Poema më e fuqishme e vajtimit nën interpretimin e Nazmi Belicës

KultPlus ju sjellë poemën ‘Vaje’ të Andon Zako Çajupit, nën interpretimin e mrekullueshëm të Nazmi Belicës.

Vaje është elegji e Andon Zako Çajupit, kushtuar gruas së tij të ndjerë zvicerane. Sipas kritikut Dhimitër Shuteriqi Çajupi e kujtoi të shoqen dhjetë vjet pasi ajo vdiq me ngashërim e i pangushulluar, përmes vargjeve të kësaj poeme.

Më poshtë gjeni poemën dhe interpretimin nga Nazmi Belica.

Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë
Lotët që kam derdhur, s’më janë dhe tharë
Shumë vjetë u bënë sot u mbushen dhjete
Që kur më ke lënë dhe s’të shoh ne jete!


Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë?
S’të vjen keq për mua?S’të vjen mallë për djalë ?
O ëngjëll I bukur mos meno në botë
Kthehu të të shomë të na mbeten lotë


S’rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve?
Motëmot që rrojtëm bashkë s’më urreve
Atje tek rri janë qipariz’ e varre
Kthehu të të shomë mos na lër përfare


Mos na lër të gjorë me zemër të ngrirë
Kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë
E ke lenë foshnje tani u bë burrë
S’arrite ta rritje s’të ka parë kurrë


Për ty shumë herë çoç do të më thotë
Por s’mund ti përgjigjem se më mbytin lotë
Kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë
Duke psherëtitur te zot’ I vërtetë


O zot I vërtetë s’të erdhi keq për djalë
Kur i more mëmën dhe më le të gjallë
Të më keshe marrë do të qe më mirë
Dhe të rronte mëma të rriste të birë
Me se rrojnë foshnjat çi rrit çiliminjtë
Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë
Doje dritë o qiell more dritën time
dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime
Tani rroj pa shpresë ndaj s’dua të rroj
Se dhe perëndinë tani s’e besoj./ KultPlus.com

Shtatë dekada të Teatrit ‘Andon Zako Çajupi’ në një ekspozitë

Fotografitë, veshjet, sendet personale të artistëve të njohur korçar, të cilët i kanë përdorur për 7 dekada në skenë janë ekspozuar për artdashësit.

Në këtë datëlindje të 70-të të Teatrit “Andon Zako Çajupi”, gjurmët që artistët kanë lënë me artin e tyre, përkujtohet jo vetëm nga publiku, por edhe nga artistët e njohur Ndriçim Xhepa dhe Timo Flloko

“Është një ekspozitë muzeale interesante. Teatri i Korçës është një teatër me traditë të hershme që kanë vënë vulën e personalitetit të tyre në Teatrin Kombëtar. Ka elemente edhe simbole të veçanta. Duke ecë nëpër to sheh artistët, brezat e hershëm, që kanë dhënë shumë vlera, si Piro Mani, Dhimitër Orgocka, Llazi Sërbo etj. Përmes kujtesës së tyre m’u duk sikur fola ma ta”, shprehet artisti Timo Flloko.

“Emocionet janë të mëdha, është një gjë e veçantë veçmas për ata që kanë dhënë shumë në këtë skenë. Gëzohem që shikoj këtë ekspozitë të kuruar me kaq shumë kujdes”, thotë aktori Ndriçim Xhepa.

Edhe përse drejtoresha e Teatrit Zamira Kita është e izoluar për shkak të COVID 19 në shtëpi, aktorja Blerta Balliu rrëfen punën e bërë, në këto momente

“Jemi kujdes që të kemi objekte të artisteve që kanë kontribuuar për një jetë në skenën e këtij teatri”, thotë Balliu.

Përpos ekspozitës, këto ditë nuk ka munguar për publikun korçar, as Festivali i Komedisë “Kokofest”. /shqiptarja/ KultPlus.com

Shqipëtar

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Shqipërin’ e mori turku,
i vu zjarr!
Shqipëtar, mos rri, po duku,
shqipëtar!

Mjaft punove për të tjerë,
o fatkeq!
Kujto vendin tek ke lerë
dhe tek heq.

Të ka bërë perëndia
luftëtar,
si s’të lodhi robëria,
shqipëtar!

Erdhi dita të ngresh kokë,
të kërkosh
lirinë, bashkë me shokë
të lëftosh!

Mos bëni si keni bërë
gjer më dje,
por të lëftoni të tërë
për Atdhè.

Pesëqind vjet kemi rruar
me pahir,
Lidhurë me këmn’ e duar
me zinxhir!…

Myslyman’ e të krishterë
jemi keq!
Të ngrihemi që të tërë,
djem e pleq!

Dëshirë


Poezi nga Andon Zako Çajupi.

Kush lë mikenë që ka
edhe ndahetë me shokë
për të fituar para,
nuk i ka mëntë në kokë.

Ikëni, more të mjerë,
ikni deti tek t’u nxjerrë,
se për mua dashuria,
ara, vështi dhe shtëpia
më bëjnë të rroj me gas,
se s’dua të lë gjë pas.

