‘Pusulla letre’, i autores Vera Bekteshi rrëmben çmimin letrar Kadare

Këtë vit, edicionin e 7-të të Çmimit letrar Kadare, e ‘rrëmbeu’ mes 21 dorëshkrimesh romani “Pusulla letre”, i autores Vera Bekteshi me motivacionin: “ Për risinë stilistikore në shkrirjen e zërit të autores me atë të personazhit kryesor në një rrëfim të kthjellët dhe origjinal, edhe pse personazhi vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Ky rrëfim në vetë të parë vjen përmes një ligjërimi autentik të shkarkuar nga ngërçi i verigave të realizmit socialist, të vendosur në një regjistër leksikor të zgjedhur nga autorja.

Vepra shpërfaq autoren si mbijetuese të sprovuar, me një ind rezistence të admirueshëm në nivel sa jetesor, aq edhe artistik.”
c

Bekteshi bëhet shkrimtarja e parë fituese femër në gistorinë 7 vjeçare të këtij Çmimi. Në këtë projekt, që ka si qëllim inkurajimin e të shkruarit të prozës shqipe, kanë konkuruar deri tani afro 250 vepra dhe laureatë të tij kanë qenë pena të shquara dhe të reja në letrat shqipe si Rudolf Marku, Shkëlqim Çela, Musa Ramadani, Virgjil Muçi, Loer Kume dhe Gani Mehmetaj.

Vera Bekteshi është autore e disa veprave letrare si: ‘Një det i moçëm’ , ‘Ora me rërë,’ ‘Bella ciao’. Veçanërisht romani i saj autobiografik ‘Vila me tri porta’, ka shënuar një sukses letrar në vitet e fundit.

Çmimi letrar Kadare jepet nga Instituti Europian Pashko dhe mbështetet nga UET PRESS dhe Universiteti Europian i Tiranës. Top Channel /KultPlus.com

Bëhet publike juria profesionale e edicionit të shtatë të ‘Çmimit Kadare’

Me një traditë të konsoliduar tashmë me 6 autorë fitues që prej vitit 2015 kur nisi, Çmimi “Kadare” është një konkurs letrar që ka në fokus letërsinë shqipe dhe nxitjen e mbështetjen e autorëve shqiptarë.

I mbështetur nga Fonadacioni “Pashko”, projekti i Çmimit “Kadare” do të kurorëzohet me shpalljen e fituesit më 27 shkurt 2022, në ditën e fundit të Shkollës Dimërore të Humaniteteve e cila do të mbahet në Llogara.

Ndryshe nga vitet e kaluara, në jurinë e këtij edicioni të shtatë të Çmimit “Kadare” dominojnë gratë: do të kryesohet nga studiuesja dhe përkthyesja e mirënjohur Diana Kastrati, ndërsa në përbërje të saj do të jenë Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Belina Budini, studiuesja dhe pedagogia e UET, Irena Myzeqari, studiuesi dhe shkrimtari i njohur nga Kosova, Adil Olluri, si dhe shkrimtari Namir Lapardhaja.

Konkursi hap siparin sot, duke ftuar autorët shqiptarë që dëshirojnë të jenë pjesë e tij, të dorëzojnë në adresën e email-it [email protected], deri më 17 janar 2022, një sinops (jo më shumë se dy faqe) mbi veprën e shkruar, bashkangjitur me 15 faqet e para të dorëshkrimit. Nga sinopset dhe dorëshkrimet e mbërritura pranë jurisë, kjo e fundit pas shqyrtimit me kujdes të secilës prej tyre, do të zgjedhë vetëm 10 për të qenë pjesë e garës së çmimit “Kadare”.

10 autorët e përzgjedhur për të vazhduar garën do të shpallen në 1 shkurt dhe duhet të dorëzojnë dorëshkrimet e plota të veprës së tyre, pranë adresës së bërë publike nga juria brenda pesë ditëve nga shpallja e emrave të tyre si fitues.

Në 22 shkurt 2022 juria do të shpallë 5 emrat finalistë në fazën e dytë të konkurimit, të cilët do të vijojnë garën për çmimin e madh.

