Artpolis shënon 8 Marsin me mbrëmjen e poezisë ‘Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars’

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis organizon Mbrëmjen e poezisë “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars” për të shënuar 8 Marsin-Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Mbrëmja e poezisë“Poezi për Fuqi – çdo ditë është 8 mars”, me datë 08.03.2020, në Teatrin Kombëtar, në Prishtinë prej orës 19:00.

Poete/ë, aktiviste/ë, artiste/ë e të gjithë adhurueset/it e fjalës së shkruar, artit e muzikës, janë të ftuar për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas që nën tingujt e muzikës të lexojmë dhe t’ia dedikojmë grave vargjet më të bukura fuqizuese të poeteve dhe poetëve të shquar.
Performueset/it në këtë mbrëmje janë:Poetet/i – Arbër Selmani, Flutura Açka, Ilire Zajmi.

Aktivistet: Jehonë Jahaj, Zhaklin Lekatari.

Artistet/ët – Melihate Qena, Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Ismail Kasumi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Qëndresa Kajtazi , Zhaneta Xhemajli.

Pianisiti: Alzan Gashi.

Moderohet nga Zana Hoxha.Linkun e ngjarjes: https://bit.ly/2NVSmtA

Ky aktivitet implementohet nga Artpolis dhe mbështetet nga UNFPA Kosovo dhe cfd– Zvicër. / KultPlus.com

“MARShojmë S’festojmë” këtë vit me përmasa më të mëdha

Suada Qorraj

Tashmë janë bërë më shumë se pesë vite prej kur ‘MARShojmë S’festojmë’, çdo tetë mars, bëjnë thirrje për të drejtat e grave dhe vajzave, duke shënuar kështu Ditën Ndërkombëtare të Grave. Ndonëse në kohë pandemie, ‘MARShojmë S’festojmë’, këtë vit do të jehojë zërin e vet në të gjitha komunat e Kosovës, kurse marshin kryesor do ta ketë në sheshet e kryeqytetit, shkruan KultPlus.

‘MARShojmë s’festojmë kundër patriarkatit që vret’, është një nga thirrjet kryesore të marshit të sivjetmë. E një ndër arsyet më të mëdha që nxiti një thirrje të tillë ishte rritja e rasteve të dhunës dhe grave të vrara që nga fillimi i pandemisë, duke e bërë kështu edhe shtëpinë një vend të pasigurtë. Por, thirrja e këtij marshi nuk kufizohet vetëm në dhunën e vitit të fundit, ngase revolta, pakënaqësia kundrejt sistemit familjar, e atij të drejtësisë ka filluar që në kohën kur gratë vriteshin veç pse ishin gra.

Në një intervistë për KultPlus aktivistja e kolektivit të ‘MARShojmë S’festojmë’, Fjolla Muçaj ka thënë se pikërisht pandemia ishte ajo që zgjoi dhe një herë frikën dhe pasigurinë e grave në shtëpinë e tyre, prandaj dhe fokusi i këtij marshi do të jetë pikërisht mendësia e patriarkatit që vret.

“Këtë vit do të jetë temë vetëm kundër patriarkatit, sepse që nga fillimi i pandemisë në Kosovës është rritur numri i vrasjeve. Dhe me rritjen e numrit të vrasjeve krijohet një situatë e atillë ku dhe shtëpia ngjallë një frikë dhe pasiguri për jetën. Pikërisht për këtë marshi do të zgjerohet edhe në komunat e tjera”, pohoi Muçaj.

Tutje ajo ka shtuar se organizimi edhe në komunat e tjera është i rëndësishëm pikërisht për faktin që të shihet edhe nga njerëzit e tjerë, e të përjetohet edhe në vendet e tjera, njëlloj sikurse në kryeqytetin e vendit.

Madje Muçaj thotë se kësaj nisme është e rëndësishme ti bashkohen të gjithë qytetarët, burra, gra e të rijnë në mënyrë që të gjithë të kuptojnë se sa e rëndësishme është jeta e tjetrit.

‘Patriarkati vret’, ‘Poshtë patriarkati’, ‘Vrasja e grave është politike’, ’ Edhe sa jetë të humbura?’, janë vetëm disa nga thirrjet e shumta që do të marrin zë marsin e këtij viti, pikërisht me vendosjen e çarçafëve në ballkonet e shtëpive e zyreve tona.

