Studimet gjeografike dhe albanologjia, në tryezën e akademikëve të ASHSH-së

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt tryeza e rrumbullakët me temën “Studimet gjeografike mbi natyrën, shoqërinë dhe vendbanimet tona – pjesë e pandarë e albanologjisë, me qasje në sqarimin dhe argumentimin shkencor të shumë problemeve të saj”.

Kjo veprimtari u organizua nga njësia e përkohshme e kërkimeve gjeografike, pjesë e ASHSH-së, ku morën pjesë profesorë dhe pedagogë të gjeografisë nga disa universitete të vendit.

Akademik Neki Frashëri, kryetari i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike, në emër të Kryesisë së ASHSH-së, përgëzoi pjesëmarrësit e këtij forumi për kërkimet shkencore, duke konkretizuar edhe nisjen e mbarë të punës së njësisë së përkohshme të kërkimit gjeografik, e cila u zyrtarizua para pak javësh (më 6 mars 2025).

Objekti i diskutimeve të kësaj tavoline synon të drejtojë studimet gjeografike drejt Albanologjisë, me theks sqarimin e argumentimin shkencor në këndvështrimin gjeografik të shumë problemeve dhe tezave të saj.

Në fjalën e tij prof. dr. Perikli Qiriazi theksoi se një nga detyrat dhe synimet e mëdha të studimeve gjeografike komplekse e gjithëpërfshirëse për natyrën, shoqërinë, vendbanimet, trashëgiminë tonë natyrore e kulturore dhe shumë objekte të tjera gjeografike, është integrimi i tyre në fushën e Albanologjisë dhe forcimi i ndërveprimit me disiplinat e tjera. Ky ndërveprim ndihmon në sqarimin dhe argumentimin shkencor të shumë çështjeve dhe problemeve albanologjike.

Në këtë veprimtari shkencore u prezantuan tri studime nga prof. dr. Bilal Draçi, prof. dr. Pal Nikolli dhe prof. asoc. dr. Jostina Dhimitri, të cilat lidhen me studimet gjeografike mbi vendbanimet shqiptare; hartografinë historike në albanologji, si dhe këndvështrimet studimore gjeohistorike, metodologjike e modelet orientuese.

Gjatë prezantimit të punimeve shkencore u demonstruan stereotipat, u sqaruan paradokset dhe u ofruan platforma të reja për të kuptuar sfidat që hasin rajonet tona: nga shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe menaxhimi i rreziqeve mjedisore, deri tek dinamikat demografike dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore të vendbanimeve shqiptare.

Në diskutimin e saj dr. Majlinda Bufi, foli për rëndësinë e aktivitetit dhe theksoi problemet e bashkisë së Roskovecit, zgjidhja e të cilave kërkon bashkëpunim me studiuesit gjeografë. Tërhoqi vëmendjen projekti për kthimin e rezervuarit të madh të Kurjanit në një aset turistik. Për të mos u përballur me probleme natyrore e sociale, ajo theksoi se duhet të kryhet studimi gjeografik./atsh/KultPlus.com

AShSh marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave Bullgare

Një delegacion i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i kryesuar nga kryetari i saj akademik Skënder Gjinushi, dhe anëtarë të tjerë të ASHSH, akad. Anastas Angjeli, akad. Ilia Mikerezi, si dhe shefi i marrëdhënieve me jashtë, dr. Dorian Koçi, po zhvillon një vizitë zyrtare në Akademinë e Shkencave të Bullgarisë, në Sofje.

Delegacioni u prit nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë, akad. Julian Revalski dhe anëtarë të tjerë të kryesisë së kësaj akademie.

Vizita u bë në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) me Akademinë e Shkencave të Bullgarisë (ASHB), në kuadër të bashkëpunimit dypalësh në kërkim shkencor dhe teknik.

Marrëveshja u nënshkrua nga akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë, akademik Julian Revalski.