E drejta e autorit të veprës fituese është e Botimeve UET PRESS, si pjesë e Kolanës “Leteratura”. I gjithë projekti i Çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10 000 eurosh, ku përfshihen: Kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe organizimi i Shkollës Dimërore të Humaniteteve në Llogara, një aktivitet me tryeza debati mbi tema të ndryshme me fokus letërsinë shqipe, ku marrin pjesë shkrimtarë, përkthyes, studiues, profesorë e personazhe të botës së librit dhe mendimit.

Autori fitues, sipas Statutit të këtij Çmimi, do të jetë pjesë e tryezave letrare, promovimeve apo takimeve me lexues dhe median që i shërbejnë promovimit të librit dhe çmimit “Kadare”. Instituti Europian “Pashko”, përmes Botimeve UET PRESS dhe kolanës Leteratura, një kolanë kushtuar letërsisë shqipe, ka të drejtë për të përzgjedhur për botimin edhe dy vepra të tjera mes pesë finalistëve.

Juria fton dhe nxit autorët shqiptarë të bëhen pjesë e këtij konkursi, duke iu përmbajtur termave të aplikimit, me përgjegjësinë e një vlerësimi objektiv e të kujdesshëm të dorëshkrimeve të paraqitura, për të mbërritur në autorin dhe veprën fituese e cila do të njohë dritën e botimit përmes Shtëpisë Botuese UET Press, në kolanën “Leteratura”.

Çmimi “Kadare” është kthyer në këto vite në një institucion të rëndësishëm të gjykimit të letërsisë. I krijuar në vitin 2015, Çmimi “Kadare” është pjesë e iniciativës letrare të Institutit Europian “Pashko”, për të promovuar dhe nxitur letërsinë e mirë shqipe. Ai është pjesë e një rrjeti të tërë iniciativash me vlerë publike, si Rrjeti i Kritikës Shqipe, Qendra e Studimeve Shqipe “Kadare” dhe Klubi Letrar “Kadare”.

Autorët dhe veprat fituese të Çmimit “Kadare” ndër vite

Përgjatë gjashtë viteve janë botuar gjashtë romane nën kolonën “Leteratura” të botimeve UET PRESS, duke u bërë pjesë e qenësishme e letërsisë bashkëkohore shqipe.

-Çmimin “Kadare” 2021 e fitoi gazetari, publicisti, shkrimtari, dramaturgu dhe kineasti nga Kosova, Gani Mehmetaj me romanin “Zogjtë e qyqes”. Libri është një rrëfim intrigues për njerëzit dhe kohën, për dashurinë dhe urrejtjen, për shpresat dhe zhgënjimin. Mehmetaj sjell përmes romanit të tij, një kolon serb, ndërsa mund të jetë kolon i cilitdo komb, përmes situatave e veprimeve, dialogut e përsiatjeve, paraqet kronikën dyzetvjeçare të ngjarjeve, fatin e ardhacakëve dhe fatkeqësitë e vendësve.

-Çmimin “Kadare” 2019, e fitoi Loer Kume si përfaqësuesi i një brezi të ri shkrimtarësh, me përmbledhjen me tregime “Amygdala Mandala”. “Loer Kume, përfaqësues i një gjenerate të re shkrimtarësh, i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare, larg komercializmit dhe të zakonshmes ne letërsi”, ishte motivacioni i këtij çmimi.

-Në vitin 2018, fitues i Çmimit “Kadare” ishte shkrimtari Virgjil Muçi, autor i mëse 10 librave që rrokin një krijimtari e cila zë fill me prozën e shkurtër e të gjatë, për të vijuar më pas me poezinë, kinematografinë, në lëmin e kritikës letrare dhe në fushën e përkthimit me rreth 13 tituj nga gjuhë dhe autorë të ndryshëm. Muçi u vlerësua me veprën në dorëshkrim “Piramida e shpirtrave”, me motivacionin “Për mënyrën sesi ndërton përmes gjuhës rrugëtimin jetësor”.

-Shkrimtari Musa Ramadani është fitues i Çmimit Letrar “Kadare” 2017, me romanin “Profeti nga Praga”. Ky çmim u shpall nga ish-ministri francez i Kulturës, Frederic Miterrand me motivacionin: “Musa Ramadani me “Profeti nga Praga” ka sjellë një roman të veçantë si për nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Duke qenë i strukturuar në tregime të lidhura fort me njëra-tjetrën, “Profeti nga Praga” shpërfaqet si një mozaik rrëfimesh dhe kolazh teknikash narrative, një roman për letërsinë si tekst kënaqësie dhe akt përjetësie, ku krijuesi shpaloset si një libër i hapur ndaj konteksteve dhe konotimeve të ndryshme”.

