”Tana” është filmi i parë artistik shqiptar, i cili u prodhua nga Shqipëria Film në vitin 1958, nën regjinë e Fatmir Gjafës dhe skenarin e Kristaq Dhamos, shkruan KultPlus.
Në film kryesisht trajtohet një nga problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare të asaj kohe, siç ishin ndryshimet e mëdha që hasnin shoqëria shqiptare në fshat. Filmi brenda vetes trajton të gjitha temat thelbësore të jetës, si dashurinë, urrejtjen, zemërimin, ligësinë etj. Në qendër të filmit është Tana, një vajzë e zgjuar dhe me intelekt më të zhvilluar se sa vajzat e asaj kohe. Tana është e dashuruar në Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër, si barrierë e dashurisë së Tanës do të bëhet mentaliteti i ulët i gjyshit të saj si dhe xhelozia e Lefterit.
Në këtë film, poashtu është realizuar puthja e parë në filmat shqiptarë.
Në film luajnë aktorët: Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Kadri Roshi, Andon Pano, Thimi Filipi, Marie Logoreci, Ilia Shyti, Violeta Manushi, Nikolla Panajoti, Melpomeni Çobani, Mihal Stefa, Lazër Filipi, Vani Trako, Pandi Raidhi, Lazër Vlashi, Vangjel Grabocka, Esma Agolli, Dhimitër Trajçe.
Ky film i realizuar në vitin 1958, muzikën e të cilit e ka bërë Çesk Zadeja, mbetet një prej filmave që ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e kinematografisë shqiptare./ KultPlus.com
Në prezencën e një publiku jashtëzakonisht të madh në numër Filharmonia e Kosovës mbrëmë ka nisur vitin e ri artistik 2024, me solistët Pranvera Hoxha-pianiste dhe Shkodran Osmanaj-kontrabasist nën dirigjimin e Lena-LisaWüstendörfer, shkruan KultPlus.
Siç ndodh rrallë edhe në botë, Filharmonia e Kosovës ishte kujdesur që para publikut në këtë vit të ri artistik të sillte si solist- kontrabasistin dikur pjesëtar të saj, Shkodran Osmanajn, i cili aktualisht është pjesë e Orkestrës së Zvicrës. Dhe, si pasjojë e këtij bashkëpunimi solli edhe dirigjenten Wüstendörfer- drejtoreshën muzikore të Orkestrës Zvicerane, e cila ka interpretuar në skena prestigjioze botërore.
Mbrëmja artistike filloi rreth orës 20:00 në Atelienë e Pallatit të Rinisë, në prezencën e një publiku entuziast dhe të shumtë të madh në numër.Përveç solistëve të zgjedhur, ishte edhe repertori i zgjedhur me Simfoninë e 7 të Bethovenit, shkak për një interesim aq të madh të publikut.
Pianistja Pranvera Hoxha ishte e para që e hapi mbrëmjen me Variacione Simfonike të Cesar Franck, me tinguj kryesisht të qetë dhe të rrallë, melodia e të cilëve ndryshonte me lëvizjen më të shpejtë të gishtërinjëve të pianistes tejet elegante dhe ndërhyrjes me takt të instrumenteve të tjera të orkestrës, që udhëhiqeshin nga dirigjentja Wüstendörfer.
Ndërsa i dyti në radhë dhe risia e koncertit ishte interpretimi i kontrabasistit Shkodran Osmanaj, i cili mbrëmë solli profesionalizmin e ndërtuar në institucione të ndryshme muzikore në Zvicër, bazën e të cilit e kishte marrë po në vendin të cilin po interpretonte. ‘Koncert për kontrabas’ me Allegro, Andante dhe Allegro të Serge Koussevitzky ishin pikat me tinguj mjaft të ndjerë që publiku i shijoi pa masë, nga një solist kontrabasist i cili rrallë ndodh të paraqitet para audiencës.
