BE i kërkon “Shein” të respektojë ligjin për konsumatorin

Komisioni Evropian i kërkoi sot kompanisë së veshjeve online “Shein” të respektonte ligjin e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e konsumatorit, pas një hetimi nga autoritetet kombëtare ku u gjetën disa shkelje.

Akuzat përfshijnë zbritje të rreme, përdorimi i afateve të rreme për të ushtruar presion mbi konsumatorët për të blerë, informacion të humbur ose të pasaktë, etiketa mashtruese të produkteve, si dhe detaje të fshehura të kontaktit.

“Të gjitha kompanitë që kontaktojnë konsumatorët e BE-së duhet të veprojnë sipas rregullave tona”, tha Michael McGrath, komisioneri i BE-së përgjegjës për mbrojtjen e konsumatorit.

“Ne nuk do të hezitojmë të vendosim platformat e tregtisë elektronike përpara përgjegjësisë, pavarësisht se ku ndodhen”, tha ai.

“Shein” u themelua në Kinë dhe tani ka selinë në Singapor.

“Ligjet e BE-së për mbrojtjen e konsumatorit nuk janë opsionale – ato duhet të zbatohen në të gjitha rastet”, shtoi McGrath.

Hetuesit kanë kërkuar informacione të mëtejshme nga “Shein” për të vlerësuar nëse përdorimi i renditjeve, rishikimeve dhe vlerësimeve në platformën e shitjeve me pakicë online është në përputhje me ligjin e BE-së.

Kompania e veshjeve ka një muaj kohë për t’iu përgjigjur akuzave dhe për të propozuar përmirësimet.

Nëse shkeljet nuk adresohen, autoritetet kombëtare kanë mundësinë të vendosin gjoba sipas ligjit kombëtar./KultPlus.com

Kanë nisur xhirimet e filmit ‘Jerëm’ me regji dhe skenar të Ismet Sijarinës

“Jerëm” është një dramë psikologjike e fuqishme që eksploron kapacitetin njerëzor për mbijetesë, falje dhe plagët e thella që lë pas dhuna. Përmes syve të Erës, një gruaje të qëndrueshme por të brishtë, publiku futet në një realitet distopik ku viktimat dhe autorët e dhunës janë të ndërlidhur, dhe kufijtë mes fajit dhe pafajësisë bëhen të turbullt.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, në bashkëprodhim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në rolet kryesore luajnë aktorët: Luli Bitri, Genc Jakupi, Gresa Pallaska, Irena Aliu, Adem Karaga, Jonida Vokshi, Edon Rizvanolli.

Producentë të filmit janë Leonora Lushtaku dhe Ismet Sijarina, ndërsa koproducentë janë Dejan Iliev dhe Florenc Papas. Në këtë projekt janë të angazhuara shtëpitë filmike Thumbs Up nga Kosova, DMF DOO Production nga Maqedonia e Veriut dhe Tunnel Film nga Shqipëria./KultPlus.com

Ermonela Jaho në Prishtinë më 8 qershor, koncerti i organizuar nga Opera e Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës

Më 8 qershor, në Prishtinë do të mbahet koncerti organizuar nga Opera e Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës, ku do të performojë soprano e mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho, përcjell KultPlus.

Në vijim gjeni postimin e Operës së Kosovës:

Më 8 qershor, Opera e Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës kanë kënaqësinë të sjellin në Prishtinë një nga emrat më të mëdhenj të skenës operistike botërore – ERMONELA JAHO.

E njohur për zërin e saj dhe interpretimet emocionuese në skenat më të njohura të botës, Jaho do të ngjitet në skenë si soliste e shoqëruar nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe ajo e Operës së Kosovës.
Një mbrëmje me emocione të forta dhe një përvojë e paharrueshme./KultPlus.com

Pas Prizrenit dhe Sarajevës, shfaqjet me tekst të Jeton Neziraj bëhen problem edhe për Ferizaj 

Jeton Neziraj është një prej dramaturgëve më të njohur të Kosovës, dhe shfaqjet e tij përpos sukseseve brenda dhe jashtë vendit, kohëve të fundit janë bërë edhe mollë sherri. 

Me një qasje të guximshme, tekstet e Nezirajt që shpesh herë prekin zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë edhe ato politike, jo për të gjithë po vlerësohen si tekste që duhet promovuar, dhe të njëjtat shpesh herë po pengohen që të ngjiten para audiencave të caktuara.

