Shqipëria zgjat pjesëmarrjen në KFOR deri më 2027

Këshilli i Ministrave të qeverisë shqiptare, miratoi sot disa ndryshime në vendimin “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak ndërkombëtar KFOR në Kosovë”.

Konkretisht, u vendos kohëzgjatja e këtij misioni nga 31 dhjetor 2024 në 31 dhjetor 2027, raporton ATSh.

Gjithashtu në vendim ndryshon edhe dieta për ditët e qëndrimit, pasi nga 6 000 lekë në ditë shkon në 12 mijë lekë në ditë, përveç pagës mujore.

Vendimi parashikon se periudha e qëndrimit në mision për çdo përfaqësues do të jetë me sistem rotacioni çdo 6 muaj dhe 1 vit për postin ACOS SPT, periudha, të cilave u shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me kontingjentin e radhës (marrje dhe dorëzim detyre, vonesa të transportit strategjik).

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

Trupat amerikane të KFOR-it trajnohen në zjarr para vendosjes në Kosovë

Trupat amerikane që janë pjesë e KFOR-it kanë kryer një trajnim me zjarr përpara vendosjes në Kosovë.

Misioni amerikan në NATO ka treguar se trajnimi quhet “fobia e zjarrit”.

“Nuk është çudi. Është organizuar për aleatët dhe partnerët e NATO-s përpara vendosjes së tyre në Kosovë”, thuhet në njoftimin e tyre në rrjetin social “X”.

Tutje bëhet e ditur se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) po ndihmon në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.

Mbi 4 mijë trupa nga 28 vende të botës shërbejnë aktualisht në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR. Më shumë se gjysma e forcave janë nga Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria dhe Turqia. NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe./Telegrafi /KultPlus.com

FSK pjesë e ushtrimit “KFOR 33” në Gjermani

Në kuadër të bashkëpunimit bilateral dhe ftesës së pranuar nga SHBA-ja, një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës me pjesëtarë të EOD dhe vëzhgues/kontrollues, është duke marrë pjesë në Ushtrimin Fushor “ KFOR 33” në Hohenfels të Gjermanisë.

“ KFOR 33” është ushtrim shumëkombësh në të cilin marrin pjesë më shumë se dhjetë shtete partnere të SHBA-së dhe realizohet në bazën ushtarake amerikane në Gjermani ( JMRC-Hohenfels).

Ushtrimi është i dizajnuar që të testojë dhe vlerësojë gatishmërinë e njësive luftarake të Ekipeve Luftarake të Brigadës së Këmbësorisë (48 IBCT) si pjesë e rotacioneve për misionin e KFOR-it në Kosove dhe po ashtu përgatit shtetet partnere për operacione të përbashkëta, njofton FSK-ja. /KultPlus.com

KFOR-i refuzon kërkesën e Serbisë për kthimin e ushtrisë në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se KFOR-i e ka refuzuar kërkesën e tyre për kthimin e 1 mijë ushtarëve serbë në Kosovë.

Vuçiq thotë se në letër thuhet se KFOR-i “po vëzhgon me kujdes se çfarë po ndodh në veri”.

“Por ata nuk iu referuan një pjese të rezolutës, pasi nuk kanë të drejtë ta refuzojnë atë kërkesë. Ata iu referuan normës normative për të ruajtur rendin dhe ligjin. Ata bënë një gabim tjetër. Një herë kërkuan nga autoritetet në Beograd që të ekstradojnë Millosheviqin në Vidovdan, kështu këtë herë treguan në prag të Krishtlindjeve. Në prag të Krishtlindjes, nëse marrim përgjigje negative, e dimë që nuk është rastësi”, tha Vuçiq për Pink, raporton RTS, transmeton Klankosova.tv.

Kujtojmë, Serbia kishte kërkuar kthim të forcave ushtarake në Kosovë, pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, me pretekstin për t’i mbrojtur pjesëtarët e komunitetit serb. /KultPlus.com

Kurti: Bashkë me KFOR-in po punojmë ta adresojmë situatën në mënyrë paqësore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrimi në Twitter ka folur në lidhje me situatën në veri të vendit.

