Beqiri hap ekspozitën e tij në Hamburg, i kënaqur me vizitorët

Artisti Arianit Beqiri ka hapur ekspozitën e tij në Hamburg të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Ditë më parë, Beqiri në një intervistë për KultPlus tha se kjo ekspozitë në thelb do të jetë një homazh për kujtesën kolektive.

Gjatë ditës së sotme artisti përmes një postimi në “Facebook” ka bërë të ditur se ekspozita tashmë është hapur, me ç’rast ka shpërndarë edhe disa foto.

Ai është paraqitur në këtë ekspozitë me katër piktura dhe pesë instalacione, derisa ekspozita do të qëndrojë e hapur për një muaj. /KultPlus.com

Homazh për kujtesën kolektive do të shfaqet në një ekspozitë artistike nga Arianit Beqiri

Uranik Emini

Një ekspozitë arti ndihmon për të sjellë në realitet ato emocione të fshehura në thelbin e shpirtit, përpara njerëzve që i admirojnë dhe i kuptojnë ato. Pra, në thelb, arti i paraqitur në një ekspozitë është një mënyrë komunikimi për të shprehur emocionet e ndjenjat në një mënyrë tjetër, shkruan KultPlus.

Pas një vepre arti të varur në muret e një shtëpie, ka një rrugë, një histori. Një afat kohor që fillon me konceptimin e artistit dhe përfundon me vendimin e galerisë për ta ekspozuar dhe për ta parë publiku.

Një gjë të tillë do ta bëjë edhe artisti nga Kosova, Arianit Beqiri, i cili do të mbajë një ekspozitë personale në Hamburg të Gjermanisë, ku do të prezantojë 9 punime në “Atelier so & Hamburg Kunstgalerie” më 23 shtator.

Beqiri, në një intervistë për KultPlus, ka dhënë detaje të reja sa i përket ekspozitës së tij dhe me temën që ai do të paraqitet aty.

“Mbase nuk mund të vërejmë objekte e kujtime përreth nesh asnjëherë deri atëherë kur ato nuk janë më mes nesh”.

Më tej ai bën të ditur se do të prezantohet me 5 piktura dhe 4 instalacione, ndërsa do të ketë vepra që në thelb flasin për homazhin ndaj kujtesës kolektive.

“Do të ketë piktura dhe instalacione. Janë gjithësej 5 piktura dhe 4 instalacione. Homazh për memorien kolektive. Për atë që na krijon kujtime e ndjenja. Homazh për objektet që na kanë krijuar kujtime e që dora e neoliberalizmit i ka shkatërruar. Homazh për traditat tona që i komercializuam. Homazh për traditat tona që i shitëm për hekër. Homazh për shkatërrimin e qyteteve tona nga ndërtimet paleje”.

Beqiri bën të ditur se kjo ekspozitë do të jetë e hapur për një muaj dhe të gjithë të interesuarit për blerjen e veprave të tij mund ta bëjnë këtë.

Edgar Degas ka thënë se arti nuk është ajo që shihni, por ajo që shohin të tjerët, njësoj po pret edhe Beqiri për të gjithë vizitorët në këtë ekspozitë, të shohin të gjithë punën e veprat e tij nga afër. /KultPlus.com

Dhuna, “Recetë Kuzhine” përbërjen e së cilës e dinë vetëm burrat

Suada Qorraj

Në shoqëritë patriarkale për gratë, vendi i vetëm i rezervuar është kuzhina dhe dija e vetme që ato pritet të kenë janë recetat e po asaj kuzhine, mirëpo jo çdo herë recetat që srviren janë të bëra nga gratë, është pikërisht dhuna ajo që në këto shoqëri sërviret vetëm për gratë. Ekspozita personale “Recetë Kuzhine”, e artistit Arianit Beqiri ngritët pikërisht mbi këtë temë, dhunën, si një nga recetat e vetme të kuzhinës, përbërja e së cilës dihet vetëm nga burrat, shkruan KultPlus.

