Zëri kumbues i historisë shqiptare, Marin Mema: Mbështetja te rrënjët është kthesa e vetme drejt një kombi më të fortë

Jeta Zymberi

“Mos na harroni se të djegun jena ne për Shqipëri!”. Këto janë fjalë që vijnë nga territoret shqiptare që ndër shekuj u mbuluan nga e vërteta, territore që sot po gërvishten nga një gazetar shqiptar, i cili parim jetësor e ka të vërtetën.

Një personalitet që dallon. I cili është ngritur si një mur mbrojtës duke e bërë të pamundurën në zbulimin dhe ekspozimin e rrënjëve shqiptare.

Atë, as nuk mund ta quash historian, as gazetar, Marin Mema është një hulumtues i pasionuar i historisë dhe kulturës shqiptare, një romantik i storjeve mbi territoret e humbura shqiptare. Një nga faktorët kyç që mund të nënvizojmë në këtë rrugëtim të Memës, është fuqia brenda vetes si dhe detyrimi që vjen nga thellësia e shpirtit që shtyn me patjetër drejt njohjes së të vërtetës, zbulimit të historisë dhe identitetit kombëtar.

Si një shkëndijë mbi qiellin e kombit tonë, Marin Mema po shtron një rrugë të ndritshme të dijes dhe kërkimit. Nëpërmjet gazetarisë së tij, ai ka krijuar një urë midis të kaluarës dhe së tashmes, duke hedhur dritë mbi ngjarje dhe figura të harruara nga historia zyrtare. Ai është një interpretues i veçantë i historisë shqiptare, duke na treguar se çdo ngjarje ka një kontekst të thellë dhe një lidhje me ngjarjet e tjera.

I thjeshtë në dukje, me një modesti të jashtëzakonshme, me një zë kumbues që tërheq vëmendje dhe të jep bindje, Marin Mema dhe unë u takuam në ambientet e KultPlus Caffe Gallery për të realizuar këtë intervistë që për mua është shumë domethënëse.

Marin Mema në KultPlus Caffe Gallery

Me një fjalor të pasur të cilin duket që e ka marr pak nga të gjitha tokat shqiptare ku i ka shkelur këmba, ai na rrëfen se çfarë e shtyu të fillojë këtë kërkim të thellë të identitetit kombëtar.

Të flasësh me Marin Memën është një sfidë për zemrën dhe intelektin bashkë. Atdhedashuria shpërthen si vullkan brenda teje dhe pavarësisht se sa përpjekje bën për të mbajtur ndjenjat nën kontroll, forca e tij, si një fuqi e natyrës së pashpjegueshme, tërheq çdo qelizë të ndjesisë patriotike brenda teje, duke treguar se dashuria për kombin është një flakë që nuk shuhet dot.

Kur flet për ‘Gjurmët Shqiptare’, që tashmë ka shënuar një dekadë, ai thekson se ky projekt i ka dhënë një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe e ka frymëzuar të sjellë në pah shumë histori të harruara dhe të lëna mënjanë. Nëpërmjet kësaj pune, ai ka ndeshur shqiptarë që kanë ruajtur me zell dhe dashuri identitetin e tyre, edhe pse kanë përjetuar presion dhe tentativa për t’i asimiluar. Ai thotë se identiteti kombëtar nuk duhet harruar në errësirën e globalizmit dhe se mbështetja te rrënjët është kthesa e vetme drejt një kombi më të fortë.

Marin Mema, një personalitet i pasur me dije, nëpërmjet pyetjeve, na udhëzon në një udhëtim emocionues nëpër kohë dhe hapësirë, duke na sjellë para syve ngjarje dhe momente të ndryshme gjatë takimeve me shqiptarë që valët e jetës i kanë detyruar të deklarohen diku si kroat e diku di turq, por që dashuria e tyre për Shqipërinë, forca dhe sakrificat e tyre, të thyejnë shpirtin e të nxjerrin lotët, lotë të cilët duhet t’i kthejmë në mbështetje për këta njerëz që vuajtjen për atdheun e kanë përqafuar me dekada të tëra.

Misioni i Marin Memës tashmë është bërë një thesar i përbashkët kombëtar sepse ai na mëson se historia nuk është thjesht një varg ngjarjesh, por një rrugë e plotë që na lidh me të kaluarën dhe formon identitetin tonë.

Ai është një shembull i rrallë i një njeriu që ka vendosur të jetë pjesë e rrënjëve që i kërkon me aq përkushtim, sepse siç pohon edhe ai vetë, kombin duhet dashur me të mirat e të këqijat e veta.

KultPlus: Si nisi puna juaj për të nxjerrë në dritë të vërtetën mbi shqiptarët. Çfarë ju nxiti më shumë për të hulumtuar në këto terrene?

