Baleti Kombëtar i Kosovës luan shfaqje për herë të parë në Portugali

Baleti Kombëtar i Kosovës do të paraqitet në Lisbonë të Portugalisë, me shfaqjen “Aeon” më 27 korrik.

Premierën e shfaqjes ‘Aeon’ Baleti Kombëtar e pati në Prishtinë gjatë muajit qershor duke shënuar premierën e katërt gjatë këtij viti, që këtë herë erdh si bashkëpunim me koreografin Daniel Cardoso.

Shfaqja jepet më 27 korrik, në CINETEATRO D. JOÃO V, në ora 19:00, në Lisbonë, Portugali.

‘AEON’, Baleti Kombëtar vjen me premierën e katërt për vitin 2024

Baleti Kombëtar i Kosovës, shfaq premierën e katërt për vitin 2024 “AEON”, me koreografi të Daniel Cardoso.

Pjesëtarët tjerë që mundësuan shfaqjen “AEON” janë:
Asistente e koreografit: Inês Godinho
Udhëheqëse e provave: Luljeta Ademi
Kostumet: Inês Godinho & Helena Pereira
Fustanet: Ines Godinho & Elva Bella

Shfaqja premierë jepet në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës më 27.06.2024, kurse repriza jepet më 28.06.2024/ KultPus.com

Baleti Kombëtar jep shfaqjen ‘Shtegtimi’ në New York

Baleti Kombëtar i Kosovës do të paraqitet me shfaqjen “Shtegtimi” në teatrin e Manhattanville University të New York-ut.

“Shtegtimi” me koreografi nga Antonio Pio Fini, u realizua si premierë në Kalabri të Italisë, në korrik tē vitit 2023.

Koreografia “Shtegtimi” nga Antonio Finì, një balerin dhe koreograf me origjinë arbreshe, eksploron tema universale të migrimit përmes gjuhës së lëvizjes. Kjo performancë nxjerr në pah përvojat dhe sfidat me të cilat përballen emigrantët, duke ofruar një anë emocionale dhe të fuqishme interpretimi të udhëtimit të tyre. Në koreografinë “Shtegtimi”, ngjyrat luajnë një rol të rëndësishëm.

Ndërsa kërcimtarët lëvizin nga një skenë në tjetrën, shtohen shtresa ngjyrash të gjalla, që përfaqësojnë kulturat e ndryshme që kanë emigrantët të cilat i bartin me vete dhe i fitojnë përgjatë udhëtimit të tyre, ngjyra të simbolizojnë pasurinë dhe diversitetin që lindë nga takimi i traditave dhe historive të ndryshme.

Një element dallues i kësaj shfaqjeje është përdorimi i këngëve arbreshe, të cilat kërcimtarët i këndojnë gjatë performancës së tyre. Këto këngë jo vetëm që i shtojnë një element muzikor tërheqës koreografisë, por edhe një lidhje të thellë me kulturën dhe rrënjët e arbreshëve. Te meloditë dhe tekstet e këngëve rrëfejnë historitë e një komuniteti emigrant, duke ngjallur ndjenja të nostalgjisë, shpresës dhe qëndrueshmërisë.

Nëpërmjet “Shtegtimit”, Antonio Finìi përcjell një mesazh mirëkuptimi dhe solidariteti ndaj atyre që e gjejnë veten në një rrugë migrimi. Koreografia e tij kap bukurinë dhe kompleksitetin e kësaj përvoje universale, duke i kujtuar audiencës rëndësinë e mirëseardhjes dhe respektimin e kulturave dhe identiteteve të ndryshme.

Shfaqja jepet më 6 qershor, në teatrin e Manhattanville University në New York./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës hap thirrje për audicion

Baleti Kombëtar i Kosovës, hapë thirrje për angazhimin e 60 (gjashtëdhjetë) fëmijëve për shfaqjen e baletit “Peter Pan” me koreografi nga Olga Pango.

Ky projekt do të realizohet si premierë me dt 01.06.2024, në Ditën Botërore të fëmijëve.

BKK, fton të gjithë të interesuarit për të aplikuar në audicionin e hapur, I cili do të mbahet me dt 27.04.2024 (e shtunë) në sallën e AKV Shota në Prishtinë me fillim në ora 13:00.

Koha e realizimit të projektit është nga dt 02.05.2024 deri me 01.06.2024

Provat e shfaqjes përgjatë këtyre ditëve, do të mbahen çdo ditë me fillim në ora 17:00 dhe orari i provave do të zgjasë në varësi të nevojave të procesit të punës. Puna përgjatë fundjavave, nuk përjashtohet!

Detaje për audicion:

Mosha e kërkuar – 9 deri në 15 vjeç.

Audicioni do të mbahet në grupe, në varësi të numrit të pjesëmarrësve.

Pjesëmarrësit në audicion, do të vlerësohen nga Komisioni profesional, në krye me koreografen e shfaqjes.

Prindërit, së bashku me fëmijët, duhet të paraqiten në objektin e AKV shota, të paktën një orë para fillimit të audicionit, për t’i kryer procedurat e regjistrimit për audicion dhe për të gjithë fëmijët e interesuar, prindërit ose personat përcjellës të fëmijëve, duhet të paraqesin certifikatën e lindjes në momentin e regjistrimit për audicion.

Mënyra e vlerësimit, do të bëhet përmes mbajtjes së klasës së baletit (ushtrimet në levë dhe në mesin e sallës, në varësi të kërkesave të Komisionit)./KultPlus.com

Baleti Kombëtar nis provat për premierë në New York

Baleti Kombëtar i Kosovës, ka filluar provat për premierën e dytë për vitin 2024, shfaqje kjo e cila do të shfaqet si premierë në New York të SHBA.

Në bashkëpunim me primabalerinën dhe koreografen Chiara Ajkun, kjo shfaqje, premierën botërore do ketë me dt 31.05.2024, në teatrin St.Jean, në Manhattan të New York-ut./ KultPlus.com

BKK fillon provat e shfaqjes ‘Rebounds. A Basketballet’

Baleti Kombëtar i Kosovës ka filluar provat e shfaqjes së parë për këtë vit ‘Rebounds. A Basketballet’, me dy koreografët gjermanë Friederike Lampert dhe Jochen Roller, shkruan KultPlus.

Në një njoftim për media thuhet se me dy koreografët në fjalë BKK-ja ka bashkëpunuar edhe para 7 vitesh për shfaqjen ‘New Born’, shfaqje kjo e cila është dhënë në Prishtinë, Berlin dhe në Hamburg.

Ndërsa shfaqja ‘Rebounds. A Basketballet’ do ta ketë premierën me 15 shkurt. Përveç në Prishtinë, kjo shfaqje planifikohet të shfaqet edhe jashtë vendit tonë./KultPlus.com

Koreografi Gentian Doda: Përditë më kalon në mendje të heq dorë, por baleti për mua është një domosdoshmëri

Era Berisha

Ekziston një emocion që pikon thellë në qenësinë e njeriut, pothuajse fshehurazi, i cili me fuqinë e tij arrin që tërësisht të t’lërë mbushur me habi dhe me rrahje të shpejta të zemrës. Kjo është ndjesia që zhdërvjellët nëpër trup në momentet kur përjetoni krijimet e koreografit shqiptar, Gentian Doda. I lindur në Tiranë, ai nisi karrierën fillimisht si balerin në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë, për të vazhduar tutje me pushtimin e skenave të teatrove të ndryshme nëpër vende të botës si: Paris, Madrid, Nju Jork, Moskë, Berlin, Hong Kong, Itali, Izrael, Danimarkë, Seul e Japoni. Por, për të arritur deri në maje të tilla, duhet vrapuar mbi perfeksion çdo herë e më shumë, dhe kjo pikësëpari duhet bërë mbi gishta. Nga roli në rol, nga vepra në vepër, bukuria e baletit nuk duhet paraqitur thjesht në formën estetike, por dhe atë emocionale. E për këtë dukuri më së miri ka rrëfyer vetë balerini dhe koreografi, Gentian Doda, në një intervistë të veçantë për KultPlus.

Si një gjëegjëze e këndshme është baleti, kjo formë arti që ka nderuar audiencën për shekuj me radhë. Nuk ka rëndësi ndonëse lëviz në dyshemenë e teatrove të mëdha apo atyre të vogla, por ajo që vlen më së shumti, padyshim qëndron tek aftësia për të joshur audiencën, nëpërmjet emocionit, aftësisë për të treguar një histori/ngjarje, kombinimit të lëvizjeve të sakta, muzikës dhe estetikës vizuale. Këtë e vërejmë më së miri edhe tek shpirti artistik i koreografit Doda, i cili me gjithë fuqitë e tij të brendshme dhe pasionin e njëmendtë, na sjellë çdo herë projekte që burojnë pastërti si loti.

Pas TKOB-së, koreografi Doda filloi një karrierë të suksesshme ndërkombëtare gjatë së cilës ai punoi si balerin në vende të ndryshme si në Teatrin Shtetëror të Operës dhe Baletit të Azerbajxhanit, në “Teatro Arena di Verona”, në “Balletto di Parma”, në “Compania de Victor Ullate” dhe në “Compania Nacional de Danza”. Dashuria për baletin i kishte ardhur krejt natyrshëm. Nuk është se u lind dhe tha se do të bëhej balerin, por ai e ndjente domosdoshmërinë e shprehisë së trupit dhe duke qenë se shqiptarët njihen si popull shumë kërcimtar, atij u krijuan situata të ndryshme që i erdhën në mënyra të rastësishme, që futën kështu thellë në shpirtin e tij, një copëz magjie që sa vazhdohej e bëhej më e madhe.

