ITB Berlin 2025, Gonxhja: Prezantuam para botës kryeveprat Motra Tone, Malësorja pa Emër dhe Bukuroshja e Durrësit

Bukuria e traditës shqiptare shkëlqeu në panairin ndërkombëtar të turizmit “ITB Berlin 2025” përmes artit bashkëkohor të realizuar nga Immersive MA dhe Space 05.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale momente nga prezantimi i traditës shqiptare në këtë panair.

“MEKI, së bashku me EU4Innovation, pati kënaqësinë të prezantonte para botës kryeveprat Motra Tone, Malësorja pa Emër dhe Bukuroshja e Durrësit përmes një shfaqjeje spektakolare imersive. “Urban Tapestry: Fashion Across City Layers” solli një rrëfim vizual magjepsës mbi evolucionin arkitekturor të Tiranës dhe ndikimin e tij në modën dhe dizajnin bashkëkohor shqiptar”, shkruan Gonxhja.

Gonxhja u shpreh se “bashkimi i traditës me modernitetin, gjithëpërfshirjes me inovacionin i dha ngjyra dhe energji unike prezantimit shqiptar në ITB Berlin”.

Nën sloganin “Albania All Senses”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit po prezanton buqetën e ofertave turistike të vendit në panairin ITB Berlin 2025, me evente që do zgjasin deri më 6 mars.

Përmes një agjende të pasur, Shqipëria do të përpiqet të përfshijë të gjithë pjesëmarrësit e këtij panairi që t’i bashkohen një udhëtimi gjithëpërfshirës përmes larmisë së ofertave, një programi të zgjeruar eventesh, performancash dhe aktivitetesh.

MKRS obligon federatat që 30 përqind të buxhetit ta dedikojnë për vajza dhe gra

Pas përmbylljes së procesit të kategorizimit, janë nënshkruar memorandume ndërmjet Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe federatave sportive, për zhvillimin e aktiviteteve të tyre vjetore përgjatë vitit 2025.

Sot janë nënshkruar memorandume për mbështetje financiare vjetore për vitin 2025, me Komitetin Olimpik të Kosovës, Komitetin Paralimpik, Olimpiadën Speciale të Kosovës, Federatën e Xhudos, Mundjes, Boksit, Aeronautikes, Gjimnastikës, Muay thai, Federatën e Autosporteve, Kickbox, Bodybuilding, Federatën e Padelit, Pikados, Futbollit, Volejbollit, Sportit Shkollor, Shahut, Sportit Universitar, Boullingut, Esports, Golfit, Motociklizmit, Biliardos, Ragbit, Atletikës, Shenjtarisë, Federatën e Sporteve për të Verbër, Federatën e Skitarisë, Badmingtonit, Kajakimit, Çiklizmit, Taekwondos, të Peshëngritjes dhe Federatën e Tenisit.

Zëvendësministrja Daulina Osmani me këtë rast i ka njoftuar federatat prezente që sivjet është paraparë që çdo federatë ta ketë për obligim që së paku 30% të shumës totale të përfitimit t’ia dedikojnë aktiviteteve sportive për vajza dhe gra, me qëllim të zhvillimit dhe fuqizimit të mëtejmë të sportit femëror në vend.

Shuma totale për mbështetje të të gjitha federatave sportive këtë vit është afër 8 milionë euro.

Ambasadori Petrit Malaj: Të mos harrohet se disa prej hartuesve të alfabetit shqip u persekutuan nga komunizmi për arsye politike

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Petrit Malaj, mori pjesë në një aktivitet të realizuar nga institucionet e dyja vendet.

Ai këtë e quajti nder dhe përgjegjësi, të ishte pjesë e një tjetër dëshmie të bashkëpunimit të ngushtë, në fushën e kujtesës kolektive për historinë kombëtare.

“Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK) në Shqipëri solli në Prishtinë ekspozitën “Persekutimi komunist i disa prej hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve të tyre” në ambjentet e Institutit Albanalogjik të Kosovës dhe në Universitetin e Prishtinës-Fakulteti Filozofik,në kuadër të bashkëpunimit të nisur mes këtyre institucioneve. Përshëndeta dy aktivitetet, ku inkurajova këto institucione që asnjëherë të mos ndalen për të nxjerrë nga harresa ku i futi regjimi komunist i kohës për arsye politike, personalitetet e elitës kulturore shqiptare që kontribuan në formësimin e identitetit tonë kombëtar e për ti vendosur ata në vendin që meritojnë në historinë tonë kombëtare”, tha Malaj transmeton Klankosova.tv

Diplomati shqiptar tha se është shumë e rëndësishme ishte nënshkrimi i dy memorandumeve të bashkëpunimit të ISKPK-së me Institutin Albanalogjik të Kosovës dhe me Fakulteti Filozofik të UP, ku palët angazhohen për projekte të përbashkëta, aktivitete dhe botime me interes reciprok.

“Ju urojmë rrugë të mbarë këtyre bashkëpunimeve!”, deklaroi Malaj.

Emil Cioran: Nëse nuk do të shkruaja…

Gjithçka që artikulohet bëhet më e pranueshme. A e keni të qartë…të shprehurit – ja, ky është kurimi. Cili është qëllimi final i rrëfimit tek një prift? Pra, është çlirimi. Ajo që artikulohet është degjenerim i thellë. Ky është edhe qëllimi i terapisë. Depresionet që kam kaluar gjatë jetës vërtetë kanë mundur të më çojnë në çmenduri apo në dështim total. Por, fakti që i kam artikuluar ka pasur një efekt të jashtëzakonshëm. Nëse nuk do të shkruaja, jam më se i bindur se do të çmendesha. Gjithçka do të kishte përfunduar si mos më keq. Prandaj kam shkruar pesë vepra në rumanisht dhe tetë apo nëntë në frëngjisht, por ndalova së shkruari pasi diçka brenda meje ndryshoi; diçka sikur atrofizim për nga intensiteti i një emocioni apo sentimenti. Fillova të ndjej lodhje brenda meje, neveri për t’u shprehur, gjë që më bëri ta humbisja besimin tek fjalët. Së bashku me ketë ka ndikuar edhe degradimi i letërsisë në Paris, ku pothuaj secili po shkruante pa ndalur nga mëngjesi deri në mbrëmje. U tërhoqa, siç kam bërë gjatë gjithë jetës, dhe e arrita atë nivel të lodhjes saqë pushova se shqetësuari për ndonjë gjë.

