Presidentja Osmani mori pjesë në ceremoninë e Inaugurimit të Presidentit të Kosta Rikës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me liderë të tjerë botërorë, ka marrë pjesë në ceremoninë e Inaugurimit të Presidentit të Republikës së Kosta Rikës, Rodrigo Chaves.

Presidentja Osmani e ka uruar Presidentin Chaves në marrjen e detyrës së tij të re, duke i uruar suksese në përfaqësimin e popullit të Kosta Rikës.

“Pavarësisht distancës, partneriteti ynë është unik, i themeluar në shtyllat e miqësisë, e vlerave tona të demokracisë, sundimit të ligjit, lirisë e paqes. Tani, është detyra jonë e përbashkët, si të zgjedhurit e popujve tanë, që t’i përafrojmë shtetet tona edhe më shumë”, ka thënë Osmani. / KultPlus.com

Osmani: Populli i Kosovës i është gjithmonë mirënjohës Kosta Rikës që njohën pavarësinë tonë qysh në ditën e parë të shpalljes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon vizitën e saj në Kosta Rika, ku edhe është takuar me Presidentin e ri të vendit, Rodrigo Chaves, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Osmani ka thënë se i çmonë marrëdheniet e shkëlqyera bilaterale me këtë shtet.

Postimi i plotë:

“Kisha nderin e veçantë që si përfaqësuesja e parë e popullit të Kosovës që viziton Kosta Rikën, të takoj Presidentin e ri të vendit, z.Rodrigo Chaves.

Me Presidentin Chaves u pajtuam që t’i çojmë marrëdhëniet tona të shkëlqyera bilaterale në lartësi të reja, duke përfshirë thellimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme dhe rritjen e interaksionit ekonomik e tregtar.

Populli i Kosovës i është gjithmonë mirënjohës Kosta Rikës që njohën pavarësinë tonë qysh në ditën e parë të shpalljes, më 17 shkurt, pikërisht kur Republika e Kosovës filloi kapitullin e saj të ri si një shtet i pavarur e sovran.

Presidentit Chaves i përcolla urimet më të mira në marrjen e përgjegjësive së detyrës së tij të re, udhëheqjes së popullit të Kosta Rikës drejt një të ardhmeje të begatë e të sigurt”. /KultPlus.com

Presidentja Osmani do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës

Presidentja Vjosa Osmani gjendet për vizitë zyrtare në Amerikën Latine ku ka qëndruar në shtetin e Panamasë ndërkaq sot ka udhëtuar për në Kosta Rikë.

Zyra e Presidencës në një komunikatë për media ka njoftuar se e para e shtetit do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës.

“Me ftesë të Presidentit Carlos Alvarado Quesada, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës, Rodrigo Chaves. Gjatë vizitës në San José, Presidentja do të takojë udhëheqësit shtetëror të Kosta Rikës, Presidentin e zgjedhur Chaves si dhe do të realizojë takime bilaterale me krerë të shteteve tjera”, thuhet në njoftim.

Tutje zyra e presidentes njofton se shefja e shtetit në Amerikën Latine po e promovon potencialin ekonomik të Kosovës.

“Gjatë vizitës zyrtare në Panama dhe vizitës aktuale në Kosta Rika, Presidentja Osmani po realizon një sërë aktivitetesh për të promovuar potencialin ekonomik të Kosovës, për të thelluar marrëdhëniet miqësore me shtetet mike në Amerikën Latine, si dhe për të rritur mbështetjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com

Del shteti i parë në botë që e bën të detyrueshme vaksinën për Covid për fëmijët


Kosta Rika është shteti i parë në botë që e ka bërë të detyrueshëm vaksinimin e fëmijëve me vaksinën kundër Covid-19. Zyrtarët shëndetësorë thanë se kjo vaksinë do t’i bashkohet listës së vaksinave themelore që kërkohen me ligj për fëmijët.

Shteti me rreth pesë milionë banorë nënshkroi një marrëveshje me prodhuesin amerikan, “Pfizer”, në mënyrë që ta fillojë vaksinimin e fëmijëve nën moshën 12-vjeçare nga marsi i vitit të ardhshëm, shkruan BBC.

Shumica e fëmijëve kanë pak gjasa që të sëmuren seriozisht, nëse infektohen me koronavirus, por ende mund ta përhapin virusin, edhe nëse nuk kanë simptoma. Vaksinimi mund ta ndihmojë parandalimin e përhapjes së virusit nga fëmijët.

