Kryetari Rama ka njoftuar se me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv kanë diskutuar për bashkëpunimin kulturor ndërmjet Prishtinës dhe Izraelit.
“Diskutuam për bashkëpunimet kulturore ndërmjet Prishtinës dhe Izraelit, me fokus Javën Kulturore Kosovë–Izrael që do të mbahet në maj 2025”, ka theksuar Rama.
Ai ka shtuar tutje se këto iniciativa jo vetëm që pasurojnë jetën kulturore të kryeqytetit, por edhe kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe miqësisë mes dy vendeve./ KultPlus.com
Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, para familjarëve të masakruarve 26 vjet më parë në Krushë të Madhe, u betua se nuk do të ndalen asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë e krimet mizore të Serbisë të marrin dënimin e merituar.
E para e vendit tha se kur në një fshat vriten kaq shumë njerëz të pafajshëm e derdhet kaq shumë gjak, ai nuk është vetëm një vend në hartë, por është një dëshmi e përjetshme.
“Sot qëndrojmë në Krushë të Madhe aty ku dhembja është gdhendur në çdo gur, në çdo prag shtëpie, në çdo zemër që rreh për drejtësi. Para 26 vitesh ky fshat u goditë nga një prej krimeve më të tmerrshme të regjimit gjenocidal të Serbisë. 241 burra e djem u masakruan mes tyre 7 fëmijë e 5 gra përfshirë edhe një grua shtatzënë” , th gjatë fjalimit presidentja.
Edhe pas 26 vitesh kur ende 64 persona figurojnë të zhdukur, e para e shtetit tha se është një krim i shumëfishtë i Serbisë gjenocidale sepse familjet e tyre jetojnë çdo ditë me dhimbjen, me mallin e një pritjeje që nuk merr fund asnjëherë.
“E në këtë radhë të gjatë të dhimbjes qëndron edhe një emër i madh i kombit tonë, një mendje ndritur, një figurë e paharruar, Ukshin Hoti. Prej më shumë se dy dekadash edhe fati i tij, sikurse i të gjithë banorëve të Krushës që sot janë të zhdukur me dhunë, mbetet i pazbardhur”, tha ajo, para familjarëve në këtë ditë përkujtuese.
E para e shtetit tha se një intelektual, një patriot, një zë i guximshëm i kombit u mor me dhunë nga regjimi kriminal serb, ndaj prej atëherë nuk dihet më asgjë për të, përveçse atë e mori Serbia.
“Ky mister nuk është vetëm një padrejtësi ndaj Ukshin Hotit e familjes së tij, por një plagë në ndërgjegjen e njerëzimit. Sepse pyetja, ‘ku është Ukshin Hoti?”, ende kërkon përgjigje, siç kërkojnë përgjigje edhe rreth 1600 të zhdukur me dhunë”.
Osmani tha se masakra e Krushës së Madhe nuk është vetëm një krim i tmerrshëm i para 26 vitesh, por është e përditshmja, është e sotshmja.
“Sepse dhimbja vazhdon edhe sot, njësoj si para 26 vitesh. Ajo është një betejë e hapur për drejtësi, prandaj nuk mund të lejojmë që gjaku i atyre të mbetet pa zë, e sakrifica e tyre të harrohet. Ne nuk duhet të heshtim, nuk duhet të ndalemi, nuk duhet të lejojmë që drejtësia të vonohet pafundësisht, sepse drejtësia për Krushën e Madhe, është drejtësi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë tonë, për heronjtë e UÇK-së dhe për martirët e lirisë. Sot para kujtimit të martirëve tanë, para dhembjes së familjeve të tyre, para kësaj toke të shenjtë, ne bëjmë betim. Nuk do të ndalemi asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë. Nuk do të pushojmë derisa krimet që u kryen nga ana e Serbisë të marrin përgjigjen e duhur. Nuk do ta harrojmë kurrë sakrificën e Krushës së Madhe”, tha presidentja./RTK/ KultPlus.com
FSK ka njoftuar se të premten do të mbahet ceremonia e certifikimit të gjeneratës 01/2025 të rekrutëve.
Ceremonia do të mbahet në ora 10:00 në Kazermën “Skënderbeu“ në Ferizaj.
“Në ceremoninë e certifikimit do të marrin pjesë udhëheqës të lartë shtetërorë, oficerë e nënoficerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, mysafir e familjarë të rekrutëve. Mediat të jenë në Kazermën “ Skënderbeu” jo më vonë se ora 09:30.”/ KultPlus.com
Më 16 dhjetor të vitit 1770, në Këln, lindi Ludwig van Beethoven, kompozitor e pianist, figurë e rëndësishme në tranzicionin midis epokave klasike dhe romantike të muzikës, i cili mbetet nga më të famshmit dhe më me ndikim i të gjithë kompozitorëve.
Veprat e tij më të njohura janë 9 simfoni, 5 koncerte për piano, 32 sonata dhe 16 kuartetet, si dhe muzikë dhome, vepra korale dhe këngë.
Beethoven shkoi në Vjenë në 1792; studioi për muzikë, dhe shpejt fitoi reputacion si pianist virtuoz. Në Boston, më 1947, Fan Noli botoi monografinë “Beethoven and the French Revolution” duke mbrojtur argumentin se Revolucioni Francez dhe idetë republikane patën ndikim të thellë në muzikën e Beethovenit.
Noli, i njohur si republican dhe anti-monarkist, thotë se kompozimet më të dobta të Beethovenit janë ato të krijuara në Vienë gjatë periudhës perandorake, kur kompozonte me kontratë për princër e perandorë, thjesht për para.
Biografët thonë se Beethoveni ishte tërhequr nga idealet e Iluminizmit. Në vitin 1804, kur ambiciet perandorake të Napoleonit u bënë të qarta, Beethoven i fshiu fjalët e përkushtimit për Bonapartin nga simfonia e tretë; më vonë ai ndryshoi edhe titullin (Sinfonia heroike për të festuar kujtimin e një njeriu të madh), dhe ia ripërkushtoi atë mbrojtësit të tij, Princit Jozef Franz von Lobkoëitz, në pallatin e të cilit sinfonia e tretë u interpretua për herë të pare.
Beethoven jetoi në Vjenë deri në vdekje (1827). Në dekadën e fundit të jetës ai u bë thuajse krejtësisht i shurdhër; u tërhoq nga jeta publike, por vazhdoi të kompozonte. Kritikët thonë se shumë nga veprat e tij më të admiruara vijnë pikërisht nga kjo periudhë nën ndikimin perandorak. / KultPlus.com
Qeveria e Kosovës ka themeluar të mërkurën Këshillin Organizativ për shënimin e 12 qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi gjithashtu emëroi Ridvan Hotin zëvendësdrejtor ekzekutiv për trajtim të të burgosurve në Shërbimin Korrektues te Kosovës.
Po ashtu emëroi edhe Irfan Lipovicën drejtor në Drejtorinë e përgjithshme të akreditimit.
Krahas kësaj, qeveria miratoi edhe raportin e përgjithshëm vjetor mbi inspektimet./ KultPlus.com
Ushtarë letonezë dhe polakë të KFOR-it, të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje, kanë kryer trajnime për kontrollin e trazirave të turmës.
Trajnimi është realizuar në kampin në Novosellë.
“Gjatë stërvitjes, ushtarët polakë simuluan një turmë rebelësh që përshkallëzuan tensionet kundër ushtarëve letonezë. Trajnimi ofron skenarë realistë të trazirave në një mjedis të kontrolluar duke i lejuar të dy vendet të mësojnë nga njëri-tjetri”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Sipas KFOR-it, këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm për të garantuar mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, përfundon njoftimi./ KultPlus.com
Aktorja Melihate Ajeti ka lindur më 9 tetor 1935 në Prishtinë dhe ka vdekur më 26 mars të vitit 2005 në vendin e saj të lindjes.
