Letra emocionuese që Abraham Lincoln i dërgoi mësuesit të djalit të tij

Kjo është letra që presidenti amerikan Abraham Lincoln i drejtoi mësuesit të djalit të tij në fillim të shkollës. Një letër që duhet lexuar për të kuptuar jetën dhe mësimet që janë të rëndësishme tek fëmijët.

Letra e plotë:

Mësues i nderuar.
Djali im sot e fillon shkollën.

Pas pak, gjithçka do të jetë për të e re dhe e çuditshme, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht. Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet. Të tilla aventura që ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajo.

Për këtë, i dashur mësues, do t’ju lutesha ta merrnit përdore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë, mësojeni atë, por butësisht, nëse mundeni.
Mësojeni se për çdo armik, ekziston një mik.

Atij do t’i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, dhe jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.

Megjithatë mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, jeton një lider i përkushtuar.

Mësojeni nëse mundeni se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.

Mësojeni atë si të humbë hijshëm, dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton.

Mësojeni të jetë i mirë, me njerëzit e mirë, dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mundohuni t’i qëndrojë sa më larg zilisë, nëse do të mundeni dhe mësojani sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.

Mësojeni po të jetë e mundur, si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lotë nuk është aspak turp.
Mësojeni ti përqeshë cinikët.

Mësojeni nëse mundeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu i jepni edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbëruar.

Mësojeni të ketë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do ti thonë se janë të gabuara.

Mundohuni t’i mësoni birit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.

Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshisë të gjithë atë që dëgjonte në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.

Mësojani atij se si të shesë talentin dhe zgjuarsinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën.

Lejojeni të ketë kurajo për të qenë i padurueshëm. Lejojeni të ketë durimin për të qenë trim.

Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në ZOTIN. Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni
më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mire DHE ËSHTË BIRI IM

Me respekt
Abraham Lincoln. / KultPlus.com

Varg ëndrrash

Poezi nga Bob Dylan, përktheu Edvin Shvarc.

Po mendoja për një varg ëndrrash
ku asgjë nuk del në sipërfaqe,
çdo gjë rri poshtë aty ku plagë ka marrë
dhe ndalet përfundimisht.
Nuk po e vrisja mendjen për ndonjë gjë të veçantë
porsi në një ëndërr, kur dikush zgjohet dhe ulërin.
Asgjë edhe aq e veçantë,
thjesht po mendoja për një varg ëndrrash./KultPlus.com

Bashkia Shkodër: Vendosja e bustit të Lekë Dukagjinit, pas miratimit të rregullores për memorialet

Pas kërkesës së një grupi prej 10 qytetarësh nga Dukagjini për vendosjen e bustit të Lekë Dukagjinit në qendër të qytetit të Shkodrës, bashkia ka deklaruar sot përmes Drejtorit të Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve Mbështetëse, Denis Lesha se busti do të vendoset pas miratimit të rregullores për vendosjen e memorialeve dhe figurave historike në Këshillin Bashkiak të Shkodrës.

Sipas Leshës, ka qenë kryetari i bashkisë Benet Beci që i ka pritur disa herë në takime, qytetarët që kanë kërkuar vendosjen e bustit, duke shprehur gjithë mbështetjen e tij dhe vlerësimin për këtë figurë historike.

“Pas përfundimit të hartimit të projektvendimit përkatës, grupi i punës e ka paraqitur rregulloren për shqyrtim dhe miratim pranë Këshillit Bashkiak. Këshilli e ka përfshirë atë në rendin e ditës për mbledhjen e datës 6 nëntor 2024. Gjatë diskutimeve në seancë, përfaqësues të opozitës, duke ushtruar të drejtën e tyre ligjore, kanë kërkuar më shumë kohë për shqyrtimin e rregullores dhe kanë propozuar shtyrjen e miratimit për një mbledhje tjetër”, shton ai.

Në deklaratë, theksohet se ky proces bazohet në një metodologji të qartë dhe kritere të mirëpërcaktuara, duke garantuar që çdo bust, monument apo strukturë përkujtimore e re të ketë vlerë historike dhe artistike dhe të përshtatet me kontekstin urban të qytetit.

“Ndërkohë, qyteti i Shkodrës është shndërruar në një mozaik të paorganizuar strukturash përkujtimore, si buste, memoriale dhe emërtime rrugësh, shpesh të vendosura pa një proces të qartë konsultimi. Për këtë arsye, me iniciativën e Kryetarit të Bashkisë, është ngritur një grup pune për hartimin e një rregulloreje të qartë dhe të drejtë mbi vendosjen e busteve dhe monumenteve në hapësirat publike të qytetit”, thotë Lesha.

Përfaqësuesi i bashkisë i siguron banorët e Dukagjinit, se busti i Lekë Dukagjinit do të vendoset në Shkodër, duke respektuar ligjin dhe sapo kjo rregullore që ka mbetur “peng” për shkak se këshilltarët e opozitës kanë kërkuar më shumë kohë për shqyrtimin e saj të marrë formën e saj ligjore.

“Sapo kjo rregullore të marrë formën e duhur ligjore, çdo kërkesë, përfshirë edhe atë për vendosjen e bustit të Lekë Dukagjinit do të shqyrtohet në përputhje me kriteret dhe procedurat ligjore përkatëse.

Bashkia Shkodër nuk do të lejojë që procesi i vendosjes së strukturave përkujtimore të ndikohet nga presione apo deklarata mediatike. Qyteti nuk mund të shndërrohet në një vend ku buste dhe memoriale vendosen sipas dëshirave individuale apo të grupeve të caktuara. Institucionet dhe organet përkatëse do të ndjekin procedurat ligjore dhe profesionale për të siguruar që vendimet të jenë në interes të qytetit dhe trashëgimisë së tij kulturore. Ajo që mund të sigurojmë banorët është se busti i Lekë Dukagjinit do të vendoset në Shkodër, duke respektuar ligjin dhe në përputhje me figurat e tjera të shquara të kombit tonë”, pohoi zyrtari i bashkisë së Shkodrës./atsh/KultPlus.com

Shkolla e mesme profesionale KPU-Kolegji Profesional Universum hap thirrjen për bursa shkollimi 

Kolegji Profesional Universum (KPU) në Qytetin e Ferizajit ka hapur thirrje për bursa shkollimi, duke ofruar mundësi të jashtëzakonshme për nxënësit e klasave IX-ta dhe X-ta që synojnë të vazhdojnë shkollimin e mesëm në programet profesionale më të kërkuara në tregun e punës.