Marin Mema: Është diçka që ti e ke brenda vetes, e ke brenda shpirtit, brenda zemrës së mushkës, nuk e shpjegon dot, të vjen natyrshëm. Ti fillon të krijosh të dhënat e para, të marrësh informacionin e parë dhe kupton që ka pasur një tentativë të përhershme për t’i shuar elementë historisë tonë, të identitetit tonë kombëtar, për t’i zhdukur, për t’i mbajtur të mbyllura dhe atëherë ti përfshihesh plotësisht në një përpjekje për të nxjerrë sadopak në pah. E kam thënë shpesh, këtë e bëj jo për të sulmuar kombet e tjera, thjesht për të treguar më shumë për vendin tonë, për kombin tonë.

KultPlus: Gjurmë shqiptare tashmë ka shënuar një dekadë punë dhe ka shpërfaqë shumë fakte mbi vjetërsinë, kulturën, traditën shqiptare, krejt ky rrugëtim i këtij emisioni, sa ka plotësuar brendësinë e Marin Memës në kërkim të rrënjëve shqiptare?

Marin Mema: Mbi të gjitha më ka dhënë një eksperiencë të jashtëzakonshme. Më ka bërë që të sjell disa gjëra deri diku të reja, sigurisht dhe shumë gjëra tjera që ishin të thëna më parë nga puna e jashtëzakonshme e historianëve e studiuesve, por që ishin lënë mënjanë. Pra, këta historianë dhe studiues nuk kishin marrë asnjëri mbështetjen që duhej. Për mua ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe vazhdon të jetë një eksperiencë e jashtëzakonshme, sepse kam vizituar zona që nuk do t’i kisha vizituar dot kurrë nëse do të kisha punuar në një sektor tjetër. Domethënë, unë nuk arrij t’i harroj kurrë dot as eksperiencat në Nish, as në Mollëkuqe, as në Kurshumli, as në Prokuplje, as në Sanxhak të Pazarit e Ri, as në Tutin, Peshter, pastaj është pjesa e Çamërisë, është pjesa e shqiptarëve të Malit të Zi, e shumë vene të tjera. Domethënë është një eksperiencë e jashtëzakonshme që ti mund t’i hasësh në një moment të caktuar në libra, por në terren është krejtësisht tjetër. Pra, në terren ti gjithçka e kupton në formë të drejtpërdrejtë. Unë kisha lexuar deri diku për shqiptarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri, por kur kam vajtur atje për herë të parë, ka qenë tjetër gjëja që kam gjetur. Është tjetër gjë kur i sheh prej afër.

KultPlus: Në të përditshmen, individët nuk dëshirojnë të gërmojnë në të kaluarën, jo gjithmonë e kaluara është e bukur. Por të kaluarën shqiptare do ta kishin lakmi shumë popuj, ju si e plotësoni këtë qasje?

Marin Mema: E kaluara jonë është një moment shumë i rëndësishëm, sepse derdhet shumë thellë në histori, por është dhe e dhimbshme, sepse gjithmonë kemi vuajtur nga kjo mungesa e organizimit, nga këto pushtimet e përhershme, nga kjo tentativa e gjithmonshme për të na mbajtur me një anë, për të na e shuar historinë dhe identitetin tonë, për të na e rrëmbyer këtë histori. Prandaj, unë sot gjithmonë kur flas për këtë gjë, përpiqem që të them që shiko, sot është momenti që ne të gjithë bashkë të përpiqemi për t’i nxjerrë në pah, për t’i nxjerrë në dritë këto vlera, për të mësuar përmes tyre. Një komb me themele më të forta, është një komb më i fortë. Sot, ka shpesh një tentativë për të thënë që iku koha e patriotizmit, iku koha e lidhjes me kombin, sepse bota është bërë globaliste etj, por ne po të shikojmë pak me kujdes sot, kombet më të fuqishme janë kombet më të lidhura me konceptin kombëtar, me rrënjët, dhe ne nuk mund të bëjmë përjashtim. Ne duhet të mbështesim rrënjët tona tek një histori që e kemi, me të mirë dhe të këqijat e saj, e kemi dhe jemi të detyruar që ta ruajmë dhe të mos ia falim askujt.

KultPlus: Përgjatë kësaj periudhe, cila nga tregimet e tua të ka rrëqethë trupin?

Marin Mema: Ka shumë. Kur kam qenë për shembull në Sanxhak të Pazarit të Ri, s’ia harroj kurrë fjalët e një të moshuari atje i cili nuk kishte qenë kurrë në Shqipëri dhe në fund të takimit tonë gjithmonë më thoshte: Mos na harroni se të djegun jena ne për Shqipëri!