Shkollën fillore e kreu në Prishtinë, dhe vijoi shkollën e aktrimit poashtu në Prishtinë, duke vazhduar në Paris për të bërë një specializim. Ajeti e nisi aktrimin në moshën 16 vjeçare më 1951 në Teatrin Krahinor të Kosovës dhe shkriu në skenë 180 role kryesore ku dëshmoi talentin, bukurinë e kapacitetin e saj si aktore ku luajti tek: Zullumqari, Vajza pa pajë, Zonja me kamelie, Besa, Sikur të isha djalë, Halili e Hajrija, Erveheja, Hanka, Hamleti, Shtetrrethimi, Othello, Ana Karenina, Vdekja e një mbretëreshe, Svinga e Gjallë, Magbethi, Antigona, etj.
Ajo la gjurmë edhe në kinematografinë Kosovare e Jugosllave, tek Uka i Bjeshkëve të Nemuna, Buka, Zonja me kamelie, Etja, Trimi, Lepuri me 5 këmbë, Era e Lisi, Erveheja, Kur Pranvera vonohet, Të ngujuarit, E shtëna në ajër, Othello, Përroi vërshues, Migjeni, Gjurmët e bardha, Magbethi, Dorotej, etj.
Shpërblimet e lëvdatat e panumërta: Për Zonjën me Kamelie – Shpërblimi i dhjetorit (1963). Joakim Vujic (1972) dhe (1975) për Hajrijën dhe Svingën. Shpërblimi i Shoqatës së Artistëve të Jugosllavisë për Ervehen (1971). Çmimi më i lartë i punës (1976). Më 1985 shpërblimi i parë për rol femre në “Shtetrrethimin” në festivalin Joakim Vujic.
Këto janë vetëm disa mirënjohje që dëshmojnë se Melihate Ajeti, ishte një nga gratë që u vlerësua si Primadona e skenës shqiptare. / KultPlus.com
Sot përkujtohet protesta e parë antikomuniste në Shqipëri më 26 mars 1990, Kavajë i Murit të Berlinit dhe një sërë ndryshimesh radikale politike, që ndodhën në vitet 1989-1990 në Bllokun Lindor kanë patur ndikim edhe në jetën politike shqiptare.
Protesta e parë kundër regjimit komunist në Shqipëri u zhvillua më 26 mars 1990 në qytetin e Kavajës. Kjo protestë erdhi si pasojë e ngjarjeve të një dite më parë, më 25 mars 1990, në stadiumin “Besa” gjatë ndeshjes Besa-Partizani, ku shumë të rinj shpërthyen në thirrje kundër regjimit komunist. Gjatë kësaj proteste u arrestuan shumë të rinj.
Më 26 mars 1990 një numër i madh njerëzish iu drejtua rajonit të policisë me thirrjet “Lironi shokët tanë”, “Poshtë Diktatura”, “Liri, Demokraci”. Kjo protestë i hapi rrugën zhvillimeve të reja në vend./ KultPlus.com
Një makinë klasike në pronësi të yllit të ndjerë të rokut francez Johnny Hallyday para se ta humbiste në poker është shitur për 132,000 euro.
Panther De Ville iu dha atij në vitin 1975 nga bashkëshortja e tij e atëhershme, këngëtarja Sylvie Vartan, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv
Shtëpia franceze e ankandeve Osenat i tha BBC-së se automjeti ishte blerë nga një francez për “një projekt specifik, të cilin ai do ta diskutojë së shpejti”, dhe blerësi duhej të paguante një çmim shtesë prej 26,400 €.
Hallyday humbi makinën ndërsa luante poker me një mik në 1977.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u takua sot me homologun e tij austriak, Alexander Van der Bellen.
Van der Bellen, pos për Shqipërinë ka folur edhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ai tha se Austria do të kujdeset që Ballkani Perëndimor të jetë lartë në agjendën e Bashkimit Evropian në aspiratën për integrim në këtë rajon.
“Shqipëria mund të llogarisë në mbështetjen e plotë të Austrisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, si dhe në përpjekjet tona të vazhdueshme për të siguruar që Zgjerimi i BE-së dhe Ballkani Perëndimor të qëndrojnë në krye të agjendës së BE-së”, tha ai.
Po ashtu, shefi i shtetit austriak, ka folur specifikisht për progresin që ka shënuar Shqipëria dhe synimin për integrim në BE deri në vitin 2030.
“Shqipëria ka arritur progres të rëndësishëm në vitet e fundit dhe është bërë një nga pararendësit në procesin e anëtarësimit në BE. Ambicia e vendit është të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030”, theksoi Van der Bellen.
Tenori Mustafa Imeri është emëruar sot drejtor i Filharmonisë në Maqedoninë e Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që është vënë në krye të këtij institucioni prestigjioz kulturor.
Emërimi i tij si drejtor i institucionit më të lartë të muzikës është cilësuar si moment historik për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, pasi deri tani qytetarët e etnitetit shqiptar kanë pasur dyer të mbyllura në Institucionin e Filharmonisë.
Mustafa Imeri njihet si një profesionist i vërtetë me një karierë të gjatë si artistike, të vlerësuar brenda dhe jashtë vendit.
Një roman, një dramë, një ngjarje shqiptare dhe teatri si platformë mendimi. Nen titullin “Vrasje ne vjeshte”, një premierë ne Teatrin Eksperimental, gërmon ngjarje historike që përmes personazheve atipike zgjojnë njeriun dhe teatrin.
Durrës, vjeshtë e vitit 1943. Shërbimi inteligjent i ushtrisë gjermane që ka nën kontroll qytetin ka të dhëna se aleatët, mund të bombardojnë portin dhe çisternat e karburantit duke shkatërruar gjithë qytetin. Duke deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme, ushtria urdhëron evakuimin e qytetit duke kërcënuar me eleminim të atyre që kundërshtojnë. Një roman i Gjergj Vlashit, i nxitur nga ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, merr jetë në Teatrin Kombëtar Eksperimental nën regjinë e Stefan Çapalikut. “Vrajse në vjeshtë është një roman i botuar në vitin 1996 gjithmonë duket se veprat e mira botohen në kohë të keqe. Është një ngjarjet e vërteta të vitit 1943 në Durrës.
Është një personazh, që quhet Marjan Shkoza, që vendos të jetojë lirinë e vet, i vetëm brenda qytetit bosh, ky personazh më ka interesuar – sepse nis të vizitojë shtëpitë boshe të qytetit, dhe ne nuk kemi vetëm vizatimin e një personazhi, por edhe mënyrën e jetësës së një qyteti”, thotë Çapaliku.
Me Mehmet Xhelilin në rolin kryesor, dhe Rafael Hoxhajn e të tjerë në skenë, shfaqja që vjen mbi dramatizimin e Çapalikut, na përball me absurdin dhe pyetjet e një individi që duke rrëmuar qytetin, rrëmon ndërgjegjet njerëzore si një i vetëm kundër të gjithëve e pa të gjithë.
“Ndërton një personazh që i ngjan personazheve të letërsisë ekzistencialiste. Me këtë shfaqje dhe me shfaqje të tjera që unë kam punuar, jam munduar të kthej aromen e një teatri serioz. Shoqëria shqiptare po fillon dhe e percepton teeatrin si një vend ku gajasesh, ku qeshet. E kanë shndërruar teatrin në një cirk. Ne duhet të mësohemi të vijmë në teatër e të shikojmë problemet tona, ta mbështesim mirë kurrizin për karrige dhe të shohim edhe veten tonë atje”, tha Çapaliku.