-Autori Shkëlqim Çela me librin me novela “Embriologji” ishte fituesi i Çmimit “Kadare” për vitin 2016, “për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që u garanton këtyre tri novelave dhe autorit një hyrje në letrat shqipe.”

-Fituesi i parë i Çmimit “Kadare” 2015, ishte shkrimitari Rudolf Marku me romanin “Tre divorcet e zotit Viktor N.” Me një narracion linear dhe shpesh me një thjeshtësi penetruese, autori Rudolf Marku ndjek e analizon në këtë roman fatin e intelektualit shqiptar Viktor, në imigracion, por ky intelektual mund të ishte fare mirë, çek, rumun, gjermano-lindor, duke i dhënë kësaj vepre atributet e letërsisë pa kufinj gjeografikë. /Gazeta Liberale /KultPlus.com

Publikohen emrat e pesë finalisëve për “Çmimin Kadare”, të dielën shpallet fituesi

Mes 30 veprave të autorëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, të cilët u përfshinë në këtë konkurs, u veçuan dorëshkrimet e paraqitura nga këta pesë autorë në gjininë e romanit dhe të prozës së shkurtër.

Pesë finalistët në garë për Çmimin letrar “Kadare” 2021 janë Arbër Ahmetaj, Ballsor Hoxha, Behar Jacaj, Gani Mehmetaj dhe Marcel Hila. Ditën e dielë, më datë 28 shkurt pritet që të shpallet fituesi i këtij çmimi në gjininë e prozës, në edicionin e gjashtë të këtij konkursi.

Mes 30 veprave të autorëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, të cilët u përfshinë në këtë konkurs, u veçuan dorëshkrimet e paraqitura nga këta pesë autorë në gjininë e romanit dhe të prozës së shkurtër.

Kryetari i jurisë, shkrimtari Preç Zogaj bën me dije se veprat e paraqitura pohojnë fort dhe bindshëm një numër përfaqësues shkrimtarësh që gjakojnë letërsinë e mirë.

“Nga dorëshkrimet e paraqitura, vihet re një tendencë që sa vjen e konsolidohet, sidomos nga autorët e rinj, për të shkruar letërsi që nuk njeh kufinj gjeografikë apo konvencionalë,”- thotë Zogaj.

Këtë vit, ndryshoi edhe kalendari kohor i mbajtjes së këtij aktiviteti për shkak të kushteve të pandemisë.

Veprat e kualifikuara:

Arbër Ahmetaj me romanin “Koha e thertores“ 

Personazhi, Hetuesi L, gjatë vizitës në një fshat të humbur, në fëmijërinë e tij, gjen në tavanin e shtëpisë së tezes, qindra qelqe negativash, foto që dëshmojnë historinë e vendit tij. Por, s’duhet t’ia tregojë kujt këtë zbulim, pasi ato i janë lënë në besë të zotit të kullës, nga frika se do t’ia shkatërronin Shqipërisë atë thesar dokumentar. Ngjarjet zhvillohen në kohë…Shqipëria zien. Shenjat e luftës në Kosovë nuk vonojnë të bëhen të lexueshme. Qyteti ku janë të vendosura ngjarjet është në kufi…

Fati i Shqipërisë, si ai i xhamave të negativave të historisë së saj, vjen përmes dinamikës së zhvillimit të secilit personazh. Në emigracion, hetuesi, përpiqet të deshifrojë sëmundjet e qytetit, nisur prej barnave!  Vite më vonë, ia bën dhuratë të birit regjistrin e vjetër në formë libri. Të gjithë personazhet kryesore të këtij libri largohen nga Shqipëria. Atdheu u thërrmohet nëpër duar.  Përpiqen të rikrijohen jashtë tij, si shprehje e ripohimit të vetes: atdheun në supe, në shpirt. Këto janë dhimbjet e personazhit, kjo është nyja e rrëfimit!

