Çmimi i parë i konkursit poetik ‘KultStrofa’ i ndahet Gentiana Bajrami Atashit

Era Berisha

Ambienti i KultPlus Caffe Gallery tashmë është shndërruar në një hapësirë ku letërsia, kultura e arti janë gërshetuar mes vete e kanë zënë vendin e tyre të veçantë mu në mesin e shumë miqve artdashës, shkrimtarëve të cilët kanë një bagazh të mirëfilltë prapa tyre, shkrimtarëve të rinj, entuziazmi i së cilëve dallohej në linjat e fytyrave të tyre, si dhe ekipit të mrekullueshëm të KultPlus.

Mbrëmë, atmosfera poetike futi rrënjët e saj dhe morri përsipër ceremoninë e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa” të organizuar nga KultPlus e që konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar, me ç’rast në natën finale të edicionit të katërt u ndanë edhe çmimet e këtij konkursi poetik i cili çdo vit pret poezi krejtësisht të veçanta e autentike jo vetëm nga Kosova por edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, Gjermania, Spanja, Italia dhe Zvicra, shkruan KultPlus.

Por fillimisht, në hapjen zyrtare të natës finale, fjalën e mori moderatori Arbër Selmani.

“Unë me shumë kënaqësi e pranova ftesën që të jam edhe pjesë e jurisë bashkë me profesorin Sali Bashota dhe profesoreshën Nerimane Kamberi, të cilët i kanë vlerësuar këto poezi”, thotë Selmani.

Sipas tij, ky edicion i ka mbledh gjithsej 93 poezi të cilat kanë ardhur në KultPlus pas thirrjes së hapur e më pas ato poezi janë vlerësuar e që në fakt nuk ka qenë fare e lehtë për ta.

“Në edicionin e parë e kemi pasur fitues Ragip Sylën, në të dytin e kemi pasur Arjola Zadrimën dhe në të tretin, fitues ishte Merita Bërdica”, thotë ai.

Tutje, fjalën e mori edhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila shprehet tejet e lumtur që edhe sivjet në dhjetëshen finaliste ka emra shumë të mirë.

“Faleminderit shumë që keni ardhur. Faleminderit jurisë për përkushtimin që gjatë këtyre ditëve e kanë dhënë për këto poezi, teksa unë i ndiqja vlerësimet e juaja. Faleminderit krejt poetëve që kanë aplikuar në edicionin e katërt nga të gjitha anët e botës. Edicioni sivjet që po e shënon të katërtin na ka munguar vjet për shkak të pandemisë e që ka ndikuar edhe tek ne. Por, në fakt energjinë e kemi mbledhur sivjet edhe pse përsëri në kushte pandemike. Jam shumë e lumtur që edhe në dhjetëshen e sivjetshme finaliste, kemi emra shumë të mirë por mbi të gjitha poezi të cilat lexuesit e KultPlus-it ende nuk kanë pasur rastin me i pa e që do ti shohin në ditët në vazhdim”, thotë Pajaziti.

Sipas saj, së bashku me ekipin e KultPlus-it, ajo është duke u munduar që të dhurojë maksimunin që gazeta të shndërrohet në opozitën e të gjitha atyre antivlerave që po ndodhin në Kosovë edhe pse kjo nuk konsiderohet fare e lehtë.

“Ky është vetëm edicioni i katërt e së bashku kemi shumë rrugë për të bërë”, përfundon Pajaziti.

Ndërsa, kryetari i jurisë së këtij konkursi, profesori Sali Bashota, e konsideroi punën e KultPlus një punë me plot përkushtim e angazhim të plotë.

“Ne kemi qenë të nderuar që jemi marrë me vlerësimin e punimeve tuaja që keni konkuruar në edicionin e katërt të “KultStrof-ës”, tek një gazetë i cili me punën e përkushtimin e kryeredaktores Ardianë Pajaziti dhe ekipit të saj, është shembull i angazhimit, përkushtimit e vlerësimit të krijuesve por edhe të institucioneve kulturore sepse kjo hapësirë pothuajse që dy vjet e më shumë është ndoshta vendi ku edhe frymëzohen poetët për shkak se shohin një punë të vyer të Ardianës e një punë të vyer e të mrekullueshme të ekipit të saj”, thotë Bashota.