Një premierë ne Teatrin Eksperimental, gërmon ngjarje historike që përmes personazheve atipike zgjojnë njeriun dhe teatrin./ balkanweb/ KultPlus.com
Në Neuchatel të Zvicrës, mjekët tani mund të përshkruajnë vizita falas në muze për pacientët si pjesë e një nisme që synon përmirësimin e shëndetit mendor dhe fizik.
E stresuar? Ndiheni të rraskapitur? Keni nevojë për një takim të vogël? Epo, nëse jeni në qytetin zviceran të Neuchatel, thjesht mund të merrni një shënim mjeku për të vizituar një muze – falas.
Në një projekt pilot të ri të nisur nga autoritetet lokale dhe rajonale, mjekët tani mund të përshkruajnë “vizita në muze” si pjesë e një plani trajtimi. Kjo nismë, e cila mbulon koston e hyrjes në cilindo nga katër muzetë e qytetit, synon të ndikojë në shëndetin mendor dhe të sigurojë njëfarë pushimi kulturor për pacientët, transmeton Klankosova.tv
Ideja nuk është vetëm për të shijuar artin; është e mbështetur nga shkenca.
Që nga fillimi, programi ka shpërndarë rreth 500 receta, me vetëm një buxhet modest prej 10,000 frangash zvicerane (afërsisht 10,460 €).
Nëse do të ketë sukses, zyrtarët lokalë po mendojnë ta zgjerojnë atë për të përfshirë aktivitete të tjera kulturore si teatri apo kërcimi.
Violinisti i njohur shkodran, Lorenc Radovani mbajti një koncert recital në teatrin “Migjeni”, skenë në të cilën u ngjit si solist 46 vite më parë, për të vijuar me shumë koncerte të tjera. Në këtë koncert, violinist Radovani solli një program të pasur të Muzikës së Dhomës me pjesë shqiptare dhe të huaja, ndërsa publiku i dhuroi duartrokitje të shumta.
Në këtë koncert u luajt për herë të parë Sonata për violinë e piano “Ephistoricu”, kompozuar nga Artan Liçaj, kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti.
Në pianoforte maestro Radovanin e shoqëroi pianistja Fatma Spahiu, e cila tha se është sa përgjegjësi aq edhe nder i veçantë interpretimi përkrah këtij artisti.
Më 26 mars violinisti Lorenc Radovani do të mbajë një tjetër koncert në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë./ Balkanweb/ KultPlus.com
Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, mbrëmë është promovuar libri “Kohë kurorash” nga autoret Mirlinda Ahmeti, Shqiponja Vokshi, Shukrie Morina dhe Lona Kadriu, i cili sjell rrëfimet personale të katër autoreve të përjetuara në luftën e fundit në Kosovë.
Libri “Kohë Kurorash” i takon zhanrit dramë-romancë, që ngërthen rrëfime autentike të detajuara që shpërfaqin vështirësitë e luftës dhe triumfit të lirisë, duke pasqyruar historitë e dashurisë e të sakrificës që kanë karakterizuar jetët e shumë çifteve kosvare në atë kohë.
Prurja e këtij libri i cili erdh në 26 vjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi forcat ushtarake serbe, është vlerësuar lartë në panelin diskutues për faktin se vuajtjet e popullit shqiptar janë dëshmuar edhe njëherë, por në këtë rast prej një këndvështrimi tjetër, prej vuajtjeve të të rinjve për mbijetesë. Rrëfimet në libër janë ngjarje tërësisht të vërteta, ku katër autoret shpjegojnë për dashurinë, frikën, vuajtjet.
Disa fragmente të lexuara në mënyrë mjeshtërore nga artistja Vlora Merovci dhuruan emocione të bukura, të thella, trishtuese dhe ngadhënjimi. Ndërkaq, Kori “Lira” me dy interpretime u kujdes që ngjarja të ketë edhe karakter artistik.
Pjesë e ceremonisë promovuese ka qenë edhe Ministrja e Arsimit, Arbrije Nagavci, e cila e ka çmuar lartë iniciativën për botimin e këtij libri.
“E veçanta e këtij aktiviteti është sepse nuk është vetëm një promovim libri, por një promovim libri i katër autoreve, i katër grave të cilat kanë botuar veprën e tyre të parë. Kështuqë, janë shumë arsye për t’i uruar për librin dhe për t’iu dëshiruar shumë suksese më tutje. Besoj shumë që ky roman që promovohet sot do të jetë një mundësi e mirë për të zbukuruar jetën e atyre që do të kenë rastin ta lexojnë. Urime për librin, ju dëshiroj vazhdimësi edhe për shumë vepra të tjera”, ka thënë Ministrja Nagavci.
Ndërkaq, Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, duke iu referuar thënies së Karl Jaspers-it “Nuk ka liri pa kujtesë”, ka thënë se romaneve dhe studimeve të ndryshme lidhur me betejat dhe strategjitë e luftës iu ka munguar misioni human i rishikimit të historisë.
”Ne si Drejtori e Kulturës jemi jashtëzakonisht të lumtur që ky roman botohet prej katër grave, katër perspektivave të ndryshme, që në fakt jo rastësisht prek një dimension shumë të rëndësishëm siç është “Kohë Kurorash”, i cili lidhet kryesisht me jetën në çift dhe me mënyrën se si autoret i kanë përjetuar rrëfimet dhe ngjarjet e ndryshme. Unë ju përgëzoj dhe besoj që kjo vepër nuk do të jetë e vetmja, por do të jetë vazhdimësi e shumë veprave të ndryshme”.
Tutje, Drejtoresha Halimi ka thënë se libri do të jetë një referencë e rëndësishme për të gjithë historianët për perspektiva që lidhen me të kaluarën, pasi sipas saj libri nuk ka të bëj vetëm me luftën, por ka të bëj edhe me përditshmërinë.
Kurse, iniciatorja e librit Mirlinda Ahmeti duke shpjeguar idenë dhe përmbajtjen e librit “Kohë Kurorash”, botimin e ka cilësuar si triumf për katër autoret dhe të gjitha gratë asaj gjenerate që kanë përjetuar gjëra të ngjajshme.
“Mendoj që libri ngërthen memorie kolektive. Ne jemi katër autoret e librit, por me siguri do të mund të kishin qenë shumë më shumë gra të tjera pjesë e tij, meqenëse janë paraqitur tre periudha: e paraluftës, e luftës dhe pasluftës. Secili në mënyrën e vet ka përjetuar sfida, por në këtë libër përshkruhet edhe vullneti dhe dashuria për të arritur diçka edhe në aspektin intelektual dhe shoqëror. Këtë triumf, mendoj që ne autoret e librit e kemi arritur, normalisht edhe shumë gra të gjeneratës tonë, që kanë përjetuar sfidat tona, e ndoshta edhe gjëra më të rënda se ne”.
Autorja Ahmeti gjithashtu ka thënë se ideja kryesore ka qenë të paraqitej fuqia gjeneruese e rinisë shqiptare, të cilën fuqi sipas saj do duhej ta kishte zili tërë bota.
“Praktikisht kemi menduar që jemi një popull i vuajtur, por ideja ka lindur asisoji që nuk duam ta pranojmë që jemi më popull i vuajtur, miegjithëse të kaluarën nuk duhet ta harrojmë. Pra, kemi dashur ta tregojmë një perspektivë ndryshe. Edhe pse kemi vuajtur me gjenerata parap se prap kemi arritur të ekzistojmë. Se çfarë kemi kaluar është çudi se si ekzistojmë”, ka thënë Ahmeti.
Ndërsa, Drejtoresha e Mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti ka çmuar lartë vullnetin e autoreve, të cilat sipas saj paraqesin në mënyrë faktike një pjesë të dhimbshme të së kaluarës së popullit shqiptar.
