Prindërit e Ajnshtajnit supozonin se ai mund të ishte me nevoja të veçanta, më vonë u shfaq si gjeni

Kur Ajnshtajni lindi në 14 Mars 1879, prindërit e tij kishin frikë se ai mund të ishte me nevoja të veçanta sepse koka e tij ishte shumë e madhe. 

Mjeku i tyre nuk ishte i shqetësuar dhe brenda disa javësh, koka e Ajnshtajnit u formua normalisht. 

Më vonë, prindërit e Ajnshtajnit menduan se ai mund të ishte i vonuar sepse nuk foli derisa ishte katër vjeç. 

Ai e theu heshtjen një natë në darkë duke thënë: “Supa është shumë e nxehtë”. Kur prindërit e tij e pyetën pse nuk kishte folur më parë, i riu Ajnshtajn u përgjigj: “Sepse deri tani gjithçka ishte në rregull”.

Në fotografi është Ajnshtajni me motrën e tij të vogel Maria. /KultPlus.com

Bisedë ndërmjet Rabindranath Tagore dhe Albert Ajnshtajn, dialogu që hyri në historinë e mendimit

Më 14 korrik 1930, Albert Ajnshtajn mirëpriti në shtëpinë e tij në periferi të Berlinit filozofin, muzikantin Indian dhe laureatin e Nobelit, Rabindranath Tagore. Dy mendjet gjeniale patën një nga bisedat më stimuluese intelektuale, të kthyera në etapë kulmore të historisë së mendimit, duke eksploruar fërkimin e mendësive dhe moshës, shkencës dhe fesë.

Pjesa e mëposhtme, shkëputur nga një prej bisedave të Albert Ajnshtajn dhe Tagores, vallëzon midis përkufizimeve të ekzaminuara më parë të shkencës, bukurisë, vetëdijes dhe filozofisë, në një meditim mjeshtëror për pyetjet më themelore të ekzistencës njerëzore.
Ja se si fjala e shndërron bisedën në një ngjarje, mendimi i drituar e përshkon terrin e pamundësisë për ta zotëruar mosnjohjen, me një forcë të tillë sovrane sa t’i kërkojë njeriut besim për të kërkuar një rol të privilegjuar në këtë skenë spektakolare mahnitjesh dhe shastisjesh.