Kurrë s’e kishte parë Shqipërinë, por thellë në shpirtin e tij vlonte dëshira dhe ndjenja e kombit. Ashtu siç një tjetër zotëri, që për fat të keq sot nuk jeton më, pasi bisedonte me mua, në një moment të caktuar më thoshte: Tash do të nxjerr ‘zastaven”. Dakord i them unë dhe vazhdojmë bisedën, ku ai prap vazhdon e thotë të njëjtën fjalë përderisa vazhdonte biseda dhe në fund, pa nga dritarja dhe hapi sëndukun dhe nxori flamurin kombëtar. Pra, ti kupton se sa e vështirë ka qenë për ta, por edhe faktin që ata brenda vetes e kanë ruajtur në një farë mënyre të qenit shqiptarë. Sigurisht, ka shumë momente tjera që unë jam emocionuar kur kam parë për shembull shqiptarë, të cilët për shkak të presionit shumë të madh, asimilimit shumë të madh, dhunës që kanë përjetuar, janë detyruar të mohojnë identitetin e tyre, pra t’i gjen dikë që të thotë: Unë jam me gjyshe e gjyshe shqiptare, nënë e babë shqiptarë, por vetë jam maqedonas. Pra, t’ia hasë këtë realitet, që është sigurisht pjesë shumë e dhimbshme. Por edhe më e dhimbshme akoma është fakti që për shumë nga këta shqiptarë që janë të asimiluar apo që kanë mbetur si në hije, nuk flitet fare. Pra, nëse ne flasim sot për Sanxhakun e Pazarit të Ri, për ta flitet fare pak, nuk diskutohet fare, pavarësisht se atje ka filluar një lëvizje shumë interesante e një grupi të rinj, të cilët po përpiqen të shprushin në rrënjët e tyre. Nuk duhet me pas frikë me tregu të vërtetat. Ne duhet të kërkojmë të drejta për ta, ata kanë të drejtë të jenë ata që i ka bërë Zoti, ata janë shqiptarë, pavarësisht se për shumë arsye sot deklarohen masivisht boshnjakë. Por, nëse ti bisedon me ta, ata e pranojnë që janë regjistruar si boshnjakë, por që janë shqiptarë. Edhe ata që nuk e pranojnë, po t’i gërvishtesh fare pak, në një moment të caktuar e tregojnë që janë shqiptarë.

KultPlus: Ju keni qenë në shumë zona ku edhe dokumentoni për të kaluarën tonë, në bazë të asaj se çfarë keni punuar deri më tani, sa përqind mendoni se keni prekë zonat shqiptare?

Marin Mema: Nuk e ndaj dot me përqindje, por them që kam prekur një pjesë të madhe të tyre dhe sigurisht kam ende shumë zona tjera për të prekur. Kam zona tjera në Mal të Zi që duhet t’i prek, kam zona tjera në Maqedoni që duhet t’i prek, kam zona tjera në Turqi që unë duhet t’i prek, sepse edhe atje janë shumë shqiptarë. Eksperienca pastaj më ka çuar të prekë shumë shqiptarët që kanë mbetur në Serbi, shqiptarët që kanë mbetur në zonën e Çamërisë dhe ato pjesët përreth sepse edhe aty kanë mbetur shqiptarët ortodoksë, myslimanë. Pra, deri diku kam prekur një lloj gjeografie, por them që ka ende shumë për të dëshmuar dhe për të rrëfyer në terren.

KultPlus: Përpos trojeve shqiptare, duke përjashtuar edhe arbëreshët, në çfarë lokacione të shteteve të huaja keni gërmuar për kulturën dhe lashtësinë shqiptare?

Marin Mema: Italia disa herë, sepse Italia ka edhe arbëreshët, ka edhe shumë fise ilire që kanë vajtur dhe kanë jetuar që në shekullin e tetë – nëntë para erës sonë janë vendosur në zonën e Salentos tek taka e Italisë. Italianët për fat e pranojnë këtë gjë, nuk e fshehin dhe unë kam pasur bashkëpunim të shkëlqyer me arkeologët italianë. Sigurisht, kam vajtur tek ata pak shqiptarë që akoma ruajnë identitetin shqiptar në Bullgari, kanë vajtur deri në Ukrainë, kanë qenë në Turqi. Pastaj kam qenë në Bosnje, kam qenë në Kroaci, tek arbëreshët e Kroacisë, kam qenë në Slloveni tek shqiptarët që ishin shuar në zonën në kufi me Italinë. Por sigurisht ka shumë e shumë, gjeografia është e gjerë, jam përqendruar në fakt më shumë tek trojet tona, këtu për rreth, sepse kam dashur ta prekë këtu realitetin.

KultPlus: “Arbëreshët e Zarës, gjaku ynë” është një tjetër dokumentar nga ju që ka shpalosur se si e kanë ruajtur arbëreshët e Kroacisë gjuhën, traditat, zakonet, këngët e mbartura brez pas brezi dhe historitë e jashtëzakonshme. Çfarë emocione përjetoni kur përballeni me këto fakte dhe këta njerëz?