Akad. Gjinushi shprehu kënaqësinë që lidhja e kësaj marrëveshjeje do të nxisë bashkëpunimet në kuadër të programeve e projekteve europiane. Më tej akad. Gjinushi theksoi se bashkëpunimet do të jenë në albanologji, ballkanistikë, për kërkimet në shkencat gjuhësore, studimet letrare, historike, në arkeologji, por edhe në shkencat natyrore e teknike, ku përparësi do të ketë shkëmbimi i eksperiencave në nanoshkencë e bioteknologji, si dhe shkencat e bujqësisë, mjekësisë, e më gjerë.

Më tej akad. Julian Revalski falënderoi akad. Gjinushin për lidhjen e kësaj marrëveshjeje dhe shprehu kënaqësinë që të dyja palët do të bëjnë përpjekje të përbashkëta për identifikimin e mundësive për financime, për kërkime dhe projekte lidhur me këto programe dhe bashkëpunojnë në kuadër të tyre për projektet të përbashkëta dhe përmes formave të tjera të bashkëpunimit dhe shkëmbimit.

Akad. Skënder Gjinushi theksoi se kemi një bashkëpunim historik të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me Akademinë e Shkencave të Bullgarisë, ku është edhe katedra e albanologjisë, dhe theksoi se arritja e kësaj marrëveshjeje synon të sanksionojë këto praktika të bashkëpunimit  dhe ta zgjerojë më tej me bashkëpunimin shkencor e teknik ndërmjet instituteve dhe qendrave kërkimore bullgare dhe shqiptare të angazhuara në veprimtari kërkimi shkencor dhe formimi.

Kjo marrëveshje  synon gjithashtu edhe projekte kërkimore të përbashkëta, seminare, simpoziume, tryeza të rrumbullakëta, mbledhje, konferenca ndërkombëtare e aktivitete të tjera shkencore dy e shumëpalëshe të përbashkëta; shkëmbim kërkuesish individualisht me qëllim kryerjen e punimeve shkencore; shkëmbimin e informacionit lidhur me veprimtaritë e kërkimit në zbatim e sipër; zbatimin e metodave të reja të kërkimit; mbajtjen e leksioneve; krijimin e kontakteve të reja shkencore për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, pjesëmarrjen në aktivitete shkencore;

Marrëveshja do të zbatohet duke lënë hapësirat për zgjerimin dhe shtimin e aktiviteteve gjatë punës së përbashkët të të dyja akademive./atsh/KultPlus.com

Mbahet tryeza shkencore për 225 vjetorin e lindjes së Naum Veqilharxhit

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka organizuar një tryezë shkencore në nder të 225-vjetorit të lindjes së Naum Veqilharxhit.

Akademik Emil Lafe, në kumtesën e tij “Parime kulturore dhe gjuhësore të Naum Veqilharxhit”, u shpreh se Naum Veqilharxhi ka qenë pa dyshim një fenomen në historinë politike dhe kulturore të Shqipërisë në mesin e shek. XIX.

“Unë mendoj se ky qe burizani e përçuesi i vetëm i zgjimit të ndërgjegjes kombëtare në atë kohë, titan ndërlidhës mes territ tokësor e qiellit të ndritun. Kushtrimi i tij nuk ra në vesh të shurdhët”, shkruan akad. Emil Lafe.

Prof. dr. Fedhon Meksi tha se Naum Bredhi-Veqilharxhi meriton një vend nderi në altarin e nacionalizmit shqiptar.

Naumi i takonte një familjeje me tradita në fushën e kulturës në përgjithësi dhe të shqiptarisë në veçanti. Gjyshi i tij Llazar Bredhi, ishte një nga veprimtarët e shquar për futjen e shqipes në kisha dhe shkolla.