“Të gjashtët kundër Turqisë” është shfaqja me tekst të Jeton Neziraj që është përcjellë me zhurmë në Prizren, dhe e njëjta për dy herë është penguar të shfaqet në këtë komunë. Herën e parë ishte anuluar me arsyetim të problemeve teknike, kurse herën e dytë nuk ishte futë në repertor, ashtu edhe sikur ishte premtuar. 

Dhe krejt kjo pengesë sipas Qendrës Multimedia ka ardhë si rezultat i përmbajtjes së shfaqjes, e që trajton arrestimin e gjashtë mësuesve turq, arrestim që pat ndodhë në vitin 2018 në Kosovë dhe të njëjtit u patën deportuar në Turqi. 

Dhe po për të njëjtën shfaqje, tentativë pengese kishte edhe në Sarajevë, ku aktorët e kësaj shfaqje janë prezantuar në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, dhe drejtuesit e këtij institucioni nuk u janë nënshtuar presioneve për të anuluar këtë shfaqje, duke qëndruar mbi faktin se arti nuk njeh censurë. 

“Të gjashtët kundër Turqisë” duket që nuk është shfaqja e vetme me tekst të Neziraj që po krijon zhurmë, pasi që edhe shfaqja “Fluturimi me teatrin e Kosovës”, po me tekst të këtij autori që ishte paraparë që të shfaqej në Ferizaj me regji të Agon Myftarit duket që po përballet me pengesa. 

Regjisori i kësaj shfaqje Agon Myftari ka njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale për këto pengesa, e që ai i adreson në Drejtorinë e Kulturës së kësaj komune. Sipas tij, naga ana e drejtorisë kanë kërkuar ndërhyrje në tekst, sikurse që më pas janë arsyetuar edhe për mungesë buxheti. 

Kjo shfaqje do të duhej të prezantohej më 7 qershor, dhe sipas Myftarit ata tashmë kanë shtyrë shfaqjen për 14 qershor, në mënyrë që të kenë hapësirë për zgjidhjen e problemeve me institucionin në fjalë. 

Kurse autori i tekstit Jeton Neziraj nëpërmjet rrjeteve sociale ka shkruar se: Madje, sic kam kuptuar, këto taktika shantazhi, komuna dhe zyrtarët komunal i kan ndërmarrë në bashkëpunim dhe koordinim me Shoqatën e Veteranëve të UÇK-së. Dhe kjo vetëm sa e bënë edhe më shqetësuese çështjen e censurës. Sepse, faktorë të jashtëm, shoqata e grupacione parapolitike janë lejuar dhe ftuar të përfshihen dhe e të diktojnë politikat programore të teatrit.

Ndërkohë, “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës është një komedi politike, satirike dhe shpesh absurde – mbi një nga ngjarjet më serioze të këtij shekulli: lindjen e shtetit të Kosovës e pasqyruar nga një trupë teatrore që po përpiqet ta gjejë rrugën e vet drejt të ardhmes, shtetformimit dhe mbijetesës./ KultPlus.com 

Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, do të marrin pjesë më shumë se 45 shtete

Më 2 dhe 3 qershor, Prishtina do të jetë mikëpritëse i zërave nga e mbarë bota në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përcjell KultPlus.

Në njoftimin e Presidencës së Republikës së Kosovës thuhet se do të marrin pjesë panelistë nga më shumë 45 shtete.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:

Panelistë nga më shumë se 45 shtete do të marrin pjesë në edicionin e tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë!

Më 2 dhe 3 qershor, Prishtina bëhet edhe këtë vit vendtakimi i zërave nga e mbarë bota, të cilët do të ndajnë vizionin e tyre për “Kodin e Sigurisë për Brezin Tonë”! #WPSRKS2025./KultPlus.com

‘Unë e desha përtej vdekjes, edhe prap s’ia fal dot vetes, si s’e desha pak më shumë’

Poezi nga Fatos Arapi

Si s’të desha pak më shumë

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
Si s’e desha pak më shumë…

Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:
Si s’të desha pak më tepër.. / KultPlus.com

Dua Lipa, artistja më e klikuar në Mbretërinë e Bashkuar për vitin 2024

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa është shpallur si artistja më e kilikuara në Mbretërinë e Bashkuar për vitin 2024. Raporti i “Phonographic Performance Limited”, e renditi Dua Lipën si artisten më të klikuar.

Për Dua Lipën kjo është hera e dytë që ajo merr këtë titull. Në vitin 2020 ajo u rendit po ashtu si artistja më e dëgjuar nga britanikët.