BASHKËBISEDIMI
TAGORA: Sot po bisedoja me Dr Mendel ne lidhje me zbulimet e reja ne matematike sipas te cilave ne boten e madhesive pambarimisht te vogla sjellja e atomeve i bindet rastesise; me sa duket drama e egzistences nuk eshte aspak e paracaktuar ne karakter.
AJNSHTAJN: Faktet qe e bejne shkencen te tentoje ndaj kesaj pikpamjeje nuk do te thote t’i leme lamtumiren parimit te shkakesise.
TAGORA: Ndoshta jo, megjithate duket sikur ideja e shkakesise nuk eshte ne grimcat elementare por qe disa forca te tjera ndertojne me keto grimca nje gjithesi te organizuar
AJNSHTAJN: Duhet perpjekur te kuptohet rregulli ne nje plan me te larte. Rregulli eshte atje ku elementet e medha kombinohen dhe drejtojne egzistencen, por ne grimcat shume te vogla ky rregull nuk eshte i perceptueshem.
TAGORA: Keshtu pra dualiteti eshte ne thelb te egzistences, dmth eshte kontradikta e impulsit te lire dhe vullnetit drejtues qe realizon nje skeme te rregullt te sendeve.
AJNSHTAJN: Fizika moderne nuk do t’i quante qe jane kontradiktore.Rete kur shihen nga larg duken si nje objekt i vetem por kur i vrojton nga afer ato shfaqen si nje grumbull i crregullt pikash uji.
TAGORA: Une i gjej kesaj nje paralele ne psikologjine njerezore. Pasionet dhe deshirat tona jane te crregullta, por karakteri yne i nenshtron keto elemente ne nje te tere te harmonishme.A ka dicka te ngjashme me kete ne boten fizike? A nuk jane grimcat e vogla rebele,dinamike me nje impuls individual? Dhe a ka nje parim ne boten fizike qe i nenshtron ato duke i vendosur nen nje organizim te rregullt?
AJNSHTAJN: Edhe vete grimcat elementare nuk jane pa nje rregull statistikor; grimcat e radiumit do te ruajne nje rregull specifik te tyren, tani dhe pergjithmone ne te ardhmen ashtu sic ka qene vazhdimisht deri me sot. Ka pra nje rregull statistikor per grimcat elementare.
TAGORA: Perndryshe drama e egzistences do te ishte mjaft e paqellimte. Eshte harmonia e vazhdueshme e rastesise dhe percaktueshmerise e cila e ben ate perjetesisht te re dhe jetesore.
AJNSHTAJN: Une besoj se cfaredo qe behet me ne ose bejme ka shkakesine e vet; eshte gje e mire sidoqofte qe ne nuk e perceptojme dot.
TAGORA: Ka nje elasticitet gjithashtu ne veprimet njerezore, nje fare lirie ne rende te ulta qe eshte per te shprehur personalitetin tone. Eshte dicka e ngjashme me sistemin muzikor ne Indi,i cili nuk eshte aq i ngurte sa c’eshte ne muziken perendimore. Kompozitoret tane japin nje linje te percaktuar muzikore,nje sistem melodik dhe arranxhim ritmik dhe egzekutuesi i saj brenda disa kufijve mund te improvizoje mbi te.Ai duhet te ndjeke me besnikeri pjesen muzikore, por dhe te jape shprehje spontane te ndjeshmerise se vet muzikore sipas disa rregullave te paracaktuara.Ne admirojme kompozitorin per talentin e tij ne krijimin e bazes dhe superstruktures se melodise por nderkaq presim nga interpretuesi te shprehe aftesite e tij duke krijuar variacione me zbukurime melodike.Ne krijimin ne ndjekim ligjin themelor te egzistences por nese lejojme edhe nje shmangje nga ai, atehere kemi nje liri te mjaftueshme brenda kufijve te personalitetit tone per shprehjen me te plote te vetvetes.
AJNSHTAJN: Kjo eshte e mundur vetem kur ka nje tradite muzikore te fuqishme qe mund te orientoje njerezit. Ne Europe muzika ka shkuar teper larg nga arti dhe ndjeshmeria popullore dhe eshte bere si nje fare arti i fshehte me konvencionet dhe traditat e veta.
TAGORA: Duhet te jesh absolutisht i bindur ndaj kesaj muzike kaq te komplikuar.Ne Indi masa e lirise se kengetarit eshte ne personalitetit e vet krijues.Ai mund ta interpretoje kengen e kompozitorit ne menyren e vet nese ka fuqine krijuese te afirmoje vetveten ne interpretimin e ligjit te pergjithshem te melodise qe i eshte besuar.
AJNSHTAJN: Kerkohet nje nivel shume i larte artistik per te realizuar plotesisht idene e madhe te muzikes origjinale keshtu qe mund te behen edhe variacione mbi te. Tek ne variacionet shpesh jane te paravendosura.
