“Shqiponjat e Mëndafshta” themelojnë shkollën e gjuhës shqipe në Bari

Shoqata shqiptare në Bari të Italisë “Shqiponjat e Mëndafshta” ka arritur të realizojë një nga projektet kryesore të saj, atë të themelimit të shkollës së gjuhës shqipe.

“Shoqata jonë rritet falë objektivave që kemi vendosur që në fillim. Bëhet realitet një nga projektet tona më të rëndësishme, themelimi i shkollës së gjuhës shqipe në Bari. Prej muajsh kemi filluar përgatitjet, duke nisur nga seleksionimi i mësueseve për të vazhduar me prezantimin dhe njohjen me realitete të ngjashme nëpër vende të ndryshme në Italia, deri tek prezantimi me përfaqësues istitucional të vëndit tonë. Urojmë të japim maksimumin dhe të mos humbasim besimin, edhe pse vështirësitë për t’u përballuar nuk do jenë të pakta.

Falenderojmë motrat Nilsa dhe Viola Magjistari për lokandinën”, shkruhet në faqen zyrtare në Facebook të shoqatës Le Aquile di Seta.

Kjo shoqatë u krijua në vitin 2020 dhe synon të mbrojë dhe përmirësojë historinë dhe të kaluarën e Diasporës Shqiptare në Itali, duke parë të ardhmen e komunitetit. Të vetëdijshme se ka shumë shoqata të tjera me të cilat shpresojnë për një bashkëpunim në të ardhmen.

Gratë shqiptare të Barit duan të jenë një risi me një frymë bashkëpunimi, duke mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe duke u përpjekur të ndërtojnë një rrjet më të mirë. / KultPlus.com

8 gusht 1991, kur shqiptarët “pushtuan” Barin (FOTO)

Më 8 gusht 1991, anija shqiptare e mallrave “Vlora”, mbërriti në portin e Barit, e tejmbushur me refugjatë nga Shqipëria.

Autoritetet e qytetit dhe rajonit, me mbështetjen e agjencive të lajmeve, gazetave lokale e jo lokale apo lajmeve televizive, përkujtuan ngjarjen si një lloj feste të ndjenjës së mirëpritjes, tanimë e humbur.

Por ngjarjet kanë pasur një rrjedhë të ndryshme: imigrantët fillimisht u mbyllën në stadiumin e vjetër Della Vittoria, dhe më pas u riatdhesuan për në Shqipëri.

Gjendje shëndetësore e mjeteve tona të komunikimit duhet të jetë e lëkundur deri sa dembelizmi pengon rindërtimin e ngjarjeve, të bujshme, që kanë ndodhur vetëm njëzet vjet më parë.

Le të shohim pra se kanë shkuar gjërat, duke ndjekur kronikat e asaj kohe.

Anija Vlora, mbërrin nga Durrësi, gati pa karburant, mundohet të hedhe spirancën në Brindisi, por nuk pranohet dhe drejtohet për në Bari.

Në bord ka edhe njerëz të armatosur, përveç imigrantëve në arrati nga 45 vjet regjimi komunist, tanimë i shkërmoqur, ka dhe gra e fëmijë. Komandanti Halim Milaqi i rrëfen gazetarit Antonio Padalino të revistës ‘Panorama’ se anija e tij kishte mbërritur në port nga Kuba, plot me sheqer, dhe shkarkimi i saj nuk kishte përfunduar akoma, kur e pa që po afrohej ky det njerëzish.

Atëherë jep urdhër që të fillojë lundrimi, por disa policë, që kanë arritur të hipin, i vënë një thikë në fyt dhe e detyrojnë të kthehet prapa për të marrë të gjithë ata njerëz.

Sa janë në bord? Gazetat e 9 gusht 1991 shkruanin se bëhej fjalë për 11 000 persona, ndërsa në kronikat e sotme flitet për 20.000. Një gjë është e sigurt, ishte një morì mbresëlënëse njerëzish, e shumë prej tyre ishin kapur edhe në shtizën e flamurit.