Sipas tij, të vlerësosh poezinë është një ndjenjë e përgjegjësisë së lartë për atë që mendohet të dhurohet një vlerësim sa më objektiv me argumente e fakte që në një mënyrë, kjo konkurrencë e madhe të vlerësohet sa më mirë.

“Poezia është së pari përjetim, pra emocion edhe te vlerësuesi e jo vetëm tek ai që shkruan. Madje, Borgesi ka thënë se i vetmi zhanër që nuk shpjegohet është poezia. Ajo vetëm përjetohet. Andaj, temat, idetë, stilet, motivet, preokupimet, figuracioni dhe elementet tjera përbërëse të poetikës së poezisë janë shqyrtuar nëpërmjet aktit të komunikimit midis jurisë”, përfundon Bashota.

Po ashtu, anëtarja tjetër e jurisë së këtij konkursi, profesoresha Nerimane Kamberi, tregoi se përzgjedhja nuk ishte e bazuar në asnjë lloj elementi tjetër, përveç të bukurës e emocionit.

“Sigurisht që nuk ka më bukur se këto kohë festash që të festojmë me poezi. U tha nga fillimi që jemi profesorë, por me një modesti të vogël, do të thosha se ne jemi edhe poetë. Të vlerësosh është shumë e vështirë sepse në një anë e xhelozon pse nuk dita unë të shkruaj ashtu kurse në anën tjetër ke frikë se e lëndon por fundja ne këtu nuk kemi shiku as nga vjen, as nga gjinia, as nga përkatësia fetare, as nga orientimet seksuale. Këtu vetëm e kemi shiku të bukurën. Fjalën e bukur dhe atë që na ka zgjuar emocione”, thotë Kamberi.

Pas këtyre fjalimeve, më në fund, radha që vargjet të fillojnë të jehojnë bujshëm para të pranishmëve, erdhi. Edicioni i katërt i konkursit të poezisë “KultStrofa”, edhe kësaj here dëshmoi forcën hyjnore të poezisë që fjalë pas fjale, varg pas vargu, bënë bashkë ndjenjat nga më të ndryshmet dhe ato i shndërron në një ylber emocionesh që vrullshëm derdhet në shpirtrat e të pranishmëve e fuqishëm mbizotëron në brendësinë e trupave tanë, për të kapluar kështu çdo qelizë, muskul, venë e arterie tonën.

Para të pranishmëve, poezitë e dhjetë finalistëve të përzgjedhur nga juria e përbërë nga profesori Sali Bashota (kryetar i jurisë), profesoreshës Nerimane Kamberit dhe shkrimtarit Arbër Selmani: Agon Rexhepi, Afrim Demiri, Bekim Shala, Gentiana Bajrami Atashi, Flamur Dardeshi, Liridon Mulaj, Nikas Kaça, Redon Elshani, Shazim Mehmeti dhe Valentina Broja, u vazhduan të lexohen njëra pas tjetrës duke bashkuar kështu poetët nga trevat e ndryshme shqiptare të cilët po interpretonin në dialektin gegë e toskë e po ashtu duke sjell fjalë të vjetra e të ruajtura shqiptare.

Në një mënyrë krejt rastësore, nga vetë autorët e pranishëm, u interpretuan poezitë: “Zbresim shkallëve” nga Afrim Demiri, “Kur njeriu vdes” nga Redon Elshani, “Lama e Pejës” nga Gentiana Bajrami Atashi, “Marrja e shpisë” nga Agon Rexhepi dhe “Mikes” nga Bekim Shala.

Në mungesën fizike të pesë autorëve të tjerë finalistë, redaktorja e KultPlus, Jeta Zymberi lexoi poezinë “Grahme” të Valentina Brojës, gazetarja Era Berisha lexoi poezinë pa titull të Liridon Mulajt, gazetari Uranik Emini lexoi poezinë “Ne” të Flamur Dardeshit si dhe studentja e letërsisë, Edlira Musliu lexoi poezitë: “Faleminderit” të Shazim Mehmetit dhe “Liria” të Nikas Kaçes.

Më pastaj, u ndanë mirënjohjet ndaj poetëve: Afrim Demiri, Bekim Shala, Redon Elshani, Valentina Broja, Flamur Dardeshi, Liridon Mulaj, Nikas Kaca dhe Shazim Mehmeti.

Agon Rexhepi u radhit në vendin e tretë në këtë edicion me “Marrja e shpisë”, ndërsa Flamur Dardeshi u radhit i dyti me poezinë “Ne”.

