займ на карту кредит банк

FTESË PËR APLIKIM PËR GRANTE PËR START-UP

Nëntor 12, 2018 - 11:53 am

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bazuar në Planin e Veprimit për Punësimin e të Rinjve 2018-2020 fton të rinjtë që kanë përfunduar trajnimet për ndërmarrësi në kuadër të Fondit Rinore nga MKRS të aplikojnë për grante për ndërmarrësit. Objektivi kryesor i Programit është që të sigurojë mundësi për të rinjtë e papunë për ta nisur një veprimtari biznesi.

Shuma e grantit
Skema e Ndërmarrësisë do të sigurojë ndihmë me grante në vlerë prej 3,000 deri 5,000 Euro për çdo plan biznesi të zhvilluar me sukses që është miratuar në kuadër të procesit të përzgjedhjes.
Veprimtaritë prioritare
Përparësi (por nuk kufizohen) do të kenë këto veprimtari prioritare të biznesit:
• Industria e përpunimit dhe paketimit të ushqimit;
• TIK krahas me kontraktimin e jashtëm të proceseve të punës dhe sektori i qendrave të mbështetjes për konsumatorë;
• Industria e përpunimit të metalit;
• Industria e tekstilit;
• Turizmi;
• Industria e përpunimit të drurit;
• Ofrimin e shërbimeve.

Idetë e biznesit që nuk janë të pranueshme për të marrë pjesë në Program janë:

• të gjitha llojet e veprimtarive në kuadër të sektorit primar të bujqësisë;
• veprimtaritë me patundshmëri, lizing;
• veprimtaritë financiare dhe të sigurimeve dhe veprimtaritë që përfshijnë bixhozin;
• prodhimi i pijeve me përmbajtje të lartë të alkoolit dhe rakisë;
• prodhimi i produkteve të duhanit;
• prodhimi dhe shpërndarja e armëve;
• prodhimi duke përdorur teknologji që çojnë në ndotje të mjedisit (si ndotje të ajrit, tokës etj.).
• bizneset joformale nuk do pranohen për aplikim.
Shpenzimet e pranueshme
Shpenzimet e pranueshme që mund të mbulohen nga paratë e grantit duhet të shfrytëzohen për zbatimin e planit të biznesit dhe mund të përfshijnë:
• qiramarrjen e lokaleve për zyre apo veprimtari të biznesit;
• blerjen e materialeve për rinovim apo përshtatje të lokaleve/objekteve për biznesin;
• blerjen e makinerive, mjeteve dhe pajisjeve, si dhe softuerit dhe aseteve të tjera jo të prekshme;
• blerjen e lëndës së parë para nisjes dhe materialeve të harxhueshme
; • pagat dhe mëditjet, dhe shërbimet e tjera të nevojshme të specializuara;
• promovimin dhe reklamimin e veprimtarive.
Kufizimet për shpenzimet e pranueshme
: • deri në 30% të grantit mund të shfrytëzohet për rinovimin e objektit (vetëm për veprimtari hoteliere lejohet deri në 50%);
• blerja e lëndës së parë mund të mbulohet vetëm një herë, si blerje e njëhershme e stokut fillestar; • pagat dhe mëditjet mund të mbulohen deri në tre muaj pas fillimit të biznesit, bazuar në pagën minimale në Kosovë, pjesa tjetër e pagës duhet të mbulohen nga vetë biznesi; (paga nuk llogaritet për pronarin e biznesit);
• reklamat mund të mbulohen vetëm për tre muajt e parë pas nisjes së veprimtarisë, dhe nuk mund të kalojnë më shumë se deri në 10% të totalit nga granti.
Shpenzimet e papranueshme që nuk mund të mbulohen nga granti përfshijnë:
• blerjen e patundshmërive (tokë, ndërtesa, etj.)
• blerjen e mjeteve transportuese që nuk do të shfrytëzohen drejtpërsëdrejti për veprimtarinë e biznesit të propozuar;
• çdo shpenzim që nuk është i lidhur me biznesin e propozuar;
• shpenzimet e bëra para lidhjes së kontratës për grantin.
Shpenzimet e papranueshme në kuadër të grantit mund të mbulohen nga kontributi personal i aplikantit ose forma tjera të financimit si kredit etj. Buxheti total tentativë i paraparë për skemën e granteve është 450,000 Euro dhe përmes tij planifikohet të përkrahen deri 100 grante për start-up.
Aplikuesit mund të aplikojnë me një (1) Plan Biznes në kuadër të kësaj thirrje dhe vetëm për një (1) nga veprimtaritë prioritare. Aplikanti i aprovuar duhet ta përdorë grantin brenda gjashtë (6) muajve nga data e nënshkrimit të kontratës për grant.
Kriteret Specifike
Në mënyrë që aplikacioni të konsiderohet i kompletuar dhe të hyjë në fazën e vlerësimit nga aspekti përmbajtjesor, aplikuesi duhet të plotësojnë edhe kriteret e veçanta minimale të parapara me dispozitat në vijim:
• të dorëzojnë brenda afatit të thirrjes Planin e Biznesit;
• të dorëzojë të dhëna e aplikuesit (CV, kopjen e letërnjoftimit dhe kopjen e certifikatë së trajnimit për ndërmarrësi);
• i gjithë dokumentacioni duhet të përmbaj një kopje fizike një (1) origjinal me dy kopje identike duke përfshire dokumentacionin mbështetës: gjithsejtë në tri (3) kopje identike.
Në rast të dështimit për të përmbushur ndonjërin nga kriteret e përgjithshme dhe specifike, aplikacioni do të konsiderohet i pakompletuar dhe si i tillë nuk mund të kualifikohet për mbështetje financiare.
Kriteret e vlerësimit nga aspekti përmbajtjesor:
Me rastin e vlerësimit të Planeve të Biznesit për rritjen e punësimit përmes zhvillimit të ndërmarrësisë do të vlerësohen me sa vijon:
• Realizueshmëria financiare e biznesit;
• Burimet në dispozicion për biznesin;
• Stafi;
• Njohuri e llojit të biznesit;
• Analiza e Tregut
Plani i Biznesit duhet të dorëzohet vetëm në formularin e paraparë, i cili së bashku me Udhëzuesin për Aplikim për grante për start-up, janë në dispozicion në faqen e internetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (www.mkrs-ks.org). Aplikacionet duhet të dorëzohen personalisht në një origjinal dhe dy kopje identike, në një zarf të mbyllur te Zyra e Arkivës në MKRS. Mbi zarf duhet të shkruhet si me poshtë.
– Programi i granteve për ndërmarrësi
– Emri dhe mbiemri i aplikuesit
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sheshi Nëna Terezë; Zyra e Arkivës, Nr. 22; 10000, Prishtinë, Republika e Kosovës
Afati i fundit për dorëzimin e propozimeve është deri më 22 Nëntor 2018, ora 15:00.
Të gjitha çështjet që lidhen me ftesën publike për grante mund të sqarohen në mënyrë elektronike, duke dërguar e-mail në adresën: leotrim.gashi@rks-gov.net

Të ngjajshme