“Është një nder i vërtetë të emërohem artistja më e klikuar në Mbretërinë e Bashkuar për herë të dytë. Viti 2024 ishte një vit i jashtëzakonshëm dhe jam shumë mirënjohëse për të gjithë ata që kanë mbështetur muzikën time në radio, televizion dhe në vende të ndryshme në të gjithë vendin”, tha e emocionuar Dua Lipa.

Sipas raportit këngët e Dua Lipës klikohen mesatarisht 400 herë në ditë dhe më e preferuara në gjithë repertorin e saj është “Houdini”.

Lipa zbriti nga “froni” Ed Sharen, i cili për tre vjet mbajti titullin si këngëtari më i preferuar në Britani. Raporti e renditi Ed Sharen në vendin e tretë, kurse në vend të dytë Taylor Swift. Në vendin e katërt u rendit David Guetta, kurse në vendin e pestë Coldplay./KultPlus.com

50 vjet nga vdekja e Pier Paolo Pasolinit

 Edhe pse po afron 50-vjetori i vdekjes së Pier Paolos Pasolinit, ka ende shumë elementë misteriozë që rrethojnë natën e fundit të shkrimtarit, poetit dhe regjisorit, i gjetur pa jetë më 2 nëntor 1975 në plazhin e Idroscalos, në Ostia.

Gjysmë shekulli pas vrasjes së tij, trashëgimia e tij intelektuale do të shqyrtohet nga studiues dhe institucione gjatë eventit ”Një poet që nuk vdes”, konferenca e parë kombëtare kushtuar 50-vjetorit të vdekjes së Pier Paolo Pasolinit.

Pasolini vdiq, por trashëgimia e tij jeton, pasi sot në ”Teatro del Lido di Ostia” organizohet  eventi i konceptuar nga Maura Locantore dhe Angelo Favaro, një mundësi për të reflektuar mbi identitetin dhe trashëgiminë kulturore të njërit prej protagonistëve më me ndikim të shekullit XX në Itali.

Roli i Qendrës së Studimeve ”Pasolini” të Casarsa della Delizia është vendimtar, e cila, së bashku me Komitetin Kombëtar të 100-vjetorit të Pasolinit, po drejton një rrjet institucional që përfshin Departamentin e Kulturës të Romës, Municipio X të Ostias dhe Ministrinë e Kulturës.

Zgjedhja e Ostias, vendi ku u vra Pasolini, synon t’i japë një ngarkesë emocionale konferencës, e cila do të përfundojë më 2-3 nëntor në Casarsa, vendlindja e nënës së tij dhe vendi i varrimit të poetit.

Konferenca, me kontribute nga studiues si Guccini, Donzelli, Pierangeli, Tomassini, Nisini, Panetta, Chiesi dhe Gurreri, do të kulmojë në një tryezë të rrumbullakët diskutimi të udhëhequr nga Rino Caputo.

Ndër ekspertët e pritur, Lucia Annunziata, Giulio Ferroni, Gianni Cuperlo dhe Ninetto Davoli, në një dialog midis brezave me studentët.

Kanë filluar punimet për restaurimin e ”Casa Pasolini”, shtëpisë së parë romane të poetit dhe regjisorit, për përdorim publik.

Ajo ndodhet në rrugën ”Giovanni Tagliere”, në periferinë verilindore të kryeqytetit, pak hapa larg burgut ”Rebibbia”.

Apartamenti, i banuar nga Pasolini midis viteve 1951 dhe 1954 së bashku me nënën e tij, gjatë periudhës kur ai dha mësim në një shkollë në Ciampino, është objekt i një projekti të rëndësishëm vlerësimi.

Qëllimi është të restaurohet apartamenti si një vend i gjallë kulture dhe kujtese./KultPlus.com

Vështrim pas gjurmëve

Poezi nga Dritëro Agolli

Me lodhi mundimi në shpirt tërë jetën
Ta them lakuriq të vertetën.
Po s’munda ta them ngaherë të plotë,
Se ishte zuskë kjo bote.
Tani më vjen keq për aq sa gënjeva,
Megjithëse gënjyen dhe Adami dhe Eva
Të parët genjeshtarë të mjerë
Dhe kjo me jep ngushellim herë-herë. /KultPlus.com

Motive me diell

Poezi nga Ismail Kadare

Mbi liqenjte e Lures po bie mbrëmja
Muzgu rrjedh nga majat e pishave neper trungjet e kalbur
Grumbullohet ne pellgje te vegjël
Kullon pastaj neper furçen tende te dridhshme.

