113 vjet nga themelimi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”

Më 28 prill të vitit 1912, u themelua Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra.

Vatra militoi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve rreth e qark botës. Në këtë Federatë do të bënin pjesë figurat më të ndritura të kombit. Një prej veprimtarëve më të zëshëm në radhët e saj ishte Fan Noli, cili shkroi edhe himnin e kësaj federate: “Vëllezër u dërmua, Errësirë e skllavërisë, Lindi me dirsë nderi. Një djell plot gëzim, VATRA kështjell’ e dashur, E mëmë Shqipërisë”.

Në takim historik, u themelua një bord i përkohshëm dhe pjesëtarët e tij ishin: sekretari: Fan Noli, arkëtari: Llambi Çikozi, menaxheri i “Diellit”: Kristo Kirka, drejtuesit e degëve të federatës: Faik Konica dhe Kristo Floqi, si dhe supervizorë të “Diellit”: Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasili.

Vatra u njoh zyrtarisht dhe prej shtetit të Masaçusetsit duke marrë certifikatën e njohjes në 13 qershor 1912./atsh/KultPlus.com

Armend Rexhepagiqi po rikthehet, “Dashni e vjetër” albumi më i ri po vjen

Kantautori i njohur Armend Rexhepagiqi ka bërë të ditur përmes një njoftimi në rrjete sociale se tashmë të gjitha tetë albumet e tij janë të disponueshme në platformat më të njohura muzikore si Spotify, Apple Music, YouTube, Deezer dhe TikTok.

Rexhepagiqi, i njohur për vokalin e tij të veçantë dhe tekstet që prekin zemrat e dëgjuesve, ka shprehur mirënjohje të thellë për skuadrën e tij që ka punuar në arkivimin dhe përpunimin e materialeve muzikore. Ai gjithashtu ka njoftuar se shumë shpejt do të publikohet albumi i tij më i ri, me titull “Dashni e vjetër”, që pritet të sjellë këngë të reja dhe të forcojë lidhjen shpirtërore që ai ka ndërtuar me publikun ndër vite.

“Shumë shpejt atyre do t’ju bashkangjitet edhe albumi im i ri “Dashni e vjetër” me këngët më të reja që, shpresoj, do t’arrijnë ta forcojnë dashurinë e vjetër mes juve dhe meje”, ka shkruar ai.

Artisti është aktiv edhe në platformat sociale si Instagram dhe Facebook, ku ndan momente nga krijimtaria e tij artistike dhe jetesa muzikore./KultPlus.com

Anna Oxa, ikona e muzikës italiane, feston ditëlindjen e saj të 64-të

Anna Oxa e lindur me emrin Ana Hoxha, më 28 prill 1961 në Bari, është këngëtare italiane me origjinë shqiptare, e bërë e njohur me shfaqjet e saja në festivalin Sanremo, prej vitit 1987. Këngët e saj janë “Ti lascerò”, “Storie” dhe “Senza pietà”, kjo e fundit ka fituar në vitin 1999.

Me Fausto Leali-n në vitin 1989 mori pjesë në Eurovision, ku ata përfaqësuan Italinë me këngën “Avrei voluto” dhe morën vendin e nëntë.

Ajo ishte prezantuese e festivalit të San Remos së bashku me Pippo Baudo në vitin 1994. Ishte po ashtu ndër të tjera edhe moderatore e shfaqjes së njohur italiane “Fantastico” në vitet 1988 dhe 1989.

Ajo ka qenë një ikonë e muzikës italiane për shumë vite dhe ka shfaqur një talent të jashtëzakonshëm në fushën e këngës.

Gjatë karrierës së saj, Anna Oxa ka performuar në shumë koncerte dhe ka lëshuar shumë albume të suksesshëm, duke bërë bashkëpunime me artistë të tjerë të njohur si Fausto Leali, Umberto Tozzi dhe Riccardo Cocciante. Ajo ka arritur të shfaqet edhe në teatër dhe në film, duke treguar një aftësi të rrallë për të shprehur emocione nëpërmjet artit.

Anna Oxa ka shfaqur gjithashtu një angazhim të lartë për të drejtat e njeriut dhe për mbrojtjen e mjedisit, duke u bërë një zë i fuqishëm në Itali për këto çështje.

Sot, ajo feston 64-vjetorin e lindjes, duke vazhduar të mbetet një nga këngëtaret më të dashura dhe më të respektuara në Itali, e cila ka ndikuar thellësisht në muzikën italiane dhe në kulturën e vendit. / KultPlus.com

Sami Frashëri: Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato

Thënie nga Sami Frashëri

• Njerëzit janë të njëjtë para natyrës, edukata i bën të dallohen.

• Njerëzit e mirë janë të gjykuar të bëhen skllevër të të këqijve.

• Çdo mizori e ka ditën e vet të gjykimit.

• Zbavitja më e bukur për njerinë është leximi; shoku më i mirë libri.

• Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes. Aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.

• Njeriun e bëjnë të përhershëm veprat e tij.

• Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.

• S’ka gjë më të keqe se të përqeshurit, sepse më shumë prek të mirët se të këqijtë.

• Shoku më i pavlefshëm është ai, i cili, për një fjalë që ka dëgjuar për shokun e tij, nuk e do më atë.

