgjedhur nga diva e muzikës shqiptare Celine Dion për të kompozuar muzikën e dokumentarit biografik të jetës së saj.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Redi ka treguar se si i erdhi ftesa për të qene pjesë e këtij projekti madhështor. Ai ka zbuluar se kompozimin e ka përgatitur për tre ditë dhe ka pasur në dispozicion vetëm 350 fjalë kyçe, pa asnjë imazh.

“Takimi i parë ka qene me regjistren, e cila ishte në djeni të muzikës sime, të dy disqeve që kanë dalë para katër vitesh. Shkruajti në agjencinë ku jam unë në Milano.

Është një punë jashtë mase e vështirë, është një përqendrim 100%. Kjo punë me dokumentarin ka qene totalisht e ndryshme me punët që unë kam bërë. Ata më dhanë 350 fjalë si fjalë kyçe dhe puna ime ishte që unë këto fjalë t’i ktheja në muzikë. Unë kam punuar pa asnjë imazh, filmin e kisha të dokumentuar. Është një krijim i imi, totalisht origjinale. E kam shkruar, e kam luajtur dhe rregjistruar për tre ditë. Nuk kisha mundësi të gjeja një orkestër të madhe, me violinçel i kam bërë të gjitha”, u shpreh Redi./abcnews.al/KultPlus.com

Vdes në moshën 88-vjeçare aktori i ‘Hunger Games’, Donald Sutherland

Aktori i dashur Donald Sutherland ka vdekur, ka njoftuar të enjten djali i tij Kiefer Sutherland.

Ikona e Hollivudit, i cili ishte i njohur për rolin e Presidentit Snow në ekskluzivitetin e filmit “Hunger Games”, ishte 88 vjeç, transmeton KultPlus.

“Me zemër të rëndë, ju them se babai im, Donald Sutherland, ka ndërruar jetë”, shkroi Kiefer në X. “Unë personalisht mendoj se një nga aktorët më të rëndësishëm në historinë e filmit.”/KultPlus.com

Stormzy, emri i radhës që vjen në Sunny Hill Festival  

Reperi me nam botëror është artisti i radhës që do të jetë pjesë e këtij edicioni të jashtëzakonshëm të Sunny Hill Festival

 Sunny Hill Festival po vazhdon të sjellë emra të njohur botërisht për edicionin e sivjetmë. Stormzy është artisti i radhës që i shtohet listës së performuesve në Sunny Hill Park. Ai është veç një nga yjet që do të performojë në skenën kryesore të festivalit që pritet të publikojë edhe emra të tjerë të njohur gjatë ditëve në vazhdim.  

Përveç Stormzy, deri më tani janë zbuluar edhe disa emra të artistëve si: Black Coffe, Burna Boy, The Blaze, DJ Snake, Martinez Brothers, Griff, Chloe Caillet, Edgar Kerri, MYGAL, DJ Regard. Po ashtu janë bërë të ditur edhe artistë vendas përfshirë Dafina Zeqirin, Dhurata Dora e Yll Limani.  

Stormzy, ishte pjesë e festivalit edhe në vitin 2022 në edicionin që u mbajt në Tiranë. Në Kosovë vjen për herë të parë. Disa prej çmimeve të fituara nga Stormzy përfshijnë Brit Awards, BBC Awards, Global Awards, MTV Europe Music Awards, Mercury Prize, AIM Independent Music Awards etj. 

Në vitin 2019, Stormzy ishte artisti kryesor në Glastonbury Festival që mbledh mbi 200 mijë njerëz në ditë. Ndërsa në  nëntor të 2022-së publikoi albumin e tij të tretë “This Is What I Mean”. 

Artisti njihet edhe për anën filantropike të tij. Në vitin 2018 ai themeloi fondacionin Merky përmes të cilit mbështet ndër vitet kauza të rëndësishme për të. Ndër të tjera është edhe dhurimi i bursave për studentët më ngjyrë në Universitetin e Kembrixhit. 

Edicioni i sivjetmë i festivalit mbahet prej 25 deri më 28 korrik. Biletat janë akoma në shitje dhe mund të blihen në këtë link./KultPlus.com

“Muza Competition”, 10 finalistet prezantojnë koleksionet e tyre në një finale madhështore në Piramidën e Tiranës

“Muza Competiton”, që mbledh të rinj të talentuar nga gjithë rajoni rikthehet në edicionin e tretë.

