Walt Disney projekton imazhe 3D për vizitorët

Kompanisë amerikane të filmave vizatimorë të animuar, ‘Walt Disney’ i është miratuar e drejta për të projektuar imazhe lëvizëse 3-D në objekte të botës reale për të bashkëvepruar me vizitorët, duke e bërë më të lehtë krijimin e atraksioneve ndërvepruese në të gjithë parqet e tij tematike.

Muajin e kaluar, Zyra e Licensave në SHBA i dha ‘Walt Disney’ të drejtën për përdorimin e një teknologjie të përshkruar si “Imitues i Botës Virtuale”. Zyrtarët e ‘Disney’ thanë se nuk kanë plane të menjëhershme për të përdorur teknologjinë.

Gjigandi mediatik me seli në Burbank tashmë përdor projektorë 3-D për të hedhur imazhe lëvizëse mbi spërkatjet e ujit që shfaqen mbi dritën e quajtur “World of Color” (Bota e Ngjyrave) në ‘Disney California Adventure’ dhe “Fantasmic” (Një krijim i imagjinatës) në ‘Disneyland’, si dhe në ndërtesa dhe xhirot gjatë shfaqjeve të fishekzjarreve të natës në ‘Main Street USA’.

Teknologjia e përcaktuar në licensë nuk do të jetë e destinuar për audiencë të madhe, por në vend të kësaj do të gjurmojë vizitorët individualë nëpër parqe dhe do të projektojë imazhe posaçërisht për ta në objekte, ndërtesa dhe mure aty pranë. Imagjinoni të ecni pranë një muri dhe të shfaqet Mickey Mouse duke përshëndetur dhe kërcyer para jush.

Vizitorët nuk do të duhet të mbajnë syze ose kufje speciale për të parë imazhet. / KultPlus.com

Hidhjani një sy brendësisë së Piramidës së Keopsit falë xhirimit spektakolar 3D

E lartë 146 metra, Piramida e Keopsit është më e madhja në Gizë, dhe falë videos 3D të BBC-së, kemi pasur rastin që të shëtisim në mënyrë virtuale nëpër blloqe të forta gurësh dhe të zbulojnë kalimet dhe hapësirat sekrete.

Piramida e madhe apo siç quhet ndryshe Piramida e Keopsit, e cila në kohën antike është konsideruar njëra ndër mrekullitë e shtata botërore, është ndërtuar gjatë kohës së sundimit të faraonit Keops midis viteve 2509 dhe 2483 para Krishtit, transmeton Telegrafi.

Qysh më herët është e njohur që në Piramidë gjenden tri dhoma të mëdha, si edhe një sërë korridoresh dhe kalimesh, nga të cilat më e njohura është Galeria e madhe 47 metra e gjatë dhe tetë metra e lartë.

Megjithatë, edhe pse ekzistojnë hyrje në piramidë dhe dhoma në pjesë të ndryshme, pjesa më e madhe e strukturës së brendshme ka qenë e pahulumtuar deri kur ekipi i Institutit HIP të Francës nuk ka depërtuar në të me metodën e cila bazohet në detektimin e mionëve.

Ato grimca elementare krijohen kur drita jashtë sistemit të Diellit, por të cilat emetojnë yje shpërthyese, mjegullnajë shkëlqyese dhe galaksi fqinjësore, përplasen me atmosferën e Tokës.

Ato grimca bien në sipërfaqen e Tokës dhe kalojnë nëpër strukturën e saj, duke përfshirë edhe Piramidën e madhe.

Falë xhirimit spektakolar 3D kemi pasur rastin t’ia hedhin një sy brendësisë së Piramidës:

Lady Gaga në ballinën e revistës “Paper” me fotosesion 3D

Pop ylli Lady Gaga i ka hijeshuar dy ballina të ndryshme të revistës “Paper”, për numrin e përvitshëm të titulluar “Spring Transformation”.

Fotografitë e këngëtares janë prodhuar në formatin 3D nga artisti i njohur belg, Frederick Heyman, transmeton Koha.

Gaga në shenjë respekti i ka mirëpritur botuesit e revistës në studion e saj muzikore personale, për ta dëgjuar albumin e saj të gjashtë me titull “Chromatica”.

Në këtë artikull, pop ylli amerikan fol për traumat të cilët i ka përjetuar në të kaluarën dhe faktin se si e ka menaxhuar dhimbjen e saj, në mënyrë që të arrijë ta shkruajë këtë album.

“Të jesh i lumtur nuk është një gjë e thjeshtë. Unë vuaj nga depresioni klinik. Diçka ndodhë në trurin tim ku dopamina dhe serotonina nuk funksionojnë siç duhet, dhe si pasojë unë nuk e kam të lehtë të ndihem e lumtur,” çka shpjeguar tutje Gaga në intervistën e realizuar.

Revista “Paper” publikohet çdo tre muaj nëpër kioskat dhe në formë digjitale.

Për herë të parë, teatri 3D për fëmijët në Lezhë

Në Lezhë u soll për herë të parë teatri 3D për fëmijët. Shfaqja “Mendo për shëndetin tënd” e realizuar nga qendra kulturore e fëmijëve “Gjergj Lacaj” në bashkinë Lezhë u prezantua në ditën botërore të shëndetit mendor.

Në skenë u ngjitën 20 fëmijë dhe 10 të rritur që aktruan për fëmijët, ndërsa synohej që të promovohej mënyra e shëndetshme e të ushqyerit. Kjo pjesë duket se u kuptua edhe nga fëmijët. Ata e përjetuan bukur këtë ndjesi të parë dhe argëtuese për ta.

“Salla e mbushur me fëmijë dhe duartrokitjet e tyre tregon që kjo qendër po rikthehet në funksionin e vetë”, tha nënkryetarja e bashkisë Alfrida Marku, e pranishme në shfaqjen e premierës. Sipas saj, në skenën e kësaj qendre nuk po vijnë vetëm risi, por shfaqje që kishin munguar prej vitesh. Eksperiencë e re, e bukur dhe mjaft emocionuese.

Regjisori i shfaqjes Klodian Marku dhe skenografi Tonin Kolathanë se puna me fëmijët ishte diçka ndryshe, por që do ta bënin sërish. Ka qenë një eksperiencë e paprovuar më parë, e veçantë për mënyrën e realizuar dhe sigurisht tejet emocionuese, ndërsa shihje fëmijë që gëzojnë dhe shoqërojnë me kureshtje të gjithë shfaqjen.

Realizimi për shfaqje të tilla është i vështirë, por për përgjegjësin e qendrës kulturore të fëmijëve në Lezhë, Marcel Lacaj fakti që me gjithë vështirësitë shfaqja u realizua, tregon se kur ka vullnet gjithçka tejkalohet.

Teatri 3D në Lezhë do të nisë menjëherë përgatitjet për realizimin e një tjetër shfaqjeje në kuadër të vitit të Skënderbeut dhe gjithçka do të jetë gati në 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar. Shfaqja “Mendo për shëndetin tënd” do të vijojë të jepet edhe për fëmijët e tjerë te kopshteve në Lezhë./ KultPlus.com