Spanjë: Turizmi nën presion për shkak të thatësirës së madhe

Sektori i turizmit në Spanjë po kritikohet gjithnjë e më shumë për shkak të konsumit të lartë të ujit. Por politika i eviton masat e rrepta të kursimit.

Në hartën e shërbimit meteorologjik spanjoll Aeme, Katalonja rrëzëllon me ngjyrë të kuqe alarmi, që tregon rreshjet e tre viteve të fundit. Që kur ka nisur matja e të dhënave meteorologjike, ky rajon në verilindje të vendit nuk ka përjetuar më parë një periudhë kaq të thatë. Këtë situatë nuk e ndryshojnë dot as rreshjet e fundit. E prekur nga thatësira është edhe Andaluzia në jug të Spanjës, por edhe Balearet dhe ishtujt Kanarie vuajnë nga mungesa e ujit. Kjo do të thotë, se janë prekur pikërisht rajonet e vendit, ku lulëzon turizmi. Nuk është për t`u çuditur, që kritikat ndaj degës së turizmit po shtohen gjithnjë e më shumë, sepse turistët konsumojnë shumë ujë.

„Prandaj ky sektor duhet detyruar, që të marrë masa drastike kursimi”, mendon Dante Maschio, zëdhënës i shoqatës qytetare katalanase Aigua és Vida, e cila lufton prej vitesh për menaxhimin më të mirë të ujit në Katalonjë. “Masat e deritanishme për reduktimin e konsumit në turizëm kanë qenë shumë të rezervuara”, thotë ai. “Sektorit të turizmit i janë dhënë liri të mëdha.” Në rast emergjence – dhe kjo situatë është e tillë – sektorët me konsum intensiv uji do të duhej të detyroheshin ta ndalonin aktivitetin. “Në nuk kemi vetëm mungesë reshjesh”, thotë Maschio. “Ne kemi një problem strukturor.” Burimet e ujit janë shfrytëzuar pa mëshirë për shumë vite.

Pushuesit përdorin shumë ujë

Edhe Julio Barea, gjeolog dhe ekspert i burimeve ujore pranë organizatës Greenpeace, nuk i kursen kritikat: “Nëse popullata normale ka kufizime për konsumin e ujit, kjo duhet të vlejë aq më tepër për turistët”, thotë ai. Dhjetë herë më i lartë se mesatarja është për shembull konsumi ditor për frymë tek pushuesit në resorte me fusha golfi. Megjithatë qeveria rajonale e Andaluzisë i përjashtoi hotelet nga ndalimi i mbushjes së pishinave. “Kjo është një çmenduri e vërtetë”, thotë Barea.

Edhe në Katalonjë kohët e fundit ka qenë e ndaluar të mbushen pishinat në zonat shumë të prekura nga thatësira. Ndër të tjera në Lloret de Mar, në një nga qendrat e turizmit në Costa Brava në verilindje të Barcelonës. Për hotelierët e atjeshëm kjo ishte baraz me një katastrofë. “Pushuesit duan të relaksohen në pishinë”, thotë Enric Dotras, kryetar i shoqatës lokale të hotelierëve. Me qëllim që turistët këtë verë të mos rrinin në të thatë apo të mos vinin fare, sipërmarrësit krijuan me ngut një impiant për shkripëzimin e ujit të detit me 1,5 miliardë euro, për të anashkaluar ndalimin.

Hotelet heqin vaskat

Dotras e konsideron të tepruar kritikën ndaj sektorit të turizmit dhe vë theksin te përpjekjet e shumëanshme të sektorit për të kursyer ujin, që bëhet prej vitesh. Shumë hotele kanë hequr për shembull vaskat, sepse dushi konsumon më pak ujë. Në shumë raste ka stimuj për pushuesit, që të heqin dorë nga ndërrimi i përditshëm i peshqirëve dhe çarçafëve. Disa hotele kanë ndërtuar një rrjet shtesë për qarkullimin e ujit, me qëllim që tualetet të shpëlahen me ujë të përdorur. Turizmi në Lloret de Mar siguron 90 përqind të prodhimit ekonomik lokal. Ky sektor krijon 12.000 vende pune.

Pamje e digës Panta de Sau në Spanjë, që prej thatësirës ka vetëm katër përqind të kapacitetit të ujitPamje e digës Panta de Sau në Spanjë, që prej thatësirës ka vetëm katër përqind të kapacitetit të ujit
Diga Panta de Sau ka vetëm katër përqind të kapacitetit të ujit në periudhën e thatësirës më të madhe nëhistorinë e KatalonjësFotografi: Carlos Sanchez Pereyra/imageBROKER/picture alliance
Rëndësia e madhe, që ka turizmi në Spanjë, është ndoshta arsyeja pse politikanët e kanë të vështirë të vendosin masa të mëtejshme shtrënguese në këtë sektor. Dymbëdhjetë për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Spanjës gjenerohet nga turizmi. Më shumë se 85 milionë pushues të huaj erdhën në Spanjë në vitin 2023. Aq shumë sa kurrë më parë. Kjo e vendos Spanjën në vendin e dytë ndër destinacionet më të njohura të udhëtimit në botë pas Francës. Vetëm Katalonja regjistroi më shumë se 18 milionë vizitorë, duke u vënë kështu në vendin e parë midis rajoneve spanjolle, përpara ishujve Baleare, ishujve Kanarie dhe Andaluzisë.

Një ndër katër litra nga uji i pijshëm rrjedh në tokë

Arsyeja kryesore për gjendjen e mjeruar aktuale është përdorimi i keq i burimeve hidrike, shpjegon Cels Garcia, profesor i gjeografisë në Universitetin e Baleareve në Mallorca. “Në zonën e Mesdheut, periudhat e thata dhe të lagështa kanë zëvendësuar gjithmonë njëra-tjetrën. Thatësirat janë këtu fenomene krejtësisht natyrore.” Prandaj duhet bërë planifikimi që më parë. Duhet që impiantet e shkripëzimit të përdoren edhe në periudha me shi të dendur, në mënyrë që rezervat e ujërave nëntokësore të mund të rikuperohen. Por në fakt zakonisht ndodh e kundërta: Sapo bie sërish shi, sistemet mbyllen, sepse uji i prodhuar në këtë mënyrë është shumë më i shtrenjtë se ujërat nëntokësore. Përveç kësaj në Katalonjë për shembull kohët e fundit është investuar shumë pak në infrastrukturë, si në rinovimin e sistemit të kanalizimit. Një ndër katër litra të ujit të pijshëm depërton në tokë i papërdorur për shkak të gypave të amortizuar. Në ishujt Baleare dhe në Andaluzi situata është e ngjashme.

Në Katalonjë pritet që më shumë se një duzinë impiante të reja shkripëzimi të ndihmojnë për të lehtësuar situatën. Qeveria rajonale po planifikon një të tillë edhe në mes të portit të Barcelonës. “Kjo është një zgjidhje e thjeshtë”, thotë Cels Garcia. “Megjithatë këto sisteme nuk duhet të përdoren kurrsesi për të mundësuar rritjen e mëtejshme të numrit të turistëve.” Por pikërisht kjo po ndodh në Spanjë: në tre muajt e parë të vitit në vend erdhën më shumë se 16 milionë pushues të huaj – një plus prej më shumë se 17 për qind krahasuar me një vit më parë./DW/ KultPlus.com

Bertrand Russell: Jeta e mirë inspirohet nga dashuria dhe udhëhiqet nga dija

Thënie nga Bertrand Russell:

“Dashuria është shumë më tepër se sa dëshira për marrdhënie seksuale; ajo është mjeti kryesor për të ikur nga vetmia e cila i prek meshkujt dhe femrat përgjatë pjesës më të madhe të jetës së tyre.”

“Jeta e mirë inspirohet nga dashuria dhe udhëhiqet nga dija.”

“Shpresat ekstreme janë të lindura nga mjerimet ekstreme.”

“Njerëzit janë të lindur injorantë, jo budallenjë. Ata i bënë budallenjë edukimi.”

“Dehja është vetvrasje e përkoshme.”

“Martesa për gruan është mënyra më e zakonshme e jetesës dhe sasia e përgjithshme e seksit të padëshiruar, e duruar nga gruaja, me shumë gjasë është shumë më e madhe në martesë se sa në prostitucion.” / KultPlus.com

Lexuesit e Ballkanit


Poezi nga Lulzim Tafa
 
Çdo i dyti mediokër që kam taku
E ka lexu Orwellin
Çdo i treti
Edgar Allan Poe-n
N’Novi Pazar
Është një mjeshtër i njohur
I’kallajit t’vargut
 
Një ditë
Kam me e përbe Enes Haliloviqin
 
Pashë një Zot
A përnjëmend Omer el-Faruk
Gjithë ditën bënte
Zota prej hurmës
Dhe në mbrëmje
Kur e merrte uria
I hante / KultPlus.com

Shkresat zyrtare nga Beogradi për një traktat tregtar midis mbretërisë shqiptare dhe bashkimit ekonomik belgo-luksemburgas

Nga Aurenc Bebja

Në faqet 429 – 433 të “Recueil des traités et des engagements internationaux enregistrés par le Secrétariat de la Société des Nations. — Koleksion traktatesh dhe angazhimesh ndërkombëtare të regjistruara nga Sekretariati i Lidhjes së Kombeve.”, gjejmë shkëmbimin e shkresave midis ambasadorit shqiptar në Beograd, Rauf Ficos, dhe ambasadorit belg po në Beograd, Adhémar Delcoigne, në lidhje me nënshkrimin asokohe të një traktati  tregtar,  të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi: gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

N° 2053. – Shkëmbim shkresash midis Qeverisë shqiptare dhe Bashkimit ekonomik Belgo-Luksemburgas, duke përfshirë një marrëveshje të përkohshme tregtare.

Beograd, 19 shkurt 1929.

Teksti zyrtar në gjuhën frënge i komunikuar nga Ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës. Regjistrimi i këtij shkëmbimi shkresash u bë më 10 qershor 1929.

Legata e Shqipërisë

Beograd, 19 shkurt 1929,

Zoti Ministër,

Unë kam nderin të informoj Shkëlqesinë Tuaj se qeveria ime sapo më autorizoi t’ju deklaroj se Mbretëria e Shqipërisë dëshiron të lidhë një traktat tregtar dhe themelimi marrëdhëniesh me Bashkimin ekonomik Belgo-Luksemburgas.

Në pritje të zgjidhjes së detajeve të kësaj marrëveshjeje, Mbretëria e Shqipërisë deklaron marrëveshjen e saj me përcaktimet e mëposhtme :

1° Regjimi i kombit më të favorizuar do të zbatohet reciprokisht në marrëdhëniet tregtare midis Shqipërisë dhe Bashkimit ekonomik Belgo-Luksemburgas, si dhe në çështjet e themelimit, fiskal, industrial dhe lundrues.

2° Kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi dhjetë ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare Shqiptare, Fletoren Zyrtare Belge dhe Memorialin e Dukatës së Madhe të Luksemburgut, duke u kuptuar që Palët Kontraktuese do të bien dakord që publikimi të bëhet në të njëjtën ditë. Ai mund të denoncohet nga secila prej dy Palëve Kontraktuese, duke iu nënshtruar një njoftimi paraprak prej tre muajsh.

Duke kërkuar nga Shkëlqesia Juaj që të më dërgoni një komunikim të ngjashëm, gjej rastin të rinovoj garancitë e konsideratës sime më të lartë.

Ministri i Shqipërisë në Beograd :

(nënshkruar) Rauf Fico

Shkëlqesisë së tij

Zotit Adhémar Delcoigne,

Ministri i Belgjikës,

Beograd

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Legata e Belgjikës.

Beograd, 19 shkurt 1929.

Zoti Ministër,

Unë kam nderin të informoj Shkëlqesinë Tuaj se qeveria ime sapo më autorizoi t’ju deklaroj se Bashkimi ekonomik Belgo-Luksemburgas dëshiron të lidhë një traktat tregtar dhe themelimi marrëdhëniesh me Mbretërinë e Shqipërisë.

Në pritje të zgjidhjes së detajeve të kësaj marrëveshjeje, Bashkimi Belgo-Luksemburgas deklaron marrëveshjen e tij me përcaktimet e mëposhtme :

1° Regjimi i kombit më të favorizuar do të zbatohet reciprokisht në marrëdhëniet tregtare midis Bashkimit ekonomik Belgo-Luksemburgas dhe Mbretërisë së Shqipërisë, si dhe në çështjet e themelimit, fiskal, industrial dhe lundrues.

2° Kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi dhjetë ditë pas publikimit të saj në Fletoren Zyrtare Belge, në Memorialin e Dukatës së Madhe të Luksemburgut dhe Fletoren Zyrtare shqiptare, duke u kuptuar se Palët Kontraktuese do të bien dakord që publikimi të bëhet në të njëjtën ditë. Ai mund të denoncohet nga secila prej dy Palëve Kontraktuese, duke iu nënshtruar njoftimit paraprak prej tre muajsh.

Duke kërkuar nga Shkëlqesia Juaj që të më dërgoni një komunikim të ngjashëm, gjej rastin të rinovoj garancitë e konsideratës sime më të lartë.

Ministri i Belgjikës në Beograd :

(Nënshkruar) A. Delcoigne

Shkëlqesisë së Tij

Zotit Rauf Fico,

Ministri i Shqipërisë,

Beograd

https://www.darsiani.com/la-gazette/1929-shkresat-zyrtare-nga-beogradi-per-nje-traktat-tregtar-midis-mbreterise-shqiptare-dhe-bashkimit-ekonomik-belgo-luksemburgas

/ KultPlus.com

Koncerti i tretë i Chopin sjell virtuozin e rrallë të skenës, pianisti Kosti Deti mahnit publikun me performancën e tij të jashtëzakonshme

Vjollca Duraku

Një koncert vërtetë fantastik u dhurua mbrëmë, në koncertin e tretë me radhë të “Chopin Pino Fest  Prishtina”, nga pianisti Kosti Deti, i cili me një mjeshtëri të jashtëzakonshme në koncertin e tij solistik interpretoi vepra të kompozitorëve të njohur shqiptar dhe botëror, shkruan KultPlus.

Kuq e zi ishte veshur edhe skena në natën e mbrëmshme, për të mirëpritur pianistin e shquar nga Shqipëria, i cili me lojën e tij të mahnitshme hipnotizoi publikun nga fillimi deri në fund të koncertit, pjesë e të cilit ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Prezantimin e këtij artisti të jashtëzakonshëm për publikun e solli fillimisht ambasadori Malaj, i cili tha se me shumë dëshirë po e priste lojën e artistit të shquar që ishte shpallur i suksesshëm kudo në Evropë. Me të përfunduar fjalimet përshëndetëse radha iu la artistit i cili përgjatë karrierës së tij kishte fituar rreth 50 çmime për virtuozitetin dhe origjinalin e tij, duke përfshirë edhe vendet si: Austria, Italia, Franca, Rusia, Kanada, Anglia dhe Spanja.

Në skenë doli artisti Deti dhe në fillim të paraqitjes mori vëmendjen maksimale të publikut, duke e filluar interpretimin me njërën dorë, për të krijuar tinguj shumë të qetë, përmes një prekjeje aq delikate të tasteve të pianos, përderisa lëvizja e gojës dhe buzëve të tij krahas interpretimit paraqiste përpjekjet e artistit për të mos prishur perfeksionin e ndjenjës së tij të brishtë, të cilën po e emetonte në sallë.

Po ashtu, edhe në pikën tjetër interpretuese një valë tingujsh më të shpejtë u dhuruan jashtëzakonisht të bukur, për të kaluar më vonë në lëvizje mililmetrike, strikte, super të shpejta, nganjëherë edhe në kryqëzim duarsh, të cilat krijonin stil në vete. Vëmendje të madhe tërhoqi edhe çasti kur gjatë interpretimit ai vendoste njërën dorë lartë tasteve, si për të krijuar fushë kuantike, të cilën si energji me lëvizje të dorës e tërhiqte drejtë zemrës, për ta integruar në trupin fizik, për ta shpërndarë te publiku përsëri në fund të interpretimit intensiv, kur hidhte duart fuqishëm prapa vetes.

Duartrokitjet dhe ovacionet e publikut i dhanë artistit mirënjohjen më të madhe duke e rikthyer edhe dy herë të tjera për të interpretuar në sallë, për të rimarrë atë bukuri tingujsh dhe paraqitjeje, e për ta regjistruar thellë në memorie përmes përsëritjes. Pikat të cilat audienca i shjoi pa masë në këtë mbrëmje të bukur ishin: “Sonata op.111 nr.32, c-mol” nga Bethoven me “Maestoso”, “Allegro con brio ed appasionato”, “Arietta: Adagio molto semplice e cantabile”, “Ruines d’unchateau” nga Tchaikovsky, “Hungarian Rhapsody no.6” nga Liszt, “Fryn veriu” dhe “Sonata no.4 “Kabacells” nga Aleksandër Peçi dhe “Tiokata”nga Ibrahimi.

Prej gjithë këtij programi të pasur artistik, vepra “Kabacells” e kompozitorit shqiptar Aleksandër Peçi, artistin Kosti Deti e kishte entuziasmuar më së shumti për ta sjellë para publikut në Prishtinë.

“Repertori sot ishte i ndarë në repertor shqiptar dhe repertor të literaturës së huaj si: Bethoven, Tchaikovsky, Liszt, Peçi. Sigurisht, u ndjeva shumë i lumtur që luajta sonatën “Kabacells” të Aleksandër Peçit sepse është kompozitori ynë më i madh për momentin, klasik dhe kontemporan, i cili ka një karrierë vërtetë të konsiderueshme. Edhe në botë muzika e tij luhet nga emra shumë të rëndësishëm të muzikës klasike sot për sot, dhe në fakt mezi e prisja që ta interpretoja në Kosovë sonatën e tij”, ka thënë Deti duke potencuar se ishte jashtëzakonisht i lumtur që po merrte pjesë në një festival si “Chopin Piano Fest”.

“Po ndihem shumë i lumtur. Në fakt dyfish i lumtur, sepse për mua është hera e parë që vij në Kosovë si turist dhe si koncertist. Sigurisht është kënaqësi që të performoj në këtë festival prestigjioz, në “Chopin Piano Fest”. Falënderoj shumë organizatoren Lejla Pula që më ftoi në këtë event kaq të rëndësishëm. Ndjehem shumë i lumtur, u bëj thirrje të gjithëve, edhe në Shqipëri që të marrin shembull nga ky organizim kaq fantastik dhe dinjitoz i këtij festivali, që sjell vërtetë emra shumë të mëdhenj të muzikës klasike”, ka thënë pianisti Deti.

I pyetur nëse shkaku i një interpretimi të tillë që e la publikun pa fjalë ishte pasioni, talenti, apo puna e madhe e bërë ndër vite, pianisti u përgjigj:

“Unë në fakt vij nga një familje artistësh. Mamaja është këngëtare dhe punon në teatër të Korçës, babai punon në teatër si mjeshtër zëri dhe tezja ime është aktore, dhe si  thuash kështu është brymosur kjo dashuria për artin. Pastaj pjesa e interpretimit me piano ka ardhur shumë spontanisht dhe ka arritur deri këtu me shumë mund, shumë përpjekje, shumë mundime dhe sakrifica. Normalisht, të jesh një pianist dhe një instrumentist klasik duhet një vetëmohim i jashtëzakonshëm i jetës sepse t’i do të mbyllesh për tu fokusuar për të dhënë këtë performancë, që shpresoj që publiku ta ketë pëlqyer”, ka përfunduar ai.

