Kosova dhe Gjermania nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim arkeologjik

Ambasada Gjermane në Kosovë ka njoftuar se Institutiti Arkeologjik Gjerman dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arkeologjisë.

“Sot, Instituti Arkeologjik Gjerman dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nënshkruan një marrëveshje kornizë që ngritë në një nivel të ri bashkëpunimin tonë në fushën e arkeologjisë,” thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane.

Marrëveshja u nënshkrua nga Dr. Lukas Werther dhe Bislim Bislimi, në prani të ambasadorit gjerman Jorn Rohde dhe ministrit Hajrulla Çeku. Kjo marrëveshje synon të vendosë themelet për projekte të reja të përbashkëta dhe shkëmbim të ekspertizës profesionale në mes të të dyja vendeve./ KultPlus.com

Gonxhja: Bashkëpunim me UT për të ofruar mundësi edukimi të specializuar për të rinjtë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja zhvilloi një takim me rektorin e Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha për hapjen e një horizonti të ri dhe partneriteti cilësor.

Gonxhja u shpreh se, MEKI është e vendour që Paktin për Universitetin, prioritet i Qeverisë Shqiptare, ta kthejë në një burim energjie, idesh dhe projektesh, duke ofruar mundësi edukimi të specializuar për të rinjtë, praktikash kërkimore, orientim drejt eksperiencës jetësore dhe administratës që duam.

Ai teksoi se si dallandyshe e pare do të jetë një projekt arkeologjik, që bën bashkë kapacitetet intelektuale, energjinë e studentëve dhe infrastrukturën laboratorike të Departamentit të Arkeologjisë, në funksion të njohjes, konservimit dhe promovimit të kulturës kombëtare.

“Vullnet i përbashkët për të investuar në rritjen e kapaciteteve njerëzore, akademike dhe studentore. Vizion për të afruar universitetin në dinamikat e zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore të vendit, të cilat kanë nevojë të ngutshme për oponencën, dijen e thelluar dhe inovacionet, në nje botë gjithmonë e më të integruar dhe konkurruese”, u shpreh Gonxhja./atsh/KultPlus.com

Ministri Çeku: Vazhdon të thellohet bashkëpunimi me Shqipërinë në projekte të kulturës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka pritur sot në takim Ambasadorin e ri të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, Ministri Çeku ka thënë se edhe në të ardhmen do të vazhdojë bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë është i pashmangshëm. Përplot aktivitete të përbashkëta janë realizuar vitin që lam pas, dhe të tilla priten edhe në vazhdim.

Për këtë dhe tema të tjera diskutuan sot në takim, Ministri Çeku dhe Ambasadori i ri i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Ministri Çeku i uroj suksese në detyrën e re, ndërsa i shprehu falënderimet e tij për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të Shqipërisë.

Bashkë u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin duke u koordinuar për projekte të përbashkëta në kulturë, sport, rini e trashëgimi kulturore”, ka shkruar Çeku./KultPlus.com