Rikthimi i përsosur i Armond Morinës, fryma kritike dhe problemet politiko-shoqërore, të ndërthurura në premierën e “Club Albania”

Era Berisha

Realiteti, fryma kritike, shtjellimi i problemeve sociale, shoqërore dhe politike, nëpërmjet skenave plot humor, gjallërohen njëzëri pikërisht në premierën e shfaqjes “Club Albania” bazuar në veprën dramaturgjike të Andon Zako Çajupit “Pas vdekjes”, me regji të Fatos Berishës, që vjen për herë të parë në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Mbindërtimi i kësaj vepre një-aktëshe, ka mbledhur rreth vetes një numër të lartë të artdashësve që dukshëm iu kishte munguar teatri. Hapësira e re e Teatrit Kombëtar të Kosovës në pamje i kishte plotësuar kushtet e audiencës, dhe në anën tjetër, tashmë ky vend do të jetë shtëpia e dytë e aktorëve tanë për një kohë të gjatë, deri në renovim të objektit paraprak.

“Pas vdekjes” është ringjallur për të sjell frymën komike që i përket brendësisë së saj. Premiera e shfaqjes “Club Albania” që nisi fiks në orën 20:09, ka rikthyer në skenën e teatrit, aktorin Armond Morina, pas gjithsej 16 vitesh. Në ndërkohë, aktorët si: Ard Islami, Armend Smajli, Maylinda Kosumoviq, Naim Berisha, Teuta Krasniqi dhe Ylber Bardhi, në ndërveprim me aktorin Morina, kanë dëshmuar se të luajturit, për ta, është thjesht diçka jetësore.

Shfaqja është një komedi politiko-shoqërore, që shpalos fokusin nëpërmjet situatave komike por që në thelb janë shumë më të thella. Është një shfaqje brenda shfaqjes, dhe si një dramë bashkëkohore, flet shumë për shoqërinë tonë me ç’rast konsiderohet që kjo shoqëri nuk ka ndryshuar edhe shumë që nga kur është shkruar vepra nga vetë Çajupi.

Ngjarja zhvillohet në një hapësirë teatrore, por jo domosdo për të shfaqur prapaskenat e teatrove vendore, por si një vendndodhje ku më së lehti vërehet neglizhenca e institucioneve që i lejnë në harresë artistët e mëdhenj por në anën tjetër edhe ajo e individëve që përtojnë të punojnë shumë, por flasin shumë dhe kësisoj shpirtin e kanë të varfër.

“Club Albania” vjen edhe si një udhë e komedisë politike që shpalos një humor dhe mençuri të paparë. Egoizmi, lavdet pas vdekjes, gjithashtu kanë një vend të rëndësishëm, që vinë në kohën më të duhur. Ndërkaq, e tërë esenca e shfaqjes është reflektimi mbi atë se çfarë po prodhon shoqëria jonë, dhe se çfarë do të vazhdojë të prodhojë në vijim.

Nuk është as një mesazh i paraparë apo paracaktuar që parashihet të shfaqet tek publiku, ngaqë është vetë publiku ai që është ndarë me ndjesitë e veta dhe reflektimet e tyre pas situatave të shumta tragjikomike.

Pa kompozitoren Rona Castrioti-Berisha, skenografin Bekim Korça, kostumografen YIlka Brada dhe ndriçimin nga Mursel Bekteshi e Sherif Sahiti, kjo shfaqje nuk do të kishte frymën e zhvoshkur të sinqeritetit që e përcolli me shumë sukses. Duke filluar qysh nga momenti i parë e gjerë në fund, ishin të qeshurat e panumërta në mesin e të pranishmëve, ato që dëgjoheshin deri në pykë të qiellit.

“Club Albania” zgjoi të qeshura të shumta në publik, pikërisht në ditën festive, siç është 28 Nëntori. Ndërsa, qe audienca ajo që ia shpërbleu mundin e gjithë ekipit, duke duartrokitur e brohoritur pas pothuajse dy orëve. Ngritja e tyre në këmbë pas përfundimit, njashtu e riktheu buzëqeshjen e secilit aktor në skenë, teksa ajo vinte e shtohej tutje.