Kurse ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj, fesivalin “Chopin” e quajti një shembull të shkëlqyer të muzikës i cili ndërton ura mes kulturave të ndryshme si dhe promovon talente të reja.  

“Si ambasador i Republikës së Shqipërisë këtu në Kosovë, e quaj nder që të jem i pranishëm dhe t’i them këto dy fjalë në shenjë përkrahje për ata të rinjë të talentuar të cilët shpërfaqen fort mirë në një festival siç është “Chopin Piano Fest”. Ky festival unë do të thoja që është një shembull i shkëlqyer i fuqisë së muzikës për të kapërcyer kufinjtë dhe për të ndërtuar urat e nevojshme në mes kulturave tona, që jo vetëm nderon trashëgiminë e madhe të njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj dhe më të fuqishëm botëror të të gjitha kohërave, por promovon edhe talente të reja dhe nxit një dialog kulturor të pasur e të shumëllojshëm” ka thënë ambasadori Malaj, i cili ishte impresionuar nga sipërmarrja e drejtoreshave të Festivalit.

“Unë dua të shpreh falënderimet e mija në fakt për dy zonjat e nderuara, Besa Luzhën dhe Lejla Pulën. Jam impresionuar nga sipërmarrja e tyre ku kanë rreth 14 vjet që organizojnë një festival të tillë mes vështirësive, mes nevojës për përkrahje. I falënderoj për përkushtimin, për pasionin  e tyre që bëjnë të mundur pikërisht këtë realizim. Po ashtu dua të falënderoj edhe të gjithë artistët pjesëmarrës të cilët me performancat e tyre na japin mundësi që të përjetojmë magjinë e muzikës së pianos” ka thënë ambasadori Malaj,  që me shumë dëshirë kishte ardhur ta shijonte muzikën e artistit Deti.

“Kosti Deti, një djal nga Korça i cili i ka filluar studimet në Shkollën e Arteve në Tiranë. Më pas ka shkuar në Itali, më pas në Vjenë, tani dua ta them me plotë gojë që po shkëlqen në skena të ndryshme Evropiane, dhe sonte kemi dëshirën për të parë dhe për ta shijuar muzikën e tij sot këtu”, ka thënë ai.

Kurse drejtoresha organizative e Festivalit Besa Luzha tha se ndihej shumë e lumtur që kishin arritur të sjellin në Festival një artist të tillë, i cili la mbresa të fuqishme te publiku në sallë.

“Kosti Detin ka një kohë që po presim ta sjellim në Prishtinë, për shkak se profesoresha Lejla Pula e njeh shumë mirë talentin dhe virtuozitetin e tij. Ne jemi shumë të kënaqur që ka arritur të vijë, programi ishte ishte i jashtëzakonshëm. Ndoshta pak i vështirë për audiencën tonë sidomos vepra e kompozitorit Peçi sepse është një sonatë tepër moderne, por që Kosti e solli në mënyrë brilante dhe e bëri më të lehtë të kapërdijshme edhe nëse ishte pak ekstravagante. Temperamenti, virtuoziteti, një dinamikë e paparë, një larushi e dinamikës Pianisimo deri në Fortisimo, një tingull i bukur, i mirë, i rafinuar me të vërtetë na ka lënë me mbresa të fuqishme prej këtij koncerti” ka thënë drejtoresha Luzha.

Drejtoresha Luzha më tej tregoi edhe për koncertin pasues i cili do të mbahet me kuartetin Fabrizio Bosso.

“Do të jetë një koncert me një ngjyrë krejtësisht tjetër. Besoj që do të kënaqemi shumë sepse është një koncert krejtësisht jashtë kornizave “Chopin”. Do të vijnë Kuarteti Fabricio Bosso, i cili është një trumpetist i  jashtëzakonshëm italian, i cili me formacione të ndryshme ka bërë përpunime, improvizime të temave të ndryshme, sigurisht edhe krijime origjinale por që nesër vijnë me një dedikim për Stevie Wonder. Do të ketë përpunime me tema nga këngët e tij, pasi Wonder është një personalitet në botën e muzikës me një talent të rrallë”, ka bërë të ditur Luzha.

Pjesë e koncertit ishte edhe pianisti Andi Duraku i cili po ashtu e kishte shijuar shumë ngjarjen, në veçanti veprat e kompozitorëve shqiptarë.

“Sonte patëm rastin ta dëgjojmë një piansit të ri shumë të talentuar, me një program i cili përfshinte epoka të ndryshme kohore. Me të vërtetë ishte një mbrëmje vërtetë e mirë. Edhe publiku e priti mjaft mirë këtë koncert, sidomos paraqitjet dhe interpretimin e veprave të cilat ishin nga kompozitori nga Shqipëria, Aleksandër Peçi, të cilat u realizuan në një nivel shumë të lartë” ka thënë në pianisti Duraku.

Koncerti i radhës mbahet sonte me kuartetin Fabrizio Bosso, në ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Qëndrore Universitare./ KultPlus.com

Mbretëresha e valles shqipe, Lili Cingu nderohet me një buqetë këngësh e valle popullore

Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë është mbajtur një mbrëmje dedikim për valltaren e njohur Lili Cingu, mbrëmje që u shënua me këngë dhe valle popullore, shkruan KultPlus.

Mbretëresha e valles shqiptare, Lili Cingu, “Nderi i Kombit”, “zbriti” nga qielli për t’u bashkuar në valle e këngë me Ansamblin Popullor, aty ku lindi dhe nuk do të shuhet kurrë.

Lili Cingu ishte po ajo shtojzovalle e bukur që vuloste historinë e artit shqiptar me gjerdanin e artë në Dijon të Francës.

Lili soditi në luginat e gjelbra me çobanin e saj dhe mbushi ujë në burimin çam, teksa hodhi valle me sorkadhet e saj.

“Sepse artistët janë të bekuar, largohen fizikisht, por jetojnë në vepra përjetësisht. “Nderi i Kombit”, Lili Cingu, i ngriti zemrat peshë dhe sot në skenën e teatrit të saj”, shkruan Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit popullor. / KultPlus.com

Pulse Electronics me kontribut të rëndësishëm në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren

Dyqani “Pulse Electronics” ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në Universitetin e Prizrenit ‘Ukshin Hoti’. Duke kuptuar rëndësinë e arsimit dhe teknologjisë në botën e sotme, ata i dhuruan bibliotekës së universitetit 10 kompjutere dhe laptopë për përfituesit e merituar të bursave.

Qëllimi i tyre është që të fuqizojnë studentët me mjetet që u nevojiten për të pasur sukses. Duke ofruar këto burime, ata shpresojnë të mbështesin udhëtimet e tyre akademike dhe të nxisin një të ardhme më të ndritshme.

“Në Pulse Electronics, ne besojmë në kthimin e komunitetit dhe investimin në gjeneratën e ardhshme. Së bashku, ne mund të bëjmë një ndryshim.

Faleminderit Universitetit të Prizrenit dhe Rektorit Mentor Alishani për këtë mundësi për të mbështetur studentë të tillë të talentuar dhe të përkushtuar.

Le të vazhdojmë të përpiqemi për përsosmëri dhe inovacion në arsim!”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Osmani falendëron ish-sekretaren Clinton dhe presidentin Clinton për ndihmën amerikane ndaj Kosovës

Në një bashkëbisedim me Sekretaren Clinton sot, presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar atë personalisht, Presidentin Clinton dhe të gjithë popullin amerikan që na ndihmuan që sot t’i gëzojmë këto të drejta dhe po vazhdojnë të na ndihmojnë që shembulli e zëri i Kosovës të jehojnë anekënd botës.

“Për ekonomi të zhvilluara dhe gra të fuqizuara, parakusht janë liria, paqja dhe demokracia”, ka shkruar ajo. / KultPlus.com

“Maji”, kënga e ndjeshme dhe poetike nga Jusuf Gërvalla (VIDEO)

Çka nuk mund të shkruhet e thuhet për të. Dëshmor i kombit, simbol i luftës për liri, shembull i kurajës prej qytetari dhe intelektuali, shkrimtar i rëndësishëm, poet i dorës së parë e këngëtar e këngëtar i ndjeshëm. Kur ndalemi tek kjo e fundit, sot mund të themi se Jusuf Gërvalla ishte një këngëtar që publiku vazhdon ta adhurojë. Ai ka lënë pas vetes disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshëm talentin dhe zërin e tij, shkruan KultPlus.

Jeta e Jusuf Gërvallës ka qenë e vështirë, vdekja e tij ka qenë tragjike. Por figura e tij është e pazëvendësueshme.

Një ndër këngët e tij më të dashura është edhe “Maji”, një këngë e ndjeshme dhe e përzemërt që flet për dashurinë dhe dhimbjen që ndjen një person pas ndarjes me të dashurin.

Teksti i këngës “Maji” është shkruar në një stil poetik dhe romantik, ku Jusufi shpreh ndjenjat e tij në një mënyrë të ndjeshme dhe të përsosur. Kjo këngë është e pasur me metafora të bukura dhe me një melodi që përfshin zemrën dhe shpirtin e dëgjuesit.

“Maji” është një këngë që shpreh dëshirën për të rrëfyer ndjenjat e dashurisë dhe mungesën e saj.

“Maji” është një pjesë e mrekullueshme e artit muzikor shqiptar, e cila vazhdon të ndjehet e shijohet nga publiku edhe sot.

KultPlus ju sjell edhe tekstin e plotë të këngës.

Maji

Ditët m’kaluan me l….
mbante një kapelë ngjyrë hiri
në muajin maj, maj, maj,
ishim taku’


Më vonë takova Dafinën,
Vjosën, Valbonën dhe Shpresën,
lulëzonte maji, maji, maji,
lulet kanë çel’ për bukuri


M’kaploi dëshira dikah për t’u tretë
me të shpejtë botën shëtita
shpesh të pikëlluem m’ka gjetë muaji maj
në ndonjë skutë të kësaj bote


Kthehem prapë në shtëpinë time,
rrugët si më parë buzëqeshin,
prapë muaji maj, maj, maj,
më ledhaton


At’botë pranë meje qëndronte,
vogëlushja me sy pranvere,
po si ky maj, maj, maj,
më ka gëzu’

Po t’i shikoj flokët e saj,
sytë n’bukuri do t’i laj
më t’bukurin maj, maj, maj
n’buzëqeshje t’saj

Pse po e fsheh tash shikimin,
n’zemër më zgjove dyshimin
pse n’muajin maj, maj, maj,
më sjell dyshim, mos më mundo


.…. ajo m’shikon
prapë më buzëqesh si më parë,
tash n’muajin maj, maj, maj,
ngela pranë saj

…… përvidhet
kur m’thotë “zotni i vjetër”,
ish’ muaji maj, maj, maj,
më i bukuri maj,
kaloi me faj. /
 KultPlus.com

18 maji, Dita Ndërkombëtare e Muzeut

Dita Ndërkombëtare e Muzeut u përcaktua nga ICOM në vitin 1977 dhe u përqafua menjëherë nga të gjithë muzetë në mbarë botën. Kjo ditë përbën një moment të një rëndësie të veçantë për komunitetin ndërkombëtar të muzeve.

Synimi i Ditës Ndërkombëtare të Muzeut është rritja e ndërgjegjësimit se “muzetë janë një mjet i rëndësishëm i shkëmbimit kulturor, pasurimit të kulturave dhe zhvillimit të mirëkuptimit të ndërsjellë, bashkëpunimit dhe paqes midis popujve”.

E organizuar çdo vit më 18 maj, ngjarjet dhe aktivitetet e planifikuara për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeut mund të zgjasin një ditë, një fundjavë ose një javë të tërë. Gjithnjë e më shumë muze bëhen pjesë e aktiviteteve të ndryshme për Ditën Ndërkombëtare të Muzeut. / KultPlus.com

International Museum Day 18 May globe illustration vector greeting card design poster

Bertrand Russell mbi zilinë, fragment nga ‘Pushtimi i lumturisë’


“Pos brengave të mundshme, një nga shkaqet më njohura të palumturisë, është zilia. Zilia, do të thosha, është njëra ndër pasionet më të përgjithshme dhe më të thella të njeriut.

Ajo mund të hetohet lehtë te fëmijët para se të mbushin një vit dhe çdo pedagog kësaj duhet t’i kushtojë kujdesin më të hollë. Në shfaqjen më të vogël të afrisë ndaj një fëmije në dëm të tjetrit, hetohet menjëherë dhe nuk durohet. Kushdo që ka punë me fëmijë, duhet domosdo që kur ndan, të jetë i drejtë deri në fund, i përkryer, i ashpër dhe i pandryshueshëm.

Mirëpo fëmijët vetëm pak më tepër e zbulojnë lakminë dhe xhelozinë e tyre se sa të rriturit. Ky emocion është njësoj mbizotërues midis fëmijëve dhe të rriturve.

Midis damave mesatare të çmuara, zilia luan një rol jashtëzakonisht të madh. Nëse uleni në metro dhe ndodh që pranë vagonit të kalojë ndonjë grua e bukur e veshur mirë, shikojini sytë e grave të tjera. Do ta vëreni se secila prej tyre, me përjashtim të mundshëm të atyre që janë të veshura më mirë, e vështrojnë atë grua me shikim smirëzi dhe do të përpiqen të gjejnë diçka që është nënçmuese për të.

Dëshira për skandale është shprehje e kësaj smire të përgjithshme: edhe çfarëdo tregimi kundër gruas tjetër besohet menjëherë pa fakt bindës. Moralizimi i shumëfishtë i shërben po këtij qëllimi: u’a kanë zili atyre që bëjnë mëkat, kurse në të njejtën kohë e konsiderojnë se është virtyt të dënohen ato për mëkatet e tyre. Ky lloj i veçantë i virtytit është sigurisht shpërblim i vetvetes.

Saktësisht po kjo gjë, ndërkaq, mund të vëheret plotësisht edhe ndër burra, me përjashtim se gratë i konsiderojnë rivale të gjitha gratë e tjera, kurse burrat si rregull e kanë këtë ndjenjë vetëm ndaj burrave të profesionit të njejtë.”

– Bertrand Russell“Pushtimi i lumturisë” / KultPlus.com

“Ç’fitova nga të gjith’ andrallat? Hiç! Dhe nga mundimet e vërdallat? Hiç!”

Rubairat

Marrë nga libri “Rubairat” i Omer Khajamit. I shqipëroi Rushit Bilbil Gramshi (pseudonim i Fan Nolit). Edicje e dytë, e ndrequr dhe e plotësuar. Bruxelles, 1927.

-1-

Natën kur flinja, më tha shpirti: “Pi!
Në gjumë dhe në Varr s’ka lumëri;
Ngrehu! Sa rron, zbras Kupa dhe puth Çupa;
Ke shekuj që të flesh në qetësi”.

-2-

Në ëndërr, kur agimi zbardhëllonte,
Një zë që nga Taverna po gjëmonte:
“Çohuni, djem, e Verë sillnani,
Se Fati na e tha lëngun sonte.”

-3-

Dhe posa në Tavernë këndoi gjeli,
Besnikët jashtë thirrë “Portat çeli!
E shkurter është Jeta, ja, u mplakmë
Dhe mbetmë si kofini pas së vjeli.”

-4-

A di përse këndesi po këndon
Menatë dhe nga gjumi po të zgjon?
Që shkoi një ditë po të lajmëron,
Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron.

-5-

U gdhi! Me Verë zemrën e zbardhëllonj
Përdhe çdo Fe të Natës e dërmonj:
Në Djall dërgonj Parajsën e përpjetë,
Gërshetin me Llaut’ e lavdëronj.

-6-

Kur Diellin me zjarr kurorëzuar,
E pret me gas Natyra faqeshkruar,
Shoqen me mall po shoh në gjumë shtruar
Dhe foshnjën buzëqeshur më të zgjuar.

-7-

Ja, Kup’ e Qiellit skuqet prej Agimit,
Bilbili nisi këngën e dëfrimit
Me trëndafilin: Eja, Faqepjeshkë,
Natyra qesh; nem Qelqin e Rubinit.

-8-

Zgjohu! Mëngjesi me shigjet’ e grisi
Perden e Natës, Yjt’ i arratisi,
Dhe Dielli gjahtar me rreze kapi
Çdo majë mali, pallati e lisi.

-9-

O Engjëll faqedritë, ja u gdhi,
Shtir Verë dhe këndo me ëmbëlsi!
Xhamshidi e Khosroj qysh lulëzuan,
Qysh dimërojnë sot në Varrvërri.

-10-

Ja, Mars’i ri dëshirat na valon,
Çdo shpirt i mënçur në Gërmadhën shkon
Ku dor’ e Moisiut zbardh nga degët
Dhe frym’ e Krishtit tokën gjelbëron.

-11-

Mbi lulet po pikojnë vesë retë,
Dhe me një zë qiellor, Bilbil’ i shkretë:
Ah, Verë! Verë! Verë! Trëndafilit
I lyp t’i skuqë faqëzën e zbehtë.

-12-

Bilbili nëpër kopshtet në Prënverë
Sheh Lilin Kup’ e Trëndafilin Verë
Dhe thotë: “Puthuni e pihuni!
S’e gjeni këtë ditë tjatër herë.”

-13-

Shiko luadhe, lule, bukuri,
Lumenj kristali, kronj e brohori:
Nga dimri Ferr prënvera Qiell na ndriti,
Gëzo mi Dhé Parajsën me Huri.

-14-

Qesh Trëndafili e thotë: “Lulëzonj
Dhe botës bukurinë po ia shtonj:
Pastaj e hap kuletën e mëndafshtë
Dhe përmbi kopsht thesarin po e shtronj”.

-15-

“Jam, thotë, lulja e Josefit t’ri
T’Egiptes, xhevahir, zemërflori:
Ja edhe rrob’ e kuqe gjak, e çjerur
Prej vllezërve dhe gruas Petefri”.

-16-

Tufani kopshtin kur ma çkatërron
Dhe Rrot’ e Fatit shpresat m’i dërrmon,
Pështillem si burbuq’ i Trëndafilit,
Po zemra gjak përbrenda më pikon.

-17-

U dogja dhe u përvëlova: Verë!
Nga vrer’i lotëve u shova: Verë!
Në Qelq rubin, e Dashur, dhe Llautën
Dhe nga ky zjarr shpëtova: Verë!

-18-

Me Ver’ e Vajza, me Llaut’ e Valle,
Me Fyell e me Këngë po s’u çmalle,
Jeta s’vlen hiç: Se pa këto nuk është
Veç pemë helmi, pus e tym vërdalle.

-19-

Nga njëra dorë Trëndafil e Grua,
Nga dora tjatër patsha Rrush e krua:
“Zotit – po thon’ – i ardhtë keq për mua!”
Po as m’a fal pendimin, as ia dua.

-20-

Një Engjëll më tërhiqte në Xhami,
Një Djall po më zvarrniste në Dolli;
Po Ver’ e kuqe e fitoi davanë:
Gërshet këtej – edhe andej Hardhi.

-21-

Në prehrin e Hurisë kur gëzohesh
Veten humbet, e veten gjen, bekohesh:
Kur pi kungatën shpirtrrëmbenjëse,
Përsipër Jetës, Vdekjes lartësohesh.

-22-

Te Shpell’ e Verës kemi hedhur mendjen,
Dehemi, puthim për të mbledhur mendjen:
C’pyet? Gjykim e tru na kanë rrjedhur,
Se Vajzat na e kanë vjedhur mendjen.