TAGORA: Nese ne sjelljen tone ndjekim ligjin e virtytit atehere do te kemi nje liri reale per shprehjen e vetvetes.Vertete eshte parimi i sjelljes por karakteri qe e ben ate te vertete dhe individual eshte ne krijimin tone. Ne muziken tone ka nje dualitet te lirise dhe rregullit te paracaktuar.
AJNSHTAJN: Po fjalet e kenges a jane gjithashtu te lira? Dua te them a eshte i lire kengetari te shtoje fjale te tijat ne tekstin e kenges qe kendon?
TAGORA: Po.Ne Bengal kemi nje soj kenge-kirtan e quajme,e cila i jep liri kengetarit te nderfuse komente ndermjetese, fraza qe nuk jane ne kengen origjinale. Kjo shkakton entusiazem te madh sepse degjuesit jane vazhdimisht te emocionuar nga sentimente spontane te mrekullueshme te bera nga kengetari.
AJNSHTAJN: A eshte metrika teper strikte?
TAGORA: Po, krejt. Nuk mund te kalohen kufijte e vjersherimit; kengetari ne gjithe variacionet e veta duhet te mbaje ritmin dhe kohen, te cilat jane te fiksuara. Ne muziken europiane ju keni nje liri te krahasueshme per kohen por jo per melodine.
AJNSHTAJN: Mund te egzekutohet muzika indiane pa fjale? Mund te kuptohet nje kenge pa fjale?
TAGORA: Po , ne kemi kenge me fjale te pakuptimta, tinguj qe thjesht ndihmojne ne mbajtjen e notave. Ne Indine Veriore, muzika eshte nje art i pavarur, jo nje interpretim i fjaleve dhe mendimeve si ne Bengal. Muzika eshte shume e perpunuar dhe sugjestive dhe eshte nje bote e tere ne vete melodine.
AJNSHTAJN: Nuk eshte polifonike?
TAGORA: Instrumentat perdoren, por jo per harmonine, vetem per te mbajtur kohen dhe per te shtuar volumin e thellesine. A ka vuajtur melodia ne muziken tuaj nga imponimi i harmonise?
AJNSHTAJN: Ndodh nganjehere qe vuan vertete teper. Nganjehere harmonia gelltit edhe vete melodine.
TAGORA: Melodia dhe harmonia jane si linjat dhe ngjyrat ne pikture. Nje vizatim mund te jete i mrekullueshem nderkohe qe duke i shtuar edhe ngjyrat mund te behet i vaget dhe humbet forcen. Por ngjyra ne kombinim me linjat krijon piktura te medha sa kohe qe nuk shvlereson apo shkaterron vleren e vizatimit.
AJNSHTAJN: Eshte nje krahasim i bukur; vizatimi eshte gjithashtu shume me i vjeter se ngjyra. Duket se melodia juaj eshte shume me e pasur ne strukture se e jona. Muzika japoneze gjithashtu duket e tille.
TAGORA: Eshte e veshtire te anlizosh efektin e muzikes te Lindjes dhe te Perendimit ne mendjet tona. Une jam shume i prekur nga muzika perendimore; ndjej qe eshte e larte, e gjere ne strukture dhe e madhe ne kompozicion. Muzika jone me prek me thelle prej vokacionit te vet lirik themelor. Muzika europiane eshte epike ne karakter, ka nje sfond te gjere dhe eshte gotike ne strukture.
AJNSHTAJN: Eshte nje pyetje qe ne europianet nuk i pergjigjemi dot qarte, ne jemi shume te perdorur nga muzika e jone. Ne duam te dijme nese muzika jone eshte nje ndjenje konvencionale apo fondamentale, nese eshte natyrale te ndjesh konsonancen dhe disonancen apo nje konvencion qe ne e pranojme.
TAGORA: S’di se si por piano me ngaterron.Violina me pelqen shume me teper.
AJNSHTAJN: Do te ishte interesante te studjoheshin efektet e muzikes europiane ne nje indian qe nuk e ka degjuar kurre ate qekurse ka qene i ri.
TAGORA: Une njehere i kerkova nje muzikanti anglez te me anlizonte disa pjese te muzikes klasike dhe te me shpjegonte se cfare elementesh e bejne te bukur nje pjese muzikore.
AJNSHTAJN: Veshtiresia eshte se muziken vertete te bukur , lindore apo perendimore qofte, nuk mund ta anlizosh dot.
TAGORA: Po dhe ajo cka e prek thelle degjuesin eshte dicka shume personale per cdo individ.
AJNSHTAJN: E njejta pasiguri mbetet rreth cdo gjeje themelore ne pervojen tone , ne reagimin tone ndaj artit, kudo qofte ne Europe apo Azi. Bile edhe kjo lule e kuqe qe shoh ne tavolinen tuaj mund te mos jete e njejte per ty dhe mua.
TAGORA: E megjithate eshte i pranishem gjithmone nje process pajtimi midis tyre, shija individuale qe tenton te perputhet me standartin e pergjithshem…