Për të treguar më shumë rreth idesë dhe temës së shfaqjes, për KultPlus foli regjisori Fatos Berisha.

“Shfaqja ‘Pas vdekjes’ është një komedi e shkruar para 100 vjetëve dhe është vendosur sot në skenë, e cila sikurse para 100 vjetëve, edhe sot flet për të njëjta gjëra, që i bie se nuk kemi ndryshuar si komb dhe që jemi aty diku, fatkeqësisht. Çajupi temën e ka trajtuar me humor dhe gjithë ato probleme sociale, politike, shoqërore, egoizmin e lavdet pas vdekjes, janë trajtuar edhe në këtë shfaqje nga ne, së bashku me dramaturgun Shpëtim Selmani dhe ekipin e shfaqjes. E kemi prezantuar shfaqjen brenda shfaqjes dhe kjo është një dramë bashkëkohore, realisht, e cila flet për shoqërinë ku ne jemi sot. Nuk ka qenë e lehtë për shkak të kohës së shkurtër por u shtrënguam dhe dëshiruam që premiera të epet këto ditë kur është ditë feste. Donim që njerëzit të vinin e të shihnin Çajupin e të bëjnë një reflektim për veten tonë, ku jemi sot ne dhe ku po mëtojmë të shkojmë”, thotë Berisha.

Sipas tij, kjo datë e 28 nëntorit, ka ardhur shumë natyrshëm për të shfaqur premierën, ngase provat kanë filluar që një muaj e disa ditë, dhe disi ka qenë e logjikshme që premiera të epet në këtë ditë që e ka simbolikën e vetë.

Ndërsa, aktori Armond Morina përpos rikthimit të tij në skenën teatrore, për KultPlus ka folur rreth konceptit të regjisorit, që dukshëm del se shqiptarët gjithmonë janë vonuar historikisht.

“Premiera e ka atë ndjesinë e vetë dhe tash duke e luajtur do ta ketë edhe lirshmërinë e saj, normalisht. Është një tragjikomedi që në fund shndërrohet gati personale si ajo pjesa kur aktori është gati duke shkuar në pension, si një palaço që del në pension. Ka qenë një eksperiencë fantastike dhe kur je në një ekip aq të mirë, loja del e fituar. Më ka pëlqyer koncepti i Fatosit sepse janë kujtuar rilindësit tanë, puna e tyre dhe besoj që edhe ata në atë periudhë historike me aq dinamikë, gati kanë qenë me të njëjtat energji që punët të kryhen më shpejt. Ne gjithmonë jemi vonuar historikisht dhe ndoshta është një energji që e kujton mundin e rilindësve tanë. Ka shumë materiale të vitit 1912, prej të cilave jemi inspiruar”, thotë Morina.

Sipas tij, ata që jetojnë në Kosovë, përditë kanë nervozë, mirëpo ekziston relacioni mes urrejtjes dhe dashurisë ndaj këtij vendi.

“Sa e urrejmë aq shumë e dojmë, sa e dojmë, aq shumë e urrejmë.”

“Në fakt ne erdhëm për të luajtur në skenën alternative, që më në fund po e bëjmë edhe ne një teatër të dinjitetshëm sepse ne jemi aktorë që jemi rritur në okupim së bashku me publikun tonë e edhe kemi performuar në kushte minimaliste. Mirëpo, jemi shtet dhe ka ardhur koha që sikurse ushtria, të jetë edhe teatri. Ushtrinë nuk mundesh me lanë gjithqysh, e njëjta vlen edhe për teatrin. Ne mundemi me performu hala, po edhe ne kemi dëshirë të afrojmë mysafirë. Teatri është pasqyrë e një shoqërie”, shpalos Morina.

