Vjen për herë të parë “Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor”

Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK), në kuadër të vitit jubilar të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL)  do ë organizojnë në datat 22-24 prill për herë të parë Panairin Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor.

“Panairi mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor” zhvillohet për herë të parë këtë vit, si nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Panairi do të zhvillohet në mënyrë të alternuar, një vit në Tiranë e një vit në Prishtinë, me periodicitet të rregullt. Panairi zhvillohet në periudhën 22-24 prill, kohë në të cilën festohet Dita Botërore e Poezisë dhe Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit. Qëllimi i panairit është që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare” thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave. / KultPlus.com

Kraja çuditet me të rinjtë: Mirë që flasin e shkruajnë perfekt anglisht, po shqip pse nuk mësojnë?

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja është shprehur i çuditur se pse të rinjtë kosovarë që flasin dhe shkruajnë në mënyrë perfekte anglisht, nuk dinë ta shkruajnë po aq mirë edhe shqipen.

Duke folur për përdorimin e gjuhës, Kraja tha se shpëtimi i vetëm në këtë situatë është që njerëzit të lexojnë më shumë.

“Nëse ka shumë djem dhe vajza në Kosovë, të rinj kryesisht, që e flasin perfekt anglishten, çuditem pse për tërë jetën e tyre nuk arrijnë ta mësojnë shkrimin. Nëse e shkruajnë mirë anglishten, pse nuk e shkruajnë mirë shqipen? Është një gjë që duhet ta tejkalojmë. Këtë nivel shkrimi duhet ta tejkalojmë njëherë e mirë”, tha Kraja.

Gjuhët e huaja duhet të vazhdojnë të mësohen e të fliten, por Kraja thotë se nevojitet përkushtim për ta mësuar edhe shqipen.

“Sepse nuk ka mendim pa gjuhë. Nëse jemi sakat nga gjuha, e kemi sakat edhe mendimin. Këtu është telashja. Është një telashe shumë e madhe puna e gjuhës. Nuk mund të ketë zhvillim, as mendor, as të komunikimit, as të artit, as institucional, pa zhvillim gjuhësor”, tha ai në një intervistë për RTK-në.

Kryeakademiku megjithatë vëren se përdorimi i gjuhës në Kosovë ka avancuar, ndërsa thekson se këtë “matje” nuk e bën duke parë se çfarë shkruhet në Facebook.

“Kemi një shkrim më të stabilizuar, standardin e përdorim më mirë, dhe natyrisht jemi pak më të lirë, në kuptimin që trajtat dialektore i fusim me një liri më të madhe”, tha Kraja.

Ajo që duhet të ndryshojë në Kosovë rreth gjuhës është shkolla, sipas tij.

“Ajo (shkolla) duhet të kultivojë dhe të insistojë që me gjuhën të punohet më shumë, që nga klasa e parë dhe deri në fund”, tha Kraja. / KultPlus.com

45 vjet nga themelimi i Akademisë së Shkencave të Kosovës

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës u themelua në vitin 1975, fillimisht si Shoqatë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e në vitin 1978 shndërrohet në Akademi.

Shoqata u transformua në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës përmes Ligjit mbi Themelimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës i datës 18 prill 1978.

Në fillim veprimtarinë e saj ASHAK duhej ta zhvillonte në një bashkërenditje me universitetin në rritje, brenda të cilit vepronin institute e bërthama shkencore dhe hulumtuese në Fakultetin Filozofik/ më vonë të Shkencave të Natyrës, në Fakultetin e Mjekësisë, në Fakultetin Teknik, në Fakultetin Eko­no­mik, në Fakultetin Filozofik, me institutet e pava­rura nga Universiteti dhe nga Akademia – Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, Instituti Hidrome­teorologjik, pastaj institutet që vepronin në kuadër/ ose të lidhura me kapacitetet industriale të Kosovës, si Instituti Teknologjik që vepronte në kuadër të Kom­binatit Trepça, Instituti i Hulumtimeve që vep­ronte në kuadër të Elektroekonomisë, Instituti Agroteknologjik në Pejë i lidhur me agroekonominë, dhe të institucioneve të tjera me interes në fushat e shkencës, të arteve dhe të kulturës.