-23-

“Pse s’pi më pak?” më thonë njerëzia,
“Për ç’arësye s’ka kufi Dollia?”
Një: Faq’e Vajzës; dy: Rubin’i Verës,
Ja shkaqe si kristal nga qartësia.

-24-

Drit’ e Kungatës vlen çdo mbretri
N’Evropë dhe n’Afrikë dhe n’Asi:
Rënkim’i Vajzës mallëngjen më rëndë
Se çdo shamat’ e turmës në Xhami.

-25-

Fito një Zemër, puthe dhe rrëmbeje,
Dhe adhuroje si Altar prej Feje:
Një qind Qabera s’vlejnë sa një Zemër;
Zemër kërko, Haxhi, jo Gur Qabeje.

-26-

Si mjer’ ay që Dashuri s’ka ndjerë
Dhe zemra s’i ka ndritur në prënverë:
Pa Ver’ e Dashuri çdo dit’ e shkuar
Prej meje s’nëmërohet asnjëherë.

-27-

S’ka hir apo shëmtim në Dashuri,
Për Ferr e për Parajsë s’ka mërzi,
As për pallate a kasolle a shpella
As për mëndafsh a rrecka a stoli.

-28-

Kjo zemr’ e marr’ e mbytur në mjerime
Pa prerë vuan e lëshon rënkime:
Kur më dha Zoti Verë Dashurie,
Ma mbushi kupën gjak prej zemrës sime.

-29-

E prisja! Si rrufeja më tronditi!
E Dashura më shkoi, më neveriti:
S’e çmoja kur e kisha… Ah, çma priti!
Në Ferrin nga Parajsa më vërviti.

-30-

Rënkonj e psherëtij, se s’të kam pranë,
M’u çuar zëmra, vojtjet mënt s’më lanë,
Askujt s’ia qaj dot hallin, djall’ o punë:
Vrermjalt’ e flagëves’ e qiellhapsanë!

-31-

Nga hidhërim’ i ndarjes jam përpirë,
Sa e sa herë zemra m’është grirë:
Ty natën të kujtonj e psherëtij,
Nga malli digjem, si qiriri kam shkrirë.

-32-

Kur s’dhëmp e s’shemp nuk është Dashuri,
Pa Ferr s’gjen dot Parajsë dhe Huri:
Kur zjarr’ e ke në gji, me nat’ e ditë
Sot ndrit me gas e nesër ndes më zi.

-33-

Te rrug’ e Trëndafilit plot me gjëmba
Pikova gjak, u çora dhe u shëmba:
Pa qindra plag’ e çpojtje s’qepet krehri
Në flokët e së Dashurës me dhëmba.

-34-

Zemrën me sy e dashura ma ndes,
Zemraqiri me flakën rron e vdes:
Te flak’ e bukur zemraflutur turret,
Kurban e tëra digjet pa kujdes.

-35-

Me syrin bukuri e dritë çpall,
Në zemrën Dashuri e zjarr më kall:
Ti s’më vë re aspak ose më tall,
Kur unë pshertij për ty me mall.

-36-

Zefire, fryre, syri im të pa,
Nga gjoksi zemra m’iku dhe më la
Dhe dyke fluturuar pas të ra:
Banesën sot në gjoksin tënt e ka.

-37-

Selvia që më bëri skllav e mbret
Tani më nisi prapë muhabet;
Më qesh me buz’ e sy, se shpirti i thotë:
“Bëje të mirën dhe e hith në det”.

-38-

E dashura shkëlqeu, më vërboi,
Zemra më fliste gjuha më pushoi:
Kush pa me sy tortyrë kësisoj?
Nga etja u dogja, u shova mun te kroj.

-39-

Kush në Gërmadhen të ka prurë, kush?
Kush ta ka çfaqur natën mirë, kush?
Kush të ka fryrë të më ndezësh furrë
Nga Dashuria të sëmurë, kush?

-40-

Në këtë Dhé pa prehje, pa pushim,
Jam lodhur me kërkim e udhëtim:
Të bukur Qiparis si ti s’kam parë,
S’të kapërcen as hëna në shkëlqim.

-41-

O ti mbi Dhé m’e zgjedhura Selvi,
M’e shtrenjtë je se shpirt’ e syt’ e mi:
Gjë më të çmuar se sa jeta s’ka;
M’e çmuar një qind herë më je ti!

-42-

Si në mëngjes burbuqi i vesuar
Me rrezet buzëqesh i ngushëlluar,
Më ndrit me gas fytyra e përlotur
Kur zemrën ti ma ngroh me syt’ e shkruar.

-43-

Ti, që me faqe Rrushn’ e kapërcen,
Dhe që me zë Bilbilin e gënjen,
Një sy i luan Mbretit t’Babilonës
Dhe mbretëresh’ e kulla ia rrëmben.

-44-

Për ty bënj be të hedh në det dhe nderin;
Në shkelça fjalën, shkelmin nem dhe vrerin:
Në mos mjaftoftë jeta ime e zezë,
Laj borxhin në të Funtmin Gjyq me Ferrin.

-45-

Sa kohë munt, e Dashur, ngushëllomë,
Nga barr’ e vrerit zemrën lehtësomë;
Se bukuria jote s’rron për jetë;
Shpejt! Nesër zbresim që të dy në Llomë.

-46-

Me buzët gjak, Sirenë, dehm’ e mpimë,
Me dhëmbët e me thonjtë çirm’ e grimë:
Me krah’ e me gërshetë mbytm’ e shtrimë,
Me syt’ e tu të zjarrtë tretm’ e shkrimë!

-47-

Me Bukë sa për shpirt, me Hën’ e Zanë,
Me Ver’ e Harp’ e Vjersha dhe ty pranë
Në Pjergull të Gërmadhës jam m’i lumtur
Se në pallat a fron një qint Sulltanë.

-48-

“Sa bukur të jesh Mbret!” disa mejtojnë;
“Sa ëmbël në Parajsë!” ca besojnë:
Ah, merr paran’ e that e ler kusurin,
Daullet, pompat lark le të gjëmojnë.

-49-

Në botë kotësira mos lakmo
Të mirat e të ligat ia harro:
Kthjelloje zemrën si ky Qiell i kaltër,
Si Yll më ndrit, si Diell perëndo.

-50-

Shpirti për ku m’u bë prej Perëndie?
Për Qiell a Ferr? S’e di, po veresie
S’lë gas të saktë, Ver’ e Vajz’ e Këngë,
Për profka, ëndrra, prralla shenjtërie.

-51-

Sa save që për Dhenë bëjnë rragë
Dhe save që për Qiell hedhin flagë,
Nga Kull’ e Natës Korbi u bërtet:
“Të çmëndur! S’ka as lart as poshtë çpagë!”

-52-

Me vajzën në prënver’ e në lëndinë
Me këngën, me Llautën, me Dollinë
Dëfrenj: le të më shajnë; s’më ha malli!
Këtu e gjej Parajsën, Perëndinë.

-53-

Me Ver’ e Valle, me Huri – në pastë,
Te vija në lëndin’ u shtri – në pastë,
Dhe humbi fare Ferr’i zi – në pastë,
Dhe ja, Parajsa na u gdhi – në pastë.

-54-

Një kupë Verë, mor Saki – ta puth!
Vajzën e bukur si selvi – ta puth!
Atë gërshet si lak të zi ku kapet
I urti plak e djal’i ri – ta puth!

-55-

Nem kupën dhe këndo një melodi,
Me Engjëj dhe Bilbilë simfoni:
Se Vera qesh, këndon, kur rrjeth nga shishja
Dhe s’duhet pirë veç me brohori.

-56-

Me gjithë Trëndafijt’ Irami u shua,
Qelqi magjik Xhamshid u çduk në prrua,
Po prapë Vreshta Rrush rubin na nxjerr
Dhe kopshti lulëzon ku rrjeth një krua.

-57-

Shih, mijëra burbuqe lulëzojnë
Dhe erët mijëra përdhe rrëzojnë;
Dhe ditët që na sjellin Trëndafilin
Xhamshid e Kaj-Kobad na i çkallmojnë.

-58-

Po eni me Khajamin dhe ia shtroni
Dhe Kaj-Kobad e Kas-Khosrò harroni:
Rustemi le t’ju ftonjë në kushtrim
E Taji në zijefet, mos i dëgjoni.

-59-

Eja, mbush Kupën e në zjarr gëzimi
Vërvit çdo vrer e helm të zi pendimi:
Se Shkab’ e Kohës Jetën na shkurton,
Dhe shih se sa shpejton nga fluturimi.

-60-

E Dashur, mbushma Kupën që kthjellon
Të sotmen nga vreri q’ikën, tmerr q’afron:
Po nesër? nesër nofta fryra, humba
Në shqotën ku e djeshmja fluturon.

-61-

Na fryri dita, mor Saki: sill Verë!
Jetën s’e shohim përsëri: sill Verë!
Bota një her’ u mbyt në kataklizmë,
Ashtu u mbytshim me Dolli: sill Verë!

-62-

U bëra prapë djal’ i ri: sill Verë!
Kërcej me flag’ e lumëri: sill Verë!
S’ka gjë, në qoft’ e hidhur, mor Saki,
Si jeta ime në Persi: sill Verë!

-63-

Sakinjtë derdhin Ver’ e vala rrushi,
Në zemrat shuajn’ afsh’ e avull prushi:
Lavdi, o Zot, se dhe këtë ballsam
Që na shëroi e me shëndet na mbushi.

-64-

Si merimanga vallë pse ta tjerim
Perin e Jetës, kur pastaj e çtjerim?
C’do të fitojmë kur aspak s’e dimë
Frymën që marrim jasht’ a do ta nxjerrim?

-65-

Në Nishapur ose në Babilon,
Me Kupën që tharton e ëmbëlson,
Fletët e Jetës një nga një na bien
Dhe lëngu i saj pa reshtur na pikon.

-66-

Ah, mbushni Kupat! Zemra na thërret,
Se Koha nëpër këmbë po na shket:
E djeshmja vdiq, e nesërmja s’na gjen;
Ç’mërziti kur e sotmja ka lezet?

-67-

Ditën e shkuar fare e harro
Dhe për të nesërmen mos u çkallmo:
Gëzo një çast të lumtur, faqebardhë,
Dhe Jetën n’erë mos e çkatërro.

-68-

Për nesër mos u verdh sa pa e parë,
Të sotmen e gëzo, mor djal’ i mbarë:
Shpejt ikim nga ky Han e hasim shokët
Që shkuan shtatë mijë vjet më parë.

-69-

Me Buzët trëndafilen shtatselvi
Këndo e nat’ e ditë zbras Dolli:
Se nesër Vdekja fryn, të çthurr si lule
Dhe fletët t’i përmbjell në Dhe të zi.

-70-

Të shkuarat mos i kujto me lot
Dhe për të pritmet mos u loth më kot:
Sa kohë në luadhin je, kullot;
Nga drapr’ i Vdekjes nukë shpëton dot.

-71-

Buza që puth e Vera që po pi
Vërtet mbarojnë dhe ato si hi:
Po sot të paktën je një hi i gjallë,
Gëzohu sa s’kalon në Hiç të zi.

-72-

Sa kohë po vazhdon kjo Jet’ e ngratë
Për qafe kape Qiparisn’ e gjatë.
Se nesër Mëmë-Dheu do t’të kapë
Dhe posa të pushtoi s’të lëshon prapë.

-73-

Sa nga të dashurit mbi këtë bar
Që m’emëruan për trashëgimtar
I zbraznë Kupat rrotull nja dy herë
Dhe heshtn’ e zbritnë një nga një në varr.

-74-

Më shkuan shokët! Vdekja pa mëshirë
M’i shtrydhi një nga një si Rrush në Tirë:
Festuam, pim’ e biseduam bashkë,
Pastaj u shtrin’ e thanë: “Lamtumirë!”

-75-

Dhe ne, që sot dëfrejmë në lëndinë,
Ku pleqtë na bekuan me Dollinë,
Dhe ne në shtrat të dheut do të zbresim
Dhe do ta zbrazim vendin për risinë.

-76-

Si lot pikon nga Qiell’i mvrojtur shiu
Sis’ i jep lules si një çilimiu;
Nga varri bukën ia mëkon njeriu:
Bga pluhr’i tij kjo lul’e bukur mbiu.

-77-

M’i kuqi Trëndafil i çdo behari
Nga toka mbin që piu gjak Qesari:
Në gji të kopshtit manushaqja shket
Prej faqes Vajzës me ulli nga Varri.

-78-

Dhe kjo lëndin’ e njomë që po çel
Bregun e lumit ku tani po ngel,
Ah, pshtetu leht’ e but’ e mos e shkel,
Se s’di nga cila buz’ e bukur del.

-79-

Ah, Trëndafili me prënverën shkon
Vjeshta risisë fletët ia rrëzon:
Bilbili, që në degët i këndon,
Ikën – e kush e di ku fluturon?

-80-

Ah, pini dhe Khajamit shtjerini!
Profetët le të flasin, lërini!
Një gjë ësht’ e vërtetë: Lulja vdes,
Si lulëzon, – dhe profkat prejini!

-81-

Çdo shpresë që me flagë na përfshin
Shuhet e bëhet hi; a shkrepëtin
Mbi kum të shkretëtirës si dëbora
Një or’ a dy – dhe menjëherë shkrin.

-82-

Në Dhe, o shpirt, të mirat si për Mbret
Dhe gazet e dëfrimet plot lezet
S’të janë veç si ves’ e lulevet,
Që ndrit menatë dhe pastaj humbet.

-83-

Edhe ay që mbleth e shin flori
Edhe ay q’e heth, e derth si shi,
Kur vdesin nukë bëhen ar e mjaltë:
Po kalben, myken nënë Dhe të zi.

-84-

Te ky Karvan – Saraj faqekëmbyer,
Që netët edhe ditë ka për dyer,
Sulltanë pas sulltanëve u shtruan
Sa ish’ e thën’ – e iknë të pakthyer.

-85-

Ja, sot gas paske dhe shëndet: pastaj?
Ja, mot të patshim si simvjet: pastaj?
Ja, qofsh i lumtur një qint vjet: pastaj?
Ja, për çudi, dy qint si mbret: pastaj?

-86-

Dhe tre qint vjet të rrosh e plot me dritë,
Këtejza do të shkosh me lot një ditë,
Qofsh Mbret i lart’ a liparak i ngratë
Në trap do të mbarosh pa mot i mpitë.

-87-

S’banojnë veç luanë dhe zhapi
Në sallat ku Xhamshidi u shtri, u pi:
Bahrami, që me lak onagre kapte,
U lak, u kap në llom’ e pellgpusi.

-88-

Kështjella gjer në Qiell një herë ndriti
Dhe Mbretër e Qesarë brënda priti:
Përmbi gërmadha tani qyqja qan:
“Ku vajti, ah! ku? ku, ku zbriti?”

-89-

Nga mur’i Tusit Korbi po vë re
Kafkën e Kaj-Kavusit tej përdhe
Dhe kujës ia kërcet: Kaj, Kral i Ngratë,
Daullet dhe trumbetat ku m’i ke?

-90-

C’fitova nga të gjith’ andrallat? Hiç!
Dhe nga mundimet e vërdallat? Hiç!
Sa para bën se sot jam Yll e Dritë
Kur shuhem nesër, shkonj me prrallat? Hiç!

-91-

Aristotel ndriçofsh, ngrysesh e hump!
Qesar çdo fron zaptofsh, përmbysesh, hump!
Qelqin Xhamshid kungofsh, thyhesh e hump!
Bahram u lavdërofsh, mbytesh e hump!

-92-

Ah, Rrot’ e Qiellit vrasëse, mizore,
Sa shtyp e shtrydh në Tirën shekullore:
Ah, Dhe i Zi, në gji sa xhevahire,
Përpin, e sa dafina prej kurore!

-93-

Ah, Zot, që botën me një urdhër themelove,
Sa e sa zemra copëtove e shove:
Ç’burbuqe buzëkuqe, flokëzeza,
Pa lulëzuar në qivur m’i shtrove!

-94-

O Racë Njerëzore e verbuar,
O Hiç, mbi Er’ e Pluhër e ndërtuar,
O Hiç, e korkolitur mbi Avushën,
Përball’ e pas prej Hiçit e rrethuar!

-95-

Apo mos e harruat Historinë
Që Botës i dha Dritën, Diturinë,
Se Zoti me ca Llom’ e Baltovinë
Sipas fytyrës s’Tij gatoi Njerinë?

-96-

Krijesa zbardhëlloi, Parajsa leu,
E para krijatyrë del nga Dheu:
Po pak qëndroj! Një drapër Vdekja kreu,
Adamn’ e shkret e korri, e rrëmbeu.

-97-

Si en’ e bën me mend e thellësi,
Kuror’ i thur me nder e me lavdi:
Pastaj Poçari Kryeveprën kap
Dhe e dërmon përtokë, e bën hi.

-98-

Pse pra mërziti për mjerim’ e zinë?
Kështu e bëri Zoti Njerëzinë:
Krijesa llome, mbrujtur vrer e helm,
Vajtojnë pak e çduken në Greminë.

-99-

Njeri, Margaritari i Krijesës,
Q’u shove nga tortyrat e Jetesës,
Pi Kupën e harrimit e të prehjes,
Çkulu nga pellgu i frikës dhe i shpresës.

-100-

Përunjiu Fatit tiranik e vrer,
Pi Verë, mos përfill Parajs’ e Ferr:
Linde nga Pluhuri, në Pluhrin kthehesh,
Sa je mbi Pluhër, lagu, mos u ter.

-101-

Ah, kap e kap çdo gas e çdo dëfrim
Në Pluhër sa pa zbritur për pushim,
Pluhër në Pluhër, nënë Pluhrin shtrirë,
Pa Ver’ e Këng’ e Grua – pa mbarim!

-102-

Pi, pi sa kohë ligjëron Bilbili,
Puth, puth sa ësht’ i çelur Trëndafili,
Dhe Kupën plot shafran pa drithm’ e zbras
Kur të ta japë natën Xhebraili.

-103-

Një çast nga Pus’i Jetës të ngjërojmë
Dhe para se të vdesim ta gëzojmë:
Se Yjt’ u shuan dhe Karvani u gdhi
N’Agimn’ e Hiçit! – Oh, le të nxitojmë!

-104-

Pra, si Zambaku që me sy përpjetë
Pret vesën gojëhapur lart nga retë,
Ashtu dhe ti, se nesër u përmbyse
Si Kupë bosh me kokën tatëpjetë.

-105-

Kur të gjesh Verë, pije pa mejtuar,
Kur të gjesh Vajzë, puthe pa pushuar,
Se as për mjekrën tënde as për timen
S’kujdeset Zot’i Math i lavdëruar.

-106-

Rrot’ e çkujdesur po vërtit Dynjanë,
Shenjtorët nuk ja shqitnë dot Davanë:
Kij mendjen, nesër vdes, merr ëndrra fund,
Të piu varri, krimbat do t’të hanë.

-107-

Lëviz, Khajam, se Kup’ e Vdekjes vjen,
Se Fati nënë Rrotë të mbërthen:
Pi Lënk, puth Lule! Lart në Qiell s’i gjen!
Se Feja me Parajsën të gënjen.

-108-

Mos u mërzit me punë Perëndie,
As me andrralla e profka Njerëzije:
Mbyti të gjitha në duman të Verës
Dhe loj me Trëndafij e Rrush Hardhie!

