Hapet edhe BiblioTech 4 në Tiranë, transformohen bibliotekat publike në lagje

Projekti më i ri inovativ i Bashkisë së Tiranës dhe i UNICEF-it po transformon bibliotekat e Tiranës nga mjedise të thjeshta leximi, në inkubatorë të teknologjisë për fëmijët dhe të rinjtë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësuesi i UNICEF-it në Tiranë, Roberto de Bernardi, përuruan laboratorin më të ri inovativ, BiblioTech “Misto Treska”, e katërta në kryeqytet.

Kryebashkiaku shprehu besimin se edhe kjo nismë do të jetë një histori suksesi. “Ajo që na bashkon me UNICEF-in është investimi për dijen. Sot jam shumë krenar për këto katër pika të reja që hapim, janë vetëm 4 fara të para që mbjellim në Tiranë. Prirem të jem gjithnjë ai optimisti kronik dhe të shoh më të mirën, ndaj realisht ju uroj sukses të katër bibliotekave”, tha ai.

Veliaj u shpreh se ambicia e Bashkisë së Tiranës është t’u mësojë të rinjve profesionet e së ardhmes, dhe prova më e mirë për këtë janë hapja brenda një jave e disa akademive digjitale. “Ka gjithmonë një pyetje: Çfarë bën ti për rininë? ‘Jep peshk’ apo mëson si peshkohet? Ka plot që ‘japin peshk’. Kur bën një kamp veror, do pimë të gjithë birra apo kafe me filan politikan? Ok, gjë e mirë është, një birrë, një kafe. Por, është thjesht një ambicie shumë e vogël. Ambicja jonë është ‘të mësojmë si peshkohet’. Brenda 7 ditëve kemi hapur qendrën Tumo, u hap Softëare Development Academy, (Akademia e Zhvillimit të Softëare-ve), që në fakt është për një moshë më të madhe. Kurse me UNICEF-in bëmë këtë projekt, që vjen për të gjitha moshat”, theksoi ai.

Veliaj shtoi se Tirana dhe Shqipëria janë gati që të kapin revolucionin e katërt, që është ai digjital. Veliaj nënvizoi se përmirësimi i infrastrukturës dhe investime të tilla në çdo lagje sikurse bibliotekat, kanë rritur edhe vlerën e pronës së qytetarëve. “Unë e marr si kompliment kur njerëzit më thonë janë rritur shumë çmimet e pronës në Tiranë. A nuk do të ishte mëkat në fakt, të degjeneronte çmimi i pronës dhe mos të kishte asnjë vlerë? Pra, për një kryetar bashkie është lajm i mirë që është rritur vlera e pronës, që do të thotë infrastruktura, lehtësirat, investimet kanë bërë që prona të vlejë më shumë. Nuk besoj se ka një mënyrë më të mirë për të mbushur këto hapësira sesa me atë që është sot strategjia më e mirë për një komb, të ngarkojë të rinjtë e saj me aftësi digjitale, që munden të përkthehen në vende pune, në start-up apo në industri të reja”, theksoi ai.

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Tiranë, Roberto de Bernardi u shpreh se këto biblioteka të reja ofrojnë një mundësi për të gjithë. “Si në këtë bibliotekë, pra “Misto Treska”, por edhe në biblioteka të tjera publike, ku po zhvillohet i njëjti projekt, duhet të mbajmë parasysh se askush nuk duhet të mbetet pas. Si UNICEF, ndihemi shumë krenarë të shohim kontributin që kemi dhënë, në mënyrë që këto ide të materializohen. Edhe njëherë do të doja të falenderoja kryetarin e Bashkisë dhe ekipin e tij për zhvillimin e këtij projekti”, u shpreh De Bernardi.

BiblioTech “Misto Treska”, e vendosur në Njësinë 10 në Tiranë, “Musine Kokalari”, në Njësinë 7, “Hamit Beqja” tek Njësia 8 dhe “Aleksandër Moisiu” në Njësinë 4, ofrojnë jo vetëm kënde leximi, por edhe logjistikë të përshtatshme për edukim digjital, kodim, mjedise inovatore për startups, si dhe hapësira miqësore për fëmijët falë friendly WiFi. Filtrimi i internetit e bën përdorimin e tij nga fëmijët dhe të rinjtë më pak të rrezikshëm nga tentativat keqadashëse për të abuzuar, apo shfaqur imazhe të papërshtatshme online për minorenët. BiblioTech ofron edhe mjaft trajnime dhe aktivitete informuese./ atsh/ KultPlus.com

Dhjetë bibliotekat më mbresëlënëse në botë

Edhe nëse nuk i përkushtoheni shumë librit dhe leximit, nuk mund ta mohoni madhështinë e këtyre 10 bibliotekave. Po ju sjellim më poshtë, përzgjedhjen e bërë nga Google Art.