Fotografitë e Luca Turi dhe Vittorio Arcieri janë tronditëse dhe kanë përjetësuar edhe njerëz që, pas mbërritjes në port, janë hedhur në ujë nga anija.

Në orën 11e 30 lumi i njerëzve ndodhet në platformë. Kërkojnë bukë dhe ujë. Vlora është kthyer në një nevojtore me erë të keqe. Policia i drejton të gjithë në stadiumin e vjetër të futbollit, ne pritje të vendimeve.

Kryeministri, Giulio Andreotti, dikton nga Roma këtë deklaratë: ‘Nuk jemi absolutisht në gjendje të mirëpresim shqiptarët që po dynden në brigjet italiane dhe vetë qeveria e Tiranës është dakord me ne që ata duhet të riatdhesohen në vendin e tyre’.

Në stadium plas revolta.

Më të rinjtë shkulin pllakat e shkallëve dhe hedhin gurë kundër policisë. Përleshje të ashpra zgjatën tre ditë, më të dhunshmet qenë ato të së dielës, më 11 gusht, me 40 të plagosur mes policisë dhe një numër i pacaktuar mes protestuesve.

Shqiptarëve u jepet ushqimi dhe uji nga qielli, më thasë të hedhur nga helikopterët. Ishin skena Apokalipsi.

Ndërkohë organizohet operacioni më i madh i riatdhesimit në historinë e Republikës së Italisë. Në të marrin pjesë 11 avionë ushtarakë C130 dhe G222, së bashku me tre Super80 të Alitalia-s dhe motobarka si Tiepolo, Palladio dhe Tiziano, në të cilën hipën klandestin gazetari i ‘Il Messaggeros’ Marco Guidi.

Ai u hoq si shqiptar për të mund të njohur historitë e imigrantëve. Në fillim shumë prej tyre nuk e dinë se po i kthejnë. ‘Është e vërtetë që do na çoni në Venecia?’ pyet njëri ekuipazhin, sipas rrëfimit të Marco Guidi.

Të riatdhesuarit qenë 17 mijë e 400, më shumë nga pasagjerët e Vlorës (e përsërisim sipas shifrave të asaj kohe), sepse u riatdhesuan edhe imigrantë që kishin mbërritur me anije të tjera.

Mbetën në Itali 1.500 vetë që kishin paraqitur kërkese për stremi politik.

Gianni De Michelis, ministër i Punëve të Jashtme, fluturoi për në Tiranë për të ilustruar një plan italian ndihme: 90 miliardë lireta për ushqime, 60 miliardë për industrinë dhe furnizimet për hapjen në tetor të shkollave, dhe bashkëpunim në rendin publik për të parandaluar ikje të tjera.

Në Parlament pati polemika mbi metodat e rrepta, madje brutale, të këtij operacioni. Shumë më pak mbi thelbin e tij. Në një konferencë shtypi deputetët e PDS (Partia Demokratike Italiane e sotme) ‘megjithëse kuptojmë vendimin e dhimbshëm për riatdhesimin e refugjatëve në Shqipëri’ ata denoncuan ‘zgjedhjen e pamenduar për të mos respektuar të drejtat e njeriut, duke u mohuar atyre një asistencë të denjë.’

Kjo është e vërteta e fakteve, që askush sot nuk mund t’i ndryshojë. Megjithatë, në ato vite, Italia në përgjithësi dhe Puglia në veçanti dhanë prova shumë të mëdha mikpritjeje.

Më pas mes Romës dhe Tiranës do të lidhet një marrëveshje model, e cila arriti të lehtësojë emigracionin e rregullt të të shumë shqiptarëve.

Por historia e anijes Vlora është kjo.

Marrë nga kronikat mediatike të kohës. / KultPlus.com

Fotografia ikonike e Barit të Italisë ishte shkrepur nga 16-të vjeçari Lorenzo Turi

Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka zgjedhur të publikojë mëngjesin e kësaj fundjave një foto të veçantë të 30 viteve më parë, e cila u bë ilustrimi unik i aspiratës së shqiptarëve për liri pas diktaturës komuniste.