Sipas marrëveshjes me kompaninë “Pfizer”, Kosta Rika do të marrë 3.5 milionë doza të vaksinës, prej të cilave 1.5 milion do të jenë të rezervuara për fëmijët mes moshave 5- e 11-vjeçare. Dozat tjera do të shfrytëzohen për grupe tjera të popullsisë.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar përdorimin e vaksinës së “Pfizer”-it për fëmijët mbi moshën 5-vjeçare. Ky vendim e ka hapur rrugën për vaksinimin e 28 milionë fëmijëve amerikanë. Atyre do t’u jepet një e treta e dozës që e marrin të rriturit. / KultPlus.com

Muzeu i Brooklynit ia kthen Kosta-Rikës më shumë se një mijë artefakte

Muzeu Kombëtar i Kosta-Rikës në San José ka bërë të ditur se ka pranuar 1 mijë e 305 artefakte para-kolumbiane nga Muzeu i Brooklynit në New York dhe një riatdhesim kaq i madh, sipas zyrtarëve të këtij institucioni, do t’ia shtojë madhështinë Muzeut, shkruan artnews, transmeton KultPlus.

Megjithëse rikthimi i artefakteve është bërë i ditur vetëm javën që shkoi, i gjithë procesi u zhvillua në tetor të vitit të kaluar.

Rocío Fernandez, drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosta-Rikës, ka thënë se disa nga veprat do të ekspozohen në galerinë kushtuar artit para-kolumbian që është aktualisht në rinovim.

Punimet erdhën në muze nga koleksioni i Minor Cooper Keith, një magnat aktiv gjatë shekujve XIX dhe XX pasuria e të cilit erdhi nga tregtia e bananeve dhe bizneset hekurudhore në Kosta-Rikë. Së fundi hulumtuesit janë përqendruar në praktikat shfrytëzuese që mbështeten nga bizneset e Keithit.

Dan Koeppel, autor i një libri të vitit 2008 në lidhje me tregtinë e bananes, në një intervistë të vitit 2020 për NPR-në i krahasoi punëtorët e Keith me skllevër.

Gruaja e Keith ia dhuroi veprat Muzeut në Brooklyn në vitin 1934 pas vdekjes së burrit të saj. Rreth 16 mijë artefakte ishin gjetur në plantacionet e tij në Kosta-Rikë nga ai dhe punëtorët e tij. Rreth 4 mijë e 500 përfunduan në Muzeun e Brooklynit.

Në mesin e artefakteve të kthyera në vitin 2020 në Kosta-Rikë janë një gur varri, enë dhe një vepër në formë luani; një gur që përdoret për bluarjen e kokrrave dhe farërave. Disa nga këto artefakte datojnë disa mijëra vjet më parë. Instituti Kombëtar i Sigurimeve të Kosta-Rikës pagoi 44 mijë dollarë për transportimin e veprave e artit nga New Yorku.

Disa nga këto artefakte datojnë disa mijëvjeçarë. Instituti Kombëtar i Sigurimeve i Kosta Rikës pagoi 44,000 dollarë për të dërguar veprat e artit nga New York.

“Rimëkëmbja e këtyre pjesëve arkeologjike do të thotë të rimarrim fragmente të së kaluarës sonë që kaluan kufijtë tanë kur ende nuk kishim legjislacion për ta parandaluar atë”, ka thënë Sylvie Durán, ministre e Kulturës dhe Rinisw nw Kosta-Rikë.

Nuk është hera e parë që Muzeu në Brooklyn kthen vepra nga koleksioni i Keith në Kosta-Rikë. Në vitin 2011 muzeu dërgoi 981 artefakte nga koleksioni. Në këtë rast Instituti Kombëtar i Sigurimeve gjithashtu mbuloi shpenzimet, duke paguar 88 mijë dollarë për bartje të artefakteve.

Në atë kohë Muzeu në Brooklyn pati thënë se Muzeu Kombëtar i Kosta-Rikës nuk ka paraqitur ndonjë pretendim për veprat e Keith. Në vend të kësaj, në përgjigjen e dhënë nga Muzeu në Brooklyn ishte treguar se muzeu thjesht kishte larguar disa objekte për të liruar hapësirën në objekt. / KultPlus.com