Projekti i suksesshëm i ndërmarrë nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, që mbështetet nga Fondacioni Dritan Hoxha dhe ka si partner Top Channel finalizohet të enjten, më 20 qershor. Këtë herë do të jetë ambienti jashtë Piramidës së Tiranës, që do të shndërrohet në një pasaralë mode, ku 10 finalistet e përzgjedhura me kujdes nga juria, do të prezantojnë koleksionet e tyre, të gjitha punime dore.

Sipas producentes së projektit, Andriola Kambo, “Muza Competition” erdhi si ide për të kontribuar në turizmin rajonal dhe moda është mënyra e duhur për të motivuar të rinjtë dhe për të promovuar punën e dorës.

Kompeticioni përfshin aktivizimin e të rinjve pasionantë dhe profesionistë në rijetëzimin e elementeve etnografikë në fushën e fashion-dizajnit.

Data 21 korrik, të dielën ora 21:00 në ekranin e Top Channel, “Muza Competition”!/TopChannel/KultPlus.com

‘Paraja njerin’ e mundon, e bije ndë balt’ e rrëzon’

Poezi nga Hasan Zyko Kamberi

Për para njeriu hyn ndë rrusht
për para rrihetë me grusht
për para hapte edhe pusht
ja di kimenë parasë…

Për para njeriu çan denë,
për para ngre muhabenë,
për para e humb xhenenë,
ja di kimenë parasë…

Paraja të bën të rrihesh,
paraja të bën të fshihesh,
paraja t’ep sedrë e ngrihesh,
ja di kimenë parasë…

Paraja njerin’ e mundon,
e bije ndë balt’ e rrëzon,
e bën qeraxhi, e dërgon,
ja di kimenë parasë…

Po s’ka gjë të gjallë
që të mos ia ketë mallë,
turli ensaf’ e bakallë,
ja di kimenë parasë.

(Poezia nuk është në versionin e saj të plotë) / KultPlus.com

“New York Times”: Kjo është Shqipëria, pak e çmendur – që i bëri rivalët e Grupit B të djersiten

Para se të shkelmonte një top në Grupin B, kroati Luka Modric kishte paralajmëruar se ky ishte grupi më i vështirë i turneut. Ai mund të mos jetë fokusuar thjesht në përballjet e ekipit të tij me Italinë dhe Spanjën, por, kur shumë të tjerë folën para turneut për “Grupin e vdekjes”, ndoshta nuk kishin në mendje Shqipërinë, sipas “New York Times”.

Pak do të kishin pritur që ata të ishin elementi më luftarak i grupit, megjithatë Shqipëria – e renditur e 66-ta në botë – është bërë variabli argëtues në kuartet. Me një ndeshje për të luajtur, ata kanë ende një shans për avancim.

E drejtuar nga ish-mbrojtësi i krahut të Arsenalit, Barcelonës dhe Brazilit, Sylvinho, Shqipëria është një skuadër kundërsulmuese fizike që kërkon të mbulojë çdo hendek të perceptuar të talenteve – mes tyre dhe kundërshtarëve, përmes vrapimit të vështirë.

Kësaj skuadre iu deshën 23 sekonda për të shënuar në Euro 2024 – pasi Nedim Bajrami vendosi një rekord të ri për golin më të shpejtë në historinë e Kampionatit Evropian kur hapi rezultatin kundër Italisë.

Ndërsa Shqipëria e humbi përfundimisht atë ndeshje 2-1, goli i tyre i hershëm shërbeu si një paralajmërim; nënvlerësojeni këtë ekip dhe do të jeni në rrezik.

Ishte një paralajmërim që Kroacia u përpoq ta dëgjonte. Takimi i së mërkurës mes dy ekipeve ishte një rrëmujë e papritur dhe argëtuese. Përsëri e pa Shqipërinë të ecë përpara herët.

Qazim Laci shënoi gol pas një goditje me kokë – pas një krosimi të shkëlqyer nga Jasir Asani në minutën e 11-të. Në pjesën e parë, Kroacia kishte regjistruar 69 për qind të posedimit të topit, por Shqipëria kishte shanset më të mira të lojës.

Kristjan Asllani humbi një shans të artë pas një sulmi të shpejtë të shkaktuar nga humbja e topit nga Modric. Edhe sulmuesi shqiptar Rey Manaj dukej i dëshpëruar pasi nuk arriti të realizonte një goditje me kokë. Kjo ka qenë një temë e zakonshme për skuadrën e Sylvinhos, të cilit i ka munguar rrjedhshmëria sulmuese në pika të caktuara gjatë periudhës së tij 18-mujore në krye të Kombëtares Shqiptare.

