Deklarata e Samitit ShBA-BE: Kosova dhe Serbia urgjentisht të zbatojnë pa kushte marrëveshjen

Pas samitit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, pjesëmarrësit kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, ku theksohet se Kosova dhe Serbia urgjentisht duhet të zbatojnë pa kushte marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe Ohër.

Në deklaratë, po ashtu theksohet nevoja që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë urgjentisht tensionet, raporton Klan Kosova.

Deklarata përmban 34 pika gjithsej dhe në pikën e tetë përmendet Kosova dhe Serbia.

“Ne riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen tonë për perspektivën e BE-së të rajonit. Të gjithë partnerët duhet të vazhdojnë të bëjnë reformat e nevojshme për të përparuar në rrugën e tyre evropiane. Ne theksojmë nevojën që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë urgjentisht tensionet dhe të zbatojnë me shpejtësi dhe pa kushte marrëveshjen në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre dhe kthimit në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Samitit ShBA-BE. /KultPlus.com

SHBA dhe BE lëshojnë një deklaratë të përbashkët për përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët për përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, shkruan KultPlus.

Përmes një deklarate të përbashkët, BE dhe SHBA kanë njoftuar se janë të shqetësuar për situatën e vazhdueshme të tensioneve në veri të Kosovës.

Deklarata e plotë:

“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuar për situatën e vazhdimisht të tensionuar në veri të Kosovës.

Iu bëjmë thirrje palëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të qetësuar pa kushte situatën dhe të përmbahen nga provokimet apo kërcënimet.

Ne po punojmë me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti për të gjetur një zgjidhje politike për zbutjen e tensionetve dhe për të rënë dakord për rrugën përpara në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve lokale.

Mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta apo barrikada paqësore. Në të njëjtën kohë, shteti i së drejtës duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin Bashkimin Evropian përmes Misionit të Sundimit të Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me mandatin e tij, i cili mund të monitorojë nga afër të gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut. Kjo përfshin, në veçanti, garancitë për gjykim të drejtë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e barabartë të pjesëtarëve të komuniteteve të pakicës në Kosovë.

Ne gjithashtu presim që Kosova dhe Serbia të kthehen në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve të tyre.

Të gjitha detyrimet e Dialogut duhet të zbatohen plotësisht dhe pa vonesë”, thuhet në deklaratën e tyre. /KultPlus.com

Joe Biden do të dërgojë 1 miliard dollarë ndihmë në Ukrainë

Administrata Biden njoftoi të mërkurën se do të ofrojë një ndihmë ushtarake shtesë prej 1 miliard dollarësh për Ukrainën për të luftuar Rusinë, transmeton KultPlus.

Presidenti i SHBA Joe Biden foli me telefon me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të mërkurën përpara njoftimit.

Sipas një zyrtari amerikan, paketa më e fundit përfshin 18 obusi, 36,000 fishekë municion obusi dhe dy sisteme mbrojtëse bregdetare Harpoon.

“E informova Presidentin Zelenskyy se Shtetet e Bashkuara po ofrojnë 1 miliardë dollarë të tjerë ndihmë për sigurinë për Ukrainën, duke përfshirë artileri shtesë dhe armë të mbrojtjes bregdetare, si dhe municione për artilerinë dhe sistemet e avancuara të raketave që ukrainasve u duhen për të mbështetur operacionet e tyre mbrojtëse në Donbas”, tha Biden në një deklaratë pas telefonatës.

Duke folur në Bruksel, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se SHBA-ja dhe Ukraina “po punojnë në hap për të përmbushur kërkesat e Ukrainës për aftësi të reja, veçanërisht nevojën e saj për zjarre me rreze të gjatë, forca të blinduara dhe mbrojtje bregdetare”, shkruan CNN.

Paketa pritet të përfshijë armë dhe furnizime që mund të dërgohen shpejt nga rezervat ekzistuese të SHBA-së, si dhe lëshimin e kontratave të reja për furnizime afatgjata për Ukrainën.