Për të përfituar bursë shkollimi, plotësoni kuizin online në linkun: https://kpuuniversum.com/qsm_quiz/2025/

KPU-Kolegji Profesional Universum ofron bursa shkollimi për programet e mëposhtme:

  • Infermieri
  • Teknik Dentar
  • Fizioterapi
  • Shkenca Kompjuterike dhe Programim
  • Mekatronikë – Operator i Roboteve Industrial
  • Gjimnaz 

Pse të zgjidhni KPU?

KPU integron teknologjinë në procesin mësimor, përdor tabela digjitale, inteligjencë artificiale për mësim të personalizuar dhe platforma e-learning, duke mundësuar një mësim efikas dhe të qasshëm në çdo kohë dhe nga çdo vend.

Mjedisi mësimor në KPU është dinamik dhe interaktiv. Përdorimi i tabelave digjitale lehtëson ndërveprimin në klasë, ndërsa integrimi i AI mundëson mësim të personalizuar, duke iu përshtatur ritmit të secilit nxënës.

Për të përfituar bursë shkollimi, plotësoni kuizin online në linkun: https://kpu-universum.com/qsm_quiz/2025/

Për më tepër, KPU ofron:

  • Përvojë praktike dhe mundësi punësimi: Praktika profesionale në laboratorë të pajisur me teknologji të fundit dhe mundësi për t’u angazhuar në mësim dual, duke bashkëpunuar ngushtë me industrinë dhe mundësuar punësim të mundshëm pas përfundimit të studimeve.
  • Mësim i personalizuar dhe aktivitete ekstrakurrikulare: Nxënësit përfitojnë një mësim të personalizuar për t’u përgatitur për tregun e punës, ndërkohë që mund të angazhohen në aktivitete të ndryshme që ndihmojnë në zhvillimin e aftësive sociale dhe profesionale.

Si të aplikoni?

Për të përfituar bursë shkollimi, plotësoni kuizin online në linkun: https://kpu-universum.com/qsm_quiz/2025/

Nxënësit e klasave IX dhe X që dëshirojnë të vazhdojnë shkollën e mesme dhe të ndërtojnë një karrierë të suksesshme në një nga programet profesionale më të kërkuara, ftohen të plotësojnë kuizin online dhe të bëhen pjesë e KPU që të zhvillojnë potencialin e tyre në maksimum.

Për më shumë informata kontakto 045481241 & [email protected] ose na ndiqni në rrjete sociale facebook ose instagram./KultPlus.com

Raporti i UN Tourism, Rama: Shqipëria e para në Evropë dhe në botë për rritjen e turizmit

Shqipëria renditet e para në Evropë dhe në botë për rritjen e turizmit gjatë vitit 2024.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale publikoi raportin më të fundit të World Tourism Barometer, publikuar nga Organizata Botërore e Turizmit (UN Tourism).

“Sipas raportit të fundit të UN Tourism, Shqipëria cilësohet e para në Evropë dhe në botë për rritjen e turizmit”, shkruan Rama.

Sipas këtij raporti, Shqipëria ka regjistruar Shqipëria renditet e para me një rritje prej 80% të turistëve, e ndjekur nga Arabia Saudite me 69%, më pas vjen Kolumbia me 37%, Maroku me 35%, Republika Domenikane me 32% etj.

Rritja e turizmit është rezultat i investimeve në infrastrukturë, përmirësimit të lidhjeve ajrore, promovimit ndërkombëtar dhe diversifikimit të ofertës turistike. Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë falë bregdetit të pacenuar, kulturës unike dhe atraksioneve natyrore./atsh/KultPlus.com

‘Ushtarë, m’hapni shtatoren që të shoh edhe një herë Shkodrën’

Poezi nga Jeronim De Rada

Fryu era e maleve
dhe rrëzoi hijen e lisit:
gjaku im mbetet lumit t’Vodhit!
Ushtarë, m’hapni shtatoren
që të shoh edhe një herë
Shkodrën dhe time motër
te dritarja përkundruall.
Më atje nuk do të zgjohem
luleve që valvit era,
posi valë që s’kanë mbarim.
Do të mblidhen shokët mbrëmjes
brenda vatrash në atdhe:
Unë i le si ëndërzë!/ KultPlus.com

“Deadline”, premierë nga BKK në muajin mars

Më 20 mars, Baleti Kombëtar i Kosovës do të shfaq premierën e radhës, shfaqjen e titulluar “Deadline”.

Kjo shfaqje, e konceptuar nga Sead Vuniqi, është premiera e dytë e BKK-së për vitin 2025 dhe do të prezantohet para publikut në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Balerinët e BKK-së janë në fazën intensive të provave, ku së bashku me koreografin Vuniqi dhe asistenten Diletta Antolini, po përgatisin çdo detaj të këtij projekti.

Më 21 dhe 22 mars do të jepen reprizat e para pas premierës./ KultPlus.com

Një turist gjobitet me 500 euro pasi u fut në Fontanën e Trevit në Romë, i ndalohet përgjithmonë vizita

Tashmë sezoni i turistëve veçse ka filluar në Romë, e tre vizitorë nga Zelanda e Re u futën në telashe pikërisht në zonën përreth “Fontana di Trevi”.

Siç raporton CNN, të tre turistët u ndaluan të dielën mbrëma nga policia.

Derisa po kalonin nga shatërvani i famshëm Trevi në qendër të Romës, ku veçse kishte turistë të shumtë, dhe policia po i largonte nga zona, të dehur, njëri nga ta, një 30-vjeçar shkoi dhe u hodh aty, derisa po e ndiqnin policia.

“Alkooli ishte padyshim i përfshirë,” tha një zëdhënës i policisë.

I riu nga Zelanda e Re hyri në shatërvan duke u kapur mbi skulpturat e mermerit.

Ai u gjobit me 500 euro (rreth 524 dollarë) dhe iu ndalua përgjithmonë të vizitojë Monumentin barok.

Shatërvani i Trevit, i ndërtuar në vitin 1762 si gryka e një ujësjellësi, iu nënshtrua një pastrimi prej 330,000 dollarësh në vitin 2024, gjatë të cilit u kullua në mënyrë që punëtorët të mund të riparonin mermerin e copëtuar nga miliona monedha të hedhura në ujë çdo vit./ KultPlus.com

Rama në kantierin e Teatrit të ri Kombëtar: Do të jetë ndër më të bukurit në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore

Pas përfundimit të punimeve të vështira të nëntokës, godina e Teatrit të Ri Kombëtar ka nisur të përvijohet ndërsa punimet pritet të përfundojnë brenda vitit.