Pra, hoqa dorë përfundimisht nga ai aspekt i të luftuarit që i shërben mohimit si mundësi për çlirim. Nuk më bëhej vonë më as për këtë. Thjesht, qesh kredhur në një lodhje rraskapitëse./Hejza/ KultPlus.com

Presidentja Osmani konfirmon vizitën e Ruttes

Presidentja Vjosa Osmani ka konfirmuar vizitën e paralajmëruar të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Kosovë.

Këtë ajo e tha gjatë një takimi të zhvilluar ditën e sotme me Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani.

“Në takim u diskutua gjithashtu për koordinimin e aktiviteteve në prag të vizitës së paralajmëruar të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e kësaj vizite si dhe rëndësinë e rolit të NATO-s për paqe e siguri në vendin tonë”, tha Presidenca në një njoftim për media.

Në njoftim thuhet po ashtu se Osmani, duke e vlerësuar rolin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në Kosovë, ka nënvizuar se stabiliteti në Kosovë është faktor kyç për sigurinë e të gjithë rajonit, “ndaj angazhimi i përbashkët me KFOR-in dhe NATO-n mbetet thelbësor”.

Presidentja poashtu theksoi se “kontinenti ynë po përballet me një situatë të ndërlikuar gjeopolitike, e cila kërkon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të përhershëm me aleatët tanë”.

Gjatë ditës, në media u raportua se shefi i NATO-s, Mark Rutte, pritet ta vizitojë Kosovën më 11 mars për herë të parë që kur e mori këtë post.

Gjatë vizitës në Kosovë, u tha se Rutte pritet të jetë i shoqëruar edhe nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s që janë anëtarë të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

Rona Nishliu Quartet dhuron mbrëmje magjike në Berlin

Në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, mbrëmë Rona Nishliu Quartet magjepsi publikun me një performancë të jashtëzakonshme jazz, duke i dhënë një jehonë të veçantë shënimit të 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin.

Në hapje të koncertit, Ambasadori dr. Faruk Ajeti theksoi rëndësinë e këtyre përvjetorëve historikë dhe duke vënë në pah marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Ai gjithashtu nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të diasporës sonë si një urë e fortë lidhëse ndërmjet dy vendeve, si dhe përkushtimin e ambasadës për të promovuar kulturën dhe artistët kosovarë përmes diplomacisë kulturore.

Me një përzgjedhje të kujdesshme të repertorit, Rona Nishliu solli një përzierje magjepsëse të këngëve të vjetra shqipe, të interpretuara në stilin e saj unik, si dhe meloditë e reja nga projekti i saj më i fundit. Performanca e saj dhe virtuoziteti i bendit krijuan një përjetim artistik të paharrueshëm, duke i emocionuar të pranishmit dhe duke i lidhur ata edhe më shumë me trashëgiminë tonë të pasur muzikore.

Të pranishëm në këtë mbrëmje të veçantë ishin përfaqësues të korit diplomatik në Berlin, institucioneve gjermane dhe një numër i madh mysafirësh nga diaspora jonë, të cilët së bashku shijuan një natë të mbushur me art, emocion dhe krenari./ KultPlus.com

‘Antologjia e fotografisë shqiptare’, protokoll bashkëpunimi mes Muzeut ‘Marubi’, ATSH dhe Qendrës së Studimit të Arteve

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Qendra e Studimit të Arteve do të nënshkruajnë ditën e nesërme një Protokoll Bashkëpunimi.

Drejtuesit e këtyre institucioneve përkatësisht dr. Luçjan Bedeni, Valbona Zhupa dhe akad. Asoc. Stefan Çapaliku, do të nënshkruajnë nesër në sallën “Akademikët” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, marrëveshjen e bashkëpunimit për realizimin e projektit shkencor të iniciuar nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, “Antologjia e fotografisë shqiptare”, që synon promovimin e trashëgimisë fotografike shqiptare.

Palët do të angazhohen në projektin e botimit “Antologji e fotografisë shqiptare” me qëllim promovimin e fotografisë shqiptare. Ata do të organizojnë vizita dhe takime të përbashkëta në institucionet të cilat disponojnë arkiva fotografike, me qëllim hulumtimin e imazheve të përshtatshme për botimin.

Gjithashtu, do të organizohen takime të përbashkëta për të diskutuar strukturën që do të ketë botimi dhe përmbajtjen e tij, si edhe do të organizojnë bashkërisht, biseda të hapura për publikun me qëllim njohjen dhe promovimin e botimit./atsh/ KultPlus.com

“ITB Berlin” nis nga Shqipëria, Kumbaro: Qoftë një ogur i mbarë për turizmin e vitit 2025

Panairi i Turizmit në Berlin nis nga Shqipëria, e cila është pritësja e nderit në këtë panair, më i madhi në botë në sektorin e turizmit. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, sot përmes një postimi në rrjetet sociale ndau pamje nga dita e parë e panairit të turizmit në kryeqytetin e Gjermanisë.

“”ITB Berlin 2025” fillon nga Shqipëria! Bashkë me kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Bashkisë së Berlinit Kai Wegner, Sekretarin e Përgjithshëm të UN Tourism Zurab Pololikashvili dhe Presidentin e “Messe Berlin” Mario Tobias premë shiritin e hapjes së Panairit “ITB Berlin 2025″ duke nisur zyrtarisht një udhëtim treditor në një stendë gjigante shoqëruar nga një spektakël performancash dhe përvojash interaktiveqë të ftojnë të zbulosh Shqipërinë”, shkruan Kumbaro.

“Na shkoftë mbarë dhe qoftë një ogur i mbarë për turizmin e 2025”, thekson Kumbaro.

Stenda shqiptare në “ITB Berlin 2025” shquhet për hapësirën gjigante dhe spektaklin e performancave kulturore, muzikës, kuzhinës tradicionale dhe eksperiencave dixhitale, që ftojnë vizitorët të zbulojnë bukuritë dhe potencialin turistik të vendit.

Elementet kryesorë të prezantimit të Shqipërisë përfshinë një udhëtim kinematografik nëpër Shqipëri, performanca e drejtpërdrejtë me “Shkodra Elektronike” – përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovision 2025 –, muzikë tradicionale të njohur nga UNESCO dhe performanca të vallëzimeve tradicionale shqiptare nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve.

Nën sloganin “Albania All Senses”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të prezantojë buqetën e ofertave turistike të vendit nga data 4 deri më 6 mars 2025.

