E vërteta për zanafillën e arsimit shqip

Arsimi shqip, 7 marsin e njeh si ditëlindje të veten, datë kjo që i referohet Mësonjëtores së Korçës së vitit 1887.

Por e vërteta për zanafillën e arsimit shqip, sipas shumë shpjegimeve dhe të dhënave historiografike, mund të jetë më ndryshe. Megjithatë, kjo datë ka rëndësinë e vet të madhe historike.
Studiues të ndryshëm thonë se themelet e arsimit shqip, duhet kërkuar me thellë në histori. Përshembull, studiuesi arbëresh, Francesko Altimari, në një ligjëratë që mbajti para disa vitesh në Prishtinë, kërkoi që zanafillën e arsimit shqip ta kërkojmë shumë më herët, duke përmendë këtu edhe shkollat te arbëreshët e Italisë. Ndër të tjera, ai tha se shkolla shqipe, ka më shumë se një shekull histori para shkollës së 7 marsit 1887. Nëse mendimin e Altimarit e analizojmë në përkim me historinë e zhvillimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare, ai ka plotësisht të drejtë.

Po ashtu, At Donat Kurti, në një studim të botuar në revistën “Hylli i Drites” më 1935, flet për një sërë shkollash që ekzistonin përgjatë shek. XVII në Shqipërinë Veriore, Mirditë e Shkodër.
Sidoqoftë, të dhënat historiografike tregojnë se arsimi shqip, ka kaluar nëpër peripeci e sfida të jashtëzakonshme, dhe rruga e tij, ka qenë një rrugë kalvari: e hidhur, me ndalesa, përndjekje, persekutime, arrestime dhe vrasje.
Të kujtojmë vetëm faktin trishtues: Perandoria Osmane, në krye me sulltan Abdyl Hamitin, me 1779, lëshoi një dekret, me të cilin qe ndaluar dhe penguar gjuha, kultura dhe shkollimi shqip. Histori të tilla të reprezaljes dhe terrorit ndaj arsimit shqip, kemi pasë gjatë gjithë sundimit osman, por edhe në shekullin XX, sidomos në fund të këtij shekulli, kur Serbia hegjemoniste, dëboi shqiptarët nga objektet e tyre shkollore. Kjo periudhë, ka lanë plagë të thella në Kosovë.

Sot, kur kremtojmë këtë evidencë domethënëse- për ne dhe kulturën tonë – më shumë se kurrë kemi nevojë ta rikthejmë besimin te arsimi, si e vetmja armë që mund t’ na shpie përpara, si dritë që na ndihmon ta largojmë errësirën e madhe të padijes që mbizotëron mes nesh. Ashtu siç vepronin pishtarët e arsimit shqip, në Shkodër, Korçë, Stubëll, e gjetiu hapësirave shqiptare.

Pa dyshim, ne kemi nevojë për një shkollë të re të jetës- një shkollë të dashurisë dhe të kulturës së respektit për shtetin e kombin, për vlerat dhe civilizimin. Dhe, këtë, më së miri e ngjizim në shkollë. Te nxënësit. Me libra të mirë dhe kulturë jete e dashurie. Duhet të jemi të vetëdijshëm: pa arsimin të shëndoshë, nuk ka shoqërisë të shëndoshë. Sepse, arsimi është fizionomia e një vendi, dhe, burimi themelor prej ku formohet shoqëria humane. Prandaj, duhet të këndellemi, por pa e luajtë rolin e qaramanëve dhe as të atyre që bëjnë shfajësime banale.

Degradimi i arsimit, në kushte te sotme, kur jemi të lirë plotësisht, është përgjegjësi vetëm e jona, dhe për këtë, do t’na gjykojë historia. Për çdo ditë, duhet të mendojmë te parimi i mirënjohur: çka të mbjellim sot, korrim nesër. Unë, sot dhe përgjithmonë, ndihem krenar që i përkas Stubllës, vendit ku u legalizua Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë, e vitit 1905; shkollë kjo që, sipas shumë të dhënave dhe dëshmive, ka ekzistuar edhe më parë.

