Viti i 8-të i projektit Maat: Dhuro për familjet skamnore në GoFundMe

Projekti Maat është themeluar në vitin 2013 me qëllim që të mobilizojë shoqërinë për të luftuar varfërinë e skajshme në Kosovë. Ky projekt bashkëpunon me institucione arsimore, biznese vendore dhe donatorë individual për të mbledhur fonde, produkte ushqimore dhe produkte higjienike për familjet që jetojnë në varfëri të skajshme. Çdo fundvit, të gjitha produktet e mbledhura dhurohen për familjet e regjistruara në Kryqin e Kuq të Kosovës.

Që nga viti 2013, Projekti është organizuar çdo fundvit duke rritur numrin e familjeve që kanë përfituar pako humanitare nga 13 familje në vitin e parë në 250 familje në vitin 2019!

Si mund të kontribuojë për Projektin Maat?

Të gjithë të interesuarit mund t’i bashkohen Projektit Maat duke dhuruar fonde për familjet skamnore përmes platformës GoFundMe.

Klikoni linkun në vijim për të dhuruar donacionin tuaj! Procesi do të zgjas rreth 1-2 minuta: https://www.gofundme.com/f/project-maat

Projekt Maat ka mbledhur rreth 3,700 EUR nga anë e mbanë bota gjatë viteve. Këtë vit ekipi i Projektit Maat shpreson që më shumë persona do t’i bashkohen qëllimit të projektit për të lehtësuar jetët e familjeve në stinën e ftohtë të dimrit.

Si funksionon Projekti Maat në institucione edukative?

Në shkolla private dhe publike vendoset një bredh i Vitit të Ri i cili është i dekoruar me karta të Projektit Maat ku shënohen produktet e nevojshme (qumësht, supë, miell, sapun, etj). Nxënësit marrin nga një kartë nga bredhi i shkollës dhe sjellin produkte të ndryshme në baza vullnetare. Këtë vit produktet do të mblidhen prej datës 07 Dhjetor deri me datë 18 Dhjetor 2020.

Qëllimi i projektit është i dyfishtë:

– Të lehtësojmë vuajtjet e familjeve skamnore në Kosovë në stinën e ftohtë të dimrit, dhe

– Të mobilizojmë fëmijët dhe nxënësit e Kosovës në luftën kundër varfërisë së skajshme duke i frymëzuar për qytetari më aktive dhe ndryshime pozitive në shoqëri.

Si mund të dhurojnë bizneset vendore për Projektin Maat?

Bizneset vendore mund të bëhen partner të Projektit Maat duke dhuruar produkte të ndryshme ushqimore dhe higjienike për familjet skamnore në Kosovë. Kompani të ndryshme si Union, Lesna dhe Fresh kanë dhuruar miell, oriz, fasule, detergjent, dhe mobilje për të mbështetur të gjithë ata që kanë nevojë. Gjithashtu, bizneset shërbyese mund të dhurojnë fonde në platformën e lartëpërmendur GoFundMe.

Partnerët e Projektit Maat në vitin 2020: Kryqi i Kuq i Kosovës, GEKOS, Sach Pizza / Sach Caffe, British School of Kosova, Shkolla Finlandeze, Gjimnazi Loyola, Kolegji Universum, American School of Kosova, JonaMed, Akademia e Fëmijëve Loja, Montessori School of Kosova, Maarif School, AMA Kopshti, Innovation Centre Kosova, Meridian Express, Digi Print, Lesna Max, Sogody, IPKO, 4-H, Rotaract, donatorë individual. / KultPlus.com

Aktorja shqiptare i vjen në ndihmë Shqipërisë, dhuron shtretër spitalorë, zjarrfikëse dhe autoambulanca

Aktorja shqiptare Zhaklina Dhimojani Blättler, e njohur për rolin e saj te “Mimoza Llastica” ka dhuruar 40 shtretër dhe orendi të tjera spitalore, autoambulancë, gjashtë furgona, dy zjarrfikëse dhe pajisje informatike për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Vetë aktorja u shpreh se ndihmat konsistojnë në krevate, komodina dhe inventarë të ndryshëm që do të përdoren nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për situatën emergjente të COVID-19. Gjithashtu aktorja ka dhuruar edhe 1 autoambulancë, 1 autotransporter për persona me aftësi të kufizuara, 2 minibusë/ dhe 2 autotransporter, 50 laptopë, 2 zjarrfikëse të cilat do të përdoren gjatë emergjencave, shkruan shqiptarja.