Projekti i ri, vepër e njërit prej arkitektëve më të mëdhenj bashkëkohorë, Bjarke Ingels, e studios daneze BIG, synon të krijojë një ndërtesë që lidhet me hapësirën e jashtme, si një strukturë performuese dhe një zgjatim fleksibël i jetës publike të Tiranës, ku Teatri bëhet vetë një “aktor” në kontekstin e qytetit.

Projekti po zhvillohet në zonën ku aktualisht gjendet Teatri Kombëtar në ndërthurjen e akseve të pedonaleve. Ndërtesa është ndarë në dy pjesë: një për aktorët dhe administratën, dhe një tjetër për publikun, me funksionin kryesor teatrin. Të dy pjesët kanë akses të veçantë. Publiku do të ketë hyrje nga fasada kryesore ose një hyrje tjetër nën hark. Ndërsa pjesa e tavanit të ndërtesës do të shërbejë gjithashtu si një teatër i hapur/auditor, ku publiku mund të ulet në shkallare për aktivitete të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe nënkryetarja e bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, inspektoi sot punimet në këtë kantier, ku theksoi se Shqipëria do të ketë një nga teatrot më të bukur të ndërtuar në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama theksoi se Teatri i Ri do të jetë teatri më i bukur kombëtar në të gjithë rajonin.

“Duhet bërë e gjitha, sheshi mbrapa, sheshi galerisë, rruga pedonale, sheshi këtu duhet bërë e gjitha, duhet mbyll e gjitha, si një gjë komplete. Duhet bërë një gjë që të jetë si sheshi i dytë i Tiranës. Domethënë deri në fund të tetorit ne e kemi guaskën e mbyllur dhe gjithë do të shikoni se çfarë Teatri Kombëtar do të kemi përsa i përket formës arkitektonike. Do jetë pa asnjë diskutim teatri më i bukur kombëtar në të gjithë rajonin dhe do të jetë ndër teatrot më të bukur kombëtar të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, se para Luftës së Dytë Botërore ka monumente që janë të pa konkurueshme në formën e tyre ne Europë”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “kështu që, kjo është koha kur edhe pak durim dhe të gjithë ata të lënduarit me humbjen e asaj që kishim, që ishte një godinë nostalgjike, por pa asnjë lloj vlere të qëndrueshme për të vazhduar të rrinte aty, -do të ndjehen të lehtësuar sepse përveç teatrit kemi edhe një shesh komplet tjetër që fiton qendra e Tiranës, para dhe mbrapa teatrit”.

Nënkryetarja e bashkisë Ristani tha se “me karabinanë mbarojmë brenda tetorit dhe pastaj vazhdojmë me pjesën artistike. Pjesa e gjithë mekanizmave që do të ndërtohen për skenografi dhe facilitete të tjera teknologjike të skenave do të vazhdojnë më mbrapa në pjesën tjetër të kontratës. Gjithë ideja e hapësirave që krijohen, po të shikoni nga trarët që janë vendosur, për të kryer idenë e hapësirës publike që do të jetë si e shtuar nga ndërtimi. Kjo është si do të duket pamja nga ky kënd, kjo do jetë shkallarja që ngjit për tek hapësira që është jashtë e anfiteatrove sipër”.

Teatri i Ri do të jetë i integruar edhe me infrastruktura të tjera, të lidhura me artin, që do të ndërtohen.

“Janë rreth 4500 metra katrorë shesh publik deri në pjesën e pasme. Folëm dhe me arkitektët për pjesën e hapësirës publike dhe marrëdhënien me Muzeun e Ri te arteve të bukura, atë që folëm herën e fundit në inspektim, që ta integrojmë të gjithën”,  u shpreh Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja.

Gonxhja tha se “do t’i dalim para edhe të pjesës teknologjike të skenës sepse kjo e çon deri në një nivel të caktuar dhe bën gati. Po ngremë grupet qe tani me Teatrin Kombëtar që t’i dalim para, të mos mungojë asgjë”.

Teatri i Ri Kombëtar në Tiranë do të jetë një nga ndërtesat më të bukura në rajon. Ky teatër do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, por edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Evropë./ KultPlus.com

Mediterranea, ekspozita që rrëfen historinë e detit

Në Galerinë e Artit Bashkëkohor në Tiranë (GOCAT) u çel ekspozita “Mediterranea”. Mes të pranishmëve në inaugurim ishte edhe ambasadori i Italisë, Marco Alberti si dhe drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera.

Ekspozita përdor imazhe të marra nga teknologjia më e avancuar hapësinore e zhvilluar nga Agjencitë Hapësinore Italiane dhe Europiane, si dhe nga Telespazio/e-Geos. Vizitorët mund të shohin imazhe të jashtëzakonshme, krahas hartave dhe veprave të lashta të artit, në një sintezë të kulturës, artit dhe shkencës, mes të shkuarës dhe së tashmes.

“Mundësia për të prezantuar “Mediterranea”-n në Tiranë na u dha falë shpalljes së kryeqytetit shqiptar si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025. Instituti Italian i Kulturës vendosi t’i përgjigjet, duke paraqitur një ekspozitë që rrëfen historinë e detit, ku janë ndërthurur histori popujsh, kulturash dhe qytetërimesh”, është shprehur në rrjetet sociale Alessandro Ruggera.

Drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë e sheh “Mediterranea”-n gjithashtu si një mundësi për të reflektuar mbi të ardhmen e këtij deti, me shpresën që ai të vijojë të jetë një hapësirë shkëmbimi, bashkëpunimi dhe paqeje.

“Mediterranea” është një ekspozitë gjithëpërfshirëse që rrëfen historinë, bukurinë dhe sfidat e Mesdheut, një udhëtim mes të shkuarës dhe të ardhmes, ku imazhet satelitore moderne ndërthuren me harta të vjetra, tinguj dhe instalacione emocionale. /KultPlus.com

“Gjithmonë me Gurakuqin”, ekspozitë e Muzeut Historik Shkodër

Në mjediset e Muzeut Historik Shkodër u çel ekspozita “Gjithmonë me Gurakuqin”, kushtuar patriotit Luigj Gurakuqi në 100-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Ekspozita paraqet sende personale të veprimtarit të çështjes kombëtare, botime dhe dorëshkrime. Artefaktet e paraqitura janë një pjesë e vogël e veprimtarisë së jashtëzakonshme të Gurakuqit, njërit prej iniciatorëve të shpalljes së pavarësisë.