Nga Albert Vataj / KultPlus.com

‘Mos u përpiq të bëhesh një njeri i suksesit, por përpiqu të bëhesh një njeri me vlera’

Fizikanti i famshëm Albert Ajnshtajni konsiderohet gjerësisht si një nga mendjet më të mëdha që ka jetuar ndonjëherë. Ai hapi qasjen ndaj një pasurie të madhe të dijes dhe fuqisë.

Nga studimet e tij u ngrit terreni mbi të cilën bazohen teoria e kuantikës, si dhe konceptet e energjisë në pikën zero, teoria e vrimave të zeza dhe kërkimi për një teori të unifikuar të forcave. Zbulimet e tij ishin gjithashtu përgjegjëse për bombën e parë atomike. Një dualitet i madh!

Çfarë është ajo që e bën mendjen e një individi të aftë për vepra të tilla të mahnitshme?

Besohet nga disa që, me çfarëdo lloj mënyre, për çfarëdo arsye – qoftë anomalie, fati ose të dyja – përmbajtja e mendjes së Ajnshtajnit u soll në një mënyrë që formoi çelësin e një prej mistereve më të thella të universit, duke lejuar një mençuri tjetër, atë shpirtërore të rrjedhë përmes saj.

Më poshtë gjeni 25 nga citimet më inteligjente dhe më intriguese të Albert Einstein. Ju këshillojmë që të mos i lexoni nxitimthi, disa kanë një kuptim më të thellë se sa mund të mendoni fillimisht dhe meritojnë një meditim të përzemërt.

1) “Imagjinata është më e rëndësishme sesa njohuria. Sepse njohuria është e kufizuar, ndërsa imagjinata përqafon gjithë botën, duke nxitur përparimin, duke lindur evolucionin”.

2) “Sekreti i krijimtarisë është të dish se si t’i fshehësh burimet e tua”.

3) “Natyra na tregon vetëm bishtin e luanit, por unë nuk dyshoj se bishti i përket luanit edhe pse ai nuk mund ta zbulojë menjëherë veten për shkak të madhësisë së tij të pamasë.”

4) “Përvoja më e bukur që mund të kemi është ajo e misterit. Është emocioni themelor që qëndron në djepin e gjithë artit dhe shkencës së vërtetë”.

5) “Përsosja e mjeteve dhe ndryshimi i qëllimeve duket të jetë problemi ynë kryesor”.

6) “Sa i përket ligjeve të matematikës që i referohen realitetit, ato nuk janë të sigurta, për aq sa janë të sigurta, nuk i referohen realitetit”.

7) “Nëse nuk mund ta shpjegosh në mënyrën më të thjeshtë, ti nuk e ke kuptuar mirë.”

8) “Asnjë problem nuk mund të zgjidhet nga niveli i njëjtë i ndërgjegjes që e krijoi atë”.

9) “Vetëm njohuritë dhe aftësitë njerëzore nuk mund ta çojnë njerëzimin drejt një jete të lumtur dhe dinjitoze. Njerëzimi ka çdo arsye të mundshme për t’i vendosur lajmëtarët e standardeve dhe vlerave të larta morale mbi zbuluesit e së vërtetës objektive”.

10) “Informacioni nuk është dituri”.

11) “Gjëja më e pakuptueshme për botën është se është e kuptueshme”.

12) “Çdo gjë që mund të numërohet nuk numërohet domosdoshmërisht, gjithçka që llogaritet nuk mund të llogaritet domosdoshmërisht “.

13) “Për të formuar një anëtar të pastër të një kopeje delesh, duhet të jetë mbi të gjitha një dele”.

14) “Çdo gjë duhet të jetë e thjeshtë, por jo të thjeshtohet më tej”.

15) “Njeriu duhet të kërkojë për atë që është dhe jo për atë që mendon se duhet të jetë.”

16) “Çdo njeri që lexon shumë dhe përdor trurin e tij shumë pak bie në zakone të liga të të menduarit”.