“8 Gusht 1991 – 30 vjet anija Vlora Kjo foto e shkrepur nga barezi 16 vjeçar Lorenzo Turi u bë ilustrimi unik i aspiratës së shqiptarëve për liri pas diktaturës komuniste, por dhe shembulli më i madh i mikpritjes në Bari e më pas gjithë Italinë! Le të mos harrojmë”, shkruan Veliaj.

Më 8 gusht 1991, qytetarë të mbledhur nga të 4 anët e vendit, të vuajtur dhe të varfër, thyen barrierat dhe frikën, duke tejmbushur anijen “Vlora”, e ankoruar në Portin e Durrësit. Njerëzit qëndronin ku të mundnin, hipnin përmes litarëve, dhe kërkonin lirinë dhe “tokën e premtuar”, Italinë./ KultPlus.com

Nga 29 korriku në Salento vjen edicioni I i MediFest kushtuar Shqipërisë

Takime, prezantime, koncerte, një “itinerar fotografik” për të rrëfyer Shqipërinë 30 vjet pas zbarkimeve në Brindisi dhe Bari.

Nga e enjtja 29 korrik deri të dielën 1 gusht në fshatrat Castro, Diso, Marittima dhe Acquaviva të Salentos mbërrin “MediFest – Tinguj, bashkëbisedime, kujtime, imazhe të Mesdheut” i promovuar nga Rajoni i Pulias në bashkëpunim me partnerë të shumtë.

Edicioni i parë i Festivalit do t’i kushtohet tërësisht Shqipërisë. Tridhjetë vjet pas zbarkimeve në Brindisi dhe Bari, festivali ofron katër ditë takime, prezantime, koncerte, lexime, shfaqje, një “rrugëtim fotografik” por edhe pjata të kuzhinës shqiptare e arbëreshe për të njohur Shqipërinë, vendin e projektuar drejt Evropës, pa lënë mënjanë historinë e kujtimet që veçanërisht dhjetëvjeçarët e fundit e kanë lidhur në mënyrë të pandashme me Italinë e Rajonin e Puglias në veçanti.

“Shqipëria është e ftuara e këtij edicioni të parë falë afrimitetit të veçante me fqinjët italianë të Puglias – thotë Geri Ballo,  kuratore shkencore e Festivalit, – Para syve të puljezëve ra muri që ndante Shqipërinë nga pjesa tjetër e botës para 30 vjetësh. Ishin ata të parët që përjetuan bashkë me ne shqiptarët eksperiencën e fortë emocionale të emigracionit. Tani që komuniteti italo-shqiptar është ndër më të rrënjosurit mes italianëve të rinj në Puglia, ato copëza historie kthehen në pikënisje reflektimi për MediFest, gjatë të cilit do të ndalohet në mënyrë të veçantë mbi çka bashkon popullin shqiptar me atë puljez, duke filluar nga civilizimi antik mesapian dhe trashëgimia e rëndësishme e përbashkët e përfaqësuar nga arbëreshët për të vijuar me shumë elementë të tjerë artistikë dhe letrarë që do të jenë subjekt i aktiviteteve të propozuara për publikun në katër mbrëmjet e festivalit”.

Mbrëmja e parë, e enjte 29 korrik, do t’i ofrojë publikut të Kastros dy takime në “Messapi: Populli i dy deteve” me arkeologët Francesco D’Andria dhe Katia Mannino dhe “Të rinjtë dhe Mesdheu” me nënkryetaren e bashkisë së Tiranës Anuela Ristani dhe Aldo Patruno, drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Turizmit e Kulturës së Rajonit të Puglias dhe shfaqjen “Nina kërcen” të Claudio Prima & Seme.