“Në mbrëmje gardiani i fikë dritat. Nesër, orari i zgjimit është i ditur nga zilja që bie. Jo rrallëherë gjërat duket se në shtëpi lëvizin “vetë”. Nëse në mëngjes e hapim stufën e shohim bosh, në mbrëmje “vetvetiu” ajo është e mbushur”, është kjo vetëm një pjesë e shkurtër e përshkrimit të ekspozitës “Recetë Kuzhine”, hapja zyrtare e së cilës do të duhej të bëhej sot është shtyrë për të hënën si pasojë e ndryshimit të fundit të masave AntiCovid , shkruan KultPlus.

Artisti dhe njëherësh autori i kësaj ekspozite, Arianit Beqiri në një intervistë për KultPlus ka treguar se janë pikërisht gjërat që e preokupojnë atë gjatë përditshmërisë dhe gjërat që ai beson se duhet të jenë ndryshe, që kanë zënë vend në artin e tij.

“Gjërat që më kanë preokupuar gjatë përditshmërisë, gjërat që unë besoj se duhet të jenë në një formë më ndryshe, ose të shtjellohen më gjatë, i kam transformuar ose i kam prezantuar në formën time artistike, nëpërmjet ekspozitave të mija që njerëzit kur të vijnë të marrin pak nga ajo se çka unë mendoj për një temë të caktuar”, ka thënë Beqiri.

Tutje artisti ka pohuar se dy ekspozitat e tij të fundit, “Emrat të cilët mungojnë” dhe “Recetë Kuzhine” kanë bazë të njëjtën pikë, dhunën në familje. Sipas tij ekspozita e parë lidhej me faktin që çdo vrasje e grave harrohet brenda pak ditësh, kurse emri i saj nuk përmendet më, ndërkaq kjo e fundit vjen si një avancim i mëtutjeshëm i kësaj teme.

“Dy ekspozitat e fundit flasin për dhunën në familje, njëra është “Emrat të cilët mungojnë” dhe kjo e dyta “ Recetë Kuzhine”. Ekspozita e parë lidhet me faktin që kur vriten gratë, duhen tre ditë që ajo temë të kaloj në heshtje. Por as shteti nuk merr masat e duhura për këtë çështje, kurse për shoqërinë disi tashmë bëhen të kuptueshme, mirëkuptohen, kalon, janë vra gjithmonë dhe kështu kalon si temë. Për këtë arsye kam dashtë me avancu ekspozitën duke sjellur kështu “Recetë Kuzhine”, shtoi ai.

Arianit Beqiri ka treguar se ekspozita e tij ka në fokus mendësinë e shoqërisë patriarkale rreth njohurisë që një grua duhet të ketë për recetat që gatuhen në kuzhinë. Sipas tij në kuzhinë nuk prodhohet vetëm ushqim por edhe dhunë, e recetën e kësaj të fundit e dinë vetëm burrat.

“Në ekspozitën ‘Recetë Kuzhine’, shfaqen dy gjëra, një është shoqëria patriarkale, se çka presin prej një gruaje është të jetë në kuzhinë dhe t’i dijë të gjitha recetat e kuzhinës dhe e dyta ajo se çka i servojnë gruas nuk janë receta kuzhine, por dhune. Pra kuzhina ka prodhuar dy receta, atë të dhunës dhe të ushqimit. Ndonëse receta për ushqim dihet më shumë nga gratë, recetën e kuzhinës që prodhon dhunë, pa hezitim mund të them që në tërësi e dinë vetëm burrat”, deklaroi artisti.

Beqiri shpreson që ekspozita e tij të krijoj një ndjenjë parehatie për ata që e vizitojnë. Sipas tij, mbase për dikë ekspozita e tij nuk do të thotë më shumë se veç disa vepra arti, por dikush tjetër mund të jetë duke e përjetuar dhunën që trajtohet në të. Ai ka shtuar se nuk mendon se dikush që ushtron dhunë është në gjendje ta eleminojë atë nga një ekspozitë e vetme, sepse për ta është i nevojshëm vetëm dënimi.