Ai ka thënë se bashkë me KFOR-in  po punojmë ta adresojmë situatën në mënyrë paqësore.

“Në bashkëpunim me KFOR-in ne po punojmë për ta adresuar situatën shpejt dhe në mënyrë paqësore”, ka shkruar ndër të tjera Kurti. /KultPlus.com

Presidentja Osmani në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it: Kosova në NATO do t’i  kontribuojë paqes e stabilitetit në rajon dhe Evropë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it, me ç`rast ka falënderuar për shërbimin e tij të deritashëm në Kosovë, gjeneralmajor Ferenc Kajarin dhe i ka uruar mirëseardhje gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccias.

Në fjalën e saj para admiralit Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, strukturave drejtuese të KFOR-it dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, Presidentja Osmani ka theksuar se gjeneralmajor Ristuccia po e fillon misionin në vendin më pro NATO-s në botë. Sipas saj, Kosova është partner i besueshëm i Aleancës Veri-Atlantike, në të cilën synon të bëhet anëtare.

Presidentja Osmani ka falënderuar mijëra gra e burra nga KFOR-i, të cilët kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për lirinë e lëvizjes, sigurinë dhe paqen prej 23 vjetësh.

Sipas Presidentes Osmani, ndërkohë që KFOR-i e ka reduktuar praninë e tij, Kosova ka forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe njëkohësisht po vazhdon partneritetin dhe koordinimin me forcat paqeruajtëse 

“Në vitin 1999, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm që po kryhej kundër popullit të Kosovës. 23 vjet më pas, ushtria jonë po shërben përkrah ushtrisë amerikane dhe vendeve të tjera partnere dhe po kontribuon në misionet paqeruajtëse në mbarë botën. Kosova ka qëndruar gjithmonë në anën e duhur të historisë, dhe ne po e tregojmë këtë edhe një herë duke qëndruar pranë popullit të Ukrainës, tani që paqja, demokracia dhe rendi i bazuar në rregulla ndërkombëtare  janë sërish nën sulm”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas saj, falë kontributit të NATO-s, Kosova sot është një vend paqësor dhe prosperues. Ajo ka përsëritur qëndrimin se është interes shtetëror i Kosovës që të jetë pjesë e NATO-s, në funksion të mbrojtjes së sigurisë kolektive, vlerave demokratike, paqes e stabilitetit në vend, rajon dhe në nivel global. / KultPlus.com

KFOR-i shton praninë në veri të Kosovës

Përgjatë magjistrales Mitrovicë-Rashkë, në veri të Kosovës është vërejtur prezencë e shtuar e trupave të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.

Rritjen e prezencës së trupave në këtë zonë e kishte konfirmuar edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më herët gjatë kësaj jave.

Në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht u rritën tensionet, pasi serbët lokalë ngritën barrikada për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës: atë për targat dhe dokumentet serbe, shkruan Rel.

Barrikadat u hoqën, por NATO ka përsëritur se KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë, nëse rrezikohet stabiliteti.

Në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe, më 20 gusht është parë prezencë e shtuar e ushtarëve amerikanë të KFOR-it, që shërbejnë në Kosovë / Foto: REL

Foto: REL

Foto: Rel

KFOR reagon përsëri: Jemi të përkushtuar për ta mbajtur Kosovën të sigurt

Aleanca Veri Atlantike (NATO) ka reaguar pas gjendjes së krijuar në veri të Kosovës. Në një postim në Twitter, NATO ka thënë se KFOR është i gatshëm të marrë masa e nevojshme që ta mbajë Kosovën të sigurt.

“KFOR-i po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës me organizatat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë. Nën mandatin e OKB-së, KFOR-i mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj sigurisë, i gatshëm të miratojë masat e nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt”.

Reagim pati edhe dje nga KFOR-i, ku tha se janë të gatshëm të ndërhyjë në veri të Kosovës nëse rrezikohet stabiliteti, thuhet në njoftimin e misionit të NATO-s në Kosova, pas tensioneve në veri.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e OKB-së e vitit 1999”, thuhej në reagimin e djeshëm të KFOR-it.