Lëndimet e Manajt dhe Armando Brojës gjatë ndeshjeve kualifikuese nënkuptuan se asnjë sulmues nuk kishte krijuar atë lloj kimie të lojës që i nevojitet skuadrës për të qenë një skuadër e fuqishme kundër-sulmuese.

Vendimi i menaxherit për të lënë jashtë skuadrës prej 26 lojtarësh për turneun, Myrto Uzunin, Keidi Baren dhe Sokol Cikalleshin gjithashtu bëri bujë.

Cikalleshi – një sulmues i klubit turk Konyaspor – nuk ishte golëshënuesi më i mirë, por loja e tij e qëndrueshme i dha Shqipërisë një terren të vlefshëm në ndeshjet kualifikuese.

Megjithatë, ky ekip gjen gjithmonë një mënyrë për të krijuar rrugën e tij përmes turneut, duke tensionuar edhe ekipet më të njohura të botës;. Mario Mandzukic – tani një ndihmës trajner me Kroacinë – mund të shihej duke kërcyer papushim nga pankina për t’u kërkuar lojtarëve të tij të përputheshin me intensitetin e Shqipërisë në pjesën e parë.

U deshën një sërë ndryshimesh në pjesën e dytë që Kroacia të ndryshonte lojën në favor të saj. Marcelo Brozovic dhe Lovro Majer u zëvendësuan nga Mario Pasalic dhe Luka Sucic në pjesën e parë. Njëzet minuta më vonë, sulmuesi Ante Budimir u fut në lojë për t’i dhënë ekipit të tij një referencë më të mirë për krosimet.

Kroacia rriti besimin. Mbrojtësit e tyre u futën gjithnjë e më tej në fushë. Budimir e vuri Andrej Kramaric në pozicionin e përshtatshëm për barazimin e tyre në minutën e 74-të. Dy minuta më vonë, dyshja u bashkuan për një tjetër gol. Një krosim i dedikuar për Luka Suçiqin, i goditur me pinboll në zonën e rreptësisë para se të kthehej nga mesfushori mbrojtës i Shqipërisë, Klaus Gjasula.

Shqipëria mund të ishte shembur, por ata gjetën sërish forcën për një gol të dytë.  Asllani, 22-vjeçari – një mesfushor mjaft luftarak po shfaqet shpejt si pasardhësi përfundimtar i Brozovic në Inter Milan dhe ishte zemra e skuadrës së tij kombëtare.

“Duhet të luftojmë për çdo pikë. Për vendin tonë dhe për federatën tonë”, tha Sylvinhos pas ndeshjes.

Në minutën e 94 e 23 sekonda Shqipëria mori golin e barazimit (goli i fundit i shënuar në një Euro jashtë kohës shtesë). Ishte një gol barazimi që ndihej si një fitore e minutës së fundit.

Gjasula – lojtari i dytë që shënoi autogol dhe gol në të njëjtën ndeshje në Euro 2022 – i dha skuadrës së tij një shans të vogël për të kaluar në raundin e 16-të.

“Kjo është Shqipëria; është pak e çmendur”, tha Asllani pas barazimit 2-2.

“Ne e nisëm me këmbën e djathtë, dhe më pas mund të them se humbëm një shans të madh, por mendova se Modric do të merrte topin para meje. Mendoj se pësuam dy gola të shmangshëm. Ne do t’i shqyrtojmë ato, me siguri. Loja ishte e çmendur në 15 minutat e fundit”, shtoi ai.

“Luftëtarët” e Sylvinhos do të duhet të jenë në maksimumin e tyre për të arritur një rezultat kundër Spanjës në ndeshjen e tyre të fundit në grup, por ata janë një ekip që nuk ka pasur kurrë frikë nga puna e vështirë.

Shqipëria nuk tërhiqet dhe kjo e bën atë një kundërshtare të vështirë në këtë turne./KultPlus.com

Vdes aktorja Nancy MacKenzie, “zëri” i Marge Simpson

Ka vdekur aktorja e zërit të Marge Simpson në Amerikën Latine.

Nancy MacKenzie, e cila luajti personazhin e dashur të filmit vizatimor në 15 seritë e para, vdiq në moshën 81-vjeçare.

Artistja gjithashtu e ka dubluar Trinity në The Matrix mes roleve të tjera të saj.

Vdekja e saj u njoftua në rrjetet sociale nga artistët e zërit të Amerikës Latine të Lisa dhe Bart, Patricia Acevedo dhe Claudia Motta.

“Me dhimbje të thellë, fëmijët Simpson (Lisa dhe Bart) njoftojnë vdekjen e nënës sonë të dashur, Marge Simpson (Nancy MacKenzie).