-109-

Munxosi Qiejt’ e shurdhër që shkelmuan
Cdo lutje që të mjerët u drejtuan
Dhe kap Dollin’ e përqafo Selvinë:
Kush na u kthye nga ata që shkuan?

-110-

Gjer kur, gjer kur do të përpiqemi,
Me Fe e sherr Sheri të piqemi?
Më mirë lagemi me Lënk prej Rrushi
Se sa me vrer për hiç të ligemi?

-111-

Me mjekrën çdo Tavernë ta kam fshirë,
Parajsës i kam thënë: “Lamtumirë!
E bukur je, po nukë bën për mua!”
Kërkomëni në Vreshtë dhe në Tirë.

-112-

Për Ligjë kam për ditë të dëfrenj,
Për Besë kam çdo Fe ta kapërcenj;
Kur mora nuse Jetën, s’deshi pajë;
Më tha: “Gas patsh, atë pagesë vlenj”.

-113-

E dini, o miq, se në kasollen time
Dasmë të re kam bërë me dëfrime:
Tri her’ e ndava Fen’ e Arësyen
Dhe mora nuse Rrushkën Serafine.

-114-

Për Qënien dhe Mosqënien jam munduar
E Qiell e Dhe kam matur e peshuar:
Po që të gjitha i hodha n’erë! S’jam
I thellë veç në Verën e Kulluar.

-115-

Kur isha i ri, kujtonja se e gjeta
Pallatin ku shkëlqente e Vërteta:
Tani q’u mplaka di që s’dija gjë
E që s’di hiç nga Bota dhe nga Jeta.

-116-

Kur isha i ri, me zell, me mall po milja
Doktorë me Shenjtor’ e trobolitnja
Të thella argumente: po përherë
I marrë hyja dhe m’i marrë dilnja.

-117-

Me ta të Lartën Urtësi e mbolla,
Me dorën tim’e rrita, e pështolla,
Dhe kjo ish tërë pema që m’u fal:
“Si ujë zbrita, dhe si erë dolla!”

-118-

Në Botë, dhe pa ditur as përse
As nga, po rrjedh pa dashur si rrëke,
Dhe jashtë saj si er’ e shkretëtirës,
Pa ditur ku, po frynj te Nat’ e Re.

-119-

Si zok nga pylli sterr’ u arratisa,
Për një fole në ferr’ e driz’ u grisa:
Po prinjës që di Udhën gjëkunt s’gjeta,
Nga dera q’u vërsula jashtë krisa.

-120-

Me Ujë hiçi Balta m’u gatua,
Zemra me zjarr e vrer m’u përvëlua:
Fryra në Botë si një flag’ e marrë
Dhe shkrumbi im në tym u çkatërrua.

-121-

Ç’fitoi me ardhjen time Gjithësia?
Me ikjen a m’i prishet Bukuria?
Përse me kaqë lot po vijm’ e ikim?
Pyes më kot, – s’përgjigjet Perëndia.

-122-

Kur shoh një faqelule bukuri
Syengjëll, erëmyshk, e shtatselvi,
Pyes: Pse, Zot, këtë Huri e çove
Në këtë fushë plot me lot e zi?

-123-

Si flagë digjemi: Ku shuhemi?
Si tym vërtitemi: Ku turremi?
Si fishkemi e shtrydhemi, kufoma
Në Llomë kllitemi: Ku mbruhemi?

-124-

Të kthjellët lindim dhe të mvrojtur vdesim,
Me gas ia nisim dhe me vaj ia presim:
Me lot e zjarr e vrer të përvëluar
Në tym shpirt japim e në Varr po zbresim.

-125-

Këtu që nga padashur po kërcasim
Dhe që këtej pa dashur ku po shkasim?
Kupë mbi Kupë Verë sillnani
Këtë mallkim ta mbytim e ta vrasim.

-126-

Në Botë s’ndisnja, po s’më ke pyetur!
Në varr s’kërcisnja, po s’më ke pyetur!
Zot, më zvarrise me pahir, se s’lintja
As rronja as vdisnja, po s’më ke pyetur!

-127-

Në Vijën që përshkruanj në Jetim
S’gjenj Pikënisje, s’gjenj Pikëmbarim:
Nga arthmë s’pamë dhe ku vemi s’dimë,
Hiç krej, Hiç mezi, Hiçi përfundim.

-128-

Një Qark, si un’ e ti, po përvijojmë,
Që jemi lark e s’piqemi vajtojmë:
Po në një Pikë po e mbyllim Qarkun
Dhe puthemi në Varr, në hiç pushojmë.

-129-

Nga qëndr’ e Dheut në Qiell të Shtat’ u ngjita
Në fronin e Saturnit u avita
Dhe shume lithma e kolla zgjidha udhës
Po Fatin e Njeriut nuk e shqita.

-130-

Një derë ka që Çelësin s’ia gjejmë
Dhe ka një Vel, me sy s’e kapërcejmë:
Pak muhabet këtu, jo ti, jo unë,
Pastaj dhe un’ e ti në tym kërcejmë.

-131-

S’përgjigjet Dheu as Deti që mban zi
Me vala t’errëta për Perëndi,
As Dit’ as Nat’ as Hën’ as Yjt’ as Qielli,
S’përgjigjemi e heshtim un’ e ti.

-132-

Dhe Qiellit rrotullonjës i thërrita
Dhe e pyeta: “Cila është Drita
Për djemt’ e tu të humbur n’errësirë?”
“Një mendje e verbër!” tha një zë nga prita.

-133-

Ahere Poçen po rrëmbenj si burrë
Dhe Zjarr e Shenjt’ e gjenj në këtë furrë;
Ajo më pëshpëriti buzabuzës:
“Pi, puth, se posa vdiqe, s’ngrihesh kurrë!”

-134-

Dhe Poçja e skalisur dhe e larë
Ka rrojtur e ka bërë qef me barrë:
Dhe buz’ e saj e ftohtë dhe e njomë
Sa puthje mund të japë dhe të marrë!

-135-

Kjo Poçe, si dhe unë, qe njeri
Q’u doq për një Gërshet e një Selvi:
Kjo dorëz ishte krah; e përqafonte
Vajzën e rrallë plot me Dashuri.

-136-

Një ditë, më të ngrysur në pazar
Një poçe po artonte një Poçar;
Dhe poçja gjuhëmpirë murmuriti:
“Ngadalë, vlla, e mos mer aqë zjarr!”

-137-

Punonte në dyqan të tij Poçari,
Një Poçe po artonte nga pazari:
Lëfyti ish një kok’ e një Qezari
Dhe dorëza nga dor’ e një lipsari!

-138-

Dëndroje dorën, mor Poçar mizor,
Që garbe bën me trupin njerëzor:
Shiko, Khosroit me çark ia shtype zemrën,
Dhe gishtin Feridunit mbretëror.

-139-

Njëndizaj në qoshen jam penguar
Dhe ah! e theva Poçen e bekuar;
Më tha: “Si je, kam qenë; dhe si jam,
Ashtu dhe ti je nesër i dërrmuar”.

-140-

Dhe mos kujto se Jeta rregullon
Hesapin tënt e timin dhe mbaron;
Flluska si ne ka Dete miriade,
Saki – Vigani derdh e s’nëmëron.

-141-

Kur un’ e ti të prehemi të mekur
Do të vazhdonjë Bota e pavdekur,
Që ardhjen ton’ e ikjen i përfill
Si val’ e detit rërën e përpjekur.

-142-

Pas nesh kjo Botë tutje shkon një soj,
Dhe ty dhe mua na harron një soj:
S’e vuri re që diç mungon, kur s’ishim,
Kur vdesim, s’ndrron e s’ngel, vazhdon një soj.

-143-

Mi Dhe e nënë Dhe gjum’ i paprerë,
Mi Dhe e nënë Dhe trupa të nderë;
Ah, Hiç kudo, e shkretëtir’ e Hiçit!
Si hije vijm’ e shkojmë në Skëterrë.

-144-

Dhe kur më kot mbi Tokën e pakapur
Apo mbi Qiell, mbi derën e pahapur,
Sheh sot kur ti je ti, po nesër ç’bën
Kur s’je më ti, po hi në Hiç përhapur?

-145-

Do t’ikim doemos! Përse pra rrojmë
Dhe shpirtin me dëshira kot mundojmë?
Mbi Dhe pa punë kur na arratisi
Në Qiell shpëtim prej Tij si të shpresojmë?

-146-

Çudi, asnjë i vdekur s’dha një shenjë,
Asnjë s’u kthye Udhën të rrëfenjë
Për Ferrin, për Parajsën a për Hiçin,
Po vet’ u dashka cilido t’a gjenjë!

-147-

I varfëri nga mendja po beson
Që Shpirti krejt nga Trupi po ndryshon:
Po Vera e përgënjeshtron e para,
Se Shpirt e Trup në Dehje i bashkon.

-148-

Kur Shpirti muntka veten ta çlironjë
Nga Trupi dhe në Qiell të fluturonjë,
Nuk është trup e turp që Baltovina
Ta ndyj’ e ta burgos’ e ta verbojë?

-149-

Si në një çergë ku pushon një grimë
Sulltani i drejtuar në Greminë:
Sulltani ngrihet, ikën, tenda çthurret
E thurret përsëri për më të rinë.

-150-

Shpirt, i dënuar gjak për të pështyrë,
Për të duruar kot e kot tortyrë,
Në këtë Trup të ndyrë pse ke hyrë
Kur prapë jashtë paske për të fryrë?

-151-

Dërgova Shpirtin lart në Qiell mbi retë
Dhe n’Errësirën posht’ e tatëpjetë:
M’u kthye pasi e zbuloi Mysterin;
Më tha kështu: “Parajs e Ferr jam vetë”.

-152-

Qiell. vizion dëshire të mbaruar,
Ferr, hij’e zez’ e Shpirtit përvëluar,
E hedhur n’Errësirën nga po dalim
Dhe ku po zbresim për të perënduar!

-153-

Kjo botë: Endrr’ e shkurtër që shikojmë;
Ky lumë; Gjyrm’ e lotit që lëshojmë;
Ferri: Shkëndij’ e zjarrit që kalojmë;
Parajsa: çast’i prehjes që gëzojmë.

-154-

Shenjtorët dhe Doktorët, që bërtitnë
Më kot për të dy Botët, u vërvitnë
Në Pluhur: fjalët ua mori era,
Me Baltën e me Llomën u nemitnë.

-155-

Zbulimet, që Profetët na zbërthyen
Dhe për këto mbi Kryqe u mbërthyen,
S’janë veç ëndërra që na rrëfyen
Pas gjumit – dhe pastaj në gjum’ u kthyen.

-156-

Arrinë gjer në kulm të Diturisë,
I ndrinë si pishtarë Njerëzisë:
Po n’Errësirën Udhë s’çanë dot,
U mbytnë nëpër gropa t’arratisë.

-157-

Mysterin sa e sa më kot po tarrë
Gjer sot asnjë përgjigje s’kanë marrë;
Ç’gojë memece, Evë, puthe vallë
Që na ke bërë shurdhër e të marrë?

-158-

Një Vel Mysteri kemi për kufi,
Ta çpojë syri ynë s’ka fuqi:
Në gjoks të Dheut jemi si në burg;
Ajme! Sa e gjat’ e hidhur histori!

-159-

Nga Qielli e Vërteta nukë zbret,
Me Dij’e Shkencë Udha nuk iu gjet:
Se Udhë s’ka, se s’na e kap dot truri
Dhe syri ynë gjurmën e humbet.

-160-

C’e shtyri këtë Qiell të rrotullonjë
Dhe ç’dorë më në fund do ta dërrmonjë
S’gjendet në Botë kurrë kut ta masë,
S’gjendet asnjë kandar që ta peshonjë.

-161-

Natyra ësht’ e mbetet një çudi,
Enigmat nuk ia zgjidh dot asnjeri:
Askush s’del dot nga qarku i forcës s’tij,
Dhe mbetet mjeshtri plak çirak i ri.

-162-

Qarkove tërë Tokën? S’është hiç!
Gërmove tërë Botën? S’është hiç!
Thellove dokrra Feje, kokrra Shkënce,
Ia çmove Fatit Rrotën? S’është hiç!

-163-

Në Hapësirën Dheu: koqe kumi!
Dija dhe Shkënca jonë: fjalë lumi!
Njeriu, kafshët, lulet: flluska brumi!
Jeta dhe lufta jonë: ëndrra gjumi!

-164-

Kjo Botë me shkëlqime s’është hiç!
Ky Qiell me Serafime s’është hiç!
Ky fron i Jetës plot me ëndërrime
Na varret mbi një qime, s’është hiç!

-165-

Nga Rrot’ e Fat e Zot s’kuptova hiç
Dhe veç dyshimeve s’fitova hiç:
Për Dijen shtatëdhjetë vjet luftova,
Më kot i humba, nuk zbulova hiç!


-166-

Të paskan parë ca të shenjtëruar
Kur unë me qiri të kam kërkuar:
Bëj ç’mund, po je dhe mbetesh i mbuluar:
S’të gjej gjëkunt: më ndje, Zot i Bekuar!

-167-

Ah, këtë copë rrojtje mos e nxi
Rrotull Mysterit – shpejt, mor djal’ i ri:
Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta
Dhe përmi çë, të lutem, varesh ti?

-168-

Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta
Dhe Çelës një Elif të vetëm gjeta:
Gjeje dhe ti, si un’ i verbëri –
Dhe ndofta shkojmë drejt te Vetë Jeta.

-169-

Rrjeth tinës në çdo dell, në çdo krijesë,
Dhe shkel si hidrargjir nga çdo kërkesë:
Cdo formë merr; të gjitha format shuhen,
Ay s’po vdes – S’ka funt e s’ka mbaresë!

-170-

Posa e devinojm’ e na shpëton
Prapa kurtinës ku dramatizon
Të vjetrën lodër të përjetëshme,
Që vet’ e vepëron, Vet’ e shikon.

-171-

Gazmorët që me Kupën po festojnë,
Shenjtorët që Xhamive vigjëllojnë
Në Det humbasin pa liman, pa funt;
Një rron e s’fle, të tjerët flen’ e shkojnë.

-172-

Me mall e tërë bota e kërkon,
As kamës as i varfër s’e zbulon:
Bërtet, po vesh’i shurdhër s’e dëgjon,
Shkëndrit, po syr’i verbër s’e shikon.

-173-

Qan pika: “Ah! Sa lark nga Deti jam!”
Dhe Det’i jetës qesh: “Më kot po qan;
Se tok të gjithë jemi Perëndia;
Një qime vetëm, Koha, po, na ndan.

-174-

Parad’ e zbrazët, ëndërr është Bota,
Dhe s’gjëndet nga e qysh i kthehet Rrota:
Me Dehje dhe me Gas i zbukurohen
Illuzionet, gjepurat e kota.

-175-

Nga vallë lint kjo Fantazmagori?
S’tregohet dot, e vetëm kaqë di:
Ngrihet si re nga Det’i Gjithësisë,
Kthehet si shi në Detin pa kufi.

-176-

Se lart e posht’ e rreth sa po shikojmë,
Të gjitha një fener magjik formojnë
Me Diellin si një qiri në mest
Dhe ne përqark fantazma vijm’ e shkojmë.

-177-

Jemi një lodër shah me net’ e dit’
Ku Fati njerëzit si gur’ i qit:
Andejkëtej i lot, i vret’ i ther
Dhe një nga një t’i hodhi në kutit.

-178-

Dhe topthi as për po as jo s’pyet,
Po fluturon për ku Lodrari e nget:
Ay q’e heth në lëm’ e di përse –
Ay e di – Ay e di vërtet.

-179-

E Madhja Dorë shkruan me shkëndijë,
Dhe fletën ktheu: dhe asnjë fjal’ e vijë
Nuk ësht’ e mundur kurrë që të shuhet
Me lotë a me lutje a me dijë.

-180-

Doktorët, fillosofët le të flasin,
Nga thonjt’ e Fatit nukë do të shkasin;
S’jemi veç hallka në Zinxhir e s’mundim
As t’ikim, as ta thyejm’, as ta ngasim.

-181-

Dhe ky çetur përmbys, ky Qiell i vrarë
Ku të burgosur rrojm’ e vdesim zvarrë:
Mos i kërkoni ndihm’ e sypërpjetë,
Se rop si ju vërtitet, mor të marrë!

-182-

Njeriu i funtm’ u mbrujt nga Balt’ e Parë,
Të korrët sot del nga e Para Farë:
Mëngjesi i parë i Krijesës shkroi
E funtmja ditë ç’gjë ka për të parë.

-183-

Qëkurse Gjithësia u krijua
Dhe Qielli me gjith’ Yj kur u gatua,
Një kopsht për Trupn’ e Shpirtin m’u caktua,
Ashtu sikundër u predestinua.

-184-

Çdo dell m’u tor prej Zotit me Hardhi;
Ah! le të llomotit ay Sufi:
Un’ e kam gjetur Çelësin për Derën
Ku leh ay me buj’ e patërdi!

-185-

Ç’m’u dirse e ç’m’u thave si skeleti
Për Pus Mysteri e Labyrinth Kësmeti!
Në dorën tënde s’mbeti pllan i Botës;
Allahu, kur e bëri, s’na pyeti.

-186-

Ç’kërkon të gjesh nga rrodhi Bota?
Gëzo të sotmen, let belat’ e kota:
C’më qahesh? Zaret s’munt t’i loç
Veç se ashtu si t’i ka hedhur Rrota.

-187-

Kur vete mirë, lavdi pastë Zoti!
Kur vete keq, më kot po derdhet loti:
S’pyetesh as për gaz as për vajtim;
Durim! – Kështu i Urti tha qëmoti.

-188-

Ka vetëm për të marrët lumëri,
Për t’Urtët s’ka veç vrer e qesëndi,
Pi Verën pra, e cila të marton
Me motrat Lumëri e Çmendëri.

-189-

Shigjetat m’i pusho, o Fat, aman!
Për plagët e miplagët nem derman!
Posa të marrë mpron, Baba, tamam,
Jam fjesht Yt bir, i urt’ i mënçur s’jam.

-190-

Dinaku Fat po buzëqesh, kij mendjen!
Se befas me kamçik ta ngjesh, kij mendjen!
Helm si sheqer të kllet në gojë shpesh,
Mos e gëlltit, të vret rrebesh, kij mendjen!

-191-

Jetesa rregullisht pas Urtësisë
S’i ësht’ e mundur kurrë Njerëzisë:
Se Zoti Fat me një kamçik në dorë
Na prin nëpër hendeket t’arratisë.

-192-

Muzikën Qiellit nuk ia kam dëgjuar,
Buzën e qeshur nuk ia kam shikuar:
Pa marrë frym’ i lumtur për një çast
N’ Avushën prapë më ka qerthulluar.

-193-

Me vrer për ditë Fati po na ndes,
S’jep gas që s’na e vjeth me interes:
Ta dinte i palinduri s’na lintte,
I linduri më mirë bën kur vdes.

-194-

Pa prerë më ndjek këmba-këmbës nëma
Me lot vjen dita dhe pa prehje mbrëma:
Ta dinte ç’flamur helmi kish në bark,
S’më nxirte në mejdan askurrë mëma.

-195-

Dritën ma nxive, Zot, zemrën ma theve,
Gazin ma çore, shpresën ma rrëmbeve,
Ujën që pi ma bëre vrer dhe erën
Që respironj në zjarr ma ktheve.