Fabio Marcato

Në anën tjetër, janë pikërisht fillesat e para ato që shpeshherë skalisin njeriun për atë se çfarë potencialisht vjen më pas. Dhe fillesat e para, koreografi Doda i pati pikërisht në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri. Për të, momenti kur këmba e tij ka shkelë për herë të parë aty, është zbehur paksa, por mban mend se si ndjente një pasiguri, një dyshim që përkonte me aftësitë e tij për t’u përballur me këtë profesion, ngaqë përgjegjësia ishte tejet e lartë. Ai, prekjen e cilësdo skenë e përshkruan sikurse hyrjen e shenjtë në një tempull, dhe të qenurit aty, do të thotë të jesh i ekspozuar para publikut. Atij i duket se në skenë je një njeri i vetëm, andaj edhe gjithmonë shoqërohesh me një ndjenjë dyshimi. Por, duket që as pengesat e para nuk ishin aq të forta për ta mundur shpirtin luftarak të tij, i cili shpeshherë në dyshemetë e skenave, na del një shpirt i një natyre të butë, shkruan KultPlus.

“Çdo herë që del në skenë është sfiduese. Edhe tani kur ngjitem në skenë ekziston kjo sfidë me vetveten. Të shkelësh në një skenë është diçka që sjell emocione shumë të forta. Kthehet në një varësi, në një adrenalinë që nuk mund të quhet as gëzim, as frikë. Sikur shkel në limbo”, ka përshkruar Doda momentin kur ai përballet me cilëndo skenë.

Asgjë tjetër nuk e frikëson njeriun më fort sesa të kujtohet për emocionet e një shfaqjeje baleti, apo për çdo krijim artistik tjetër. I tillë është rasti me koreografin Doda, në shfaqjet e së cilit fillimisht duhet të dëgjosh fjalët, ta kuptosh muzikën, të ndjesh praninë e hapave si dhe të frymëmarrjeve, e pastaj ta përjetosh bukurinë dhe shëmtinë e gjithçkaje tjetër që ofrohet në skenë.

Për Dodën, ndikimet më të mëdha e më të thella të karrierës së tij si balerin pasojnë nga puna me koreografë si: Maurice Béjart në Ballet de Lausanne. E më pas edhe përvojat e ndryshme me: Nacho Duaton, Jiri Kylian, Mats Ek, Ohad Naharin, Wim Vandekeybus, William Forsythe, etj; me të cilët ka kërcyer në teatro që i kanë lënë mbresa të mëdha e të cilat janë: Châtelet në Paris, Teatro Real në Madrid, Brooklyn Academy në Nju Jork, Bolshoi Teater në Moskë, Staatsballett në Berlin, Art Centre në Hong Kong, pastaj dhe skenat në Seul e Japoni. Dhe në qoftë se ai do të kthehej ndonjëherë në kohë, nuk do të kishte ndryshuar asnjë hap drejt rrugëtimit të tij artistik.

“Janë të shumta skenat që më kanë shënjuar, dhe çdo skenë ka të bukurat dhe sfidat e veta.”

Andis Rado

Doda më vonë zbuloi talentin e tij si koreograf kur krijoi një punëtori koreografike në “Compania Nacional de Danza” nën drejtimin e Nacho Duato. Aty nisi diçka e re, që ndoshta as ai nuk e kishte menduar kurrë më parë.

“Përditë më kalon në mendje të heq dorë, por kjo nuk ka qenë zgjedhje në jetën time, kjo është për mua një domosdoshmëri. Është nevoja për t’u shprehur që më shtyn të vazhdoj. Ka dhe momente të shkurtra shumë përmbushëse, që megjithëse nuk e justifikojnë vështirësinë, më gënjejnë në njëfarë mënyre që të vazhdoj. Në fillim të karrierës sime, një artist më pati thënë “Tu prish jeta”.  Është e vërtetë, sepse mendja ime punon në çdo moment në relacion me krijimin, nuk mund ta ndaj nga mendimet e tjera. Nuk e shoh si një “stil jete”, nuk është as një punë 8 orëshe, përkundrazi është një mund dhe kërkim i vazhdueshëm, që bëhet pjesë edhe e ëndrrave. Çdo gjë që më mbështjell e perceptoj në relacion me krijimin”, ka thënë Doda.

Sipas tij, ai ndjente nevojën për t’u shprehur në një mënyrë tjetër, e jo të vepronte sikurse një “instrument”.

“Si krijues marr pozicion nëpërmjet asaj që ndjej, mendoj dhe dua të them, ndërsa si interpretues isha duke realizuar botën e dikujt tjetër, sado që ta personalizoja.”

Valeria Isaeva

Thellë-thellë, secili artist brenda vetes ka ca pengesa që dinë edhe t’i ndajnë ëndrrat në dysh. I tillë ka qenë edhe rasti me Dodën, i cili thotë se pengesat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të shumta, por ai gjithmonë e ka inkurajuar dhe bindur veten që të mos dorëzohet para tyre, në asnjë moment. Ndërsa, për procesin e krijimit të një koreografie, ka thënë se do duhej të shkruante një libër të tërë, marrë parasysh këtu fazat e ndryshme dhe emocionet që ka në thelb vepra.

“Kjo është një përgjigje shumë e gjatë, për të cilën do duhej shkruar një libër. Është proces i gjatë dhe konfliktiv, por nuk dua të them negativ. Ka përplasje emocionesh të ndryshme. Por ekzistojnë shumë mënyra kompozimi, të cilat e kthejnë këtë larmishmëri emocionesh në profesion. Krijimi është edhe zanat. Mes gjithë vështirësive gjen bukurinë. Këtu varet edhe se çfarë konsiderojmë “të bukur”, duhet ta përkufizojmë një herë çfarë duam të themi me bukuri të procesit. Çfarë më pëlqen tek krijimi është që ka të bëjë me një botë të brendshme, më shumë se sa të jashtme. Kjo brendësi më intereson për ta bërë të dukshme. E kjo mund të realizohet vetëm nëpërmjet zanatit, teknikave, parimeve të mbështetura edhe në disiplina të tjera përtej kërcimit: skulptura, muzika, arkitektura, letërsia, kinemaja, të gjitha këto e mbështesin procesin tim krijues”, thotë ai.

Për t’u bërë një me skenën, do të thotë që e tërë ekzistenca e një artisti do të rrafshohet me tokën dhe emocionalisht do të arrij pikë kulmore të një niveli qiellor, mirëpo për ta jetësuar këtë ndjesi përbrenda, do të thotë që ta jepni veten tërësisht ndaj atyre ndjesive të brendshme të cilat duhet dalë në pah nëpërmjet lëvizjeve, kërcimeve, hapave si dhe një mendjeje të qetë e precize. Këtë nuk e arrin shumëkush. Ndoshta ka njerëz të atillë që kanë kaluar gjithë jetën duke ndjekur pas atë përjetim, por nuk kanë arritur në një fund të lumtur. Ndërsa, sipas Dodës, të bërit një me skenën, nuk ndodh shpesh.

“Të bërit një me skenën ndodh shumë rrallë. Fakti që ndodh aq rrallë ishte një nga arsyet që më bëri t’i largohesha interpretimit. Por kur ndodh është e papërshkrueshme me fjalë.”

Andis Rado

Koreografi Doda gjithashtu ka qenë i angazhuar në shumë bashkëpunime dhe projekte të pavarura duke ekspozuar veprat e tij në Gjermani, SHBA, Izrael, Spanjë, Itali, Shqipëri, Danimarkë dhe Kinë ndër të tjera. Në gusht të vitit 2014, atij iu ofrua pozicioni i Mjeshtrit të Parë të Baletit në Staatsballett në Berlin, pozicion të cilin e mbajti për katër vjet.

Ndërsa, për rikthimin e tij në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri më 2020, ai tha se kishte pasur më shumë pritshmëri.

“Kisha më shumë pritshmëri. Më ftuan për të konsideruar drejtimin artistik të baletit në 2020, dhe punova gjatë me ekipin tim për një program tre-vjeçar dinjitoz dhe profesional. Ishte një ëndërr e bukur, por kuptova shpejt se vetëm e tillë do të ngelte, dhe nuk vazhdova më tej.  Sido që të jetë, aty më shoqëron gjithmonë një ndjesi përkatësie dhe kënaqësie për rikthimin. Ndërsa projekti ‘Actus, for Vjosa’ që u shfaq aty, ishte produksion i pavarur i HBS Tirana dhe ‘was bleibt kollektiv | Gentian Doda’, dhe nuk kishte të bënte me programin e TKOB në vetvete”, ka treguar Doda.