Përgjegjësi i Muzeut Historik Shkodër, Sokol Parmeza, u shpreh për mediat se, “kemi për detyrë jo thjesht t’i rikujtojmë këto figura, por ta kthejmë shoqërinë tonë në përditshmërinë e saj, në ato ideale për të cilat ata dhanë jetën”.

Luigj Gurakuqi (Shkodër, 20 shkurt 1879 – Bari, 2 mars 1925) qe veprimtar i çështjes kombëtare dhe nënshkrues i dokumentit të shpalljes së Pavarësisë, njeri i letrave, arsimtar, linguist, ekonomist dhe personazh i politikës shqiptare çerekun e parë të shekullit të 20-të.

Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës u zgjodh Ministër i Arsimit. Mori pjesë në Konferencën e Londrës më 1913, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin. Luigj Gurakuqi qe dhe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916. Udhëhoqi Revolucionin e Qershorit 1924 dhe u emërua ministër i Financave në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli. Pas shtypjes së Revolucionit, u largua drejt Italisë, në Bari, ku më 2 mars 1925, u vra në atentat. / KultPlus.com

‘Alfabetarja e gjuhës shqipe’ dhe kontributi i Jani Vretos, Sami Frashërit e Pashko Vasës

“Alfabetarja e gjuhës shqipe” u botua me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, në Stamboll më 27 shkurt 1879.

Për ta kuptuar rëndësinë e këtij botimi, duhet të kthehemi pas në kohë e në histori. Kujtojmë se shqipja, me sa dokumentohet deri tani, filloi të shkruhet që nga shekulli XV me alfabetin latin, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme. U shkrua dhe me shkronja greke e, pas pushtimit turk, edhe me alfabetin turk-arab.  Rruga tjetër që u ndoq, është ajo e krijimit të alfabeteve origjinale me përhapje të kufizuar.

Që në fillimet e lëvizjes për çlirim nga Turqia, çështja e alfabetit doli në plan të parë: pa të nuk mund të flitej për Rilindje të popullit shqiptar.  Prandaj me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1879 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe“. Ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme të patriotëve shqiptarë të Stambollit, të cilët më 12 tetor 1879 themeluan “Shoqërinë e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”, shoqëri kulturore, që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia. Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare.

Libri “AΛFABETARE E GLÚHESE ΣQIP” është përgatitur,pra, nga Shemsudin Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa etj., dhe është botuar në Stamboll më 1879. Një kopje e librit, me kapakë kadife të kuqe të shkruar me shkronja ari, i është dhuruar Sulltan Abdyl Hamitit II, i cili ka ditur të flasë shqip.

“Alfabetarja e gluhësë shqip”, botuar vetëm pak muaj pas miratimit të alfabetit të Stambollit, është një vepër kolektive. Në të janë përfshirë shkrimet e Sami Frashërit: “Gjuha Shqip” dhe “Dheshkronjë”; të Jani Vretos: “Udhë e të shkruarit të gjuhësë Shqip”, “Për Gjithëçishtënë dhe për Zon’e jetësë edhe për Njerinë, botën’ e vogëlë”, “Numerëmësonjë”; të Pashko Vasës: “Shqypnija e Shqyptârt”, të Koto Hoxhit: “Porosit’ e Tovitit mbë të birë”.  Siç shihet nga përmbajtja, “Alfabetares së gjuhës shqipe” nuk është thjesht një tekst abetareje. Përveç abetares në të përfshihen edhe lëndë të tjera si: gramatikë, histori, aritmetikë, edukatë shoqërore dhe morale.

Në gjirin e saj, siç u përmend, bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut. Vlerat e kësaj abetareje, që me të drejtë është quajtur “një vepër themelvënëse”, janë të gjera dhe të shumanshme. Kjo vepër përbën një prej gurëve themeltarë në proçesin ripërtëritës dhe ripërcaktues të gjuhësisë shqiptare.

Në “Alfabetare…” trajtohen disa nga problemet më themelore të kohës, në plane të ndryshme: politik, idelogjik, kulturor dhe arsimor që kishte shtruar për zgjidhje Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ky tekst, si rrallë ndonjë tjetër, shkon në unison me ato ngjarje, duke u bërë jehonë, duke zbatuar pjesë të veçanta të programit për çlirimin kombëtar dhe shoqëror.

Gjithsesi çështja e alfabetit të shqipes do të zgjidhej përfundimisht vetëm me Kongresin e Manastirit, që u mblodh më 14 nëntor 1908, ku u hartua një alfabet i ri me shkronja latine. Është alfabeti që përdorin edhe sot e kësaj dite gjithë ata, të cilët shkruajnë shqip. / KultPlus.com

Vdes aktori Lulzim Rexha

Ka ndërruar jetë, aktori i njohur kosovar Lulzim Rexha. Ai ishte diagnostikuar me kancer dhe ishte trajtuar në një klinikë në Gjermani.

Aktori kosovar ishte pjesë e projekteve të ndryshme filmike, teatrale por edhe aktivitete të ndryshme publike.

Detajet për ceremoninë e varrimit akoma nuk janë bërë të ditura./ KultPlus.com

Longfellow, shkrimtari poeti, përkthyesi dhe dramaturgu i njohur amerikan

Henry Wadsworth Longfellow (lindi më 27 shkurt 1807 në Portland, Massachusetts, tani Maine; vdiq më 24 mars 1882 në Kembrixh, Massachusetts) ishte një shkrimtar, poet, përkthyes dhe dramaturg amerikan.

Nëna e Longfellowt vinte nga një familje e vjetër puritan në New England, gjyshi i tij Peleg Wadsworth ishte një gjeneral në Luftën e Pavarësisë dhe më vonë u bë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA ashtu si babai i tij Stephen Longfellow. Longfellow, i cili lindi në atë që tani është Maine, u rrit i sigurt dhe studioi në Bowdoin College në Brunswick, ku ai u miqësua me Nathaniel Hawthorne. Midis 1825 dhe 1829 dhe nga 1831-1835 ai udhëtoi në Evropë, mësoi gjermanisht, holandezisht, suedisht dhe finlandisht, ndër të tjera, lexoi shumë dhe u ndikua aq thellë nga Romantizmi gjerman dhe Goethe. Pas kthimit të tij, ai dha mësim në Universitetin e Harvardit. Pasi gruaja e tij e parë Mary Storer Potter vdiq më 1835 pas vetëm katër vjet martese, Longfellow në vitin 1843 pati një martesë të dytë Frances Elizabeth “Fanny” Appleton, një vajzë e Nathan Appleton, me të cilën pati gjashtë fëmijë: Charles Appleton (1844-1893), Ernest Wadsworth (1845-1921), Fanny (1847-1848), Alice Mary (1850-1928), Edith (1853-1915) dhe Anne Allegra (1855-1934). Më 1844 Longfellow u zgjodh në Akademinë Amerikane të Arteve dhe Shkencave.