-196-

Khajam, që Tendën e Mësimit rrite,
Në Furrën e Greminës ja ku zbrite;
Ta pret gërshër’ e Vdekjes pen’ e Jetës,
Nga thonjt’ e Fatit me tërbim u shqite.

-197-

U çqepa e u rropa, Zot, shëromë!
Nga Rrot e Kryq u ngopa, Zot, shpëtomë!
Një her’ e mir’ e tok, jo copra-copra,
Si top me vrap te gropa sot shkelmomë!

-198-

O Zot, më mirë shuaj nga tefteri
Shpirtin e një të ziu e të mjeri
Sa sa ta rritësh pikë-pikë prruan
Ku rrjedhin njerëzit si vala vreri.

-199-

Sikur të merrte Engjëll’ i bekuar
Librën, që Fat’ i shkretë më ka shkruar,
Për ta rishkruar, për ta mirësuar
Ose më mirë fare për ta shuar!

-200-

Të gjendej ah! Luadhi i Mëshirës,
Ku t’arratisurit e Shkretëtirës
Të preheshin, dhe qindra vjet pastaj
Të ngjalleshin, si lulet, pas dëshirës.

-201-

Të kisha ah! fuqi prej Perëndie,
I jipnja shkelmin kësaj Gjithësie
Dhe krenja Botë tjatër ku të kishte
Çdo plotësim dëshire dhe lirie.

-201-

Të mirat Botës son’ ia studiova.
Kudo pa vënt, pa hie ia zbulova:
Lavdi me Ty, o Zot! Të paktën unë
Nga çdo e mirë tutje u shkelmova.

-203-

Ah! Vera shkon në derë të myftinjve
Dhe Kryevegla n’arkë t’axhaminjve:
E Bukura e Dheut flë në shtrat
T’eunukëve, në djep të çiliminjve!

-204-

Mos qaj, or mik, mos u mërzit më kot,
Se Rrotën Botës nuk ia ndreqim dot:
Po rri mënjan’ i qet’ e bëj sehir
Shakatë që na bën i Madhi Zot.

-205-

Profetët le të lehin hu mi hu
Për Providenc’ e Perëndi me tru:
Eni, me Poçen shtrojani këtu,
Dhe losni me Atë që lot me ju.

-206-

U dashka që ta lë ballsamn’ e Verës
Nga frik’ e zez’ e vrerit të Skëterrës,
Ah, për shërbet’n e Qiellit që do t’pi
Kur të më thahen koskat prapa ferrës!

-207-

Kurani thotë, Qielli ka Huri
Të bukura dhe Verë me gosti:
Posa pra ësht’ ashtu, o Perëndi,
Stërvitem që këtu e që tani!

-208-

Në qoftë se Parajsa jote s’qas
Veçse ata që lodhen me namas
Dhe s’duan Ver’ e Vajza, pa dyshim
Asnjë njeri s’të hyn n’atë kafaz.

-209-

Parajsa paska Vajza syshkëndija,
Me Ver’ e mjaltë, lum’ e kronj e vija;
Saki, më sill një Kupë shpejt! Më mirë
Në dorë njëja sot se nesër mija.

-210-

Ay që ka në zemër Urtësi
S’lë asnjë çast t’i shkonjë pa dobi;
Po adhuron një Dashuri qiellore,
Dhe Kupën kap me Ver’ e zbras Dolli.

-211-

Të Madhit Moamet i çon selam
Dhe e pyet Imami Omar Khajam:
“O Pejgamber, më thuaj, mor aman,
Pse dhallën bën hallall, Verën haram?

-212-

Përgjigjet Moameti me selam:
“S’më more vesh, Imam Omar Khajam!
Dhalla hallall për lolot, mor aman,
Verën për t’Urtët nuk e bëj haram!”

-213-

Kur pi, disa besnikë plot me Shpresë,
Më thonë: “Vera ësht’ armik i Fesë”,
O burrani, pra, Kupat mbushini
T’ia pimë gjakun qenit të pabesë!

-214-

Posa e bëri Zoti në fillim,
Hardhinë pse m’a thurrni me ndalim?
Thomëni, kur s’e njihni për besim,
Kush e ka vën’ atje këtë mallkim?

-215-

O vlla i mjerë, mos u mbyt në zi,
Se vijës s’Vreshtës bëji Dashuri;
Nga nën’ e ëmbël rrodhi bij’ e keqe,
Po Bija ka më tepër bukuri.

-216-

Vera, vërtet, më doli e pabesë,
Se më largoi prej Zotit e prej Fesë,
Po fajn’ e ka Sakiu: S’ia di vlerën;
Kur t’ia mësonjë, nukë do t’ma shesë.

-217-

Dëfrimet që kam dashur më verbuan,
Në sy të Botës krejt më turpëruan;
Ma mbytnë nderin në një Qelq të lik
Dhe namin për një metalik ma shuan.

-218-

Dhe shpesh kam bërë be që të pendohem;
Po a jam esëll vallë kur betohem?
Se, posa shoh Hardhi e Trëndafil,
Pendohem për pendimin që zotohem.

-219-

Pjaniku nukë shpëton dot nga Vera.
Faqia iu nxi, ia mori namin era:
Saki, më sill ca Verë! Cip’ e çjerrur
Më s’qepet dot, as zbardhet dot Skëterra.

-220-

Pa Verë, këtë Jetë nuk e rronj dot,
Pa kupë barrën, vrerin s’ia duronj dot;
Jam mirë vetëm n’atë çast kur shokët
“Dhe njëzë!” thon’ – e unë s’mëkatonj dot.

-221-

Kur s’pi, jam krejt i fishkur dhe i tharë,
Kur dehem, mbytem, bëhem pus i vrarë;
Kërkonj pra mezin, Jetën çakërqef:
As that’ as qull, po lagur leht’ e larë.

-222-

Me Poçen n’sqetull, me Kuran në bres,
Kur drejt, kur shtrëmbër, kur për djall bares;
Ajme! S’kam Din e s’kam Iman e s’jam
As i Krishter’ as Mysliman as Putperes.

-223-

As Kisha, as Xhamia nuk më nxe,
Allahu më gatoi s’di me ç’hile;
Si grua pa lezet, Dervish pa Fe,
Në Qiell pa shpresë, dhe pa shtek mbi Dhe.

-224-

Besnikëve në Kisha dhe Xhamia
U çthurret zemr’ e shpirt më çqetësira;
Po sa Sekretin e natyrës studiuan
S’i trëmp dot Qiell e Ferr me kotësira

-225-

Shpesh shpirti sulet nga kafazi t’ikë,
Nga Lloma në Liri pa fre, pa frikë;
Po thik’ e Sheriatit ia pret krahët
Dhe e çalon, e ngrin, e mpin si pikë.

-226-

Xhami e Kish’ e Tempull: robëri!
Këmban’ e Minare: një patërdi!
Dervish e Prift e Hoxh’ e Kryq e Hënë:
Pengime që të gjitha për Liri.

-227-

Në Labyrinth të Besëve kërkova,
Me Porosi e Dogma u qarkova;
Po u gënjeva; s’gjeta lule fare
Dhe vetëm driza t’egëra zbulova.

-228-

Fe kundër Fesh pa funt luftojnë,
Rrobat e çjerra gjithënjë arrnojnë;
I hodha që të gjitha tej e tutje,
Se Perëndinë s’e përfaqësojnë.

-229-

“Allahu ësht’ i math!” çirren, këlthasin,
Nga gjëm’ e tyre tunden e kërcasin
Për ditë pesë herë Minaretë:
Ay s’dëgjon. Vajtimet kot buçasin.

-230-

Disa bërtasin Dogma dhe Besime,
Të tjerë çfryjnë dokrra dhe mohime:
Po kujve u zbulohet e Vërteta?
Askujt! S’qas pran’ as mu’ as ty kjo Trime.

-231-

Si, qysh! Nga Hiçi i vdekur të na marrë
E të na japë Shpirt e të na varë
Zgjedhë mbi zverk për gazin e ndaluar
Me zjarr e Ferr pa fund për çdo të shkarë?

-232-

Si, qysh! Nga krijatyra të kërkonjë
Flori për Baltën e të na gjykonjë
Për borxhe që s’ia detyrojm’ aspak
E që s’ia lajmë dot! – O Djell, o Shkronjë!

-233-

Nga tmerr’i Perëndis’ e me pahir
Padrejtësinë nuk e quanj Hir;
Sepse kur s’thom të Drejtën me çekan
S’qas dot në buzë Qelqin Xhevahir.

-234-

Adamin nga Parajsa pse, o Zot,
E dbove kur na je mëshirëplot?
Për mëkatarët është Hiri Hir;
S’ke Hir kur na e jep me djers’ e lot.

-235-

Mëshirë! Mbytem në mëkat, në llomë,
Shpirti m’u err, o Perëndi, ndriçomë;
Jo si çpërblim për vepra që s’bënj dot,
Po darovisht Parajsë, Hir dhuromë.

-236-

Ti hiqma Udhën, ti shpëtim rrëfemë
Ti çilma Derën, Zot, dhe përdëllemë:
Ata që flasin n’emrin tënt gënjejnë;
Nga thonjt’ e tyre, Perëndi, zbërthemë!

-237-

Vetëm fajtorët, ne, kemi besim
Që mirësia jote s’ka mbarim;
Me një pendim, kush nuk e bën të keqen
Dhe kush e bën s’të kan’ asnjë ndryshim.

-238-

Embël gjykon në Qiell Mëshir’ e gjërë,
Po s’më pëlqen kjo Drejtësi me vërë;
E mira e pabërë s’ësht’ e bërë
E keq’ e bërë nuk ësht’ e pabërë.

-239-

Që ke Mëshirë në Kuran e pashë
Dhe kurrë një mëkat pa bërë s’lashë:
Më thua se më ndih në të këqia;
“Më keq se un’ a ka?” o Zot, të thashë.

-240-

Të mirat një nga një m’i nëmëro,
Të ligat togje-togje m’i spastro:
Ashtu më bëre dhe ashtu të dolla,
Mëshirë pra dhe Drejtësi trego.

-241-

Khajami vark’ e fajeve e shtoi
Dhe egjërën nga shpirti s’e qëroi:
Po s’dëshpërohet sa për Hir Qiellor,
Se Njënë kurrë Dy s’e nëmëroi.

-242-

Kundër së keqes shpirti më lëfton,
Me turp e vrer mëkatet m’i kujton:
Kam shpresë se m’i fal Mëshira jote,
Po prapë turpi mbetet e s’pushon.

-243-

Mëshirë lyp për shpirtin e burgosur
Mëshirë lyp për gjoksin e brengosur:
Fal dorën që Gërshetet përkëdhel
Fal buzën që puth Qelqin e Xhindosur.

-244-

A mundin farisjanët zemërngrirë
Për ty të bisedojn’ e për Mëshirë?
Na djek në Ferr me zjarr, o Zot, na thënke!
Gjetkë m’i shit ato! Të njoh më mirë!

-245-

Derën e Shpresës e kam mbyllur vetë,
S’dua të shoh njeri e rronj i shkretë:
Një Ndihmës vetëm kam, Ay e di,
Ay e di ç’kam vojtur nga kjo Jetë.

-246-

Me bindjen Mbretërin’ un’ a ta rrit?
Me fajet Madhështin’ a ta çukit?
Mos më punit, po falm’ – o Zot – se the
Q’i fal mëkatet shpejt – von’ i punit.

-247-

Me gryk’ e zemër’ – o Zot – kur më krijove
Dhe Ver’ e Vajza ballazi më shtrove,
E dije pa dyshim që do t’u sulem:
S’kam faj! Kam bër’ ashtu si e caktove!

-248-

Fytyrën Vajzës ia stolis me gas,
Me Lule, Hën’ e Diell ma përqas.
Pastaj më porosit të mos e ngas!
Tamam: përmbys Dollin’ e mos e zbras!

-249-

Me baltë më gatove: ç’faj të kam?
Me lesh e li m’arnove: ç’faj të kam?
Mi ballë dhe të Mirën dhe të Ligën,
Me urtësi m’i shkrove: ç’faj të kam?

-250-

Me Llomë, dhe me Pluhër kur na kreve
Të Mirën dhe të Ligën na përzjeve:
S’fëjejmë dot pa dijën tënd’e lejen;
Qysh nesër pra na ndjek në Ferr të Feve?

-251-

Kur t’erren Tok’ e Qiell nga Kijameti
Dhe të përmbyset Bota nga tërmeti,
E kap për rrobe Zotin e i thom:
“S’të kemi faj! S’na dbon dot nga Xheneti!”

-252-

Vullnet përveç Vullnetit t’tij s’të ka,
Për vepërim Ay liri s’më la,
Si deshi Vetë, çdo gjë ësht’ e bëhet:
Kundër s’i vete dot, – a bën shaka.

-253-

Më la të verbër e më vuri trap
Në Labyrinth të Jetës në çdo çap:
Më shtyn të bie brenda dhe pastaj
Si mëkatar e si rebel më kap!

-254-

Rebel t’u sulkam, pse s’më shtyp për dhe?
Në sterr’ u ngulkam, Dritë pse s’më dhe?
Parajsën si një rrogë kur e çkulkam,
Mëshirën, Mirësinë ku m’i ke?

-255-

O Ti, që me pusi dhe gracka thure
Greminën e përlotur ku na prure,
Që me predestinatën na mbërtheve,
Dënime për mëkate qysh na vure?

-256-

O Ti, që njerëzit me Balt’ i tore
Dhe me Parajsë Gjarpërin na nxore,
Për çdo mëkat që faqen po na nxin
Epna e merrna ndjesë njerëzore!

-257-

Më dhe të mjerit mua sqojtësirë
Të mjaftë sa të mbytem n’errësirë:
Po sikur t’ishe Vet – o Zot – njeri,
A do ta deshe këtë tru të mpirë?

-258-

Në nisje dorëhapur, buzëqeshur,
Me forc’ e me shkëlqim më pate ngjeshur:
Tani më çjerr e më përmbys përdhe!
Përse? Ç’të bëra që më le të çveshur?

-259-

Jetën këtej, Vdekjen andej më dhe,
E nesër do t’më shtypësh nënë Dhe:
Veprën e bukur, Zot, përse e prish?
Në qoft’ e keqe, fajin Vet’ e ke.

-260-

Për Vetëdije miriade vjet
Më le në Botë. Si ma jep, ma pret:
Kur dije q’e merr prapë, ç’ma dhurove?
Përse më ngjalle, kur pastaj më vret?

-261-

Zot, pse ma theve Poçen e skalisur?
Zot, pse ma thave Kopshtin e stolisur?
Tani më thuaj, cili ësht’ i dehur:
Un’ apo Ti, që sillesh si i krisur?

-262-

Kush rroi mbi Tok’ e s’mëkatoi? Më thuaj!
Ay që s’mëkatoi a rroi? Më thuaj!
O Zot, kur keq për keq ma kthen një lloj,
Mos qënkemi të dy një soj? Më thuaj!

-263-

Më linde pas dëshirës fuqiplote
Më le të mbytem nëpër llom’ e lote;
Tani tregomë ç’është më e fortë:
Mëkati im, apo Mëshira jote?

-264-

O Zot, barrën e Jetës lehtësoma
Nga syt’ e turmës çdo kusur mbuloma:
Nem paqen sot dhe pas Mëshirës sate
Kësulën, kokën nesër rrotulloma.

-265-

Ti, që sekretet na i di të gjithëve,
Që në shtrëngic’ e zi na ndih të gjithëve,
Prit mbrojtjen dhe pendimin tim, o Perëndi,
Ti, që për hiç u fal Lavdi të gjithëve!

-266-

Vinj në Xhami, po jo të të gënjenj;
Kur jam atje dëfrim në zemër ndjenj
Dhe ikënj shpresëplot; Vend më të mirë
Të lahem e të fle ku mund të gjenj?

-267-

O Zot, nga vetja ime Ti shpëtomë!
Te lartësia jote Ti afromë!
Esëll, të Mirën e të Ligën njoh:
Dua t’i mbyt e dehem! – Mëshiromë!

-268-

Khajam, me shpirt e zëmër plot mallkim,
Që digjesh në Skëterr’ e në Vajtim,
Prej teje Zoti a kërkoi drejtim?
Cili je ti, që po m’i jep mësim?

-269-

Kur Ramazani ish më të mbaruar
Dhe natën prisnin Hënën e gëzuar
Në Furrën e Poçarit isha shtruar
Prej Poçeve dhe Shtëmbave rrethuar.

-270-

Çudi! Si njerëz, mbledhur në pazar,
Ca poçe bisedonin plot me zjarr;
Dhe befas një prej syresh pa durim:
“Kush është Poçe, tha, e kush Poçar?”

-271-

Një tjatër tha: “Ah, punën e dëfteu
Qëkur Ustaj nga Balta na zbërtheu:
Pra, duke qenë një Krijesë Dheu,
Andej na mori dhe andej na ktheu!”

-272-

Një tjatër tha: “As foshnja pa gjykim
S’e thyen enën që i dha dëfrim:
Qysh pra Ay që na krijoi me mall
Po na dërmon, na çqyen me tërbim?”

-273-

Kësaj nuk iu përgjeq askush; po shtoi
Një poçe e shëmtuar dhe pa soj:
“Më tallin si të shtrëmbër; mos i dridhej
Ustajt të vëngër dora, kur m’artoi?”

-274-

Një tjatër tha: “Na trëmbin me kazan,
Me Ferr e furr’ e Djall e me katran,
Me Gjyqe, me vërdalla: jane profka!
Se Zoti ka Mëshir’ e ka derman!”

-275-

Një tjatër Poçe tha me psherëtim:
“Mua më latë fare në harrim;
Po lagmëni, vaditmëni me Verë,
Dhe ja, e mblodha veten pa vonim”.

-276-

Edhe kështu kur Poçet bisedonin,
Të gjitha Hënën prisnin e përgjonin;
Dhe thirrën pasandaj me brohori:
“Vjen një Saki!” dhe Verën lavdëronin.

-277-

O Zot, O Drit’ e Vetëm e Vërtetë,
Më lumërofsh a më dënofsh përjetë,
Me Ty kungonj më mirë në Tavernë:
Se në Xhami s’të puth – e s’rri dot qetë.

-278-

E gjeti dhe e çpalli Shënt-Elliu
Burimn’ e Jetës q’ëndërroi njeriu
Dhe ma tregoi: tani s’i çkulem dot!
Ver’ e Pavdekësisë më përpiu!

-279-

Këtu paraja kallpe nukë shkon,
Se menjëherë fshesa e spastron;
Një Shenjt na thirri në Tavernë: “Pini!
S’ka Jetë tjatër! Vdekja na përgjon!”

-280-

Në Jetë si mi Detin udhëtojmë
Dhe shpejt a vonë mbytemi dhe shkojmë:
Po kemi Zotin midis nesh sa herë
Me Verën e bekuar po kungojmë.

-281-

S’do Trëndafili? – Gjëmin prap’ e kemi;
Parajsa s’qas? – Në Ferr të lirë vemi:
Çfryn Minareja – Ja, gjëmon Këmbana,
N’Alltar Kungata pret në re prej kemi!

-282-

Më thoni që do t’digjem në Skëterrën,
Se adhurova Dashurin’ e Verën:
Aspak! Ju kini vetëm një Ndërmjetës,
Unë kam dy: Kungatën edhe Verën.