“Është për t’u përgëzuar vullneti i tyre për të shkruar këtë libër dhe për t’i ndarë rrëfimet personale, duke e pasur parasysh që asnjëra nuk vjen nga fusha e letërsisë. Të katërtat janë nga sektori i ekonomisë, por me vullnetin e tyre kanë vendosur ta dokumentojnë një pjesë shumë të dhimbshme të historisë sonë”, ka thënë Drejtoresha Pajaziti.
Më tutje, Drejtoresha Pajaziti ka thënë se është fascionuar me idenë e librit qysh nga koha kur iniciatorja e librit ia kishte prezantuar idenë e projektit.
“Jam fascionuar nga propozimi i Lindës për arsye se ky libër shfaq jetë dhe dashuri, përkundër vuajtjeve që i kanë hasur katër autoret dhe jo vetëm, sepse në këtë rast ato janë zëri i popullit tonë. Në librat e luftës gjithmonë më kanë fascionuar pjesët ku ka jetë, ku ka lindur një fëmijë, ku ka lindur dashuria sepse pikërisht këto janë mesazhe dhe shembuj se pavarësisht errësirës që mund të ketë një shoqëri e caktuar jeta vazhdon. Pikërisht ky libër e argumenton këtë. Sot, është 26- vjetori i bombardimeve dhe në këtë dhomë jemi kaq shumë kaq figura të ngritura në dimensione të ndryshme. Edhe pse të reja, në lidhje të hershme, këto gra e kanë argumentuar që mund të ia dalin edhe në aspektin familjar edhe në atë profesional, sepse secila është ngritur në pozita të ndryshme në shoqërinë tonë”, ka thënë ajo.
Kurse, Arbër Selmani ka thënë se botimi i librit “Kohë Kurorash” skenës vendore i ka shtuar edhe katër tregimtare.
“Nuk është libër akademik, dhe më vjen mirë që nuk është i tillë, sepse kur flasim për përvojat njerëzore na nevojitet një shtrirje sa më reale. Më vjen mirë që është një libër i shkruar nga katër gra. Lufta nuk ka qenë as romantike e as ekzotike, as nuk do të ishte dashur të romantizohej, ashtu si nganjëherë ndodh. Lufta ka qenë luftë, ka qenë viktima me të cilën filloi fragmenti, kështuqë ky libër patjetër që do të ishte dashur që patjetër t’i tejkalonte përmasat e këtij promovimi, sado që jemi gjithë këta njerëz të buzëqeshur këtu. Ndoshta pas promovimit do të mund të shkojmë në ambientet e shtëpive tona dhe të reflektojmë, sepse nuk mendoj që ka për të qenë lexim i lehtë dhe lexim i buzëqeshur, por ka për qenë e kundërta e kësaj”, ka thënë Selmani.
Ndërkaq, Sara Kelmendi ka thënë se i kishte lënë përshtypje guximi dhe vullneti i autoreve për të ndarë pjesë të rëndësishme të jetës personale në publik.
“Mirëpo, një pjesë e gjeneratës tonë e gjejmë veten në tregimet e secilës, sepse e kemi përjetuar pak a shumë njësoj aparteidin social, ekonomik e kulturor në vitet e ‘90-ta nga regjimi millosheviqian, helmimet në shkolla, frikën, pasigurinë, dashurinë, humbjen, luftën, eksodin, bombardimet dhe lirinë. Pra, jemi pothuajse të gjithë pjesë e nji memorie kolektive që ka ndodhë vetëm para 30-35 viteve. Po e vendos tash theksin në rëndësinë që tregimet nga autoret femra kanë në formimin e këndvështrimeve të ndryshme dhe pasurimin e letërsisë, sepse ato pasqyrojnë përvojat, betejat dhe triumfet e tyne në shoqëri, ku kjo perspektivë është ma pak prezente, ka thënë Kelmendi.
Më tutje, Kelmendi ka thënë se autoret sfidojnë stereotipet, frymëzojnë ndryshime dhe krijojnë hapësirë për gjeneratat e reja që ta shohin veten më të përfshirë.
“Rëndësia e tregimeve nga autoret femra mund të shihet në ndikimin e shkrimtareve bashkëkohore, si: Marjane Satrapi, Chimamanda Ngozi Adichie, Margaret Atwood dhe Elena Ferrante, ku ato sfidojnë normat shoqërore, nxjerrin në pah pabarazitë gjinore dhe u japin zë përvojave femërore që janë anashkaluar prej kohësh”, ka thënë Kelmendi.
Ndërsa, Shukrije Morina- autore e librit, përvojën personale për të finalizuar librin e ka cilësuar si përvojë sfiduese.
“Ka qenë vështirë, sfiduese emocionalisht, mirëpo gjithsesi e fuqishme dhe shumë autentike. Ka qenë sfiduese sepse jemi kthyer pas në momente që kanë pasur edhe anën e mirë, por edhe frikën. Pra, janë ngërthyer të gjitha në një vend. Është dashur të kthehemi 26 vite pas, por e mira ka qenë se tashmë ne jemi bashkë, kemi krijuar familje, kemi fëmijët përreth dhe po i kujtojmë kohët tona kur kemi pasur ndarje, si momentet kur për një muaj e gjysmë nuk e kemi ditur nëse partneri ekziston. Ka pasur edhe momente të mira kur jemi bashkuar dhe jemi parë. Ka qenë shumë sfiduese. Ka pasur shumë emocion, mirëpo me të vërtetë është shumë e vlefshme”, ka thënë Morina.
Kurse, autorja Lona Kadriu ka thënë se libri përmban datat dhe ngjarjet kryesore të asaj periudhe, duke potencuar që në ndonjë projekt tjetër do të mund të përfshijnë edhe më shumë detaje.
“Drafti i parë ka mbetur realisht, por duke u munduar t’i përfshijmë të gjitha momentet ka qenë e pamundur. Jemi munduar që esencën dhe datat e rëndësishme t’i vendosim sepse ka gjithmonë për të shtuar edhe shumë elemente dhe momente të ndjeshme, që do të ishte mirë t’i vendosnim aty. Kështuqë, besoj që datat e duhura dhe që janë më speciale, e që duhet të mbahen në mend janë të përfshira aty. Asnjëherë asgjë nuk është perfekte, nuk është finalizuar ashtu si di të doja me qenë. Besoj që herën tjetër do të përfshihen më shumë tema ose ngjarje”, ka thënë Kadriu.
Ndërkaq, Shqiponja Vokshi ka thënë se ky projekt i ka dhënë ndjesi të veçantë kënaqësie, për faktin se ka bërë diçka për veten e saj, ndryshe nga zakonisht kur ajo i dedikohet familjes dhe të tjerëve.
“Kënaqësia më e madhe ka qenë që këtë libër e kam bërë për vete, gjë të cilën kam dashur gjithmonë ta bëj. Kam shkruar në momente kur kam qenë më down, mirëpo kanë qenë copëza të shkurtëra që nuk kanë pasur lidhje me këtë pjesë. Të shkruarit e kësaj pjese definitivisht ka pasur shumë emocion. Ka ndodhur që e kam mbyllur dhe nuk jam kthyer një muaj. Kur jam kthyer nuk kam guxuar të shikoj çka kam shkruar, veç kam vazhduar. Vazhdimisht ka pasur emocione, momente që kanë pasur më shumë trishtim, momente të cilat prap i ndjejmë, në secilën situatë që krijohet në rast të ndonjë tollovie. Mirëpo, ka qenë kënaqësi kur unë e kam mbyllur dhe kam thënë që tash diçka kam bërë për vete”, ka thënë ajo.