Shpejto.
be vone.

Kap ç’te kapesh nga ngjyrat qe dridhen
E fergellojne,
Duke ikur plot alarm nga mbremja qe i ndjek

Kap motive me diell…
Neper furçen tende kurre nata mos kullofte. /KultPlus.com

Shtohen të pasionuarit pas kulturës dhe historisë në Kalanë e Kaninës

Kalaja e Kaninës ka pritur se fundmi vizitorë të shumtë, nga vendi dhe bota.

Vizitorët kanë mundur të prekin nga afër muret që ruajnë shekuj të tërë krenarie, legjendash dhe kujtimesh, duke pasur një përvojë që prek jo vetëm shqisat, por edhe shpirtin.

Kalaja e Kaninës gjendet vetëm 3 km larg qytetit bregdetar të Vlorës dhe kjo afërsi e ka bërë atë një nga destinacionet më të vizituara të turizmit kulturor dhe historik.

Historia e ndërtimit të kalasë nis prej shekullit IV para Krishtit, përcjell periudhat e Antikitetit dhe të Mesjetës (bizantine, veneciane, turke), së bashku me teknikat respektive të ndërtimit.

Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3,6 hektarësh. Përballë saj është deti Adriatik, që duket si në pëllëmbë të dorës. Kjo fushëpamje i mrekullon të gjithë vizitorët e Kaninës.

Në kala është edhe teqeja, më parë në vend të saj ka qenë një kishë dhe me ardhjen e Sulejman Pashait, admirali i madh e ktheu në teqe./atsh/KultPlus.com

Hapet konferenca shkencore “Java e Albanologjisë” në Prishtinë

Sot në Institutin Albanologjik të Prishtinës u hap konferenca shkencore “Java e Albanologjisë”, me pjesëmarrjen e figurave të rëndësishme nga Kosova dhe Shqipëria. Në ceremoninë hapëse morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i ASHAK-ut, akademik Mehmet Kraja, dhe ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj.

Fjalën përshëndetëse e mbajti nikoqiri Naim Berisha, i cili theksoi rëndësinë e albanologjisë në ndriçimin e identitetit kombëtar. Kryeministri Kurti dhe ambasadori Malaj vlerësuan kontributin e studiuesve shqiptarë dhe rëndësinë e bashkëpunimit akademik ndërmjet dy vendeve.

“Z. Naim Berisha, në cilësinë e nikoqirit e mbajti fjalën hapëse dhe falënderuese për të pranishmit. Ndër të tjera, ai shprehu nevojën për një qasje sa më të dinjitetshme në raport me albanologjinë, si dije për dhe rreth shqiptarëve. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Sh.T. Z. Albin Kurti i përshëndeti të pranishmit, studiuesit, profesorët dhe organizatorët e konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, 16/2025”, thuhet në njoftimin e Institutit Albanologjik.

Konferenca do të zgjasë pesë ditë dhe përfshin sesione nga fusha të ndryshme si historia, letërsia, gjuhësia, folkloristika dhe etnologjia. Sot po mbahet sesioni i parë me temën “Ndërthurja e identitetit fetar te shqiptarët”./KultPlus.com

“Supreme Voice Festival” në Vlorë, në skenë 80 fëmijë nga 8 vende

Supreme International “Voice Festival” zgjodhi Vlorën, si stacionin e parë të Shqipërisë, për të realizuar këtë festival.

Supreme International Voice Festival është një aktivitet me patentë ndërkombëtare, produksioni i së cilës i besoi nismës së mësueses Albana Tushe Çuro për të bërë bashkë rreth 80 fëmijë artistë nga Shqipëria, Hungaria, Italia, Rumania, Kanadaja, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Aktiviteti Supreme International Voice Festival pati mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Bashkisë Vlorë etj.

Juria ndërkombëtare prej gjithë pjesëmarrësve të mrekullueshëm zgjodhi të vlerësonte me çmimin Grand Prix Supreme Voice, Ilda Nuhiun nga Kosova. Ndërsa Brisejda Yzeiri e Shqipërisë, mori çmimin Supreme Child Voice Grand Prize./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani në darkën e Kongresit Amerikan dhe AP të NATO-s: Mirënjohje e përjetshme për miqtë tanë të lirisë dhe paqes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në SHBA, me ftesë të Kongresit Amerikan, për të marrë pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka mbajtur një fjalim në darkën e organizuar nga Kongresi Amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s.