17) “Veprimi është forma më e lartë e kërkimit.”

18) “Perëndia nuk kujdeset për vështirësitë tona matematikore. Ai integron në mënyrë empirike”.

19) “Kushdo që nuk e merr seriozisht të vërtetën në çështje të vogla nuk mund të besohet as në ato të mëdha”.

20) “Shpirtrat e mëdhenj kanë hasur gjithmonë kundërshtim të dhunshëm nga mendjet mediokre. Mendja mediokre është e paaftë për të kuptuar njeriun që refuzon të përkulet verbërisht ndaj paragjykimeve konvencionale dhe zgjedh që t’i shprehë mendimet e tij me guxim dhe ndershmëri”.

21) “Ekuacionet janë më të rëndësishme për mua, sepse politika është për të tashmen, por një ekuacion është diçka për përjetësinë”.

22) “Mos u përpiq të bëhesh një njeri i suksesit, por përpiqu të bëhesh një njeri me vlera”.

23) “Feja ime përbëhet nga një admirim i përulur i frymës së pafundme superiore që zbulon veten në detajet më të lehta që ne mund t’i perceptojmë me mendjen tonë të brishtë dhe të pafuqishme”.

24) “Mendimi praktik nuk është asgjë më shumë se një depozitë e paragjykimeve të përcaktuara nga mendja para se të arrini tetëmbëdhjetë vjeç.”

25) “Lirimi i fuqisë atomike ka ndryshuar gjithçka, përveç mënyrës sonë të të menduarit… zgjidhja e këtij problemi qëndron në zemrën e njerëzimit. Po ta kisha ditur, do të bëhesha orëndreqës!”/shkollaesuksesit/KultPlus.com

11-vjeçari mposht rezultatet e IQ të Ajnshtajnit dhe Stephen Hawking

Një djalë i ri i talentuar nga Anglia i quajtur Yusuf Shah ka shënuar rezultatin maksimal të mundshëm të testit Mensa IQ, duke mposhtur Albert Einstein dhe Stephen Hawking.

11-vjeçari regjistroi 162, që është në përqindjen më të lartë të njerëzve të të gjitha moshave dhe duke shënuar që është më e larta e mundshme për moshat nën 18 vjeç.

Megjithëse Ajnshtajni nuk e mori kurrë zyrtarisht testin, besohet se ai arriti të njëjtën gjë si Hawking, i cili thuhet se ka shënuar 160.

Pasi shokët e tij në shkollë e nxitën që të bënte testin pasi besonin në aftësitë e tij dhe sa i zgjuar është, Jusufi vendosi të bënte testin e IQ-së. Pasi u përfundua, studenti gjenial festoi arritjen e tij të jashtëzakonshme me një vakt në restorantin e tij të preferuar lokal së bashku me familjen e tij, shkruan Greek Reporter, përcjell KultPlus.

“Të gjithë në shkollë mendojnë se jam shumë i zgjuar dhe gjithmonë kam dashur të di nëse isha në dy përqindëshin e parë të njerëzve që bëjnë testin. Është e veçantë të kesh një certifikatë”, tha 11-vjeçarja.

Nëna e 11-vjeçarit flet për rezultatet e tij të inteligjencës

Jusufi i cili aktualisht është nxënës i vitit të 6-të në shkollën fillore Wigton Moor, ëndërron të studiojë matematikë në Oksford ose Kembrixh pasi pasioni i tij ka rrotulluar gjithmonë numrat. Aktualisht duke jetuar në Leeds, me vëllezërit e tij Zaki dhe Khalid, mama Sana dhe babi Irfan, familja qëndron krenare.

Sana tha: “Isha shumë krenare. Ai është personi i parë që ka bërë testin Mensa në familje. Në fakt, edhe unë isha pak e shqetësuar – ai ka shkuar në një sallë plot me fëmijë për të bërë teste, por doli me rezultate të shkëlqyera.” / KultPlus.com

Dorëshkrimi i Ajnshtajnit rreth teorisë së relativitetit shitet për 11,6 milionë euro

Një dorëshkrim nga Albert Ajnshtajn, ku fizikani fitues i çmimit Nobel kishte shkruar teorinë e tij të relativitetit, u shit në ankand në Paris për 11,6 milionë euro, sipas shtëpisë së ankandit ”Christie’s”.