Valeria Isaeva

Teksa jemi tek tema e “Actus for Vjosa”, mund të themi se projekti solli emocione të shumta. Lumi Vjosa është një pasuri natyrore me bukuri të veçantë që ka Shqipëria, andaj si homazh për natyrën, është krijuar koreografia kontemporane nga Doda ku performuan 11 balerinë ndërkombëtarë e shqiptarë. “Actur for Vjosa” qe një koreografi unike për Vjosën, lumin e fundit të egër të Evropës, me ç’rast koreografi Doda u bë zëri dhe imazhi i Shqipërisë. Teksa shohim trupat që lëvizin, kthehemi e mendojmë për brishtësinë, forcën, magjinë që natyra bart. Njëlloj sikurse uji në atë lum, trupat e balerinëve lëvizin rrjedhshëm, lëshohen nga njëri tek tjetri dhe lëvizjet e tyre rrjedhin krejt natyrshëm. Kjo ka qenë një punë njëvjeçare që është bërë për ‘Vjosën’, si dhe kompozimin e muzikës origjinale e ka krijuar kompozitori shqiptar që jeton në Spanjë, Çezer Aliaj, ku është frymëzuar në disa struktura polifonike. Edhe kërcimi është frymëzuar në disa estetika lëvizjeje. Vepra ka pasur për synim që të prezantojë Shqipërinë si imazh dhe jashtë.

“Projekti lindi në bashkëbisedim me Gökhan Tuncer, drejtorin e Heinrich Böll Stiftung Tirana. Frymëzimin për krijimin, përtej kauzës e cila ishte shumë e rëndësishme, më shumë e gjeta në imagjinatën se si do ndjeheshim po ta humbnim këtë natyrë. Dinamikat e lumit dhe bukuria e egër, ishin ngacmime që i studiuam shkencërisht në detaj, dhe shërbyen si baza të krijimit si ana koreografike, ashtu edhe muzikore bashkë me kompozitorin Çezar Aliaj dhe artistët e tjerë që morën pjesë. Humbjen e pashë si një problematikë njerëzore, jo vetëm natyrore. Mosekzistenca e lumit do te ishte mosekzistencë e njerëzimit. Vetë qytetërimi ka lindur buzë një lumi”, ka shpalosur Doda.

Valeria Isaeva

Në vitin 2011, Doda mori Çmimin e Parë të Koreografisë në konkurset e Kopenhagës dhe Hanoverit, si dhe çmimin Scapino Production. Që atëherë, ai ka krijuar premiera botërore për Institutin Koreografik të Nju Jorkut, Baletin Scapino, Direccion Nacional de Danza Santo Domingo dhe Staatsballet Nürnberg, Gärtnerplatztheater, Teatro Massimo Palermo.

Por, ai për këto çmime ka thënë se kanë pasur të bëjnë më shumë me marketingun, sesa artin në vetvete.

“Që në 2005 isha ‘house choreographer’ i Compañia Nacional de Danza në Spanjë, dhe këto që përmendët ishin pasoja të asaj pune të rëndësishme kërkimore që po bëja atje. Çmimet kanë pasur më shumë të bëjnë me vizibilitetin dhe marketingun, se sa me artin në vetvete. Në art mendoj se nuk mund të ketë konkurrim, vlerësimi i një vepre arti është shumë relativ. Ndërsa mësimi është vetë përvoja, puna me njerëz të ndryshëm, karaktere dhe kultura të ndryshme. Por në këtë gjuhë universale, siç është ajo e kërcimit, të gjitha diferencat kthehen në favor, në pasuri”, thotë ai.

Sipas tij, vlerësimet e ndryshme që i janë bërë gjatë karrierës, e sidomos gjatë periudhës që u konsiderua një yll i skenave botërore, nuk kanë asnjë vlerë.

“Thellë-thellë, vlerësimet nuk asnjë vlerë. Duke lënë mënjanë egon, asnjë vlerë. Sepse procesi dhe rritja është tërësisht personale, qëllimi është individual. Sigurisht, mirënjohja më jep një lloj kënaqësie, sepse është provë që arrij të komunikoj. Por për zhvillimin personal nuk kanë asnjë rëndësi, nuk më bëjnë këto vlerësime as më të mirë as më të keq. Jam në një proces të vazhdueshëm.”

Ai tutje ka thënë se nuk e gjen veten në ndonjë pozicion ku mund t’i këshillojë të rinjtë për të ndjekur rrugën e këtij profesioni, duke marr parasysh problematikat që njëri ka përbrenda vetes.

“Është rrugë shumë e bukur nëse e gjen veten në të. Si e gjen veten, nuk mund ta them, nuk ndjehem në pozitën që të këshilloj, sepse çdo individ ka arsyet personale, të ndryshme nga tjetri. Por i rëndësishëm është formimi përtej sallës së baletit. Një formim me amplitudë shumë më të gjerë se vetëm kërcimi. Çfarë të bën artist është vizioni, emocioni, nevoja për t’u shprehur, pa përmendur dedikimin total dhe punën fizike që është e nënkuptuar.”

Në anën tjetër, koreografi Doda, e sheh të vështirë për të vlerësuar punën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri, ndonëse sipas tij, nuk ka mungesë të talenteve por mungesë të vizionit.

“Është vështirë për t’u vlerësuar, sepse mungon një strukturë me baza serioze të një projekt ndërtimi afatgjatë. Deri tani baleti nuk ka pasur një drejtim artistik, një strategji zhvillimi me vizion për ndërtimin e një repertori origjinal artistik. Problematika ka qenë kjo mungesë vizioni dhe rigoroziteti në punë, e jo mungesa e talenteve. Mua personalisht më shqetëson sepse duket se po e dëmton perceptimin e artit të kërcimit nga publiku, i cili po shihet si një “argëtim”, në vend që të konsiderohet si një mjet i thellë e i domosdoshëm për zhvillimin individual, shoqëror dhe kulturor.”

Tutje, koreografi Doda na tregoi se momentalisht është duke punuar për një projekt shumë të rëndësishëm për vitin 2024, të cilën e konsideron si një ëndërr që po merr jetë dita ditës, por që ende nuk ka të drejtën që të flas për të, pasi lajmi fillimisht duhet të bëhet i ditur nga institucionet përgjegjëse.

Krejt në fund të kësaj interviste, ai u shpreh për ne se nuk ekziston kurrfarë arsye që ai do të hiqte dorë ndonjëherë nga ky profesion.

“Për asnjë arsye. Po të kisha edhe një arsye të vetme për të hequr dorë, nuk do ta besoja 100% këtë që bëj, prandaj nuk do ta bëja dot siç e bëj. Pastaj, kërcimi për mua është një mjet për t’ju hapur edhe botëve të tjera të kinemasë, muzikës, instalacionit vizual, etj. Ky nuk është limit, është pasurim. Nuk kam arsye të heq dorë”, ka thënë Doda. / KultPlus.com

‘The Dawn of Time’, baleti që përmbyll Festivalin Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor

Edicioni i dytë i shumëpritur i Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor, i organizuar nga Qendra për Art dhe Kulturë Harabel, D18 Paris dhe Balkan Youth Link Albania, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, u zhvillua përgjatë muajve shtator dhe tetor 2023, dhe do të përmbyllet me shfaqjen “The Dawn of Time” me koreografi të Blenard Azizaj.

Festivali nën drejtimin artistik të koreografit të mirënjohur Angelin Preljocaj, me një program të hartuar nën kujdesin e Nicole Saïd dhe nën drejtimin e Ajola Xoxës solli çdo javë për publikun shfaqje të një niveli të jashtëzakonshëm nga kompani të njohura si Balet Preljocaj, La Veronal & Marcus Morau, Fondazione Nazionale della danza/Aterballetto dhe përmbyllet me Blenard Azizaj.

“The Dawn of Time” (Agimi i Kohës) është një performancë të cilën Azizaj e ka realizuar me trupën e Teatrit të Operës dhe Baletit.

E vendosur përballë një peizazhi të fragmentuar që pasqyron ndërlikueshmërinë e jetës, “The Dawn of Time” bëhet një metaforë për rrugëtimin njerëzor. Kujtimet nga e kaluara fillojnë të shfaqen, duke na detyruar të përballemi me shtigje të pashkelura. Kjo pjesë është një reflektim mbi të kaluarën tonë kolektive, e cila na kujton se si të ecim përpara.

Në këtë kërcim të agimit të kohës, balerinët eksplorojnë dualitetin e ekzistencës. Ata mishërojnë ekuilibrin delikat midis kaosit dhe rendit, ndërsa lëvizjet e tyre kalojnë nga të egra në të kontrolluara. Ata bëhen mishërim i dritës dhe errësirës, trupat e tyre pasqyrojnë modele të ndërlikuara hijesh dhe ndriçimi, që simbolizojnë luftën e përjetshme midis krijimit dhe shkatërrimit.

Agimi i kohës, dikur i mbuluar me mister, shpaloset përmes gjuhës së kërcimit bashkëkohor. Është një testament i fuqisë së lëvizjes, aftësisë për të kapërcyer kohën dhe hapësirën dhe për të treguar histori që i japin zë qosheve më të thella të shpirtrave tanë. Artdashësit do të mund ta ndjekin këtë premierë magjepsëse në Teatrin e Operës dhe Baletit me datë 19 dhe 20 Tetor 2023, ora 19:00./atsh/KultPlus.com

Baleti “Humus” vazhdon turneun anekënd Shqipërisë

Nga Durrësi antik, në parajsën bregdetare të Shëngjinit, baleti kontemporan “Humus” do të vazhdojë të shtrihet nëpër Shqipëri.

Interpretimi mjeshtëror i Trupës së Baletit të TKOB-së, nën koreografinë e Julind Dervishit, do të mahnisë kështu gjithë pushuesit vendas e të huaj.

“Tinguj Vere”, titullohet kështu Kalendari Veror i TKOB-së, që mbart plot koncerte simfonike, shfaqje baleti e koncerte të Ansamblit Popullor, për t’u interpretuar nga Veriu e deri në Jug të Shqipërisë.