Në fund, është paralajmëruar edhe realizimi i një filmi dokumentar lidhur me këtë aspekt të veçantë të luftës së fundit në Kosovë./ KultPlus.com
Pas dekadash të tëra ku kinematografia shqiptare e periudhës së realizmit socialist është përballur me fushata denigruese dhe një revizionizëm të egër kulturor, rikthimi i “Ngadhnjim mbi vdekjen” në cilësinë 4K shënon një moment të rëndësishëm për rivlerësimin e kësaj tradite të pasur artistike. Për vite me radhë, prodhimet e Kinostudios “Shqipëria e Re” u gjykuan jo vetëm përmes syrit kritik të historisë, por shpesh edhe si objekt sulmi ideologjik, duke u përpjekur të fshihet trashëgimia e një arti që, pavarësisht kornizave ideologjike të kohës, përmban vlera të padiskutueshme artistike, estetike dhe emocionale. Një nga filmat më ikonë të kinematografisë shqiptare, “Ngadhnjim mbi vdekjen”, vjen i restauruar në cilësinë 4K, duke rikthyer shkëlqimin e tij të plotë pas 58 vitesh nga realizimi. Sot, më 25 mars 2025, ky film historik, i drejtuar nga Gëzim Erebara dhe Piro Milkani, do të shfaqet premierë në versionin e restauruar, duke sjellë një përvojë të re vizuale dhe auditive për shikuesit.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku vlerësoi këtë proces restaurimi si një mënyrë për të nderuar jo vetëm filmin dhe ekipin e tij, por edhe vetë historinë që ai përcjell. “Ky version i restauruar në 4K rikthen shkëlqimin e plotë të imazhit dhe zërit, duke rivlerësuar punën regjisoriale të Erebarës dhe Milkanit, kamerën e mrekullueshme të Saim Kokonës, lojën e aktorëve dhe muzikën drithëruese të Feim Ibrahimit,” – shkruan Rama. I realizuar në vitin 1967, “Ngadhnjim mbi vdekjen” është një dramë e fuqishme e vendosur gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria ndodhej nën pushtimin nazist. Filmi bazohet në ngjarje të vërteta dhe sjell historinë tragjike të dy vajzave të reja, të cilat, pas torturave mizore nga gjermanët, ekzekutohen publikisht për të terrorizuar popullsinë.
Filmi është frymëzuar nga historia e Bule Naipit dhe Persefoni Kokëdhimës, dy heroinave të cilat u ekzekutuan nga nazistët për shkak të lidhjeve të tyre me lëvizjen komuniste. Ky rrëfim tronditës është sjellë në ekran me një mjeshtëri të jashtëzakonshme nga kast i mirënjohur aktorësh. Eglantina Kume luan Mirë, Edi Luarasim, Afërditën, Naim Frashëri, laun Hans von Shtolc, kapiteni gjerman, Rikard Ljarja sjell në këtë film Perlatin, Sheri Mita, Villi Heller është në këtë film në rolin e një togeri gjerman, për Timo Flloko, Fatosi, Demir Hyskja, luan spiunin Zyni Shaqiri. Në rolet e tjera, Andon Qesari, luan Skenderin, Antoneta Fishta, jëtëson në këtë sfidë te kinematografisë shqiptare rolin e nënës së Mirës. Drita Haxhiraj, i është besuar roli i gjimnazistes, për Pandi Raidhi, xha Teloja. Në rolet episodike, vjenë Arqile Nesho, Lec Bushati, Sandër Prosi është mësuesi. Për të vijuar me Diana Peza, Fioralba Paço, Saimir Kumbaro, Lec Shllaku, Petrit Llanaj është Vasili, këpucari, Xhemil Tagani dhe Zejnulla Hatibi. Pavarësisht vlerave artistike dhe historike, “Ngadhnjim mbi vdekjen” u ndalua nga qarkullimi për një periudhë të gjatë. Pas Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH, ku ndodhën zhvillime politike të papëlqyeshme për regjimin, aktorja Edi Luarasi u dënua, dhe për pasojë, filmi u ndalua nga kinema dhe televizioni për rreth dy dekada. Restaurimi i këtij filmi në 4K është një ngjarje me rëndësi jo vetëm për kinematografinë shqiptare, por edhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ky proces jo vetëm që rikthen estetikën e tij vizuale dhe cilësinë e zërit, por edhe riafirmon rëndësinë historike dhe artistike të një prej kryeveprave më të mëdha të filmit shqiptar. Me premierën e tij të re, “Ngadhnjim mbi vdekjen” rikthehet për të prekur edhe një herë zemrat e publikut dhe për të sjellë në vëmendje sakrificën e atyre që luftuan për lirinë.
Përvjetorin e 26-të të masakrës në Tërnje të Therandës,e ka përkujtuar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke u shprehur se Tërrnja është plagë e hapur, është kujtesë e përjetshme e sakrificës sonë për liri dhe një betim për të mos harruar kurrë ata që dhanë gjithçka për atdheun.
“Në orët e hershme të mëngjesit të 25 marsit të vitit 1999, forcat gjenocidale paramilitare serbe hynë në fshatin Tërrnje të Suharekës dhe masakruan 46 martirë, ndër të cilët gra, pleq e fëmijë. Disa prej viktimave ishin banorë të fshatit, e të tjerët ishin mysafirë nga fshatrat Studençan dhe Randobravë, të cilët kishin kërkuar strehë tek familjet e Tërrnjes”, ka shkruar Osmani.
Ajo po ashtu kujtoj se tetë banorë ende janë në mesin e të zhdukurve me dhunë.
Premiera e shfaqjes tragjikomedi “Streha e nemun” me regji të Ilir Bokshit, bazuar në veprën “Liza në Maj” nga Sh. Poshgaj, jepet sonte nga ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Albulena Kryeziu Bokshi, Ledion Zoi dhe Adrian Morina.
“Streha e nemun” është një histori e fuqishme që prek thellë shpirtin dhe sfidon realitetin tonë.
Ndërkohë, e njëjta shfaqje do të luhet premierë edhe në Tiranë në datat 3 dhe 4 Prill 2025 nga ora 20:00, në Teatrin Ekperimental “Kujtim Spahivogli”.
E dashur këndonjëse. E di që je e mençme dhe patriote. Në qoftë se të qortonj, po të akuzonj pse nuk bën no një shërbim, dhe jo pse ke no një faj. Jam sigur që edhe ti e kupëton mirë se, ky popull i varfrë kurrë s’ka për të përparuarë në qoftë se ti nuk mbush plotësisht rolin ë mëmësë, të motrësë dhe të shoqesë dhe nuk merrë piesë aktive në edukatë të fëmijërisë, në shërim të plagëvet që mbulojnë trupin dhe shpirtin e kombit.
Roli yt sot është të vuash dhe të shohsh të tjerët të vuajnë, pa nxjerë zërin. Detyra jote duhet të jetë që të shpëtosh nga kjo pasifëri, të marrësh një detyrë aktife, si me teprë e interesuarë që duhet të jesh.
Them që burri duhet të punojë, të stërvitetë, të marrë edukatë dhe arësim. Po harojmë sa kohë vdierrin kot, sa minuta të vlefshme u venë dëm gravet të Shqipërisë! Themi se duhet të punojmë me një kujdes të math për qytetërimin dhe begatinë e këti vëndi, për shëndetësinë dhe mirëshkuarjen fizike të këti populli dhe harojmë që gjysmën e njerëzisë sonë, gysma që munt t’a quanj me e mira, e ndalojmë prej çdo shërbimi, ose nga egoizma jonë brutale, ose nga injoranca jonë qesharake, ose nga që i pëlqen dhe gruasë vetë që të jetë përtace dhe të mbetet si foshnjë.