-283-

Një plak të shenjtë, t’urt’ e mjekërgjatë
Kam parë që vraponte që menatë;
I thashë: “Ku po shkon kështu, Uratë?”
Më tha: “N’Alltar për Mesh’ e për Kungatë”.

-284-

Shoqe të bukura, shokë të zgjedhur,
Me Këng’ e Valle në Gërmadhen mbledhur,
Kungojm’ e puthemi me Dashuri,
Përsipër Fes’ e Qiellit jemi hedhur.

-285-

Rreth Qelqit u afroni: merrni, pini!
Rrushkat me mall kujtoni: merrni, pini!
Se Vreshta tha: “Ky është Gjaku im,
Q’u derth për ju! Kungoni: merrni pini!”

-286-

Mystikërisht me frikë iu afruam
Me Bes’ e Shpres’ e Dashuri kunguam:
Nga Vetja ikm’ u tarm’ u transformuam,
Në Vreshtën e Vërtet’ u transplantuam.

-287-

Te Shpell’ e Shenjtë, natën, nga Alltari
Një Engjëll dolli me stoli prej ari,
Ngre lart Kungatën Vresht’ e Xhevair,
Ma zgjat – fjesht Rrush! – Puth Qiellin mëkatari!

-288-

Rrush, Ver’ e kuqe, si rubin që rrjeth,
Që qesh nga gryk’ e shishes kur të derth,
Je gjak i zemrës që kërkon Çlirim,
Kristali, lot i syrit, rreth të ngjeth.

-289-

Rrush, Rrush, që me Logjikë absollute
Të gjitha sektet nëpër vrima i fute,
Rrush alkemist, që pisën na e zbardhe
Dhe plumbin Jetës si flori ia zbute.

-290-

Rrush, o Sulltan Mahmud, o Ngadhënuar,
Ti helmet e ti tmerret ke larguar
Nga shpirti yn’ i ngrysur e i ndryshkur,
Me shpatën tënde ti na ke shpëtuar.

-291-

Na fryn në zemër gas e ngrohtësi,
Na thurr mbi krye drit’ e bukuri,
Na çkul nga dimr’i djeshm’ e brym’ e pritme,
Na thyen hekurit, na fal Liri.

-292-

Sëlargu shtaz’ e ndyrë u afrua,
Sytym, xhybekatran, as burr’ as grua,
Na tha: “Vera prej Dinit u ndalua!”
Na theu Poçen dhe u shenjtërua!”

-293-

Mor Hoxh’ i egër, ma mbaro qërtimin,
Mos m’ulëri në dasmën dhe dëfrimin:
Kap me tespie Qiellin dhe Bekimin,
Lermë Hurinë, Poçen dhe mallkimin.

-294-

Mor Hoxhë, një gjë vetëm më dhuro,
Beko pa folur, mos më prediko:
Un’ ecij drejt, ti ecën fare shtrëmbër,
Se je i vëngër, sytë çap shëro!

-295-

E ëmbël është Vera me Dolli,
E ëmbël Harpa, Vallja me Huri:
I ëmbël është çdo besnik që s’pi
Kur lark një mijë parasanga rri.

-296-

Me etjen Tavernarin e gëzonj
Dhe supet me mëkate i ngarkonj:
Kështu Mëshir’ e Zotit hyn në punë,
Se myshterinjtë gjithënjë ia shtonj.

-297-

Lus Verën, jam pjanik: po, ashtu jam!
Pagan e heretik: po, ashtu jam!
Të sajin më kujton çdo Fe: jo, s’jam!
I Vetes jam besnik: po, ashtu jam!

-298-

Kam parë një hermit pa Ligj’ e Fe,
Syrgjyn nga Qielli dhe nga çdo Atdhe;
E njoha dhe pyeta duke qarë:
Më trim se ky, o Zot, në Bot’ a pe?

-299-

Të vjetrit shok’ e miq më neveritnë,
Të rinjt’ ato të vjetrat përsëritnë:
Tani kam hequr dorë nga çdo mik;
Kurrë Besnikë miq mi Dhe s’u rritnë.

-300-

Ky mik i zemrës, ku më var çdo shpresë,
Hap sytë! t’ësht’ armiku m’i pabesë:
Miq mos kërko në turmën posht’ e lart;
Të puthi kush? – Largohu pa vonesë!

-301-

Miq mos kërko nëpër pazaret kurrë;
Vrerin që s’ka shërim e pi si burrë:
Më kot mos lyp nga miqtë ndihmë; hesht;
Prit buzëqeshur nga armiqtë gurë.

-302-

Të lik të bëjnë, kur fiton lavdi,
Dhe intrigan, kur rron në vetëmi:
Qofsh pra Profet prej Qielli, Shënt-Elli,
Më mirë mos u njih, mos njih njeri.

-303-

Mos qas veç shokë t’Urtë në shtëpi,
Largohu nga të marrët pa kufi:
Kur t’ep i marri mjaltë hidhe tej,
Kur t’ep i Urti vrer, e merr, e pi.

-304-

Të marrët, të stolisur, syverbuar,
Që kurrë me kandilin e pashuar
S’kanë kërkuar natën Drit’ e Shkencë,
Asnjë të Madh s’na lanë pa çnderuar.

-305-

Rrëmbyen mall, memuriet e ar
Dhe t’Urtin plak e t’urët shkencëtar
E quajnë Gjaur, se s’beson prralla,
Se s’qas mi supet, si ata, samar.

-306-

Çudi, që parësi e titulluar,
Nga skllavëria kalbur, shtazëruar,
Kur shohin një të varfër po të lirë,
E quajn’ a t’marr’ a të mallkuar.

-307-

Nga Bot’ e Lartë një Myster m’u zgjith;
Me ty, Njeri, Krijes’ e tër’ u thith:
Je djall a ëngjëll, shtaz’ a lule e pisë;
Je ç’dukesh; pamja me çdo gjë të lith.

-308-

Njeriu qënka thelb’ i Gjithësisë
Dhe drit’ e syrit t’madh të Perëndisë:
Qarku i Qënies qënka si Unazë
Me vulë xhevair’ e Njerëzisë!

-309-

Kemi në Qiell një Ka me yj të shkruar
Dhe nënë Dhe një tjatër të mbuluar:
Kështu në syt’ e Perëndisë jemi
Kope gomarësh prej dy Qesh rrethuar.

-310-

Te Bot’ e murme dhe e trubulluar
Dy farë shtazësh janë lumëzuar;
Ata që paskan çdo gjësent zbuluar
Dhe sa s’të kanë asgjësent mësuar.

-311-

Ari s’lint Mënt, po Mënt që bukë s’kanë
Në Kopsht të Dheut qajnë si n’hapsanë:
Qesh Trëndafili se ka qesen plot,
Kur Vjollc’ e vafër kokën var mënjanë.

-312-

A dini pse Zambakun dhe Selvinë
I quajmë symbole për Lirinë?
Kjo një qint duar ka, po s’vret e s’vjeth,
Ay me dhjetë gjuhë, s’e kafshon njerinë.

-313-

Më mirë bukëthat’ e rrobëçquer
Me ujë rro, i lirë, poçethyer,
Se sa tiran prej skllevësh gjakpërlyer
A skllaf në zgjedhë shtypëse mbërthyer.

-314-

Mos e përdor për shtypje sqojtësinë,
Mbaj veten, zotëro me fre mërinë:
Në daç të shkosh në Paqen e përfuntme,
Goditje prit, po mos godit njerinë.

-315-

Lakmim’ i Trupit ngjan me qen të lik,
Që leh pa funt e gjumin na e fik:
Si dhelpër shket, si ljepur fle syhapur,
Na çjerr, na copëton si ujk armik.

-316-

Në leqet e ambicjes mos u zir,
Nga thonjt’ e avaricjes mos u çirr;
I mprehtë zjarr, rrëke i shpejt’ u prir,
Si pluhër n’erë mos u drith, u tir.

-317-

Sa kohë nerva, gjallësi gëzoni
Me burrëri dhe dinjitet qëndroni:
Përballni dhe armiq si Rustem Zalli,
Nga miq si Taj dhurata mos pranoni.

-318-

Harxhova jetën kot nëpër këneta
Dhe asnjë pikë lumërie s’gjeta:
Tani kam frikë se u mplaka, shkonj,
E s’provonj dot si duhet rrojtur jeta.

-319-

Ah, nesër Botën plot shamat’ e lashë,
Nga qindra xhevahire njëz’ i dhashë:
Pa folur kanë mbetur qindra fjalë,
Se nuk’ i merrte vesh kjo Bot’ e trashë.

-320-

Ah, nesër ndahem mga e murmja Botë
Ku shkova një Jetesë krejt të Kotë;
Asnjë s’kam zgjidhur prej Enigmave;
Dyshimi më ka shtypur nënë rrotë.

-321-

Ah, nesër Fati do të na gremisë
Dhe çdukemi nga Kopsht’ i Dashurisë:
O Vajzë, sillmë Ver’ e lagm’ e puthmë,
Dhe prapë nem gëzimn’ e djalërisë.

-322-

O Hën’ e shpirtit tim e pavenitur,
Ja, Hën’ e Qiellit del nga ret’ e ndritur:
Sa herë do të dal’ ajo si sot –
E kot në kopsht për ne ka për të pritur!

-323-

Tavern’ e Shenjtë na u çthur me vrima,
Veriu vërshëllen, na grin thëllima:
Ma bëni baltën tulla e m’i mbyllni
Të mos më ngrijnë Verë shokët trima.

-324-

Për Vdekjen s’dridhem as derth fare lot;
M’e mirë gjë në Botë s’gjendet dot:
Trëmbem nga Jeta që i Madhi Zot
Më kot ma dha – e un’ ia kthenj më kot.

-325-

Pas Vdekjes nukë dua veç pushim;
Se sy e shpirt m’u tretnë me vajtim:
Më keq se sa kam vojtur në Ferr s’ka;
S’dua Parajsë! S’dua veç harrim!

-326-

Miq, shpresa, Qiell’ e Tok’ e Djaj më lanë,
Zi brënda, lart’ e posht’ e anembanë:
Veç Verës s’më ka mbetur tjatër mik,
Dhe dua dhe në Varrin ta kem pranë.

-327-

Me Verë, kur t’ap shpirt, kungomëni,
Në Verë lamëni, bekomëni,
Me fletë Pjergulle pështillmëni,
Në kopsht me Këng’ e Rrush mbulomëni.

-328-

Me Pemë, Trëndafij, e me Hardhi
Varrin stolismani, qëndismani:
Rreth meje buzëqeshur shtrihuni
Spërkatmëni me Ver’ e pihuni!

-329-

Që Varri im me Ver’ e Rrush të shirë
Tym, afshe të lëshojë si një Tirë
Sa kur të shkonjë Mysliman’ i mirë
Si në pusi të dehet i papirë.

-330-

Dhe kur të shkosh, moj Dor’ e këmb’ argjënde
Për të gostitur miqtë n’ato vënde,
Ku pinim bashkë, e t’arrish ku rri,
Mos psherëti! – po zbrasmë Kupën tënde.

-331-

Dhe kur të shuhem nënë Dhe të zi
Dhe kur të bëhem prapë Balt’ e Hi,
Mbrumëni Poçe, mbushmëni Dolli –
Dhe shihni po s’u ngjalla përsëri!/ KultPlus.com

113 vite nga vdekja e kompozitorit të shquar, Gustav Mahler

Gustav Mahler (7 korrik 1860 – 18 maj 1911) ishte një kompozitor romantik austro-bohemian dhe një nga dirigjentët kryesorë të brezit të tij, përcjell KultPlus.

Si kompozitor, ai vepronte si një urë midis traditës austro-gjermane të shekullit të 19-të dhe modernizmit të fillimit të shekullit të 20-të.

Ndërsa gjatë jetës së tij, statusi i tij si dirigjent u vendos pa diskutim, muzika e tij personale fitoi popullaritet të gjerë vetëm pas periudhave të mohimit të përkohshëm, që përfshinin ndalimin e performancave të tij në shumicën e Evropës gjatë kohës naziste.

Pas vitit 1945, krijimet e tij u rindërtuan nga një brez i ri dëgjuesish. Mahler pastaj u bë një nga kompozitorët më të shpërthyeshëm dhe të regjistruar të të gjitha kohërave, një pozicion që ai e ka mbajtur në shekullin e 21.

I lindur në Bohemi (që në atë kohë ishte pjesë e Perandorisë Austriake) në një familje hebrenjsh, i cili fliste gjermanisht, tregoi talentin e tij muzikor qysh në moshë të re. Pas diplomimit nga Konservatori i Vjenës në vitin 1878, ai mori një radhë postesh dirigjuese që u rritën në rëndësi në sallat e operas të Europës, që kulmuan me emërimin e tij në vitin 1897 si drejtor i Operës së Gjykatës së Vjenës (Hofoper).

Gjatë dhjetë viteve të tij në Vjenë, Mahler – i cili ishte konvertuar në katolicizëm për të siguruar postin – përjetoi një opozitë dhe armiqësi të rregullt nga shtypi antisemit. Megjithatë, prodhimet e tij inovative dhe insistimi për standarde të larta performimi siguruan reputacionin e tij si një nga dirigjentët më të mëdhenj të operas, veçanërisht si interpretues i veprave skenike të Wagnerit, Mozartistëve dhe Çajkovskit.

Në fund të jetës së tij, ai ishte drejtor i shkurtër i Operas Metropolitan të New York-ut dhe Filarmonisë së New York-ut./KultPlus.com

Mosanëtarësimi në KiE, Kurti flet me ambasadorin britanik – e falënderon Mbretërinë e Bashkuar për qëndrimin e mbajtur dje

Kryeministri Albin Kurti ka pritur dje në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, pasi Kosova humbi dje mundësinë që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti diskutoi me Hargreaves pikërisht për rezultatin e mbledhjes së djeshme në Këshillin e Ministrave.

“Kryeministri e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për qëndrimin e mbajtur dje gjatë takimit të komitetit të ministrave në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. E falënderoi gjithashtu edhe për mbështetjen në projektet e përbashkëta, ku veçoi ndihmën për zgjerimin e projektit për verifikimin e diplomave për studentët nga komuniteti serb për qëllime punësimi në institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në takim është folur edhe për rezultatet e takimit e tretë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP6), për Planin e Rritjes që u zhvillua dje në Kotorr të Malit të Zi dhe Deklaratën e Përbashkët nga ky takim. 

“Kujtojmë që Deklarata e Përbashkët nga samiti i djeshëm në Kotor, mes tjerash bën thirrje për trajtim të barabartë në CEFTA, zbatim të plotë marrëveshjeve të arritura në Procesin e Berlinit si dhe kërkon që vendet e Ballkanit Perëndimor Gjashtë të bëhen pjesë e Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave (AMLA) të Bashkimit Evropian për të rritur integritetin financiar dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit financiar”, thuhet tutje në njoftim.

Ndryshe, Ministrat e Jashtëm të Këshillit të Europës u mblodhën dje në Strasburg në sesionin vjetor me rastin e 75-vjetorit të themelimit të kësaj organizate ku diskutuan për çështje të caktuara. Kosova nuk hyri as në agjendë, ndërsa nuk dihet se kur do t’i vijë rendi përsëri. / KultPlus.com

Qeveria mbulohet me flamurin e  LGBTQI+, Kurti shkruan në X për të drejtat e komunitetit

Kryeministri Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë, Interfobisë dhe Transfobisë ka thënë se është e rëndësishme që të drejtat dhe dinjiteti i njeriut të respektohen në mënyrë universale.

Ai tha se këto të drejta janë të rëndësishme të zbatohen si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

“Në këtë Ditë Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë, Interfobisë dhe Transfobisë, ne reflektojmë mbi progresin e bërë dhe njohim punën e rëndësishme që na pret për të siguruar që të drejtat dhe dinjiteti i njeriut të respektohen në mënyrë universale, si në vendin tonë ashtu edhe në mbarë botën”, ka shkruar Kurti në një postim në “Facebook”./ KultPlus.com

‘Noli Film Festival’, për herë të parë në ShBA

“Noli Film Festival” është festivali i parë i filmit shqiptar në Boston, SHBA, që do të zhvillohet nga data 31 maj deri në 2 qershor në Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit.

Aktori i njohur Erand Sojli, përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë për “ABC e Mëngjesit” në ABC News tha se festivali eksporton te shoqëria amerikane vlerat tona kombëtare. Është festival unik në botë pasi është i vetmi që zhvillohet në një katedrale dhe është një kompeticion dinjitoz artistik si një vatër reference për krijuesit, skenaristët, regjisorët, kompozitorët, operatorët shqiptarë që jetojnë në Amerikë.

Ndër të tjera ai theksoi se fitimet do të shkojnë për AFC-në (Albanian Fighting Cancer) dhe për Qendrën Kulturore Fan S Noli.

“Kur je artist gjen njerëzit e llojit tënd dhe thamë pse jo. Filluam të mendojmë, hodhëm ide dhe dolëm në përfundimin se gjëja më e mirë që mund të bënim, për të bërë diçka ndryshe dhe ja ku jemi sot këtu me shumë mund dhe sakrificë.

Fitimet e këtij festivali do t’i shkojnë AFC (Albanian Fighting Cancer) dhe për qendrën kulturore Fan S Noli. Në këtë vazhdë na u bashkuan shqiptarët që luftojnë këtë sëmundje dhe na mbështetën për të përfshirë sa më shumë njerëz në këtë përpjekje.

Nga fitimet tona do të shkoj një pjesë edhe për librarinë e Fan S Nolit, pasi ka nevojë për restaurim, tha aktori./abcnews.al/ KultPlus.com

‘Bota do të ishte më e lumtur nëse burrat kishin të njëjtën aftësi për të heshtur siç kanë për të folur’

Thënie nga Spinoza

Filozofi nga Hollanda Baruch de Spinoza, jetoi në shek XVII dhe së bashku me Dekartin konsiderohen si pararendësit e epokës moderne.

Këto janë disa nga thëniet e tij më të njohura:

“Të gjitha gjërat e shkëlqyera janë aq të vështira sa janë të rralla.”

“Paqja nuk është një mungesë lufte, është një virtyt, një gjendje shpirtërore, një prirje për dashamirësi, besim, drejtësi.”

“Nuk ka frikë pa shpresë e as shpresë pa frikë.”

“Unë kam luftuar për të mos qeshur me veprimet njerëzore, për të mos qarë me ta, as për t’i urryer, por për t’i kuptuar ato.”

“Nëse doni që e tashmja të jetë ndryshe nga e kaluara, studioni të kaluarën.”

“Lumturia është një virtyt, jo shpërblim.”

“Bota do të ishte më e lumtur nëse burrat kishin të njëjtën aftësi për të heshtur siç kanë për të folur.”

Për shkak të aktivitetit të tij intelektual ai u ‘c’kishërua’, u shpall herë heretik, herë ateist dhe i rrezikshëm për shoqërinë /KultPlus.com

‘Gjithçka që jam apo shpresoj se do të jem, ia kam borxh nënës time engjëllore’

Dashuria e vetme e pastër dhe e sinqertë në këtë botë, është ajo ndaj nënës. Prandaj KultPlus ju sjell disa thënie që figura të mëdha përgjatë historisë, kanë thënë për dashurinë e nënës.

