Del në ankand një ‘Cadillac’ i Elvis Presleyt

”Cadillac”-u tip ”Fleetwood Brougham”, dikur në pronësi të Elvis Presley ka dalë në ankand, deklaroi kompania ”British Car & Classic”.

Makina u ble nga vetë Presley më 26 shtator 1974, për shumën prej 12 512 dollarësh.

E pajisur me një sërë opsionesh, të denja për mbretin e rock’n’roll-it, makina është një nga shumë ”Cadillac”-ët të blerë nga Elvis, një fans i madh i markës amerikane, gjatë gjithë jetës së tij.

Makina është e pajisur me një motor V8 8200cc dhe për këtë model me një ngjyrë karrocerie të verdhë ari.

Në vitin 1976 Elvis ia dha ”Fleetwood Brougham” mjekut të tij personal, Nichopoulos, i cili e përdori atë për 10 vite.

Për të shoqëruar ankandin, sigurisht që janë të gjitha dokumentet që vërtetojnë pronësinë e famshme fillestare, të kompletuara me firmën e Elvis Presley-t, si dhe ndryshimet e mëvonshme të pronësisë.

Edhe pse e mbajtur në gjendje të shkëlqyer, si në karroceri, ashtu edhe në brendësi (me tapiceri të shtrenjta damasku), dhe e kompletuar me të gjitha detajet, makina ka nevojë për një rregullim të mirë për shkak të periudhës së gjatë të ndalimit.

Odometri shënon vetëm 2 776 kilometra dhe motori i fuqishëm është pothuajse plotësisht origjinal, me përjashtim të baterisë./ KultPlus.com

Veturat e veçanta të udhëheqësve botërorë

Krerët e shteteve, monarkët dhe udhëheqësit fetarë të botës zotërojnë disa prej automjeteve më të veçanta.

Njihuni me një pjesë të tyre:

Numri një i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vozitet me atë që njihet si “Bisha”. Versioni aktual i automjetit tejet të blinduar presidencial është prezantuar më 2018. Është një Cadillac i modifikuar, me përmirësime estetike, që e bëjnë atë më të hollë sesa versioni i mëparshëm më masiv. Sipas mediave amerikane, vetura përmban një frigorifer, për ta bartur gjakun që i përshtatet tipit të presidentit, në rast se nevojitet ndonjë transfuzion emergjent. Automjeti presidencial po ashtu raportohet të ketë doreza të elektrizuara të dyerve, për të zmbrapsur personat e paautorizuar që provojnë të futen brenda. Ndërkaq, për të ruajtur sekretet, versionet e pensionuara të veturës shkatërrohen nga stafi i Shërbimit Sekret amerikan.

Rivali rus i “Bishës” është limuzina Aurus, e cila përdoret nga Vladimir Putin si automjeti shtetëror presidencial i Rusisë, që nga prezantimi i tij më 2018. Versioni i veturës që përdoret nga Putin rëndohet nga veshja mijëra kilogramëshe me blindë, e cila e çon peshën e përgjithshme të veturës në 6.5 tonë. Ekzistojnë edhe versione civile të veturës së prodhuar në Rusi. Versioni më i lirë shitet për 245 mijë dollarë.

Modeli i fundit i limuzinës që përdoret nga presidenti i Kinës, Xi Jinping, është Hongqi N501. Edhe ky automjet presidencial është prezantuar më 2018, dhe Xi është vozitur sefte me të gjatë një turneu në Afrikë. Pothuajse asgjë nuk dihet publikisht për veçoritë e sigurisë që përmban kjo veturë. Hongqi është marka më e vjetër kineze e automjeteve.

Limuzina shtetërore Bentley është automjeti zyrtar i mbretëreshës Elizabeth II të Mbretërisë së Bashkuar. Dy modele të kësaj veture janë ndërtuar më 2002. Që të dyja përmbajnë një stoli të trashë mbi kapakun e motorit, që shfaq Shën Gjergjin duke vrarë një dragua. Rrotat e limuzinës së blinduar, që bart flamurin e monarkisë, janë gjithashtu të mbrojtura nga kevlari, i njëjti material i papërshkueshëm nga plumbat që përdoret në helmetat e ushtarëve britanikë.

Dukja duket të ketë qenë më prioritet sesa siguria gjatë dizajnimit të veturës së perandorit të Japonisë, Naruhito. Toyota ka krijuar një version unik, me çati të hapur, të limuzinës së saj luksoze Century, për paradën e kurorëzimit të udhëheqësit simbolik të Japonisë, në Tokio, në nëntorin e vitit 2019. Vetura pritet të shihet në publik përsëri, gjatë paraqitjeve të perandorit në ceremonitë e Lojërave Olimpike, në kryeqendrën japoneze.

Papa Françesku është vozitur me vetura të ndryshme gjatë vizitave të tij nëpër botë, por ndoshta “papëmobili” më unik është ky automjet Karenjy, i prodhuar në Madagaskar, dhe i përdorur në shtatorin e vitit 2019. Karenjy, që do të thotë shëtitje në gjuhën madagaskane, është një kompani afrikane, e njohur për kamionët e tij që i përballojnë rrugët e vrazhda lokale. Një ekip prej 15 punonjësish kanë punuar pesë muaj për ta krijuar këtë automjet. Ai përmban një ndenjëse rrotulluese, flamuj të Vatikanit, dhe versione të arta të stemës së papës në dyert e tij të pasme./ REL / KultPlus.com