Përmes një agjende të pasur, Shqipëria do të përpiqet të përfshijë të gjithë pjesëmarrësit e këtij panairi që t’i bashkohen një udhëtimi gjithëpërfshirës përmes larmisë së ofertave, një programi të zgjeruar eventesh, performancash dhe aktivitetesh./atsh/KultPlus.com

‘Sa e dua gjithë jetën, se atje gjej të vërtetën’

Poezi nga Naim Frashëri

JETA

Sa e dua giithë jetën!
Se atje gienj të vërtetën,
Yjtë, hënën, hapësirën,
Te mugëtit, natën, ditën,
Mëngjeze, diellin, dritën,
Mbrëmjen dh’ atë errësirën;
Natën, kur ësht’ e qetuar
Edhe gjësendi s’dëgionet;
Qiellin kur ësht’ i edruar
E hapësira ndritonet,
A kur hapen herë-herë
Ret’ e zeza sten nd’ere;
Vapën, vjeshtën, dimrin, verën,
Retë, shinë dhe lumenjtë,
Gjëmim, mjergull, Përrenjtë,
Deoren,
bresherin’ e erën’
Malet, fushat edhe brigjet,
Grykat e gukat e shtigjet.
Oshetimën, Pyjet,
drurët’
Shkëmbenjtë, gërxhet’ e gurët,
Lulet, barërat qe mbijnë,
E shpestë që fluturojnë
Edhe këngëra këndojnë
E nëpër dega levrijnë.
Dhe njërin’ e bagëtinë
Dhe giithë E’është

jetë
I dua si Perëndinë,
Se ngado që kthenj sytë,
Shoh atje Zotn’ e vërtetë,
Q’është një e s’ka të dytë./ KultPlus.com

‘Dhurojua të tjerëve dritën që nuk e ke’

Poezi nga Alessandro Manzoni

Dhurojua të tjerëve

Kujdesu per dhimbjet e tua,
per kerkesat e atyre qe te jane prane!

Dhurojua te tjereve driten qe nuk ke,
forcen qe nuk zoteron,
shpresen qe ndjen te luhatet ne ty,
besimin qe te mungon.
Ndriçoji nga erresire jote.
Pasuroji me varferine tende.

Dhuro nje buzeqeshje
kur ke deshire te qash.
Prodho hare
me stuhine qe ke Brenda.
“Ja, ate qe s’kam ta dhuroj”.
Kjo eshte parajsa jote.

Do te vesh re qe gezimi,
pak nga pak do depertoje ne ty,
do pushtoje qenien tende,
do behet vertet i yti ne masen
ne te cilen, do ua kesh dhuruar te tjereve./KultPlus.com

Çiklistët e “Giro d’Italia” vizitojnë Muzeun “Shtëpia me gjethe”

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” priti si vizitorë të tij, një grup pjesëmarrësish të Giro d’Italia, të cilët u njohën me të kaluarën diktatoriale në vendin tonë.

Në maj të këtij viti, Giro d’Italia ngre siparin për herë të parë nga Shqipëria, duke e kthyer në një epiqendër të sportit të çiklizmit në të gjithë Evropën. Muzeu “Shtëpia me Gjethe do të jetë një nga destinacionet kulturore të rekomanduara brenda aktiviteteve të shumta që do të shoqërojnë garën sportive.

Muzeu “Shtëpia me gjethe”, i hapur më 23 maj 2017, është një nga muzetë më të veçantë në Shqipëri, i cili rrëfen një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit.

Është quajtur “Shtëpia me gjethe” për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulonte fasadën e saj. Muzeu gjendet në qendër të Tiranës, në ndërtesën që ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret nga viti 1944 – 1991.

I konceptuar në 9 seksione, muzeu përbëhet nga 31 dhoma të lidhura me koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë./atsh/KultPlus.com

Mikelanxhelo, një nga artistët më me ndikim të periudhës së Rilindjes

Mikelanxhelo, emri i plotë i të cilit ishte Mikelangelo di Lodoviko Buonarroti Simoni, konsiderohet shpesh si një nga artistët më me ndikim të periudhës së Rilindjes, duke i lënë si trashëgimi njerëzimit kryevepra statuja e Davidit, apo dhe pikturat e tij në Kapelën Sistine. Ja cilat janë disa nga detajet mbi jetën dhe veprën e tij, të cilat mund të mos i dinit:

Përmendorja e Davidit ishte menduar të vendosej në çatinë e një godine në Firence

Kur autoritetet e autorizuan Mikenaxhelon për të skalitur “Davidin”, supozohej se ajo ishte një nga statujat e shumta që do të rreshtoheshin mbi çatinë e kupolës së Katedrales së Firences . Por kjo vepër u pëlqye aq shumë nga njerëzit, sa që kur përfundoi në vitin 1504, u vendos që të ishte më e dukshme për njerëzit.

Për me tepër me një lartësi prej 5.2 metra dhe me një peshë 6,4 ton, ngjitja e saj në çati nuk do të ishte një detyrë e lehtë. Prandaj u mor vendimi për ta ekspozuar atë jashtë “PalazzoVechio, zyrat e qeverisë së Firences, ku qëndroi për gati 370 vjet përpara se të transferohej në Galleria dell’Açademia (Galeria e Akademisë së Firences) në vitin 1873, ku ai qëndron ende. sot.

Piktura “Gjykimi i fundit”, mund të përmbajë një autoportret të artistit

Përveç tavanit të Kapelës Sistine, Mikelanxhelo realizoi një afresk në murin e altarit të kishës, të cilën e realizoi gjatë viteve 1536–1541. Piktura përshkruan ardhjen e dytë të Jezusitnë Tokë, dhe gjykimin e shpirtrave që shkojnë në parajsë ose ferr.

Në përgjithësi besohet se artisti ka fshehur në këtë pikturë një referencë për veten e tij. Thuhet se ka një ngjashmëri të madhe të Mikelanxhelos në imazhin e Shën Bartolomeut, që gjeti vdekjen i rrjepur për së gjalli.

Statuja me emrin “Pietà” (Mëshira), është vepra e vetme që përmban edhe firmën e artistit

Kjo vepër që përshkruan Marian duke u përkulur mbi trupin e Jezusit pas Kryqëzimit, është një nga më të njohurat e Mikelanxhelos. Thuhet se ajo është vepra e vetme e nënshkruar nga Mikelanxhelo. Po çfarë e bënte këtë vepër kaq të ndryshme nga të tjerat, saqë ai u nxit të vendoste firmën e tij?