“Gjëja më me rëndësi që babai mund të bëjë për fëmijën është ta dashurojë nënën e tyre!” – Theodore Hesburgh

“Gjithçka që jam apo shpresoj se do të jem, ia kam borxh nënës time engjëllore!” – Abraham Lincoln

“Dashuria e nënës është paqja. Nuk ka nevojë të fitohet, nuk ka nevojë të meritohet!” – Erich Fromm

“Nëna është emri i Zotit në buzët dhe zemrat e fëmijëve të vegjël!” – ëilliam Makepeace Thackeray

“Jeta fillon duke u zgjuar dhe dashuruar fytyrën e nënës!” – George Eliot

“Kemi lindur nga dashuria; dashuria është nëna jonë!” – Rumi

“I lumtur është djali besimi i të cilit te nëna mbetet i pandryshuar!” – Louisa May Alcott

“Nuk keni nevojë të meritoni dashurinë e nënës; keni nevojë të meritoni dashurinë e babait!” – Robert Frost

“Dashuria e nënës është karburanti që lejon një person të thjeshtë për të arritur të pamundurën!” – Marion C. Garretty

“Burri e do të dashurën më së shumti, gruan më së miri, e nënën më së gjati!” – Proverb irlandez

“Në veshët e një fëmije, fjala “nënë” është magjike në të gjitha gjuhët!” – Arlene Benedict

“Ka mijëra gra, por vetëm një nënë!” – Proverb bolivian

“Kur je nënë, nuk je kurrë vetëm në mendimet e tua. Një nënë gjithmonë duhet të mendojë dy herë. Një për vete dhe një për fëmijën e saj!” – Sophia Loren

“Në momentin që lind një fëmijë, lind edhe nëna. Ajo nuk ekzistonte më parë – gruaja ekzistonte, por kurrë nëna. Nëna është qenie e re!” – Osho

“Nëna mban duart e fëmijës për pak… e zemrat përgjithmonë!” – Anonim

“Nëna: çdo dashuri fillon dhe përfundon atje!” – Robert Broëning

“Fati i ardhshëm i një fëmije, është gjithmonë rezultat i punës së nënës së tij!” – Napoleon Bonaparte

“Zemra e nënës është një humnerë e thellë, në fund të së cilës gjithmonë do të gjesh falje.” – Honore de Balzac

“Nëna është drita e shtëpisë!” – Proverb shqiptar

“Pa diell nuk ka lule, pa dashuri nuk ka fat, pa grua nuk ka dashuri, pa nënë nuk ka poetë, as heroj!” – Maxim Gorky

“Është veç një fëmijë i bukur në botë dhe çdo nënë e ka atë!” –Proverb kinez

“Mjekët më thanë se kurrë nuk do të mund të ecja përsëri, por nëna ime ishte e sigurt se do të ecja përsëri. E, dhe unë besova nënën time!” – ëillma Rudolph

“Zoti nuk mund të ishte kudo, prandaj i krijoi nënat!” – Proverb hebraik

“Disa nëna puthin, të tjera janë më të rrepta, por dashuria është gjithmonë e njëjtë. Përveç kësaj, shumica e nënave puthin dhe qortojnë në të njëjtën kohë!” – Perl S. Back

“Nuk e kuptoni se sa ju do nëna juaj , derisa të zbuloni në sirtar të gjitha pikturat dhe kartat që i keni dhënë!” – Pam Brown

“Nëna e mirë nuk pyet a dëshiron, por jep!” – Prover anglez

“Nëna: banka që depozituam të gjitha dhimbjet dhe shqetësimet tona.” – Thomas De Witt Talmage

“Lotët e nënës janë fuqia më e madhe hidroelektrike në botë!” – George Bernard Shaw

“Dashuria e nënës nuk vjetrohet kurrë!” – Seneka

“Kur je një nënë e mirë, gjithçka falet!” – Emile Zola

“Nëna është gjithçka – ajo është ngushëllimi ynë në pikëllimin, shpresa jonë në mjerimin tonë dhe fuqia jonë në dëshpërim; është burimi i dashurisë, mëshirës, dhembshurisë dhe faljes. Ai që humbet nënën e vet humb një shpirt të pastër që e bekon dhe e mbron vazhdimisht!” – Khalil Gibran

“Fëmijët janë spirancat që mbajnë nënën gjallë!” – Sofokliu

“Duart e nënës janë bërë nga brishtësia dhe fëmijët flen rehat në to!” – Victor Hugo

“Sa herë lind fëmija, lind edhe nëna!” – Gilbert Parker

“Amësia ka efekte humane. Gjithçka reduktohet te thelbësorja!” – Meryl Streep

“Amësia: Çdo dashuri lind dhe përfundon aty!” – Robert Brownin

Babai më thoshte: “Rri i përulur, dhe duhet të punosh më shumë se secili”. Nëna më thoshte: “Bëhu vetja”. Ajo gjithmonë më mësonte se veç Zoti mund të më gjykojë!” – Nate Robinson

“Në momentin kur kishte shumë paqe në Qiell, por zërat nga Toka mund të dëgjoheshin dhe fëmija me ngut pyeti: “Zot, po të largohem tani, më thuaj emrin e engjëllit tim”. “Ju thjesht do ta quani atë, ‘Nënë”! – Anonim

“Nëna kupton atë që nuk e thotë fëmija!” – Proverb hebraik

“Dashuria e nënës të çliron!” – Maya Angelou

“Kurrë nuk e dija se sa shumë dashuri mund të mbante zemra ime, derisa dikush më quajti: “Nënë”!” – Anonim

“Pas çdo gjëje, ka një histori, por pas çdo historie tuajën gjithmonë është historia e nënës, sepse te e saj fillon e jotja!” – Mitch Albom

“Dora që përkund djepin është ajo që rrotullon fatin e njerëzve, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën kah horizontet e ndritura ose të errëta!” – Haki Stërmilli

“Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!” – Johann Heinrich Pestalozzi / KultPlus.com

Rumania, djepi i shqiptarëve

Rumania zë një vend të rëndësishëm në historinë shqiptare. Kjo falë një komuniteti të lulëzuar shqiptar, i cili e bëri Bukureshtin një strehë dhe djep të nacionalizmit shqiptar.

Rumunë dhe shqiptarë, gjuhë binjake

Studimet filologjike për lidhjen gjuhësore ballkanike gjurmojnë kontaktet e para gjuhësore mes proto-rumunëve dhe proto-shqiptarëve në shekujt e parë pas Krishtit, në zonën në qendër të Ballkanit mes Sofjes së sotme, Shkupit, Nishit dhe Prishtinës. Marrëdhënia mes gjuhës shqipe dhe rumune mbetet një temë intersante për gjuhëtarët, e lidhur me çështjen historike të etnogjenezës së popujve.

Dinastia Ghica, princërit e Vllahisë

Familja më e famshme me origjinë shqiptare dhe e paur në Rumaninë e Sotme është ajo e Ghica. Me origjinë nga Velesi, Maqedoni, Ghica ishin tregtarë në Stamboll. Georghe Ghica (1598), i cili u transferua në Moldavi u bë ambasador i Portës së Lartë dhe më pas për pak kohë princi i Moldavisë në 1658-1660. Djali i tij, Grigori Ghica I e pasoi atë në fron ndërsa nipi tij Matei Ghica u bë dragoman (shenim i redaksisë: Në të shkuarën, në Lindjen e Mesme, dragomani ishte një përkthyer i punësuar në marrëdhënie politike dhe tregtare apo dhe si një udhërrëfyes) i Portës së Lartë dhe djali i tij Grigori Ghica II rifilloi Fronin e Moldavisë në 1726, për të kaluar në atë të Vllahisë në 1733. Grigori III dhe Grigori IV e mbajtën fronin deri në pushtimin rus të 1828–34, atëherë Alekandri Ghica II ishte princ dhe më vonë regjent i Vllahisë deri në 1858.

Rumania, djepi i nacionalizmit shqiptar në shekullin e 19-të

Nje shqiptar i Vllahise. Akuarel nga Amadeo Preziosi, 1866

Një raport i Habsburgut dëshmon se, në 1595, 15 mijë shqiptarë u lejuan të vendoseshin në veri të Danubit. Në 1628 komuniteti shqiptar u krijua në Bukuresht, dhe shqiptari Vasile Lupu u bë princ i Moldavisë që nga viti 1634. Shqiptarët atëherë njiheshin në rumanisht si Arbănasi / Arbănași, ose si Arnăuți (nga Arnavut Turk).

Komuniteti u forcua në epokën fanariote, kur shumë shqiptarë hapën aktivitete tregtare, posaçërisht dyqane ëmbëlsirash (në 1820 kishte 90 tregtarë nga Arnavutköy në Bukuresht) dhe ishin punësuar si truproje për princat dhe bojaret e Vllahisë.

Në vitet 1800, Bukureshti shërbeu si një pol tërheqës për komunitete të ndryshme Ortodokse nga Ballkani Osman, para së gjithash grekëve dhe bullgarëve, por edhe shqiptarëve. Në Bukuresht, shkollat ​​u hapën dhe librat dhe revistat botuan në shqip shumë më parë se kjo të ishte e mundur në territoret e Perandorisë Osmane.

Lëvizja e Rilindjes Kombëtare e nacionalizmit shqiptar brenda Perandorisë Osmane ishte prodhimtare në Vllahi, falë nismave kulturore të ndërmarra nga Dora D’Istria, Naim Frashëri, Jani Vreto dhe Naum Veqilharxhi, të cilët botuan fjalorin e parë shqip absolut në Bukuresht, në 1844.

Në periudhën e vonë osmane, disa intelektualë shqiptarë zhvilluan një teori historiko-politike sipas së cilës shqiptarët dhe rumunët, “vëllezër gjaku”, duhet të kishin luftuar për çlirimin e ndërsjellë në territoret e administruara ende nga osmanët. Kjo teori u shfrytëzua politikisht nga Austro-Hungaria pas vitit 1897. Në të njëjtin vit Visar Dodani hapi një gazetë në gjuhën shqipe, “Sqipetari”, në Bukuresht në mbështetje të origjinës së përbashkët ilire të shqiptarëve dhe rumunëve dhe luftën e tyre të përbashkët politike.

Komuniteti shqiptar në Rumani numëronte 30,000 në 1893. Në një situatë të tillë, lëvizja për pavarësinë e Shqipërisë mori vrull, e udhëhequr nga Albert Gjika, pretendent i fronit të Shqipërisë. Në vitin 1912, në një kongres pan-shqiptar në Bukuresht të kryesuar nga Ismail Qemali, u miratua rezoluta e parë për pavarësinë e Shqipërisë. Në të njëjtin vit Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), një shqiptar emigrant nga Korça në Bukuresht, kompozoi tekstin e himnit kombëtar shqiptar, Hymni i Flamurit, kënduar në notat e “Steag Pe-al nostru dhe scris Unire” nga rumuni Ciprian Porumbescu.

Rumania ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Shqipërisë dhe marrëdhëniet diplomatike midis dy kombeve u vendosën në 16 dhjetor 1913. Që nga ajo kohë, të dy vendet kanë zhvilluar lidhje të forta kulturore dhe gjuhësore. Familjet e poetëve Viktor Eftimiu dhe Lasgush Poradeci gjetën gjithashtu strehë në Rumani.

Shqiptarët e Rumanisë në vitet 1900 dhe sot

Pas Luftës së Parë Botërore, një valë e re migratore e shqiptarëve myslimanë nga Jugosllavia iu shtua 20,000 shqiptarëve në Bukuresht (të dhënat 1920). Në vitin 1921, në Ploieşti, Ilo Mitkë Qafëzezi botoi përkthimin e parë të Kuranit në gjuhën shqipe. Shumë shqiptarë u vendosën në Transilvani, duke punuar veçanërisht në industrinë e ëmbëlsirave.

Komuniteti pësoi presionin komuniste duke filluar në 1953 kur shoqata kulturore shqiptare u mbyll; në regjistrimet rumune që atëherë shqiptarët janë kategorizuar në mesin e “të tjerëve”. Të drejtat e humbura u rifituan pas revolucionit rumun në 1989, por numri i njerëzve që deklarojnë veten shqiptarë ra në mënyrë dramatike. Në regjistrimin e vitit 2002 kishte vetëm 520 shtetas rumunë që deklaronin se ishin shqiptarë etnikë dhe vetëm 484 ata të gjuhës amtare shqipe – por numri aktual i komunitetit vlerësohet të paktën 10,000 njerëz, kryesisht ortodoksë dhe banues në Bukuresht dhe të tjerë. Qytete të mëdha si Timişoara, Iasi, Constanța dhe Cluj-Napoca. Që nga viti 1996, komuniteti shqiptar ka pasur gjithashtu një vend të rezervuar në Parlament, sot është përfaqësues i Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë. /eastjournal/ KultPlus.com

‘Zare trëndafile’, nga e mrekullueshmja Tefta Tashko-Koço (VIDEO)

Tefta Tashko-Koço, artistja që më zërin e saj të veçantë dhe tejet emocionues bëri për vete zemrat e publikut shqiptarë, njihet si një këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare, shkruan KultPlus.

Interpretimet e saj janë vlerësuar gjithmonë dhe ende gjeneratat e kaluara e kujtojnë me mall dhe nostalgji kohën kur ajo interpretonte dhe vazhdojnë t’i dëgjojnë këngët e saj me shumë dashuri.

Tefta Tashko-Koço ishte sopranoja, që për herë të parë në repertorin e koncerteve të saj, krahas arieve të klasikëve botërore, futi dhe kënge popullore qytetare shqiptare. Janë të paktën 89 këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë që ajo i këndoi. Madje 36 prej tyre i regjistroi në pllaka gramafoni në Itali dhe Francë.

Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit. Në vitin 1930, Tefta bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon.

Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”,”As aman, moj lule” etj. Sipas Hysen Files: Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muziktarëve të shuar popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesëmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali etj.

Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkëngjisnim edhe këngët popullore të përpunuara nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe Truja dhe Maria Paluca (Kraja). Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qenë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37-vjeçare. / KultPlus.com

Tekstilet që përdoreshin në veshjet shqiptare të mesjetës

Kur flasim për historinë e veshjes në periudhën e feudalizmit duhet të kemi parasysh karakterin e prodhimit në këtë kohë.

Pjesët e veshjes për masat e gjëra fshatare në këta shekuj punoheshin krzesisht brenda kuadrit të ekonomisë shtëpiake, me lëndë që nxirrej nga prodhimet buqësore e blegtorale, si ishin lëkura, leshi, liri, kërpi e mëndafshi.

Pëlhura më e vjetër prej kërpi e ruajtur deri më sot në vendin tonë është e vitit 1373, por dihet mirë se pëlhura prej liri e kërpi kanë vijuar të përdoren gjërësisht në veshjet popullore deri në fillim të shekullit XX, e në disa krahina edhe më vonë.

Kultivimi i mëndafshit gjatë shekujve të mesjetës përmendet në disa dokumente duke filluar që nga vitet 1335, 1348 etj. Madje në fund të shekullit XIV përmenden dogana të mëndafshit në Shkodër, gjë që dëshmon se mëndafshi eksportohej. Krahinat ku lulëzonte më shumë kjo kulturë gjatë mesjetës ishin rrethet e Vlorës, Beratit Shkodrës etj.

Përsa u përket ngjyrave, duhet patur parasysh se përgjithsisht në tekstilet e punuara në shtëpi nga gratë fshatare, mbiyotëronin ngjzra natyrore të leshit (pra e bardhë, e zezë, e murme dhe bojë kafe), por përdoreshin edhe ngjyrosësit bimorë.

Krahas prodhimeve të ekonomisë shtëpiake, një sasi përlhurash silleshin dhe jashtë. Ato më të lirat ishin pëlhura liri, që destinoheshin kryesisht për njerzit e shërbimit, “pro servientibus”,si thuhet shprehimisht në dokumentet përkatëse të periudhës mesjetare para turke.

I tillë është ai “panno lineo” pëlhurë liri, si edhe pëlhura e Bergamos të cilat i takojmë në dokumente që në fund të shekullit XIII. Ato silleshin kryesisht nga Puglia.

Dihet gjithashtu se në shekullin XIV, për shërbetorët, lajmëtarët etj. janë përdorur pëlhura me vija ngjyrash të ndryshme “pani vergati”, të cilat silleshin me anë të Raguzës, në Shkodër dhe Tivar.

E një cilësie gjithashtu modeste ishte dhe një pëlhurë e quajtur fustan imprtimi i së cilës përmendet përmendet me një varg dokumentash, duke filluar që nga fundi i shekullit XIII (1297). Gjatë gjithë shekullit XIV ajo sillej më fort me anë të Raguzës, por më vonë nga shekulli XV sillej nga Venediku.

Veshja e kësaj gruaja shkodrane e kapur robinjë nga osmanët gjatë Rrethimi të Shkodrës 1479, paraqitet në afreskun e Paolo Veroneses. Mendohet se këto kanë qënë veshjet e fisnikërisë Shkodrane para pushtimit osman

“Fustani” ishte një pëlhurë pambuku ose pambuku të përzier me lin, e punuar dendur, me qëndrushmëri të madhe dhe kështu përshtatej edhe për veshjet e njerëzve të punës e të shërbimit. Një dokument i vitit 1403 e përcakton qartë se për cilën shtresë shoqërore destinohej kjo pëlhurë në atë kohë.

Mendohej se me këtë lloj pëlhure bëhej në këtë kohë fustani (apo fustanella) edhe nga e mori emrin, si ka ndodhur shumë herë në historinë e veshjeve, jo vetëm tek ne, por edhe te popujt e tjerë.

Dokumente të shumta të shekujve XIV dhe XV përmendin stofa të ndryshme që u jepen nga ana e Venedikut në Raguzës, jo vetëm krerëve të vendit, për të cilët rezervohen stofat më të shtrejta, por edhe cohërat më të lira për fisnikërit e vegjël. Ndër to përmendim në radhë të parë cohërat me ngjyrë të kuqe, gjithmonë të shtrejta, por edhe shumë të kërkuara nga fisnikët e kohës.

Dihej se në këta shekuj edhe ngjyrat e stofave edhe ngjyrat e stofave të përmendura ishin të përcaktuara sipas shtresave shoqërore; kështu e kuqja, e gjelbra dhe manushaqja e mbyllët ishin ngjyrat e rezervuara për fisnikët. Shumë të preferuara prej tyre ishin edhe pëlhurat e mëndafsha të qëndisura me ar.

Të gjitha këto stofra silleshin përgjithsisht nëpërmjet Venedikut. Në shek. XVI, për shkak të pushtimit osman, u ndërpre për një kohë tregtia me Venedikun në vende të tjera të perëndimit, por nga fundi i këtij shekulli shohim se kraha mallrav që vijnë nga Lindja rifillon sjellja e mallrave dhe nga perëndimi.

Gjatë kësaj periudhe prodhoheshin në vend, jo vetëm për nevoja shtëpiake, por edhe për treg, një sasi e mirë pëlhurash të mëndafshta, shajak dhe veshje, të cilat dilnin i shisnin në treg vetë gratë, sikurse thuhet shprehemisht në Kanunamenë e Shkodrës të vitit 1570.

Pra në kuadrin e përgjithshëm të veshjeve të përdorura në Shqipëri në shekujt XIV-XVI duhet të mendojmë se krahas masës së gjërë të veshjeve të konfeksionuara me material të punuar në vend ,një numër jo shumë i kufizuar njerëzish përdorte vehjen e vet, në mos të përditshmen, në atë të festave, pjesë veshjeje të konfeksionuara me stofa të importuara, prodhime të modës për atë kohë.