Marin Mema: Secili prej tyre ka historinë e tij personale dhe ti kupton që ata kanë bërë sakrifica shumë të mëdha për ta mbartur gjuhën shqipe, për të mbajtur me shumë vështirësi trashëgiminë dhe kulturën shqiptare dhe ajo që shpesh kupton është që ne u japim shumë pak nga ajo që meritojnë. Pra, mbështetja që ne u japim sot është shumë e pakët, dhe nuk është vetëm tek shqiptarët e Kroacisë, është e njëjta gjë edhe tek arbëreshët e Bullgarisë dhe arbëreshët e Ukrainës. Arbëreshët e Italisë kanë qenë pak më ndryshe, në numër pak më të madh, më të mbledhur në zona të caktuara, shteti italian nuk ka qenë aq mbytës dhe kanë arritur ta ruajnë identitetin e tyre, por edhe ata sigurisht i kishin vënë ca kufizime vetes tyre, ata bënin martesa vetëm arbëresh me arbëresh, për të ruajtur identitetin. Por, këto zona në Kroaci, në Bullgari e në Ukrainë e kanë pasur një presion shumë të madh dhe pikërisht për shkak të këtij presionit shumë të madh, ne duhet t’i gjendeshim shumë më pranë. Për shembull, arbëreshët e Bullgarisë kanë mbetur tashmë shumë pak. Domethënë mund të kenë mbetur toponime, për shembull Arbanasit, po fshati Mandrica për shembull, sot ka vetëm një grup të moshuar që kanë mbetur dhe që e ruajnë gjuhën shqipe dhe me shkuarjen e tyre në botën tjetër do të humbasë gjithçka. Sigurisht duhet ta kem në fokus shumë shpejt Rumaninë që për mua është shumë e rëndësishme gjithashtu. Pastaj është Egjipti që ka qenë qendër shumë e rëndësishme.

KultPlus: Dokumentari i titulluar “Mashtrimi serb me objektet e kultit të krishterë në Kosovë”, ku tregohej sesi serbët kishin përvetësuar kishat iliro-arbërore, ka ngritur në këmbë gjithë shtetin serb. Reagime të shumta, kanë ardhur nga Serbia, si nga politikanë, historianë, gazetarë dhe opinionistë të ndryshëm të cilët edhe ju kanë akuzuar. Si veproni në raste të tilla, apo sa ndikojnë në punën që bëni?

Marin Mema: Nuk ka as njëlloj ndikimi, nëse njeriu shkon drejt të vërtetës dhe shkon e bën me pastërti dhe ndershmëri, nuk ka pse të ketë frikë as nga kërcëllitjet e dhëmbëve, as nga reagimet, as nga kërcënimet. Kjo është e vërteta, ata kanë një histori të mëhershme, që është historia e autoktonëve të këtushëm dhe pastaj, kur ndodhin dyndjet sllave dhe shumë shekuj më vonë, nis deformimi i historisë së këtyre objekteve të kultit. Kjo është e vërteta, i pëlqen apo s’i pëlqen dikujt, dhe ne për fat të keq shumë shpesh e kemi lënë pa treguar aq sa duhet. Ka studime shumë të mira të studiuesve shqiptarë, të historianëve shqiptarë, por që duhen mbështetur shumë fort që kjo çështje të dalë në dritë. Kështu që ne s’mund të heshtim se nuk i pëlqen një grupi të caktuar njerëzish. Ne gjërat tona do t’i themi.

KultPlus: Sipas asaj çka keni parë gjatë këtyre viteve punë, cilat vende shqiptare janë më të asimiluara?

Marin Mema: Mua më dhemb shumë Manastiri në Maqedoni, që ka qenë zemra e Rilindjes Kombëtare, shtëpia e Alfabetit, dhe sot ti gjenë shumë pak shqiptarë në krahasim me çkanë qenë, dhe ata shqiptarë që kanë mbetur, janë me të drejta të shkelura pa fund. Ashtu siç ke qytetin e Ohrit, që ka qenë mbi nëntëdhjetë përqind shqiptarë, ashtu siç kemi zona të caktuara në Mal të Zi, Tivarin shembull, Plavën e Gucinë. Pra, janë zona që kërkojnë dhe duhet të kenë shumë më shumë mbështetje për të rigjetur vetveten sepse janë qytete që kanë një rëndësi shumë të madhe në historinë tonë kombëtare. Ka edhe shumë qytete tjera, po mora vetëm disa shembuj.

KultPlus: Ju jeni shpërblyer disa herë edhe për punën tuaj mbi dokumentimin e popullit shqiptar, vulosë në një formë angazhimin tuaj apo çmimet tashmë nuk të bëjnë përshtypje?

Marin Mema: Çmimet janë një kënaqësi, janë një shtytje, pa diskutim. Por unë përpiqem të bëj punën time, jo për Marinin, për të marrë çmimin Marini, por përpiqem të vë një gur të vogël në një kështjellë të madhe, e quaj unë, që është kështjella e shqiptarizmës, ku secili nga ne mund të vërë një gur të vogël. Nuk e bëj për kënaqësinë individuale timen, nuk e bëj fare për këtë pjesë, unë do të doja vërtet që ti kem shërbyer kombit tim dhe kaq, që nesër, kur edhe unë të mos jem më, të thonë një fjalë të mirë për mua, kjo është pasuria më e madhe që lë njeriu, këtë quaj pasuri.

KultPlus: Po në një anë janë çmimet, po diku-diku je edhe i pa dëshiruar. Greqia para shumë vitesh të shpalli person “Non Grata”, në fakt ju luhate pak rehatinë?