Longfellow ishte një poet popullor. Vjershet e tij ishin tërheqëse. Ai ishte një nga të parët që merrej me tema tipike amerikane: patriotizëm, dashuri për peizazhin, natyrën dhe traditat e atdheut të tij. Ai shkroi shumë dramë dhe disa romane, të gjitha këto pak a shumë janë harruar. Poezitë epike Evangeline (1847) dhe Kënga e Hiawathas (1855), të cilat ai i modeloi në epikën kombëtar finlandeze Kalevala, kanë një rëndësi të qëndrueshme. Ai përshkruan jetën e shefit të Ojibwa Hiawatha dhe përfundon me rekomandimin e tij për popullin e tij që të përkulen para ‘burrit të bardhë’. Vepra frymëzoi Antonín Dvořák në lëvizjen e 2-të të simfonisë së tij të 9-të “Nga Bota e Re”.

Për shkak se vepra e tij dukej se ishte tepër konvencionale – dhe kështu shumë evropiane – ajo u fshi nga kanuni i letërsisë amerikane pas vitit 1900, në veçanti për shkak të gjykimit të George Santayanas dhe Vernon Louis Parringtons. Sidoqoftë, deri jo shumë kohë më parë, shumë studentë amerikanë mësuan përmendësh poezinë e tij Paul Rvere’s Ride, e cila glorifikon një episod nga Lufta Revolucionare. Kënga I Heard the Bells Dita e Krishtëlindjes, e cila është e bazuar në poemën e Longfellowt “Christmas Bells” është akoma e popullarizuar në Krishtëlindjet.

Një pullë e Shërbimit Postar të Shteteve të Bashkuara e vitit 2007 tregon portretin e Longfellowt dhe në sfondin në të djathtë një përshkrim të kalorësit Paul Revere.

Busti i Longfellowt është në Këndin e Poeteve të Westminster Abbey në Londër, një monument u inagurua më 1888 në qytetin e tij të lindjes Portland. Në vitin 1959, një varg malesh në shtetin e Maine u emërua pas tij: Malet Longfellow. Ura e Longfellow në vendlindjen e tij në Kembrixh u emërua gjithashtu pas tij. Longfellow jetoi nga viti 1837 deri në vdekjen e tij në një shtëpi tradicionale që shërbeu si seli e ushtrisë kontinentale në Luftën Amerikane të Pavarësisë. Shtëpia ku Longfellow krijoi pjesën më të madhe të veprës së tij, mbeti në pronësi të familjes dhe u rendit në vitin 1966 si Shtëpia Longfellow – Sheshi Historik Kombëtar i Uashingtonit. Ajo u bë pronë e qeverisë federale më 1972 dhe tani është memoriali kombëtar për jetën dhe veprën e Longfellow tdhe për rrethimin e Bostonit në Luftën e Pavarësisë në 1775/76. Ndër të tjera, ajo përmban bibliotekën e ruajtur plotësisht të Longfellowt, por dokumentet e saj gjenden në arkivin e Universitetit të Harvardit.

Titulli i këngës Longfellow Serenade (1974) nga këngëtari Neil Diamond është një referencë për Henry Wadsworth Longfellow.

Shqiptarët  e njohin nga poema e tij kushtuar Skënderbeut të cilën e ka shqipëruar Fan Noli./Elida Buçpapaj (Wikipedia)

VEPRAT

  • Outre-Mer: A Pilgrimage Beyond the Sea (Travelogue) (1835)
  • Hyperion, a Romance (1839)
  • The Spanish Student. A Play in Three Acts (1843)
  • Evangeline: A Tale of Acadie (epic poem) (1847)
  • Kavanagh (1849)
  • The Golden Legend (poem) (1851)
  • The Song of Hiawatha (epic poem) (1855)
  • The New England Tragedies (1868)
  • The Divine Tragedy (1871)
  • Christus: A Mystery (1872)
  • Aftermath (poem) (1873)
  • The Arrow and the Song (poem) /KultPlus.com

Nudot e bukura të Pashk Përvathit (FOTO)

Pashk Përvathi ka lindur në Manati të Lezhës, më 27 Shkurt të vitit 1958.

Që në fëmijëri ushqen pasion për pikturën. Në moshën 21-vjeçare paraqitet për herë të parë në Ekspozitën Kombëtare në vitin 1979 me peizazhin “Vjeshtë në Manati” përkrah piktorëve më të njohur të vendit. Në vitin 1983 çel edhe ekspozitën e tij të parë vetjake.Gjatë viteve 1986-1990 studion ne Akademinë e Arteve në Tiranë (Pikturë Monumentale). Mbas përfundimit te Akademisë se Arteve, është pjesëmarrës ne ekspozita personale dhe ne grup ne qytete te ndryshme te Shqipërisë, kryesisht në Tiranë.

Ka hapur Ekspozita Personale jashtë Shqipërisë ne Muzeun Municipal, Ceuta (Spanje), Qendra Kulturore Ataturk, Stamboll (Turqi), Pallati i Kombeve te Bashkuara ne Gjeneve (Zvicër), Galeria “Molo Vanviteliana” ne Ankona, Galeria “Guzzini” Rekanati – Ancona (Itali), Galeria “Oficcina della memoria” Fiuggi, Rome, (Itali), Galeria “Arte antiquare” Milano (Itali), Galeria Kombëtare Prishtine (Kosove).

Ekspozita ne grup:”Basilica si S. Maria di Collemaggio” Aquila, (Itali), “Pinacoteca dell amministrazione provinciale, Bari (Itali), Galeria “Exiliza” Ceuta (Spanje), Panairi i Artit Taormina, (Itali), Panairi i Artit Berlin, (Gjermani), “Lotton Gallery” në Çikago, “Eisenhauer Gallery” në Masaçusets, “Good Art Company” në Teksas dhe ”Smith Klein Gallery” ne Kolorado, “Chistopfer Hill” në Kaliforni (SHBA), Guayang (Kinë).