Dokumenti prej 54 faqesh u shkrua nga Ajnshtajni, i cili jetoi nga viti 1879 deri në 1955, së bashku me bashkëpunëtorin e tij Michele Besso, dhe është një nga dy shembujt e vetëm të mbijetuar të fillimeve të teorisë së Ajnshtajnit.

Sipas ”Christie’s”, dorëshkrimi është shkruar mes viteve 1913 dhe 1914 në Berlin dhe Zyrih.

”Ky është çmimi më i lartë i arritur deri më sot për një dorëshkrim shkencor në Francë”, sipas ”Christie’s”, që nuk tha se kush ishte blerësi. / KultPlus.com

Gjeniu më kureshtar që ka parë bota

Albert Ajnshtajni, i cili na fton të reflektojmë për aftësinë tonë për t’u përshtatur ndaj ndryshimit. Një reflektim që na prek thellësisht. Sidomos në këtë moment, në të cilin jemi thirrur për të ndryshuar dëshirat dhe lirinë tonë për një ndryshim të thellë që është e pamundur të kundërshtosh. Por është këtu, thotë Ajnshtajni, që inteligjenca jonë matet.

Masa e inteligjencës jepet nga aftësia për të ndryshuar kur është e nevojshme.

Edhe pse Albert Ajnshtajni kujtohet dhe njihet për kontributin e tij themelor në fizikën moderne, nuk ka dyshim se ai kishte një interes të sinqertë për filozofinë. Qysh kur lexoi një libër të Kantit për herë të parë, Ajnshtajni filloi t’i vendoste reflektimet e tij bardh e zi, duke iu përkushtuar veçanërisht shkrimit të teksteve filozofike. Nuk e konsideroi asnjëherë veten filozof në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, megjithatë në ditët e sotme mbështetemi në maksimumet e tij, pasi mbështetemi në mendimin e një urtësie të madhe të antikitetit.

Albert Ajnshtajni lindi më 14 mars 1879, në Ulm të Gjermanisë nga një familje hebreje. Ishte fëmijë i mbyllur, filloi të fliste me vonesë dhe e kishte të vështirë të lexonte. Metodat e prera mësimore, ku nxënësve nuk u lejohej të bënin pyetje, e bënte atë të ndjehej i burgosur. Me kalimin e viteve fizikani i ardhshëm zhvilloi një dashuri për matematikën. Në Institutin Politeknik të Cyrihut studioi fizikë dhe matematikë. Pas diplomimit, punoi për qeverinë zvicerane si inspektor patentash për shpikjet e reja… dhe më vonë punoi si pedagog në Zvicër dhe Gjermani. Studentët e tij tregojnë, se kishte aftësinë t’i ilustronte idetë e vështira me figura dhe krahasime që i bënin ato shumë të kuptueshme. Gjatë kësaj periudhe, ai filloi punën për teoritë e tij të ardhshme shkencore. Ajnshtaini ishte njeri i thjeshtë, i veshur me rroba të vjetra dhe me flokë që dukeshin të pakrehur…

Ajnshtajni u largua nga Evropa, kur erdhi në pushtet Adolf Hitleri dhe u vendos në Shtetet e Bashkuara, ku vazhdoi punën e tij shkencore në Institutin e Studimeve të Avancuara në Prinston Nju Xhersi. Në vitin 1921, Ajnshtajni fitoi çmimin “Nobel” në Fizikë për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik. Zbulimi çoi në zhvillimin e elektroteknikës, përfshi edhe radion dhe televizionin. Zbatimi në teknologjinë moderne të zbulimit të efektit fotoelektrik të këtyre viteve çoi në prodhimin e aparatit fotografik digjital, telefonit mobil, satelitët më modernë etj. Ajnshtajni konsiderohet si fizikani me ndikimin më të madh i shekullit të 20-të. Një njeri i shkëlqyer, tmerrësisht i pasionuar pas mistereve të shkencës, zhvilloi teorinë e përgjithshme të relativitetit (e = mc2), që tani konsiderohet si gurthemeli i fizikës moderne.