SHBA do të sigurojë gjithashtu 225 milionë dollarë ndihmë humanitare për Ukrainën, e cila Biden tha se do të shkojë drejt “furnizimit me ujë të pijshëm të sigurt, furnizime kritike mjekësore dhe kujdes shëndetësor, ushqim, strehim dhe para për familjet për të blerë sende thelbësore”.

Austin po takohet në Bruksel të mërkurën me një grup pune prej afro 50 vendesh për të diskutuar krizën. /KultPlus.com

(AP Photo/Evan Vucci, File)

Biden: Populli amerikan do të vazhdojë të qëndrojë me popullin e guximshëm ukrainas

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka njoftuar për ndarjen e 800 milionë dollarësh në armë, municione dhe ndihmë të tjera të sigurisë për Ukrainën, përcjell KultPlus.

Ndërsa Rusia përgatitet të intensifikojë sulmin e saj në rajonin e Donbasit, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i ofrojnë Ukrainës aftësitë për t’u mbrojtur.

“Kjo paketë e re ndihme do të përmbajë shumë nga sistemet shumë efektive të armëve që kemi ofruar tashmë dhe aftësi të reja të përshtatura për sulmin më të gjerë që presim që Rusia të nisë në Ukrainën lindore. Këto aftësi të reja përfshijnë sisteme artilerie, raunde artilerie dhe transportues të blinduar të personelit. Kam miratuar edhe transferimin e helikopterëve shtesë. Përveç kësaj, ne vazhdojmë të lehtësojmë transferimin e aftësive të rëndësishme nga aleatët dhe partnerët tanë në mbarë botën”, ka thënë Biden.

I pari i ShBA-së ka njoftuar se populli amerikan do të vazhdojë të qëndrojë me popullin e guximshëm ukrainas në luftën e tyre për liri. /KultPlus.com

Presidentja Osmani do të vizitojë Shtetet e Bashkuara në prill dhe maj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit prill dhe muajit maj, përcjell KultPlus.

Këtë gjë e ka konfirmuar Shefi i stafit të Presidencës, Blerim Vela, në emisionin “Rubikon me Adriatik Kelmendin”.

“Presidentja i ka dyert e hapura në ShBA, në muajin prill dhe maj do të ketë vizitë në SHBA, do të ketë takime të niveleve të ndryshme, qoftë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongresin Amerikan. Ajo ka ftesë nga zyrtarë të ndryshëm të Shtëpisë së Bardhë që të ketë takime me ata. Disa në Shtëpinë e Bardhë disa në Kongres”, ka thënë Vela.

KultPlus do t’iu mbajë të informuar sapo të bëhet e ditur edhe agjenda zyrtare e kësaj vizite. /KultPlus.com

Departamenti Amerikan i Shtetit kujton Madeleine Albright: Faleminderit zonja Sekretare

Ish-sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, ka vdekur në moshën 84 vjeçare më 23 mars të këtij viti, shkruan KultPlus.

Roli i saj për gjatë gjithë viteve sa ishte në institucionet amerikane, dëshmoi se Albright luftonte për liri, pavarësi dhe demokraci mbi të gjitha.

Sekretari i shtetit, Antony Blinken, ka kujtuar Albright duke thënë se ai përfitoi nga mençuria dhe inkurajimi i saj.

“Duke kujtuar Madeleine Albright, Sekretaren e 64-të të Shtetit të SHBA-së, në Departamentin Amerikan të Shtetit, një institucion që ajo e donte. Ajo mentoroi një brez diplomatësh dhe ekspertësh të sigurisë kombëtare. Unë jam një nga shumë që përfitova nga mençuria dhe inkurajimi i saj. Faleminderit zonja Sekretare. ” – Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken.

Albright do të njihet shumë edhe për rolin që pati në ndaljen e Luftë së Kosovës. /KultPlus.com

1 Prilli shënon ditën e parë të zgjatjes 10 vjeçare të vizave për shqiptarët në ShBA

1 Prilli shënon ditën e parë të zgjatjes 10 vjeçare të vizave për shqiptarët të cilët marrin viza turistike dhe biznesi për në Shtetet e Bashkuara, përcjell KultPlus.