TKOB njoftoi se pret artdashësit më datë 14 korrik, në orën 20:00, tek sheshi “Wilson”, për të shijuar një shfaqje të paharrueshme, nën praninë e hijeve të “Humusit”.

Ky aktivitet është një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, që çon artin e kulturën atje ku është publiku./atsh/KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës me premierë të baletit në Itali

Baleti Kombëtar i Kosovës, ka filluar provat për premierën e radhës, të tretën për vitin 2023, e cila këtë herë vjen si bashkëpunim me koreografin arberesho-italian Antonio Pio Fini, shkruan KultPlus.

Premiera “Shtegtimi” do të shfaqet në  tri qytetet kalabreze San Benedetto, Villapiana dhe Altomonte. Kjo shfaqje do të jepet në muajin korrik në kuadër të festivalit Ndërkombëtar “Fini Dance Festivale”/KultPlus.com

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës mysafire në Teatrin e Gjilanit

Me koreografi të Mehmet Balkan, baleti “Sisters” u interpretua mbrëmë nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës në Teatrin e Gjilanit.

Vepra hyn te baletet neo-klasike, ku lëvizjet e sofistikuara të balerinëve ndërthuren me interpretimin emocional të secilit në skenë. Aty shtjellohet historia e dy motrave dhe e dashurisë, fundi i të cilave rezulton me epilog tragjik.

Kjo shfaqje e kompletuar artistike dhe e pëlqyer për publikun, u luajt për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Baleti Kombëtar i Kosovës me “Exil-in” në Teatrin e Operas dhe Baletit në Shqipëri

Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, është risjellë në skenë baleti Exil me koreografi të Eno Peçit. Kësaj here Exil u interpretua nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Exil-i i Eno Peçit rrëfen trazirat e një vendi, dhe lidhet me temën e emigracionit. Një rrëfim për familjet e shkatërruara, për fëmijërinë e humbur, për nënat e braktisura që kërkojnë kuptim në mërgimin e fëmijëve të tyre dhe tragjedinë e popujve që emigrojnë.

Vite më parë, balerini shqiptar që korri sukses jashtë kufijve të Shqipërisë, e solli premierë këtë vepër, me trupën e balerinëve të TKOB.

Me rastin e festave kombëtare, shfaqja u rikthye mbrëmë, me balerinët nga Kosova dhe do të jetë edhe sonte në Teatrin e Operas dhe Baletit.

I lindur në Tiranë, Eno Peçi është primo balerin i arsimuar në Akademinë e Baletit të Tiranës dhe në Shkollën e Baletit të Operës Shtetërore të Vjenës “Wiener Staatsoper”. Ai jeton e punon në Austri. Njihet si i pari balerin shqiptar, i cili performoi live në Koncertin e Vjenës që mbahet çdo fillimviti./ atsh / KultPlus.com

BKK është përgatitur për përvjetorin jubilar pavarësisht sfidave të shumta, Kajtazi: Në fund të shfaqjes do të ketë edhe një befasi të këndshme

Uranik Emini

Lëvizja njerëzore bën të mundur ekzistencën e formave të artit krijues si baleti. Në thelb, baleti ka një ton dramatik, i cili shfaqet para një publiku në një skenë duke përdorur skenografi, kostume dhe ndriçim. Mes tjerash, përmes baletit mund të komunikohet një mesazh ose një ide, ndjenjë ose mënyrë të menduari. Të bërit kërcim balet përfshin pjesën magjepsëse, emocionuese, provokues ose ai mund të jetë ndonjëherë mund të përcjellë edhe emocione të frikshme, shkruan KultPlus.

Baleti Kombëtar i Kosovës shënon 50-vjetorin e themelimit më 9 tetor të këtij viti, ku përgatitjet për këtë përvjetor jubilar janë bërë dhe po vazhdojnë të bëhen në mënyrë të organizuar, pavarësisht problemeve që janë shfaqur në këtë rrugëtim.

Drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi, në një intervistë për KultPlus, bën të ditur se shfaqja e përgatitur për këtë ngjarje madhështore është përzgjedhur në mënyrë të natyrshme të jetë pikërisht ajo e “Halilit dhe Hajrisë”, siç njihet edhe si “baleti i parë shqiptar”.

“Baleti Kombëtar i Kosovës, në vazhdimësi përveç veprave të repertorit botërorë, ka promovuar edhe repertorin kombëtarë, prandaj përzgjedhja e baletit “Halili dhe Hajria”, vjen natyrshëm në këtë jubile, jo vetëm për faktin se është baleti i parë shqiptar, por se edhe është një vepër jashtëzakonisht e mirë”.

Gjatë muajve të fundit në llogarinë zyrtare të këtij institucioni është bërë promovimi dhe falënderimi i njerëzve që e zhvilluan dhe e ngritën në maje baletin e Kosovës.

“Sigurisht se e kemi për obligim të njohim meritat e gjithsecilit për këtë gjysmë dekade jetë të Baletit Kombëtar të Kosovës, e sidomos themeltarëve të institucionit të BKK, të cilët para 50 vitesh, nisën këtë storje suksesi për ta vazhduar edhe gjenerata e re e balerinëve. Më vjen mirë që kjo kampanjë ka pas impakt të mirë tek njerëzit dhe sigurisht se ky ka qenë edhe qëllimi që të gjithë ata që kanë kontribuar në forma të ndryshme për BKK, me e pas parasysh se dikush iu njeh meritat dhe kontributin”, thotë Kajtazi.

Ai gjithashtu njofton se janë në fazën finale të përgatitjeve për shënimin e evenimentit të 50-vjetori të BKK-së.

“Mbyllja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar për rinovim, na ka shkaktuar telashe të mëdha. Jemi sistemuar në sallën e AKV Shota, për ushtrimet dhe provat, në ndërkohë kemi siguruar edhe hapësirat e Sallës së Sporteve “1 Tetori” dhe deri në këtë moment, gjithçka duket se po ecë mirë. Përveç premierës së baletit, që do të jetë pjesa kryesore e mbrëmjes së 9 tetorit, sigurisht se do të ketë fjalime e ndarje mirënjohjesh dhe po besoj një befasi të këndshme për audiencën në fund të shfaqjes”.

Kajtazi beson se mbyllja e Teatrit ka kosto të madhe për profesionin e tyre, pasi baleti është art i ndishëm dhe përvec angazhimit të përditshëm, kërkon edhe kushte adekuate.

Në fund, kreu i BKK-së shprehet i bindur që Baleti Kombëtar i Kosovës ka treguar përkushtim e punë të pakompromis.

“Jam i bindur që Baleti Kombëtar i Kosovës, ndër vite ka treguar përkushtim e punë të pakompromis, duke përfaqësuar vlerat e një arti elitarë e universal si në vend, poashtu edhe nëpër Evropë, duke krijuar kështu një respekt të jashtëzakonshëm në komunitetin artistikë ndërkombëtarë”, përfundon ai.

Shfaqjet e baletit, veçanërisht ato klasiket, synojnë t’i tregojnë një histori audiencës. Gjithçka, nga dekorimet e ndërlikuara të skenës deri te kostumet e ndryshme, përfshirë këtu edhe grimin e kërcimtarëve, ndikojnë në përthekimin e duhur të një përralleje baleti dhe efektin e tij të përgjithshëm te audienca. Shfaqjet e baletit janë kulmi i bashkimit të disa elementeve krijuese dhe entuziazmi e emocioni i kërcimtarëve janë qershia në krye. /KultPlus.com

‘Zanat e Luleve’, nesër premierë në Teatrin Kombëtar

Nesër, me 20 qershor duke filluar nga ora 12:00, në skenën e Teatrit Kombëtar do të shfaqet premiera e ”Zanat e Luleve” nga balerinët e studios ”Let’s Dance” të Vjollca Llugiqit.

Kjo shfaqje do të paraqet secilin balerinë si një lule që rritet, zhvillohet dhe freskinë e saj tenton t’ia falë botës. E veçanta e kësaj shfaqjeje qëndron në faktin se pjesë e kësaj trupe balerinësh do të jenë edhe disa fëmijë me aftësi të kufizuara, duke përçuar kështu direkt mesazhin se dallimet duhet të evitohen në secilën fushë, shkruan KultPlus.

”Zanat e Luleve” do të manifestohet me koreografi nga baleti klasik dhe poashtu edhe disa pjesë të baletit modern, ndërkaq kostumet e balerinave të vogla do të jenë me ngjyra, duke përçuar kështu shumë gjallëri. Për sa i përket skenës, Llugiqi ka treguar se do të realizohet nga ”Anea”.

Ndërkaq, fëmijët pjesëmarrës të kësaj shfaqjeje, do të jenë të moshave të ndryshme, duke filluar nga 4 deri në 14 vjeçarë. / KultPlus.com

‘Cinderella’ nga Studio e Baletit ‘Angels’, premierë në Teatrin Kombëtar

Studio e Baletit ”Angels” do të ketë premierën e shfaqjes ”Cinderlla” me 20 qershor të këtij viti, përcjell KultPlus.

”Cinderella” do të ketë premierën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 18:00.