Mbrëmë në veri të Kosovës u krijuan tensione nga ana e serbëve, të cilët vendosën kamionë dhe mjete tjera të rënda në rrugët që çojnë në pikat kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak. Këto veprime serbët i ndërmorën pasi Qeveria vendosi që nga 1 gushti të nisë zbatimin e reciprocitetit ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dolën në një konferencë për media.

Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë duke e dënuar “dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës”, ndërsa Sveçla tha se 11 qytetarë të Kosovës janë lënduar dhe disa vetura janë dëmtuar.

Deri tash rruga që çon në Jarinjë është bllokuar, derisa ajo për në Bërnjak mbetet e bllokuar.

Brenda 12 orëve, Sveçla ka njoftuar se përveç në Jarinje dhe Bërnjak, në pikat e tjera kufitare janë lëshuar 1501 dokumente për hyrje-dalje. / KultPlus.com

KFOR-i zgjodhi Mitrovicën për ta organizuar garën ndërkombëtare “Rifleman Ridge”

Në Mitrovicë, KFOR-i ka zhvilluar për herë të parë garën ndërkombëtare “Rifleman Ridge”. Kjo ngjarje e re u organizua nga Shtabi i Kontigjentit Ushtarak Polak në Kosovë.

Siç ka njoftuar KFOR-i, ky kompeticion përmbante 1 mijle vrapim përpjetë, të shtëna të zakta në rreze dhe një vrapin për në vijën e finishit.

“Garueset e sfidës ishin në skuadrat nga 4 dhe në secilën skuadër ishte obligative prezenca e një ushtareje femër. Çdo ushtar garoi me pajisjet e veta luftarake”, thuhet në njoftim, ku shtohet se konkurrentët qëlluan më pas edhe me pushkën e famshme polake, BERYL 5.56 mm.

“Sfida provoi forcën, qëndrueshmërinë dhe aftësitë e të shtënave të secilit anëtar të ekipit por ishte gjithashtu një rast për t’u argëtuar në ambiente shumëkombëshe”, thotë KFOR-i.

Origjina e kësaj gare është në traditat e njësive polake Mountain dhe Airborne. / KultPlus.com

Presidentja Osmani takon komandantin e KFOR-it Gjeneral Major Ferenc Kajári, diskutohet çështja e sigurisë në vend

Presidentja Osmani takoi komandantin e KFOR-it Gjeneral Major Ferenc Kajári.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Ferenc Kajári, me të cilin diskutoi çështjen e sigurisë në vend dhe zhvillimet e fundit në kontinentin evropian pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për punën e KFOR-it dhe kontributin e tyre për paqe dhe siguri. Ne anën tjetër, komandanti Kajári ritheksoi përkushtimin e trupave të KFOR-it në mbështetjen e një mjedisi të sigurt dhe paqësor në të gjithë vendin. / KultPlus.com

KFOR uron 8 Marsin: Ajo sakrifikohet për ju, prandaj thuajini faleminderit, bëjeni të ndjehet e veçantë duke i uruar Ditën e Gruas

Me një video të veçantë, misioni i KFOR-it në Kosovë ka uruar 8 Marsin apo ndryshe Ditën e Gruas, shkruan KultPlus.

Gra të ndryshme janë pjesë e NATO-s dhe si të tilla ato janë paraqitur në gideo, ku tregohet se puna e tyre është e ndryshme dhe luajnë një pjesë kyçe në vend.

“Ajo do ju bëj të qeshni, edhe nëse brenda vetes është duke qarë. Ajo do të ndjehet e stresuar edhe nëse mendimet nuk i ka të tilla. Ajo do ju jap shpresë edhe nëse është duke luftuar”, thuhet në video.

Në fund, kjo video përfundon me mesazhin:, “Ajo ju bën të lumtur dhe të qeshni edhe nëse ka dhimbje. Ajo sakrifikohet për ju, prandaj thuajini “faleminderit”, bëjeni të ndjehet e veçantë duke i uruar Ditën e Gruas”. /KultPlus.com

Ambasadori i Gjermanisë Rohde: Kosova nuk rrezikohet, e ruan KFOR-i

Joern Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë ka folur për situatën e sigurisë ne vendin tonë.