“Gjëja më e bukur që mund të përjetojmë është misteriozja, nëna e artit dhe e shkencës së vërtetë. Ai, i cili nuk i ka shijuar këto emocione, ai njeri që nuk mund të qëndrojë dy minuta të ëndërrojë apo të pushtohet nga frika, më mirë të vdesë, sepse i ka sytë e mbyllura”, – shprehet Albert Ajnshtajn.

Edhe pse Ajnshtajni dhe teoria e tij e relativitetit ishin shkaktarë të zbulimit të bombës atomike dhe energjisë nukleare me përmasa të papara shkatërruese, gjatë gjithë jetës së tij qe një humanist i vërtetë dhe kundërshtar i rreptë i zbatimit të këtij zbulimi në forcat ushtarake. Po ashtu Ajnshtajni ishte një rebel plot me kontradikta. Ja çfarë mësoi njeriu që u shndërrua në legjendë: “Heretik për disa dhe reaksionar për disa të tjerë, një njeri si të thuash, i mbijetoi vetvetes: “Ju imagjinoni, – këmbëngul ai me autoironi, – se unë shoh me kënaqësi veprën e jetës sime. Por, i parë nga afër, realiteti është shumë ndryshe. Nuk ka as edhe një ide të vetme, për të cilën unë jam i bindur se do t’i qëndrojë kohës”.

E megjithatë, 100 vjet pas zbulimit të të famshmes formulë të relativitetit të përgjithshëm, shkencëtari gjenial vazhdon të kujtohet si një prej mendimtarëve më të mëdhenj të historisë së njerëzimit. Në vitin 1999, në një sondazh të kryer nga revista “Bota e Fizikës”, njëqind fizikanët më të rëndësishëm të botës e kishin zgjedhur në vendin e parë në historinë e kësaj disipline, përpara Njutonit dhe Maksuellit. Mbas marrjes së çmimit “Nobel” në vitin 1921, miti i Ajshtajnit fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat e kulturës: nga muzika (Beatles, Dylon, Clarkson, De Andre), tek kinemaja (Ajnshtajni i Liliana Cavanit), letërsia (“Vajza dhe profesori” i Jean Carriere, “Ëndrrat e Ajnshtajnit” i Alan Lightman), – nga opera (“Ajnshtajni në plazh” i Philip Glass), deri tek piktura (mendoni për sasinë e portreteve të realizuara nga Andy Warhol).

Ajnshtajni, mistik dhe laik, pacifist dhe ideues i bombës atomike, konservator dhe progresist, realist dhe ëndërrimtar, vetmitar dhe njeri i shoqërueshëm, egoist dhe altruist, krenaria e Shteteve të Bashkuara dhe njeri i vëzhguar nga FBI-ja, Ajnshtajni ia ka dalë gjithsesi që të heqë nga vetja çdo lloj etiketimi të ngurtë. Po ashtu bëhet një “mbështetës shumë i flaktë i mendimit të lirë, me përshtypjen se të rinjtë gënjehen qëllimisht nga shteti me mësime të gënjeshtërta”. Në fakt, “një qasje dyshuese kundër çdo lloj autoriteti”.

Mbi këto baza solide, të karakterizuara nga lufta kundër çdo lloj dogme dhe autoriteti, i riu Ajnshtajn hedh bazat e pasionit për studimin e të vërtetës, që do të jetë shenja dalluese e gjithë jetës së tij. Kur mbërriti në SHBA, Ajnshtajnit, si të gjithë emigrantëve të tjerë, i dhanë një pyetësor për të plotësuar. Ndër të gjitha pyetjet të cilave i duhej dhënë përgjigje, njëra pyeste: “Cilës racë i përkisni?”. Dhe ai iu përgjigj: “Racës njerëzore”.