BIBLIOTEKA “GEORGE PEABODY”, BALTIMOR, SHBA

Biblioteka me pesë nivele konsiderohet aq e bukur sa që nganjëherë edhe martesat mbahen brenda atriumit neo-grek. Gjithçka aty është financuar nga një djalë i mirë i quajtur George Peabody.

BIBLIOTEKA E BIRMINGAMIT, ANGLI

Eksterieri u kompletua në vitin 2013, me 5,357 unaza të mbivendosura, si nderim për lagjen e bizhuterisë në qytet. Ajo u hap zyrtarisht nga aktivistja Malala Yousafzai.

BIBLIOTEKA “CLEMENTINUM”, PRAGË, ÇEKI

Ndërtesa e stilit barok u ndërtua nga jezuitët më 1622. Legjenda thotë se ndërtimi nisi me një libër, ndërsa përfundoi me 20 mijë.

“DHOMA MBRETËRORE PORTUGEZE E LEXIMIT”, RIO, BRAZIL

Me koleksionin më të madh të librave portugezë jashtë Portugalisë, biblioteka është themeluar nga 43 emigrantë politikë për të promovuar kulturën kombëtare në Brazil.

BIBLIOTEKA PUBLIKE, NJU-JORK, SHBA

Kjo është biblioteka më e njohur nga filmat, si nga “Day After Tomorrow” (2004) apo “Sex and the City” (2008).

BIBLIOTEKA E VJETËR E KOLEGJIT TË TRINISË, DUBLIN, IRLANDË

Është 61 metra e gjatë, e dekoruar me tavane të harkuar dhe buste mermeri të autorëve të famshëm. Vëllimi më i famshëm aty është “Libri i Kellsëve” – dorëshkrim në latinisht që përmban katër ungjijtë e Dhiatës së Re.

LIBRARIA E QYTETIT, SHTUTGART, GJERMANI

Gjithçka duket si piramidë e përmbysur. Panelet e kulmit emitojnë dritë të kaltër edhe natën, ndërsa një pjesë e koleksionit është e qasshme për 24 orë – në atë që quhet “Libraria e të pagjumëve”.

BIBLIOTEKA “ALEXANDRINA”, ALEKSANDRIA, EGJIPT

Dhomat e leximit priren kah deti si orë diellore. Muret e granitit janë të dekoruara me shkronjat e qindra gjuhëve.

BIBLIOTEKA “MARCIANA”, VENECIE, ITALI

Ndërtesa e kohës së Renesancës ka një nga koleksionet më të mëdha në botë të teksteve klasike. Pos 750 mijë librave, brenda mund të shihni edhe veprat e Titianit dhe Tintorettos.

BIBLIOTEKA PUBLIKE, TAIPEI, TAJVAN

Biblioteka me materiale ekologjike e pastron ujin, punon me panele diellore dhe ventilim natyral. Brenda janë mbi 20 mijë libra në gjuhën angleze dhe kineze. /Telegrafi/ KultPlus.com

Dy bibliotekat shqiptare, hapin ekspozitë kushtuar shkrimtarit Anton Pashku

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Anton Pashku, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, zhvilluan dje në mjediset e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë edicionin e dytë të Konferencës Shkencore dhe Ekspozitës “Anton Pashku – shkrimtari”.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm studiues dhe kritikë nga Shqipëria e Kosova. Edicioni i saj i parë u mbajt me sukses në Prishtinë më 17 maj të po këtij viti, duke rikthyer procesin e thelluar të leximit e rileximit që nevojitet për veprën unike të Pashkut.

Ekspozita kushtuar Pashkut është një kontribut i specialistëve dhe bibliografëve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, duke sjellë për herë të parë për publikun në Shqipëri rrugëtimin e veprës së tij përmes botimit të shkrimeve të para, botimeve të sistemuara, raporteve që vepra e tij ndërtoi me kritikën letrare në bashkëkohësinë e vet etj.

Ajo sjell gjithashtu një dokumentim shembullor të faqeve të shtypit të kohës, lidhjeve të rëndësishme sa miqësore aq edhe letrare e intelektuale të autorit.

Këto konferenca dhe ekspozita janë pjesë e aktiviteteve të bashkërenduara në kuadër të bashkëpunimeve mes dy institucioneve tashmë prej vitesh.
Realizimi i ekspozitave, konferencave shkencore, bibliografive dhe botimeve të përbashkëta për veprën e De Radës, Kadaresë, Rugovës e Musine Kokalarit dhe së fundmi kushtuar veprës së çmuar të Anton Pashkut, na shtyjnë jo vetëm në një kremtim dhe përulje me nderim përpara veprës dhe kontributit të tyre, por na kthejnë te vetëdija për një moment të ri dhe cilësor reflektimi, njohjeje të ndërsjellë të autorëve dhe të personaliteteve të jetës shpirtërore të kombit.

Në kuadër të fushatës së Ministrisë së Kulturës “Takohemi për një libër”, gjatë ditëve që ekspozita do të qëndrojë e hapur, janë parashikuar edhe lexime të veprës së Anton Pashkut me nxënës të gjimnazeve të Tiranës.

