SHBA: Po vazhdojmë t’i verifikojmë afganët e strehuar në Kosovë

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Ned Price, tha se autoritetet amerikane po vazhdojnë verifikimin e afganëve përkohësisht të strehuar në Kosovë, para se t’u lejohet vendosja në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë vend të tretë.

Ai i bëri këto komente në takimin e rregullt me gazetarë i pyetur rreth statusit të qytetarëve afganë që janë të strehuar në Kosovë.

“Si pjesë e procesit të vazhdueshëm të verifikimit”, tha ai “disa nga ata, rastet e të cilëve kishin nevojë për përpunim shtesë, janë zhvendosur në kampin Liya, që ndodhet në kampin Bondsteel në Kosovë, ku ekipet ndërinstitucionale atje po punojnë për të përfunduar verifikimin për pranimin e tyre në Shtetet e Bashkuara, ose për rivendosjen në një vend të tretë”.

Mbi një mijë e 300 shtetas afganë u strehuan në Kosovë që nga fundi i muajit gusht, si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna në Afganistan. shumica e tyre janë gra, fëmijë e pleq, familjarë të kontraktorëve që kanë punuar me koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan.

Price ritheksoi mirënjohjen për qeverinë e Kosovës ndërsa nënvizoi se po bëhen të gjitha përpjekjet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të rehatshëm në kampin e trupave amerikane Bondsteel, ku janë vendosur të strehuarit, ndërkohë që po vazhdon verifikimi i tyre.

Gati gjysma e të strehuarve në Kosovë janë larguar ndërkohë, me katër fluturime në periudha të ndryshme drejt Shteteve të Bashkuara. / KultPlus.com

Nis largimi i afganëve nga Kosova

Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, të enjten pritet të largohen rreth 117 shtetas afganë, të cilët ditë më parë ishin strehuar në Kosovë, merr vesh Radio Evropa e Lirë nga burimet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Destinacioni i grupit të parë që pritet të largohet thuhet të jetë Britania e Madhe.

Ky grup që po largohet, deri më tash ishte i strehuar në kampin Bechtel-Enka në Ferizaj. Në këtë kamp ishin të strehuar shtetas që kanë punuar me forcat e NATO-s në Afganistan.

Këta shtetas afganë erdhën në Kosovë pasi nuk ishin të sigurt më në Afganistan, kur vendi ra në duart e talibanëve.

Në Kosovë, deri të hënën në mesditë, kanë arritur 971 refugjatë afganë.

Në kampin Bechtel-Eenka në Ferizaj ishin të vendosur rreth 810 refugjatë, kurse 161 në kampin amerikan Bondsteel, po ashtu në Ferizaj.

Më herët, autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se do të strehojnë rreth2,000 shtetas afganë të cilët kanë punuar me Shtetet e Bashkuara dhe me shtetet anëtare të NATO-s.

Sipas ligjeve në fuqi, Kosova u ka dhënë qëndrim të përkohshëm deri në një vit.

Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku afganët që po gjejnë strehim atje janë të lirë të lëvizin jashtë hapësirave ku ata janë të vendosur, për afganët që strehohen në Kosovë ka masa më të rrepta të sigurisë./KultPlus.com

Sërish protesta në Afganistan, burrat dhe gratë sfidojnë urdhrin e talibanëve

S’kanë të ndalur protestat në Afganistan. Qytetarët dolën në rrugë në zona të ndryshme të vendit në kërkim të më shumë lirive dhe për respektimin e të drejtave të njeriut, duke sfiduar kështu urdhrin e talibanëve për të qëndruar në shtëpi dhe në heshtje.

Shumë protestues u grumbulluan pranë ambasadës së Pakistanit në Kabul dhe militantët qëlluan në ajër për t’i frikësuar dhe shpërndarë ata. Skena të ngjashme u raportuan në provincën Parwan dhe atë Nimruz. Ka pasur edhe raportime për dhunë të tepruar, kryesisht ndaj dy gazetarëve që po mbulonin protestën e grave pranë një stacioni policie.

Talibanët kanë ndaluar manifestimet që nuk janë të autorizuara nga Ministria e Drejtësisë. Në protestat e fundit, afganët thërrisnin dhe kishin slogane të tilla si “ne kërkojmë liri”, “armët nuk na e mbyllin gojën” dhe “vdekje Pakistanit dhe Amerikës”.

Në zona të ndryshme pati edhe manifestime nga vetëm gratë që kundërshtojnë qeverinë e re të talibanëve të përbërë nga vetëm burrat. Gjithashtu kërkojnë një rol në ekzekutivin e ri, vende pune, edukim dhe liri për të dalë jashtë shtëpisë pa nevojën e shoqërimit nga një burrë.

Ndërkohë, në Herat, një video e siguruar nga CNN shfaq talibanët teksa bëjnë një paradë me automjete ushtarake. Ato besohet se janë përdorur më përpara nga forcat afgane dhe dhuruar nga ushtritë ndërkombëtare. / KultPlus.com

Grupi i parë i afganëve pritet të mbërrijë në Kosovë të dielën

Grupi i qytetarëve afganë që do të strehohen përkohësisht në Kosovë pritet të mbërrijë të dielën rreth orës 19:00 në Aeroportin e Prishtinës.

Zëri i Amerikës ka mësuar se bëhet fjalë për pak më shumë se 100 persona, që kanë punuar si kontraktorë të NATO’s të cilët do të jenë së bashku me familjet e tyre.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur ndonjë informatë shtesë për vendstrehimin e tyre por kanë bërë të ditur se do të strehojnë rreth 2 mijë qytetarë afganë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën “për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Viza të Veçanta Imigruese (SIV) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”.

Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Kosova dhe Shqipëria që të pranojnë një numër afganësh që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët ndjehen të frikësuar nga hakmarrja e talibanëve, që morën nën kontroll vendin pas tërheqjes së trupave të huaja. / KultPlus.com