Ballsor Hoxha me përmbledhjen me tregime “Momenti, ndanë lëkurës”

Përmbledhja me tregime “Momenti, ndanë lëkurës” përmban gjashtë kapituj, ku secili ndërlidh tregimet e tij me një hyrje filozofike-poetike dhe një përfundim të së njëjtës natyrë. Të gjithë tregimet kanë një temë të trajtuar në situata dhe personazhe të ndryshëm, gjithnjë duke krijuar një përmbledhje të së njëjtës temë në perspektiva të ndryshme. Po ashtu edhe si lajtmotiv i të gjitha tregimeve të përmbledhjes ndërlidhet edhe një këngë, e cila ndërthuret me temën e tregimit.

Në përgjithësi, kjo përmbledhje me tregime del si një trajtim i menduar i tërë bashkëkohësisë sonë, por edhe duke përfshirë situata të të kaluarës, të cilat  provokojnë reflektim tek lexuesi dhe mishërojnë pavetëdijësinë tonë në të përditshmen e rëndë dhe shpesh tragjike. Po ashtu përmbledhja tenton të kapë në tërësinë e saj – kalimin e njeriut bashkëkohor, ndërgjegjes  dhe sjelljes sonë, në këtë përshpejtim global të egzistencës së njeriut.

Behar Jacaj  me përmbledhjen me tregime “Rrëfimi i tredhjes”

 Paçka se me përmbajtje dhe personazhe të ndryshme, thuajse të gjitha tregimet e përmbledhjes “Rrëfimi i tredhjes”, i bashkon konflikti që ka njeriu me shoqërinë, me kohën, me vdekjen dhe mbi të gjitha konflikti që ka ai me veten. Në konfliktin me shoqërinë dy fate e presin individin: ose të fitojë ose të tredhet. Të tredhet psikologjikisht. Konflikti me kohën të interrnon në harrim. Të shndërron në një hije nëse nuk je i zoti t’a mbarsësh. T’i lësh një gjurmë. Tek konflikti  me vdekjen njeriu nuk kërkon asgjë më shumë sesa një kapitullim të paqtë. Lufta e luftrave është lufta me veten.

Ajo nuk bën amnisti as kur njeriu është në gjumë. Mizoria e kësaj lufte qëndron tek fakti se as nuk mund ikësh, as nuk mund të rrish. Paqja është më e zorshmja për t’u arritur me të.  Pjesa më intriguese e një konflikti mund të duket fati që merr përballja, kush humb, kush fiton dhe me çfarë kostoje vijnë humbja dhe fitorja. Ky libër intrigohet nga vuajtja dhe dhimbja që shoqërojnë gjatë gjithë kohës konfliket. Jo pa shkak, asnjë tregim në këtë përmbledhje  nuk merret me shoqërinë, por me individin, me ato skuta ku rrinë të fshehura plagët dhe dhimbjet e tij.

Gani Mehmetaj me romanin “Zogjtë e qyqes”

Romani “Zogjtë e qyqes” është qasje e veçantë, me personazhe të veçantë,  në ambiente të pazakonshme e ekzotike. Janë tre breza kolonësh nga gjyshi të nipi, secili më ëndrrat dhe zhgënjimet e veta. Romani “Zogjtë  e qyqes” është kujtesë dyzetvjeçare e një koloni serb.

Dragani, protagonisti i kronikës, rrëfen në vetën e parë për gjyshin, ish-xhandar i Kralit, babanë milic i Titos, ai inxhinier- vrojtues pasiv dhe kronist i ngjarjeve, dhe së fundi për të birin ushtarak, që kthehet shumë vjet më vonë. Dashuria në mes serbit e shqiptares (Draganit e Vjollcës) është nëntema tjetër, ashtu si janë edhe martesat e përziera, në një mjedis të përzierë. Dëshpërimi i protagonistit të paanshëm, nis, kur sheh se janë mu si zogjtë e qyqes që i kanë hedhur në çerdhen e huaj, ndërsa ata s’dinë si të sillen.

Marçel Hila  me përmbledhjen me tregime “Vëllazëri Ujqërish”

Tregimet marrin subjekte nga realiteti i afërt dhe bashkëkohor shqiptar – domethënë i kohës së komunizmit apo edhe i aktualitetit problematik të sotëm – ndonëse, tek këto rrëfenja subjekti nuk është një element aq i rëndësishëm. Me një narrativë të rrjedhshme shpërfaqen galeria e personazheve të këtyre tregimeve, duke mbajtur gjallë kuriozitetin e lexuesit për t’i shkuar rrëfimit deri në fund.