• Ai që pëlqen veten e tij, nuk pëlqehet nga askush.

• Duhen shumë mend që të mund shoqërohesh me njerëz pa mend.

• Shpagimi më i ëmbël është të bësh mirë kundër të keqes që të është bërë.

• Po të përdoret mirë koha, do të mjaftojë për të kryer çdo punë.

• Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që flet.

• Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë, jo të tregojë veten e tij.

• Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten.

• Thjeshtësia e një gruaje është më e vlefshme se stolitë e të gjitha grave të botës.

• Shpata e grave është gjuha e tyre, prandaj nuk e lënë të ndryshket.

• Gruaja duhet të ketë në dorën e djathtë gjilpërën e në të majtën librin.

• Çdo gabim i gruas së ndershme është i falur nga burri i saj.

• Shumica e njerëzve, sidomos gratë, nuk i donë ata që i donë por ata që i përbuzin.

• Vjehrra nuk e kujton asnjëherë kohën e nusërisë.

• Për dashurin s’ka gjë më të ëmbël se lotët e syve që fshihen me dorën e së dashurës.

• Fytyra e qeshur është kripa e bukurisë.

• Personi që do ti, s’ka asnjë të metë, fillo të mos e duash, pa shih sa të meta ka.

• S’ka lumturi më të madhe në botë se dashuria dhe harmonia.

• Kush i shtrohet gjithkujt është kokëdele.

• Më i poshtri njeri është ai i cili kërkon mirësi nga një i poshtër.

• Qesja nuk zbrazet duke dhënë lëmoshë.

• Delen që ndahet nga tufa e ha ujku. 

/ KultPlus.com

18 vjet nga vdekja e shkrimtarit Iljaz Prokshi

Iljaz Prokshi lindi në Fortesë të Drenicës më 15 nëntor 1949 ndërsa vdiq në Prishtinë, më 28 prill 2007, shkruan KultPlus.

Shkollën fillore e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Edhe në shkollën e mesme në Mitrovicë ishte nxënës i dalluar, duke u shquar për zgjuarsinë, vizionin dhe vokacionin prej krijuesi. Studimet i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë, dega për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe (Albanologji), në Universitetin e Prishtinës me nota të larta.

Si gjatë shkollës së mesme dhe gjatë studimeve universitare bashkëpunoi me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës si gazetar dhe krijues.

Poezitë e para, Iljaz Prokshi filloi t’i botojë në gazetat dhe revistat letrare të Kosovës më 1966. Ishte në moshë të re kur u paraqit në letërsi dhe vinte me një përvojë që e kishte arritur gjatë leximit të shkrimtarëve më modernë shqiptarë dhe të huaj. Iljaz Prokshi i takon plejadës së krijuese avangardë të Kosovës.

Në konceptet estetike të tij shquhet me idenë e një fillimi të ri në letërsinë shqipe, duke krijuar një letërsi që është simbol i artit modern. Pak kohë më vonë ai botoi edhe tregimet e para, gjithnjë në kërkim të rrugëve dhe mjeteve të reja letrare. Si student ishte shumë aktiv në jetën kulturore. Botoi poezi, tregime, reportazhe, recensione dhe ese për letërsinë.

Për veprën e tij si në poezi dhe në prozë kanë shkruar kritikë të njohur të vendit, ndërsa rezonancë e të gjithë këtyre, është se veprën e Prokshit e përshkon fryma e modernitetit. /KultPlus.com

“Të verbrit” me regji nga Qëndrim Rijani, pjesë e Festivalit të Teatrit ‘MITEM’ në Budapest

Më 30 prill, në Festivalin e Teatrit MITEM në Hungari-Budapest, do të shfaqet “Të verbrit” me regji të Qëndrim Rijanit.

Regjisori Rijani do të jetë në mesin e regjisorëve më të mëdhenj botërorë si: Rimas Tuminas, Silviu Purcărete, Theodoros Terzopoulos, Jan Fabre (i cili shkroi mesazhin për Ditën Botërore të Teatrit 2025), Avtandil Varimashvili, Attila Vidnyánszky, Guy Cassiers, etj.

“Të verbrit”, prodhim i Teatrit Nacional Turk, do të shfaqet krah shfaqjeve të teatrove prestigjioze si Comédie-Française (Francë), Tokyo Metropolitan Theater (Japoni), Teatri Kombëtar i Athinës (Greqi), Teatri Kombëtar i Bullgarisë, Xian Yisu Theatre (Kinë), Kompania Jan Fabre (Belgjikë), Gesher Theatre Company (Izrael), Teatri Kombëtar i Meksikës, Teatri Metropolitan i Stambollit (Turqi), etj.

https://mitem.hu/program/eloadasok/a-vakok?fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTEAAR4FugIXa2ehd9R9CLahmd0bifgoh5wx3aJrvYF4Ktznw2jr0MA02FXexmLoaw_aem_e9uGumV3gXWpLoe-nBl-qA / KultPlus.com

Shkrimtarja gjermane Alexandra Fröhlich gjendet e vrarë brenda shtëpisë-varkë të saj

Alexandra Fröhlich, 58 vjeç, romanet e së cilës kanë zënë vend të rëndësishëm në listat e librave më të shitur në Gjermani, të martën në mëngjes u gjet e vdekur në një shtëpi lundruese në Hamburg, pasi ishte sulmuar dhunshëm.