Mendohet se një ditë po dëgjonte njerëzit që e admironin statujën, si një vepër në zhvillim e sipër. Por kur njëri prej tyre pyeti se kush ishte artisti, dikush ia atribuoi atë një skulptori tjetër. I tmerruar nga kjo gjë, ai u rikthye te statuja një mbrëmje dhe e gdhendi emrin e tij në gjoksin e Marias, një akt për të cilin më vonë do të pendohej, duke premtuar se nuk do të firmoste kurrë më një vepër tjetër.

“Moisiu” ishte menduar për një varr shumë më të madh për Papa Juliusin II

“Moisiu” konsiderohet si një nga veprat më të mira të artistit, duke qenë objekti kryesor dekorativ i varrit të Papa Juliusit II. Por ndërsa varri në gjendjen e tij aktuale është mbresëlënës, në fillim ishte menduar të ishte shumë më i madh.

Papa Julius II, që e porositi veprën kur ishte ende gjallë, synonte që vendi i tij i prehjes së përjetshme të ishte një vepër arti me tre nivele, me deri në 40 statuja të përmasave reale për ta zbukuruar atë. Por ndërsa projekte të tjera, si tavani i Kapelës Sistine u zvarritën, “Moisiu” u skalit sipas planit origjinal.

Pas vdekjes së Papës në vitin 1513, Mikelanxhelo pranoi të skaliste një varr shumë më të tonifikuar, ku qëndron aktualisht edhe statuja e famshme. Por ka disa dëshmi të ideve origjinale, përfshirë ilustrime të planeve dhe statujave si “Skllavi që vdes” dhe “Skllavi rebel”, të cilat ishin planifikuar në projektin kryesor. Kur planet ndryshuan, ato përfunduan muzeun e Luvrit në Paris.

Iu deshën 4 vite për të pikturuar tavanin e Kapelës Sistine

I përbërë nga 300 figura dhe me një sipërfaqe prej1115 metra katrorë, piktura e madhe e Mikelanxhelos në tavanin e Kapelës Sistine, ishte një projekt shumë i madh. Ndaj nuk është e habitshme që artistit iu deshën 4 vite për ta përfunduar. Artistë të tjerë kontribuan me punën e tyre në muret e Kapelës, duke përfshirë emra si Sandro Botiçeli, Kozimo Roseli dhe PietroPeruxhino.

Pavarësisht besimit popullor, Mikelanxhelo nuk e ka lyer tavanin e Kapelës Sistine duke qëndruar i shtrirë mbi shpinë

Pavarësisht se ishte një pjesë e spikatur e mitologjisë mbi Mikelanxhelon, artisti nuk e pikturoi tavanin e Kapelës Sistine i shtrirë mbi shpinë. Në realitet, ai dhe ekipi i tij ndërtuannjë skelë të veçantë, që u dha mundësi ta përfundonin kryeveprën e tij, duke qëndruar në këmbë.

Ideja e qëndrimit mbi shpinë buron nga një përkthim të gabuar i një biografi tëMikelanxhelos, shkruar nga peshkopi Paolo Xhovio, ku ai përdor fjalën ‘resupinus’, që do të thotë “përkulur nga pas”, për të përshkruar pozicionin e pikturës së artistit . Disa gbuanduke e interpretuar atë si “i shtrirë mbi shpinën e tij”.

Nuk e konsideronte veten një piktor shumë të talentuar

Tavani i Kapelës Sistine, është një nga veprat artistike më të famshme në histori. Por gjatë gjithë kohës që punoi për realizimin e saj, Mikelanxhelo u shpreh se nuk kishte besim tek aftësitë e tij si piktor. Projekti e zhyti në ankth dhe paranoja, duke besuar se ishte i destinuar që të dështonte.

“Nuk jam njeriu i duhur për këtë projekt. Unë nuk jam as piktor!”- shkroi ai duke iu referuar kryeveprës që po realizonte. Gjithsesi pavarësisht ankthit, Mikelanxhelo e bindi Papa JuliusinII që të zgjeronte projektin fillestar. Kështu ajo që supozohej të ishte fillimisht tabloja e 12 apostujve, u shndërrua në skenën madhështore që shihni sot.

Sheshi “Piazzale Michelangelo” në Firence, ka kopje në bronx të skulpturave më të famshme të artistit

Mikelanxhelo lindi më 6 mars 1475 në Kapreze, dhe vdiq pas një sëmundjeje të shkurtër më 18 shkurt 1564 në Maçel De Korvi, Romë, në moshën 88-vjeçare. Dhe në Firencen e sotme, trashëgimia e tij është shumë e fortë. Kjo gjë është shumë me dukshme në“PiazzaleMichelangelo” përballë lumit Arno, që ofron pamje panoramike të qytetit.

Në shenjë nderimin për Mikelanxhelon dhe veprat e tij, disa nga statujat e tij më të famshme – duke përfshirë “Davidin” dhe 4 statujat alegorike nga Kapela Mediçi (Agimi, Muzgu, Nata dhe Dita), janë rikrijuar në bronz dhe janë vendosur përreth sheshit.

Vepra “Krijimi i Adamit”, mund të përmbajë një imazh të fshehur të trurit

Në vitin 1990, mjeku nga Indiana e SHBA-së, Frenk Meshberger, propozoi një interpretim të ri të veprës “Krijimi i Adamit”, i cili është pjesa më e njohur e tavanit të Kapelës Sistine. Teoria e tij është se pëlhura në ngjyrë trëndafili që rrethon Zotin dhe Evën në pikturë,përfaqëson trurin e njeriut, për shkak të formës së tij të veçantë.

Gjithashtu, ai vuri në dukje detaje të tjera që mund të gjenden brenda veprës, si shalli jeshil që sipas tij përfaqëson pjesën vertebrale, dhe këmbën e një engjëlli që formon atë që duket si gjëndra e hipofizës./bota.al/ KultPlus.com

Akademia e Shkencave: Anëtarësia afatgjatë e Xhevahir Spahiut, krenari e nder për të gjithë kolegët

Akademia e Shkencave e Shqipërisë zhvilloi sot veprimtarinë shkencore jubilare “Xhevahir Spahiu, në 80-vjetorin e lindjes”.

I pranishëm ishte vetë poeti i shquar, Xhevahir Spahiu, kryetari i ASHSH, akad. Skënder Gjinushi, akademiku dhe kritiku letrar Ali Aliu si dhe të tjerë dashamirës të poetit Spahiu. Kjo veprimtari e Akademisë së Shkencave vjen pak ditë pas festimit të 80-vjetorit të lindjes së Xhevahir Spahiut (1 mars 1945).