Vepra të tij janë pjesë e fondit të koleksionistëve në Evropë, Amerikë dhe Azi. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ka tre vepra. Pashk Përvathi është dekoruar nga presidenti me Urdhërin “Naim Frashëri i Artë”. Në Tetor të vitit 2010 fiton çmimin “Abdurahim Buza” ne pikturë. Është fitues i çmimit “KULT” duke u shpallur nga Akademia “KULT” si ARTISTI PAMOR I VITIT 2011 për krijimtarinë me të mirë në artet figurative. Me 17 shkurt 2014 shpallet fitues i edicionit te 6-të të çmimit “Gursel Sulejmani” në Ferizaj, Kosovë. Në Vitin 2016 nderohet me” CMIMIN SPECIAL” nga Kosova Art, për rezultatet e arritura në Gara e Artit Global. Me 28 Dhjetor 2016 i akordohet nga Presidenti i Republikës se Shqipërisë, Urdhri “MJESHTER I MADH”. Është autor i 39, ekspozitave personale në pikturë të hapura brenda dhe jashtë Shqipërisë./ KultPlus.com

Kompozitori Haig Zacharian: Muzika lidhet me botën që rrethon vetë artistin

Qendra e Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave, zhvilloi një lectio magistralis me titull “Rrëfim në dy kohë” me kompozitorin Haig Zacharian.

Veprimtarinë e çeli drejtori i QSA, akademik Stefan Çapaliku. Ai theksoi se Haig Zacharian-i është një kompozitor me karrierë të gjatë e të spikatur në muzikën shqiptare.

Pasi foli për disa nga kontributet e Zacharian-it në muzikën klasike, përfaqësuar me romanca vokale e muzikë dhome, dhe në muzikën e filmit, akad. Çapaliku e falënderoi kompozitorin për pranimin e ftesës në zhvillimin e kësaj veprimtarie si dhe premtoi se, për vitin 2025, QSA-ja do të vijojë serinë e lectio magistralis, me personalitete të artit dhe letërsisë.

Në fjalën e tij, dr. Edmir Ballgjati theksoi se tema e këtij bashkëbisedimi përbën një përsiatje retrospektive për rrugën krijuese të Haig Zacharian-it, ndërkohë që vetë kompozitori rrëfeu fillimet e jetës së tij artistike të cilat përkojnë me ngritjen e shkollave muzikore në vend.

Prof. Zacharian u shpreh se nga prof. Arapi kishte mësuar disa nga sekretet e profesionit, veçanërisht kombinimin e fjalës me tekstin muzikor. Ai tha se Tonin Arapi ka qenë figura muzikore që e ka ndjekur gjatë gjithë krijimtarisë.

Më tej u fol për karrierën në fushën e muzikës së filmit. Zacharian-i rrëfeu episode të bukura nga komunikimi me regjisorët e njohur: Rikard Ljarja, Kujtim Çashku e të tjerë gjatë përgatitjes së kompozimeve për filmat “Ilegalët”, “Dollia e dasmës sime”, “Dorina”, “Përtej mureve të gurta”, “Njeriu i mirë”, “Dora e ngrohtë”, “I paharruari”, “Taulanti kërkon një motër”, “Flutura në kabinën time” etj.

Rrëfimi vijoi për punën që ka bërë me ansamblet amatore dhe kontributin që ka dhënë për kompozimin e muzikës për fëmijë. Kompozitori Zacharian rrëfeu se është përpjekur që krijimtaria e tij të tingëllojë sa më origjinale. Për këtë ai u është shmangur autorëve të huaj, sepse beson se muzika është e lidhur me jetën dhe botën që e rrethon vetë artistin. Ai ka qenë i lidhur me melosin e botës shqiptare, muzikën që vjen që nga gjeneza. /KultPlus.com

Këshilla e Steinbeck për djalin e dashuruar: Asgjë e mirë nuk ikën

Shkrimtari amerikan John Steinbeck mësoi se i biri, adoleshent, kishte rënë në dashuri me një shoqe klase. Letra e Steinbeck për të birin mbart disa leksione të mëdha mbi prindërimin dhe dashurinë dhe kjo letër me pak paragrafë është bërë një klasik në letërsi.

Letra,

Nju Jork,

10 nëntor 1958

I dashur Tom:

Ne morëm letrën tënde sot në mëngjes. Unë do të përgjigjen nga këndvështrimi im dhe natyrisht Elena nga i saji.

E para – nëse ti je në dashuri – kjo është një gjë e mirë – kjo është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë çdokujt. Mos lejo askënd ta bëjë atë të vogël apo të parëndësishme për ty.

E dyta – Ka shumë lloje dashurie. Njëra është fodulle, dorështrënguar, makute, një gjë egoiste që përdor dashurinë për t’i dhënë rëndësi vetes. Kjo është ajo e llojit më të ulët. Tjetra është e tillë që shpërthen çdo gjë të mirë te ty – të qenit i këndshëm dhe me konsideratë dhe respektues – jo vetëm respekti shoqëror i sjelljeve të mira por respekti më i madh i cili njeh dhe pranon personin tjetër si unik dhe të paçmuar. Lloji i parë mund të të bëjë ty të sëmurë dhe të vogël dhe të dobët por e dyta mund të çlirojë fuqinë tënde, dhe kurajën dhe mirësinë e madje edhe mençurinë që ti nuk e dije se e kishe.

Ti thua se kjo është dashuri rinore. Nëse ndjehesh kështu kaq shumë – natyrisht ajo nuk është dashuri rinore.

Por unë nuk mendoj se ti po më pyet mua se si ndjehesh ti vetë. Ti e di më mirë se çdokush tjetër. Ajo që ti kërkohe nga unë është që të të ndihmoj mbi atë se çfarë duhet të bësh – dhe unë këtë mund të ta tregoj.

Para së gjithash shijoje atë dhe ji shumë i lumtur dhe falënderues për të.

Objekti i dashurisë është më i miri dhe më i bukuri. Përpiqu të jetosh në lartësinë e saj.

Nëse ti do dikë – nuk ka asnjë dëm që ta thuash këtë – ti vetëm duhet të mbash mend se disa njerëz janë shumë të turpshëm dhe në disa raste ta thuash këtë duhet të marrësh atë siklet parasysh.

Vajzat kanë një mënyrë për të ditur ndjenjat që ti ke, por zakonisht pëlqejnë ta dëgjojnë prej teje.