Çështja iu kalua shpejt skuadrës së vrasjeve mes provave se ajo ishte sulmuar. Autoritetet kanë refuzuar të japin më shumë detaje përveçse thanë se ishin mbledhur prova mjeko-ligjore dhe se ishte dorëzuar një raport i mjekut ligjor, shkruan The Guardian.

Sipas transmetuesit lokal NDR, duke cituar burime policore, Fröhlich u qëllua me armë. Hetuesit kanë lëshuar një apel për dëshmitarë të mundshëm që mund të kenë vërejtur aktivitet të dyshimtë në ose rreth shtëpisë lundruese të gjatë ngjyrë qershie në të cilën banonte Fröhlich, në bregun Holzhafen të lumit Elba në lagjen lindore Moorfleet.

Djali i saj zbuloi trupin e saj të martën në mëngjes, sipas policisë, e cila beson se ajo vdiq midis mesnatës dhe orës 5:30 të mëngjesit.

“Sipas informacionit aktual, të afërmit e gjetën gruan 58-vjeçare të pajetë në shtëpinë e saj lundruese dhe njoftuan zjarrfikësit, të cilët vetëm mundën të konfirmonin vdekjen e gruas,” tha një zëdhënës i policisë për mediat lokale.

“Pas vlerësimit të gjurmëve dhe provave, autoritetet hetuese tani besojnë se gruaja vdiq si pasojë e dhunës.”

Zëdhënësi tha se hetuesit po shqyrtonin të dyshuarit e mundshëm dhe nëse vrasësi mund të ketë qenë i njohur për Fröhlich. “Duke pasur parasysh hetimin në vazhdim, nuk mund të jepen informacione të mëtejshme në këtë kohë,” tha ai.

Media raportoi se zhytësit ishin në vendin e ngjarjes, mes spekulimeve se arma mund të ishte hedhur në lumin Elba.

Fröhlich filloi karrierën si gazetare, fillimisht në Ukrainë ku themeloi një revistë për gra në Kiev. Më vonë ajo punoi si gazetare e pavarur në Gjermani për revista për gra dhe të tjera si Stern, përpara se të fillonte të shkruante romane.

Në vitin 2012 ajo botoi romanin e saj të parë, Vjehrra ime ruse dhe katastrofa të tjera, të cilin ajo tha se e bazonte në përvojën e saj personale të martesës me një rus.

Libri hyri në listën e bestseller-ave të revistës Der Spiegel, një nga treguesit më të afërt të vëzhguar të shitjeve të letërsisë artistike dhe jo-trilluese në Gjermani, ku qëndroi për disa muaj. Më pas u përkthye në frëngjisht. Një kritik në atë kohë e përshkroi atë si “një satirë qesharake perëndim-lindje”.

Në vitin 2016 ajo botoi romanin kriminal Vdekja është e Sigurt, i cili pati po aq sukses, dhe në vitin 2019 ajo e pasoi këtë me Skelete në Dollap. Të dy u botuan nga Penguin. Romanet e saj karakterizoheshin nga një përzierje humori, rrëfenjash familjare dhe temash sociale./ KultPlus.com

Në shenjë solidarizimi me familjet e të pagjeturve, Komuna e Prishtinës ndalë dritat

Për solidarizim me familjet e të pagjeturve të luftës së fundit në Kosovë, në objektin e Komunës së Prishtinës janë fikur dritat.

Për këtë ka treguar kryetari i kryeqytetit Përparim Rama, përmes një postimi në Facebook.

Në ditën kur përkujtohen të pagjeturit, Rama ka thënë se jemi pranë familjeve të tyre.

“Ndalëm dritat e objektit të Komunës për t’u solidarizuar me familjet e të pagjeturve. Në këtë ditë përkujtimi, jemi pranë tyre, me respekt të thellë për qëndresën, forcën dhe përkushtimin e tyre të palëkundur për zbardhjen e së vërtetës”, ka shkruar ai në Facebook. / KultPlus.com

‘Kur ikja larg, drejt teje vija; Kur vija afër, ikja larg’

Poezi nga Dritëro Agolli

Kur ikja larg, drejt teje vija;
Kur vija afër, ikja larg.
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia bëhej çark.

As e kuptoja si të desha,
Një mjegull pus, një çmenduri,
Si një poet që shkruan vjersha
Dhe ndez një shkrepse, i bën hi.

Dhe ndofta kjo ish dashuria :
E çakërdisur kuturu…
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia gjithashtu./ KultPlus.com

Së shpejti promovimi i librit ”Rrugëtime” nga Anisa Ismaili

Anisa Ismaili ka publikuar botimin e dytë të librit “Rrugëtime”.

Promovimi i librit do të bëhet në Studio Buzuku, në Taslixhe 1, më 29 prill.

