Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe

Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri.

Lidhur me këtë ngjarje të shënuar, më 8 mars 1887, patrioti i shquar Thimi Marko i shkruante me gëzim Visar Dodanit në Bukuresht:

“… Msoni Visar që gjer sot dëshira t’onë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që vumë në dhet këtu e dy vjet, sot lulëzoj dhe dha pemë të ëmbla. Gëzoju se dje u hap dhe u shkruan djem mësonjëtore 35. Zot’ i jetës, o vëlla, e bekoftë dhe e shpëntë përpara për nder të të gjithëvet. Mundimet tona, Visar, dhe të luftuarit e faqezinjvet grekomanë gjer sa mbaruam këtë të shenjtëruarë punë janë aqë shumë sa nuk mund t’ua shkruanj ndë kartë”.

Edhe pse në kushte të vështira, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin lidhet me dëshirën e zjarrtë të tyre për të përhapur dijen në mesin e popullit. Rilindasit dhe patriotët shqiptarë u bënë gjithashtu nismëtarë për hartimin e teksteve të para shkollore për nxënësit shqiptarë. Ata punuan me përkushtim edhe për pajisjen e shkollës me mjetet e duhura didaktike. Nxënësit që mësuan në këtë shkollë kombëtare u edukuan me frymën e patriotizmit. Ata u bënë pasuesit e denjë të ideologjisë kombëtare dhe luftëtarë të devotshëm në luftën për liri dhe pavarësi.

Kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar. Për shkak të sundimit osman, deri në këtë periudhë, mësimdhënia kryhej në mënyrë të fshehtë. Që nga ajo ditë, 7 marsi njihet si dita e mësuesit dhe kremtohet nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen./ KultPlus.com

Ditën kur vodha orën e shokut mësuesi nuk më turpëroi, por më dha mësimin më të madh të jetës

Sot, KultPlus sjell një rrëfim tejet emocionues që tregon rëndësinë dhe vlerën e madhe të mësuesit.

Një zotëri i ri në moshë takon një të moshuar.

– A më mbani mënd?

– Jo.

– Kam qenë nxënësi juaj.

– Çfarë bëni; Me çfarë merreni?

-U bëra dhe unë mësues, ia kthen djaloshi.

-Si e sheh veten, je i mirë në punën që bën?

-E vërteta është se po. Ju më frymëzuat dhe doja t’ju ngjaj.

I çuditur zotëria i moshuar, pyet të mësojë se çfarë ishte ajo që i mbeti në mëndje dhe e frymëzoi kaq shumë saqë donte të bëhej dhe ai mësues. Dhe ish nxënësi i tij i shpjegoi historinë e mëposhtme.

-Një ditë një shok klase- që ishte dhe shoku im i ngushtë, erdhi në klasë dhe më tregoi një orë të re shumë të bukur. Nuk i rezistova dot tundimit dhe në një çast ia vodha orën. Pas pak, kuptoi se ora mungonte nga xhepi i tij dhe menjëherë lajmëroi mësuesin që jepte mësim në atë orë në klasë, dhe ishit ju.

Ju, pra, iu drejtuat klasës dhe thatë:

-Ora e një shokut tuaj të klasës u vodh gjatë mësimit. Kushdo që e ka vjedhur, i lutem ta kthej menjëherë.

-Më erdhi kaq shumë turp nga ideja e poshtërimit para klasës, saqë nuk guxova të zbulohesha. Pastaj ju mbyllët derën, na the të gjithëve të qëndrojmë në këmbë dhe se do kontrolloje të gjithë xhepat tanë derisa ta gjeje. Por vurët një kusht: se të gjithë ne duhet të lidhnim sytë për të mos parë fajtorin. Dhe kështu ndodhi. Kur arritët tek mua, e gjetët në xhepin tim dhe e morët. Por, ju vazhduat kërkimin dhe në xhepat e të tjerëve dhe kur mbaruat, na the:” tani mundeni ti hapni sytë, ora u gjend.” Nuk e zbuluat kurrë emrin tim para klasës dhe as nuk ma përmende kurrë këtë ndodhi. Prisja të më injoronit, të më poshtëronit, të më përjashtonit, por asgjë nga këto nuk ndodhi. Atë ditë shpëtuat dinjitetin tim përgjithmonë. Ajo ditë ishte dita më e turpshme e gjithë jetës time dhe me mënyrën tuaj më dhatë një mësim. E kujtuat ngjarjen z. Mësues?

-Po, duke të dëgjuar, i kujtova të gjitha. Por ekziston diçka që nuk më kujtohet dhe ajo je ti, sepse edhe unë i kisha sytë të mbyllur kur po i kontrolloja të gjithëve!!

Morali: Nëse duhet të poshtërosh dikë para syve të të gjithë shokëve të tij të klasës për ta dënuar, atëherë vetëm mësues nuk quhesh, thjesht, nuk je. Të tillë mësues kanë prekur shpirtëra dhe mbeten në zemrat dhe kujtesën e nxënësve.

Shqipëruar nga M. Sota

Foto e Robert Doisneau, L’information scolaire, Paris 1956./ KultPlus.com

7 marsi – Dita e Mësuesit, datë historike për arsimin

Dita e mësuesit është një festë, e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve. Deri në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, për të nxitur mësimdhënien e një cilësie sa më të lartë, mësuesit më të njohur shpërbleheshin me dekoratat e larta që ishin Mësues i Merituar dhe Mësues i Popullit, shkruan KultPlus.