Tubimi festiv u organizua nga Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në ASHSH. Kryesia e Akademisë së Shkencave evidentoi cilësitë e vlerat më të spikatura njerëzore por dhe si poet, që janë një aset i veçantë për ASHSH.

“Anëtarësia e tij afatgjatë në ASHSH përbën krenari e nder për të gjithë kolegët”, u tha në këtë tubim. Akademikët vlerësuan angazhimin e tij aktiv e të qenësishëm në kërkimin shkencor dhe krijimtarinë letrare e artistike.

Akademik Ali Aliu e përvijëzoi kështu Xhevahir Spahiun: “Thjeshtësisht i përzemërt, i hapur dhe i dashur dhe që është i gjithi frymë e zë i gjallë, i trashëgimisë njerëzore”.

Ky vit shënon gjithashtu një gjysmë shekulli krijimtari letrare e poetike, që ka fituar dashurinë e lexuesit të këtij përfaqësuesi të letërsisë shqiptare./atsh/KultPlus.com

‘Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm’

Thënie për vdekjen, trishtimin dhe hidhërimet e dashurisë

• Prapa çdo loje ekziston ideali i vdekjes!

• Të gjithë kërkojnë një mik, por asnjë nuk provon të bëhet i tillë!

• Po u zgjove në mëngjes dhe nuk e pe diellin ose dielli je ti, ose ke vdekur!

• Përse nuk na lejojnë të dashurojmë… X vjeç kur mund të vdesim në çdo moshë?!

• Nuk ju kërkova unë të më lindni, ndaj më lini të jetoj!

• Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm!

• Jeta është veç një ëndërr në rrugën e vdekjes!

• Uroj që kur të vdes të shkoj në Parajsë, sepse Ferrin e jetova këtu!

• Dashuria është gëzimi i qenies dy, tmerri që mbetesh një, frika se bëhesh tre!

• Nëse juve ju mungon dikush në botë, për mua jeni ju që i mungoni botës!

• Mos qaj! Sepse në botë ekziston gjithnjë një person që jeton për buzëqeshjen tënde!

• Kam provuar të eci këmbëzbathur rrugës shtruar plot kujtime, aty ku këmba shkelte dhimbje aty, ku dhimbja shkelte dhimbje…!

• Sikur të na jepej gjithë fuqia magjike që të lexonim mendimet e njëri-tjetrit, supozoj që efekti i parë do të ishte shkatërrimi i të gjitha miqësive…!

• Merr pak dhimbje nga e imja, shpirti im po të thërret, po kjo jetë po s’pati dhimbje kurrë s’mund të quhet jetë…!

• Sado të këqija qofshin ditët, pa to s’dua të mbetem, qaj vetëm ditët e bukura se të këqijat qajnë vetveten…!

• Çdo gjë lind e vogël dhe pastaj rritet, vetëm fatkeqësia lind e madhe, pastaj zvogëlohet…!

• Ka kaq kohë që çdo ditë të shoh e më duket se të shoh për herë të parë…!

• Hero nuk është ai qe bie në betejë, është ai që kur rrëzohet gjen forcën për t’u çuar e lufton përsëri…!

• Pasqyra është miku im më i mirë sepse sa herë qaj nuk qesh me mua…!

• Më pëlqejnë adoleshentët se çdo gjë që bëjnë e bëjnë për herë të parë…!

• Të vrasësh është kurajo e momentit…të lësh të jetojnë është kurajo e përjetshme…!

• Do jepja dhe jetën për të jetuar përjetësisht…!

• Ndonjëherë mjafton një çast për të harruar një jetë e ndonjëherë nuk mjafton e tërë jeta për të harruar një çast…!

• Pas gjakut, gjëja më e mirë që një burrë mund të japë, janë lotët e tij…!

• Dhashë gjithçka që munda. Jam një poet që tregon historitë e tij e një këngëtar që këndon poezitë e tij…!

• Midis të mirës dhe të keqes ka një porte… dhe unë ta hap!

•- Mos u kënaq me horizontin… kërko pafundësinë!

• Unë jam kështu, sepse shpreh atë që kam brenda…!

• Jeta është si një pasqyrë, të qesh në qofte se e shikon duke qeshur…

• Nuk do plakem kurrë, sepse jam një yll që bie…! / KultPlus.com

Rama: Shqipëria turistike i flet botës nga Berlini

Shqipëria turistike i flet botës nga Berlini, me krenarinë e vendit të nderit në panairin më të madh botëror të turizmit ITB Berlin.

Shqipëria si vendi i nderit i ITB Berlin 2025 prezanton evente, diskutime dhe përvoja gjithëpërfshirëse nën sloganin “Albania All Senses” në panairin që nis të martën e 4 marsit dhe përfundon të enjten, më 6 mars.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ceremonia e hapjes së këtij panairi.

Në një prononcim për televizionin gjerman ZDF Rama u shpreh se, “është e mahnitshme. Ne jemi këtu në një pozicion që disa vite më parë do të ishte e paimagjinueshme”.

Pas fjalimeve në ceremoninë e hapjes në CityCube Berlin u prezantua një vitrinë magjepsëse e pasurive kulturore të vendit tonë nën sloganin “Albania All Senses”.

Elementet kryesorë të prezantimit të Shqipërisë përfshinë një udhëtim kinematografik nëpër Shqipëri, performanca e drejtpërdrejtë me “Shkodra Elektronike” – përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovision 2025 –, muzikë tradicionale të njohur nga UNESCO dhe performanca të vallëzimeve tradicionale shqiptare nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve.

Shqipëria prezanton trashëgiminë e saj të pasur natyrore e kulturore në tri ditët e këtij panairi global të turizmit dhe ceremoninë e hapjes më 3 mars.

Nën sloganin “Albania All Senses”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të prezantojë buqetën e ofertave turistike të vendit nga data 4 deri më 6 mars 2025.

Përmes një agjende të pasur, Shqipëria do të përpiqet të përfshijë të gjithë pjesëmarrësit e këtij panairi që t’i bashkohen një udhëtimi gjithëpërfshirës përmes larmisë së ofertave, një programi të zgjeruar eventesh, performancash dhe aktivitetesh./atsh/KultPlus.com

Rikonstruksioni i Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, Sako: Ambiente moderne

Godina e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës i është nënshtruar rikonstruksionit tërësor, falë investimit të Qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako ishte sot në këtë godinë, për të ndjekur nga afër punimet që po kryhen në rikonstruksionin tërësor, nga ana fizike, tek ajo arkitektonike, që sipas Sakos do të ofrojnë kushte dhe mundësi të mira pune për stafin teatral, punonjësit e qendrës dhe artistët që ushtrojnë aktivitetet e tyre në këtë godinë.