(Buletin për shkencat shoqërore” Tiranë, 1957, nr. 2/ KultPlus.com

Regjistrimi i popullsisë shtyhet deri më 24 maj në 11 komuna

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për shtyrjen e afatit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në 11 komuna deri me datën 24 maj 2024, njofton Klankosova.tv.

Vendimi vjen pas zhvillimit të një mbledhje elektronike që u mbajt me kërkesë të komunës së Dragashit, Prishtinës, Prizrenit, Drenasit, Fushë Kosovës, Skenderajt, Obiliqit, Ferizajt, Shtërpcës, Kaçanikut dhe Gjakovës.

Sipas propozimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prej datës 18 deri më 24 maj 2024, regjistrimi/intervistat do të zhvillohen vetëm nga stafi i rregullt i Agjencisë së Statistikave të Kosovës i cili do të mbulojë tërë territorin e Kosovës për rastet kur identifikohet një individ apo ekonomi familjare që për çfarëdo arsye nuk mund të regjistroheshin më herët.

Ndërkaq, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, regjistrimi i diasporës, përmes portalit eDiaspora shtyhet deri më datën 31 gusht 2024.

Historia e një fotografie të vitit 1938, kur në Shkodër takoheshin penat e vetëtimshme të shqipes

Ishte viti 1938. Ky vit shënonte 30-vjetorin e veprimtarisë si Ordinar Universiteti të Profesor Ernest Koliqit.  Me këtë rast u botua edhe kjo foto në të përkohëshmen, “Përpjekja Shqiptare” që, sipas revistës “Shëjzat”, (10-12, 1969) përgjithmonë kujton takimin e katër poetëve, më të njohur të Shqipërisë të asaj kohe, dy breza letrarësh – dy nga jugu e dy nga veriu – At Gjergj Fishta, Asdreni, Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi.

Ata kishin udhëtuar në Shkodër, të ftuar nga Ernest Koliqi me rastin e kujtimit të 30-vjetorit të tij si Ordinar Universiteti.  Në revistën Shëjzat shënohet se me atë rast, poetët u pritën nga banorët e Shkodrës me, “shfaqje të nxheta simpatije e admirimi”, për ta dhe thuhet se para një numri jashtzakonisht të madh qytetarësh, të mbledhur në Sallën e Kinema Rozafat, Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta u dha “mirëseardhjen dy poetëve toskë me nji fjalim të shkëlqyeshëm si Ai e kishte zanatë”.

Në revistën “Shëjzat” shënohet, shkurtimisht, në kujtim të kësaj fotografie, se asaj radhe Asdreni e Poradeci qëndruan në Shkodër për pesë ditë, kur edhe u muar kjo fotografi e ku paraqiten të bashkuar katër poetët më të njohur shqiptarë të asaj kohe, e të cilët njiheshin gjtihashtu si, “përfaqsuesit ma të cilësuem të Parnazit shqiptar”.

Ashtu siç shënohet edhe në fotografi, ajo është së pari botuar në të përkohëshmen e dalluar të asaj periudhe të historisë së Shqipërisë, “Përpjekja Shqiptare”, e që drejtohej nga “shkrimtari shumë me vlerë dhe nji njeri i pajisun me kulturë të gjanë historike e sociologjike, Branko Merzhani”, theksohet në shënimin e revistës “Shëjzat” të Ernest Koliqit.

Është kjo një fotografi historike që tregon përfaqësinë intelektuale më të denjë të Kombit shqiptar, por nepërmjet tyre tregon edhe unitetin kombëtar në fushën e gjuhës e të letërsisë, të politikës dhe të diplomacisë shqiptare të asaj kohe. Këta të katër përfaqsues unik të kombit shqiptar me të cilët do krenohej çdo popull i qytetëruar – Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe Asdreni — shpesh janë cilësuar edhe si, “katër gur themelet e binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike dhe diplomatike.”

Vet Lasgush Poradeci në një analizë rreth jetës dhe veprës së At Gjergj Fishtës, e ka quajtur Poetin e Madh si “Shkëmb i Tokës dhe Shkëmb i Shpirtit Shqiptar”.  Në një shkrim botuar tre muaj pasi kishte ndërruar jetë Gjergj Fishta, në Mars të vitit 1941, Lasgush Poradeci vlerëson lartë veprën dhe figurën e At Gjergj Fishtës. Ja një fragment të shkurtër nga vlerësimi i Poradecit, ndaj punës fetare dhe atdhetare të Fishtës:

“Gjithë vepra poetike dhe shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjëshme për t’a derdhur dhe kënduar në art, sesa ideja e Zotit, ideja e Atdheut! Këto thema Fishta i përlavduroj si artist dhe si njeri dyke realizuar të dy atributet e përjetëshme, luftonjësinë dhe mendonjësinë të besimit fetar ku ish kushtuar, të cilin ay e rrethonte përhera me fytyrën mistikërisht të adhuruar të Atdheut.

Thua se gjithë vepra e tij, në krye të së cilës dhe veçanërisht për sa po mirremi ne këtu përmi çdo tjetër konsiderim Lahuta është konceptuar dhe trajtuar nga një frymëzim i realitetit të prerë shqiptar. Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar – ky është si të thesha monopolariteti gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit: në të cilën duket sikur këndon ose lufton vëndi dhe jo fjala, dhe e cila duket sikur është mbërthyer ose shpërthyer prej tokës dhe jo prej fjalës.

Tashi jemi në Qëndrën e artit të tij. Një fjalë, një shprehje, na tërheqin përnjëheresh vërrejtjen t’onë. Sepse ajo fjalë s’ është fjalë po element, ajo shprehje s’ është shprehje po prapë element, element i pandarë dhe integrant i naturës që është Dhënësja e madhe e përjetëshme e frymëzimit të tij. Natura i jep Fishtës copa nga gjiri i saj, jo ekspresione. Dhe kur themi naturë duhet të kuptojmë gjithnjë Shqipërinë, ky është urdhëri i çasit dhe i ditës dhe i kohës dhe i jetës së At Gjergj Fishtës që domethënë jeta e Shqipërisë, e Atdheut të shkëmbshëm dhe të shtërgatshëm të burrave të dheut. Prej asaj shtërgate dhe mi ata shkëmbenj dhe përmi krye të kësij burrave këputen dhe përplasen shkrepjet e elementeve, të ndrydhura me vështirësi ndër prangat e gjuhës së hekurt, në lëndën e stilit fizik të Fishtës:

Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombit — anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija. Sikundër e pat lënë shprehursisht për trashëgim me verbin solemn të gojës së vet përmes shokut të pandarë At Pal Dodajt dy ditë përpara vdekjes, të Premten më 27 Dhjetor 1940, ora 3.30′ pas mesdite, në Spitalin e Shtetit në Shkodër: trashëgim i shqiptuar për kuptim të math në gjuhën paralajmëronjëse dhe të djegur për Atdhe të Dantes: fundi i fundit, edhè Kombi ka të drejta mbi mua”, ka shkruar Poradeci për jetën dhe veprën e mikut të tij At Gjergj Fishtës.

Me këtë citim të Poradecit të amanetit të fundit të mikut të tij të shtrenjtë — dy të mëdhejve të Kombit — na lë të kuptohet se Fishta ishte i vetdijshëm për kontributin ndaj Atdheut dhe si i tillë mendonte se me të drejtë edhe Atdheu, anasjelltas, në fund të jetës së tij kishte të drejta mbi të, pasi me lapidarian që kishte lënë pas, ai tani i përkiste mbarë Kombit.  Fati i keq e tragjik i At Gjergj Fishtës nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dihet mirë, aq sa që as varri nuk i dihet dhe eshtrat ia kanë tretur, i cilësuar si “armik i popullit”, “tradhëtar” dhe “kolaboracionist”.

Po sot, pothuaj 30-vjet post-komunizëm në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, cili është kujtimi dhe trajtimi i këtyre katër të mëdhëjve të Kombit, përfshirë mikun e ngushtë Lagush Poradecit, At Gjergj Fishtën, që në një libër dhuruar Poetit të  madh kishte e cilësuar atë si, “Njeriun e Zotit meditans dhe militans, burrin shqiptar përfaqësonjës më të madhit epik të shekullit”.

Në këtë 80-vjetor, e botojmë këtë fotografi jo vetëm në shenjë kujtimi e falënderimi për punën e këtyre katër të mëdhejve të Kombit, por edhe si shpërblim fisnikërie ndaj këtyre dhe veprës së tyre të madhe ndaj Kombit dhe për trashëgiminë lënë pas, të shembullit të tyre të bashkpunimit vëllazëror për të mirën e Atdheut të përbashkët, dashurisë e miqësisë me njëri tjetrin, si shqiptarë të vërtetë — mbrojtës të mëdhej të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta shekullore. I kujtojmë edhe si përfaqsues të përjetëshëm të “fshehtësisë e forcës dhe të fuqisë së racës shqiptare, atavizma dhe dinamizma e gjakut shqiptar”, siç është shprehur, ndër të tjera, Lasgush Poradeci për At Gjergj Fishtën. /frankshkreliKultPlus.com

Tregim nga Langston Hughes: Passing

James Mercer Langston Hughes (Joplin, 1 shkurt 1901 – New York, 22 maj 1967), ka qenë poet, prozator, dramaturg dhe gazetar amerikan.

PASSING

Nga Langston Hughes

Çikago, e diel, 10 tetor

E dashur Ma,

U ndjeva si qen, kur mbrëmë në qendër të qytetit kalova pranë teje dhe nuk të fola. Ti ishe madhështore, sidoqoftë. Nuk e dhe as shenjën më të vogël se më njihje, e lëre më se isha yt bir. Po të mos e kisha me vete atë vajzën, Ma, do të kishim mundur të flisnim. Nuk jam aq i frikësuar më siç isha më herët në lidhje me atë se dikush mund të më marrë për person me ngjyrë veç pse më sheh duke folur me një zezak. E marr me mend se sidoqoftë në dukje jam një lloj dëshmie e dyshimtë. Ti e mban mend se sa periudha të vështira kam kaluar në shkollë duke u munduar t’i bind mësuesit se jam përnjëmend me ngjyrë. Nganjëherë, edhe pasi të takonin ty, nënën time, nuk arrinin ta besonin. Thjesht mendonin se kisha një nënë mulate, ma ha mendja. Prej se kam filluar ta quaj veten të bardhë, askush kurrë s’e ka vënë në dyshim se jam njeri i bardhë. Aty ku punoj shefi është jugor dhe gjithmonë i shan zezakët në praninë time, duke mos ia prerë mendja se edhe unë jam një i tillë. Është për të qeshur!

Është qesharake, megjithatë, Ma, se si disa njerëz të bardhë nuk i duan fare njerëzit me ngjyrë, apo jo? (Po ta bënin, s’do të më duhej të shtiresha si i bardhë për ta mbajtur vendin tim të punës). Nganjëherë nuk lënë gur pa lëvizur që të thonë gjëra të këqija për njerëzit me ngjyrë, duke vënë në dukje se të gjithë ne jemi hajna dhe gënjeshtarë, ose të prekur nga tifoja dhe sifilizi, e gjëra të ngjashme. Nuk është për t’u habitur sa zor është për një zezak të zërë një punë të mirë me këtë lloj propagande të rreme që zien përreth. Kurrë s’e kam ditur se ata bënin praktikë për të thënë gjëra kaq të tmerrshme rreth nesh derisa fillova të shtiresha i bardhë, i dëgjova muhabetet e tyre dhe i jetova jetët e tyre.

Po s’e kisha mendjen të bëhesha i ‘bardhë’, Ma, dhe ishte shumë bujare nga ana jote që më nxite të vazhdoja tutje, të përdorja lëkurën time të hapët dhe flokët e drejta. Ma solli këtë vend pune, Ma, ku ende paguhem 65 dollarë në javë pavarësisht depresionit. Dhe jam në radhë të ngrihem në detyrë si sekretar i zyrës kryesore, nëse z.Weeks shkon në Uashington. Kur e shikoj djalin derëtar me ngjyrë, i cili e pastron zyrën, mendoj se kjo do të ishte ajo që do të bëja po të mos isha lëkurë hapët mjaftueshëm për t’ia dalë mbanë. S’ka rëndësi sa i mençur i duhet këtij djali të jetë, ata nuk do ta pranonin nëpunës në zyre, edhe po ta njihnin për të tillë. Veç si derëtar. Ja pse nganjëherë ma ka ëndja t’i jap ndonjë gjë bosit, të cilit kurrë s’mund t’i shkojë në mendje se e ka një sekretar me ngjyrë.

Por, Ma, u ndjeva tepër keq për atë që ndodhi mbrëmë. Hera e parë që u takuam në publik në atë mënyrë. Kjo është ajo lloj gjëje që e bën shtirjen të rëndë, duke qenë se duhet të mohosh familjen tënde kur i sheh. Natyrisht, unë e ti të dy e kuptojmë se kjo është për më të mirën tonë, po sidoqoftë është e tmerrshme. Të dua, Ma, dhe e urrej ta bëj këtë, edhe nëse ti thua se nuk e ke dert.

Po çka mendon për atë vajzën që ishte me mua, Ma? Ajo është çupa që do ta martoj. Ka pamje të lezetshme, apo jo? Rregullim i mirë. Prindërit mbahen mirë. Farefisi i saj janë gjermano-amerikanë dhe nuk kanë aq paragjykime. E çova atë të shihte një variete me ngjyrë javën e kaluar dhe u nda krejt e kënaqur. Ajo tha, “Zeshkanët janë shumë të hijshëm dhe të hareshëm”. Pyes veten çka do të thoshte po t’i tregoja se jam me ngjyrë, ose gjysëm me ngjyrë – se plaku im ishte i bardhë, por ti jo? Por s’do mend se nuk do ta bëj. Prej se kam ndarë mendjen të jetoj në botën e bardhë dhe kam bërë vend në të (një vend të mirë), pse të mendoj për racën më? Jam krenar që s’do të më duhet, kaq gjë di unë.

Shpresoj që Çarli dhe Gledis nuk po ndihen keq shkaku im. Është qesharake se unë isha i vetmi nga fëmijët mjaftueshëm me lëkurë të hapët që të kaloja. Çarli është më i zeshkët se ti, madje, Ma. E di se në shkollë prekej kur mësuesit më merrnin për të bardhë, para se ta dinin se ishim vëllezër. Edhe unë po ashtu ndihesha keq për këtë shkak, atëherë. Po tash jam i lumtur që më ke mbështetur, që më ke thënë të vazhdoj tutje dhe të marr gjithë atë që mundem nga jeta. Kjo është ajo që do të bëj, Ma. Do të martohem bardhë dhe do të jetoj bardhë dhe nëse ndonjëri nga fëmijtë e mi lindin të zeshkët do të bej be se nuk janë të mitë. Nuk do të ngec më në baltën e ngjyrës. Jo unë. Unë jam i lirë, Ma, i lirë!

Do të gëzohem, megjithatë, nëse do të mund të largohem nga Çikago, të transferohem në zyrën e Nju Jorkut, ose në degën e firmës në San Françisko – diku ku ajo që bëri vaki mbrëmë nuk do të ndodhë kurrë më. Ishte e tmerrshme të kaloja bri teje dhe të mos të të flisja. Sikur Gladis ose Çarli të më takonin në rrugë, s’do të ishin me aq takt sa ishe ti – ngase nuk duket të jenë aq të lumtur pse po shtirem i bardhë. S’e di pse, sidoqoftë. Nuk po i lëndoj ndonjë gjë dhe po të dërgoj ty para çdo javë, po jap ndihmën time po aq sa edhe ata, nëse jo më shumë. Thuaju të mos ma prishin, Ma, nëse rastësisht më hasin mua dhe mikeshen time kudo qoftë. Mbase do të kishte me qenë më mirë sikur ti dhe ata të kishit qëndruar në Sinsinati dhe unë të kisha ardhur vetëm kur vendosëm të lëviznim pasi që vdiq plaku. Ose, tekembramja, duhej të kishim shkuar në qytete të ndryshme, apo jo?

Jezus, Ma, kur mendoj se si babai ia la të gjitha familjes së tij të bardhë dhe ti nuk mund të ndërmerrje asgjë legalisht për ne fëmijët, gjaku më zien. Ti nuk kishe asnjë shans në gjykatën e Kentakit, e di, po mbase sikur megjithatë të kishe provuar, fëmijët e tij të bardhë do të të kishin paguar diçka që ta mbyllje gojën. Mbase s’do të kishin dashur të merrej vesh në gazeta se kanë vëllezër me ngjyrë. Por ti ishe shumë krenare, apo jo, Ma? Unë s’do të kisha qenë aq krenar.

Mirë, ai ta kishte blerë një shtëpi dhe na kishte dërguar ne fëmijëve në shkollë. Më vjen mirë që unë e kam përfunduar kolegjin në Pitsburg para se ai të vdiste. U ndodhi shumë keq Çarlit dhe Gledit që u desh ta ndërprisnin, por shpresoj që Çarli të ketë diçka më të mirë për të bërë se sa të punojë në garazh. Nga ajo sa më the në letrën e fundit rreth Gledisit, nuk ta shoh për të madhe pse je në merak për të – ngase po dëshiron të bëhet pjesë e korit të një prej atyre kabareteve të Bregut Jogor. O Zot! E di se është e vështirë për vajzat të gjejnë çfarëdo pune gjatë kësaj periudhe të depresionit, posaçërisht për vajzat me ngjyrë, edhe pse Gledis është goxha e verdhë dhe e mençur. Por shpresoj të mund ta mbash në shtëpi dhe larg atyre plehrave të Bregut Jugor. S’është vend për një vajzë të mbarë.

Mirë pra, Ma, po e mbyll se kam premtuar ta çoj debolesën time në kinema këtë mbrëmje. A nuk është e ëmbël, leshverdhë dhe sykaltër? Po bëjmë plane për shtëpinë tonë kur të martohemi. Do të marrim një apartament të vockël në bregun Verior, në një vendbanim të mirë, matanë atyre rrugëve anësore të këndshme të qeta ku ka pemë. Do të marr një kuti postare në postë për letrat e tua. Sidoqoftë, më vjen mirë që s’ka kush t’i ndalë letrat ta kapërcejnë kufirin e ngjyrës. Edhe nëse s’mund të takohemi shpesh, mund t’i shkruajmë njëri-tjetrit, a s’është kështu, Ma?

Me dashuri nga yt bir, Jack

Shënim:

Passing, në sociologji, është aftësia e një personi që të konsiderohet si anëtar i një grupi ose kategorie identitare, si identiteti racor, etniciteti, kasta, klasa shoqërore, orientimi seksual, gender, religjioni, mosha dhe/ose statusi i aftësisë së kufizuar, i cili është shpesh i ndryshëm nga ai i tiji. Passing mund të përdoret për të shtuar pëlqimin shoqëror për t’i bërë ballë stigmës duke e larguar stigmën nga vetja e prezantuar dhe mund të rezultojë po aq me benifite të tjera sociale. Kësodore, passing mund të shërbejë si një formë e vetëruajtjes ose vetëmbrojtjes në rast se shprehja identitetit të vërtetë ose atij paraprak mund të jetë e rrezikshme. (Wikipedia)

Duke qenë se termi në origjinal përdoret pothuajse në të gjitha gjuhët e mëdha i tillë, nuk e kemi përkthyer as ne në titull, por, për lehtësime të rastit, kemi përdorur brenda në tekst termat dhe shprehjet që i konsideronim të pranueshme, në italik.

/Marrë nga Langston Hughes, “The Short Stories”, University of Missouri Press, 2002/Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com