Marin Mema: Ata janë mësuar të mos e thonë të vërtetën. Unë këtë raportin me të vërtetën e quaj të shenjtë. Është një raport që duhet ta ketë gazetari, se unë nuk e quaj vetën kurrë historian, unë e quaj veten hulumtues, por jam gazetar. Sigurisht, kam bërë vetëm punën time, asgjë më shumë. Kam vajtur dhe kam dëshmuar zona të caktuara se si e kanë pasur historinë, çfarë thonë dokumentet apo edhe shqipen që ka mbetur, e kam thënë shpesh me humor që “Nuk ua solla unë shqipen, unë shqipen atje e gjeta”. E kishin bartur në shtëpitë e tyre, duke folur brez pas brezi dhe e ruanin edhe sot. Mua më konsideruan dhe më dhanë një vendim të çuditshëm, “rrezik për sigurinë kombëtare”, se çfarë rreziku për sigurinë kombëtare mund të jetë një gazetar që armën e tij e ka penën, nuk e di. Megjithatë, budalliku më i madh është se duke shpallur Non Grata Marinin, mendon se pengon të vërtetën. E vërteta nuk pengohet. Se sot ti i shpall Non Grata Marinit, po ka pesëdhjetë, njëqind, dyqind, treqind studiues, hulumtues, gazetarë të tjerë të cilët do ta marrin përsipër dhe do ta bëjnë diçka të tillë, apo ka shumë bashkëpunëtorë të Marinit sot në Greqi që shteti grek nuk i shpall dot Non Grata, sepse pavarësisht se unë jam shpallur i tillë para njëmbëdhjetë vjetësh, ne kemi vazhduar të bëjmë emisione në Greqi, kjo tregon që ne kemi fije shumë të forta ende aty, pra nuk është zgjidhje kjo punë dhe mbi të gjitha, unë nuk do doja të bëheshin gazetarët grekë Non Grata, për shembull. Pse? Ne s’kemi gjë për të fshehur fare. Ne e kemi dritën e diellit, historinë tonë. S’i kemi rrëmbyer askujt, asgjë.

KultPlus: Po përpos grekëve, me cilin shtet tjetër pate telashe, kemi Serbinë, Malin e Zi, Greqinë, Maqedoninë e Veriut?

Marin Mema: Po, kam pasur përgjithësisht probleme në Serbi, madje dhe në udhëtimet e fundit. Mbaj mend, kur kemi qenë në disa fshatra shqiptarë përtej zonës së Beogradit, pra në zonën e Vojvodinës, fshatra shqiptarë që sot janë të asimiluar, por që e ruanin identitetin e tyre, ata kishin ardhur nga Kelmendi dhe ishin vendosur aty, janë vendosur në kohën kur ka qenë Perandoria Austro-Hungareze dhe kishin mbetur aty dhe për shkak të të përshtaturit me situatën ata deklaroheshin kroatë. Atje kemi pasur disa ngacmime, ndalesa të shpeshta nga policia serbe, por pastaj nga aty kemi lëvizur për Medvegjë, ku do të qëndronim një natë dhe aty na ka ardhur policia serbe në hotel që na ka kthyer përmbys gjithçka. Gjatë gjithë ditës pastaj na kanë ndaluar herë të tjera në vazhdimësi. Për fat, unë i kam dokumentuar që të mos duken si imagjinatë e imja. Pra, kemi përdorë mjete alternative, kamera të fshehta e mjete të tjera për t’i dokumentuar të gjitha këto lëvizjet tona dhe këto ndalesa. Kështu që kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme këto ndalesa nga shtetin serb, siç edhe në Maqedoni, më së shumti në periudhën e qeverisë së mëparshme, që ishte një qeveri nacionaliste. Edhe aty kemi pasur ndalesa ku në Shkup mbasi e kemi mbaruar një dokumentar, njësia speciale Alfa na kanë ndaluar, na kanë mbajtur pesë-gjashtë orë.

KultPlus: Dhe në ditët e sotme, Marin Mema si ndihet për rrënjët e tij?

Marin Mema: Unë ndihem krenar për kombin tim! Me të mirat dhe të këqijat. Unë përpiqem të jem realist. Unë e di që ne kemi shumë vështirësi, kemi pamundësi, kemi mungesë meritokracie, kemi pa fund probleme, por, në të mirën ose në të keqen, ky është kombi ynë, ky është vendi ynë. Pra, hajde tani të punojmë të gjithë bashkë për t’i minimizuar dhe për t’i hequr këto të këqijat, për të punuar për vendin tonë. Nuk mund të themi ne tani, meqë ka gjithë këto probleme, ta hedhim poshtë. Jo, ne duhet të mësojmë, të punojmë gjithë bashkë për të minimizuar të gjitha këto probleme dhe për të qenë vërtet krenarë. Pra, të mos e duam kombin vetëm një ditë në vit, për festa, ta duam çdo ditë të vitit, të punojmë çdo ditë të vitit.

KultPlus: Po shqiptarët e ditëve të sotme, si janë në sytë e Marin Memës?