Autorja Gentiana Bajrami Atashi, fitoi vendin e parë në edicionin e katërt të këtij konkursi me poezinë “Lama e Pejës”.

“Së pari dua ta ndaj një sekret të vogël me ju. Pas një dekade që merrem me poezi, është hera e parë që e hapa sirtatin e letrave dhe vendosa që të marr guximin që ta dërgoj në email-in e juaj duke mos i treguar askujt. Sonte jam vërtetë e emocionuar sepse poezia ime u vlerësua e u zgjodh e para. E pikërisht këtë çmim ia dedikoi motivit të poezisë sime, babait tim, që falë tij jam kjo që jam dhe jam ktu ku jam sot”, tha Atashi pasi pranoi çmimin.

Kështu për të përmbyllur këtë edicion, edhe një herë fjalën e mori drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila ndau mirënjohjen vjetore për performancë të shkëlqyer në redaksinë e gazetës.

“Asgjë nuk mund të bëjmë vetë. Gjithçka që e bëjmë e çdo organizim që zhvillohet, e kemi dikë në krah e në fakt asnjërin nga ekipin tonë nuk mund ta ndajë sepse të gjithë janë një shtyllë e fortë e imja. Por, këtë vit, këtë çmim vendosa t’ia ndaj një personi që e kam krah të djathtë, Liridona Spahiut”, thotë Pajaziti.

Kurse, përgjegjësja e marrëdhënieve me publikun, Liridona Spahiu, është shprehur tejet e lumtur që është pjesë e një ekipi të tillë.

“Jam shumë e nderuar që punoj në një redaksi siç është KultPlus, e jam shumë me fat që jam afër juve ku momentet më të mira të jetës i kemi ndarë së bashku. Unë jam shumë e befasuar sonte, e në të njejtën kohë edhe shumë falënderuese”, tha Spahiu.

Ndërkaq, ishin shkrepjet e fotografive që dëgjoheshin në çdo çast e meloditë muzikore që vinin nga këngëtari Endrit Rexhepi si dhe vogëlushja Anna Krasniqi, të cilët ëmbëlsisht sollën melodi shqipe dhe jo vetëm. Një atmosferë e pakrahasueshme dhe e mbushur me plot lumturi, dashuri e miqësi, shënoi fundin e kësaj nate të paharrueshme.

‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë ‘KultPlus’, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus. / KultPlus.com

Vlora Dumoshi: KultPlus po bën një mrekulli

Të premten e javës së kaluar, Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, priti në takim stafin e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, ku u diskutua për kulturën në përgjithësi, për punën që po bëhet në redaksinë e KultPlusit si dhe për planet që Dumoshi pritet t’i realizojë në këtë mandat, shkruan KultPlus.

Në takimin e mbajtur Dumoshi u shpreh falënderuese në pritjen e stafit të KultPlus, duke falënderuar redaksinë që gjithmonë është në përkrahje dhe promovim të kulturës, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.

‘KultPlus është e vetmja gazetë online që i dedikohet vetëm kulturës, dhe më kanë pëlqyer gjithmonë shkrimet që publikohen në gazetën e juaj, qoftë në letërsi e në botën e kulturës në përgjithësi’, u shpreh Dumoshi.

Në takim ndër të tjera u diskutua edhe për fuqinë që mediat kanë në fjalën e shkruar, për të cilën Dumoshi deklaronte se fjala e shkruar ka një peshë të madhe.

Në fytyrat e secilit prej gazetarëve të KultPlus, vërehet një përkushtim i madh e një energji rinore’, potencoi Dumoshi.

Ndër të tjera Dumoshi, në takimin me kryeredaktoren e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, Ardianë Pajaziti dhe stafit të kësaj redaksie ka biseduar edhe për prioritetet e saj përgjatë këtij mandati, duke spikatë edhe ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit.

Kurse Ardianë Pajaziti, pasi uroi ministren Dumoshi për postin e ri si ministre e Ministrisë së Kulturës, ajo potencoi edhe rëndësinë e mbështetjes së këtij institucioni për projektet e rëndësishme kulturore.

“Mendoj se do të duhej të jetë një përzgjedhje më e specifikuar e projekteve në MKRS, projektet që tashmë janë të qëndrueshme në skenën kosovare do të duhej të kenë mbështetje më të madhe, pasi që ato tashmë kanë dëshmuar se mund të jenë të qëndrueshme edhe atëherë kur janë mbështetë pak, ose nuk janë mbështetë fare”, ka thënë Pajaziti.