Ndërsa pika e tretë interpretuese u dha nga Orekstra e Filhamonisë së Kosovës me dirigjimin e profesionistes Lena-Lisa Wüstendörfer, me një repertor mjaft të zgjedhur, ajka e së cilit ishte Simfonia Nr. 7 e Ludwig Van Bethoven. Pikat tjera interpretuese ishin Poco sostenuto- Vivance, Allegretto, Presto-Assai mëno presto (trio), Allegro con brio të cilat shpërfaqnin shpirtin artistik të dirigjentes zvicerane, ku varësisht tingujve, lëvizte edhe trupi i saj, në pozicione dhe forma të ndryshme, prej nga shprehej në ekspresioni i saj me njohuri intelektuale të rralla.
Këtë prurje dhe kombinim të Filharmonisë së Kosovës publiku e priti mjaft mirë, gjë të cilën e treguan ovacionet e shumta në fund të koncertit.
Pas koncertit, në një prononcim për media dirigjentja Wüstendörfer u shpreh e mahnitur me profesionalizmin e treguar nga Filharmonia e Kosovës, ku bashkëpunimi i anëtarëve të institucionit mes vete, ishte një element që i kishte lënë shumë mbresa.
“Ishte mirëseardhje e ngrohtë nga Filharmonia e Kosovës. Mendoj se janë ekip i mrekullueshëm dhe anëtarët bashkëpunojnë ngushtë mes vete. Kjo është shumë e rëndësishme kjo për një orkestër, sepse të luash në orkestër është sikur një ekip futbolli, duhet të jesh grup shumë i mirë. Dy koncertet që janë interpretuar, luhen shumë rrallë, u befasova për të mirë kur pashë se janë pjesë e programit. Veçanërisht kur janë luajtur dy koncerte. Mendoj se janë pjesë të mrekullueshme, veçanërisht ajo me piano, sikurse edhe Simfonia e 7-të e Beethoven që është shumë e famshme, shumë e gjatë dhe që kërkon ta përjetosh për ta luajtur si duhet”, është shprehur dirigjentja.
Ndërsa solisti Shkodran Osmanaj me një entuziazëm dhe emocion të paparë interpretimin para publikut të vendit të tij e quante të jashtëzakonshëm.
“Nuk kam fjalë për të përshkruar ndjenjën e interpretimit para publikut shqiptar. Të pranishëm ishin edhe prindërit e mi, profesorët të cilët më kanë mësuar që nga vegjëlia e deri te formimi im si muzikant profesional. Në fillim ishte goxha zor emocionalisht të përshtatem me audiencën e publikut të vendit tim, por pastaj shkoi gjithçka mirë. Nuk gjej fjalë që ta përshkruaj këtë performancë”, ka thënë kontrabasisti Osmanaj.
Ai më tutje falënderoi Filharmoninë e Kosovës për mundësinë e dhënë për tu shfaqur në një koncert të tillë, si dhe kolegët e tij për bashkëpunimin maksimal në saje të së cilit publikut iu dha një koncert i tillë.
“Koncerti ka qenë shumë i suksesshëm. Jam shumë falënderues për bashkëpunimin dhe ftesën nga drejtori Baki Jashari dhe menaxheri Dardan Selimaj. Ka qenë më mirë se që e kemi pritur dhe më mirë se që e kemi përgatitur. I falënderoj shumë edhe kolegët që kanë kontribuar për këtë mbrëmje të cilët e kanë dhënë maksimumin që koncerti të del sa më mirë”, ka thënë solisti Osmanaj.
Ndërsa solistja tjetër e mbrëmjes, Pranvera Hoxha, tha se ndihej e privilegjuar që Filharmonia e Kosovës e kishte përzgjedhur që të ishte pjesë e koncertit të parë artistik për vitin 2024, në të cilin ajo interpretoi një vepër premierë të cilën publiku e priti shumë mirë.
“Sonte me të vërtetë u kënaqa shumë, e shijova shumë veprën të cilën e luajta, duke pasur parasysh që kjo vepër te ne, u soll në njëfarë mënyre për herë të parë në skenë, e cila në botë luhet goxha shpesh. Më ka gëzuar shumë fakti që bashkë me të gjithë kolegët e Filharmonisë dhe dirigjenten jemi munduar të japin më të mirën. Përveç që e shijova vet shumë, e pash edhe nga reagimi i publikut të cilët pata fat t’i takoj pas koncertit. Edhe ata i ndanë përshtypjet e njëjta, dhe kjo mandej akoma më shumë e rrit gëzimin duke pasur parasysh që ajo punë që e kemi bërë bashkë me kolegë është transmetuar të publiku, dhe në njëfarë mënyre ata e kanë shijuar me ne. Në njëfarë forme kjo është edhe ideja e muzikës, të përjetosh kënaqësi dhe të përqosh një mesazh te të rinjtë. Kjo më ka gëzuar jashtë mase”, është shprehur solistja Hoxha duke treguar që për këtë koncert ka filluar të përgatitet qysh në muajin shtator ngase bashkë me privilegjin vinte edhe përgjegjësia që ajo kishte para publikut.