Personazhet komunikojnë intensivisht me njëri-tjetrin, duke i lënë pak hapësirë narratorit për të orientuar lexuesin. Tregime ku ndjehen teknikat e romanit, por duke ruajtur pavarësinë e gjinisë tregimtare. Tregimet janë të shkëputur nga njëri-tjetri, në një pavarësi të plotë. Lënda jetësore ku mbruhen këto tregime dominon rrëfimin, duke e mbajtur atë larg moralizimeve. E vërteta e shkrimtarit mëton të vijë si kategori estetike. /dosja.al/ KultPlus.com

Avullimi i 10.000 eurove, replikë mes Alda Bardhylit dhe Ardian Vehbiut

Alda Bardhyli, koordinatore e çmimit “Kadare”, në një replikë të zhvilluar me Ardian Vehbiun, “me këtë çmim fitojnë të gjithë”, ky titull i Ardian Vehbiut shoqëronte një shkrim mbi çmimin “Kadare”, në “Peizazhe të fjalës”, marrë shkas nga një status publik i profesorit Agron Gashi, ku fliste për “avullim” të shumës prej 10 mijë eurosh, që duhet të kishte shkuar në llogarinë e fituesit të edicionit të tretë të këtij çmimi, shkrimtarit Musa Ramadani.

Nëse nuk do të shkonim më tej tekstit të Vehbiut, titulli do të dukej i justifikuar për një çmim që, më shumë se për autorët që janë kurorëzuar në këto vite, ka fituar letërsia shqipe. 

Nuk është hera e parë që Vehbiu kërkon ta shohë këtë konkurs të letrave shqipe, i cili është kthyer në këto vite në projektin më të rëndësishëm kulturor në hapësirat shqiptare, jo në vlerën që mbart si iniciativë dhe si një shërbim ndaj autorëve dhe letërsisë, por për grantin (ashtu siç e quan në një shkrim të vitit 2017) që mbart. (Dua vetëm të vërej se ky çmim vjen kaq fort në vëmendjen e publikut ngaqë lidhet me emrin e Kadaresë, por edhe për shkak të honorarit relativisht të majmë [10 000 euro] që merr fituesi, shkruan Vehbiu në shkrimin “Çmimi i përfolur”, dy vite më parë.) 

Për një studiues të letërsisë e shkrimtar si Vehbiu, analiza mbi bilance financiare e jo mbi analiza mbi prurjet e këtij çmimi, pasi janë 5 romane të botuara në këto vite nga ky konkurs, thjesht konfirmojnë qëndrimet e tij të njohura për të mohuar çdo gjë që lidhet me emrin e Kadaresë. 

Çmimi “Kadare”, iniciativë e Institutit Europian “Pashko”, mbylli këtë vit edicionin jubile (edicionin e pestë), duke shpallur fitues shkrimtarin e ri Loer Kume. Përgjatë këtyre viteve, në një hapësirë letrare, ku duket se nuk ndodh asgjë, ky çmim ka pasur meritën jo vetëm në krijimin e një gare motivuese për më shumë se 300 autorë, por dhe në nxitjen e një debati mbi letërsinë. Marrëdhëniet tona me autorët fitues të këtij çmimi kanë qenë korrekte jo vetëm sipas një kontrate të nënshkruar, por dhe sipas parimeve të pashkruara që njerëzit e letrave ndërtojnë. Përgjatë një periudhë 18 – 24-mujore, autorët kanë obligim ta promovojnë këtë iniciativë e në të njëjtën kohë veprat e tyre sipas modaliteteve të shkruara në statusin e çmimit “Kadare” në evente e takime të ndryshme. Ky proces ka përfunduar plotësisht me fituesin e edicionit të parë, Rudolf Marku. Është në përfundim e sipër me Shkëlqim Çelën dhe Musa Ramadanin, përkatësisht fituesit e edicionit të dytë dhe të tretë, por për shkak të largësisë gjeografike, pasi Çela jeton në SHBA, apo për shkak të gjendjes shëndetësore të mjeshtrit Ramadani, disa elemente të procesit të promovimit të veprës, çmimi dhe institucioneve që e akordojnë, kanë mbetur më pas. Kurse për Virgjil Muçin dhe fituesin më të fundit, Loer Kume, eventet janë në vazhdim. Për shembull, Loer Kume zhvilloi një bisedë brilante me lexues të rinj së fundi, në Muzeun Studio Kadare në Tiranë. Të gjitha këto janë detaje që mes palësh vazhdojnë, sepse çmimi “Kadare” nuk është thjesht një mandatpagese, është një projekt kulturor që synon të gjallërojë, të nxisë dhe të ruajë një debat kulturor për letërsinë bashkëkohore shqipe. Kaq për detajet teknike, që janë proces rutinë për autorin dhe Institutin Europian “Pashko”.