A presim ne përparim dhe dritë, kur zonja e shtëpië dhe squka e fëmijërisë të rrijë në shkallë të unjët? A presim ne një zgjim të vërtetë kur çupat tona, zonjat e nesërme të rritenë vetëm si kuklla? A pandehim se një çupë, një grua e ka mbushurë gjithë detyrën e saj kur të dijë të hollinj petë për lakror dhe të bëjë qofte me thërime?
Themi se palët e thella të kombit duan nxejrë nga errësiar, duanë shkulurë nga balta. Po si munt të hyjnë pakërrëzat e sotme, sa kohë që neve na pëlqen të mbajmë gruanë në tym dhe në pluhur të shekëlvet të vdekurë?
Duamë që të shpëtojmë llauzin dhe vendin tonë prej lëngatavet, të kemi një popull të shëndoshë, një Shtet të fuqishmë dhe harojmë që rolin më të math do ta lozë gruaja, se ajo do të interesohet për të vegjëlit, për rrojtjen e të varfrëve, për shpëtimin e atyre që vuajnë dhe lëngojnë.
Duhet të kupëtojmë bukur e mirë se shpëtimi dhe shëndoshja e kësaj njerëzie, nukë bëhetë gjë e mundurë, por që gruaja dhe çupa e shtëpisë nuk arrinë më një shkallë inteligjence dhe kulture që të bëhenë me të vërtetë zonjë shtëpie dhe mprojtëse të folesë.
Mejtohemi qysh të shpëtojë Shqipëria nga varfëria ekonomike që siell injoranca dhe përtimi; po s’duamë të gjykojmë njëherë se shpëtimi nukë munt të vijë veçse nga puna, dhe puna nuk munt të na jetë e dukshme po që gruaja s’morri pjesë në të, duke diturë qeverinë e shtëpisë, duke kupëtuarë rëndësin e ikonomisë shtëpiake, ajo dituri e administratës së vatrësë.
Gruaja në Shqipëri gëzon një respekt dhe një nderim që s’e gjen lehtë në vendet e tjera. Liri e saj është e plotë në viset e vendit tënë ku s’ka hyrë pseudoqytetërimi i Asisë.
Gruaja Shqiptare është inteligjente dhe s’i mundojnë cilësitë qytetare të larta. Është vërtet se të drejtat e saj janë mohuarë. Po edhe do kujtuarë kurdoherë se, të drejtat fitohenë prej atyre që janë denjë t’i marrin, prej atyreve që dinë përdorimin e mënyrësë për t’i fituarë. Dhe më teprë akoma, mbi çdo konditë është ajo e të merituarët.
Duhetë pra që gruaja Shqipëtare të përpiqetë dhe të rrëfehetë e denjë për të drejtatë njerëzore. Lipsetë që të bëjë forcime për t’u lartësuarë intelektualisht dhe shpirtërisht, duke njohurë vendin e vërtetë që i ka hie të okupojë.
Atëhere do të bindetë gruaja shqipëtare se, në ringjallje të këtij vëndi duhet të marrë pjesë, të kolaborojë duke prurë aktivitetin dhe inteligjencën e saj për shërbimin e dheut mëmë duke siguruarë jetën dhe fatin e bardhë të djemvet dhe të burravet, të kenë sigurarë dhe rrojtjenë fatmire të tyre vetë.
Atëhere, sikundrë që çdo shqipëtar sado i pasurë, i diturë dhe I lumturë të jetë e ka për detyrë që të kujdesetë për të mirët, për ata që janë fatzes, dergjen në injorancë dhe vuajnë në moskamje, ashtu edhe çdo grua, sado zonjë e madhe që të jetë sado që t’i qeshnjë fati në bukuri dhe lumturi duhetë që të bëjë pakë therori nga koha dhe dëfrimet e saj , të kujdesetë për grat e varfëra, për ato që lëngojnë dhe pësojnë.
Rolin më të math që pres prej grave tona është përhapja e parimevet të higjienësë dhe të mirërrojtëse fizike. Burii s’vvete do në shtëpi kur një e varfërë dergjet e sëmurë, ku një lehonë ka nevojë për ndihmë . Një foshnjë vuan për një filxhan qumësht. Gruaja me dorën dhe zërin e saj të njomë munt të lehtësojë plagët fizike dhe morale të shpjerë gushëllimin, të ngrerë një fëmijë afrë fikjesë, të shpëtojë një tjatrë që mënt rrëzohetë.
Ca më pak se nga burratë do të gjendetë një grua që të rrëfehet indiferete në gjallëninë dhe dobësinë e këtij trupi që i themi Shtet. Ca më mirë nga burratë gratë do të dijnë, se jeta dhe lumtëri e tyre është varurë në jeta dhe lumtëri e Shqipërisë, që pa shëndoshurë të gjithë palët dhe shkallët e kësaj popullisje , vet s’munt të quhetë jashtë rrezikut./ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fishtë, Lezhë, në vendlindjen e At Gjergj Fishtës, ku hapi dyert një qendër e re kulturore dhe rekreative që i dedikohet jo vetëm kujtesës, por edhe jetës së gjallë të shpirtit krijues.
Qendra e re kulturore dhe rekreative përfshin një hapësirë për programe rezidence artistike e letrare, ekspozita, sesione krijuese dhe aktivitete kulturore.
Kryeministri bëri të ditur se projekti nuk përfshin vetëm godinën por janë edhe 3 kilometra rrugë në një hapësirë rekreative që shkon te shtëpia ku ka jetuar Fishta.
Rama u takua po ashtu me familjarë të Fishtës dhe banorë të zonës me të cilët shkëmbeu batuta.
E ardhur nga Italia për këtë ceremoni, mbesa e Fishtës i shprehu kryeministrit mirënjohjen për realizimin e këtij projekti, i shumëpritur për familjarët dhe i premtuar për dekada, por që vetëm tani u realizua.
Qendra kulturore dhe rekreative përfshin hapësira të dedikuara për rezidenca artistike, sesione krijimtarie dhe ekspozime të artistëve vendas e të huaj. Ajo është e lidhur përmes një rruge këmbësore me shtëpinë ku ka jetuar At Gjergj Fishta, e cila është restauruar dhe është e hapur për vizitorët.
Investimi vjen pjesë e itinerarit Fishtian i cili përfshin vendet ku ka jetuar dhe shërbyer “At Gjergj Fishta dhe shërben si një ftesë për të zbuluar jetën dhe veprën e tij.
Projekti i Intenerarit Gjurmët Fishtiane përfshin restaurimin e Urës së Mesit, ndriçimin e Kalave të Durrësit dhe të Lezhës, muzealizimin e banesës ku Gjergj Fishta ka kaluar vitet e para te jetës si dhe ndërtimin e Hapësirës Memoriale ku besohet se ka lindur Gjergj Fishta në vendlindjen e tij.
Projekti i ri ka realizuar një godinë multifunksionale dhe një kullë muzeale në vendin ku thuhet se ka lindur Fishta. Godinat janë realizuar sipas projektit dhe aktualisht kanë përfunduar, së bashku me territorin e jashtëm. Godina e sheshtë multifunksionale është e mobiluar dhe synon të shërbejë si godinë për rezidencat letrare dhe organizime të ndryshme kulturore lidhur me librin dhe leximin./atsh/KultPlus.com
Në Torrën Veneciane në Durrës u zhvillua aktiviteti ndërveprues “Nga e Shkuara në Argëtim – Eksplorimi i Durrësit përmes Lojërave & Krijimtarisë”.
Fëmijët pjesëmarrës në aktivitet u njohën me trashëgiminë kulturore të Durrësit përmes lojës në tavolinë, punëtorive kreative dhe artit bashkëpunues. Aktiviteti pati atmosferë plot kreativitet dhe histori që marrin jetë në zemër të qytetit, brenda mureve të Torrës Veneciane.