Në fund, ministrja Dumoshi ka thënë se vetëm me promovimin e kulturës bëhet edhe promovimi i vendit, dhe pikërisht në këtë drejtim, ajo ka potencuar se KultPlus po bën një mrekulli. / KultPlus.com

Promovohet Kalendari ‘Zonjat që bëjnë Shqiptarinë’, rrëfime e emocione në KultPlus Caffe Gallery

Xhemile Hysenaj

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, u promovua për herë të parë Kalendari Albanian Excellence-Zonjat që bëjnë Shqiptarinë 2020, shkruan KultPlus.

Mbrëmja kishte karakter miqësorë, ku u diskutua për historitë e suksesit të Zonjave që janë pjesë  e këtij kalendari. Ku shpalosën detaje rreth çelësit të suksesit të tyre, sakrificave e përkushtimit të madh në profesionin e tyre.

Nën moderimin e Arbër Selmanit, mbrëmjen e hapi Drejtoresha Ekzekutive e Albanian Exellence, Flora Nikolla, e cila me kënaqësinë më të madhe i falenderoj gratë e pranishme për ardhjen e tyre, duke potencuar se ka qenë ëndërr e saj që të promovonte Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, pasiqë këto 121 histori suksesi i konsideronte të ishin projekte mjaft madhore.

‘’E respektoj dhe e falenderoj Ardianën për atë çfarë ajo ka ndërtuar, KultPlusi është një përçues i vlerave. Me punën tuaj këmbëngulëse keni krijuar një komoditet të jashtëzkonshëm që shqiptarët kudo në botë të kuptojnë çfarë është kultura shqiptare. Ndërsa, sonte ti e hape KultPlusin për zonjat që kanë një emër të madh’’, vazhdoi tutje Nikolla

Flora Nikolla, ndër të tjera i njoftoi të pranishmit edhe me një historik të shkurtër rreth rrugëtimit të Albanian Exellence. Ajo tregoi për punën e madhe që është bërë për të promovuar Zonjat qysh nga viti 2012, ku për herë të parë u promovuan për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, duke vazhduar më pas me ‘Berati Histori Suksesi’, ‘Fieri Hisotri Suksesi’, ‘Vlora Histori Suksesi’, pastaj Zonjat Shqiptare në New York.

‘Ne i përkasim globalizmit, gratë shqiptare  përkasin globalizmit. Kemi zonja shqiptare shumë të rëndësishme në botë’, potencoi ajo.

Në mesin e këtyre Zonjave, ishte edhe gazetarja e Radio Kosovës, Flora Durmishi, e cila shprehej tejet e kënaqur që ishte në mesin e Zonjave për të cilat kishte dëgjuar e i kishte parë, gra që sipas saj e kanë inspiruar dhe motivuar që të mbajë kokën lart për vet faktin se edhe ajo është grua.

‘’Ne jemi shumë më mirë se që kemi qenë. Kur e kam filluar emisionin tim ‘’Zëri i grave të Kosovës’, emisioni i parë në Kosovë për gruan pas luftës, fillimisht kam pasur problem që ti bëjë të flasin, shpesh jam ndjerë e fyer, kur nuk ndaleshin e nuk përgjigjeshin por unë e kam parë të domosdoshme të krijojë një hapësirë për gruan, ku gratë mund të shpalosnin idetë e tyre haptazi. Ndërsa, sot kur e shikoj nga kjo distancë e shoh se është bërë një punë e madhe, tani gratë flasin kaq lirshëm. Prandaj unë ndjehem shumë e vlerësuar që jam pjesë e këtij kalendari dhe këtij libri. Ky është një vlerësim shumë I madh për mua, sidomos kur vjen nga një grua si Flora Nikolla që e njeh mirë gazetarinë’’, deklaroi Durmishi.

Secila nga këto Zonja, tregonte histori të ndryshme, që sigurisht se përfshinin sakrifica, mund e përkushtim të madh ndaj profesionit të tyre. Qëllimi i këtij misioni ishte të promovonte gratë nga të gjitha trojet shqiptare, edhe nga ato që shpesh harrohen nga të tjerët si Lugina e Preshevës, Mali i Zi etj.