Nisur nga shkrimi i detraktorit të vjetër të Ismail Kadaresë dhe tanimë dhe i çmimit “Kadare”, Ardian Vehbiu, ndoshta është rasti për të bërë një bilanc jo vetëm financiar të këtij çmimi.

Së pari: I krijuar në vitin 2015, çmimi “Kadare” është pjesë e iniciativës letrare të Institutit Europian “Pashko”, për të promovuar dhe nxitur letërsinë e mirë shqipe. Ai është pjesë e një rrjeti të tërë iniciativash me vlerë publike, si Rrjeti i Kritikës Shqipe, qendra e studimeve shqipe “Kadare”, klubi letrar “Kadare”, Ditët Letrare të Razmës, suplementi letrar “Leteratura”, që çdo të hënë del bashkë me gazetën “Liberale”, kolona “Leteratura” pranë botimeve UET PRESS kushtuar botimit të letërsisë shqipe, bursat “Kadare” për humanitetet në UET. Të gjitha këto iniciativa me një histori të tyren kanë treguar se kanë pjesë të filozofisë së tyre mbështetjen e kulturës shqipe. Si të tilla, ato janë kontributoret e rëndësishme, që edhe pse vijnë nga një ent privat, misioni i tyre është publik.

Së dyti: Çmimi “Kadare” synon të kthehet në një traditë me një kontribut të përhershëm letrar. Duke parë mënyrën sesi çmimet letrare janë shfaqur e zhdukur këto vite në jetën publike, qëllimi i këtij çmimi, që në krijimin e tij është vazhdimësia. Ai ka mbushur tashmë 5 vjeç dhe kjo nuk është pak.

Së treti: Çmimi “Kadare” është kthyer në këto vite në një institucion të rëndësishëm të gjykimit të letërsisë. Juritë tona në këto vite janë kryesuar nga emra të njohur në hapësirat letrare shqiptare, duke përfshirë dhe Kosovën (Mehmet Kraja), Maqedoninë (Kim Mehmeti), apo shkrimtarë si Bashkim Shehu, Preç Zogaj etj., e në përbërje të jurisë kanë qenë profesorë, shkrimtarë apo studiues të letërsisë. Serioziteti me të cilin është trajtuar gjykimi i dorëshkrimeve (pasi ky është një konkurs për dorëshkrime), duke ua besuar leximin dhe gjykimin autoriteteve të fushës, rrit kredencialet dhe besueshmërinë e këtij çmimi. Këtë e ka treguar dhe numri i autorëve në rritje që nga viti në vit i bashkohen këtij konkursi.

Së katërti: Në një kohë kur skena letrare prej vitesh e ka humbur atë që më parë e zotëronte më së miri, tablonë e plotë të asaj çfarë ndodhte me letërsinë, ky çmim prej pesë vitesh ka rikthyer tablonë letrare në vend. Përmes këtij konkursi ne shohim jo vetëm prurjet e një viti, por dhe nivelin e letërsisë që shkruhet sot, autorët në rritje, e sidomos të rinjtë. 

Së pesti: Një nga meritat e këtij çmimi është motivimi i autorëve të rinj. Përgjatë këtyre viteve kanë dalë në sipërfaqe emra që përmes konkurrimit në këtë çmim, kanë arritur të evidentohen, motivohen e të vijnë me librat e tyre të parë. Shpesh niveli i të rinjve ka qenë befasues, këtë e tregoi dhe edicioni i këtij viti, i cili shkoi për një përfaqësues të një gjenerate të re. 