Koreografia e kësaj shfaqjeje është realizuar nga Vlora Prizreni dhe Isa Beg Gjocaj, me asistent Sead Vuniqin. Kurse muzika është nga Sergei Prokofiev, ndërkaq kostumet janë punuar nga Shpresa Lladrovci. / KultPlus.com

‘Zanat e Luleve’, premierë në Teatrin Kombëtar, Llugiqi: Është shumë e rëndësishme që fëmijët të rriten me art

Xhemile Hysenaj

Baleti si mishërim i artit më të bukur skenik, kësaj radhe do të zë vend në skenën e Teatrit Kombëtar ku protagonistët kryesor do të jenë balerinët e studios ”Let’s Dance” të Vjollca Llugiqit. Bëhet fjalë për premierën e shfaqjes ”Zanat e Luleve”, shfaqje kjo e cila do të paraqet secilin balerinë si një lule që rritet, zhvillohet dhe freskinë e saj tenton t’ia falë botës. E veçanta e kësaj shfaqjeje qëndron në faktin se pjesë e kësaj trupe balerinësh do të jenë edhe disa fëmijë me aftësi të kufizuara, duke përçuar kështu direkt mesazhin se dallimet duhet të evitohen në secilën fushë, shkruan KultPlus.

Vjollca Llugiqi e cila ka 20-të vite që është bërë një me artin e bukur të baletit, nuk e ka pasur aspak të lehtë këtë rrugëtim. Ka realizuar diku rreth 60-të premiera dhe ndër to edhe shumë role kryesore. Llugiqi është ndër balerinat që asnjëherë nuk është dorëzuar dhe tash e dhjetë vite, talentin e saj e ndan dhe ua mëson edhe fëmijëve të tjerë.

”Ka shumë rëndësi që fëmijët të rriten me art, e sidomos me Baletin i cili kërkon shumë diciplinë. Sa i përket premierës së ”Zanat e Luleve”, tani jemi në pjesën finale dhe në emocionet e premierës. Mirëpo, të punosh me fëmijë është gjëja më e bukur që kam edhe pse është një punë që kërkon shumë kohë, përkushtim dhe durim”, është shprehur Llugiqi për KultPlus.

”Zanat e Luleve” do të ketë koreografinë nga baleti klasik dhe poashtu edhe disa pjesë të baletit modern, ndërkaq kostumet e balerinave të vogla do të jenë me ngjyra, duke përçuar kështu shumë gjallëri. Për sa i përket skenës, Llugiqi ka treguar se do të realizohet nga ”Anea”.

Për fëmijët e studios ”Let’s Dance”, Llugiqi tregon se janë frymëzim për të. ”Arti i baletit të jep mundësi që të kërcesh, aktrosh dhe të kesh një vesh të mirë muzikal dhe ky edhe është qëllimi im, që të kemi fëmijë me më shumë njohuri për artin. Të mësohen të dëgjojnë muzikë me vlerë dhe të krijojnë një diciplinë në jetën e përditshme”, potencon Llugiqi për KultPlus.

”Për fat të mirë kemi fëmijë me shumë potencial drejt një të ardhmeje të ndritur në balet. Dhe, sigurisht që secili që ka talent në këtë fushë, do të ketë përkrahjen time maksimale”, thekson tutje Llugiqi për KultPlus.

Sa i përket Baletit dhe të ardhmes së tij në Kosovës, Llugiqi ka potencuar për KultPlus se këtu edhe e ka frikën më të madhe, pasi mungesa e shkollës së ulët të baletit është një barrierë mjaft e madhe për këtë art. ”Uroj që të bëhet diçka në këtë drejtim, këta fëmijë nuk duhet ta shuajnë talentin e tyre. Arti i baletit mos të zhvillohet vetëm në studio arti, mirëpo të ketë shkollë që këta balerinë/a të kenë një vend adekuat ku do t’i nisin fillet e karrierës së tyre”, thekson Llugiqi.

Baleti i cili në Kosovë po shuhet çdo ditë e më shumë, si pasojë e kushteve që kërkon ky art e që deri tash nuk janë plotësuar as gjysma, ka bërë që shumica të hezitojnë drejt fillimit të një karriere si balerinë. Mirëpo, Llugiqi, për të cilën baleti është vetë jeta mendon se secili që ka sado një shkëndijë të vogël për baletin, të vazhdojë në atë drejtim. ”Të gjithë ata që kanë dëshirë të mirren me balet, ose ata prindër që shohin një shkëndijë të vogël tek fëmijët e tyre, të japin mbështetjen e tyre maksimale. Njerëzit japin shumë për të zbuluar një talent tek vetja, një talent të cilën disa nga ju veçse e kanë zbuluar. Mos hiqni dorë kurrë, pasi të mirresh me art është gjëja më e bukur në jetë”, përfundon Llugiqi për KultPlus.

”Zanat e Luleve”, do të ketë premierën më 20 qershor të këtij viti, në Teatrin Kombëtar. Ndërkaq, fëmijët pjesëmarrës të kësaj shfaqjeje, do të jenë të moshave të ndryshme, duke filluar nga 4 deri në 14 vjeçarë. / KultPlus.com

Vdes ylli i ‘La Scala’, balerina e mahnitshme italiane

Baleti italian humbi sot një ndër ikonat e saj kryesore, ylli i Teatrit të famshëm “La Scala”.

Carla Fracci ndërroi jetë në Milano në moshën 84 vjeçare. Ajo prej disa vitesh ishte prekur nga një tumor të cilin e përballoi me kurajë dhe shumë e rezervuar.

Po ashtu, konsiderohej një artiste unike që shkëlqente si në baletin klasik ashtu dhe në performancat në muzikën pop, e pranishme gjerësisht jo vetëm në skenat muzikore, por edhe në programe televizive. / noa.al / KultPlus.com

Studio “Angels” hap të mërkurën pikën në Prishtinë, si një mundësi për balerinët e rinj

Lëvizjet artistike, ndjekja e ritmit, qëndrimi i duhur trupor zhvillohen nëpërmjet stërvitjeve të duhura për ata të cilët dëshirojnë të trasojnë rrugët e baletit. Pikërisht për t’ua mësuar këto të rinjve, Studio e Baletit “Angels” ka marrë një iniciativë të re, shkruan KultPlus.

E ndodhur qe 7 vite me seli në Lipjan, tanimë “Angels” do të hap dyert për balerinët e ri në Prishtinë, në Qendrën Tregtare Dardha.

Leksionet nga Sead Vuniqi dhe Vlora Prizreni do të bëjnë që artdashësit skenik të grup moshave 4 deri në 17 vjeç të shkëlqejnë nën lëvizjet e baletit.

Sead Vuniqi si pjesëtar i Baletit Kombëtar të Kosovës ka treguar për KultPlus për përbërjen dhe strukturën punuese të studios së baletit “Angels”.

Ai rrëfeu se si ideja e hapjes së një studioje të tillë ka lindur nga interesimi i prindërve, teksa “Angels” do ta ketë pikën edhe në Prishtinë për shkak të qasjes më të lehtë të balerinëve të rinj.

“Shumica e kurseve tona do të jetë e përbërë nga baleti klasik, neoklasik, modern dance dhe shumë të tjera”, sqaron balerini Vuniqi.

Mirëpo, studio e baletit “Angels” nuk do të kufizohet vetëm me balet.

“Në studio do të ketë edhe profesor të fushave të tjera si joga, pilatesi, zumba, salsa dhe shumë aktivitete të tjera. Besoj që do të kemi edhe disa profesionistë për hip hop”, shprehet Sead Veniqi.

Në anën tjetër, Veniqi tregon edhe për periudhën kohore që do të mbulohen aktivitetet artistike.

“Ne kemi planifikuar 2 herë në javë nga një orë për grupmoshat e vogla. Ndërkaq për grupmoshat e mëdha besoj që do të vazhdojmë nga 3 herë në javë”, përfundon bashkëthemeluesi i studio “Angels”.

Sipas Vuniqit, mungesa e një shkolle kombëtare të baletit e ka shtyerë atë ta merr iniciativën e themelimit të një studio të tillë, teksa synimet e tij për balerinët e rinj mbesin të larta.

“Ne do të jemi përherë afër fëmijëve dhe do t’i përgatisim profesionalisht për audicione të ndryshime. Një ndër qëllimet tona është edhe ndihma ndaj tyre për pranim në shkolla jashtë Kosovës ose edhe angazhimi i dikurshëm i tyre në trupën e Baletit të Kosovës”, planifikon Sead Vuniqi.

Përtej kësaj, Vuniqi dhe bashkëpunëtorja e tij kanë edhe objektiva tjera të vëna për studio “Angel”.

“Ne mendojmë që në fund të vitit të dalim me një open class, që i mundëson prindërit të shohin arritjet profesionale që do të arrijnë fëmijët gjatë vitit shkollor 2020/2021 në balet. Përveç kësaj ne do ta mbajmë edhe një shfaqje të baletit me fëmijët si dhe koncert të përbashkët me të gjitha lojërat tjera të vallëzimit”, përfundon pjesëtari i Baletit Kombëtar të Kosovës.

Të mërkurën e 10 shkurtit duke filluar nga ora 17:00 do të mbahet hapja solemne e lokacionit të ri të Studios së baletit “Angels”, në katin e dytë të qendrës tregtare “Dardha” në Prishtinë. / KultPlus.com

Kreshnik Musolli: Baleti Kombëtar i Kosovës, 48 vite histori suksesi

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës tashmë ka depërtuar në skenën kulturore ndërkombëtare duke mahnitur me çdo shfaqje të realizuar me mjeshtëri.

Trupa është formuar nga Ahmet Brahimaj “Artist i Merituar” në vitin 1972 si Ansambli i Baletit. Ikona legjendare Ahmet Brahimaj shërbeu si Drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës me shumë përkushtim dhe me dashuri, duke lënë pas një trashëgimi madhështore kulturore për Kosovën dhe për gjeneratat në vijim.