“E lumtur që po sjelli librin tim të dytë në jetë. Ajo u botua më 2020, por tash me botimin e saj të dytë, po e jetësoj edhe me një promovim alla Anisë, me një gotë venë, pak ëmbëlsira e biskota ditë e bukur për mua”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Liderët botërorë dërgojnë ngushëllimet për Kanadanë, pasi një veturë u përplas në turmë

Një numër njerëzish janë vrarë dhe “shumë të tjerë” janë plagosur pasi një makinë u përplas në një turmë në një festival në Vankuver, thotë policia.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron thotë: “Pas tragjedisë në Vankuver, unë shpreh solidaritetin tonë me kanadezët dhe komunitetin filipinas”.

Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, thotë se është i tronditur dhe thellësisht i pikëlluar nga ngjarja. “Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit, familjet dhe të dashurit e tyre”.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Andriy Sybiha i dërgon ngushëllime popullit kanadez. “Ne në Ukrainë e dimë dhimbjen e humbjes. Zemrat tona janë për të dashurit e viktimave.”

Ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Jan Lipavský thotë se vendi “dënon fuqishëm këtë akt të tmerrshëm dhune”, ka raportuar BBC./ KultPlus.com

BE ndërmerr veprime për substancat e dëmshme në lodra

Bashkimi Evropian do të ndalojë përdorimin e PFAS, të njohura si “pollutues të përjetshëm”, si dhe të ndërprerësve endokrinë në lodra deri në vitin 2030. Si është situata në Zvicër dhe si mund ta kufizojmë ekspozimin e fëmijëve ndaj këtyre substancave? On en parle bën një pasqyrë me Murielle Bochud, mjeke e lartë në Unisanté dhe profesoreshë e shëndetit publik në Universitetin e Lozanës (UNIL).

Fëmijët nuk janë të imunizuar ndaj produkteve toksike. Unazat e dhëmbëve, lodrat e mbushura, lodrat e plazhit dhe produkte të tjera të destinuara për fëmijë të vegjël mund të përmbajnë PFAS, ndërprerës endokrinë, biocide dhe substanca alergjike. Këto janë kimikate që mund të jenë të dëmshme për trupin, transmeton albinfo.ch.

Më 10 prill 2025, Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje për të ndaluar këto substanca nga lodrat që shiten në territorin e tij deri në vitin 2030. Deri tani, direktiva aktuale nuk përfshinte asnjë përmendje të PFAS. Ajo trajtonte vetëm substancat e quajtura “CMR” (karcinogjene, mutagjene ose toksike për riprodhimin), për të cilat ishin vendosur vlera maksimale.

Ndalimi specifik i PFAS, përveç rasteve kur fëmija nuk mund të vijë në kontakt me substancën, si dhe një numër i shtuar i ndërprerësve endokrinë, është një hap i parë, duke e bërë këtë rregullore një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve nga kimikatet e dëmshme.

Parimi i parandalimit

Përdorimi i industrisë që nga vitet 1940 për vetitë e tij të papërshkueshmërisë nga uji, mos-ngjitjes dhe qëndrueshmërisë ndaj njollave, PFAS (ose substancat per- ose polifluoroalkilike) zakonisht nuk gjenden në lodra. Megjithatë, praninë e tyre nuk mund ta përjashtohet, ndaj është e rëndësishme të aplikohet parimi i parandalimit, siç thekson Murielle Bochud, profesoreshë e shëndetit publik në Universitetin e Lozanës dhe mjeke e lartë në Unisanté, në programin On en parle: “Ka disa mijëra PFAS. Shumë prej tyre nuk janë studiuar ende, prandaj ekziston pasiguri. Edhe nëse nuk kemi prova të qarta që këto substanca kanë një ndikim në shëndet përmes molekulave të caktuara, mund të dyshohet se ekziston një rrezik potencial, veçanërisht për fëmijët dhe gratë shtatzëna.”

Ndërprerësit endokrinë janë një familje shumë e gjerë substancash që ndikojnë në sistemin hormonal. Disa përbërës janë njëkohësisht PFAS dhe ndërprerës endokrinë. Prania e këtyre molekulave në trup është e lidhur me disa çrregullime zhvillimi, pubertet të vonuar dhe kancer, ndër efektet e tjera të vërejtura.

Një pjesë e madhe e lodrave është e përfshirë

“Një pjesë e mirë e lodrave janë të përfshira, sa herë që ka pjesë plastike, ngjyra ose tekstil. Të gjitha këto lloje lodrash mund të përmbajnë PFAS ose ndërprerës endokrinë”, shpjegon Murielle Bochud. “Fëmijët janë më të ndjeshëm ndaj këtyre substancave sesa të rriturit. Po ashtu gjatë rritjes dhe pubertetit. Periudha tjetër e ndjeshmërisë është shtatzënia, me ekspozimin e fetusit.”

Membranat mukozale, pra goja, janë një nga rrugët e mundshme të ekspozimit ndaj substancave të dëmshme. “Ingestioni, ushqimi ose pijet, kontakti me lëkurën, inhalimi përmes pluhurit dhe gjatë shtatzënisë përmes placentës janë rrugë të tjera ekspozimi”, saktëson Murielle Bochud.