Së gjashti: Për herë të parë një konkurs i dedikuar dorëshkrimeve, pasuron letërsinë e një vendi çdo vit me një vepër të re të botuar. Përgjatë pesë viteve janë botuar pesë romane, që janë pjesë e qenësishme e letërsisë bashkëkohore shqipe. Pasi vepra fituese e këtij konkursi botohet nën kolonën “Leteratura”, botimet UET PRESS.

Për një çmim letrar që ka vetëm pesë vite jetë, jo vetëm gjashtë pikat që përmenda më lart, por dhe një sërë kontributesh të tjera që ky çmim jep në jetën e çdo autori që i është bashkuar këtij konkursi, mbart një vlerë të çmuar për botën kulturore në vend. E më shumë se si një mandatpagese, ky çmim, që i ka dhënë kaq shumë letërsisë shqipe dhe vazhdon të frymëzojë çdo autor shqiptar, duhet parë në atë çfarë i sjell një kulture, përkundër filozofisë së vjetër të delegjitimimit të Ismail Kadaresë, apo të çdo gjëje që lidhet me emrin e tij. Në këtë rast edhe të çmimit “Kadare”.

Duke u mjaftuar vetëm nën “larjen e duarve” se lajmi qarkullon në media, apo thashetheme, komenti pas gjoja lajmit nuk ka asnjë rresht për vlerën letrare të çmimit në fjalë, për librat fitues apo autorët pjesëmarrës, duke e injoruar siç thotë vetë. Në fakt, nëse do ta injoronte, i bie që të mos merrej edhe me mandatpagesat, kalendarin e kryerjes së tyre etj., etj., si këto. Detraktorët nuk heqin dorë kurrë me sa duket!/NewsBomb/ KultPlus.com

Demiri-Frangu: Mafia letrare në Shqipëri e Kosovë po ia kalon mafisë politike

Për çmimin letrar “Kadare, i cili jepet nga Universiteti Europian i Tiranës, i mbështetur nga Institucioni Europian PASHKO , dhe vlerën e të hollave që nuk i janë ndarë shkrimtarit të brezit të viteve ‘70, Musa Ramadanit, në vitin 2017 me romanin e tij në dorëshkrim “Profeti nga Praga” ishte fitues i këtij çmimi. Ka dy vjet që autorit në fjalë nuk i janë paguar paratë e këtij çmimi, por vetëm 50% e tyre. Merret vesh se, edhe kjo pagesë e përgjysmuar i është bërë me rata, pas shumë përpjekjeve dhe ankesave nga të afërm të autorit.

Shqetësimin e saj lidhur me këtë e ka shprehur edhe profesoresha e letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, Qibrije Demiri –Frangu: “Mafia letrare, në Shqipëri e Kosovë, po ia kalon mafies politike. Po të shpërbleje si vlerë-publikisht, dhe shpërblimin po e mbaj për vete, kjo është ironia e dyftyrësia e (pseudo)-intelektualit aktual. Musa Ramadani, mbetet autor i madh si dhe turpi i këtij asociacioni. S’ka mbetur as të merret frymë në këtë llum grupesh -profitere! Shëndet i nderuari Musa, veprat tuaja do jenë larg cdo kundërmimi!”, përfundon ajo. /KultPlus.com

Buxhovi: Raportet krijuese midis Tiranës dhe Prishtinës kanë sjell tek ky nënçmim

Çmimi “Kadare” i cili jepet tash e sa vite nga Universiteti Europian i Tiranës, i mbështetur nga Institucioni Europian PASHKO, që përveç emrit të shkrimtarit Ismail Kadare, si çmim kap vlerën 10.000 euro, përcjell KultPlus.

Pikërisht kjo shumë është arsyeja që është bërë shumë zhurmë këto ditë, për vetë faktin që fituesi i këtij çmimi, para dy vjetësh ishte shkrimtari Musa Ramadani, me romanin “Profeti nga Praga”.

Ka dy vjet që autorit në fjalë nuk i janë paguar paratë e këtij çmimi, por vetëm 50% e tyre. Merret vesh se, edhe kjo pagesë e përgjysmuar i është bërë me rata, pas shumë përpjekjeve dhe ankesave nga të afërm të autorit.