Gjenerata e Parë e Baletit të Kosovës përbëhej nga: Ahmet Bahimaj, Abdurrahman Nokshiqi, Gani Loshi, Jonuz Beqiraj, Elez Nikqi, Rrustem Selca, Selajdin Kiqe, Rrustem Bajrami, Hysen Podrimcaku, Esma Mulla, Shqipe Hoxha, Enver Berisha, Shaban Shabanaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Enver Elshani, Sabrije Spahiu, Jashar Berisha dhe Nexhmije Selca. Ato njihen për realizimin e produksioneve me sukses si: “Sokol & Mirusha”, “Halili & Hajria”, “Bolero”, “Legjenda mbi ngadhnjimin”, “Romeo and Juliet”, “Kënga e Rexhës”, “Besa”, “Don Quixote”, “Fyelltari”, “E bukura More”, etj.

Sot Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës drejtohet nga Kreshnik Musolli, i cili shërben si U.D. i Drejtorit të Baletit. Lindur në Prishtinë, Kreshnik Musolli ka përfunduar studimet në regji teatri në Fakultetin e Arteve në Prishtinë në vitin 2013. Karrierën e tij si balerin e filloi në vitin 2007 dhe ka realizuar shumë shfaqe me sukses me balerinët e talentuar të Trupës së Baletit. Në rolin e koreografit Musolli debutoi me shfaqen “Andërr” (2019) me balerinët Sead Buniqi, Sinan Kajtazi dhe Aulona Nuhiu në rolet kryesore. Në baletet e tij, koreografi Kreshnik Musolli shquhet për inovacion, përmbajtje të thellë imagjinare dhe ekspresivitet dramatik.

Identiteti kombëtar i baletit kosovar vazhdon të forcohet dhe prezantohet me dinjitet në mbarë botën nga trupa e baletit, falë përkushtimit dhe punës së balerinëve të përkryer të Baletit Kombëtar të Kosovës, përkatësisht: Aulonë Nuhiu, Abetare Hyseni, Behie Murtezi, Drilon Podrimçaku, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Liridon Mziu, Leonora Rexhepi, Luljeta Ademi, Muhamet Bikliqi, Marigonë Hoxha, Mimoza Bytyqi, Sinan Kajtazi, Nora Gashi, Sead Vuniqi, Vlora Prizreni, Teuta Krasniqi, Vjollca Lugiqi, Besarta Shaljani, Flakarta Qorri, Elmedina Berisha dhe Isa Beg Gjocaj.

Artistët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë krijuar dhe mishëruar personazhe fantastike në rolet e tyre interpretuese, duke krijuar një karakter masiv për imazhin e baletit dhe duke e pasuruar atë me forma dhe stile të reja. Ndër vite, balerinët kombëtarë të Kosovës kanë dhuruar performanca të jashtëzakonshme, që kanë mahnitur dhe entuziazmuar publikun. Trupa e Baletit Kombëtar është prezantuar jashtë Kosovës me këto shfaqe të suksesshme: “Dasma”, “Xhuljeta pa Romeon”, “Ngjyrat e Vallezimit”, “Një Legjendë për dashurinë”, “Newborn-SYN”, dhe “Recomposed”.

Me datën 3 Dhjetor 2020, e enjta, ora 16:00, do shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës premiera e dytë e shfaqes shumë të kërkuar “Sisters”, me koreografi nga i mirënjohuri Mehmet Balkan. Shfaqja i dedikohet ikonës legjedare dhe ‘babait” të Baletit Kombëtar, Ahmet Brahimaj.

Intervistë me Kreshnik Musollin, U.D. i Drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Balerin dhe Koreograf

Çfarë do të thotë Skena e Teatrit Kombëtar për ju dhe për gjeneratën tuaj të balerinëve?

Kreshnik Musolli: Skena e Teatrit Kombëtar të Kosoves ka një domëthënie të madhe për ne si gjeneratë e re e Baletit Kombëtar të Kosovës. Aty jemi rritur që nga mosha e re kur kemi filluar të merremi me këtë lloj arti dhe qysh herët kemi pas fat të angazhohemi në shfaqjet e institucionit tonë. Ne ende jemi në pritje të ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit ku do të kemi “shtëpinë” tonë pasi që është vështirë të ushtrosh veprimtarinë në objekt të huaj. Poashtu problem për ne është hapësira shumë e vogël si në sallë ashtu edhe në skenë, gjë që ndikon direkt në performancën tonë si balerinë.

Cilat tre shfaqje të trupës së Baletit të Kosovës që kanë qenë më të vlerësuarat dhe pëlqyerat nga publiku?

Kreshnik Musolli: Në përgjithësi të gjitha shfaqjet e Baletit Kombëtar të Kosovës janë vlerësuar shumë si nga publiku vendor poashtu edhe në rajon e Europë në turne e festivale të ndryshme. Një nga shfaqjet më të pëlqyera por edhe më të reprizuara është shfaqja “Dasma” me koreografi nga Mehmet Balkan e cila është realizuar si premierë në vitin 2012 dhe është reprizuar deri në vitin 2017, diku më shumë se 38 herë.

Çfarë konsideroni si të arritura tuaja, me të cilat krenoheni në karrierën tuaj?

Kreshnik Musolli: Balerinët e BKK-së edhe pse në kushte tejet të tmerrshme të punës në sallën e ushtrimeve dhe provave që gjendet në bodrumin e Teatrit Kombëtar, nuk janë ndalur kurrë duke punuar me këmbëngulje e vendosmëri të madhe që të arrihen sukseset që i kemi arritur që nga ri-themelimi pas luftës. Që nga viti 2001 deri më tani janë punuar mbi 50 shfaqje premiera të ndryshme me koreograf nga më shumë se 21 vende të botës duke bërë kështu që institucioni jonë të njihet jo vetëm në vend e rajon por edhe në të gjithë botën. Kjo patjetër që është arritë falë ish-Drejtorit Ahmet Brahimaj i cili është njeriu më meritor për ri-themelimin e Baletit në Kosovë pas luftës.

Poashtu ai e rriti gjithë grupin e balerinëve sikur të ishin fëmijët e tij, të gjithë duke funksionuar si një familje e madhe, kompakte dhe e disiplinuar gjë që ka bërë që të instalohet në mendjen e secilit që vetëm me punë të pandalshme mund të arrihen sukeseset në karrierën tonë pasi që në këtë profesion është shumë e limituar koha që mund të jesh aktiv në skenë. Për fat të keq në muajin Maj të këtij viti Ahmet Brahimaj “Babai” i Baletit të Kosovës u nda nga jeta dhe ne si gjeneratë e re e kemi obligim që të vazhdojmë tutje atë që ai ka nisur duke mos u ndalur asnjëherë me punë e suksese që institucionin tonë ta ngrisim edhe më lart në çdo aspekt.

Së shpejti keni dhe premierën e re me 3 dhejtor, nën koreografinë e të mirënjohurit Mehmet Balkan. Mund të na tregoni për historinë e shfaqjes, dhe elementet që e përbëjnë?

Kreshnik Musolli: Me datën 3 Dhjetor do të kemi premierën e dytë për vitin 2020 me koreografi nga Mehmet Balkan nga Turqia i cili është një emër me renome botërore. Me të kemi filluar bashkëpunimin në vitin 2010 dhe është shfaqja e pestë që e realizojmë së bashku. Shfaqja titullohet “Sisters” dhe ka si temë dy motra të cilat dashurohen në personin e njëjtë dhe pastaj lindin situatat dramatike mes tyre me xhelozi e inate.

Është një shfaqje e jashtëzakonshme e baletit neoklasik me një muzikë të mrekullueshme të kompozuar nga Erim Ardal nga Turqia. Asistente e shfaqjes është Lale Balkan, Kostumet dhe Skenografia janë dizajnuar nga Tayfun Çebi dhe Video që shfaqet si skenografi virtuale në prapavi përmes projektorit nga Ahmet Şeren. Këtë herë është pak sfiduese puna e organizimit të premierës për shkak të pandemisë së COVID-19 ku masat e qeverisë janë që lejohet vetëm 30% e sallës të mbushet me publik, sepse zakonisht jemi detyruar që të fusim karrige shtesë në sallë për shkak të interesimit tejet të madh.

Sa e karakterizon qytetin tuaj arti i baletit apo arti në përgjithësi në lidhje me mbështetjen nga publiku apo instituiconet lokale? Dhe sa të ndërthurur keni qene në aktivitete jashtë Kosovës?

Kreshnik Musolli: Baleti si art është shumë i dashur për popullatën në Prishtinë e në Kosovë dhe interesimi është shumë i madh në çdo premierë e reprizë të shfaqjeve që kemi. Do të duhej të ishte një përkrahje edhe më e madhe nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për arsye që ne e kemi problem kyç objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit, sepse siç e ceka edhe më lart është tejet sfidë e madhe të punohet në kushtet që i kemi momentalisht ku mungon hapësira e duhur, ajrosja e mjaftueshme e drita natyrale të cilat ndikojnë shumë negativisht çdo ditë në performancën dhe shëndetin e balerinëve.