Meksi renditi rrethanat e bashkëpunëtorët me të cilët Veqilharxhi luftoi për “zgjimin e vetëdijes” së shqiptarëve, e njëri prej tyre ishte Vangjel Zhapa i cili financoi hapjen e shkollave shqipe dhe botimet e abetareve të para.

Gjithashtu në këtë tryezë shkencore u tha se ishte porosi dhe modeli i Naum Veqilharxhit që besimet fetare në vend, të praktikoheshin në një mënyrë të veçantë, në mënyrën shqiptare, me tone të ulura, ku nuk ka vend ideja e përçmimit të bashkëkombësve të feve të tjera, duke i lënë vendin respektit të ndërsjellë.

Naumi vuri gurin e parë për rilindjen e kombit shqiptar, që do të përfshinte të gjithë shqiptarët, myslimanë dhe të krishterë./atsh/ KultPlus.com

Më 13 shtator në ASHSH promovohet vepra-kolanë e historianit Jusuf Buxhovi

Shtëpia Botuese “Jalifat Publishing” në Huoston-Teksas, SHBA dhe Qendra Shqiptare e Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS) në Tiranë e “Gazeta e Alpeve”-(media PanShqiptare e NdërBallkanike), organizojnë me 13 shtator 2022, promovimin e veprës-kolanë të historianit Jusuf Buxhovi: “KOSOVA” (Vëllimi I-VIII, në shqip, 5.600 faqe) “KOSOVA” (Vëllimi I-III, në anglisht) dhe “KOSOVA: histori e shkurtër” (Botim i dytë, njëvëllimsh. 2021, me 912 faqe) , përcjell KultPlus.

Ngjarja fillon nga ora 11:00 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Nderojnë me praninë e tyre personalitete akademike, diplomatike, studiues, etj. nga Shqipëria, Amerika, Kosova, Kanadaja, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Europa. / KultPlus.com

Së shpejti promovohet “Thesar kombëtar – zëri intelektual dhe krijues i mërgatës shqiptare në Suedi”

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi, organizojnë promovimin e kolanës prej 11 vëllimesh  “Thesar kombëtar – zëri intelektual dhe krijues i mërgatës shqiptare në Suedi”. Aktiviteti do të zhvillohet fizikisht dhe online në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, 15 korrik 2022, ora 18.00

Pjesëmarrës do të jenë akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave, z. Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi (SHSHASHS).

Mes kumtuesve do të jenë Bedri Islami, “Thesar shqiptar” – kronikë e jetës së shqiptarëve mërgimtarë në Suedi e në vendet nordike,  Jolanda Lila, “Thesar shqiptar” – tribunë e mendimit atdhetar dje e sot,  Fetah Bahtiri, “Thesar shqiptar”, një urë midis dy kulturave: albanologu, përkthyesi dhe miku suedez i shqiptarëve Ullmar Qvick,  Viron Kona, “Thesar shqiptar” si tribunë krijimtarie letrare;  Shaban Sinani, Kërkim dhe dije në periodikun “Thesar kombëtar” dhe  Osman Ahmetgjekaj, Arsimi kombëtar në Suedi në faqet e tribunës “Thesar shqiptar”. Aktiviteti mund të ndiqet edhe online në platformën ZOOM në linkun:

https://us02web.zoom.us/j/82614608724…

Meeting ID: 826 1460 8724

Passcode: 340750 / KultPlus.com

Vjen për herë të parë “Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor”

Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK), në kuadër të vitit jubilar të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL)  do ë organizojnë në datat 22-24 prill për herë të parë Panairin Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor.

“Panairi mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor” zhvillohet për herë të parë këtë vit, si nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Panairi do të zhvillohet në mënyrë të alternuar, një vit në Tiranë e një vit në Prishtinë, me periodicitet të rregullt. Panairi zhvillohet në periudhën 22-24 prill, kohë në të cilën festohet Dita Botërore e Poezisë dhe Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit. Qëllimi i panairit është që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare” thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave. / KultPlus.com