Ai tutje ka thënë se shoqëria jonë është ajo që po i harron krijuesit e artistët e mëdhenj.

“Kjo puna e pasvdekjes që më ka intriguar më shumë është fakti që ne jemi shoqëri e re dhe ne i harrojmë shumë krijues e artistë të mëdhenj. Çka më ka lidh personalisht, është që shumica e artistëve të mëdhenj, duke e parë që nuk kemi arrirë hala si shoqëri për t’i varrosur dinjitetshëm, kanë shprehur dëshirë që askush mos t’iu shkojë në varrim. Ne e kemi obligim me i gjet rilindësit, me i gjet ata që kanë bërë shumë për këtë shoqëri dhe duhet të fillojmë për të menduar”, përfundon Morina.

Gjithashtu, aktori Armend Smajli për KultPlus ka ndarë detajet e personazhit të tij, si dhe ka vlerësuar disa nga skenat më të përzemërta për të.

“Kjo është prej atyre shfaqjeve që s’mund për ta reduktuar veten në një kontekst individual ngase është një lloj shfaqje për të cilën është shumë e rëndësishme, grupi dhe jo individi si aktor. Për mua, është e rëndësishme se si funksionon shfaqja si grup dhe energji. Krijimi i regjisorëve bashkëkohorë, mbetet çështje e hapur se sa dinë ata krijojnë, apo edhe të mos krijojnë. Shfaqja është njëfarë lloj mozaiku i njëfarë kaosi i temave shoqërore dhe në këtë rast merret parasysh teatri, por jo domosdoshmërisht të tregohet se çka ndodh në teatër, por nëpërmjet tij, të tregohet çka ndodh tek njerëzit që janë përgjegjës për të kryer disa punë por që e lënë në neglizhencë. Shfaqja ka shumë probleme dhe mllefe shoqërore ku secili në publik, mundet me e marrë diçka nga shfaqja dhe me e pa veten tek njëri nga aktorët apo edhe tek regjisori”, thotë Smajli.

Sipas tij, nuk ka asgjë në shfaqje që është e prerë ose e saktësuar si mesazh që depërton tek publiku, pasi që shumë gjëra mbeten të hapura e në pikëpyetje, e që i mbetet publikut për të vendosur se çka dëshiron të gjykojë.

“Janë disa skena ndonjëherë që ke dilema prej të cilave frikësohesh por në të njëjtën kohë që i dua shumë. Personazhi im e tregon paraprakisht që Groteskun e ka si lloj favoriti të shprehjes, ku kafshën e sheh si element që i ndihmon aktorit por që i del vetvetiu edhe këtij si regjisor. Po ashtu, edhe skena e lamtumirës që publiku e merr vesh më vonë, ku unë e lë një letër dhe para se të digjet abetarja, e tregoj që e kam lënë shfaqjen. Po ashtu, edhe fillimi i skenës kur vjen ky për herë të parë për të punuar dhe është shumë i emocionuar. Gjithashtu i dua edhe skenat kur unë nuk jam pjesë e tyre”, përfundon Smajli.

Kujtojmë se repriza e parë e shfajqes “Club Albania” vjen sonte, duke filluar nga ora 20:00, në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

“Pas vdekjes”, premiera e parë jashtë objektit të TKK-së, Berisha: Është shfaqje që flet për ne

Era Berisha

Vepra dramaturgjike e Andon Zako Çajupit, “Pas vdekjes” do të ringjallet kësaj here për tu shndërruar në një shfaqje komedi që shumë shpejt do të prekë ambientin e ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ‘Amfiteatri në Pallatin e Rinisë’. Ngjarja zhvillohet në një klub të shqiptarëve të Selanikut më 1910. Por, shfaqja është një mbindërtim, e shkruar nga dramaturgu Shpëtim Selmani, shkruan KultPlus.