Problem tjetër ose nevojë urgjente e jona është edhe Shkolla Kombëtare të Baletit që ende presim të themelohet. Vetëm përmes kësaj shkolle e cila do të jetë nën ombrellën dhe kontrollën e Baletit Kombëtar të Kosovës, mund të sigurohen e shkollohen gjeneratat e reja të cilat do ta vazhdojnë këtë art në Kosovë në mënyrë të mirëfilltë.

Sa i përket aktiviteteve jashtë vendit, kemi pas fat të marrim pjesë në shumë festivale e turne në shtetet e Ballkanit e Europës si: Shqipëri: Durrës, Tiranë, Vlorë, Elbasan; Maqedoni: Shkup, Tetovë, Manastir, Dibër, Ohër; Bullgari: Pravets, Sveti Vlas, Ruse; Zvicërr: Cyrih; Itali; Villapiana, Altomonte, Crotone, Napoli; Austri: Graz; Gjermani: Berlin, Hamburg; France: Paris; Finlandë: Tampere, Helsinki, Turku, Pori.

A mendoni se keni lënë gjurmë artistike?

Kreshnik Musolli: Padyshim që Baleti Kombëtar i Kosovës ka lënë gjurmë të rëndësishme në artin e kulturën e shtetit tonë duke treguar një nivel tejet të lartë teknik e artistik në secilën paraqitje si në vend ashtu edhe jashtë Kosovës. Shumë herë është emëruar si Institucioni më i suksesshëm kulturor në vend. Kjo është thënë edhe nga secili koreograf që kemi bashkëpunuar për këto vite, ku secili prej tyre ka punuar e punon në vendet më të zhvilluara me Kompani tejet të sukesshme të baletit dhe janë në gjendje të vlerësojnë këtë punë në mënyrën më të drejtë. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Synimi im është finalizimi i objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti në takim Këshillit e ri Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës, i cili është në përbërje të Leonora Rexhepi, Luljeta Ademi, Lejla Pula, Agim Selimi dhe Zethane Bahtiri-Gimolli, përfaqësuese e MKRS-së.

Ministrja Dumoshi i informoi Këshillin për punën dhe planet që MKRS-ja po bën për kulturën, në këtë kontekst edhe për avancimin e dokumenteve ligjore e strategjike për Baletin Kombëtar të Kosovës.

Një ndër sfidat e cila ka pasur vonesa dhe nuk ka arritur të konkretizohet ende është objekti i Teatrit të Operës dhe Baletit, për të cilin ministrja tha se është e interesuar që të finalizohet si proces dhe ky projekt të marrë jetë.

Ministrja tha se “kemi shumë artistë të talentuar dhe është mëkat që mos të kenë hapësirën e duhur dhe të nevojshme ku të realizojnë aktivitetet e tyre. Si ministre dhe ministria që drejtoj jemi të interesuar që sa më shpejtë të jetësohet projekti i objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit. Kemi mbajtur komunikim të vazhdueshëm me Komunën e Prishtinës, ashtu që hapësira që është paraparë për ndërtimin e këtij objekti të rëndësishëm të kulturës në Kosovës, afër Fakultetit Teknik në Prishtinë, të ndahet për projektin në fjalë”, theksoi ministrja, duke i bërë thirrje edhe komunitetit artistik që të japin kontributin e tyre dhe të ngrenë zërin për këtë çështje.

“Projektet garuese për objektin e teatrit do të bëhen transparente dhe qytetarët do të kenë mundësinë që të japin kontributin e tyre në përzgjedhjen e projektit më të mirë”, tha ndër të tjera ministrja.

Po ashtu, ministrja Dumoshi tha se do të bashkëpunojë me Këshillin, por asnjëherë pa ndërhyrë në punën dhe vendimit që ata marrin si Këshill. Ministrja tha se duhet që sa më shpejt të zgjidhet Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës me qëllim të funksionalizimit të plotë të këtij institucioni të rëndësishëm të kulturës së vendit tonë.

Një ndër temat që është edhe një preokupim, është edukimi i gjeneratave të reja në fushën e baletit. Për këtë ministrja tha se do të punojmë bashkërisht që të zgjidhim çështjen e shkollës së baletit dhe ajo si ministre do të lobojë dhe do të komunikojë edhe me Ministrinë e Arsimit për të zgjidhur këtë problematikë, sepse siç tha ministrja “nuk na falet si shoqëri nëse e lëmë që baleti të shuhet në vendin tonë e mos të ketë breza të rinj të edukuar në këtë fushë”.

Anëtarët e Këshillit të Baletit e falënderuan ministren Dumoshi për pritjen dhe besimin e treguar. Ata thanë se do të punojnë dhe të angazhohen për të avancuar baletin, duke u fokusuar edhe në edukimin e brezave të baletit në Kosovë, duke vazhduar traditën e profesorit të Ahmet Brahimajt.

Ndër tjera, ministrja Dumoshi i njoftoi Këshillin edhe për përkrahjen që ka dhënë MKRS-ja për organizatat e shoqërisë civile që merren me kulturë./ KultPlus.com

Historia e rrallë e ikonës së baletit, Isadora Duncan

Ajo kishte dy gjëra të shenjta dhe të dyja ia fali Shqipërisë. Një gërshet që dikur luanin dy fëmijët e saj fatkeqë dhe një medaljon i nënës, ishin dhuratat më të çmuara që Isadora Duncan i la në duart e femrave sarandiote në vitin 1913.

Ndërkohë që e gjithë media pyeste se ku u zhduk ikona e dansit pas tragjedisë familjare, superbalerina po rindërtonte jetën në një fushëbetejë luftërash. Nga një dëshpërim deri në vdekje, duke qëndruar për pesë muaj në brigjet shqiptare, Isadora arriti të gjente një motiv për të ecur përpara. Mjerimi dhe mundimi aq i madh i grave sarandiote për të rritur fëmijët i dha asaj një forcë hyjnore që të jetonte, çka e ka pasqyruar në librin autobiografik vite më vonë.

Më poshtë vijnë disa pasazhe të kujtimeve të Isadorës nga ditët e qëndrimit në Shqipëri.

Shqipëria e vitit 1913 jetonte në një kaos të madh. Pavarësia sapo ishte shpallur. Ndërsa në Paris flitej për tjetër një tragjedi. Gazetat lajmëronin ngjarjen që kishte ndodhur në Senë, mbytjen e fëmijëve të Isadora Duncan, Patrik dhe Diedre, të guvernantes, si edhe klithmat e pareshtura të shoferit të plagosur që nuk kishte mundur dot t’i shpëtonte, duke parë atë vdekje të drejtpërdrejtë para syve të tij…

Në kopertinën e revistës “Illustration” ishte botuar fotografia e saj, ulur në dhomë, me Patrikun mbështetur pas vetes dhe Didin lakuriq, të mbledhur kruspull mbi gjoksin e saj.

Ditë të tëra ajo qëndroi e vetme. Shëtiste buzë Senës, ndërkohë që vëllay Raymond (Rajmond) e ndiqte nga larg, se mos hidhej dhe mbytej.

“Tani s’jam më e nevojshme për asgjë”, i thoshte ajo Rajmondit dhe miqve të saj. Pres vdekjen të vijë e të më marrë!”

Më pas Isadora është kthyer në studion e saj në Neilly.

“Mendova t’i jepja fund dhe jetës time. Si mund të vazhdoja të jetoja pas humbjes së fëmijëve të mi? Fëmijët e shkollës së baletit që kisha ngritur, më rrethonin duke më thënë: “Isadora t’i duhet të jetosh për ne!” A nuk jemi ne fëmijët e tu?… Rajmondi dhe Penelopa u nisën për në Shqipëri, ku do të punonin mes refugjatëve. Më bindën që të shkoja edhe unë atje…”- tregon Isadora.

Ndërkaq, në brigjet e Adriatikut, horizonti nxinte nga anijet e luftës.

Edhe më parë ajo kishte qenë nëpër Ballkan. Kishte udhëtuar nëpër bregun shqiptar, nëpër Adriatik e Jon, duke zbritur udhës ballë Prevezës, këtij “qyteti turk”, siç e quan ajo dhe pastaj drejt Athinës, ku u duartrokit aq shumë nga grekët e shqiptarët. Tashmë kishin kaluar vite.

Isadora ishte bërë një nga balerinat e famshme të Evropës. Por ky kthim i drejt Ballkanit ishte i trishtë e i dhimbshëm. Ajo po vinte vetëm, pa fëmijët e saj, vinte të takohej me Rajmondin e gruan e tij Penelopa, që ishin nisur para saj në Shqipëri. “Gjithë natyra ishte e qeshur, por unë s’gjeja dot asnjë ngushëllim. Rajmondi u kthye nga thellësia e Shqipërisë. Si zakonisht ishte gjithë entuziazëm.

“Vendi është shkatërruar plotësisht”, më tha ai. “Fshatrat janë boshatisur e plaçkitur, fëmijët vdesin urie. Pra, si mund të qëndrosh duke menduar vetëm për fatkeqësinë tënde. Eja të na ndihmosh të ushqejmë fëmijët dhe t’u japim kuraj këtyre nënave të gjora. Fjalimi i tij ishte efikas dhe unë e ndoqa atë. Ai kishte menduar të ngrinte një kamp ndihme për refugjatët”.

Siç dëshmon edhe nga kujtimet e saj Isadora, Rajmondi shkoi në pazarin e Korfuzit, ku bleu lesh dhe e ngarkoi në një anije të vogël dhe solli atë në Sarandë.

“Po si mund t’i ushqesh gjithë këta të mjerë?”, i kishte thënë Isadora me të mbërritur. “Vetëm me lesh?!”