Rohde iu bashkua një proteste në Prishtinë, të hënën, për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën. Edhe Beogradi protestoi, të premten mbrëma. Këtu, nuk u sha e kritikua, por u mbrojt e u lëvdua Rusia. Presidenti i saj, Vladimir Putin, të cilit iu bë një mural këtu, u quajt vëlla.

Ngjarja në Serbi, që dikush në Berlin e cilësoi të neveritshme, turpëruese dhe pështymje në vlerat evropiane, nuk e shqetësoi kështu shumë edhe ambasadorin në Prishtinë.

“Janë 7 milionë serbë dhe 2 mijë prej tyre në rrugë, kështu që, sipas meje, disa njerëz që bëjnë thirrje të papërgjegjshme dhe shpërndajnë urrejtje nuk do të thotë që po e shfaqin qëndrimin e gjithë popullit serb”, tha Rohde për Klan Kosova.

“Unë besoj në arsyeshmëri, një parandalim të arsyeshëm dhe, siç e dini, të gjithë duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe mendoj se i tërë rajoni i përket BE-së, kjo është ajo që edhe qeveria ime e re e ka shprehur. Ky është prioriteti ynë dhe për këtë arsye do të ketë edhe vizita zyrtare së shpejti në Kosovë”.

Rohde komentoi edhe situatën e sigurisë në Kosovë, pas luftës që nisi Rusia.

“Sikur e dini shumë mirë, ne jemi partnerë të fuqishëm të Kosovës, KFOR-i është këtu duke e monitoruar situatën dhe unë ju garantoj se tani për tani nuk ka ndonjë shenjë rreziku”. / KultPlus.com

Bamirësi dhe gjithëpërfshirje – synimi kryesor i maratonës ‘Vrapo Babadimër’, edicioni i gjashtë mbahet nesër

Eventi i përvjetshëm “Vrapo Babadimër” do të organizohet edhe këtë vit dhe me gjithëpërfshirje të plotë pritet të shënohet edicioni i gjashtë, që pritet të ndihmojë më shumë se 700 familje, shkruan KultPlus.

Organizatori i maratonës “Vrapo Babadimer” të Organizatës Jo-Qeveritare “Projekti 5 cent”, Jusuf Islami, ka thënë në një prononcim për KultPlus se gjithëpërfshirja dhe ndihma për njerëzit në nevojë është pikërisht synimi i tyre.

“Evente të tilla dhe maratona të ngjashme ka nëpër vende të ndryshme të botës. Qëllimi kryesor i tyre është bamirësia për njerëzit në nevojë. Në bashkëpunim me Kryqin e Kuq do të ndihmojmë më shumë se 700 familje, përzgjedhjen të cilëve e kanë bërë ata”, ka thënë Islami.

Ai tutje gjithashtu ka thënë se përmes këtyre eventeve, media të ndryshme evropiane dhe botërore marrin vëmendjen tonë dhe sigurisht që bëhet edhe promovimi i kulturës.

“Me organizime të bukura ne gjithmonë synojmë që të bëjmë promovimin e kulturës dhe jo vetëm në vendin tonë”, shtoi tutje Islami.

Organizatori i kësaj maratone gjithashtu bëri të ditur se përveç blerjës së kostumeve, ata kanë dhuruar edhe për shoqatën “Down Syndrome Kosova”, pasi që synim kryesor e kanë gjithëpërfshirjen.

Detaje të tjera për këtë event, Islami i nda me KultPlus duke treguar se pjesëtarë të KFOR-it kanë bërë një maratonë në kampet e tyre.

“Për shkak të situatës me COVID-19, pjesëtarët e KFOR-it kanë bërë një maratonë gjatë ditës së djeshme në ambientet e tyre, derisa kanë qenë në mbështetje të maratonës në katër vitet e fundit”, pohoi Islami.