Ky event zbatohet në kuadër të projektit “Epidamn Heritage: Bridging the Past and Present”, i realizuar nga Durrësi Aktiv në bashkëpunim me MuZEH Lab, në kuadër të programit EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Aktiviteti përfshiu: Lojë edukative mbi trashëgiminë e Durrësit si edhe dy punëtori kreative për fëmijët dhe të rinjtë./atsh/KultPlus.com
Të gjitha prodhimet filmike, si ato zyrtare të prodhuara nga Kinostudio “Shqipëria e re” dhe Televizioni Shqiptar, ashtu edhe prodhimet e shkollave të filmit apo filmat e prodhuar me nismën e lirë të kineastëve, tashmë gjenden në “Enciklopedinë e filmit shqiptar 1904-2022”, me autore Irini Asqeri.
Enciklopedia u promovua në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Bëhet fjalë për një punë voluminoze të arkivistes me përvojë dhe studiueses Asqeri, të cilës iu deshën pothuaj 10 vite për hulumtimin dhe sistemimin e dokumenteve dhe të dhënave arkivore në disa arkiva të vendit, por kryesisht në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, ku Irini ka punuar edhe si arkiviste.
E botuar nga shtëpia botuese “Jozef”, kjo enciklopedi përmbledh të dhëna të sakta mbi prodhimet filmike te periudhes 1904-2022. Irini ka dhënë, gjithashtu, edhe një kapitull të gjatë mbi fillimet e kinematografisë në Shqipëri, duke na sjellë edhe historinë e Shqipërisë e parë në syrin e kamerës./atsh/KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ftoi të apasionuarit pas kinematografisë shqiptare të ndjekin versionin e restauruar të filmit “Ngadhnjim mbi vdekjen”. Kryeministri ka ndarë edhe linkun e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, ku mund të ndiqet filmi i plotë në cilësinë 4K.
“58 vite pas realizimit, vjen i restauruar në 4K, një nga filmat më ikonikë të kinematografisë shqiptare, “Ngadhnjim mbi vdekjen” (1967) me regji të Gëzim Erebara dhe Piro Milkani.
Ky version i restauruar në 4K rikthen shkëlqimin e plotë të imazhit dhe zërit duke rivlerësuar punën regjisoriale të Erebarës dhe Milkanit, kamerën e mrekullueshme të Saim Kokonës, lojën e aktorëve dhe muzikën drithëruese të Feim Ibrahimit”, shkruan kryeminitri Rama në rrjetet sociale.
Premiera e filmit të restauruar do të bëhet sonte, në kinema Millennium.
Ngjarjet e filmit “Ngadhnjim mbi vdekjen” zhvillohen në Shqipërinë e periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Vendi është nën pushtimin nazist. Gjermanët kapin dy vajza të reja dhe i torturojnë ato për të zbuluar lidhjet me lëvizjen komuniste. Në fund ata i ekzekutojnë duke i varur në litar në mes të qytetit për të trembur dhe terrorizuar popullin. Filmi është i bazuar në ngjarjen reale të dy heroinave Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, të interpretuara nga Eglantina Kume dhe Edi Luarasi, ndërsa personazhi i oficerit gjerman, u interpretua nga i madhi Naim Frashëri./atsh/KultPlus.com
Ky liber ndahet në disa kapituj që shtjellojnë tematika te ndryshme, por që ndërlidhen me realitetin e sotëm. Libri fillon me poezitë “Liria është” dhe më “Ura mbi lumin Ibër”, të cilat ngërthejnë ndjenja të thella mallëngjimi dhe dashurie për lirinë. Njëkohësisht, ato shfaqen si një dedikim i ndjerë për prindërit e poetës, duke përcjellur një përjetim thellësisht personal dhe emocionuese. Ky përshkrim i jep librit një shpërthim të bukur ndjesish dhe mendimesh, duke e bërë atë një lexim të veçantë.
Shkruan: Jetëlira Berisha
Një pjesë e veçantë e librit është poezia “Tirana”, e cila pasqyron jetesën në kryeqytet dhe shpreh një nostalgji të thellë për kohën e kaluar. Poezia reflekton mallin për jetën e asaj periudhe, duke evidentuar ndikimin e kohës kur autorja ka jetuar në Tiranë, pas rënies së regjimit komunist. Ajo tregon sesi ka mbetur Tirana në atë periudhë, duke përmendur vende të njohura dhe të ndjeshme, si Ura e Tabakëve, Xhamia e Et’hem Beut dhe shumë vendndodhje të tjera që mbajnë brenda tyre kujtime historike dhe kulturore. Kjo poezi është një shkrim emocional dhe reflektiv që sjell në pah lidhjen e autorës me qytetin dhe periudhën e kaluar.
Poezitë që pasojnë janë të thelluara në përshkrimin e jetës në Tiranë, duke u fokusuar veçanërisht në ndikimin e periudhës komuniste dhe ndryshimet që ndodhën pas saj. Autorja reflekton për jetën gjatë regjimit komunist, kur qyteti ishte i mbërthyer nga ndarjet ideologjike dhe vështirësitë e jetesës. Ajo shpreh një nostalgji për atë periudhë, duke e kujtuar Tiranën me ndjenja të përziera – nga frika dhe censura e asaj kohe, deri te elementet e bukura dhe të dashura të jetës së përditshme që mbeten të pandryshuara.
Poezitë që vijojnë pas kësaj, përshkruajnë ndryshimet që ndodhën pas rënies së regjimit komunist, kur qyteti filloi të hapet dhe të përballej me ndikime të reja dhe ndryshime shoqërore. Ato shfaqin se si Tirana, përkundër rritjes dhe transformimeve, mbajti brenda saj një pjesë të së kaluarës, me kujtime të vazhdueshme nga periudha komuniste.Në kohën e komunizmit, rehatia kishte munguar për shumicën, dhe madje edhe kur njerëzit mund të ndiheshin rehat, shpesh nuk mund të ndiheshin të tillë. Dashuria ishte si një mollë e ndaluar, një ndjenjë që nuk mund të shijohej lirshëm. Regjimi komuniste i kishte vendosur kufizime të rrepta, ku çdo gjë që dilte jashtë normave të tij nuk ishte e pranueshme. Morali i partisë ishte më i rëndësishëm se çdo ndjenjë e natyrshme njerëzore, dhe kjo shpesh ndikonte edhe në jetën e familjes, e cila duhej të përputhej me vlerat dhe rregullat e diktuara nga pushteti. Të gjithë e dinin se çfarë ishte e lejueshme dhe çfarë jo, dhe çdo hap jashtë këtyre kufizimeve mund të kishte pasoja të rënda.Ky pasqyrim i jetës para dhe pas komunizmit tregon një kontrast të fortë mes dy epokave, duke krijuar një lidhje të pandashme me qytetin dhe historinë e tij. Ne si lexues mund ta verejmë tek këto vargje:
“edhe në dashuri ishte e ndaluar të bije vëllau i madh cekan mbi krye
morali komunist të ndiqte hije duhej te jepte vizë dhe lejë partia”.
Në pjesët që pasojnë, autorja flet për Tiranën si një qytet që, përkundër të gjitha sfidave, nuk mund të mposhtet nga asgjë. Madje, në një kuptim figurativ, ajo shprehet se as epidemitë, si kolera, COVID-i apo ndonjë virus tjetër, nuk mund ta dobësojnë. Tiranën e mbizotëron një forcë e pashtershme, një lloj qëndrese që e bën atë të fortë përballë çdo vështirësie. Po ashtu, autorja përmend ndikimin e inteligjencës artificiale, duke theksuar se ajo është një forcë kaq e fuqishme saqë nuk mund të rrëzohet nga asnjë dekret, asnjë grusht shteti, as nga asnjë diktator. Inteligjenca artificiale përshkruhet si një element që ka kaluar përtej kontrollit të autoriteteve, një forcë që mund të ndikojë në shoqëri në mënyrë të pavarur nga strukturat politike dhe shtetërore.
