Muzikanti Zhani Ciko dhuron dorëshkrime e libra në Arkivin Qendror Shtetëror

Me qindra dorëshkrime dhe me dhjetra libra iu shtuan korpusit dokumentar të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH).

Në sajë të një akti dhurimi të ndërmarrë nga muzikanti i mirënjohur, Zhani Ciko, lëmi i studimeve ekonomike premton të ofrojë shtysa dhe perspektiva për nisjen e hulumtimeve të reja.

Materialet e marra nën zotërim të AQSH-së, të cilat përbëjnë trashëgiminë profesionale të ish-drejtorit të Institutit të Studimeve Ekonomike, Hasan Banjës, do të strehohen në kushtet optimale të ruajtjes dhe të shërbimit.

Aktet e dhurimit ndër vite, duke veçuar këtu fondin e poetit Lasgush Poradeci (2017), të veprimtarëve Reuf Fico (2018) dhe Musine Kokalarit (2022), dëshmojnë se DPA-ja gëzon besim dhe vlerësim në lidhje me procesin e digjitalizimit, në funksion të përjetësimit të së shkuarës historike./KultPlus.com

83 vjet më parë ndërtohej ujësjellësi i Tiranës

Më 18 korrik 1939, qyteti i Tiranës ndërmori një hap të rëndësishëm urbanistik me fillimin e ndërtimit të sistemit të ujësjellësit.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton këtë fakt, të 83 vjetëve më parë, nëpërmjet dokumenteve e fotove arkivore, sipas të cilave Ministria e Punëve Publike ia besoi planin e kësaj sipërmarrjeje studios së inxhinierëve Angelo Omodeo-s dhe Claudio Marchello-s, me qendër në Milano. Plani i propozuar nga inxhinierët që më 1937-ën, kishte si objektiv ndërmarrjen e hapave për furnizimin me ujë të qytetit të populluar deri në 62.000 banorë, dendësi kjo që parashikohej të arrihej deri në 1970-ën.

Ky hap vinte paraprakisht edhe me nevojën e urbanizimit të Tiranës, si edhe me shtimin e popullatës kryeqytetase. Uji që do të furnizonte Tiranën do të vinte nga Selita dhe do të shtrihej në tubacione drejt një hapësire prej 5250 metrash, duke mundësuar një prurje prej 1,5 litrash në sekondë.

Krahas fotove, pasqyrohet edhe një pjesë e planit të ndërtimit të këtij ujësjellësi./atsh/ KultPlus.com

‘Duhanin e konsumojnë burrat, por e përgatisin fëmijët’

Duhani, ky zakon burrash!

Nuk dimë se kur u kthye në simbol viriliteti duhanpirja. Mirëpo, mes atyre pak fotografive që zotëron Fototeka e Arkivit Qendror Shtetëror shohim se duhanin e konsumojnë burrat, por e përgatisin fëmijët. Në fotografitë që prezantojmë duken qartë djem apo vajza në moshë të njomë që mbushin paketat me cigare. E para prej fotografive vjen nga viti i largët 1926 dhe paraqet punishten e cigareve “Taraboshi” në Shkodër. Fotografia e dytë vjen nga punishtja e cigareve ndërtuar prej shoqërisë “Stamles” në Durrës. Kurse e treta është punishtja e cigareve “17 Nëntori” në Tiranën e pas Luftës II Botërore. Aroma e duhanit mund të mos jetë fort romantike, por këto fotografi bardhë e zi sigurisht që po.

Foto: AQSh./ KultPlus.com

Publikohet kopja e dorëshkrimit të romanit të parë nga Kadare, “Qyteti pa reklama”

Më 28 janar të vitit 1936 u lind në lagjen Palorto të Gjirokastrës së gurtë, shkrimtari Ismail Kadare.

Vokacioni i tij për letërsinë zuri fill që në moshë të hershme, kohë kur djalosharit Kadare do t’i linte mbresë të pashlyeshme leximi i tragjedisë “Makbethi” të autorit anglez, William Shekspir. Në vendlindje do të qendronte deri në përfundimin e arsimit të mesëm, kur përgatiti për botim ciklin e tij të parë me poezi “Frymëzimet djaloshare” (1954). Mandej, u vendos në Tiranë, ku kreu studimet e larta në degën e Gjuhë-Letërsisë dhe u diplomua për “Mësuesi”.

Në harkun e vjetëve 1958-1960, Kadare thelloi studimet e tij në domenin e letërsisë në Institutin “Maksim Gorki” në Moskë. Në vitin 1960, i detyruar t’i braktiste studimet për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, u kthye në atdhe dhe nisi angazhimin në gazetari.

Në vitin 1963, pas një retushimi të herëpashershëm, u botua romani i tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë edhe përtej vendit. Tematika e natyrës liridashëse të shqiptarëve që vërehet në këtë vepër, do të ishte kryefjalë edhe e romanit “Kështjella”, botuar në vitin 1970. Në këtë rrjedhë, autori u frymëzua edhe për shkrimin e romanit “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës.

Megjithatë, pena e Kadaresë nuk do t’i kursente as kritikat ndaj traditave prapanike të shoqërisë, siç rrok romani “Kronikë në gur” (1970). Në vargun e publikimeve të pandërpera, romani alegorik “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë. Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike.
Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlërësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri më tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës.

Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, si edhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Më poshtë, bashkëlidhur gjendet kopja e dorëshkrimit të romanit të tij të parë, “Qyteti pa reklama” (u shkrua që në vitin 1959, por mbeti në dorëshkrim dhe u botua pas viteve ’90), dhuruar DPA-së nga autori më 24 maj, 2002. / KultPlus.com

Ndërhyrja e forcave amerikane për të çliruar të burgosurit nga kampi në Dakau, AQSH publikon 3 dokumente

29 Prilli i vitit 1945 shënon ndërhyrjen e forcave amerikane të cilat liruan 31.601 të burgosurit nga kampi i përqendrimit nazist në Dakau, Gjermani ku kanë vuajtur internimin edhe shtetas shqiptarë.

Arkivi Qendror Shtetëror për të përkujtuar këtë ditë publikon 3 dokumente shumë interesante.

Përmes një letre të sigluar nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Dakaut që mban datën 8 Korrik 1964 dhe që i drejtohet Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Mehmet Shehu, njoftohet shteti shqiptar se do të ngrihet një monument në kujtim të të internuarve të kampit.

“Monumenti i cili do të ngrihet me rastin e 20 – vjetorit të çlirimit të tyre, nuk do të jetë një vepër urrejtjeje, por respekti dhe mishërimi.

Ai ka për qëllim që të bëjë njeriun e soçëm që të rikujtojë tmerret që është në gjendje të kryejë, po qe se ndjek gjurmët e profetëve falso, të këqijat e racizmit, të fashizmit dhe të luftës”.

Ky është një kamp ku vuajtën edhe shqiptarë ndaj edhe për ngritjen e tij, kërkohet ndihma financiare e Shqipërisë, sikurse edhe të shumë shteteve të tjera, shtetas të të cilave vuajtën në këtë kamp.

“Monumenti i ish-të internuarve do të ngrihet në bazë të një financimi ndërkombëtar i cili do të sigurohet në radhë të parë nga kuotat vullnetare të popullsive të vendeve tona të ndryshme. Por ne e pamë të udhës Z. Kryeministër për një kontribut zyrtar të Qeverisë suaj”.

Paskëtaj, Komiteti i Veteranëve të Luftës i drejton kërkesën Kryeministrit të Shqipërisë për akordimin e një shume prej 500 dollarësh nga buxheti i shtetit shqiptar për ndërtimin e këtij memoriali.

Në përgjigje të kësaj kërkese, me firmë të Zv/Kryeministrit, udhëzohet Ministria e Financave për akordimin e 500 dollarëve nga fondi i rezervave në valutë, si kontribut për ndërtimin e këtij memoriali.

I krijuar në mars të vitit 1933, kampi i përqendrimit Dakau (Dachau) ishte kampi i parë i rregullt i ngritur nga qeveria Nacional – Socialiste (naziste) gjermane për të burgosurit politikë.

Kur trupat amerikane hynë në kamp, ata gjetën më shumë se 30 vagona treni mbushur me kufoma, shumica të dekompozuara.

Numri i personave të burgosur në Dakau mes viteve 1933 dhe 1945 llogaritet të ketë qenë mbi 188,000. Numri i përgjithshëm i viktimave të cilët vdiqën në Dakau nuk dihet. / atsh / KultPlus.com

Thesaret e AQSH-së në Muzeun Historik Kombëtar

Arkivi Qendror Shtetëror dhe Muzeu Historik Kombëtar po e intensifikojnë bashkëpunimin. Një marrëveshje e nënshkruar së fundi parashikon që në muze të ekspozohen dokumente origjinale, apo objekteve muzeale, pjesë e pasurisë së Arkivit Qendror Shtetëror.

Ekspozimi do të bëhet bazuar në një kalendar të mirëpërcaktuar për vitin 2018-të në Muzeun Historik Kombëtar. Drejtori i tij Dorian Koçi e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm vijimin e bashkëpunimit.

“E kemi filluar këtë bashkëpunim edhe më herët siç ishte ekspozita e vulave të shtetit shqiptar dhe shpresojmë të ketë edhe ekspozita të tjera për të nxjerrë në pah vlerat e trashëgimisë tonë kulturore, historike, muzeale që ndajnë dy institucionet”, tha ndër të tjera Dorian Koci.

Ardit Bido, drejtori i përgjithshëm i Arkivave, specifikon cilat nga pasuritë do të jenë objekt ekspozimi, një pjesë e të cilave për herë të parë.

“Të gjitha objektet muzeale janë përqendruar, janë bërë pjesë e sektorit të promovimit. Jemi duke zhvilluar kalendarin e ekspozimit të të gjitha pasurive” tha Bido, shkruan rtsh. Ai njoftoi se ekspozita e radhës do të jetë një koleksion i çmuar gramafonash.

“Ka pasuri që janë ekspozuar shumë rrallë, por shumica asnjëherë” u shpreh Bido.

Pak kohë pas firmosjes së memorandumit të bashkëpunimit, vjen marrëveshja e detajuar mes institucioneve për zbatimin e projekteve të përbashkëta e firmosur të mërkurën, duke përcaktuar e lehtësuar procedurat e bashkëpunimit ndërinstitucional./KultPlus.com