Programi i kësaj maratone do të fillojë në ora 11:00 të dielën, me ç ‘rast do të ketë edhe një program muzikor derisa me fillim nga ora 13:00 pritet që të zhvillohet starti dhe finishi në sheshin “Nëna Terezë”. /KultPlus.com

KFOR-i nderon ish-komandantin Reinhardt: Ne si ushtarë nuk i harrojmë vëllezërit tanë

Pjesëtarët e KFOR-it në Kosovë kanë nderuar sot ish-komandantin, duke ulur flamurin e KFOR-it në gjysëmshtizë, shkruan KultPlus.

“Me zemër të rënduar përshëndesim dhe e ulim flamurin e KFOR-it në gjysmështizë për humbjen e ish-komandantit, gjeneral Dr. Klaus Reindhardt”, thuhet në një postim në Facebook.

“Ne si ushtarë të KFOR-it nuk i harrojmë kurrë vëllezërit tanë dhe të gjithë ndajmë dhimbjen për humbjen e ish-komandantit tonë. U prefsh ne paqe gjeneral. Nuk do të harrohesh kurrë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it në “Facebook”.

Gjenerali Reinhardt komandoi KFOR-in ndërmjet 8 tetorit 1999 dhe 18 prillit 2000. /KultPlus.com

Vdes komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, Klaus Reinhardt - Telegrafi

KFOR-i bëhet me zëvendëskomandant të ri

Gjeneral brigade, Luca Piperni ka marrë sot zyrtarisht detyrën e zëvendëskomandantit të ri të KFOR-it.

Detyrën e mori nga gjenerali austriak Gunter Schopf, i cili shërbeu për 13 muaj në kuadër të KFOR-it.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajari, ka çmuar lart punën dhe kontributin e Schopf.

“Ndihma dhe përvoja juaj më lehtësuan hyrjen në vendin e komandantit, dhe profesionalizmi juaj ekspert më bëri të ndihem rehat me ju në krahun tim”, tha gjeneral Kajari.

KFOR-i përbëhet nga 3.700 ushtarë nga 28 vende, aleatë dhe partnerë të NATO-s dhe është i përkushtuar të kontribuojë për një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. / KultPlus.com

KFOR-i publikon pamje të jashtëzakonshme të Kosovës nga ajri (FOTO)

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR ka publikuar disa fotografi të Kosovës nga lartësia.

Në faqen zyrtare të KFOR-it në Facebook janë shpërndarë katër fotografi nga ajri ku shihen pamje të jashtëzakonshme të Kosovës.

“Çfarë pamje! Patrullat Ajrore të KFOR-it duke vëzhguar Kosovën.⁣ Fotot nga fotografi i KFOR-it, toger Barna Koncsek”, shkruhet në postim.

Më poshtë gjeni fotografitë e publikuara nga KFOR. / KultPlus.com

KFOR nderon ushtarët e rënë gjatë Luftës së Parë Botërore në Kosovë

Ushtarët austriakë, hungarezë dhe polakë kanë përkujtuar së bashku 208 heronjtë e rënë që prehen në varrezat ushtarake të Pejës gjatë Luftës së Parë Botërore.

Ceremonia u kryesua nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajari, thuhet në një njoftim të KFOR-it në Facebook.

“Ne jemi sot këtu dhe kujtojmë ata tregojnë se sakrifica e tyre nuk ishte e pakuptimtë. Ne nuk i njohim të gjithë, por ua kemi borxh të gjithëve,” tha Kajari.

Në fund të ceremonisë, komandanti i KFOR-it, zëvendësi i tij dhe personalitete të tri vendeve pjesëmarrëse, vendosën kurora lulesh në memorialin e luftës. / KultPlus.com

KFOR-i njofton se ka biseduar me palët për ndërprerje të protestave në veri

KFOR-i ka njoftuar se ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke i shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet e protestuesve serbë dhe ka vendosur njësitet e veta edhe në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin që ka.

Komandanti i KFOR-it, gjeneral-majori, Franco Federici, ka njoftuar se masat e marra, që janë biseduar paraprakisht me institucionet e Kosovës dhe kryetarët e komunave veriore, kanë qëllim shtensionimin e shpejt të situatës.