Në adresimin e saj para udhëheqësve të lartë të Kongresit dhe përfaqësuesve të vendeve anëtare të NATO-s, Presidentja Osmani theksoi se paqja nuk trashëgohet, por ndërtohet, mirëmbahet dhe mbrohet vazhdimisht.

“Sot përfaqësoj një Kosovë të lirë dhe sovrane, një tokë që dikur ishte e shkatërruar nga lufta, por që sot flet me gjuhën e paqes, shpresës dhe mirënjohjes. Ushtarët amerikanë dhe aleatët e NATO-s erdhën në Kosovë jo për lavdi, por sepse besonin në të drejtën themelore të çdo njeriu për të jetuar i lirë nga shtypja”, tha Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani: “Në momentet më të brishta, ata nuk na ofruan strehë vetëm për shtëpitë tona, por edhe për ëndrrat tona. Falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një shtet u ngrit nga hiri”.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se ushtarët amerikanë që erdhën me uniformë dhe qëndruan me vendosmëri, gjithmonë do ta kenë një shtëpi në Kosovë./ KultPlus.com

‘Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme’

Poezi nga Albert Kamy

E dashura ime,
në mes të urrejtjes
zbulova brenda vetes një
dashuri të pathyeshme.

Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme.
Mes kaosit zbulova brenda vetes një qetësi të pathyeshme.
Në mes të dimrit kam kuptuar, më në fund, se brenda vetes kam një behar të pathyeshëm.

Dhe kjo më bën të lumtur.
Sepse kjo vërteton se s’ka rëndësi se sa ashpër
më kundërvihet bota
ngase brenda vetes
kam diç më të fortë,
diç më të mirë që sakaq
më shtyn të shkoj përpara./KultPlus.com

Azem Shkreli: Mes nesh kanë hyrë shumë varre dhe gjak

(Bisedë me “Naša Borba”, marrë nga vepra “Zoti nuk është shqiptar”, 1996)

● Kohë më parë morët shpërblimin për libër të vitit. Ku ndodhet momentalisht, krijimtaria shqiptare, në ç’drejtim ecën dhe a ka sot kushte në kosovë për t’u marrë seriozisht me vlera të njëmendta artistike?
► Krijimtaria artistike shqiptare në Kosovë edhe në këto kushte të vështira po dëshmon vitalitetin e saj, jo vetëm të ekzistencës, po edhe të zhvillimit e të avancimit të vlerave. Krijimtaria, në veçanti letërsia, mund të vështirësohet, por është e papengueshme. Krijuesi i mirëfilltë, shkrimtari i mirëfilltë, në të gjitha kushtet dhe në të gjitha situatat është shkrimtar. Tekefundit, krijimtaria artistike shumë herë nuk është rezultat i ndjenjës së mirëqenies. Shkrimtari e prodhon vetë lirinë e vet krijuese, vetë akti krijues është çlirim dhe liri.
Është e vërtetë se klima krijuese te ne është e rënduar mjaft, e ngushtuar, e ngarkuar me pasoja të vrazhdta të gjendjes në të cilën ndodhemi. Vlerat që arrijnë të krijohen dhe të ngrihen mbi këto vështirësi e pengesa, japin apriori provë të qëndrueshmërisë së tyre. Autorë vlerash të tilla, si çdo kulturë tjetër, ka edhe krijimtaria jonë dhe ata janë të papushtueshëm Kjo kurrsesi nuk do të thotë se dhuna e represioni të cilat në esencë janë antikulturë dhe anticivilizim, nuk e kanë lënduar ndjeshëm edhe kulturën dhe krijimtarinë tonë artistike, se nuk i kanë dëmtuar ndjeshëm vlerat, sepse, ato atë punë e atë qëllim kanë kurdo që pushteti i njërit i përdor ndaj kulturës dhe identitetit të tjetrit.

Tym cigaresh

Poezi nga Sibilla Aleramo
Përktheu Aida Baro

Tym cigaresh.
Buzëqeshje të lehta.
E sërish tym,
fjolla të lehta,
nga buzët e mia,
çdo mbrëmje
pak minuta,
nga ballkoni i tij,
nga dritarja ime,
fjolla të lehta,
çelin buzëqeshje
dhe zërin s’ma njeh
dhe zërin s’ia njoh,
vetëm,
përmes fjollave të tymit
më pëlqejnë sytë e tij,
i pëlqejnë sytë e mi,
çdo mbrëmje
pak minuta,
një përshëndetje
fjollash tymi
lehtësi e hijshme gjestesh,
pikë e heshtur zjarri
ngrihet mbi kopshtin e përgjumur,
dhe asgjë tjetër,
ja kështu,
ndërsa pranë abazhurit
puna pret,
pak minuta,
çdo mbrëmje
për ca mbrëmje,
fjolla të lehta
fjolla të lehta./KultPlus.com

Netët Korçare të Poezisë, festival ku takohen shpirtrat krijues

Fundjavën që lamë pas Korça mblodhi poetë nga e gjithë bota për edicionin e 29-të të Festivalit Ndërkombëtar të Autorëve “Netët Korçare të Poezisë”.