U prehsh në paqe, ne nuk do të të harrojmë kurrë”, shkruan ata, krahas një montazhi të fotove ndër vite./KultPlus.com

Papa Françesku miraton shpalljen e dy martirëve të tjerë shqiptarë

Papa Françesku ka miratuar sot shpalljen e dy martirëve të tjerë shqiptarë.

Lajmin e dha Kisha Katolike Shqiptare e cila bën të ditur se gjatë audiencës që dha Hirësia e Tij Kardinal Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtërve, Papa Françesku autorizoi të njëjtin dikaster të shpallte dekretet në lidhje me martirizimin e dy martirëve shqiptarë.

Papa autorizoi shpalljen martir të Shërbëtorit të Hyjit Luigi (i lindur Matteo) Palić në shqip Paliq, i shpallur Meshtarë i Urdhrit Françeskan Minor; i lindur më 20 shkurt 1877 në Janjevë (Kosovë) dhe i vrarë nga urrejtja për fenë më 7 mars 1913 në Pejë (Shqipëri) si dhe
dhe të Shërbëtorit të Hyjit Gjon Gazulli, prift dioqezan; i lindur më 26 mars 1893 në Dajç të Zadrimës (Shqipëri) dhe i vrarë në urrejtje ndaj fesë më 5 mars 1927 në Shkodër (Shqipëri).

Me shpalljen martir të Luigi Paliq dhe Gjon Gazullu shkon në 40 numri i klerikëve të shpallur martirë, që janë vrarë për shkak të besimit të tyre.

Përkujtohet poeti e publicisti i viteve ’40, Nexhat Hakiu

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot shkrimtarin dhe poetin lirik Nexhat Hakiu (20 qershor 1917- 18 qershor 1978).

Nexhat Hakiu lindi në qytetin e Vlorës, në qershor të vitit 1917. Përfundoi shkollën e mesme tregtare në vendlindje dhe më vonë u diplomua në Institutin e Lartë Teknik të Selanikut.

Në vitet ’30-’40, ai ishte një nga emrat më të lakuar në rrethet letrare. Fillimisht punoi si gazetar dhe mësues i letërsisë e më pas u bë bashkëpunëtor i rregullt i organeve letraro-kulturore të kohës si “Bota e re”, “Illyria”, “Përpjekja shqiptare”.

Bashkë me emra të tjerë të dëgjuar të kulturës si Mitrush Kuteli, Vedat Kokona dhe Sterjo Spasse, ishte ndër themeluesit e “Revistës letrare” (1944). Gjithashtu drejtoi revistën “Shkëndija” dhe gazetën “Bashkimi i Kombit”, në të cilat shkruante me pseudonimet Ali Dërvella e Nexhat Mahmut Hakiu. Krahas botimeve në shtypin e kohës, botoi vëllimet poetike “Këngët e zambares” (1939) dhe “Këngë gjaku” (1944). Pas çlirimit ka botuar përmbledhjet poetike “Këndoj” (1958), “Fjala ime” (1961), “Një lule mbolla” (1973) dhe “Në garë me stinët” (1977).

Gjatë periudhës së komunizmit u dënua për motive politike, prej dhjetorit të vitit 1944 deri në korrik të vitit 1945 dhe nga shkurti i vitit 1951 deri në prill të vitit 1952. U nda nga jeta në moshën 61 vjeçare, në qershor të vitit 1978./atsh/KultPlus.com

“Lonely Planet”: Shqipëria mes destinacioneve më të mira evropiane

Vera në Evropë është madhështore – por gjithashtu është një nga muajt më të ngarkuar të turizmit, që do të thotë se ju do të ndani ‘madhështinë’ me shumë vizitorë të tjerë, sipas një artikulli të botuar në “Lonely Planet”.

Ne ju rekomandojmë disa nga destinacionet më magjike të Evropës pa turma vizitorësh.

Shqipëria është renditur mes gjashtë destinacioneve fantastike në Evropë për të kaluar pushimet në gusht.

Riviera Shqiptare

E quajtur ndryshe si perla e fshehur, ku plazhet janë mahnitëse dhe çmimet vërtet të përballueshme, bregdeti i lavdishëm i jugut të Shqipërisë mbetet një ‘kënaqësi’ për turistët që janë në kërkim të diellit, rërës dhe ushqimeve të detit.

Saranda është një qytet bregdetar i gjallë, i mbushur me bare të shumtë.

Për vendpushime më të qeta, shkoni në bregdet në Himarë, i rrethuar nga një shumëllojshmëri plazhesh magjepsëse – vizitoni plazhin e Potamit, në jug.