Mjekja jep disa këshilla: “Nëse bëhet fjalë për një lodër me gishta, rekomandojmë ta lajë përpara përdorimit të parë. Nëse është një figurë plastike ose play-dough, shqyrtojini: nëse shihni simbolin CE, një certifikim evropian, kjo do të thotë që ato përmbushin disa standarde strikte të caktuara nga bashkësia evropiane.” Etiketa CE është një garanci për cilësinë, pasi kriteret e kësaj certifikate do të bëhen edhe më të rrepta me ndalimin e PFAS dhe ndërprerësve endokrinë deri në vitin 2030./ KultPlus.com

Shpirti im

Poezi nga Nazim Hikmet

Shpirti im
mbylli sytë
avash avash
siç fundosesh në ujë
zhytu në gjumë
lakuriq dhe veshur me të bardha
më e bukura ëndërr
do të të presë
shpirti im
mbylli sytë
avash avash
përhumbu, si në harkun e krahëve të mi
në gjumin tënd mos më harro
mbylli sytë dalëngadalë
sytë e tu të kaftë
ku digjet një flakë e gjelbër
shpirti im./ KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani takon presidentin e Kenias: Gjithmonë kënaqësi të takoj mikun e madh të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur takimin e saj me presidentin e Kenias, William Ruto.

“Gjithmonë kënaqësi të takoj mikun e madh të Kosovës, Presidentin @WilliamsRuto, dhe të diskutoj hapat e ardhshëm në forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe, duke i afruar edhe më shumë popujt e Kosovës dhe Kenias.”/ KultPlus.com

Screenshot

Aeroporti i Vlorës, Balluku: Më 8 maj testi i parë i uljes së avionit në pistë

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha sot se “më 8 maj, vetëm pas pak ditësh, do kemi testin e parë të uljes në pistën prej 3,2 kilometrash në Vlorë”.

Në fjalën e saj gjatë një takimi në qytetin e Vlorës me fokus ecurinë e projekteve strategjike në fushën e transportit, kryesisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe zhvillimin e portit të këtij qyteti, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Balluku tha se “brenda sezonit veror do të nisin operimet zyrtare nga Aeroporti i Vlorës, aeroporti i gjithë shqiptarëve”.

Balluku tha se “Vlora pret në vitin e parë të operimit 3 milionë pasagjerë”.

Ajo theksoi se ndërtimi dhe bërja funksional i Aeroportit të Vlorës do të krijojë 1200 vende punë për të gjithë ata persona, që duan të punojnë dhe kontribuojnë në sektorin e  Aviacionit Civil.

“Ka 1200 vende pune, një pjesë e të cilëve kanë nisur rekrutimi. Pagat në aviacionin civil janë paga shumë të ngjashme me vendet e tjera evropiane, sepse siç e kemi thënë, aviacioni civil nuk i ka kufi. Kapaciteti përpunues në këtë aeroport do të jetë 4,5 milionë pasagjerë”, tha Balluku.

Duke e cilësuar krenarinë e aviacionit civil, Balluku tha se “kur filloi investimi ishte planifikuar 104 milionë euro, por që për shkak të gjitha zhvillimeve nga viti 2021 deri në 2024 konsorsiumi ka investuar deri tani 140 milionë euro, pasi është aeroporti i parë që ka tre komponentë të rëndësishëm të bërë bashkë”.

“Komponenti i parë i aviacionit civil, transporti i pasagjerëve; i dyti, mirëmbajtja e avionëve, një nënsektor toalisht i ri në Republikën e Shqipërisë, i cili do të sjellë jo vetëm punësimin e qindra djemve dhe vajzave, të cilat do të vendosin që të hyjnë në këtë industri të re, por e vendos Shqipërinë si një nga vendet ku zhvillohet një nënsektor shumë i rëndësishëm, që sjell edhe rritje të ulje-ngritjeve edhe rritje të të ardhurave të njësisë operative për shkak të qëndrimit të ditëve të qëndrimit të avionëve. Pra një komponent i industrisë së aviacionit civil që ka impakt ekonomik të jashtëzakonshëm si për pozicione pune, edhe për të ardhurat”, nënvizoi Balluku./ KultPlus.com

‘Të gjitha lumturitë marrin fund dhe vuajtja do të jetë aty’

Shpëtim Selmani

*
(Xhevdës dhe Vjosës)

Këmbanat bien furishëm
Në Graz
Brenda meje kujtime

Të gjitha netët e gjata
Marrin fund dhe mëngjesi
Do të jetë aty

Të gjitha lumturitë marrin
Fund dhe vuajtja
Do të jetë aty

Është e pamundshme të
Qetësohesh derisa ditëlindjet
E secilit dridhen si

Lule të mjera nën
Pushtetin e viteve
Që nuk vonohen

Nuk ka asgjë të përjetshme
Zoti mprehë sëpatën
Ne shohim orën

Gjithë çfarë mbetet
Pas nesh janë
Shkëmbinjtë

Dhe pafytyrësia
E natyrës. / KultPlus.com

‘Hamleti në fshatin Katran’, Bujar Asqeriu emocionon publikun në Gjirokastër

“Hamleti në fshatin Katran” titullohet premiera që po shfaqet gjatë fundjavës në skenën e teatrit të Gjirokastrës.

Premiera me regji të Erjon Hinajt sjell për artdashësit interpretimin e trupës së teatrit “Zihni Sako” të këtij qyteti, me pjesëmarrjen e aktorit të mirënjohur Bujar Asqeriu.