“Pas restaurimit kjo qendër do të ketë ambiente moderne për zhvillimin e aktiviteteve artistiko-kulturore për qytetin e Durrësit si dhe do të ofrojë një shërbim sa më cilësor për të gjithë qytetarët dhe artdashësit që do ta frekuentojnë atë”, thotë Sako.

Sipas kryetares së bashkisë së Durrësit, ky projekt e ka afatin e përfundimit të punimeve dy vjet sipas kontratës, por puna është ndarë në faza për të mos penguar punën e artistëve.

“Kjo fasadë ka një specifikë të veçantë, ne në Durrës nuk e kemi vendosur në asnjë objekt tjetër, por nuk e di në Tiranë a ka eksperiencë për realizimin e tyre. Kemi organizuar punën që të mos pezullojmë aktivitetin e Qendrës Kulturore dhe Teatrit, por edhe të punojmë në ato ambiente në të cilat janë të pavarura dhe nuk pengojnë aktivitetin dhe aksesin e artistëve”, pohon ajo.

Një prej drejtuesve të këtij projekti, shprehet se “e gjithë zona që është në shërbim të aktorëve ka përfunduar me nënshtresat, shtresat, edhe tavani sepse është i varur. Punimet e nëntokës pjesa elektrike, hidraulike, të gjitha janë kryer. Kemi punuar me sistemin e aspirimit në tavan që është në të gjithë perimetralin e godinës”.

“Sistemi i aspirimit, ngrohja-ftohja janë shumë të rëndësishme plus komponenti i akustikës, është vendosur me elementë të veçantë, sepse kanë një efekt shumë të rëndësishëm në funksionimin e objektit. Ne duam që ky objekt të funksionojë me dekada sepse është një investim që bëhet për herë të parë, kështu që duam që ky investim që është financim i Qeverisë shqiptare dhe MEKI-t të jetë model për punën që do të bëhet këtu dhe funksionin më tej të teatrit. Teatri i Durrësit ka akustikën më të mirë në nivel kombëtar nga sa thonë aktorët dhe profesionistët që punojnë këtu, ndaj të gjitha punimet duhet të kenë siguri dhe funksionalitet maksimal”, përfundon Sako./atsh/KultPlus.com

‘Dashuria është helmi, Anne’

Poezi nga Erica Jong

E dashur Anne Sexton II

Më e dashura ime Anne
Po jetoj buzë një liqeni
Me një djalë të ri
Që e takova një javë pasi vdiqe ti
Mjekra e tij është e kuqe
Sytë e tij regetijnë si sytë e maceve
Ma ëmbëlson trurin
Ai është si askush
Qëkur e dua unë
Flugeri i tij zhytet
Thellë në zemrën time
Kam disa muaj
Që ta kam borxh një letër
Doja të qortoja
Mënyrën e vdekjes tënde
Mënyrën se si mund të
Kem rishikuar një herë
Poemën tënde
Ti je si askush
Qëkur të dua unë
Dhe ti nuk je më
A mund ta besosh
Që vdekja jote më ka lindur mua?
Jeto ose vdis
Më the ti me këmbëngulje
Ti zgjodhe të dytën
Dhe e para më zgjodhi mua
Të vajtova
Dhe pas një jave
Gjeta atë
A mos është dashuria helmi i veshur me sheqer
Ajo që na zë në fund?
Ne folëm për burrat
Po aq shpesh sa poemat
Ne u përpoqëm të ligjëronim larg
Nevojën për dashuri
Atë të shkuarën në sediljen e pasme
Dhe vdekjen që të përkëdhel
Përse e bërë në pallton e nënës tënde?
(Unë e di
Por e di gjithashtu
Se duhet të pyes)
Nanat tona në kapin në gremc
Më pas na lënë në të ftohtë
Jetime të rritura plotësisht
Të uritura për dashuri
Ti dashuroje një burrë që fliste
“Si kartolinë”
Ai ma bën mirë
Por unë s’mund t’i flas atij”
Ne ndamë atë nevojën e tmerrshme
Për të folur në shtrat
Dashuria nuk ishte dashuri
Nëse ne mund të flisnim vetëm
Me gjuhë
Dhe intensiteti i padashurisë u rrit
Deri kur motorri, motorri që rendte
Nuk mund t’i jepte më fuqi shoferit
Dhe ti, me milje për të bërë
Preferoje më mirë të flije
Ndërmjet pilulave, pilulave të vetëvrasjes
Dhe vodkat tona të qeshura në Algonquin (indigjen kanadez)
Ndërmjet gotave të tua të rrumbullakta si të gjysheve
Dhe sytë e tu blu si akullnajë
Ndërmjet nënës tënde të zymtë, urisë
Dhe nënës tënde guximtare
Ti e dije se ishte vetem një poemë
Që po e shkruanim ne të gjithë
Vdekja jote ishte e imja
Unë e hëngra atë
Dhe u riktheva
Tani ulem buzë një liqeni
Duke të shkruar ty
Unë dua një burrë
Që mi bën gishtërinjtë me dhimbje
Të shkruaj ty
Diku mes reve
I bie tavolinës
Si një spiritualiste
Seksi është pjesë e vdekjes
Kaq gjë e di
Zëri yt ishte tokë
Sytë e ty ishin blu-akullnajë
Busti yt i hollë
Dhe këmbët e gjata amerikane
Varur nëpër
Këtë qiell perëndimor vigan blu
Dua të të them
Prit, mos e bëj ende
Dashuria është helmi, Anne
Por dashuria e ha vdekjen.

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti / KultPlus.com

18 autorë aplikojnë për Fondin e Krijimtarisë Letrare për të Rinj

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit publikoi listën e aplikuesve për Fondin e Krijimtarisë Letrare për të Rinj.

Pak kohë më parë, QKLL dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit hapën thirrjen për të gjithë ata autorë të rinj që ende i kanë në dorëshkrime krijimet e tyre të para. Kjo thirrje ishte një mundësi për t’i transformuar dorëshkrimet në një libër.

