Kalendari Artistik i dhjetorit në TKOB nis me operën ‘Carmen’ 

 Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të sjellë së shpejti për artdashësit, operën “Carmen”.

Muaji dhjetor do të vijë me dramën e jetës së një gruaje, e cila sfidoi rregullat shoqërore dhe shpërfilli traditat e asaj kohe, duke hapur kështu Kalendarin Artistik të muajit dhjetor, me një nga kryeveprat e operistikës botërore.

“Carmen” është vepër e Georges Bizet, e cila kapërceu kufijtë e teatrit tradicional dhe preku zemrat e artdashësve.

Historia fillon në qytetin e Seviljes, ku një ushtar fisnik, Don José, takon Carmen-in, një vajzë pasionante dhe e lirë, e cila provokon ndjenjat e Don José-s, duke pasuar një zinxhir ngjarjesh që do të tronditin rregullat shoqërore dhe do të çojë në fatin e keq të të dy protagonistëve.

Cili është çmimi i lirisë? Kjo është një nga pyetjet ekzistenciale që spektatori do të ngrejë ndërsa do të shohë këtë shfaqje, e cila do të vihet në skenë në datat 8, 9, 10 dhe 11 dhjetor, në TKOB./atsh/KultPlus.com

MASHT-i dhe DKA kërkojnë të respektohet kalendari shkollor i ndryshuar

MAShTI dhe DKA-të diskutuan për mbarëvajtjen e procesit mësimor pas fillimit të vitit shkollor.

Në mbledhjen e mbajtur sot me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, zyrtarë të lartë të MAShTI-t kanë kërkuar mobilizim të të gjithë akterëve, në mënyrë që të zbuten pasojat në procesin mësimor për shkak të fillimit të vitit shkollor me vonesë për shkak të grevës.

“Në këtë drejtim, është kërkuar edhe respektimi i Kalendarit shkollor për vitin 2022-2023, i plotësuar dhe ndryshuar nga MAShTI. Në takim është diskutuar edhe çështja e furnizimit me rrymë dhe ajo e ngrohjes në shkolla gjatë secilit dimëror”, thuhet në postimin e MASHTI-t.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka theksuar se është i nevojshëm një bashkëpunim i shtuar mes nivelit qendror dhe atij lokal, për kalimin e vështirësive sa i përket situatës me ngrohjen në shkolla në kohën kur po kërkohet kursimi i energjisë, derisa janë rritur edhe çmimet e lëndëve djegëse.

Me këtë rast, zv.ministri, inkurajoi DKA-të dhe drejtorët e shkollave që të marrin pjesë dhe të kontribuojnë me komentet e tyre në Udhëzimin Administrativ për organizimin dhe menaxhimin e shkollave, i cili është në diskutim publik.

Në këtë takim, u diskutua edhe për adresimin e dhunës në shkolla, me ç’rast u kërkua një mobilizim i përgjithshëm për edukim cilësor dhe identifikim në kohë të problemeve, në mënyrë që të parandalohet çdo lloj i dhunës dhe në këtë mënyrë të kemi mirëqenie të fëmijëve dhe mbarëvajtje të procesit mësimor. /KultPlus.com