Thënie:

– Eksperienca më e bukur që mund të kalojmë është misteri. Është emocioni themelor që qëndron në djepin e artit dhe shkencës së vërtetë.

– U jam falënderues atyre që më thanë jo. Për shkak të tyre, po e bëj vetë.

– Pa pasur njohuri nuk mund të shpikësh, ashtu si nuk mund të thurësh vargje pa ditur gjuhën.

– Ashtu siç zgjerohet rrethi i diturisë sonë, ashtu zgjerohet edhe perimetri i errësirës që rrethon atë.

– Dhurata e fantazisë ka pasur më shumë domethënie për mua se sa talenti im për të thithur dituri pozitive.

– Është arti suprem i mësuesit, të ngjallë kënaqësi në shprehjen kreative dhe dituri.

– Imagjinata është më e rëndësishme se dituria. Dituria është e kufizuar. Imagjinata rrethon botën, duke nxitur përparimin dhe duke i dhënë jetë zhvillimit.

– Në qoftë se Teoria ime e Relativitetit do të jetë e vërtetë, Gjermania do të thotë se jam gjerman, ndërsa Franca do të thotë se jam qytetar i botës. Nëse teoria nuk do të jetë e vërtetë, Franca do të thotë se jam gjerman, ndërsa Gjermania do të thotë se jam hebre.

– Është më e lehtë të thyesh një atom, sesa një paragjykim.

– Derisa të ketë njerëz do të ketë luftëra.

– Çmenduri është të bësh gjithmonë të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të ndryshme.

– Sëmundje shumë e keqe racizmi.

– Kompjuterët janë shumë të shpejtë, precizë dhe budallenj. Njerëzit janë shumë të ngadaltë, shumë pak precizë dhe inteligjentë. Së bashku, përbëjnë një fuqi që e kalon imagjinatën.

– Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që shikojnë, nuk thonë e nuk bëjnë asgjë për këtë gjë.

– Nuk e di se me çfarë lloj armësh do të luftohet në Luftën e Tretë Botërore, por di që në të Katërtën do të luftohet me gurë dhe me shkopinj.

– Ndryshimi midis gjenialitetit dhe budallallëkut është se gjenialiteti ka limit.

– Paqja nuk mund të mbahet me forcë, por mund të arrihet vetëm duke kuptuar njëri-tjetrin.

– Jeta është si të ecësh me biçikletë: në qoftë se do të jesh në ekuilibër, duhet të lëvizësh.

– Nuk e ke kuptuar me të vërtetë një gjë, nëse nuk je në gjendje t’ia shpjegosh gjyshes tënde. / Konica.al / KultPlus.com

Letra e Ajnshtajnit me ekuacionin e famshëm shitet në ankand me një çmim rekord

Një letër e shkruar me dorë nga Albert Einstein, që përmban ekuacionin më të famshëm në botë “E = mc2”, është shitur në ankand në SH.B.A. për 1.2 milion dollarë, trefishi i çmimit të pritur, transmeton KultPlus.

Sipas Arkivave të Ajnshtajnit në Institutin e Teknologjisë të Kalifornisë dhe Universitetin Hebre të Jeruzalemit, ekzistojnë vetëm katër letra të shkruara me dorë të Ajnshtajnit që përmbajnë ekuacionin emblematik, i cili u prezantua për herë të parë në një botim shkencor në 1905. 

Kjo letër me një faqe, e datës 26 tetor 1946, drejtuar fizikantit polako-amerikan Ludwik Silberstein, i cili kishte sfiduar disa nga teoritë e Ajnshtajnit, është e vetmja nga katër me ekuacionin në duart e një koleksionisti privat.

Letra ishte në dosjen personale të Silberstein, e cila ishte shitur nga trashëgimtarët e tij. 

Vlera e letrës çoi në një luftë ofertash gjatë ankandit midis pesë blerësve të mundshëm, e cila u zvogëlua në dy kur çmimi kaloi 700,000 dollarë.

 Fituesi i ankandit dhe blerësi i letrës mbetën anonim. / KultPlus.com