Në qendër të veprës kemi demaskimin e demagogjisë së xhonturqve dhe bejlerëve që u bënë vegël e tyre, ndërsa ndodhitë jetësohen në zyrat e gazetës “Liria”. Është një komedi politiko-shoqërore, që shfaq fokusin nëpërmjet situatave komike por që në thelb janë shumë më të thella, dhe e njëjta tashmë do ta ketë premierën në muajin nëntor. Shfaqja vjen nën regjinë e Fatos Berishës me kastën e mrekullueshme të aktorëve si: Armond Morina, Ard Islami, Teuta Krasniqi, Ylber Bardhi, Majlinda Kosomoviq, Armend Smajli dhe Naim Berisha.

Vepra u botua pas vdekjes së shkrimtarit Çajupi dhe konsiderohet të jetë udha e parë drejt komedisë politike në letërsinë shqiptare. Me një ndjesi poetike, nëpërmjet personazhit të doktor Adhamullit, shfaqet mendësia e njerëzve mendjemëdhenj, ata që shpirtin e kanë të varfër dhe asnjë punë atdhetare për ta, nuk ka vlerë pa prezencën e tyre. Ndërsa, personazhi tjetër i spikatur, Zeneli, përfaqëson njeriun e thjeshtë të popullit me ç’rast shpalos një humor e mençuri të paparë. Elementet si ‘Abetarja shqipe’ dhe ‘Kongresi i Manastirit’, po ashtu luajnë një rol të madh në këtë rrugëtim.

Shfaqja “Pas vdekjes” ka ardhur si propozim nga Teatri Kombëtari i Kosovës, dhe pasi është aprovuar si tekst, së bashku edhe me veprat e tjera për repertorin e sezonit të ri, regjisori Berisha e ka pranuar me kënaqësi këtë ftesë, dhe gjithmonë me idenë që mund të mbindërtohet kjo vepër një-aktëshe. Dhe ajo që po përpiqet që të bëhet, është një shfaqe që flet për neve, sot.

Në një intervistë për KultPlus, regjisori Berisha ka shpalosur ende më shumë, lidhur me këtë shfaqje dhe procesin e saj deri në premierë.

“I gjithë ekipi i aktorëve të shfaqjes, përveç Armond Morinës, është nga ansambli rezident i Teatrit Kombëtar të Kosovës. E ata janë: Teuta Krasniqi, Ylber Bardhi, Ard Islami, May-Linda Kosumovic, Armend Smajli dhe Naim Berisha. Jam shumë i kënaqur me ekipin, ndërsa jam i lumtur që pas një kohe të gjatë, përsëri do të punoj me Armondin në teatër”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, vështirësitë që hasen në një rrugëtim të tillë janë nga më të zakonshmet. Pra, fillimi i provave, zbërthimi i tekstit, analiza e personazheve, marrëdhëniet e tyre. Gjithçka brenda normales gjatë punës në një shfaqje. Ai tutje thotë se ende janë në fillim të procesit dhe atmosfera konsiderohet të jetë e mirë.

Tanimë Teatri Kombëtar i Kosovës ndodhet në renovim, dhe regjisori Berisha ambientin e ri e ka vlerësuar si një hapësirë të përshtatshme pune.

“Ambienti i ri, Amfiteatri në Pallatin e Rinisë është një hapësirë shumë e mirë, në fakt. Sidomos për një shfaqje si kjo e jona. Drejtori Sheremeti dhe ekipi i TKK-së kanë arritur ta kthejnë në hapësirë të përshtatshme pune në afat rekord”, thotë ai.

Ndërkaq, premiera e shfaqjes “Pas vdekjes” ende nuk dihet saktë se kur do të shpaloset, por që patjetër do të jetë përgjatë muajit nëntor.

Kompozitore: Rona Castrioti

Skenograf: Bekim Korça

Kostumografe: Yllka Brada

Asistente regjie: Yllka Lota

Foto/Video: Joni Mithi

Inspicient: Bajram Mehmeti

Ndriçimi: Mursel Bekteshi. / KultPlus.com