Subjekti i pjesës së autorit kroat Ivan Bresha zhvillohet në një fshat të humbur, në një vend nën regjimin totalitar komunist, ndërsa tentohet të vihet në skenë një pjesë teatri. Për ironi të fatit, personazhet gjatë shfaqjes përjetojnë situata sa komike, aq edhe dramatike.

“Vepra vjen si një mesazh i fortë për të gjithë ne, që gjëja më e çmuar e një kombi është ruajtja e individit, vlerat e njeriut. Dhe këtë duhet ta mbrojë çdo njeri që është në pushtet, si edhe çdo njeri që është në funksione shumë herë më të thjeshta në popull. Të drejtat e njeriut janë një nga themelet e popujve të Perëndimit. Kështu që pjesa përcjell lirinë, të drejtën e të folurit, dhe mbi të gjitha, integritetin dhe protestën ndaj gjërave të padrejta”, thotë regjisroi Erjon Hinaj.

“Shpresoj që publiku të ketë parë dhe të ketë marrë mesazhet e veprës, por unë ndihem pak i emocionuar sepse sot ishte një shfaqje masive, dhe kishte shumë kohë që në teatrin e Gjirokastrës nuk vendosej një shfaqje e tillë”, thotë aktori Aleksandër Kondi.

Një vlerë e shtuar artistike në këtë shfaqje ishte pjesëmarrja e aktorit të njohur të skenës dhe ekranit, Bujar Asqeriu.

“Unë kam bindjen e plotë që shfaqja do të ndiqet nga publiku gjirokastrit, sepse është një publik i mençur, i ditur dhe e kupton shumë mirë mesazhin e kësaj vepre. Për Gjirokastrën unë kam dobësinë time, sepse im atë është nga ky qytet dhe erdha me kënaqësi të luaj këtu”, thotë aktori Bujar Asqeriu.

Tashmë, skena artistike e teatrit në Gjirokastër mirëpret shfaqje të interpretuara nga trupa shqiptare dhe të huaja, që ndiqen me interes nga artdashësit./euronews/ KultPlus.com

Qindra besimtarë vizitojnë varrin e të ndjerit Papa Françeskut

Bazilika e Shën Marisë së Madhe në Romë hapi sot dyert e saj për të lejuar besimtarët të shprehin respektin e tyre në varrin e të ndjerit Papa Françeskut, një ditë pasi ai u varros.

Qindra besimtarë u rreshtuan sot në mëngjes para kishës – përpara se ajo të hapej në orën 7:00 të mëngjesit.

Françesku zgjodhi kishën në Romën qendrore si vendin e tij të prehjes – në vend të Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, ku janë varrosur shumë nga paraardhësit e tij.

Ai u varros dje në një ceremoni madhështore në Sheshin e Shën Pjetrit, ku morën pjesë qindra mijëra njërëz, si dhe udhëheqës globalë.

Kardinalët e mbledhur me rastin e ceremonisë së varrimit dhe konklavës së ardhshme për të zgjedhur pasardhësin e Françeskut – do të vizitojnë sot pasdite (16:00) – vendin e tij të prehjes /atsh/ KultPlus.com

Kurti fton ndërkombëtarët të rrisin presionin ndaj Serbisë: Nuk mund të ndërtohet paqe me ata që qëndrojnë mbi varrezat masive

Sot shënohet përvjetori i 26-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill 1999 u vranë 376 persona. Në përkujtim të kësaj ngjarjeje tragjike, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Memorialin e të rënëve, pranë të cilit gjendet edhe Guri i Nënës Pashkë.

Kryeministri Kurt u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që ta rrisin presionin ndaj Serbisë për të për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit për gjenocidin e kryer në Kosovë, pasi sipas tij nuk mund të ndërtohet paqe me ata që qëndrojnë mbi varrezat masive.

Kryeministri Kurti ka thënë se drejtësia është themeli për një rajon paqësor, të sigurt e të qëndrueshëm.

“Jo vetëm personat e rrëmbyer e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktima të këtij krimi të vazhdueshëm. Ata janë në ankthin më të tmerrshëm pas luftës, në pritje të së vërtetës dhe drejtësisë për më të dashurit e tyre.

Sot Kosova po shënon Ditën e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, në kujtim të masakrës në Mejë dhe të gjithë zhdukurve me dhunë nga Serbia.

Institucionet e Republikës për drejtësi, duhet ta dëshmojnë veten më së shumti e më së pari në rastet e krimeve të kryera gjatë luftës, për shkak se koha po kalon dhe dëshmitarët po mplaken dhe shumë prej tyre po ndërrojnë jetë”, ka thënë Kryeministri Kurti.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në Facebook:

7 prill 1999 në Mejë dhe Korenicë, është më e madhja në historinë e luftës së fundit në Kosovë.

Atë ditë, 26 vite më parë, në këto fshatra të Gjakovës u vranë 376 civilë shqiptarë të paarmatosur dhe të pafajshëm. Në ditët në vijim, vazhdoi fshehja e trupave dhe shkatërrimi i dëshmive në vendin e krimit.