Në këtë vepër, përmes poezive, autorja paraqet një pamje të errët dhe të dhimbshme të botës moderne, një botë ku bandat, droga dhe prostitucioni janë bërë pjesë e përditshmërisë. Ajo e shfaq këtë botë të “ndotur” dhe të pasigurt si një pasqyrë të shoqërisë së sotme, që është e shkatërruar nga vicioziteti dhe abuzimi. Po ashtu, televizioni dhe emisionet si Big Brother VIP bëhen simbole të këtij realiteti të deformuar, ku njerëzit dhe vlerat e tyre janë shndërruar në spektakël të zbrazët. Përmes këtyre media, individët shpesh shiten si produkte, të ekspozuar dhe të manipulueshëm nga audienca.
Më tej, autorja përdor një metaforë të fuqishme për të përshkruar ndikimin e artificiales. Përdorimi i vetullave dhe qerpikëve artificialë bëhet simbol i një shoqërie që nuk është e kënaqur me veten, një shoqëri që maskon realitetin dhe nuk është e gatshme të pranojë natyrshmërinë. Ky imazh pasqyron një lloj boshllëku të thellë emocional dhe shpirtëror, ku ndjenja e kënaqësisë dhe e vërtetës është e humbur.
Në këtë atmosferë të krijuar, autorja bën një thirrje dramatike: “Të gjallët mes të gjallëve,” duke kërkuar që ata që janë ende të gjallë të reflektojnë mbi realitetin e munduar që po jetojnë. Ajo fton “të vdekurit të ngrihen nga varret,” një thirrje për rinisjen dhe për ndalimin e një loje që nuk është më një lojë, por një luftë e vërtetë, e rrezikshme dhe e padurueshme. Lufta që autorja përshkruan është një luftë kundër partisë dhe strukturave që e kanë shndërruar këtë botë në një vend të ndarë nga vlera dhe njerëzimi, ku gjithçka është reduktuar në një mekanizëm të manipulueshëm dhe të mbushur me artificialitet.
Ky është një thirrje e fuqishme për ndryshim, për ngritjen e ndërgjegjes dhe për një lëvizje kundër përmbysjes së vlerave dhe shndërrimit të individëve në pjesë të një makinerie të ftohtë dhe të paidentifikueshme. Autorja e tregon këtë luftë si një kundërshtim ndaj një realiteti që ka shpërfytyruar natyrën dhe thelbin e jetës njerëzore.
Në poezinë “Në ballkonin përmbi Dajt”, autorja paraqet jetën pas komunizmit, një periudhë që ndonëse më e mirë se e kaluara, mbetet e vështirë dhe plot sfida. Jeta e thjeshtë që përshkruhet këtu është një përpjekje për mbijetesë në një shoqëri që ende përpiqet të riformulohet pas periudhës së regjimit të kaluar. Megjithatë, ka një ndjenjë optimizmi se gjërat mund të përmirësohen, edhe pse nuk janë perfekte.
Në poezinë “Qohu mos prit”, autorja bën thirrje që të mos presim për ndryshime nga të tjerët ose nga vendet e tjera. Kjo është një thirrje për individët që të mos mbështeten te faktorët e jashtëm për të ndryshuar shtetin, por të marrin iniciativën për të vepruar dhe për të krijuar ndryshime nga
brenda. Autorja kërkon që secili të marrë përgjegjësinë dhe të kontribuojë në përmirësimin e shoqërisë.
Në “Deri kur?”, pyet kur do të arrijmë të jetojmë të lirë, të dashurojmë dhe të jetojmë sipas dëshirave tona, si dikur, pa kufizime dhe pa frikë nga shteti. Ky është një apel për të rikthyer lirinë dhe mundësinë për të jetuar një jetë autentike, pa pengesa.
Në pjesët e fundit të veprës, shfaq një shpresë të fuqishme për një jetë të lirë, një jetë të jetuar ashtu siç dëshirojmë, pa kufizime dhe me dashuri të thellë për atdheun. Shprehet me një nostalgji të thellë për kohët kur njeriu mund të jetonte lirshëm dhe të shprehte dashurinë për vendin e tij pa ndrojtje. Po ashtu, autorja flet për ata që janë larg atdheut, që jetojnë në vende të tjera për shkak të nevojave financiare ose arsyeve të tjera. Edhe pse mund të kenë arritur të gjejnë mundësi më të mira jashtë, asnjë vend dhe asnjë përfitim material nuk mund të krahasohet me dashurinë dhe lidhjen e pandashme që ata ndiejnë për vendin e lindjes. Atdheu, për ata, është i pazëvendësueshëm dhe gjithmonë ne mendimet e tyre.
Në fund, përmend me nostalgji dhe dashuri të pashtershme “Kumbullën e oborrit të fëmijërisë”, një imazh që shpesh herë lidhet me kujtimet më të bukura të jetës, ato të fëmijërisë, të lidhura ngushtë me natyrën dhe atdheun. Ky simbol përshkruan një dashuri të pastër dhe të pashuar ndaj vendit, duke shpërfaqur se çdo kujtim është i lidhur thellë me atdheun. Me fjalët “I premtova që do kthehem, sido që të rridhte fati”, shpreh një betim të palëkundur dhe një besnikëri të thellë ndaj atdheut. Ky premtim është një shenjë e dashurisë dhe e lidhjes që kurrë nuk do të shuhen, pa marrë parasysh sa larg mund të shkojmë. Kjo është një thirrje për të ruajtur dashurinë për vendin, për t’u kthyer, për t’i dhënë atij gjithçka.
Kjo vepër e autorës, e pasuruar me ndjenja nostalgjie dhe patriotizmi,e shpesh te shprehura edhe në mënyrë figurative paraqet përpjekjet e individëve për të jetuar një jetë të lirë pas komunizmit, duke përballuar sfidat dhe vështirësitë e kësaj periudhe. Poezitë theksojnë ndryshimet që kanë ndodhur në shoqëri, ku jeta është bërë më e mirë, por ende e vështirë. Ato përshkruajnë një shoqëri që vazhdon të përpiqet të mbijetojë dhe të riformulohet, ndërkohë që autorja bën thirrje për një të ardhme më të drejtë dhe më të lirë. Një element i fortë në poezi është dashuria e thellë për atdheun, e cila mbetet një forcë e pandashme për ata që janë larg tij. Përmes poezive, autorja bën thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim nga individët, duke theksuar se ndryshimi duhet të vijë nga brenda dhe se nuk mund të presim për përmirësime nga të tjerët apo nga faktorë të jashtëm.
Në fund të veprës, ndonëse pesimizmi dhe shqetësimi për të tashmën janë të pranishme, autorja shpreh një shpresë të fortë për një të ardhme më të mirë. Me një dashuri të pashterur për atdheun, ajo ndërthur kujtimet e fëmijërisë me një betim për të rikthyer gjithçka që është humbur, për t’u kthyer aty ku gjithçka ka nisur. Vepra e autores sjell një analizë të thellë të shoqërisë dhe ndryshimeve që ajo ka përjetuar pas periudhës komuniste, duke nxjerrë në pah një kritikë ndaj zhvillimeve moderne dhe një thirrje për rikthim te vlerat e humbura, gjithnjë e përshkuar nga një dashuri e pakufishme për atdheun./KultPlus.com