Gjatë mbrëmjeve në vijim do të flitet për ndikimin kulturor të komuniteteve arbëreshe, për “Fenë, ateizmin dhe shqiptarinë” me, ndër të tjerë, Imzot Gjergj Metën dhe me Imamin e Tiranës Ylli Gurra; do të kujtohet i ndjeri Alessandro Leogrande dhe këndvështrimi i tij mbi Shqipërinë dhe Mesdheun me Christian Raimo dhe Stela Xhunga. Botuesi Besa Muci do të kurojë një fokus mbi letërsinë shqipe që do të ofrojë një ballafaqim mes shkrimtarëve Tom Kuka dhe Anilda Ibrahimi dhe një lexim me zërin e Angela De Gaetano. “Tingujt” do t’u besohen fizarmonikës Admir Shkurtaj i cili do të sjellë në skenë projektin Harè me Lindita Hoxhën (violinë) dhe Pino Basile (kupafon) dhe një përqafimi midis muzikës popullore arbëreshe dhe asaj të Salentos të realizuar nga bashkëpunimi i “Ansamblit arbëresh të Puglias” me tre grupe tradicionale të Disos.

Agimi i të dielës 1 Gusht do të pritet në gjirin Acquaviva nën tingujt e koncertit për piano të Robert Bishës. Nuk do të mungojë seksioni “Imazhe” që do të sjellë për publikun “itinerarin fotografik” të Elton Gllavës dhe Fate Velajt dhe shfaqjen e filmit të shkurtër “Omonimia” të Mentor Selmanit. Çdo mbrëmje në orën 21.30 pjata tipike arbëreshe dhe shqiptare të përgatitura nën kujdesin e Institutit të hotelerisë IPSEO “Aldo Moro” në Santa Cesarea Terme në bashkëpunim me Puglia në Rosè.

Për informacion më të detajuar për çdo veprimtari të këtyre 4 ditëve të MediFest, shkoni në faqen e facebook MediFest Puglia/diaspora shqiptare. / KultPlus.com

“Shpresa e anijes së ëmbël”, 30-vjet nga zbarkimi në Bari i anijes Vlora

Ky vit përkon dhe me 30-vjetorin e eksodit të shqiptaëve në vitete ’90 pas rënies së komunizmit.

Tashmë një pjesë e mirë e atyre emigrantëve janë të mirëintegruar në shoqërinë italiane. “Shqiponjat e Mëndafshta” në Bari janë bashkëorganizatore e një eventi për këtë rast “Shpresa e anijes së ëmbël”, që do të mbahet më 23 dhe 24 korrik.

Në këtë takim do të mblidhen italianë dhe shqiptarë, për të diskutuar për te shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Nga një iniziativë e Fondazione Migrantes, Ipsaic Istituto Pugliese Storia Antifascismo e Italia Contemporanea, Pastorales së Katolikëve Shqiptare në Itali dhe “Shqiponjave të Mëndafshta”./gazeta diaspora/ KultPlus.com

Krijohet shoqata e grave shqiptare “Shqiponja e mëndafshtë” në Itali

Një histori e thjeshtë që nisi në mënyrë shumë natyrale, çoi në krijimin e Shoqatës së Grave Shqiptare në Bari të Italisë.

Një vit më parë dy vajza morën iniciativën për të organizuar një darkë dhe për të bërë bashkë disa miq, në një ftesë zinxhir që jepte mundësinë për të ftuar dhe miq të miqve.

Një takim mes shqiptarësh që bëri bashkë gra në karrierë e vajza të reja që jetojnë në Bari prej shumë vitesh.

Disa prej tyre mbërritën në Itali me prindërit e tyre kur ishin ende fëmijë, të tjerët zgjodhën Barin për të studiuar, të tjerët akoma kur ishin vetëm në fillim të karrierës së tyre pasuniversitare. Vajzat, gratë që në një mënyrë ose në një tjetër kanë filluar një rrugë të ngjashme, duke nisur një jetë të re larg familjes dhe vendit të tyre.

Ky bashkim i përvojave, “betejat” që secila duhet të përballonte gjatë rrugës për të mbledhur fitoret e vogla, janë një pikënisje e bukur për t’u bërë një grup dhe për të krijuar një realitet në të cilin secila jeton në një komunitet social ku ndahen problematika dhe arritje pa harruar përkatësinë e rrënjëve nga vijnë.

