ShBA-të përfshihen nga stuhi vdekjeprurëse dimri

Një stuhi e acartë ka lënë të paktën tetë persona të vdekur në jug të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka lënë mbi 500,000 njerëz pa energji elektrike në Teksas, Arkansas, Tenesi dhe Misisipi.

Stuhia ka detyruar linjat ajrore amerikane të anulojnë mijëra fluturime, me mbi 700 anulime vetëm të enjten, duke prekur më së shumti aeroportet në Dallas dhe Austin.

Ekuipazhet e urgjencës në Teksas i janë përgjigjur qindra thirrjeve për përplasje të makinave, disa prej të cilave kanë qenë fatale. Departamentet lokale të policisë u kanë kërkuar shoferëve të ngasin me kujdes në rrugët e akullta.

Shërbimet meteorologjike kanë paralajmëruar se udhëtimi rrugor mbetet i rrezikshëm në rajonin nga Teksasi në Tenesi dhe se dëmtimi i pemëve dhe ndërprerjet e mëtejshme të energjisë janë të mundshme përpara se akulli të fillojë të shkrihet.

Një stuhi dimri pritet të godasë edhe verilindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, stuhia e ftohtë mund të shkaktojë ngrirje në vetëm dhjetë minuta.

Banorët nga Pensilvania në Maine janë këshilluar të kufizojnë kohën e tyre jashtë shtëpive, nga e premtja deri të shtunën.

Bostoni është nën një emergjencë të të ftohtit dhe banorëve u është kërkuar të marrin masa paraprake.

Qytetet e mëdha si qyteti i Nju Jorkut pritet të përjetojnë temperatura të ulëta deri të shtunën, por parashikohet të rimëkëmben deri në fundjavë./REL/ KultPlus.com

SHBA: Po vazhdojmë t’i verifikojmë afganët e strehuar në Kosovë

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Ned Price, tha se autoritetet amerikane po vazhdojnë verifikimin e afganëve përkohësisht të strehuar në Kosovë, para se t’u lejohet vendosja në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë vend të tretë.

Ai i bëri këto komente në takimin e rregullt me gazetarë i pyetur rreth statusit të qytetarëve afganë që janë të strehuar në Kosovë.

“Si pjesë e procesit të vazhdueshëm të verifikimit”, tha ai “disa nga ata, rastet e të cilëve kishin nevojë për përpunim shtesë, janë zhvendosur në kampin Liya, që ndodhet në kampin Bondsteel në Kosovë, ku ekipet ndërinstitucionale atje po punojnë për të përfunduar verifikimin për pranimin e tyre në Shtetet e Bashkuara, ose për rivendosjen në një vend të tretë”.

Mbi një mijë e 300 shtetas afganë u strehuan në Kosovë që nga fundi i muajit gusht, si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna në Afganistan. shumica e tyre janë gra, fëmijë e pleq, familjarë të kontraktorëve që kanë punuar me koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan.

Price ritheksoi mirënjohjen për qeverinë e Kosovës ndërsa nënvizoi se po bëhen të gjitha përpjekjet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të rehatshëm në kampin e trupave amerikane Bondsteel, ku janë vendosur të strehuarit, ndërkohë që po vazhdon verifikimi i tyre.

Gati gjysma e të strehuarve në Kosovë janë larguar ndërkohë, me katër fluturime në periudha të ndryshme drejt Shteteve të Bashkuara. / KultPlus.com

SHBA-ja ia siguron Kosovës 2.5 milionë dollarë shtesë si ndihmë urgjente kundër COVID-19

Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), paralajmëruan ndihmë urgjente për Kosovën në vlerë prej 2.5 milionë dollarë amerikanë kundër COVID-19.

Përmes një njoftimi për media, nga USAID-i thuhet se kjo ndihmë do të sigurojë mbështetje gjithëpërfshirëse në realizimin e vaksinimit kundër COVID-19, duke ndihmuar përpjekjet për të promovuar pranueshmërinë dhe qasshmërinë e vaksinave të sigurta COVID-19 te të gjitha popullatat e kualifikueshme për t’u vaksinuar dhe do të forcojë sistemin shëndetësor në tërësi, duke përfshirë zëvendësimin e sistemit të zinxhirit të ftohtë.

“Kjo ndihmë është një donacion zemërgjerë nga populli amerikan për popullin e Kosovës. Nuk janë vaksinat si të tilla ato që do të ndalojnë virusin, por është vaksinimi me to. Prandaj, vendosni maskat, përvilni mëngët dhe bëni atë që duhet bërë për të siguruar se si ju vetë, ashtu edhe të dashurit tuaj të jeni të mbrojtur. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të luftuar këtë virus tinëzar së bashku me partnerët tanë, që do të thotë me ju. Bashkërisht, ne mund të luftojmë këtë virus dhe të ndalojmë përhapjen e COVID-19”, tha drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi.