Ambasadorja, Yuri Kim, përshëndeti aplikanten e parë shqiptare të cilës edhe iu dha viza e parë amerikane e vlefshme për 10 vjet

Vizat turistike dhe të biznesit do të zgjaten nga 3 vjet në 10, pra, do të jenë të vlefshme për udhëtime deri në vitin 2032.

Vlefshmëria e vizave për 10 vjet u bë pikërisht në 100 vjetorin e miqësisë mes SHBA-së dhe Shqipërisë. /KultPlus.com

Zgjatet vlefshmëria e një vize në SHBA nga 3 deri në 10 vjet për shqiptarët

Viti 2022 shënon 100 vjet marrëdhënie mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Në nder të këtij 100 vjetori, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, ka bërë të ditur se vlefshmëria e vizave për shqiptarët nga tre vjet sa ka qenë maksimumi do të shkojë deri në 10 vjet.

“Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të zgjatuar vlefshmërinë e vizës në dhjetë vjet pasqyron faktin që shqiptarët gjithnjë e më shumë po ndjekin rregullat kur vizitojnë Shtete e Bashkuara”, ka thënë ambasadorja Kim.

Shqiptarët tani do të mund që përmes vizave turistike ose ato të biznesit, të posedohen me vizë 10 vjeçare në ShBA. /KultPlus.com

Lipa merr pjesë në hapjen e shkollës shqipe në Teksas: Kam folur shqip me prindërit për të mos harruar rrënjët (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa, ka marrë pjesë me një fjalim në ceremoninë e hapjes së parë të shkollës shqipe në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.

Përkundër angazhimeve të saja me koncertin dhe këngën e saj të fundit, Lipa gjeti kohë që të marrë pjesë në hapjen e shkollës shqipe dhe të ndajë përvojat e saja me të pranishmit e tjerë.

Fillimisht, 26 vjeçarja falënderoi organizatorët për ftesën, derisa u shpreh shumë e lumtur që po merr pjesë aty.

“Ju faleminderit shumë që më keni parë sot këtu dhe për të festuar me ju hapjen e kësaj shkolle. Kur u informova për hapjen e kësaj shkolle më kujtuan fëmijërinë time kur erdha nga Prishtina në Londër”, tha Lipa.

Ajo gjithashtu kujtoi edhe kohën kur gjatë shkollës fliste gjuhën angleze, ndërkaq në shtëpi që të mos harronte rrënjët e saj, fliste në gjuhën shqipe me prindërit.

“Kur isha në Londër flisja anglisht me miqtë dhe profesorët, ndërsa natën me prindërit flisja shqip për të mos harruar rrënjët dhe gjuhën”, përfundoi fjalimin e saj.

Dua Lipa së fundmi ka bërë publikimin e një kënge të re në bashkëpunim me Megan Thee Stallion, ku po dëgjohet nga e gjithë bota. /KultPlus.com

Albin Kurti falënderon ShBA-në për donacion, u bën apel qytetarëve të vaksinohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë fushatën e saj të vaksnimit, pasi pandemia ende nuk ka marrë fund, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Kurti ka thënë se Kosova ka administruar mbi 1.8 milionë doza të vaksinës anti-COVID.

“Sot kemi shënuar mbi 1.8 milionë doza të vaksinës anti-COVID të administruara në Republikën e Kosovës, ndërsa gati 900,000 qytetarë janë vaksinuar me të paktën një dozë. Këto arritje kanë ardhur si rezultat i vullnetit të qytetarëve të Republikës për të mbrojtur vetveten dhe të tjerët rreth tyre, si dhe i punës së palodhshme të punonjësve shëndetësorë, për të cilën jemi të gjithë falënderues”, ka thënë ai mes tjerash.

Tutje, i pari i ekzekutivit ka përmendur edhe donacionin e vaksinave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mirëpo, përderisa pandemia ende nuk ka marrë fund, edhe fushata jonë e vaksinimit duhet ende të vazhdojë. Për këtë arsye, kemi pranuar dje një donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej 515,970 dozave shtesë; në total arrihen mbi 1 milion vaksina të dhëna nga ShBA. Ky donacion do ta ndihmojë Kosovën që të zgjerojë sa më shumë imunitetin mes popullatës sonë. U jemi përjetësisht mirënjohës ShBA-së dhe aleatëve të tjerë që kanë kontribuar në betejën tonë kundër COVID-19.”.

