Presidentja Osmani: Deklarata për të Zhdukurit, moment lehtësimi për familjet e prekura

Presidentja Vjosa Osmani, është deklaruar pas miratimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur mes kryeministrin Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Kjo është deklarata e Osmanit:

“Fati i të zhdukurve me forcë ka qenë prej kohësh një plagë e thellë në shoqërinë tonë”.

“Familjet që vazhdojnë të kërkojnë vendndodhjen e të dashurve të tyre, të cilët u zhdukën me forcë nga regjimi i Millosheviqit dhe përmes një sistemi të krimeve të luftës dhe gjenocidit të sponsorizuar nga shteti, kanë mbi dy dekada që mbajnë këtë barrë të rëndë në zemrat dhe në emër të një vendi të tërë”.

“Atyre u është mohuar në mënyrë çnjerëzore drejtësia dhe paqja për një kohë të gjatë”.

“Shpresojmë që Deklarata e rënë dakord sot në Bruksel do të hapë rrugën për njohjen e këtyre krimeve dhe për drejtësinë. Por mbi të gjitha, një moment lehtësimi për familjet që kanë pësuar dhimbje dhe vuajtje të pashpjegueshme”.

“Kjo deklaratë do të kërkojë zbatim të menjëhershëm dhe për këtë, siç e dimë nga marrëveshjet e mëparshme, Serbia ka një histori të paimagjinueshme”. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Kurti dhe Vuçiç miratojnë deklaratën e përbashkët për të zhdukurit

Deklarata e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për Personat e Zhdukur

Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave të zhdukur të mbetur për t’iu dhënë fund vuajtjeve së të dashurve të tyre dhe për të nxitur pajtimin dhe paqen e qëndrueshme,

Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, i cili përfshin personat e zhdukur me forcë,

Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e Personave të Zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë,

Duke pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,

Duke inkurajuar bashkëpunimin me aktorë të tjerë relevantë në fushën e Personave të Zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),

Duke e njohur çështjen e Personave të Zhdukur si çështje humanitare,

Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet njerëzore të familjeve,

Ne bashkërisht angazhohemi

  • Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,
  • për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe përcjelljen e gërmimeve,
  • për të siguruar akses të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur të mbetur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst,
  • për të vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur të mbetur,
  • për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive,
  • për të mundësuar dhe inkurajuar angazhimin aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,
  • për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe për të adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur,
  • për të krijuar dhe punuar së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur të mbetur,
  • për të monitoruar dhe mbështetur punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Termat e Referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës.

Detajet operacionale do të dakordohen në takimin e ardhshëm të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve. /Klankosova.tv/KultPlus.com