Si fëmijë dhe i ri, jam rritë me rrëfime të shumta për këtë shkollë dhe historinë e saj. Dhe, këto rrëfime, secili në mënyrën e vet, kanë ngjallë në mua ndjenja krenarie e përgjegjësie, dhe kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë në formimin tim.

/Marrë nga Ndue Ukaj /KultPlus.com

Korça

Hapja e shkollës së parë shqipe, ishte një ngjarje dhe një fitore e madhe për gjithë lëvizjen kombëtare, të cilës edhe Naim Frashëri i ka shkruar.

Korça

O vëllezër shqipëtarë,
Gëzohi që erth kjo ditë
Kaq’ e mir’e kaq’e mbarë,
Që sjell gjithë mirësitë!

Kjo është një dit’e rezë,
Që bie vëllazërinë
E dëbon jetën e zezë
Dhe ndarjen e marrëzinë.

Ta lusimë këtë ditë,
Q’e bekoi zot’i vërtetë
Dh’e dërgoi me shumë dritë,
T’i mbes’emëri përjetë.

Sot e vumë gurr’e parë,
Sa’sht’e bekuar kjo ditë!
Zot’i math e pruftë mbarë
E na dhëntë urtësinë!

Hapu, hapu, errësirë!
Pa jakë tëhu, o dritë!
Se arriti koh’e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë.

Sot niset një tjatrë jetë,
Të rremenë posht’e shtije,
Mbretëron fjal’e vërtetë,
Dhe të mirat gjith’i bije.

Zot’i math qoft’i lëvduar,
Q’e nxjer në shesht të vërtetën,
Se ajo sij ka buruar,
Pa e ndritur jetën.

Lumja ti, moj korç’o lule,
Q’i le pas shoqet’ e tua!
Si trimi në ball’u sule,
Ta paçim përjetë hua!

Kushdo që është sot burrë
Dhe shqipëtar i vërtetë,
Emëri s’i shuhet kurrë
Dhe nderi i rron përjetë.

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmblë, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!

Kjo ‘shtë mëm’ e mirësisë,
Që bije qytetërinë,
Gasthin e vëllazërisë,
Njerëzin’ e miqësinë.

S’jemi grekër as bullgarë,
Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Në kët’emër nderr’e kemi.

Ky emr’ është shum’ i mirë,
Se më s’jemi të gënjyer,
Nukë jemi n’errësirë,
E njohëmë gjën’ e vjyer.

Perëndia na e lëntë
Përjetë ta trashëgojmë,
Edhe kurrë mos e dhëntë
Ta humbim e ta harrojmë!

Të lemë mëmënë tënë
E të marimë një shtrigë!
Zoti mos e pastë thënë!
Pun’e keq’e shum’e ligë.

O, sa qenë të gënjyer
Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,
Punuanë fare kotë.

Pa mejtoni, o të gjorë,
Efialtin, Pafsaninë,
Që u bënë trathëtorë
Dh’e gjenë më perëndinë.

Nga gjithë ç’kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.

Se njerëstë gjithë vdesin,
Po jeta s’mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.

Me zëmërë të gëzuar
Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt’ e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:

Rroft’ e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë. / KultPlus.com

‘Kush hap një shkollë, mbyll një burg’

Sot shënohet 133 vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipe, e cila u hap në vitin 1887 në Korçë, në periudhën e fundit të Perandorisë Osmane, shkruan KultPlus.

Arsimi është arma më e fuqishme dhe e vetmja rrugë drejt zhvillimit të shoqërisë

Sot për nder të ditës së mësuesit, KultPlus ju sjell thënien e njohur të shkrimtarit të njohur francez, Viktor Hygo.

