“Muza Competition” transformon sot sheshin “Italia” në pasarelë mode

Sheshi “Italia” do të kthehet mbrëmjen e kësaj të mërkure në një pasarelë gjigande mode. Finalja e madhe e “Muza Competition” do të mbledhë sot të gjitha trevat shqipfolëse në Tiranë, ku 10 finalistët do të mund të shfaqin koleksionin e tyre në një spektakël madhështor i cili do të kurorëzojë dhe fituesin e madh. Mes të ftuarve, do të jenë personazhe të njohur të showbizit shqiptar dhe të botës së ekranit.

“Muza Competition” është një projekt i ndërmarrë nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, i cili përfshin aktivizimin e të rinjve pasionantë dhe profesionistë në rijetësimin e elementeve etnografikë në fushën e fashion-dizajnit.

Në këtë edicion, më shumë se 1,000 të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia aplikuan për të qenë pjesë e finales së madhe të “Muza Competition”. / atsh / KultPlus.com

Përzgjidhen 10 finalistët e edicionit të dytë të ‘Muza Competition’

Juria prestigjioze e Muza Competition ka përzgjedhur 10 finalistët që do të marrin pjesë në finalen e madhe që do të bëjë bashkë të gjitha trevat shqipfolëse në Tiranë në muajin qershor.

Në fazën fillestare aplikuan 1,000 të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, të cilët prezantuan koleksionet e tyre në fushën e modës dhe të dizajnit. Drejtore Ekzekutive e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon Andriola Kambo, theksoi se ky projekt është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë ata të rinj dhe të reja që të mund të promovohen dhe në tregun ndërkombëtar.

“Jemi duke punuar ndërkohë dhe për revistën e Muzës që është një risi e re, për t’u dhënë mundësi dhe për t’i dhënë një zë këtyre të rinjve të fashion dizajn të kenë një dritare të tyre dhe të shtrihen në rajon dhe më gjerë në tregun ndërkombëtar. Është një mundësi e shkëlqyer për ta. Po implementojmë një model të suksesshëm që ka ndodhur në Milano, në Francë dhe ne po shohim se si ta shfrytëzojmë këtë në pjesën e turizmit dhe të promovojmë nëpërmjet një elementi të trashëgimisë tonë kulturore, një rajon të caktuar”, tha Kambo.

Moderatorja e njohur, Rudina Magjistari tha se kjo pjesëmarrje e lartë i dedikohet suksesit të Muza Competition në vitin e parë, ku finalistët kanë tashmë një vazhdimësi të suksesshme në fushën e modelingut.

“Është një projekt vërtet shumë i bukur i cili ka pasur një produkt të jashtëzakonshëm në edicionin e tij të parëm Muza Competition 1. Dhe fakti që të gjithë ata fitues të vitit të kaluar patën më pas një vazhdimësi shumë të suksesshme, ishte shumë e natyrshme që kjo të sillte dhe një pjesëmarrje shumë të gjerë në këtë edicion të dytë. Është ky projekt i organizuar nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon me në krye sigurisht drejtuesen Andriola Kambo, i mbështetur nga Bashkia e Tiranës që në edicioni e parë. Kështu që është një projekt vërtet serioz i organizuar me shumë përkushtim dhe që duket se rezultat po i jep të tilla. Janë vlerësuar të rinj të talentuar dhe unë uroj që dhe sivjet të kemi po aq të tillë të cilëve do t’u çelet padiskutim një rrugë e shkëlqyer drejt së ardhmes së tyre në fushën e modës dhe të dizajnit”, nënvizoi Magjistari.

Pas suksesit, jehonës dhe energjisë së papërshkrueshme të edicionit të parë, Muza Competition është në sezonin e saj të dytë. Muza Competition është një projekt i ndërmarrë nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, i cili përfshin aktivizimin e të rinjve pasionantë dhe profesionistë në rijetëzimin e elementeve etnografikë në fushën e fashion-dizajnit.

Finalja e madhe do të mbledhë të gjitha trevat shqip-folëse në Tiranë në muajin qershor, ku 10 finalistët do të mund të shfaqin koleksionin e tyre në një spektakël madhështor i cili do të kurorëzojë dhe fituesin e madh.

Juria prestigjioze e Muza Competition, pasi analizoi të gjitha aplikimet, arriti të përzgjedhë 10 finalistët, të cilët janë:
1. Besa Mahmudi
2. Elitë Sherifi
3. Frenki Ceko
4. Frontin Hasani
5. Kevser Emini
6. Klara Kazani
7. Klevisa Shkaba
8. Liridona Hajdari
9. Sara Kadrija
10. Vitore Ndreca./atsh/ KultPlus.com

Shpallet fituesja e “Muza Competition”

“Muza Competition”, konkursi që bashkon tradicionalen dhe modernen dedikuar të rinjve në fushën e modës, një projekt i organizuar nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, në kuadër të Tiranës si Kryeqyteti Europian i të Rinjve 2022, u përmbyll mbrëmë me fituesen e këtij edicioni.

Fituesja e vendit të parë të “Muse Competition” nga të gjitha trevat e Shqipërisë, si dizenjatorja më e mirë për këtë edicion është Anisa Dudaj. Kreu i Bashkisë Erion Veliaj, i cili dha trofeun për fituesen e çmimit të parë, u shpreh se aktivitete të tilla, që bashkojnë, i shërbejnë më së miri në këtë moment kombit tonë.

“Nuk ka nevojë të shkojmë jashtë për të vlerësuar veten, nuk ka nevojë të vijnë të huajt këtu për të na vlerësuar ata. Më në fund kemi një super aktivitet, që shpresoj do të vazhdojë çdo vit, me një super juri, por mbi të gjitha me super çuna dhe goca të talentuar, nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Jam shumë krenar për ju të gjithë! Kohët e fundit ne, politikanët, e kemi prishur pak, mundohemi të gjejmë sebepe për cic-mice, për sherret e vogla për tre vota këtu, për pesë vota atje. Kur një aktivitet ndodh në Tiranë, nuk ndodh në Moskë, ndodh në Tiranë. Doku Fest ndodh në Prizren, nuk po ndodh në një qytet rus, po ndodh në një tjetër qytet shqiptar. Ndaj, le t’i lëmë mënjanë çudirat që kemi parë këto kohë, dhe të kuptojmë se ka më shumë gjëra që na bashkojnë, se ato që na ndajnë. Orët që po jetojmë, janë orët më të mira për shqiptarët,” u shpreh Veliaj.

Konkursi u dedikohej të rinjve nga mosha 18-35 vjeç nga gjithë qytetet shqipfolëse të rajonit të Ballkanit Perëndimor, me qëllim nxitjen e punësimit në ekonomitë krijuese, nxitjen e krijimit të bizneseve start-up në këtë fushë dhe zgjerimin e bizneseve. Juria e përbërë nga disa figura të njohura të fushës së fashion dhe dizajn-it si Fadil Berisha, Aferdita Onuzi, Emina Çunmulaj, Valdrin Sahiti, Enada At’Nikolla dhe Helidon Haliti përzgjodhën aplikantët më të mirë përgjatë tre fazave të konkursit./tvklan.al / KultPlus.com