Në disa herë ndodh që ajo që ti ndjen nuk është e njëjtë nga ana tjetër për një arsye apo një tjetër – por kjo nujk e bën atë që ti ndjen më pak të çmuar dhe më pak të mirë.

E fundit, unë e di ndjenjën tënde sepse unë e kam atë dhe jam i lumtur që ti e ke atë.

Ne do të jemi të lumtur të takojmë Suzanën. Ajo është shumë e mikpritur. Por Elena do të bëjë organizimet për të gjithë këtë sepse është roli i saj dhe ajo është e lumtur që ta bëjë gjithashtu. Edhe ajo di shumë për dashurinë dhe ndoshta mund të të japë më shumë ndihmë nga unë.

Dhe mos u shqetëso se mund ta humbësh. Nëse është e mirë, ajo ndodh – gjëja kryesore është të mos nxitosh. Asgjë e mirë nuk ikën.

Dashuri,

Bá/ KultPlus.com

Plani rregullues i kryeqytetit në 1954-ën

Më 27 shkurt të vitit 1954, Këshilli i Ministrave miratoi planin për rregullimin e Tiranës.

Në dokumentin e vendimit kërkohej që gjatë zbatimit të projektit të sigurohej ruajtja e bërthamës së kryeqytetit, të arterieve kryesore dhe të veçorive të tij dalluese. Po ashtu, duhej çimentuar ndryshimi midis periferisë dhe qendrës dhe të gjendej zgjidhja më e mirë e qarkullimit të mjeteve të transportit.

Për realizimin e projektit, Instituti i Shkencave ngarkohej me studimin e historikut të Tiranës që prej themelimit, me hartimin e listës së monumenteve historike që duhet të ruheshin dhe me përgatitjen e të dhënave mbi klimën, drejtimin e erës, lagështirën, nivelin e ujërave të nëntokës etj.

Ndërsa, Ministria e Financave duhet të siguronte fondet e nevojshme për financimin e projektit dhe të studimeve të nevojshme. / KultPlus.com

Trump anulon 90 për qind të kontratave të ndihmës së huaj të USAID-it

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka njoftuar se po shkurton më shumë se 90 për qind të kontratave të ndihmës së huaj të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe 60 miliardë dollarë ndihmë amerikane në mbarë botën.

Administrata publikoi gjithashtu rezultatet e një rishikimi të çdo programi të USAID-it, i cili u urdhërua nga Trump dhe Departamenti i Shtetit, raporton AP.

Vendimi thuhet se u nxit nga një urdhër gjykate që u dha zyrtarëve deri në fund të ditës të mërkurën për të hequr bllokadën e administratës Trump për financimin e ndihmës së huaj.

Zyrtarët e administratës Trump, pas paralajmërimeve të përsëritura nga një gjykatës federal në këtë rast, thanë gjithashtu të mërkurën se ata kishin rifilluar pagesën e faturave të USAID-it pas një pezullimi prej muajsh të pagesave, duke liruar disa trilionë dollarë borxh për dorëzim./ KultPlus.com

Kafeja e mëngjesit

Poezi nga Jasques Prevert

Ai hodhi kafe
Në filxhan
Hodhi qumësht
Në filxhanin e kafesë
I hodhi sheqer
Kafes me qumësht
Me lugën e vogel
E përzjeu
E piu kafen
Dhe vuri filxhanin mbi tavolinë
Pa më folur
Ndezi një cigare
Bëri rrathë
Me atë tym
Shkundi hirin
Në taketuke
Pa më folur
Pa më shikuar
U ngrit
Vuri kapelen në kokë
Veshi xhaketën e shiut
Sepse binte shi
Dhe doli jashtë
Nëpër shi
Pa një fjalë
Pa më shikuar
Dhe unë
Futa kokën
Mes duarve
Dhe qava / KultPlus.com

Zhan-Zhak Ruso: Fyerjet janë argumentet e përdorura nga ata që janë gabim

Thënie nga Jean-Jacques Rousseau:

1. “Personi i parë që rrethoi me gardh një copë tokë, pastaj u tha njerëzve se ishte e tija dhe ata e besuan, u bë themeluesi i vërtetë i shoqërisë civile.

Nga sa shumë krime, luftëra, vrasje, mizori raca njerëzore do të kishte shpëtuar sikur një person të kishte dalë e ta rrëzonte gardhin, dhe t’u thoshte të tjerëve: ‘Mos e besoni këtë mashtrues’.

Ju jeni të humbur nëse harroni se frutat e dheut u përkasin të gjithëve dhe toka asnjërit!” -“Social Contract”, Jean-Jacques Rousseau

2. Të gjitha fatkeqësitë e mia vijnë nga që kam pasur mendim tepër të mirë për miqtë e mi.

3. Edhe pse modestia është e natyrshme për njeriun, ajo nuk është e natyrshme për fëmijët.

Modestia fillon vetëm me njohjen e së keqes.

4. Durimi është i hidhur, por fryti i tij është i ëmbël.

5. Çdo njeri ka të drejtë të rrezikojë jetën e tij në mënyrë që ta mbrojë atë.

Është thënë ndonjëherë se një njeri që hidhet nga dritarja për të shpëtuar nga një zjarr është fajtor për vetëvrasje?

6. Fyerjet janë argumentet e përdorura nga ata që janë gabim.

7. Njerëzit të cilët dinë shumë pak janë zakonisht oratorë të mëdhenj, ndërsa njerëzit të cilët dinë shumë, flasin pak.

8. Mirënjohja është një detyrë që duhet të paguhet, por që askush nuk ka të drejtë ta presë këtë.

9. Gënjeshtra ka një pafundësi kombinimesh, por e vërteta ka vetëm një mënyrë për të qenë.

10. Është një mani e filozofëve të të gjitha moshave për të mohuar atë që ekziston dhe për të shpjeguar atë që nuk ekziston.

11. Ne kemi të lindur të dobët, ne kemi nevojë për forcë: të pafuqishëm, ne kemi nevojë për ndihmë; qesharakë, ne kemi nevojë arsye.

E gjitha që na mungon në lindje, e gjitha që ne kemi nevojë kur vjen puna te pasuria e njeriut, është dhuratë e arsimit.