S’dua të iki si përpara,
dua të rroj nëpër ara,
mikja pranë të më ketë,
të punoj aratë vetë.

Fatmirosh, mot e nga mot
grur’ e misër të kem plot,
të kem raki, të kem verë
të ëmbëlë si sheqerë.

Të vete me bagëti,
me qe, me dhen e me dhi,
dhe t’i shpie rrëzë malit,
të hanë majën e barit;
dhe kur të pjellë një dhi
do t’i vë kecnë në gji.

Nuk iki nga Shqipëria
si punojn’ ata që s’dinë,
mos e dhëntë perëndia,
të ndahem me dashurinë,
sa të mund të rroj më pak,
po këtu të bëhem plak.

Dhe në vuaj, le të vuaj,
të mos vdes në vënd të huaj!
Të shoh mëmën._ e babanë,
të kem dhe motratë pranë,
dhe kur të vdes, të më qajnë
pas zakoneve që kanë:

Të më marrënë në duar,
të qajnë me lesh lëshuar,
dhe mikia, kur të vijë,
ta qaj’ e të ulërijë.

II

Ku janë vaftet e parë,
stërgjyshët sa mirë qenë
shkonin jetënë pa ndarë
edhe dojnin mëmëdhenë.

S’kish pampor e s’kish gjemi,
nukë vinin të fitonin,
atdhenë s’c lij njeri,
po punonin edhe shkonin.

Kau nukë kishte zgjedhë,
as fre për kalin e fortë,
dhe si s’kish njeri të vjedhë,
shtëpitë qenë pa portë.

Aratë s’kishnë sinuar,
s’kish të pasur e të varfër,
dheu qe i Julëzuar,
kafsh’ e njerz rronin të afër.

Nukë kishte njerz të liq,
se Jufta s’kishte dhe daJë
gjithë bota qenë miq,
qenë vëllezër në baIJë.

Po tani, zot’ i vërtetë,
njeriu ngjan me arinë!
Nukë hiqetë kjo jetë,
se njeriu ha njennë’
sot s’mbretëron dashuria,
nukë kemi dashuri,
s’na mbeti as trimëria,
sot rrojmë në robëri.

III

Sot e tutje në shtëpi
mikia të mbretërojë,
cilido nga miqt’ e mi
për zonjë duhet ta njojë.

Kur të vete nëpër ara,
kur të korr e kur të mbjell,
të kem mikenë përpara,
kur të shij e kur të vjel.

Dhe në stan kur të më shotë,
me qe, me dhën e me dhi
mikia t’i numërojë
se mos m’i vjedhë njeri,
të më zbukurojë stanë,
të bëjë djathë të butë,
t’u hedhë qënet të hanë,
të na ruajn’ nga hajdutë.

Edhe nata kur të vijë
të marr mikpnë në gji…
Dhe hënëza të na ndrijë
dhe të na kenë zili.

IV

0 shokë, ç’u prish dynjaja
si për burra dhe për gra,
tani shitetë sevdaja,
mjer’ ai që s’ka para.

I pasur, të palltë varri,
ti që bleve dashurinë
dhe nuk e le si në pari,
të martë djalli shpirtinë!

Ndëgjoni, more të ri,
ndëgjoni dhe ju të ra:
duani atë që di,
jo atë që ka para.

Duani dhe vjershëtorë
barabar me perëndinë,
se rri me lule në dorë
edhe këndon dashurinë.

Ata që janë lëvduar,
me këngë nga vjershëtori,
janë burra të ndëgjuar
dhe rrojënë sa Tomori.

0 ju të ra e të ri,
u lutem të më këndoni,
që të kini dashuri,
kur të vdes të më kujtoni. /Filozofia.al./KultPlus.com

– Andon Zako Cajupi

Mëmëdheu

Poezi nga Andon Zako Çajupi.

Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes./KultPlus.com

Sot 88-vjetori i vdekjes së Andon Zako Çajupit

Sot bëhen plotë 88 vite që nga vdekja e Andon Zako Çajupit, shkruan KultPlus.

Ai lindi më 27 mars të vitit 1866 ndërsa vdiq më 11 korrik të vitit 1930. Andon Zako Çajupi ishte poet, dramaturg dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare.

U lind Sheper të Zagorisë, i biri i Harito Zakos, një tregtari duhani me tregje në zgjerim e sipër deri në Itali. Mori mësimet fillore në Nivan të Zagorisë, në shkollën greke të atjeshme.

Më 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioi frëngjisht për pesë vite tek Sainte Catherine des Lazaristes. Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri u takua me mjaft avoketër të huaj, që i dhanë bindjen të vazhdonte studimet për jurisprudencë në Zvicër,[1] ku Çajupi shkoi më 1887 dhe vazhdoi studimet për pesë vite në këtë disiplinë. Atje takoi bashkëshorten e tij Eugjeninë, me të cilën pati një djalë, Stefanin.

Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, ku kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj, e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu./ KultPlus.com