Aktorja shqiptare Zhaklina Dhimojani Blättler tash e mbi 30 vjet jeton e punon në Zvicër dhe kjo nuk është hera e parë që ndihmon atdheun. / KultPlus.com

Përvetësuan ndihmat për banorët e prekur nga tërmeti, arrestohet Shefi i Rendit në Rinas, një efektiv dhe një zjarrfikës

SHÇBA arreston 2 punonjës policie, 1 punonjës të shërbimit zjarrfikës, si edhe procedon penalisht 2 shtetase për veprat penale të “mashtrimit” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka arrestuar mbrëmë në flagrancë shtetasit: 

– A.Z., me detyrw Shef i Seksionit të Rendit pranë Komisariatit të Policisë Rinas, për veprën penale të “Mashtrimit në bashkëpunim”.

– E.H., me detyrë Komandant skuadre në Seksionin e Rendit pranë Komisariatit të Policisë Rinas për veprën penale “Shpërdorim detyre”;

– A.T., me detyrë punonjës i shërbimit zjarrfikës pranë PMNZSH Kombinat, për veprën penale të “Mashtrimit, e kryer në bashkëpunim”.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetaset V.Z. dhe Sh.T. për veprën penale të “Mashtrimit”, kryer në bashkëpunim. 

Procedimi i tyre u krye pas hetimeve të zhvilluara në lidhje me publikimin e një video në media, ku shfaqeshin pamje të transportimit e përvetësimit të një sasie të konsiderueshme pakosh ushqimore (të sekuestruara në cilësinë e provës materiale) të destinuara për banorët e prekur nga situata e tërmetit.

Materialet hetimore proceduriale do t’i dërgohen Prokurorisë Tiranë për hetime të mëtejshme.

SHÇBA fton çdo qytetar të denoncojë në numrin jeshil 0800 90 00, për çdo rast abuzimi të punonjësve të Policisë së Shtetit, duke garantuar reagim të shpejtë e në kohë. /Shqiptarja.com / KultPlus.com

Edi Rama: Rrofsh e qofsh me fëmijët, gruan, vëllezërit dhe kë të do zemra o Behgjet Pacolli

Ministri në detyrë i punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka dhuruar sot 1 milion Euro ndihmë për zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri.

Për këtë ndihmë të madhe të Pacollit kanë reaguar të gjithë qytetarët, të lumtur që viktimave të tërmetit po ju vijnë në ndihmë të gjithë.

Por i befasuar është shprehur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai ka uruar më të mirat për Pacolli.

“RROFSH e QOFSH me fëmijët, gruan, vëllezërit dhe kë të do e bardha zemër O BEHGJET PACOLLI🙏”, ka shkruar Rama.

Ky donacion sipas Pacollit shkon për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti.

”Unë u trondita kur pashë dëmet në jetën e njeriut dhe në infrastrukturë që tërmeti shkatërrues po lë pas në Shqipëri. Kjo kërkon solidaritet dhe mbështetje për të siguruar që qytetarët e prekur mund të kthehen shpejt në jetën normale. Kemi vendosur së bashku me familjen time (ne djemtë e Isa dhe Ruhan Pacollit) që të dhurojmë #1milion Euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti. Ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit dhe bashkë me Qeverinë e Shqipërisë do të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të sigurt. Kjo është më e pakta që unë dhe familja ime mund të bëjmë për Shqipërinë tonë të dashur. Mbështetja ime për vëllazerit tonë do të jetë e vazhdueshme dhe shpresoj së shpejti ata të kthehen në normalitet. Unë pres po ashtu që në menyrë të organizuar të pranoj edhe qindra familje këtu në Prishtinë”, ka thënë Pacolli. / KultPlus.com