Nëpërmjet këtij fondi, QKLL-ja synon të promovojë letërsinë e re shqipe, duke u ardhur në ndihmë autorëve të rinj shqiptarë për të botuar dhe për t’u bërë pjesë e një hapësire më të gjerë njohjeje përballë lexuesit.

Thirrja u drejtohet lëvruesve të poezisë dhe prozës nga mosha 18 deri 35 vjeç.
Nga aplikimet, i cili përfundoi në datën 1 mars, rezultoi që 18 autorë të rinj kishin aplikuar në Fondin e Krijmtarisë Letrare për të Rinj. Ata janë:

  1. Antonio Çikollari “Pesë vdekje” – Albas
  2. Armand Braho “Dashuritë s’kanë diell” – Albas
  3. Thimi Gogo “Arti i braktisjes” – Albas
  4. Aleksandra Gjata “Robert Hendov” – Albas
  5. Liza Brozi “Vdekja e kukullës” – Albas
  6. Ira Koçi “Balada e dhembjes” – Albas
  7. Arbër Selmani “Testosteron” – Albas
  8. Sanja Hoxhallari “M’u përflak e vjetra retiçencë” – Albas
  9. Xhentiana Muskaj “Portreti i Shtjefnit” – Albas
  10. Ena Bulku “Pallati i dëshpërimit” – Ombra GVG
  11. Elvin Nuri “Shpikja e skandalit në idil” – Berk
  12. Anxhela Dautllari “Anahera: E fshehta në godinën e pestë” – Toena
  13. Xhenson Çela “Dëbime me forcë” – Mediaprint
  14. Rejvi Dervishi “Tabloja” – Mediaprint
  15. Rea Shundi “I dashur mik” – ACC
  16. Klenti Hodo “Ça t’ka shpirti” – Argeta – LMG
  17. Klea Dhima poezi – Argeta – LMG
  18. Florinda Dodaj “Me sytë e zemrës” – Muza/atsh/KultPlus.com

“Shtëpia me gjethe” kujton klerikët katolikë të ekzekutuar 79 vjet më parë në Shkodër

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” kujtoi sot viktimat e klerit katolik të ekzekutuar pranë Varrezave të Rrmajit në Shkodër, më 4 mars të vitit 1946.

Gjatë dhjetorit të vitit 1945, autoritetet e regjimit komunist zbuluan në Shkodër organizatën “Bashkimi Shqiptar” që drejtohej nga i riu seminarist Mark Çuni. Organizata ishte shfaqur nëpërmjet disa trakteve antikomuniste të lëshuara në qytetin e Shkodrës. Për këtë arsye, u arrestuan gjithashtu si përgjegjës Atë Giovanni Fausti dhe Atë Daniel Dajani si eprorë dhe profesorë të seminarit.

Gjithsej u arrestuan 39 persona. Kjo do të ishte e para goditje e organizuar ndaj klerit katolik në Shqipëri.

Në gjyqin e mbajtur në kinema “Rozafati”, prokurori Aranit Çela akuzoi të pandehurit se kanë punuar për t’i përgatitur fushë të favorshme fashizmit Italian. Me okupimin e vendit kanë punuar për legalizimin e okupacionit dhe për fashistizimin e vendit e të popullit, kanë ndihmuar organizatat tradhëtare të krijuara nga armiku dhe qeveria kuislinge, kanë sabotuar rezistencën e popullit, duke kryer akte terrorizmi etj.

Klerikët mohuan çdo akuzë dhe akuza nuk paraqiti prova. Nga 39 të arrestuar, 7 prej tyre u dënuan me vdekje. Ekzekutimi me pushkatim u krye pranë Varrezave të Rrmajit në Shkodër më 4 mars 1946 për: Atë Daniel Dajani, Atë Giovanni Fausti, Atë Gjon Shllaku ofm, djakon Mark Çuni, Qerim Sadiku, Gjelosh Lulash Bajraktari, Fran Miraka (u ekzekutua më 3.7.1946)./atsh/KultPlus.com

347 vjet nga lindja e Vivaldit, kompozitori që kishte shkruar operë për Skënderbeun

Antonio Lucio Vivaldi lindi më 4 mars 1678 në Venecia, Itali. Mësoi violinën nga babai i tij Xhovani Batista (Giovanni Battista) që punonte si berber. 

Lista e kompozimeve të rralla të realizuara nga Antonio Vivaldi përfshin dhe operën “Skënderbeu”.

Shfaqja e parë e kësaj opere u realizua në Teatro de la Pergola në Firence të Italisë më 22 qershor 1718. Ajo përuroi rihapjen për publikun të këtij teatri. Libreti u shkrua nga Antonio Salvi, libretisti i preferuar i Dukës së Toskanës, Ferdinando de’ Medici, nga familja e njohur e Mediçëve. 

Ngjarjet zhvillohen në muret e Krujës në rrethimin e parë të saj në 1450, ndërsa qyteti është i rrethuar nga trupat turke që drejtohen nga sulltan Murati. Ushtarët otomanë kapin rob Donikën, ndërsa Skënderbeu i shqetësuar rrëmben vajzën e sulltan Muratit duke menduar që konflikti të zgjidhej me këmbimin e dy robëreshave. Në fund Skënderbeu e çliron vetë Donikën e tij me trimëri dhe kritikët mendojnë se ka Vivaldi ka dhënë me këtë opera triumfin e dashurisë dhe burrërisë shqiptare.

Si shikohet subjekti është melodramatik, ku nuk mungojnë intrigat dhe zgjidhjet “Deus ex machina”, karakteristike për artin barok të kohës. Në fakt është një Skënderbej tjetër nga ai që jemi mësuar të shikojmë në artin shqiptar.

Në artin europian të kohës nuk ishte fort i rëndësishëm epizmi i karaktereve sesa lirizmi dhe fryma kalorësiake e kohës. Fakti që Vivaldi zgjodhi Skënderbeun si subjekt të operës për këtë rast të rëndësishëm, konfirmon ndikimin që kishte ende në Europë heroi ynë kombëtar pothuajse 300 vjet pas vdekjes së tij. Ai ishte përfytyruar gjithmonë si një hero europian , “mik i virtytit dhe jo i fatit” si shprehej dhe vet Skënderbeu në letrën e tij të famshme dërguar Ferdinantit të Napolit.

Vivaldi është pa dyshim një nga kompozitorët më të mëdhenj italianë dhe në kurrikulumin e tij rezultojnë mbi 500 koncerte (210 prej të cilave ishin për violinë ose violonçel) 46 opera, sinfoni, 73 sonata, muzikë dhome ( disa sonata për fyell) si dhe Muzikë të Shenjtë. Vepra e tij më e famshme është “Katër Stinët”, kompozuar në vitin 1723.