Të vrarët u varrosën dhe u rivarrosën në disa lokacione. Një pjesë e madhe e tyre u transportuan në Serbi, në varreza masive në Batajnicë. Krahas Batajnicës, ku janë gjetur 744 njerëz tonë të vrarë e të rrëmbyer, në Serbi janë zbuluar edhe katër varreza tjera masive, me mbi 200 shqiptarë, në Peruqac, Petrovo Selo, Kizhevak e Rudnicë.

Mes civilëve të vrarë ishin edhe Gjovalin e Milan Markaj nga Korenica e Gjakovës. Trupat e tyre u gjetën në varrezën masive në Batajnicë. Tri ditë pas rivarrimit të tyre në Mejë, më 27 maj 2003, nëna e tyre Pashke Krasniqi Markaj, dogji veten me benzinë, për t’i dhënë fund jetës së saj dhe dhembjes për të bijtë.

Në hyrje të memorialit në Mejë, nderuam kujtimin e Nënës Pashke. Sot e gjithmonë përkulemi para sakrificës, forcës dhe qëndresës së nënave dhe familjarëve të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

Jo vetëm personat e rrëmbyer e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktima të këtij krimi të vazhdueshëm. Ata janë në ankthin më të tmerrshëm pas luftës, në pritje të së vërtetës dhe drejtësisë për më të dashurit e tyre.

Sot Kosova po shënon Ditën e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, në kujtim të masakrës në Mejë dhe të gjithë zhdukurve me dhunë nga Serbia.

Institucionet e Republikës për drejtësi, duhet ta dëshmojnë veten më së shumti e më së pari në rastet e krimeve të kryera gjatë luftës, për shkak se koha po kalon dhe dëshmitarët po mplaken dhe shumë prej tyre po ndërrojnë jetë.

Në dhjetor të vitit 2023 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 53 personave të dyshuar për masakrën e Mejës dhe fshatrave të regjionit Reka e Keqe, të Gjakovës. Është e domosdoshme këmbëngulësia dhe efikasiteti i sistemit tonë të drejtësisë, por gjithashtu edhe mbështetja ndërkombëtare për këto krime të pazbardhura, të cilat kërkojnë përgjigje sa më parë.

Sot e gjithnjë u bëj thirrje ndërkombëtarëve që ta rrisin presionin ndaj Serbisë për të vërteten e këtyre krimeve duke hapur arkivat, e për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë e ushtarakë për gjenocidin e kryer në Kosovë. Ky është themeli për një rajon paqësor, të sigurt e të qëndrueshëm. Nuk mund të ndërtohet paqja me ata që qëndrojnë mbi varrezat masive teksa i mohojnë ato.

Me dhembje e mall e pikëllim, sot dhe përherë, nderojmë martirët e Mejës e të Kosovës!/ KultPlus.com

Doli numri i ri i Revistës Letrare “Jeta e Re”

Posa ka dalë në qarkullim numri i parë për këtë vit i revistës letrare të traditës “Jeta e re”. Revista hapet me një In memoriam për shkrimtarin dhe përkthyesin e mirënjohur Muhamed Kërveshi, i cili vdiq në shkurt të këtij viti. Kërveshi vjen në këtë numër të revistës me një cikël poezish përzgjedhur nga vepra e tij poetike, me esenë e tij “Imazhi poetik”, si dhe me tekstin kritik për poezinë e tij me titullin  “Poezia dhe koha” të Bajram Krasniqit.

Në rubrikën e prozës botohen tregimet: “Shtegu i verbërve” të Ndue Ukajt, “Zjarri i komitëve” dhe “Dashuria e parë” të Bedri Tahirit,”Afterparty” të Dhurata Hotit, “Të shikosh nga dritarja” të Orhan Pamuk-ut, “Kapela” të Thomas Bernhard-it dhe “Heronjtë e fundit” të Guido Morsell-it:”

Ndërkaq, me nga një cikël poezish prezantohen Sali Bashota, Nexhat Hallimi, Shefqet Dibrani, Maria Rainer Rilke,Tomazh Shalamun dhe Patrizia Valduga.

Në rubrikën qendrore Dossier, në një hapësirë prej 50 faqesh, prezantohet poetesha e njohur peruane Blanka Varela, e cila përfaqësohet me një cikël të gjerë poezish, me një intervistë dhe me tekstin për jetën dhe veprën e saj me titullin “Asgjë s’tingëllon më bukur se heshtja” të Rosio Silva Stantisteban.

Rubrika e kritikës fillon me tekstin “Fotografia si organizim stilistik” të Nysret Krasniqit, për të vazhduar me “Teki Dervishi: nga autotreferenca në art” të Arbenitë Xhemajlit , “Pakti i “sikurit” (për romanin “Sikur t’isha djall” të Ag Apollonit) të Granit Sadikut dhe “Alegoritë e progresit: Goethe dhe Hegel përball shkrimit të historisë“ të Daniel Rudy.

Në rubrikën Recensione Fatbadha Statovci shkruan për librin e fundit të akademik Nysret Krasniqit “Kanunet e Gjeçovit” e  Riza Shaqiri për librin me tregime “Pengu i dollisë” të Sedail Zejnullahut, kurse në rubrikën e fundit Classicus vjen në vzhdime “ Këga e Sidit”.

Përkthyesit që kontribuan në këtë numër të revistës janë:  Alket Çani, Qerim Raqi, Erion Karabolli, Arben Idrizi, Azem Qazimi, Valon Veliqi, Ismail Ismaili dhe Kosovar Berisha.