Zonja nga Mali i Zi, ishte Ilmira Lika, gazetare dhe drejtoreshë e televizionit ‘Teuta’, e cila fliste me nderimet më të larta për titullin që i është dhënë, pasiqë sipas saj, shqiptarët e Malit të Zi shpesh lihen anash në të tila raste. ‘Kur e kuptova se do të jem në mesin e këtyre Zonjave, për mua ishte nder shumë i madh. E kam ndjerë veten jashtëzakonisht mirë’, vazhdoi tutje Lika.

Teuta Fazliu, profesoreshë e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe si dhe Zyrtare e Qeverisë së Kosovës, u shpreh e nderuar për faktin që ishte pjesë e këtyre Zonjave, pasiqë Fazliu tregoi se të kesh prejardhjen nga një vend i vogël si Bujanoci, një qytet I diskriminuar shumë, është një gjë shumë e madhe të bëhesh pjesë e Zonjave që bëjnë Shqiptarinë. ‘’Albanian Exellence ka qenë organizata e parë që ka shkelur në luginë të Preshevës, ne kemi pasur mungesë të aktivitete të tilla. Prandaj, ky çmim  më ka bërë nder sepse rrugëtimi im në Kosovë ka qenë një rrugëtim i dhimbshëm sepse kam ardhë këtu sapo filloi lufta, u mbylllën kufijtë dhe një kohë të gjatë nuk kam mundur të isha në shtëpi, prindërit e mi ishin pa punë dhe sakrifikuan shumë’’, u shpreh Fazliu.

Anita Hoxha, poete, e cila kishte fituar edhe çmime ndërkombëtare në fushën e letërisë, autore e tre librave, tregoi se rrugëtimi i saj nuk ka qenë aspak i lehtë. Martesa, familja e shumë faktorë të tjerë, kishin ndikuar që ajo të fillonte me vonesë të shkruaj dhe të krijojë artin e saj, gjë kjo që nuk kishte ndikuar më pak në suksesin e saj. ‘’Unë nuk punoj, jam shtëpiake, fillova të shkruaj pas 23 viteve, jam nga ato zonjat e thjeshta’’, vazhdoi tutje ajo me një modesti të pashoqe. Duke ngjallur kështu emocione të mëdha tek të pranishmit.

Ky promovim pati edhe një befasi për Voltana Ademin, Kryetaren e Bashkisë së Shkodrës. Ajo u nderua me çmimin ‘’Zonja që bën Shqiptarinë’’.

Ajo u shpreh shumë e nderuar që pranonte një çmim të tillë, pasiqë sipas saj Albanian Exellence është një platformë ku promovohen zonjat që janë profesioniste në fushën e vet, që kontribojnë e sakrifikojnë. ‘’Shumë pak nga ne e njihnim njëra tjetrën, kam pasur mundësinë të njoh zonja të  cilave ndoshta u kam dëgjuar emrin por për arsye të ndryshme nuk kam pasur rastin ti takoj.. ndjehem krenare që jam pjesë e këtij grupi të madh. Fakti që kam arritur të njoh figura të mëdha në të gjitha fushat, ka qenë një ndjenë shumë e mirë’’, vazhdoi tutje ajo.

Për të mbyllur këtë mbrëmje, që brenda vetes pati rrëfime, të qeshura e shumë emocione, fjalën e mori Kryeredaktorja e KultPlusit, Ardiana Pajaziti.

Pajaziti si mikëpritëse e këtij eventi, falenderoi të pranishmit për prezencën e tyre, duke deklaruar se të mbash një titull të tillë, si Zonjë që bën Shqiptarinë,  është një titull që kërkon përgjegjësi. ‘’Secila prej nesh kur në rininë tonë të hershme kemi filluar të mirremi me një pasion nuk e kemi menduar ndoshta asnjëherë që do të rrumbullakësohet në këtë formë. Është një kënaqësi shumë e madhe për mua dhe për të gjitha zonjat që janë pjesë e këtij libri.

Në kalendarin që u promovua, secila nga Zonjat prezantohej me një veshje që paraqet zonën prej nga vijne, poashtu bashkangjitur me fotografitë në kalendar, janë edhe thëniet që secila prej këtyre Zonjave i ka pasur si moto jetësore në rrugëtimin e tyre drejt suksesit.

Ndërsa, siç u bë e ditur nga Flora Nikolla, në këtë vit pritet që të dalë botimi numër dy i 121 storieve të suksesit.

Kur mbaruan diskutimet e rrëfimet, mbrëmja vazhdoi me një koktel dhe nën tingujt e muzikës së bukur shqipe, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com