Ndërsa drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari koncertin e mbrëmshëm e ka quajtur të veçantë në disa dimensione.
“Të dy solistët ishin kosovar, Shkodran Osmanaj që jeton dhe vepron në Zvicër dhe si rrjedhojë e kësaj ai ka propozuar edhe dirigjenten nga Zvicra, dhe në anën tjetër solistja Pranvera Hoxha është pianiste e jona shumë e njohur. Të dy kanë qenë të shkëlqyeshëm në pjesët e tyre solistike të literaturës artistike. Është interesant që koncerti për kontrabas është luajtur për herë të parë. Rrallë ndodh edhe në botë që kontrabasi të jetë edhe si instrument solistik, kështu që patëm rastin që edhe në Prishtinë ta përjetojmë këtë lloj muzike. Në anën tjetër, dirigjentja zvicerane Lena-Lisa Ëustendorfer, ka lënë një përshtypje të jashtëzakonshme në punën e saj pothuajse njëjavore me orkestrën e Filharmonisë. Besoj që profesionalizmi i saj, vizioni interpretativ i saj ka lënë përshtypje edhe te publiku dhe kjo na bën të mendojmë që ajo të ftohet sërish. Dihet që në botën e dirigjentëve, dirigjentet femra janë më të rralla në numër dhe janë më të veçanta” ka thënë drejtori Jashari.
Krejt në fund, drejtori i Filharmonisë ka bërë të ditur se institucioni më i lartë i muzikës në vend gjatë gjith vitit do të prezantohet nga një program mjaft dinamik me kapacitete të larta interpretative.
“Ishte me të vërtetë një koncert interesant për fillim të vitit dhe natyrisht që do të vazhdojmë me koncertet e radhës gjatë tërë këtij viti, i cili do të jetë shumë dinamik me shumë koncerte edhe orkestrale edhe vokale edhe vokal- instrumentale të Filharmonisë së Kosovës”, ka përfunduar drejtori Jashari/KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të sjellë së shpejti për artdashësit, operën “Carmen”.
Muaji dhjetor do të vijë me dramën e jetës së një gruaje, e cila sfidoi rregullat shoqërore dhe shpërfilli traditat e asaj kohe, duke hapur kështu Kalendarin Artistik të muajit dhjetor, me një nga kryeveprat e operistikës botërore.
“Carmen” është vepër e Georges Bizet, e cila kapërceu kufijtë e teatrit tradicional dhe preku zemrat e artdashësve.
Historia fillon në qytetin e Seviljes, ku një ushtar fisnik, Don José, takon Carmen-in, një vajzë pasionante dhe e lirë, e cila provokon ndjenjat e Don José-s, duke pasuar një zinxhir ngjarjesh që do të tronditin rregullat shoqërore dhe do të çojë në fatin e keq të të dy protagonistëve.
Cili është çmimi i lirisë? Kjo është një nga pyetjet ekzistenciale që spektatori do të ngrejë ndërsa do të shohë këtë shfaqje, e cila do të vihet në skenë në datat 8, 9, 10 dhe 11 dhjetor, në TKOB./atsh/KultPlus.com
Sot, në 13 vjetorin e vdekjes së aktorit shqiptar me famë botërore, Bekim Fehmiut, publikohet traileri i dokumentarit artistik në të cilin shfaqet jeta dhe vepra e tij, shkruan KultPlus.
Ky dokumentar i cili paraqet copëza dhe histori nga jeta e autorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiut, është realizuar me skenar të Fahri Musliut dhe regji të Valmir Tertinit.
Dokumentari është xhiruar në gjashtë shtete: Kosovë, Shqipëri, Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe Itali/KultPlus.com