Nxënësit e shkollës ‘Prenk Jakova’ prezantohen me koncert koral në Shkodër

Kori i Shkollës së Mesme të Lartë të Muzikës ”Prenk Jakova” nga Gjakova të enjten është prezantuar në Shkodër me koncert koral, nën drejtimin e dirigjentit Kastriot Sada, dhe me korepetitim Gent Kumnova.

Koncerti është mbajtur në sallën e Shkollës Artistike ”Prenke Jakova”. Me pika muzikore interpretuan edhe Diell Ballata-Flaut dhe Liani Juniku-Piano.

Ky bashkëpunim ndërmjet të dyja shkollave me të njejtin emër, shihet si një mundësi e mirë për shkëmbime kulturore mes artistëve të rinj./ KultPlus.com

Andin Hoti: Plaga e të zhdukurve është plagë kolektive, drejtësia ende e paarritur

Në shënimin e Ditës së Personave të Zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, të shtunën janë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, pranë Kuvendit të Kosovës, homazhe këto që janë organizuar nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Pas homazheve, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, tha se të zhdukurit dhe plaga e tyre nuk janë plagë individuale, por një plagë kolektive që prek tërë shoqërinë kosovare.

Ai theksoi se nuk mund të ketë normalitet pa zbardhjen e të vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë. Sipas Hotit, të zhdukurit nuk mund të harrohen as të shërohen vetëm me kalimin e kohës, por vetëm atëherë kur e vërteta të dalë në dritë dhe drejtësia të vihet në vend për secilën familje.

“Të zhdukurit dhe plaga jonë nuk është plagë individuale, por është një plagë që e prek gjithë shoqërinë tonë. Është një plagë që nuk mund të ketë normalitet, pa u treguar e vërteta dhe pa ardhur drejtësia në vend. Të zhdukurit nuk mund të shërohen si plagë vetëm me kalimin e kohës. Kjo plagë do të shërohet vetëm kur drejtësia do të vihet në vend dhe e vërteta të tregohet në familje. Zhdukjet, vrasjet apo edhe dërgimi i trupave në frigorifer apo në pajisje të ndryshme bërë varreza masive në Serbi nuk janë thjeshtë akte lufte. Ato janë krim kundër njerëzimit, gjenocid i pastër. Një lloj krimi që në fakt bota e sotme nuk e sheh shpesh herë. Prandaj, ky krim duhet të ketë drejtësi, e që fatkeqësisht ne këtë drejtësi ende po vazhdojmë ta kërkojmë në instanca ndërkombëtare dhe kudo që mundemi. Ne Kosova, qytetarët e Kosovës nuk di të ndalemi derisa personi i fundit i zhdukur të dihet fati i tij”, tha Hoti.

Presidentja Osmani kujton masakrën e Mejës: Çdo person i vrarë dhe i zhdukur, është betim i yni për drejtësi

Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar masakrën e Mejës, ku 376 shqiptarë u vranë mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Presidentja Osani ka thënë se çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i tyre për drejtësi.

“Sot, me zemër të rënduar, e kujtojmë Masakrën e Mejës, njërën nga plagët më të thella të Kosovës. 376 jetë të pafajshme u morën mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë, vetëm pse ishin shqiptarë. Plagët që la pas kjo tragjedi janë ende të hapura, por dhimbja dhe vendosmëria jonë, janë bashkuar për të mos lejuar që e vërteta të harrohet. Çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i yni për drejtësi”, ka shkruar Osmani.

“Në këtë tokë të shenjtë të dhimbjes, mbjellim shpresën për një të ardhme me më shumë drejtësi dhe më shumë dinjitet. Kujtimi për martirët e Mejës do të jetojë përjetë në zemrat tona. Lavdi jetës dhe sakrificës së tyre!”

Saz`Iso sjell muzikë tradicionale shqiptare të jugut në Prishtinë

Sot në mbrëmje, grupi i njohur Saz`Iso ka mbajtur një koncert unik në AMC Hall në Prishtinë, ku ka interpretuar muzikë tradicionale shqiptare. Koncerti, i mbështetur nga RTK si sponsor medial, solli tingujt autentikë të Shqipërisë së Jugut për publikun prishtinas.

Gjatë shfaqjes, Saz’Iso ka performuar një repertor të pasur muzikor, duke sjellë një atmosferë të veçantë të traditës shqiptare. Pas koncertit, grupi ka falenderuar publikun për mbështetje duke thënë: “Na keni mbushur zemrat me dashuri të pashterrshme”.

Grupi është drejtuar nga Edit Pula dhe Andrea Goertler, të cilët janë përpjekur që Saz’Iso të arrijë audiencën ndërkombëtare, me mbështetje nga producenti legjendar Joe Boyd dhe inxhinieri fitues i çmimit Grammy, Jerry Boys, që kanë kontribuar në formësimin e tingullit të grupit.

Saz’Iso mbushi sallën plot dhe krijoi një atmosferë fantastike. Koncerti ishte një mundësi për të përjetuar meloditë e pavdekshme në skenë dhe për të mbështetur muzikën tradicionale shqiptare./rtk/ KultPlus.com