Kurti në fund të postimit i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin dy dozat e para sa më shpejt, pasi, sipas tij, mbrojtja kundër infektimit, spitalizimit dhe humbjes së jetës bie dukshëm duke filluar disa muaj pas imunizimit me dy dozat e para.

“Me kujdes të shtuar, bashkë do t’ia dalim”, ishte mesazhi i Kurtit.

Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, deri më sot 810,436 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. /KultPlus.com

‘Krah për krah’, Shqipëria dhe Amerika festojnë 100 vjetorin e bashkëpunimit

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikën festojnë 100 vjetorin e marrëdhënieve në këtë vit, shkruan KultPlus.

Përmes një llogoje të dizajnuar, paraqiten flamujt e të dyja shteteve në numrin 100, i cili ka gjithashtu të përfshirë edhe shenjën “pa kufi”.

“Krah për krah”, ishte mesazhi kryesor i ambasadores së SHBA-së Yuri Kim.

Kjo logo do të përdoret përgjatë gjithë vitit kalendarik, si një arritje shumë eë rëndësishme.

“Edhe 100 vjet të tjera ndërsa Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara ecin përpara së bashku!”, thuhet në njoftimin e Ambasadës në Tiranë. /KultPlus.com

Sot festohet dita ndërkombëtare e lirisë në Amerikë, kujtohet presidenti Abraham Lincoln

1 shkurti është Dita Kombëtare e Lirisë. Qëllimi i kësaj feste është të promovojë ndjenjat e mira, harmoninë dhe mundësitë e barabarta mes të gjithë qytetarëve dhe të kujtojë se Shtetet e Bashkuara janë një komb i përkushtuar ndaj idealit të lirisë.

Majori Richard Robert Wright Sr., një ish-skllav, luftoi për të pasur një ditë kur festohet liria për të gjithë amerikanët. Kur Wright mori lirinë e tij, ai vazhdoi të bëhej një biznesmen i suksesshëm dhe udhëheqës i komunitetit në Filadelfia, Pensilvani.

Majori Wright zgjodhi 1 shkurtin si Ditën Kombëtare të Lirisë, sepse ishte dita në 1865 kur Presidenti Lincoln nënshkroi Amendamentin e 13-të të Kushtetutës. A e dini se çfarë bëri Amendamenti i 13-të?

Ky amendament, një ndryshim i rëndësishëm në ligjin tonë të shkruar, e shpalli të jashtëligjshme skllavërinë në Shtetet e Bashkuara. Wright mblodhi liderët kombëtarë dhe lokalë së bashku për të shkruar një projekt-ligj që shpallte 1 shkurtin “Ditën Kombëtare të Lirisë” dhe Presidenti Harry Truman nënshkroi projektligjin në 1948 duke e zyrtarizuar atë.

Osmani për vdekjen e senatorit Bob Dole: Do të jemi mirënjohës përgjithmonë

Senatori Bob Dole, i cili kishte vizituar Kosovën për herë të parë, ka vdekur pas kancerit që u paraqit në mushkërit e tij, përcjellë KultPlus.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar mbi vdekjen e senatorit, ku është shprehur gjithmonë mirënjohëse për kontributin e tij.

“Shumë e mërzitur të dëgjoj se senatori Bob Dole ka ndërruar jetë. Një hero i luftës, politikan shumë i respektuar dhe një mbështetës i lirisë në të gjithë botën”, shkroi Osmani.

Presidentja tutje shtoi se është mirënjohëse më së shumti për pjesën që Dole ka bërë për Kosovën, i cili ishte afër Kosovës gjithmonë në rrugëtimin për pavarësi. “Prehu në paqe mik”, përfundoi ajo.

Delegacioni i senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 29 gusht të vitit 1990 vizitoi Kosovën për herë të parë të udhëhequr pikërisht nga senatori Bob Dole. /KultPlus.com