12. Personi i cili ka jetuar më shumë nuk është ai me më shumë vite, por ai me përvojat më të pasura.

13. Unë i urrej librat; ata vetëm na mësojnë të flasim rreth gjërave për të cilat nuk dimë asgjë.

14. Unë mund të mos jem më i miri, por të paktën jam i ndryshëm.

15. Unë gjithmonë kam thënë dhe menduar se gëzimi i vërtetë nuk mund të përshkruhet.

16. Për të duruar, është gjëja e parë që një fëmijë duhet të mësojë, dhe atë që ai do të ketë më nevojë të dijë.

17. Natyra nuk na mashtron, jemi ne që e mashtrojmë veten.

18. Njeriu ka lindur i lirë, dhe ai është kudo në zinxhirë.

19. Ç’është lumturia? Një llogari bankare të mirë, një kuzhinier të mirë, dhe një tretje të mirë.

20. Është shumë e vështirë për të menduar fisnikërisht kur dikush mendon vetëm për të fituar jetesën.

21. Ne nuk e dimë se çfarë është me të vërtetë fat i mirë apo i keq.

22. Ata që janë më të ngadalshëm në marrjen e një premtimi janë më besnikë në kryerjen e tij.

23. Sado natyral talenti i njeriu mund të jetë, akti i të shkruarit nuk mund të mësohet i gjithi përnjëherë.

24. Unë mbeta për një kohë të gjatë fëmijë, dhe jam ende fëmijë në shumë aspekte.

25. Çfarë diturie mund të gjeni e cila të jetë më e madhe se sa mirësia? / KultPlus.com

“Vajtimi”, poezia e trishtë e Viktor Hygosë

“Vajtimi” është një ndër poezitë më të bukura të Viktor Hygosë, kushtuar boshllëkut që lë pas humbja e një personi të dashur. Që nga mungesa fizike, e deri tek ajo shpirtërore më së shumti në rrethin familjar, autori ka shkruar një elegji për vdekjen, e cila përjetohet si një ngulja e një thike të ftohtë drejt e në shpirt. Padyshim kjo elegji ndihet më shumë e dhimbshme nga ata që e kanë përjetuar një humbje aq të madhe, sa ajo e një familjari apo miku mjaft të dashur. Nga vargu në varg, dhimbja bëhet edhe më e fortë, teksa autori mundohet të  kalojë nga e përgjithshmja (mungesa në natyrë) tek e veçanta (mungesa më e madhe që ndihet në familje).

“Vajtimi”

O shtigje ku lirshëm valëvitet bari,
Lugina, kodra e ti pyll që oshëtin!
Çfarë është me ju e gjithë kjo heshtje varri?!
Për atë që iku e jo më nuk ka kthim!

Po pse kjo dritare tash vonë rri e mbyllur?
Dhe pse ky kopsht rri i heshtur e i shkretë?
O shtëpi, ku është i zoti që gjithmonë miqtë i ka pritur?
“Di vetëm që s’është e kurrë më s’do të jetë”.

E ti qen besnik, kush për ty do kujdeset?
S’ka dorë të të ushqejë më, këtu njeri s’ka.
Fëmija i gjorë qan e kërkon të atin
e vejushë e zezë e qan e mallkon fatin.

Si iku ai kështu në errësirë?
O dhimbje që godet pareshtur pamëshirë!
Ku shkoi vallë? S’përgjigjet asnjëri,
Veç zërit tim të trishtuar, një dhimbje, elegji… / KultPlus.com

Rok Gera dhe Julieta Shkreli, në një foto në ditën e martesës së tyre

Nga Albert Vataj

Ndërsa e sheh foton e këtij çifti të 90 viteve më parë (25 shkurt 1935), përpiqesh të kuptosh se për cilin qytet të Evropës është fjala, dhe cilët janë këta njerëz të famshëm në këtë foto, në këtë foto ku gjithçka tregon një nivel të lartë të asaj që përfaqëson. Çdo detaj që tregon stolisjen e tyre në këtë ditë solemne, për kohën duket sikur ata kanë dalë nga një shtëpi të famshme mode.

Jo, ky çift kanë dalë nga një shtëpi shkodrane, dhe ata janë zonjë dhe zotëri të vërtetë shkodranë. Ky imazh tregon qasjet e kahershme të këtij qyteti për të qenë, jo vetëm qendër e konsullatave dhe përfaqësive të huaja, por edhe një kryeqendër e traditave të të gjitha fushave, duke shenjuar në pjesën dërrmuese të tyre si fillesë shqiptare në këtë qytet, por edhe një përkatësi qytetarie dhe klasi, të denja për çdo vend tjetër të Evropës.

Kjo foto është më shumë se si e tillë, është historia e një çifti unik, është ceremoniali i një martese e mbetur në imazh, si një faqe e shkëlqimtë e atyre shembujve që identifikojnë Shkodrën si një qytet të madh dhe shkodranët si shënjim i qytetarisë dhe klasit të lartë.

Rok Gera (1901-1969) ishte një nga mendjet më brilante që ka nxjerrë Shkodra. Një ekonomist i formuar në Vjenë, i cili la gjurmë të thella në administratën shtetërore shqiptare. Ai shërbeu si ministër i Ekonomisë Kombëtare dhe ministër i Financave në vitet ’30, duke dëshmuar aftësi të jashtëzakonshme në menaxhimin e financave publike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Më 25 shkurt 1935, ai u martua me Julieta Shkrelin, vajzën e tregtarit të njohur Lec Shkreli. Julieta, e edukuar në një kolegj prestigjioz në Dubrovnik, spikaste për inteligjencën e saj të jashtëzakonshme dhe kulturën e gjerë. Ajo ishte një grua e një elegance të rrallë, e rrethuar nga luksi, por e mbushur me finesë intelektuale dhe shpirt artistik. Njohëse e përsosur e letërsisë botërore, zotëronte serbo-kroatishten, gjermanishten dhe italishten me një elokuencë të pashoqe. Përveç kësaj, ishte piktore e talentuar, luante në piano, notonte në distanca të gjata në liqen, kalëronte me hijeshi dhe kishte një shpirt të madh bamirësie.

Rok Gera, i njohur për integritetin e tij të lartë dhe virtytet që mishëronte, u bë viktimë e egërsisë komuniste, e cila e burgosi dy herë, pikërisht për aftësitë, ndershmërinë dhe parimet që ai përfaqësonte. Për sistemin që synonte mediokritetin dhe nënshtrimin, një mendje e tillë ishte e rrezikshme. Ai mbeti një simbol i elitës së zhdukur shqiptare, një figurë që meriton të kujtohet dhe vlerësohet.

(Foton dhe detaje për bashkëshortët, janë të huazuara)/ KultPlus.com