ASHAK qysh në fillim duhej ta formësonte veprimtarinë e vet si insti­tucioni më i lartë i shkencave dhe i arteve dhe të merrte role të rëndësishme në fushat e shkencave dhe të arteve në suaza të organizimit shtetëror të Kosovës brenda Federatës së Jugosllavisë.

Ajo po ashtu duhej ta harmonizonte punën me Unionin e Akademive të Shkencave dhe të Arteve të Jugosllavisë, ku bënte pjesë si anëtare e barabartë dhe në një mandat (1985-1987) qe Kryesuese e Unionit dhe qendër e selisë së tij. Përmes atij Unioni ASHAK e zhvillonte dhe veprimtarinë ndërkombëtare.

ASHAK në atë kohë kishte tri Seksione: 1. Sek­sionin e Shkencave Shoqërore, 2. Seksionin e Shken­cave të Natyrës dhe 3. Seksionin e Gjuhësisë, të Letër­sisë dhe të Arteve.

Më 1985 Kuvendi i ASHAK mori vendim për themelimin e Arkivit të Akademisë e të Institutit të Arkeologjisë dhe të Etnografisë. Arkivi dhe Biblioteka, që ishin funksionalizuar, u shkatërruan pas ndërhyrjes së policisë serbe në selinë e Akademisë më 1994, çka pamundësoi punën e saj më tej në atë godinë.

Instituti i Arkeologjisë dhe i Etnografisë nuk arriti të the­melohej për shkak të trysnive politike dhe tenden­cave drejt rrëgjimit të Akademisë pas vitit 1985 dhe për arsye edhe buxhetore më vonë.

Qysh në diskutimet për ndryshimet kushtetuese të vitit 1989 Kuvendi i ASHAK-ut doli me angazhimet publike së pari me Deklaratën Kushtetuese, pastaj me angazhimet dhe veprimtaritë e tjera në favor të mbrojtjes së të drejtave që po shkeleshin në mënyrë drastike.

Përveç angazhimit bashkë me mekanizmat e tjerë të rezistencës në drejtim të organizimit të Referendumit për pavarësi, në drejtim të organizimit e të hartimit të dokumenteve themelore për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. / KultPlus.com

Shumica e anëtarëve të Akademisë së Shkencave i kanë kryer studimet në vendet ish-jugosllave

Raporti “Kriza në Akademi” duket se është futur thellë në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës duke e analizuar këtë institucion të rëndësishëm.

Raporti i realizuar nga Shkelzen Gashi, i cili u është shpërndarë edhe medieve, tregon rreth ASHAK-ut e përbërjes së tij.

Raporti ka gjetur se nga 22 anëtarë të rregullt të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës AShAK-ut, studimet në të trija nivelet BA, MA dhe PhD i kanë kryer kryesisht në Prishtinë, pastaj në Beograd, Sarajevë, Zagreb dhe në Lublanë, që do të thotë në universitetet e qyteteve ish-jugosllave.

Edhe prej 16 anëtarëve korrespodentë, pjesa më e madhe i kanë kryer studimet BA, MA dhe PhD në Prishtinë, kurse të tjerët në Beograd, Zagreb e Lublanë, pra në universitetet e qyteteve ish-jugosllave, e vetëm njëri i ka përfunduar studimet MA dhe PhD në një vend të BE-së dhe është i vetmi anëtar i AShAK-ut që ka pranuar të intervistohet për këtë raport.

Rekomandimi i raportit “Akademia në rrezik”, thotë se do të ishte mirë që AShAK-u të hapej edhe për ata që kanë kryer studimet BA, MA dhe PhD në vendet jashtë ish- Republikës Socialiste Federative e Jugosllavisë. / KultPlus.com