Marin Mema: Unë dua që shqiptarët të jenë më afër njëri tjetrit, të lënë problemet mes njëri tjetrit, të lënë përçarjet mes njëri tjetrit dhe të jenë më të afruar. Bashkë jemi gjithmonë më të fortë, është shumë e thjeshtë. Sado të përpiqen të na ndajnë, na përçajnë, të na vënë shkopinjë nën rrota, ne do të kuptojmë që ne jemi shqiptarë, kudo. E kam marrë shpesh si shembull një shprehje shumë të thjeshtë. Është një foto emblematike e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, fotoja që qarkullon gjithmonë për festat e nëntorit. Tani nuk mund të vijë dikush dhe të na thotë: Prijeni këtë foto në gjysmë se historinë e keni ndryshe. Ne nuk e presim dot, aty është Ismail Qemali, burri i mençur i Vlorës, me Isa Boletinin, burrin e fortë dhe patriot të Mitrovicës, të Boletinit, krahut të Veriut, dhe ata janë bashkë, ne nuk mund ta presim dhe ta bëjmë historinë vet. Ne kemi një histori, një traditë, një trashëgimi, një kulturë dhe gjithçka do ta mendojmë bashkë.

KultPlus: Prej simboleve shqiptare, cili nga simbolet të prekë më shumë?

Marin Mema: Mua më prek çdo lloj simboli që lidhet me historinë, traditën, trashëgiminë dhe kulturën tonë. Sigurisht, flamuri kombëtar është flamuri kombëtar, pa diskutim.

KultPlus: Po nga lokacionet, cili më shumë shpërfaqë shqiptarin?

Marin Mema: Këtë s’e them dot, se do t’i diferencoja, gjithkund ka nga një copëz shumë të rëndësishme. Ti shkon në Prizren, po të emocionon Lidhja e Prizrenit, dhe ti shkon në Vlorë, dhe kupton se çfarë ka ndodhur në Vlorë, por ti shkon në Gjakovë dhe kupton se çka ka përjetuar dhe se ka qenë djep i Rilindjes. Pra, çdo cep i trojeve shqiptare e bart një peshë të rëndësishme. Ti shkon në Plavë e Guci, ku ata kanë bërë gjithë atë rezistencë. Po ti shkon në Tivarë dhe kupton çfarë sakrificë është bërë atje. Po ti shkon në Shkup dhe kupton që Shkupi ka qenë kryeqendër e madhe e shqiptarëve, pra secila ka pjesën e vet.

KultPlus: Populli shqiptar ndryshe ka nxjerr edhe shumë figura të rëndësishme, është një më i spikatur në brendësinë tuaj?

Marin Mema: Jo, nuk i ndaj dot, ka shumë figura të rëndësishme. Kur lexoni historinë e tyre kuptoni që kanë sakrifikuar gjithçka, kanë dhënë shpirtin, zemrën, kanë dhënë jetën, kanë dhënë pasuritë, kanë dhënë familjet e tyre, kanë dhënë gjithçka për të ndërtuar kombin dhe ne sot duhet minimalisht t’i respektojmë dhe t’i kujtojmë në mënyrë të denjë.

KultPlus: Si i shihni politikanët sot, ka të tilla figura me virtyte patriotike si këta që i përmendem më lart?

Marin Mema: Do doja që politika të ishte vërtet si ata burrat që përmenda pak më parë. Si ata rilindasit, ata që sakrifikuan gjithçka, pra të sakrifikojnë edhe këta të sotmit diçka për kombin, këtë do të doja unë. Kombi nuk ndërtohet me fjalë, kombi ndërtohet me vepra dhe kur ti kupton se sa shumë kanë sakrifikuar edhe njerëzit para, të vjen vërtet keq që nuk po sakrifikohet sot sa ata. Jo sa ata, por të paktën një minimum të atyre.

KultPlus: Dhe për fund, shqiptarët dje, sot dhe nesër?

Marin Mema: Shqiptarët dje me shumë probleme, të sulmuara nga të gjitha anët, me konflikte edhe mes tyre, me momente shumë të dhimbshme, sot me shumë probleme prap, me këto copëtime, me këto shkopinj nën rrota, me këto problemet që mbartim midis nesh. Nesër shpresoj që të mos kemi asnjë nga këto, që të jemi bashkë, të lëmë të gjitha këto probleme dhe ta shohim të ardhmen bashkë. / KultPlus.com

128 vjetori i lindjes së Avni Rustemit, atdhetari që vlerësohet për idetë e tij demokratike e revolucionare

Muzeu Historik Kombëtar kujton sot në 128-vjetorin e lindjes, patriotin dhe atdhetarin e shquar Avni Rustemin.