Gjatë këtyre muajve, mjaft të vështirë si për situatën emergjente për shkak të Covid 19, ashtu edhe për tragjedinë e tërmetit në Shqipëri nëntorin e kaluar, ato ishin demonstrimi i vullnetit të mirë për të punuar së bashku për të mbështetur njëra-tjetrën, por edhe për të ndihmuar komunitetin shqiptar.

Pulia ndihmoi Shqipërinë me mjete dhe ndihmë mjekësore gjatë ditëve të vështira kur vendi u godit nga tërmeti. Dhe krahas mbështetjes së rajonit të Pulias dhe apulianëve kishte edhe vajza shqiptare që dërguan ndihmë dhe morën detyrën për t’u kujdesur për të plagosurit e shtruar në spital në Poliklinikën e Barit dhe familjet e tyre, që ishin prezent për të shoqëruar të dashurit e tyre.

Duke pasur parasysh sinergjinë e krijuar, një ditë u vendos që të ndërmerrej një projekt i përbashkët, i qartë dhe konkret, krijimi i një shoqate që merret me promovimin shoqëror, me rolin e grave në përgjithësi, ku në qendër të vëmendjes do të ishin interesat e përbashkëta të shqiptarëve.

Për të gjitha këto arsye dhe shumë të tjera që do të lindin me kalimin e kohës, u krijua në 28 shtator shoqata e grave shqiptare në Bari “LE AQUILE DI SETA”(Shqiponjat e mëndafshta). Një emër jo i rastësishëm, por sinonim i forcës dhe vendosmërisë, por pa lënë pas dore tiparet e delikatesës, elegancës, edukimit dhe inteligjencës dhe mbi të gjitha të shpirtit fisnik.

Ka shumë ide dhe rruga përpara nuk do të jetë e lehtë, por aty ku ka një bashkëpunim të mirë është më lehtë të organizohet puna dhe të arrihen rezultate të mira.

Kjo shoqatë synon të mbrojë dhe përmirësojë historinë dhe të kaluarën e Diasporës Shqiptare në Itali, duke parë të ardhmen e komunitetit. Të vetëdijshme se ka shumë shoqata të tjera me të cilat shpresojnë për një bashkëpunim në të ardhmen. Gratë shqiptare të Barit duan të jenë një risi me një frymë bashkëpunimi, duke mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe duke u përpjekur të ndërtojnë një rrjet më të mirë.

Gjatë asamblesë Dr. Aurela Hasku u zgjodh Kryetare e shoqatës, si Zëvendës Presidente u zgjodh Dr. Eva Meksi, ndërsa roli i sekretares do të mbahet nga Rezarta Hysenaj dhe roli i financieres ju caktua Fabiola Ismaili-t./ KultPlus.com

Bari i Petrit Hoxhës në mesin e dhjetë bareve më të mira në Berlin

Ndër 10 baret që kanë muzikën dhe sjellin grupet më të mira në Berlin është edhe bari i shqiptarit Petrit Hoxha ‘Mama Bar’, përcjell KultPlus. Bari i Hoxhës është renditur i dyti në këtë shkrim, i cili poashtu iu rekomandon njerëzve këto vende që i kanë piketuar.

“Nëse ju pëlqen një bar me një ambient që ka kyçet e ulura atëherë ky mund të jetë vend vetëm për ju. Në ‘Mama Bar’ shpesh ka muzikë afrikane me daulle, poashtu ka grupe edhe iraniane emrat e të cilëve është pak problem të shqiptohen. Bari i Kreuzkölln-it, ka murale boja e të cilëve mund ose nuk mund të hiqet. Dekorimi në ‘Mama Bar’ është një dekorim i vërtetë i Berlinit, ka mobile të papërshtatshme, divane që nuk mund të gjenden në rrugë dhe tavolina që mund të jenë shumë të larta ose shumë të ulëta në varësi të llojit të karriges që keni kapur”, thuhet në përshkrimin e Culture Trip, për barin ‘Mama Bar’ të shqiptarit Petrit Hoxha.

Në këtë shkrim janë renditur edhe nëntë bare të tjera ku të gjithave u është shkruar edhe rruga në të cilën gjenden dhe përshkrime të tilla si për ‘Mama Bar’./ KultPlus.com