‘Kush hap një shkollë, mbyll një burg’ / KultPlus.com

Festa e mësuesit dhe historia e saj

Sot festohet “Dita e Mësuesit”, që na përkujton ditën kur më 7 mars 1887, u hap në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit, Mësonjëtorja kombëtare shqipe. Ajo ishte shkollë me karakter kombëtar e laik ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami. Në këtë ditë në të gjithë së bashku kujtojmë mësuesit tanë të parë që na mësuan shkronjat shqipe, na mësuan se si ta duam dhe ta respektojmë atdheun.

Na mësuan poezitë e bukura të autorëve tonë të mrekullushëm që çdo fjalë e varg i saj të mbetet e të ngulitet thellë në mendjet tona. Me aq dashuri e respekt janë sjellë me ne për të na mësuar e kritikuar me atë metodën dashamirëse kur ne bënim gabime. Mësimet e mësuesve tonë u bënë udhërrëfyes për rrugën tonë në të ardhmen. Ato mësime na ndjekin edhe sot që kemi dalë në jetën tonë të pavarur. Le t’ua dedikojmë suksesin tonë në jetë mësuesve tanë.

Mësuesit shqiptare në çdo kohë e në çdo krahinë, kanë qenë jo thjeshtë profesionistë të arsimit, por në radhë të parë ishin patriotë dhe njerëz të emancipuar, agjitatorë të shqiptarizmës dhe idealistë, humanë dhe artistë të fushave të ndryshme. Cdo njëri nga ne ka në zemër monumentin e mësuesit të tij të preferuar, të cilit i falet me mirënjohje. Pra çdo njeri pavarësisht se çfarë detyre ka sot, qoftë ky ministër apo politikan , biznesmen apo punëtor, ka qenë dikur nxënës, ka pasur përballë mësuesin, mësuesen që s’kursente kohën, frymën, pasionin, jetën, për të brumosur vogëlushët me dije, me kulturë dhe edukatë. /KultPlus.com

7 Marsi, Dita e Mësuesit

Dita e mësuesit është një festë, e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve. Deri në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, për të nxitur mësimdhënien e një cilësie sa më të lartë, mësuesit më të njohur shpërbleheshin me dekoratat e larta që ishin Mësues i Merituar dhe Mësues i Popullit.

Më mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Veç tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu që nga ajo ditë 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.

Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësishtë i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull. Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi te madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies, për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm ne luftën për liri dhe pavarësi.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, në vitin 1994, ka përcaktuar 5 tetorin si Ditën Botërore të Mësuesit, për të përkujtuar nënshkrimin e Rekomandimit, në lidhje me Statusin e Mësuesve, miratuar nga ana e ILO/UNESCO, në Paris, më 5 tetor 1966. Po në këtë vit, sipas idesë dhe sugjerimit të UNESCO-së, pedagogu zviceran Robert Dottrens (1893 – 1984) hartoi edhe betimin solemn të mësuesit mbi bazën e betimit të Hipokratit. / KultPlus.com

Mësuesja

Poezi e shkruar nga Adelina Mamaqi.

Dhe sot ia dëgjoj zërin e ëmbël,
Dhe sot ia vështroj sytë zjarr.
E desha, o miq, me gjithë zemër,
Mësuesen e klasës së parë.

Ajo më mësoi si të shkruaj
Dy emrat: Atdhe e Nënë,
Këshillat, qortimet e saj,
Ç’mbresa n’shpirt m’kanë lënë!

Një tufë me vjollca e lila
Gjithmonë ia vë mbi varr,
N’zemër me zgjohet dëshira
Ta kem at’ pranë Si më parë.

Ajo zë e flet sërish me mua
Ashtu si kur isha fëmijë!
Në gjirin e kohës së shkuar
Kthehem me mall përsëri.

Dhe dorën që dridhej nga pak
Ndër flokë sërish e ndiej,
Endërrimet e mia miturake
Në sytë e saj prapë i gjej.

Ah, ç’gaz kur dëgjoj zën’ e ëmbël,
Këshillat e saj kur kujtoj!
E desha, o miq, me gjithë zemër
Dhe s’mundem askurr’ ta harroj.