8 gusht 1991, kur shqiptarët “pushtuan” Barin (FOTO)

Më 8 gusht 1991, anija shqiptare e mallrave “Vlora”, mbërriti në portin e Barit, e tejmbushur me refugjatë nga Shqipëria.

Autoritetet e qytetit dhe rajonit, me mbështetjen e agjencive të lajmeve, gazetave lokale e jo lokale apo lajmeve televizive, përkujtuan ngjarjen si një lloj feste të ndjenjës së mirëpritjes, tanimë e humbur.

Por ngjarjet kanë pasur një rrjedhë të ndryshme: imigrantët fillimisht u mbyllën në stadiumin e vjetër Della Vittoria, dhe më pas u riatdhesuan për në Shqipëri.

Gjendje shëndetësore e mjeteve tona të komunikimit duhet të jetë e lëkundur deri sa dembelizmi pengon rindërtimin e ngjarjeve, të bujshme, që kanë ndodhur vetëm njëzet vjet më parë.

Le të shohim pra se kanë shkuar gjërat, duke ndjekur kronikat e asaj kohe.

Anija Vlora, mbërrin nga Durrësi, gati pa karburant, mundohet të hedhe spirancën në Brindisi, por nuk pranohet dhe drejtohet për në Bari.

Në bord ka edhe njerëz të armatosur, përveç imigrantëve në arrati nga 45 vjet regjimi komunist, tanimë i shkërmoqur, ka dhe gra e fëmijë. Komandanti Halim Milaqi i rrëfen gazetarit Antonio Padalino të revistës ‘Panorama’ se anija e tij kishte mbërritur në port nga Kuba, plot me sheqer, dhe shkarkimi i saj nuk kishte përfunduar akoma, kur e pa që po afrohej ky det njerëzish.

Atëherë jep urdhër që të fillojë lundrimi, por disa policë, që kanë arritur të hipin, i vënë një thikë në fyt dhe e detyrojnë të kthehet prapa për të marrë të gjithë ata njerëz.

Sa janë në bord? Gazetat e 9 gusht 1991 shkruanin se bëhej fjalë për 11 000 persona, ndërsa në kronikat e sotme flitet për 20.000. Një gjë është e sigurt, ishte një morì mbresëlënëse njerëzish, e shumë prej tyre ishin kapur edhe në shtizën e flamurit.

Fotografitë e Luca Turi dhe Vittorio Arcieri janë tronditëse dhe kanë përjetësuar edhe njerëz që, pas mbërritjes në port, janë hedhur në ujë nga anija.

Në orën 11e 30 lumi i njerëzve ndodhet në platformë. Kërkojnë bukë dhe ujë. Vlora është kthyer në një nevojtore me erë të keqe. Policia i drejton të gjithë në stadiumin e vjetër të futbollit, ne pritje të vendimeve.

Kryeministri, Giulio Andreotti, dikton nga Roma këtë deklaratë: ‘Nuk jemi absolutisht në gjendje të mirëpresim shqiptarët që po dynden në brigjet italiane dhe vetë qeveria e Tiranës është dakord me ne që ata duhet të riatdhesohen në vendin e tyre’.

Në stadium plas revolta.

Më të rinjtë shkulin pllakat e shkallëve dhe hedhin gurë kundër policisë. Përleshje të ashpra zgjatën tre ditë, më të dhunshmet qenë ato të së dielës, më 11 gusht, me 40 të plagosur mes policisë dhe një numër i pacaktuar mes protestuesve.

Shqiptarëve u jepet ushqimi dhe uji nga qielli, më thasë të hedhur nga helikopterët. Ishin skena Apokalipsi.

Ndërkohë organizohet operacioni më i madh i riatdhesimit në historinë e Republikës së Italisë. Në të marrin pjesë 11 avionë ushtarakë C130 dhe G222, së bashku me tre Super80 të Alitalia-s dhe motobarka si Tiepolo, Palladio dhe Tiziano, në të cilën hipën klandestin gazetari i ‘Il Messaggeros’ Marco Guidi.

Ai u hoq si shqiptar për të mund të njohur historitë e imigrantëve. Në fillim shumë prej tyre nuk e dinë se po i kthejnë. ‘Është e vërtetë që do na çoni në Venecia?’ pyet njëri ekuipazhin, sipas rrëfimit të Marco Guidi.