I pyetur se sa kohë i është dashur deri në përfundimin e kësaj ekspozite si dhe gjetjen e temës, Arianit Beqiri ka thënë se ekspozitat që i ka krijuar deri më tani, përfshirë edhe këtë të fundit nuk kanë ndodhur në periudha afat shkurtra. Sipas tij për një ekspozitë atij i është dashur rreth dy vite që të bëjë formësimin e idesë finale.

“Unë mbajë një bllok tërë kohën me vete dhe i shkruaj idetë që më vinë, ta zëmë e shkruaj konceptin, mediumin dhe formën se si do të realizohet. Asnjë ekspozitë që e kam bërë nuk është aty për aty, që ka ndodhë brenda një kohe të shkurtër, mesatarisht secila ide ka qenë diku një ose dy vjet e vjetër që unë kam menduar rreth saj dhe e kam ndryshuar dhe formësuar gjatë kohës”, ka deklaruar për KultPlus artisti.

“Recetë Kuzhine” vë në pah anën më të errët të shoqërisë, duke sjellur realitetin që është pjesë e përditshmërisë të shumicës së grave në Kosovë, dhunën në muret ku ajo është e supozuar të ndihet e sigurtë. E dhuna jo rrallë herë vie pikërisht nga ata që ju besohet lumturia, ata me të cilët edhe ndërtohet jeta. E për Arianit Beqirin ideja se dikush arrin të dashurohet me armikun, është e pakuptimtë dhe për të dënimi kundrejt këtyre personave është diçka për të cilin nuk duhet as të diskutohet.

“Tash merre me mend, ti martohesh me një njeri dhe gjatë jetës e kupton se personi me të cilin ti bie në dashuri, realisht është armiku yt. Po kjo s’ka sens, ti realisht nuk martohesh me armikun, nuk martohesh me dikë që duhet me të mbyt. Nuk mundesh me i thënë viktimës me vendos kurorë ose me u dashuru me xhelatin, kjo nuk ka sens. E për këtë arsye përveç dënimit, që s’ka diskutim, sepse përveç një jetës së humbur është edhe një dashuri e humbur. Prandaj duhet edhe ndërgjegjësimi nëpërmjet të cilit ti duhet ta kuptosh se nuk mbytet një njeri në familje, jo kaq thjeshtë”, tha ndër të tjera artisti. / KultPlus.com

“Nuk është e nevojshme goja kur nuk të dëgjohet zëri”

Artisti Arianit Beqiri ka realizuar një pikturë tejet interesante tash së fundmi, shkruan KultPlus.

Ai sipas një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka treguar se përmes kësaj pikture ka paraqitur secilën grua të vrarë. Me ngjyra që lehtë të lënë të kuptosh se çfarë ka dashur të thotë piktori, ai e ndau këtë pikturë me miqtë e tij në facebook, të cilët menjëherë e uruan për punën që ka bërë.

Po sjellim të plotë publikimin e tij:

“Pa lexim nuk ka art. Pa përfshirje direkte në shoqëri nuk bëhesh artist.
Nuk është e nevojshme goja kur nuk të dëgjohet zëri. Nuk të hy në punë asgjë kurora e mbretëreshës kur tingulli i fundit që e dëgjon është krisma e armës në gjoksin tënd.
Po e ndaj me juve një punim të cilin jam i lumtur që i dola në krye. Ndonëse jam më shumë i lumtur që ky punim tashmë më ka pushtuar. Punova nën ankth, sepse dikush tjetër tërë jetën e ka nën ankth. A është ky apo momenti tjetër i vrasjës sime!?
Kuptojeni si të doni, do të thoshin shumë të tjerë që nuk do të dinin ta arsyetonin veprën e tyre, por ta kuptoni drejtë është porosia ime.
Gruaja po vritet vetëm pse është më e dobët!