Për Bekim Lumin, artistët dhuruan veprat e tyre ndërsa Veton Surroi 200 kopje të librit “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”

Alberina Haxhijaj

Skena e vogël e Teatrit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë, ka qenë e rrethuar me vepra artistike të realizuar nga artistë të ndryshme. Të gjitha këto vepra, të ekspozuara, më pas janë shitur përmes ankandit i cili është realizuar nga vet artistët. Të ardhurat nga shitja e këtyre punimeve i janë dedikuar shërimit të regjisorit Bekim Lumi.

Aktivitet të tilla për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi, janë duke u realizuar ditëve të fundit, në mënyra të ndryshme. Dikush më këngë, disa me poezi, të tjerë me shfaqje dhe disa me dhurimin e punimeve të tyre po ndihmojnë në mbledhjen e parave, për të ndihmuar në shpenzimet e shërimit të regjisorit, shkruan KultPlus.

Aktori Fatmir Spahiu i cili është edhe njëri prej artistëve që ka marrë këtë iniciativë, e që moderoi këtë ankand, u shpreh i lumtur që artistë kanë dhuruar punime e tyre për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi.

“Ky është vetëm njëri prej angazhimeve në vazhdën e aktiviteteve. Synimi jonë është që të mbërrijmë tragetin e paracaktuar. Kjo mbrëmje ishte më ndryshe sepse unë isha vetëm njëri nga ata që dhamë një kontribut të vogël kurse pamë shumë artistë që dhuruan veprën e tyre diçka që është shumë e vështirë, të dhurosh një punë, ide kreacion tëndin, një pjesë të shpirtit për një kauzë të tillë. Prandaj unë jam shumë i lumtur edhe për ata edhe për vetën që po mundemi me provu me i ndihmu një miku tonë i cili ka nevojë, sepse nesër secili nga ne mund të jetë në një pozitë të tillë”, tha ai për KultPlus.

Tutje ai theksoi se ky është një solidarizim i artistëve që nuk është parë më herët. “Kjo më entuziazmon pa masë sepse nuk e kam besuar që mundemi më u sensibilizu kështu. Të ju them sinqerisht, kam menduar që t’i bësh të gjithë këta njerëz bashkë për një kauzë të tillë është e pamundur por më ka dalë ndryshe dhe jam shumë i befasuar për të mirë”, theksoi ai.

Nga ky ankand i pikturave, skulptura, grafika dhe punimeve të tjera artistike e po ashtu nga shitja e librit “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, u grumbulluan 3 mijë e 600 euro për regjisorin Bekim Lumi. Autori i dramës “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, Veton Surroi u shpreh sa ai ka dashur që të ndihmojë në këtë aktivitet pasi që regjisori Bekim Lumi është person i cili e meriton një kujdes të tillë.

“Libri sapo ka dalë nga shtypshkronja dhe kam vendosur që 200 kopje të ia dhurojë këtij aktivitetit për Bekim Lumin. Ka pasur simbolikën e vet pasi që është pjesë e një ambienti kulturor artistik i cili kontribuon dhe unë deshta që më këtë të kontribuojë. Kjo ndjenja e solidariteti që po krijohet është e mrekullueshme. Vet Bekimi si person e meriton këtë kujdes por fakti që po zgjohet solidariteti i artistëve ka domethënie shumë të madhe”, u shpreh ai për KultPlus.

Paratë e mbledhura nga kjo natë do të shkojnë në ndihmë për regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj./KultPlus.com