 “KFOR-i ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe duke vendosur njësitë e veta edhe në pikat e kalimit kufitar në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999. KFOR-i gjithashtu ka zhvilluar bisedime, me të gjitha palët e përfshira, për ndërprerjen e protestave në veri të Kosovës. Masat e marra, më herët të diskutuara nga Komandanti i KFOR-it me të gjitha institucionet e Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore, kanë për qëllim favorizimin e një deeskalimi të shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit dhe rikthimin e një mjedisi të siguirtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka thënë Federici.

KFOR-i përgjatë ditës ka bërë të ditur se e ka rrirtur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në veri të Kosovës.

“KFOR-i po e monitoron nga afër situatën në të gjithë Kosovën dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i e ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe Kosovën veriore”, u tha në një deklaratë të tyre gjatë ditës.

Gjatë ditës T7 ka raportuar nga vendi i ngjarjes, duke njoftuar se gjatë ditës ka pasur më shumë patrullime të KFOR-it dhe monitorime nga ajri, me helikopterë./KultPlus.com

Gazeta amerikane publikon si foto të ditës një moment të rrallë gjatë 1999-ës në Kosovë

Gazeta e përditshme ushtarake amerikane ‘Stars and Stripes’ ka publikuar një fotografi të rrallë përgjatë luftës së fundit në Kosovë, ku mëtojnë ta theksojnë prezencën e NATO’s përgjatë asaj kohe në vend.

Sipas mediumit, fotografia është realizuar në Viti, në të cilën shihet një grua e moshuar, e vendosur pranë një traktori që, sipas mediumit, shërbeu për transportim.

“Një grua shqiptare qëndron në hije, poshtë mbishkrimeve serbe duke inkurajuar forcën dhe unitetit, ndërsa ushtarët patrullues të SHBA’së kalojnë pranë traktorit që shërben si mjet transporti i familjes së saj”, thuhet në artikull.

Artikulli tutje potencon se po këto forca po ia mësynin fshatrave të Vitisë që të ofronin siguri dhe paqe në vend. “Ushtarët hipën në automjetet e tipit Bradley Fighting, pastaj shkuan nëpër fshatëra për të treguar prani të fortë të NATO-s”, thuhet tutje/ gazeta express/ KultPlus.com

KFOR-i amerikan përuron një kënd lojërash në fshatin Lebanë

Ushtarët e KFOR-it amerikan gjatë ditës së sotme kanë përuruar një kënd lojërash në  fshatin Lebanë të komunës së Prishtinës.

Projekti u iniciua dhe finalizua nga Ekipi Italian i Ndërlidhjes dhe Monitorimit që operon në rajonin e Prishtinës, dhe u financua nga NATO.

“KFOR-i është çdo herë të kontribuojë në mënyrë të paanshme për një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre./ KultPlus.com

19 vjet nga hyrja e KFOR-it në Kosovë

Sot bëhen 19 vjet nga hyrja e forcave të KFOR-it në Kosovë dhe fillimi i tërheqjes së forcave kriminale ushtarake e paramilitare serbe.

Kjo u bë në ditën kur hyri në fuqi marrëveshja e nënshkruar më 9 qershor 1999 në Kumanovë në mes forcave të NATO-së dhe ushtrisë së atëhershme jugosllave.


Atë e nënshkruan Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid.

Ndër të tjera në marrëveshje parashihej:

c) që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-it, policia lokale, speciale, antirebeliste, antiterroriste dhe çdo grup i përcaktuar kështu nga KFOR-i.

d) u caktua një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës, e ndërsa në pikën

e) u caktua një zonë 5 kilometrash përtej kufirit me RFJ-në që nuk guxonte të vendosen armatimet e rënda dhe ushtria, përveç ushtarët kufitarë.

Sulmet, që vazhduan për 78 ditë, u anuluan më 10 qershor, pasi Komandanti Suprem i NATO-së, gjenerali Wesley Clark i raportoi Këshillit të Atlantikut Verior se sulmet ajrore kishin detyruar diktatorin Sllobodan Millosheviq të fillonte tërheqjen e plotë të forcave nga Kosova.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara-UNMIK, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.