Por, Rajmondi ia kishte kthyer: “Po të sillja bukë, ajo do të mjaftonte vetëm për një ditë. Por, unë solla lesh, që ata të mund të punojnë për të ardhmen e tyre”.

Disi larg portit, buzë shkëmbinjve, ku ishte ngritur kampi, Rajmondi kishte vënë një afishe: “Ata që duan të tjerrin lesh, do të marrin nga një dhrahmi në ditë”.

Shpejt u krijua një rresht i gjatë grash të mjera, të cilat me ato dhrahmi që merrnin, blinin misër nga grekët. E kështu rridhte vera e vitit 1913 në Sarandë.

“Shqipëria ishte një vend i çuditshëm e tragjik”, shkruan ajo më pas. “Atje është altari i parë i ngritur për Jupiterin, hyjninë e rrufeve, pasi edhe në dimër, edhe në verë ka stuhi e rrebeshe. Veshur me pelerina e sandale, ne përshkonim vendet nëpër stuhi. Sa e këndshme ishte të ndieje shiun të të rridhte nëpër trup”.

“Në Shqipëri isha dëshmitare e shumë skenave tragjike. Njëherë një nënë ishte ulur nën një pemë me foshnjën në krah dhe 3-4 fëmijë që i silleshin rrotull të uritur e të pastrehë. Shtëpia u ishte djegur dhe babai e vëllai i saj ishin vrarë nga turqit. Bagëtinë ua kishin vjedhur dhe e mjera nënë kishte mbetur e vetme, bashkë me fëmijët në mes të katër rrugëve. Këtyre të vuajturve Rajmondi u jepte thasë me patate. Në kamp ne ktheheshim të lodhur dhe të dërrmuar, por një lumturi e çuditshme depërtonte në qenien tonë. Fëmijët e mi kishin humbur, por ja, kishte të tjerë të uritur e të vuajtur. A nuk duhet të jetoja për ta?”, shkruan Isadora në kujtimet e saj për Shqipërinë.

Për vite me radhë Isadorës do t’i mbetej në mendje ai imazh i grave sarandjote, që të radhitura buzë detit endnin pëlhurën e bardhë duke kënduar. Banorët e adhuronin atë grua që u sillte ilaçe nga Korfuzi dhe u gjendej mbi kokë; atë grua të hijshme që çdo mëngjes e shihnin të zhvishej buzë detit, trupi i të cilës kishte diçka të ngjashme me skulpturat e lashta të Butrintit, disa km larg.

“Një ditë ndjeva se duhet ta lija këtë vend malor, plot shkëmbinj gjigantë dhe gjithë stuhi”…

Ishte një mëngjes i bukur atë prag vjeshte, buzë detit Jon. Frynte fllad. Tehu i gërshërëve preu ngadalë gërshetin e saj. Papritmas ndjeu një drithërimë dhe e kuptoi se nuk ishte fresku i mëngjesit, por kujtimi i hidhur që iu shfaq papritur, duart e vogëlushëve të saj që dikur luanin me ato flokë. Menjëherë i hodhi flokët në det dhe deti i thithi në thellësitë e veta. Pas kaq kohësh nuk mund të qëndronte më në atë vend.

“Ka një diferencë të madhe midis jetës së artistit dhe jetës së një shenjti”, do të shkruajë më pas ajo në librin “Jeta ime”. “Tek unë po zgjohej sërish jeta e artistit. Ndieja se ishte e pamundur që me forcat e mia të kufizuara të ndaloja atë valë mjerimi të refugjatëve shqiptarë… Duhej ta lija këtë vend malor, plot shkëmbinj gjigantë e me stuhi. Nuk mund ta shihja dot atë mjerim”.

Kjo ishte Isadora Duncan, balerina e famshme amerikane e fillimit të shekullit XX, e cila kishte kaluar një jetë plot ngjarje, lavdi, dashuri, dhimbje e tragjedi.

Ajo filloi të ndiejë se gjymtyrët kërkonin t’i lëviznin sipas atij alfabeti, gjestikulacioni e dansi që ajo kishte krijuar me aq pasion e dashuri. E etur për t’u rishfaqur përsëri në skenat pariziane, një ditë me lot në sy, ajo ndahet nga ato gra sarandjote, nga ai kamp çadrash dhe njerëzit në breg që kishin dalë ta përcillnin. Anija që erdhi në Sarandë e çoi në Trieste. Më pas u nis me tren drejt Parisit. Miqtë dhe artistët e shumtë që e rrethuan me dashuri, për herë të parë dëgjonin për Shqipërinë dhe shkatërrimet e mëdha të Luftës Ballkanike. Ushtritë e Evropës dhe të fqinjëve e kishin kthyer Shqipërinë në një fushëbeteje. Për ditë të tëra ato imazhe të brigje shkëmbore nuk i shqiteshin nga sytë.

Emri i vërtetë i Isadora Duncan është Dora Angela Duncan. E lindur në vitin 1877 në San-Francisko, USA, ajo u rrit që e vogël në një mjedis artistik. Duke qenë një adhuruese e dansit, në moshë të re angazhohet në trupa teatri në Nju -Jork dhe më pas shkon drejt Londrës bashkë me familjen.

Në fillim të shekullit XX shkon në Paris, ku angazhohet me trupat artistike dhe lidhet me personalitete të larta si Rodin, Bourdelle, D’Annunzio, etj.

Në vitin 1913 Isadora pëson një tragjedi në familje. Aksidentalisht i mbyten dy fëmijët në lumin e Senës në Paris. Dhimbja bën që së bashku më të vëllanë, Rajmond Duncan, të niset drejt Sarandës, ku qëndron për pesë muaj me radhë duke ndihmuar refugjatët shqiptarë në kohën e Luftës Ballkanike.

Pas kthimit të Francë, ajo nis të merret sërish me dansin. Në vitin 1922 njihet me poetin rus, Sergei Esenin, të cilin e ndjek në Moskë, ku edhe martohet. Së bashku bëjnë turnetë në Amerikë, ku Isadora cilësohet si balerinë “e kuqe”.

Më 1925 Esenini vret veten, ndërkohë që Isadora kthehet në jug të Francës. Ajo do të vdiste në vitin 1927, teksa duke udhëtuar me makinë shalli që kishte rreth qafës kapet në rrotën e makinës, duke shkaktuar kështu vdekjen e saj.

Isadora Duncan mbetet një figurë e madhe në historinë e dansit, duke qenë se pati hapur edhe një shkollë të tillë profesioniste në Paris. Edhe sot e kësaj dite organizohen konkurse ndërkombëtare në Amerikë dhe Evropë, duke dhënë çmimet “Duncan”. /KultPlus.com

Haradinaj: Qeveria e vendit do t’i kushtojë vëmendjen e merituar baletit

Baleti Kombëtar i Kosovë është  duke u ballafaquar me vështirësi tash e sa kohë, por që kërkesa e tyre thelbësore mbetet krijimi i sallë së baletit, shkruan KultPlus.

Për të biseduar rreth mundësive më të mira për zhvillimin e punës, Bordi Drejtues i Baletit Kombëtar të Kosovës është pritur sot në takim nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Gjatë  këtij takimi ata kanë biseduar rreth mundësive përmes të cilave ky art do të ngrihet në këmbë më fuqishëm dhe vlerat e tij do t’i tregojë  jo vetëm në Kosovë por edhe në rrafshin ndërkombëtar, ashtu siç kanë bërë  gjithmonë.

Kryeministri Haradinaj ka premtuar që qeveria e vendit, do t’i kushtojë vëmendjen e merituar këtij institucioni.

“Baleti Kombëtar i Kosovës është pjesë e identitetit tonë kulturor dhe në historinë e tij gjysmëshekullore ka arritur suksese impresive edhe në arenën ndërkombëtare. Me përfaqësuesit e Bordit Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës, biseduam për mundësitë e ngritjes së mëtejme të këtij arti, si një nga parametrat e vlefshëm të Kosovës në botë. Qeveria e vendit, do t’i kushtojë vëmendjen e merituar këtij institucioni, që baleti ynë të vazhdojë punën e tij sipas dinamikave të parapara.”, ka shkruar Haradinaj në  Facebook. / KultPlus.com

Merita Harxhi Koci, përmes baletit sjellë koleksionin e radhës

Baleti të rrëmben në botën magjike, duke shprehur me gjuhën e trupit dashurinë, dhembjen, mallin…copëza jete. Kështu na vjen edhe ky koleksion nga dizajneria e njohur kosovare Merita Harxhi Koci, shumë unik, “pikturuar” me të gjitha ngjyrat e ylberit, prerje dhe modele për rastet tuaja speciale, por mbi të gjitha shumë komode, shkruan KultPlus.

Në bashkëpunim me fotografin Shenoll Zehri, balerinën Aulonë Nuhiu, dizjaneria Merita Harxhi Koci “troket” në stinën e pranverës me këtë minikoleksion, i cili vë theksin te gjatësia, materiali shumë cilësor dhe ngjyrat. Për ato që duan modën dhe artin, për ato që e duan thjeshtësinë, por me hijeshi edhe elegancë, për ato që duan të duken të veçantë, ky koleksion është adresa e duhur.

Dizajneria Merita Harxhi Koci, gjithmonë është fokusuar në realizimin e fustaneve të mbrëmjeve madhështore, si një festim i personalitetit të gruas, të sofistikuar dhe elegante në masën e duhur./ KultPlus.com