Të riatdhesuarit qenë 17 mijë e 400, më shumë nga pasagjerët e Vlorës (e përsërisim sipas shifrave të asaj kohe), sepse u riatdhesuan edhe imigrantë që kishin mbërritur me anije të tjera.

Mbetën në Itali 1.500 vetë që kishin paraqitur kërkese për stremi politik.

Gianni De Michelis, ministër i Punëve të Jashtme, fluturoi për në Tiranë për të ilustruar një plan italian ndihme: 90 miliardë lireta për ushqime, 60 miliardë për industrinë dhe furnizimet për hapjen në tetor të shkollave, dhe bashkëpunim në rendin publik për të parandaluar ikje të tjera.

Në Parlament pati polemika mbi metodat e rrepta, madje brutale, të këtij operacioni. Shumë më pak mbi thelbin e tij. Në një konferencë shtypi deputetët e PDS (Partia Demokratike Italiane e sotme) ‘megjithëse kuptojmë vendimin e dhimbshëm për riatdhesimin e refugjatëve në Shqipëri’ ata denoncuan ‘zgjedhjen e pamenduar për të mos respektuar të drejtat e njeriut, duke u mohuar atyre një asistencë të denjë.’

Kjo është e vërteta e fakteve, që askush sot nuk mund t’i ndryshojë. Megjithatë, në ato vite, Italia në përgjithësi dhe Puglia në veçanti dhanë prova shumë të mëdha mikpritjeje.

Më pas mes Romës dhe Tiranës do të lidhet një marrëveshje model, e cila arriti të lehtësojë emigracionin e rregullt të të shumë shqiptarëve.

Por historia e anijes Vlora është kjo.

Marrë nga kronikat mediatike të kohës. / KultPlus.com

Kujtimet e fotoreporterit për anijen “Vlora”: Një histori për t’u rrëfyer

E përditshmja prestigjioze italiane “La Repubblica” ka kujtuar 30-vjetorin e anijes “Vlora” përmes rrëfimeve të fotografit të kohës Lorenzo Turi.

Tridhjetë vjet më parë 20 mijë shqiptarë zbarkuan në Bari nga anija e Vlorës. Ajo ngjarje mbahet mend në të gjithë botën mbi të gjitha falë një fotografie që më mirë se çdo fjalë arriti të përcillte dimensionet e dramës: mijëra njerëz u mblodhën në mol dhe po aq akoma në bordin e anijes, të kapur pas litarëve ose shtizave të flamurit. Por ndoshta pak njerëz e dinë që ai imazh është marrë nga një djalë i vogël. Lorenzo Turi ishte 16 vjeç në atë kohë dhe punonte në agjencinë e fotografive të babait të tij Luca.

“Kjo është një fotografi që kam bërë në orën 14.30, pas disa orësh që anija ishte ankoruar: kalata ishte plot dhe anija ishte ende plot me njerëz, sikur askush të mos kishte zbritur”.

Sot, 30 vjet më vonë, pavarësisht përvojave në gjysmën e botës edhe në skenarët e luftës për Reuters, për Sky dhe tani edhe për agjencinë e prodhimit dhe shërbimit Xentek, kujtesa e 8 gushtit 1991 mbetet e pashlyeshme.

“Ajo ditë nuk mund të harrohet – thotë Turi sot – sepse është një gjë unike, e papërsëritshme. Asnjëherë nuk kishte ndodhur dhe ndoshta nuk do t’i ndodhë askujt që të ballafaqohet me një anije që ishte shndërruar në një lloj pengese njerëzore. Për orë të tëra, burra, gra dhe fëmijë të të gjitha moshave dolën nga anija Vlora, të ndotur, të lodhur, të uritur dhe në nevojë për gjithçka ”.

Fotografi shumë i ri po kërkonte një pikë nga e cila mund të kishte një paraqitje të saktë të situatës.

“Unë u ngjita – thotë ai – në murin e portit duke u ngjitur në një shkallë të ndryshkur. Nuk kishte dritë perfekte, por pozicioni ishte i mirë. Dhe kështu bëra fotografinë: ai imazh është bërë simboli i kësaj historie”.

Marrë nga La Repubblica / KultPlus.com