Në këtë festival, ku interpretohen vepra të ndryshme të poezisë, simbolikë e veçantë është edhe mbjellja e një peme në Parkun e Poetëve, në nderim të trashëgimisë së fjalës së shkruar.

Poeti Laureat i festivalit u shpall Sadik Bejko, i cili mbolli pemën tradicionale në Parkun e Poezisë. Çmimi Kurora e Poezisë shkoi për poeten Maklena Nika. Çmimi Poezia më e Bukur iu dha poetit Tsvika Nir (Izrael). Çmimi “Dritëro Agolli” iu dha poetit Dinos Kubatis (Greqi). Çmimi “Asdreni” shkoi për poetin Zyhdi Dervishi dhe Çmimi Special shkoi për poeten Rakela Zoga me motivacionin: “Për këndvështrimin origjinal, për përcjelljen e vlerave universale përmes kumtit poetik.

Netët Korçare të Poezisë konsiderohen si një festë e fjalës së bukur. Në këtë edicion, morën pjesë 34 poetë nga Italia, Franca, Izraeli, Monako, Greqia, Kosova dhe Shqipëria, të cilët sollën me vete jo vetëm vargje të frymëzuara, por edhe tingujt dhe ndjesitë e vendeve të tyre.

Korça, edhe një herë, u shndërrua në një skenë të hapur, në një udhëtim shpirtëror që bashkon nëpërmjet gjuhës universale të artit. Disa nga pjesëmarrësit ishin: Angela Valenti Durazzo, Bardhosh Gaçe, Pierre Ech-Ardour, Helena Halilaj, Albin Lushi, Maklena Nika, Sadik Bejko, Raimonda Moisiu – Sade, Tsvika Nir, Entela Kasi, Vlora Konushevci etj.

Netët Korçare të Poezisë u zhvillua me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, bibliotekës publike “Thimi Mitko” Korçë, Bashkisë Korçë dhe PEN Albania.

“Le të jetë ky edicion një tjetër dëshmi se poezia nuk është e mbyllur në libra, ajo jeton në rrugë, në zëra, në takime si ky. Dhe mbi të gjitha, ajo jeton brenda nesh, sa herë që zgjedhim të dëgjojmë me zemër”, u shpreh në fjalën e saj drejtorja e QKLL-së, Alda Bardhyli./atsh/KultPlus.com

Fondacioni “Akili” me aktivitetin kulturor “Flatrat që ndryshojnë botën” 

Më 1 qerashor, Fondacioni “Akili” do të organizojë aktivitete kulturore në kuadër të aktivitetit “Flatrat që ndryshojnë botën”. 

Përgjatë këtij aktiviteti, në ora 11:00 do të mbahet një punëtori krijuese me pikturat dhe ngjyrat, punime që do të prezantohen në ekspozitën që do të hapet në ora 19:00, ku më pas do të ndahen edhe certifikata për pjesëmarrësit.

Aktiviteti i këtij fondacioni do të shoqërohet me muzikë përgjatë gjithë kohës./ KultPlus.com 

Androniqi Zengo Antoniu ndër të parat profesioniste të artit pamor shqiptar

Më 26 maj të vitit 1913 lindi ikonografja, piktorja dhe mësuesja dardhare, Androniqi Zengo Antoniu.

Studimet e larta i kreu në Shkollën e Arteve të Bukura në Athinë, ku spikati për rezultate të shkëlqyera dhe ku së bashku me të motrën do të cilësohej ndër të parat femra profesioniste të artit pamor shqiptar.

Androniqi restauroi pikturat murale të Shën Mërisë, të Shën Thanasit në Korçë, të Shën Kollit në Hoçisht etj.