Gushti iu garanton diellin, ujin e ngrohtë dhe temperaturën që arrin në 30°C.

Çuditërisht, shezlongët dhe çadrat e plazhit ofrohen me një çmim premium, por ju mund të kërkoni plazhe të qeta me rërë në vende të tilla si, Palasa, Borshi, Buneci me guralecë dhe ishujt jashtë Ksamilit.

Gjithashtu, ju mund të vizitoni Qafën epike të Llogorasë për në Gjirin e Vlorës, ku do të zbuloni më shumë vendpushime dhe bëni udhëtime me varkë në plazhet e izoluara në fund të Gadishullit të Karaburunit.

Për një pushim larg bregdetit, vizitoni sitin arkeologjik të Butrintit, ku rrënojat greke, romake dhe bizantine, që datojnë 2500 vjet më parë, janë të grumbulluara në një kodër me gurë.

Gjashtë vendet më të mira evropiane për të shkuar me pushime në gusht sipas “Lonely Planet”:

1-Riviera Shqiptare
2-Gadishulli i Pelionit, Greqi
3-Minho, Portugali
4-Austria Qendrore
5-Belgjika bregdetare
6-Arkipelagu i Stokholmit, Suedi/atsh/KultPlus.com

Java e Kulturës Braziliane, Karnavale në Lungomare

Javët kulturore Ndërkombëtare sjellin për herë të parë në Shqipëri Javën Kulturore Braziliane. Nga datat 21 deri më 29 qershor nga Tirana në Vlorë do të organizohen shfaqje filmash, koncert harqesh, aktivitete letrare dhe muzikore.

E veçanta e kësaj jave do të jenë Karnavalet Braziliane, një traditë e njohur në mbarë botën.

Energjia dhe kultura unike e Brazilit nis me një natë poetike më 21 qershor, në Teatrin Metropol, në Tiranë. Mbrëmja e 24 qershorit i është rezervuar koncertit të harqeve nga ansambli i njohur “Camerata Balcanica”, tek Qendra Kulturore e Katedrales Ortodokse në kryeqytet. Ky grup përbëhet nga 10 artistë të rinj dhe të talentuar të muzikës klasike nga Ballkani Perëndimor, të cilët do të sjellin në skenë një përvojë të jashtëzakonshme muzikore me një repertor që do të përfshijë vepra nga kompozitorë të njohur brazilianë, duke ofruar një përzierje harmonike të tingujve klasike dhe motiveve tradicionale braziliane.

Për të gjithë admiruesit e kinematografisë, në Kinema Millenium më 25 qershor do të transmetohet, filmi brazilian “Behind the Sun”. Prodhim i vitit 2001, realizuar me regji të Walter Salles dhe frymëzuar nga novela “Prilli i Thyer” i Ismail Kadaresë, trajton jetën e një familjeje të varfër në Brazilin rural, e cila përballet me konflikte të brendshme dhe sfida të shumta në përpjekje për të mbijetuar dhe për të ruajtur shpresën.

Edhe datat 27 qershor dhe 28 qershor, i janë rezervuar dy filmave të tjerë interesant brazilian. “Bossa Nova”, një komedi romantike që tregon historinë e një grupi njerëzish në Rio de Janeiro, të cilët ndërlidhen përmes dashurisë dhe pasionit për muzikën pa dyshim që do sjellë një natë emocionuese tek Qendra e Artit Agimi më 27 qershor.

Ndërsa me 28 qershor, do të shfaqet filmi brazilian “Two Sons of Francisco”, një dramë emocionuese dhe frymëzuese që rrëfen historinë e vërtetë të jetës së dymbëdhjetë vjeçarëve nga një fshat i varfër i Brazilit të cilët ndjekin ëndrrën e tyre për të bërë karrierë në botën e muzikës sertanejo.

Ato që priten më me shumë entuziazëm janë karnavalet Braziliane që do të organizohen mbrëmjen e 29 qershorit, në Lungomaren e Vlorës nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Në një shfaqje të paparë, ky manifestim kulturor do të sjellë ritmin, ngrohtësinë dhe ngjyrat e Brazilit në zemrën e bregdetit. Karnavalet Braziliane do të sjellin për publikun një performancë e mrekullueshme, duke përfshirë perkusionistë të talentuar brazilianë, balerina dhe kërcimtarë profesionistë të disiplinës “Capoeira” që me lëvizjet e tyre do të na tërheqin në botën ritmike të karnavaleve./atsh/KultPlus.com