Krejt në fund aktivistja nga Deçani ndonëse në një komunë të vogël siç është edhe vendi prej nga ajo vjen, shpreson se një nismë e tillë, do të mirëpritet, e përkrahet nga njerëz të shumtë, edhe pse ende ekziston një mendësi e atillë kolektive ku lufta kundrejt patriarkatit, dhunës ndaj grave, por edhe të drejtave të barabarta duhet të heshtet.

Marshi do mbahet në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, në kryeqytetin e vendit me fillim ne orën 12:00. Ndërkaq po në të njëjtën orë thirrja ‘Patriarkati vret’, do te jetë e pranishme në tërë Kosovën./ KultPlus.com

Iniciativa ‘Marshojmë s’festojmë’ këtë vit kujton vajzat dhe gratë e vrara

Iniciativa “Marshojmë s’festojmë” do të vazhdoj edhe këtë vit aktivitetet për përçim të mesazhit në Ditën e Gruas, shkruan KultPlus.

Nën moton e sivjetme “Marshojmë kundër patriarkatit që vret”, do të kujtohen viktimat vajza dhe gra.

“Edhe ky 8 mars na gjen të revoltuara ndaj sistemeve shtypëse që kanë mundësuar përshkallëzimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave gjatë viteve të fundit. Do të dalim nga shtëpitë, universitetet, shkollat, dhomat e gjumit, fabrikat, zyret, spitalet e do të qëndrojmë të bashkuara kundrejt patriarkatit që vret”, thuhet në njoftim.

Tutje, organizatorët theksojnë se edhe organizimi i këtij viti është një rezistencë në vete për patriarkatin, që sipas tyre, vazhdon t’ua marrë jetën grave në Kosovë.

Në anën tjetër, ata kanë bërë thirrje për t’u bashkuar në marshin e 8 Marsit duke filluar nga ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, teksa është menduar edhe një formë tjetër e ‘protestimit’.

“Ata/o që thirrjes duan t’i bashkohen nga shtëpitë, i ftojmë që në ballkonet e tyre të vendosin mbishkrime në çarçafë ku përshkruajnë luftën e tyre kundër shtypjes që ndodhë brenda dhe jashtë shtëpive”, bëjnë thirrje organizatorët.

“Marshojmë s’festojmë” tanimë është kthyer një revoltë për mbrojtje të të drejtave të grave, në ditën kur festohet dita e tyre. / KultPlus.com

Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ua ndalon mësuesve të pranojnë dhurata për 7 dhe 8 mars

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës u është drejtuar mësimdhënësve dhe udhëheqësve të shkollave me një letër ku thuhet se mësuesve u ndalohet të pranojnë dhurata për 7 dhe 8 mars.

Komuna thotë se 7 marsi duhet të kuptohet si ditë reflektimi për mangësitë e evidentuara.

“Dita e Mësuesit duhet të kuptohet si ditë reflektimi për mangësitë e evidentuara në procesin edukativo-arsimor, por edhe si moment vlerësimi për rezultatet e arritura”, thuhet në shkresën e Komunës së Prishtinës.

Në shkresë gjithashtu thuhet se në të kaluarën mësuesit janë pajisur me dhurata të ndryshme nga nxënësit duke e ngarkuar buxhetin modest të prindërve të fëmijëve për 7 dhe 8 mars. Ndërsa sot, pranimi i dhuratave nga fëmijët është jo etike dhe e ndaluar.

“Në të kaluarën, këto dy data të rëndësishme, më shumë janë perceptuar si ditë kur mësimdhënëset e të gjitha niveleve të arsimit parauniversitar, sidomos edukatorët dhe mësueset e nivelit 0 dhe 1, janë pajisur me dhurata të ndryshme nga nxënësit, duke ngarkuar buxhetin edhe ashtu shumë modest të prindërve të fëmijëve tanë”.

“Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës fton të gjithë prindërit që mos të investojnë në dhurata të ndryshme, përveç luleve dhe paralajmëron drejtorët e shkollave se dukuria e marrjes së dhuratave nga fëmijët është jo etike dhe e ndaluar”, thuhet në shkresën e Komunës.

Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës premtoi se do të angazhohet me të gjitha potencialet për krijimin e vlerës shtesë në arsim.

“Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës, uron të gjithë mësimdhënësit e të gjitha niveleve të arsimit parauniversitar për këto dy data të shënuara dhe premton se do të angazhohet me të gjitha potencialet për krijimin e vlerës shtesë në arsim”, përfundon shkresa. / KultPlus.com