Avni Rustemi lindi në Libohovë, në një familje atdhetare. I ati ishte qehaja i familjes së Arsllan-Pashalinjve, oxhakut të Libohovës. Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas vazhdoi Normalen e Elbasanit dhe pastaj kolegjin arbëresh të Shën Adrianit në Shën-Mitër, Itali. Studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës. Më 1908 braktisi bankat e shkollës për t’u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit. Më 1910 tentoi për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane, gjeneral Shefqet Turgut pashën. Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke. Gjatë veprimtarisë së tij, më 1910, ai punoi si mësues në Libohovë, në Tragjas të Vlorës më 1913, dhe në Tepelenë e në Vlorë në vitet 1916-1918. Më 1918 me nismën e tij, u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate me emrin “Djalëria e Vlorës” dhe në krye të saj organizoi demonstratën e 28 nëntorit 1918 kundër pushtuesve italianë.

Në pranverë të vitit 1919 në Shën Mitër krijoi “Lidhjen e Rinisë Shqiptare”, për mbrojtjen e të drejtave kombëtare kurse më 13 qershor 1920 vrau me antetat në Paris, Esat Pashë Toptanin.

Me rikthimin e Avni Rustemit në Shqipëri, veprimtaria e tij politike vjen duke u intesifikuar. Pikërisht, më dhjetor 1920 ai filloi punën për bashkimin e shoqërive demokratike ekzistuese në një organizatë të vetme. Kongresi i mbajtur më 25 prill 1921 në Vlorë krijoi një shoqëri, që mori emrin federata “Atdheu”. Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi.

Me nismën e tij u krijuan dhe organizata profesionale të mësuesve. Me nismën e Avni Rustemit, më 13 tetor 1922 u krijua në Tiranë shoqëria demokratike “Bashkimi”. Avni Rustemi, nuk qe vetëm organizatori kryesor i shoqërive demokratike, por edhe një ndër ideologët më të shquar demokratë.

Daljen e vendit nga prapambetja, Avni Rustemi e shikonte në zhvillimin e ekonomisë së pavarur kombëtare. “Pa pavarësi ekonomike, – shkruan ai, – nuk mund të ketë pavarësi politike”.

Idetë e tij demokratike e revolucionare ai i shprehu edhe në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ku u zgjodh deputet nga populli i ish-prefekturës së Kosovës.

Në kushtet e ashpërsimit të kontradiktave klasore e politike të vëndit nga njerëz të vënë prej qeverisë së asaj kohe, atij i bëhet atentat më 20 prill 1924 pranë Pazarit të Ri në Tiranë, dhe vdes 2 ditë më vonë pikërisht më 22 prill 1924. Vrasja e deputetit shërbeu si shkëndijë e Lëvizjes, që triumfoi më 10 qershor 1924. / KultPlus.com

86-vjetori i vdekjes së Ndre Mjedës, një nga patriotët dhe shkrimtarët më të shquar shqiptar

Ndre Mjeda ishte një nga patriotët, studiuesit dhe deputetët ndër më të njohur shqiptar. Ai lindi në Shkodër më 20 Nëntor 1866. Mësimet e para i ndoqi po në vendlindje dhe edukimi i tij u influencua nga Urdhri i Jezuitëve. Nën Urdhrin e Jezuitëve në pranverë të 1880, Mjeda studioi për tre muaj në fshatin Cossé-le-Vivien, Laval, një qytet në veriperëndim të Francës. Në vitet e mëvonshme ai ndoqi studimet për letërsi në manastirin Kartakuzian të Porta Coeli në veri të Valencias.

Më pas Mjeda studioi teologji në Kolegjin e Jezuitëve në Krakov, Poloni, ku gjithashtu shërbeu edhe si bibliotekar në kolegjin Gregorian të Kraljevicës. Gjatë studimeve në Poloni, Mjeda u caktua edhe si profesor i logjikës dhe metafizikës në këtë universitet. Gjatë kësaj periudhe Mjeda filloi të shkruantë në vargje për Çështjen Kombëtare Shqiptare, duke përfshirë edhe poemën e tij të njohur dhe melankolike “Vaji i Bilbilit” publikuar më 1887, ku në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi, që shquanin paraardhësit e tij L. De Martini, N. Bytyçi, etj. Vepra përmbyllet me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Gjithashtu botim i kësaj periudhë është edhe poema “Vorri i Skëndërbeut”,e cila si temë qëndrore ka emigrimin e Shqiptarëve pas vdekjes së Skëndërbeut. Mjeda do njihet me kryeveprën “Juvenilja”.

Më 1911 ai shkroi poemën “Liria”. Gjithashtu për letërsinë Shqiptare janë të njohura edhe disa nga poemat e tij si “Scodra”, “Lissus”, “Malli për Atdhe”. Kontributit i Mjedës, përveç në fushën e poezisë do jetë mjaft i vlefshëm dhe i vyer në fushën e Albanologjisë ku përmendim vepra të tilla si: “Mbi Shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës Shqipe”. Më 1901 së bashku me vëllain e tij, Lazër Mjeda, themeloi shoqërinë kulturore “Agimi”.

Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ku u dallua si përkrahës i Alfabetit Shqiptar, krahas patriotëve të tjerë të shquar. Gjatë viteve 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924), Ndre Mjeda mori pjesë aktive në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratik u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Në vitet 1930-1932 transkiptoi pjesërisht veprën e Bogdanit dhe të Budit, gjithashtu shkroi edhe për dialektin Shqiptar të Istrias. Deri në fund të jetës Mjeda shërbeu si mësues në Kolegjin Jezuit të Shkodrës. Ai vdiq më 01 Gusht 1937. Mjeda do të kujtohet si një nga patriotët dhe shkrimtarët më të shquar shqiptar, ku kontributi i tij do jetë i paharruar. / KultPlus.com

Murat Toptani, atdhetari që punoi shumë për futjen e gjuhës shqipe në shkollat turke

Më 13 korrik kujtojmë ditën e lindjes së patriotit dhe firmëtarin e Pavarësisë Murat Toptani.

Murat Toptani ka lindur më 13 korrik 1867 në Aka, (Kaukaz) në kohën e internimit të babait-Said Toptanit. Ai ka qenë patriot, atdhetar, ushtarak, poet, publicist, piktor, skulptor si dhe mësues, që punoi shumë për futjen e gjuhës shqipe nëpër shkollat turke.

Gjithashtu zotëronte disa gjuhë të huaja si, turqisht, frëngjisht, arabisht, persisht, gjermanisht dhe italisht.

Mësimet i filloi në shkollën “Madam Fyrer”, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në “Gallata Saraj” të Stambollit. Gjatë vijimit të mësimeve në “Madam Fyres”, pati rastin të njihet me Asijen, vajzën e poetit komëtar Naim Frashërit. Kjo njohje motivoi lindjen e një dashurie të sinqertë në mes Muratit dhe Asijes, ndërsa më vonë me pëlqimin e vëllezërve Frashëri këta dy të rinj u martuan. Lidhjet mes familjes Toptani dhe Frashëri u forcuan edhe më shumë kur Vesimeja, motra e Murat Toptanit, u martua me më të voglin e vëllezërve Frashëri, me Mehmet Frashërin.

Më 1912 Murat Toptani ka qenë përfaqësues i Tiranës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Aktin e Pavarësisë. Murat Toptani njihet si dhe një nga pionerët e skulptures shqiptare, me realizmin e bustit të Skënderbeut. Ai vdiq në Tiranë në vitin 1918. / KultPlus.com

92 vite pa Andon Zako Çajupin, pena e secilit shkroi edhe komedinë “14 vjeç dhëndër”

Sot, përkujtojmë 92–vjetorin e vdekjes së patriotit, veprimtarit të Rilindjes Kombëtare, poetit dhe dramaturgut Andon Zako Çajupi.

Andon Zako Çajupi u lind më 26 mars të vitit 1866 në Sheper të Zagorisë. I ati, Harito Zako, ishte një tregtari duhani i cili punonte në Kavallë dhe në Egjipt. Andon Zako, i njohur më vonë me emrin letrar, Çajupi, nga emri i një mali në krahinën e Zagorisë. Mësimet fillore i mori në shkollën greke në Nivan të Zagorisë. Më 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioi frëngjisht për pesë vite. Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri u takua me mjaft avoketër të huaj, që i dhanë bindjen të vazhdonte studimet për jurisprudencë në Zvicër, ku Çajupi shkoi më 1887 dhe vazhdoi studimet për pesë vite në këtë disiplinë.

Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij: “14 vjeç dhëndër” dhe “Pas vdekjes”, shkruar më 1910, botuar më 1937. “Pas vdekjes” është një komedi politike.

Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia “Burri i dheut” (botuar më 1937), pastaj poema epope “Baba Musa Lakuriq”, si dhe shumë vepra të tjera. / KultPlus.com

Kështu i quante shkrimtari Fan Noli shqiptarët

Fjalim i mbajtur nga Fan S. Noli në Parlamanetin Shqiptar në 1924

Ne vendin tone mbreteron konfuzioni i pese anarkive :

E para – Anarkia fetare: katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta – Anarkia sociale: Këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burzhuazie. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu më bujk se bujku. Kemi një shembull të bukur për partinë popullore e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhakët më të vjetër, kurse anatarët e saj lëvdohen se kanë shpëtuar prej bejlerëve.

E treta – Anarkia morale:Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita me ditë si në kaleidoskop. Këtu ambicjet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta – Anarkia patriotike:Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapërdisen si patriotë të mëdhej ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartet e i kanë ndihmuar shenjtërojnë anëe mbanë Toskërinë. Këtu si më thoshte një mik është më mirë që njeriu të jetë tradhëtor e të shikojë interesat e tij sepse kështu do të jetë i sigurtë që të nesërmen do të prokllamohet patriot i madh.

E pesta – Anarkia e idealeve:Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit e të Buhares përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla më elegante e më të nderitshme të Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpuseh që mund ti copëtosh, por jo ti shqitësh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë. Herodi tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ja prenë; atëhere e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atehere e kapi me dhëmbë e s’e lëshoj gjersa i’a prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet të preç jo vetëm duart e kokën po dhe këmbët e trupin./KultPlus.com