Në thelb, ajo ishte si një poemë për natyrën, ku ai u mundua të realizonte tingujt e katër stinevë. Pranvera është një pjesë, që shpesh përdoret për ceremoni të rëndësishme dhe vazhdon të konsiderohet një nga perlat e muzikës klasike. / KultPlus.com

Kumbaro: Mbi 100 operatorë në Panairin e Berlinit

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, nga Berlini tha sot se janë mbi 100 operatorë shqiptarë në fushën e turizmit që po prezantojnë paketat e tyre turistike.

Ministrja Kumbaro gjatë hapësirës “Sy m’sy”, që kryeministri Rama zhvilloi drejt për drejt nga stenda shqiptare në Berlin, tha se Shqipëria u prezantuan denjësisht në një panairin më të madh në botë në fushën e turizmit.

“Janë mbi 100 operatorë që po prezantojnë të gjitha paketat, itineraret, nuk është punë e lehtë. Fjala që na ka bashkuar të gjithëve është dinjiteti. Prezantimi nga shteti shqiptarë me dinjitet, prezantimi i ofertës kulturore me dinjitet. E kishim të nevojshme ta tregonim, por dhe ta konfirmonim. I gjithë ekipi shqiptarë po shfaqet në mënyrë dinjitoze në këtë panair”, tha Kumbaro ./atsh/KultPlus.com

At Gjon Shllaku, françeskani filozof, i dënuar nga regjimi komunist

Më 4 mars të vitit 1946 u nda nga jeta At Gjon Shllaku, françeskani i dënuar me vdekje nga regjimi komunist.

Vendimi për ekzekutimin e tij u lëshua nga i ashtuquajturi “gjyq popullor”, më 22 shkurt 1946. Pretenca që rëndonte mbi françeskanin qe ngritur mbi pretendimin e drejtimit të organizatës “Dora e Zezë”, e cila dyshohej për qëllime destabilizuese në Shqipëri.

Regjimi pretendonte se, me mbështetjen “nën rrogoz” të Vatikanit dhe nën udhëheqjen e Shllakut, kjo organizatë e supozuar, do të ndërmerrte një sërë atentatesh në mbarë vendin, duke aluduar edhe për ndërlidhje të saj me vendet perëndimore.

Në të gdhirë të mëngjesit të 4 marsit, At Gjon Shllaku u vendos para togës së pushkatimit, së bashku me At Daniel Dajanin, At Xhovani Faustin dhe seminaristët, Qerim Sadiku dhe Gjelosh Lulashi, që akuzoheshin si anëtarë të organizatës.

I Lumi At Gjon Shllaku, lindi në Shkodër më 27 korrik 1907. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, nën kujdesin e françeskanëve. Studimet e larta për shkenca i ndoqi në Universitetin e Lovanios në Belgjikë. Mandej, u thellua në disiplinën e filozofisë dhe të teologjisë në Holandë dhe në Sorbona të Parisit, prej nga ku mori titullin akademik “doktor”. Me t’u kthyer në Shqipëri, ishte profesor i filozofisë në liceun “Illyricum”. U shugurua meshtar më 15 mars 1931./atsh/KultPlus.com

Faqja e njohur turistike: Dhërmiu – parajsa e rivierës së fshehur të Shqipërisë me diell, det dhe qetësi

Çdo vit, miliona udhëtarë nga e gjithë bota ndihmojnë në formimin e listës përfundimtare të Destinacioneve më të Mira në Evropë (Best Destinations in Europe), dhe 2025 nuk bën përjashtim. Kjo renditje prestigjioze pasqyron votat e mbi 1,2 milionë udhëtarëve nga 158 vende duke nxjerrë në pah vendet më tërheqëse për përvojat e paharrueshme të udhëtimeve turistike evropiane, shkruan faqja e njohur e turizmit https://www.europeanbestdestinations.com/.

”Pavarësisht nëse jeni duke kërkuar për pushimet më të mira të qyteteve në Evropë, arratisjet më të qeta në natyrë ose destinacionet kryesore të pushimeve me diell, kjo listë ka diçka për çdo udhëtar. Nga qendrat ikonë kulturore deri te xhevahiret e fshehura, këto destinacione ofrojnë përzierjen perfekte të historisë, kulturës, gastronomisë dhe bukurisë natyrore”, shkruan kjo faqe, që zgjedh Dhërmiun mes 20 vendeve më të kërkuara turistike.

Dhërmiu

Ikni në bukurinë e paprekur të Dhërmiut, në Shqipëri, një thesar i fshehur në Rivierën Shqiptare ku ju presin ujërat e kaltra, plazhet mahnitëse dhe hijeshia mesdhetare.

Relaksohuni në brigjet idilike si Dhërmiu dhe Plazhin e Dhrimadhes, perfekt për not ose paddleboarding.

Shëtisni fshatin në kodër me shtëpitë e tij tradicionale prej guri, pamjet mahnitëse të detit dhe kishat historike.

Shijoni ushqime të freskëta deti, vaj ulliri vendas dhe shijet shqiptare në tavernat buzë detit dhe relaksohuni me bare plazhi elegant ose festivale verore me DJ ndërkombëtarë.

Me atmosferën e tij të qetë dhe shkëlqimin natyror, Dhërmiu është arratisja juaj perfekte mesdhetare, përfundon faqja e njohur turistike./atsh/KultPlus.com

‘Nëse dëshironi ta bëni një punë të mirë, bëjeni vet’

Thënie nga Napoleon Bonaparta:

– “Aftësia është asgjë pa mundësinë”

– “Kuraja është sikurse dashuria; duhet të ketë shpresë për të lulëzuar”

– “Ju bëheni të fortë duke e mposhtur humbjen dhe duke e shndërruar humbjen dhe dështimin në sukses”

– “E pamundura është fjalë që gjendet vetëm në fjalorin e budallenjve”

– “Ambicia e madhe është pasion i karakterit të madh. Ata që janë të pajisur me ambicie të mëdha mund të performojnë akte shumë të mira ose shumë të këqija. Gjithçka varet nga parimet që i udhëheqin ata”

– “Ka vetëm dy forca që i bëjnë bashkë meshkujt – frika dhe interesi”

– “Nëse dëshironi ta bëni një punë të mirë, bëjeni vet”

– “Asnjëherë mos e pengoni armikun kur është duke e bërë një gabim”.