Qenkemi dashtë edhe pa u pa

Poezi nga Besnik Camaj

Qenkemi dashtë edhe pa u pa

Pak nga pak koha po jep shpirt
e jeta përhumbet heshtazi fundeve

Por ka një çast të ngrohtë gurëzimi
kur dashnia i mund të gjitha

Ti vjen paluhatur e qëllon drejt
me një gjeth të rënë mbi krah
ngjitesh shkallëve në katin e dytë
dhe me ambëlsi tingujsh alegorikë
krijon një pamje mahnitëse
pa xixëllonja e shkëlqime të tjera
ani pse jashtë bën të ftohtë i përzemërt

Nga rrëzëllimi i përqafimit
silueta njerëzish zbresin në katin e poshtëm
në brezare mbetemi vetëm

N’eklips
ky odeon shfaqet si skenë e njomë
me pluhur shpirtërash të dy protagonistëve
që i ipen njëri-tjetrit deri n’buzë
t’greminës

Si nuk e paskemi ditë
Qenkemi dashtë edhe pa u njoftë

Tash të shoh ndjeshëm ndërsa vjen pa u lëkund
me një gotë vere gjak të kuqe
pa më pyet fare ma derdh shpirtit
shpirtin tënd
dhe pa dashtë zë vend
aty ku përherë e ke pasë

Pas kësaj hyrje në letargji vargjesh
nis udhëtimin kjo vjeshtë e vonë
me këtë simelodi
ftesë vallëzimi nga ty
që befas më çon në kambë
në shtrëngim trupat e kallur amësohen
lëkunden rrënjët e blirit të shenjtë
rruga nis e çohet peshë
nga gjethet e rëna dhe tjerat që bijnë

Drithmat nga e kaluara s’kanë pyetje për nesër
as për gjëra të tjera të vogla e të vona
ka veç një refren me zë lirie

Qenkemi dashtë. / KultPlus.com

Ora një pa një minutë!

Poezi nga Besnik Camaj

Shi me gjyma! Sirena!
Xhami që kam para sysh vrapon nën pikla; një kuqosh, si i çartun, me një send të leshtë në dorë hallakatë kambët trotuarit të lagur!

Po e pres shoqen, ulë, me drejtuesin para! Në mes dritares dhe syve, ka një boshësi që po e mbush me këto shkronja! Tashmë, ajo më doli dore! Fare!

Në sy, tjetra shpejton hapin dhe më ik nga shikimi; pa e kthy kryet mirë. Një tjetër flokëshprishur parakalon me gojën mbuluar me një shami të zezë pikaloshe.

Ç’bukuri sjell pritja!

Ja mbaroi dhe ky çast! Shkronjat më mbesin në fyt, kur dëgjoj zërin e saj

-Hapma derën!!! / KultPlus.com