Aktorja shqiptare i vjen në ndihmë Shqipërisë, dhuron shtretër spitalorë, zjarrfikëse dhe autoambulanca

Aktorja shqiptare Zhaklina Dhimojani Blättler, e njohur për rolin e saj te “Mimoza Llastica” ka dhuruar 40 shtretër dhe orendi të tjera spitalore, autoambulancë, gjashtë furgona, dy zjarrfikëse dhe pajisje informatike për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Vetë aktorja u shpreh se ndihmat konsistojnë në krevate, komodina dhe inventarë të ndryshëm që do të përdoren nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për situatën emergjente të COVID-19. Gjithashtu aktorja ka dhuruar edhe 1 autoambulancë, 1 autotransporter për persona me aftësi të kufizuara, 2 minibusë/ dhe 2 autotransporter, 50 laptopë, 2 zjarrfikëse të cilat do të përdoren gjatë emergjencave, shkruan shqiptarja.

Aktorja shqiptare Zhaklina Dhimojani Blättler tash e mbi 30 vjet jeton e punon në Zvicër dhe kjo nuk është hera e parë që ndihmon atdheun. / KultPlus.com

Aktorja Eva Alikaj feston sot datëlindjen e 57-të

Aktorja e cila arriti famën me rolin komik të Elsas në komedinë e famshme shqiptare “Pallati 176” feston sot datëlindjen. Ajo mbush plot 57 vite jetë, shkruan KultPlus.

Eva Alika ka dhënë mjaft shumë nga vetja për kinematografinë shqiptare ndër vite. Eva Alikaj lindi në Tiranë më 25 prill 1961. Kur ishte vetëm 21 vjeç, fitoi Kupën si Aktorja më e mirë e Festivalit V të Filmit Artistik Shqiptar, me filmin “Njeriu i mirë” (1982). Një vit më pas, u diplomua për aktore në Akademinë e Arteve të Tiranës dhe iu bashkua trupës së Teatrit Kombëtar.

Eva, në teatër ka një fillim shumë të mirë, me rolin e Xhulietës në tragjedinë “Romeo e Xhulieta” të Shekspirit. Vazhdon të luajë me sukses në filma, me rolin Linda tek “Shirat e vjeshtës” (1984), Etleva tek “Treni niset në shtatë pa pesë” (1988). Role të tjerë janë Ilona në “Botë e padukshme” (1987), Ana në “Jeta në duart e tjetrit” (1990), Evgjenia në “I paharruari” (1984), Drita në “Vendimi” (1984), Irena në “Hije që mbeten pas” (1985), Edlira në “Stolat në park” (1988). Ajo është bërë popullore për rolin komik të Elsës në komedinë “Pallati 176”./ KultPlus.com

Hapet audicion për aktorët shqiptarë për serialin e prodhimit turk

Është hapur audicion për aktorë për serialin e prodhimit turk, me titull pune të propozuar- “Fëmijët e lumtur ( Të lagjes pa drita)”, përcjellë KultPlus.

Për këtë serial kërkohet: Një aktore profesioniste shqiptare për rol kryesor, mosha nga 28 deri 33 vjeç ( tiparet: zeshkane, pesha trupore: e dobët, jodoemos të dijë akcent turqisht por gjithsesi gjuha turke do të jetë referencë e madhe në përzgjedhje). Rol me pagesë sipas standardit të tregut-audiencës së dedikuar.
Gjithashtu kërkohet edhe një aktor i moshës nga 55 deri 60 vjeç- shqiptar. Rol dytësor ( njohja e gjuhës turke e domosdoshme).

Xhirimet e serialit fillojnë në fillim pranvere të vitit të ardhshëm në Turqi dhe pastaj kryesisht Kosovë (Maqedoni dhe Shqipëri) dhe pas xhirimit të episodës së tretë, xhirimet përqendrohen kryesisht në Turqi.
Aktorët e përzgjedhur duhet të posedoj sigurim shëndetësor për vitin 2018,verifikim nga gjykata që nuk është i/e ndjekur dhe pasaporta të jetë valide deri në fundvitin 2019. ( Kërkesat e tilla janë të domosdoshme për shkak pjesëmarrjes në xhirime gjatë kohës së punës dhe banimit në Turqi ).

Të selektuarit nga producentët ( në rast se), informohen përmes email adresës me kohë për orarin, vendin, datën e mbajtjes së audicionit të organizuar vetëm për të selektuarit.

Të interesuarit mund të dërgojnë CV të plotë dhe në detaje, poashtu edhe foto profili dhe total në email adresën: [email protected]. / KultPlus.com