Në mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Veç tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu që nga ajo ditë 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.

Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësishtë i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull.

Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi te madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies, për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm ne luftën për liri dhe pavarësi.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, në vitin 1994, ka përcaktuar 5 tetorin si Ditën Botërore të Mësuesit, për të përkujtuar nënshkrimin e Rekomandimit, në lidhje me Statusin e Mësuesve, miratuar nga ana e ILO/UNESCO, në Paris, më 5 tetor 1966. Po në këtë vit, sipas idesë dhe sugjerimit të UNESCO-së, pedagogu zviceran Robert Dottrens (1893 – 1984) hartoi edhe betimin solemn të mësuesit mbi bazën e betimit të Hipokratit. / KultPlus.com

7 marsi i fundit i një mësueseje, 40 vjet mes nxënësve, ‘sekreti’ i jetëgjatësisë në shkollë (VIDEO)

Kujtimet që mësuese Julika Simo ruan nga 40 vite mësimdhënie janë të panumërta.

Edhe pse vetëm pak muaj larg daljes në pension, në këtë 7 mars pasioni i mësueses së artit pamor është aq i freskët sa në ditën e saj të parë të mësimdhënies.

 “Me mbarimin e shkollës fillova të jap mësim dhe prej viteve të para të mësimdhënies e deri më sot nuk jam ndalur për asnjë çast së dhëni me shumë përkushtim për nxënësit. Kam 40 vite që kam dhënë mësim dhe në hapat e parë me shumë dashamirësi dhe për çudi nuk më ka ikur kurrë ai pasioni për nxënësit. Është viti i fundit që po jap mësim dhe të them të drejtën më vjen shumë keq se ra kjo periudhë e vështirë”, u shpreh mësuesja e vizatimit në shkollën 9-vjeçare ‘Emin Duraku’,

Përkushtimi, durimi dhe dashamirësia ndaj nxënësve për të janë çelësi i jetëgjatësisë në arsim.

“Asnjëherë nuk duhet thënë fëmijës që: “Sa keq e bëre këtë. Jo, jo fshije, grise”, u shpreh ajo më tej.

I them: ‘Shumë bukur e ke bërë, po nëse do e korrigjosh edhe pak këtë, ajo do dalë një figurë tjetër”,

Pas 40 vitesh punë në shkollën 9- vjeçare Emin Duraku në Tiranë, sot mësuese Juli ndjehet krenare për ish-nxënësit e saj, të cilëve u mësoi hapat e para të vizatimit.

 “Kam në memorien time emrat që tashmë janë bërë vërtete shumë të zotë, nëse do përmendja Gëzim Meta që është një super piktor i punimit të portretit, David Meçani, i uroj suksese se ka bërë dhe një studio të vogël dhe punon peizazhet”, tha ajo më tej.

Edhe në këtë 7 mars të fundit në mësimdhënie, nuk kishin si të mungonin lulet dhe dedikimet.

 “Nxënësit përsëri nuk harruan, dhe buqetat me lule, edhe disa punime, me atë çiltërsinë e tyre duke i dhënë prioritet shkrimit dhe ilustrimit”, u shpreh zonja Simo./euronews/ KultPlus.com

Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ua ndalon mësuesve të pranojnë dhurata për 7 dhe 8 mars

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës u është drejtuar mësimdhënësve dhe udhëheqësve të shkollave me një letër ku thuhet se mësuesve u ndalohet të pranojnë dhurata për 7 dhe 8 mars.

Komuna thotë se 7 marsi duhet të kuptohet si ditë reflektimi për mangësitë e evidentuara.

“Dita e Mësuesit duhet të kuptohet si ditë reflektimi për mangësitë e evidentuara në procesin edukativo-arsimor, por edhe si moment vlerësimi për rezultatet e arritura”, thuhet në shkresën e Komunës së Prishtinës.

Në shkresë gjithashtu thuhet se në të kaluarën mësuesit janë pajisur me dhurata të ndryshme nga nxënësit duke e ngarkuar buxhetin modest të prindërve të fëmijëve për 7 dhe 8 mars. Ndërsa sot, pranimi i dhuratave nga fëmijët është jo etike dhe e ndaluar.

“Në të kaluarën, këto dy data të rëndësishme, më shumë janë perceptuar si ditë kur mësimdhënëset e të gjitha niveleve të arsimit parauniversitar, sidomos edukatorët dhe mësueset e nivelit 0 dhe 1, janë pajisur me dhurata të ndryshme nga nxënësit, duke ngarkuar buxhetin edhe ashtu shumë modest të prindërve të fëmijëve tanë”.

“Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës fton të gjithë prindërit që mos të investojnë në dhurata të ndryshme, përveç luleve dhe paralajmëron drejtorët e shkollave se dukuria e marrjes së dhuratave nga fëmijët është jo etike dhe e ndaluar”, thuhet në shkresën e Komunës.

Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës premtoi se do të angazhohet me të gjitha potencialet për krijimin e vlerës shtesë në arsim.

“Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës, uron të gjithë mësimdhënësit e të gjitha niveleve të arsimit parauniversitar për këto dy data të shënuara dhe premton se do të angazhohet me të gjitha potencialet për krijimin e vlerës shtesë në arsim”, përfundon shkresa. / KultPlus.com