‘Sot është më e thjeshtë të thuash trapllëqe të cilat nuk qëndrojnë në këmbë dhe kurrkush s’i vë re’

Nga historiani Alessandro Barbero

Gjithë periudhat e historisë janë të ndryshme njëra nga tjetra; ama ka një veçori në ata që i quajmë “shekuj të errët” e cila sot, sipas meje, është duke u shfaqur përsëri.

Kur themi “shekuj të errët” e kemi fjalën në veçanti për qindra vitet e vërshimeve barbare dhe periudhën menjëherë pas tyre, jo të gjithë Mesjetën – periudha e Dantes apo e ndërtimit të Katedrales së Zojës Tonë në Paris nuk janë pjesë e “shekujve të errët”, afërmendsh.

Ama shekujt V, VI, VII, janë periudha në të cilat shkruhet pak dhe veprat e përpiluara asokohe na bëjnë disi përshtypje, pasi nuk përmbajnë logjikë të patundshme, arsyetimi ecën paksa kuturu, vërtetim të të dhënave nuk ka, bestytënia mbizotëron.

Këtë zvetënim të aftësive logjike ndër dijetarët e “shekujve të errët”, une e shoh disi edhe sot; për shembull në ligjërimin publik ose edhe në gazetari. Parimi aristotelian i mos-kundërshtisë, logjika e ndjekur në argumentim, rrjedhishmëria në pohimet që bëhen…

S’e di nëse ka qenë kështu që më parë, por më duket se sot është më e thjeshtë të thuash trapllëqe të cilat nuk qëndrojnë në këmbë, e që madje kundërshtojnë njëra-tjetrën, dhe kurrkush s’i vë re.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

“Në histori nuk ka ligje, përveç njërit, mos u orvat kurrë të pushtosh Rusinë”

Alessandro Barbero lindur më 30 prill 1959, është një historian, romancier dhe eseist italian.

Barbero lindi në Torino. Ai ndoqi Universitetin e Torinos, ku studioi letërsi dhe histori mesjetare. Ai fitoi çmimin Strega 1996, çmimin më të dalluar letrar të Italisë, për Bella vita e guerre altrui di Mr. Pyle gentiluomo.  Romani i tij i dytë, Romanzo russo. Fiutando i futuri supplizi, është përkthyer në anglisht si Romani Anonim. Ndjenja e mundimeve të së ardhmes (Sulaisiadar ‘san Rudha: Vagabond Voices, 2010).

KultPlus më poshtë ju sjellë një nga shprehjet e tij të famshme.

“Në histori nuk ka ligje, përveç mbase njërit: mos u orvat kurrë të pushtosh Rusinë!”/ KultPlus.com