Njoftimi i plotë:

Sot, Shtetet e Bashkuara — përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) — paralajmëruan ndihmë urgjente Kosovës në vlerë prej 2.5 milion dollarë amerikan për COVID-19. Kjo ndihmë do të sigurojë mbështetje gjithpërfshirëse në realizimin e vaksinimit kundër COVID-19, duke ndihmuar përpjekjet për të promovuar pranueshmërinë dhe qasshmërinë e vaksinave të sigurta COVID-19 tek të gjitha popullatat e kualifikueshme për t’u vaksinuar, dhe do të forcojë sistemin shëndetësor në tërësi duke përfshirë zëvendësimin e sistemit të zinxhirit të ftohtë.

“Kjo ndihmë është një donacion zemërgjërë nga populli amerikan për popullin e Kosovës. Nuk janë vaksinat si të tilla ato që do të ndalojnë virusin, por është vaksinimi me to. Prandaj, vendosni maskat, përvilni mëngët dhe bëni atë që duhet bërë për të siguruar se si ju vetë ashtu edhe të dashurit tuaj të jeni të mbrojtur. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të luftuar këtë virus tinëzar së bashku me partnerët tanë — që do të thotë me ju. Bashkërisht, ne mund të luftojmë këtë virus dhe të ndalojmë përhapjen e COVID-19,” tha Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi.

Kjo ndihmë shtesë, e cila do të implementohet përmes UNICEF-it, ndërton mbi bazën e më shumë se 2.6 milion dollarë amerikan ndihmë për COVID-19 dhuruar Kosovës përmes USAID-it gjatë pandemisë. Që kur Kosova konfirmoi rastin e saj të parë me COVID-19, USAID-i ka punuar me punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë dhe komunitetet për të ngadalësuar përhapjen, për t’u kujdesur për të prekurit dhe siguruar pajisjet e nevojshme për të luftuar COVID-19. Vitin e kaluar, USAID-i shpërndau 249 komplete higjienike në qendrat shëndetësore; 7,750 komplete higjienike për familjet dhe 2,400 pako higjienike për nënat dhe foshnjat në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Me fillimin e vitit shkollor, USAID-i gjithashtu u dhuroi komplete higjienike 660 shkollave fillore dhe të mesme.

Krahas kësaj, Shtetet e Bashkuara dhuruan 50 respiratorë fare të rinj dhe të papërdorur si pjesë e një pakoje mbështetëse që përfshinte pajisje shoqëruese të respiratorëve, instalimin, garancitë, planet e servisimit dhe uebinare online. Shtetet e Bashkuara dërguan pajisje laboratorike të testimit dhe skanerë termik për vendosje në terminalet hyrëse të vendkalimeve kufitare të Kosovës, përfshirë aeroportin e Prishtinës dhe katër vendkalime kufitare tokësore. Rishtazi, USAID-i paralajmëroi një partneritet në vlerë prej 1 milion dollarësh amerikan me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen në informim publik në Kosovë lidhur me parandalimin dhe vaksinimin kundër COVID-19, dhe në emër të Qeverisë së SHBA-së lehtësoi shpërndarjen e 538,200 dozave të vaksinës Pfizer.

Qeveria e SHBA-së, parësisht përmes USAID-it, ka investuar mbi 10 milion dollarë amerikan në ndihmë shëndetësore Kosovës gjatë 20 viteve të kaluara. Këto përpjekje ndërtojnë mbi bazën e dekadave të punës jetëshpëtuese dhe lidershipit amerikan në ballafaqimin me krizat shëndetësore globale.

Sëmundjet nuk njohin kufinj. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që të punojnë në partneritet me Kosovën për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19, zbutur pasojat e saj shkatërrimtare sociale dhe ekonomike, dhe rindërtuar një botë edhe më të përgatitur ndaj shpërthimeve të sëmundjeve në të ardhmen. / KultPlus.com

SHBA-ja rihap kufijtë për udhëtarët e vaksinuar

Shtetet e Bashkuara kanë rihapur kufijtë për vizitorët e huaj duke i dhënë fund një ndalimi 20-mujor të hyrjes për shkak të pandemisë së COVID-19.

Ndalimi u vendos nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

Masa kishte prekur qytetarët jo-amerikanë nga mbi 30 vende, duke përfshirë Britaninë e Madhe dhe shtetet e Bashkimit Evropian.

Shumë familje ishin ndarë dhe turizmi ishte bllokuar.

Tani, linjat ajrore po presin të ketë një vërshim nga vizitorët pasi kufizimet janë hequr për ata që janë plotësisht të vaksinuar dhe i nënshtrohen testimit dhe gjurmimit të kontakteve.

Në përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, kufijtë e SHBA fillimisht u mbyllën për udhëtarët nga Kina në fillim të vitit 2020.

Kufizimet më pas u shtrinë në vende të tjera.

Sipas rregullave të reja, udhëtarët e huaj do të duhet të tregojnë prova të vaksinimit përpara se të fluturojnë, të marrin një rezultat negativ të testit COVID-19 brenda tre ditëve nga udhëtimi dhe të dorëzojnë informacionin e tyre të kontakteve. Ata nuk do të duhet të hyjnë në karantinë.

Bashkimi Evropian rekomandoi lejimin e hyrjes së udhëtarëve amerikanë në muajin qershor, ndërsa vizitorët nga SHBA-ja kanë qenë në gjendje të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar që nga 28 korriku. / KultPlus.com