Kthimi në atdhe e gjen Androniqin në Korçë në rolin e mësonjëses pranë shkollës femërore. Në vitin 1937, në kuadrin e festimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Zengo çel ekspozitën e parë të saj ndërsa ekspozita e dytë u çel një vit më vonë, duke kaluar përmasat lokale, duke e shndërruar Androniqin në model frymëzimi për gratë.

Emri i saj do të përmendej në galeritë apo në panairet më të suksesshme të kohës. Në vitin 1940, Zengo do të nderohej në Bari të Italisë për veprën “Kalaja e Petrelës”. Pjesë e ekspozitës ishin edhe zëra unikë të pikturës shqiptare, sikurse Vangjush Mio dhe Zef Kolombi. Artistja do të vlerësohej gjatë periudhës së komunizmit brenda dhe jashtë vendit për punën e saj krijuese. Në pikturat e saj mbizotërojnë portretet, peizazhi, dashuria për kostumet dhe vendlindja e saj, Dardha./atsh/KultPlus.com

Himni i bukurisë

Poezi nga Sharl Bodeler

Bie prej qiellit a ngrihesh prej humnerës së thellë,
O Bukuri! Shiki yt hyjnor dhe i djallëzuar,

Krimin me mirësinë ngatërruar, përherë na e ndjell,
Duke i ngjarë aq shumë shijes së verës së bekuar.

Sytë e tu strehojnë çdo perëndim dhe aurorë;
E si një natë e stuhishme parfume shpërndajnë;
Pthjet e tua janë melhem, goja jote një amforë,
Që i bën trima vogëlushët e heronjtë të qajnë.

Gurgullon honeve të zi a yjeve të zjarrtë digjesh?
Fati i magjepsur të ngjitet pas fundeve si një qen;
Ti gjithcka në botë sundon e askujt s’i përgjigjesh,
E kudo, rastësisht, gjëmën dhe harenë shpërthen.

Bukuri, ti marshon mes kufomave që ke përçmuar;
Nga xhevahirët e tu, Tmerri nuk ka më pak magji,
E Krimi, mes gjithë stringëllave të tua më i çmuar,
Mbi barkun tënd, krenarisht vallëzon plot dashuri.

Flutura e natës e verbuar pas teje, të vjen afër, qiri,
Fërfëllin, ndizet e thotë: I bekuar qofsh pishtar!
I dashuruari ethshëm përkulet mbi të dashurën e tij,
Si ai i plagosuri për vdekje përkëdhel të tijin varr.

S’ka rëndësi nëse Parajsën apo Ferrin ke për nënë,
O Bukuri! Mostër e frikshme, e paanë, e lindur e lirë!
Vallë buzëqeshja jote, syri yt, këmba, hapur ma lënë
Portën, për atë pafundësi kurrë të njohur aq mirë?

S’ka rëndësi je Djall apo Zot! Ëngjëll a Sirenë të jesh,
S’ka rëndësi nëse zanë me sy kadife që xixëllojnë butë,
O parfum, ritëm, kthjelltësi, o e vetmja ime mbretëreshë!
Bën universin më pak të shpifur, më pak të rëndë çdo minut’./ KultPlus.com

Heidegger: Fati juaj nuk mund të ndryshohet, por mund të sfidohet

Martin Heidegger lindi në Messkirch, në një familje të borgjezisë së ulët e në gjendje të mirë ekonomike, gjë që i mundësoi shkollim solid në universitetin e Freiburg-ut ku kreu teologjine dhe filozofinë, ndoqi mësime të matematikës, të shkencave natyrore si dhe histori, shkruan KultPlus.

Emërohet profesor dhe më 1927 shkruan veprën kryesore « Qenia dhe koha » (Sein und Zeit). Gjatë vitit 1933, kyqet në krahun e social-nacionalistëve mirëpo pas disa muajsh tërhiqet dhe për shkak të kësaj, i ndalohen tekstet dhe mësimdhënia.

Nga kjo kohë, ai do të kthehet në univerzitet vetëm pas luftës, më saktësisht, në vitin 1950/51. Heidegger është themeluesi i egzistencializmit e filozofia e tij, i ka themelet e veta në çështjen e qenies e këtu nën « qenie » nuk bëhet fjalë për njeriun si që mendohej gjer vonë por për të qenunit – jam – egzistencë, që edhe është epiqendra e persiatjeve dhe platformës filozofike të tij.

Kur flet për fatin, filozofi gjerman thotë: “Fati juaj nuk mund të ndryshohet, por mund të sfidohet”. /KultPlus.com

Hollywood-i “zbarkon” në Shqipëri

Shqipëria nuk është më thjesht një destinacion i bukur, por tashmë edhe një partner i besueshëm për prodhime filmike.