Qysh prej botimeve të para më 1955 pena e Anton Pashkut vijoi deri në fund të mbetej nga më unikët dhe autentikët në letërsinë shqipe. Prozator e dramaturg, autor i i disa përmbledhjeve me tregime, i romanit të mirënjohur ”Oh” dhe dramave ”Gof e Sinkopa”, ai krijoi e botoi një letërsi me tipare të forta moderne, me vështrime të thella psikologjike, me pyetësim të përhershëm të njerëzores në kushtet e vetmisë dhe dashurimit, në hetim të identitares dhe mbijetesës kulturore në kushtet e totalitarizmit e dhunës, si dhe me kërkime formale që e shpinin gjithmonë drejt krijimit të përsosur.

Tregimet e tij antologjike si ”Nën qarr po rrinte vasha”,” Floçka”, ”Kulla”, ”Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë”, etj imponuan një prag të ri të shkrimit të prozës si për shkrimtarët më të rinj ashtu edhe për mendimin kritik letar në Kosovë, shkruan atsh.

Nga botimet më të rëndësishme përmendim:

“Tregime”, 1961; “Nji pjesë e lindjes”, 1965; “Kulla”, 1968; Sinkopa, 1969; “Oh”, 1971; “Kjasina”, 1973; “Gof”, 1976; “Lutjet e mbrëmjes”, 1978; “Tragjedi moderne”, 1982 si dhe botimin e veprës së tij të plotë nga shtëpia botuese e mirënjohur Rilindja me vëllimet “Tregime fantastike”, “Oh”; “Tragjedi moderne” te “Vepra letrare” (1986)./ KultPlus.com

Bibliotekat e qytetit të Nju Jorkut do të falin gjobat për të gjithë fëmijët

Ata që vonojnë të paguajnë më shumë se 15 dollarë në bibliotekat publike të qytetit u është ndaluar të nxjerrin më shumë libra derisa të paguajnë gjobën, shkruan The New York Times, përcjellë KultPlus.

Në mesin e të pezulluarve janë 160,000 fëmijë, shumica prej tyre nga lagjet më të varfra të qytetit, të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë.

“Të mësuarit është një e drejtë. Të lexuarit ju sjellë botët e reja”, tha Octavia Loving, një studente 17 vjeçare në Shkollën e Lartë të Muzikës Speciale, ndërsa ajo qëndronte në mesin e pllakave në Bibliotekën Countee Cullen në Harlem, një nga lagjet me më së shumti fëmijë me kartela të bllokuara sipas zyrtarëve të bibliotekës. “Ata nuk duhet të na bllokojnë të lexojmë për shkak të parave”.

Të enjten, tre sistemet bibliotekare të qytetit – Biblioteka Publike e Nju Jorkut, e cila u shërben Manhatanit, Bronksit dhe Staten Islandit; Biblioteka Queens; dhe Biblioteka Publike e Bruklinit – do të falin të gjitha gjobat për nën 17 vjeçarët dhe zhbllokojnë kartelat e tyre. Amnistia një herë është duke u nënshkruar nga Fondacioni JPB, një filantropë që mbështet rastet qytetare dhe do të kompensojnë 2.25 milion dollarë e të ardhurave nga gjobat e falura.

Amnistia “është një mënyrë dramatike për t’u dërguar mesazhe fëmijëve dhe të rinjve që ne dëshirojmë që ju të ktheheni, dhe ne duam që ju të lexoni”, tha Anthony W. Marx, president i Bibliotekës Publike të Nju Jorkut. Falja nuk është e kushtëzuar me kthimin e ndonjë libri ose DVD të prapambetur. “Ne duam që ju të jeni përgjegjës, por nuk duam t’ju penalizojmë vetëm sepse jeni shumë të varfër për të paguar gjobat”.

Sistemet e bibliotekave aktualisht mbështeten në të ardhurat nga gjobat për të financuar programe të caktuara, tha z. Marx. Sipas tij heqja e gjobave do t’i kërcënonte ata. Gjobat gjithashtu shihen si një pengesë për vjedhjen e librave dhe një mënyrë për të siguruar librat për lexuesin e ardhshëm.
Sisteme të tjera, edhe pse jo aq të mëdha sa ato të New York City, kanë ofruar versione më të gjera të amnistisë.

Që nga viti 2015, Sistemi i Bibliotekave Publike i Qarkut të Kolumbias nuk ka penalizuar nën 19 vjeçarët për materiale të vonuara ose të humbura. “Ne nuk duam arsyetimin se ju nuk keni ardhur në bibliotekë për shkak të frikës se ju keni borxh”, tha George Williams, një zëdhënës i atij sistemi bibliotekar.

San Francisko ofroi falje për një periudhë gjashtëjavore për gjoba gjatë këtij viti, gjatë së cilës u zhbllokuan kartat e më shumë se 5,000 njerëzve dhe mbuluan gati 700,000 artikuj duke përfshirë një libër që ishte vonuar për një shekull. / KultPlus.com