Për herë të parë, përmes nismës “Fam Tour Albania”, Shqipëria po pret emra të mëdhenj të industrisë globale të filmit si HBO, Warner Brothers, Amazon, Disney, Paramount, NBC-Universal e shumë të tjerë.

Përfaqësuesit e këtyre studiove po zhvillojnë një tur disaditor në qytete të ndryshme për të zbuluar nga afër bukuritë natyrore, historinë dhe traditat, lokacionet unike dhe mundësitë e shumta që Shqipëria ofron për xhirime dhe bashkëprodhime ndërkombëtare.

Këto vizita në terren do t’u hapin rrugën projekteve të reja, investimeve dhe bashkëpunimeve që mund ta kthejnë vendin tonë në një qendër të re të produksionit filmik në Evropë.

Ndërkohë në takimin që liderët e studiove filmike mbajtën në Tiranë, ministri Gonxhja theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të ndërtuar një ekosistem konkurrues për industrinë kreative, përmes stimujve fiskalë, reformave ligjore dhe investimeve në talente e infrastrukturë moderne.

“Catalyst Story Institute”, një nga institucionet më prestigjioze amerikane për zhvillimin e talenteve krijues, tashmë është pjesë e këtij vizioni me hapjen e qendrës Tirana Training Institute duke kontribuar në formimin profesional dhe ndërkombëtarizimin e sektorit./atsh/KultPlus.com

Hapet Muzeu Etnografik Memaliaj, një tjetër hapësirë kulturore dhe destinacion për turistët

Në qytetin e Memaliajt ka hapur dyert një tjetër qendër me rëndësi kulturore dhe historike, Muzeu Etnografik, një iniciative e Bashkisë Memaliaj që synon të ruajë, promovojë dhe të bëjë të njohur trashëgiminë shpirtërore dhe materiale të zonës.

Ceremonia e përurimit të muzeut u zhvillua në prani të qytetarëve, përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe të ftuarve të tjerë.

Kryetari i Bashkisë së Memaliajt, Albert Malaj vuri në dukje rëndësinë që ka kjo nismë për jetën kulturore të qytetit dhe për ruajtjen e identitetit.

“Vizitorët e parë patën mundësinë të udhëtojnë në kohë përmes objekteve, veshjeve tradicionale, veglave të punës dhe kujtimeve që flasin për jetën dhe zakonet e paraardhësve tanë”, deklaroi Malaj.

Ai theksoi gjithashtu se ky muze përfaqëson një dritare të hapur drejt historisë dhe mënyrës së jetesës së brezave të kësaj treve.

Muzeu Etnografik i Memaliajt përmban një koleksion të pasur objektesh tradicionale, përfshirë veshje popullore, vegla të përdorura në punët bujqësore, elementë të jetës së përditshme dhe dekorime që pasqyrojnë trashëgiminë dhe zakonet vendase.

Kjo hapësirë synon jo vetëm të ruajë këto objekte me vlerë, por edhe të shërbejë si një mjet edukimi për brezat e rinj dhe një atraksion për turistët që dëshirojnë të njohin më nga afër trashëgiminë kulturore të Memaliajt.

Kryetari i Bashkisë ftoi qytetarët e Memaliajt, si dhe turistët vendas e të huaj, të vizitojnë muzeun, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm në ndërtimin e një identiteti më të fortë kulturor dhe promovimin e vlerave autentike të qytetit.

Ky zhvillim i ri kulturor vjen pas hapjes së Muzeut të Minatorit rreth një vit më parë dhe tashmë është kthyer në një prej atraksioneve më të vizituara të qytetit. Ky muze u kushtohet minatorëve të Memaliajt dhe historisë së industrisë minerare që ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e zonës. Vizitorët aty mund të shohin nga afër objekte origjinale të përdorura gjatë dekadave të punës në minierë, dokumente arkivore, uniforma, fotografi dhe materiale të tjera që pasqyrojnë përditshmërinë dhe sfidat e punëtorëve të nëntokës.

Me këto dy institucione të rëndësishme, Muzeun Etnografik dhe atë të Minatorit – Memaliaj po afirmohet si një pikë referimi për turizmin kulturor në jug të Shqipërisë, duke ofruar jo vetëm histori dhe kujtesë kolektive, por edhe një mundësi për të reflektuar mbi rrënjët, traditat dhe zhvillimin e një komuniteti me histori të pasur./atsh/KultPlus.com