Në rrjetin social Facebook, Agron Gashi, me vetë konfirmimin e shkrimtarit Ramadani, ka shënuar për këtë problem, ku pas publikimit kanë reaguar edhe shkrimtarë, publicistë, emra të njohur të letrave shqipe.

Po ashtu, ka reaguar edhe shkrimtari dhe historian, Jusuf Buxhovi: “Më vjen keq që është kështu, por ç’e do që raportet krijuese midis Tiranës dhe Prishtinës, të ndërtuara mbi një vasalitet tonin ndaj andej, kanë sjellë te ky nënçmim, që prek edhe shkrimtarët e rëndësishëm, si Musën e të tjerët!”, thotë ai./KultPlus.com

Zgjedhen pesë finalistët e Çmimit Kadare

               

Zgjidhen pesë finalistët që do garojnë për çmimin e madh Kadare. Anëtarët e jurisë vijnë në një reflektim mbi institucionin e gjykimit.

Për çmimin letrar “Kadare” tashmë janë përzgjedhur pesë finalistët. Juria e përbërë nga shkrimtari dhe publicisti Mehmet Kraja, përkthyesja dhe profesoresha Diana Kastrati, studiuesja Genciana Egro, shkrimtari, dramaturgu e gazetari shqiptar Bashkim Hoxha, dhe drejtoresha e “UET PRESS”, njëherësh edhe koordinatore e këtij çmimi, Alda Bardhyli, kanë përzgjedhur finalistët.

Ndërkaq fituesi i çmimit të madh shpallet në Ditët Letrare të Razmës, që do të mbahen të premten e parë të qershorit në fshatin që ndodhet rreth 41 kilometra në veri të Shkodrës dhe cilësohet si porta hyrëse e Alpeve shqiptare.

Ky është edicioni i pestë i çmimit letrar “Kadare”. Themeluesit e çmimit konsiderojnë se në katër vjet ky konkurs ka arritur të kthehet në një institucion të rëndësishëm besimi mbi gjykimin e letërsisë, dhe të kthejë debatin e munguar mbi letërsinë shqipe. Fakti që konkursi është për vepra në dorëshkrim ka nxitur dhe nxit shkrimin e prozës shqipe, gjë që vihet re dhe në numrin e madh të dorëshkrimeve pjesëmarrëse në këtë edicion.

Fituesit e deritanishëm kanë qenë: Rudolf Marku, Shkëlqim Çela, Musa Ramadani dhe Virgjil Muçi.

Fate Veliaj
Mimoza Hysa
Roland Gjoza
Ylljet Aliçka
Loer Kume

Prof. Diana Kastrati vjen me “Mbi sublimitetin e të gjykuarit të veprës letrare”

“Te libri Kuptimi i estetikës (1973) Jan Mukařovský (profesor, semiolog, kritik letrar e teorik i artit çekosllovak 1891 – 1975) shkruante: “Arti përligjet pikërisht prej faktit se nuk synon tek asnjë qëllim i vetëm”. Në fakt, qëllimi i vetëm i secilës dije është të zhvilluarit e kuptimit të humanitetit te njeriu. E, një estetikë që nuk do të merrte në konsideratë një gjë të tillë, do të kishte një vlerë tejet të kufizuar”, – shkruan ajo për Gazetën Liberale

Mehmet Kraja “Dorëshkrimet, dhunë diktatoriale dhe frustrime seksuale”

“Çmimi “Kadare” për dorëshkrime veprash në prozë, i ideuar dhe i themeluar nga “Instituti Europian Pashko” pranë Universitetit Europian të Tiranës tashmë ka bërë emër si çmimi më prestigjioz i letërsisë në mbarë hapësirën shqiptare. Që çmimi ta arrijë këtë prestigj, ka pasur ndikim ndarja e tij e rregullt për pesë vjet radhazi, numri relativisht i madh i dorëshkrimeve dhe i autorëve që kanë konkurruar, si dhe vlera monetare e çmimit, që është më e madhja e një çmimi letrar në mbarë hapësirën ballkanike”, – shkruan Mehmet Kraja.

“Përgjegjësia e çmimit me emrin Kadare”,  nga Bashkim Hoxha

“Është një përgjegjësi e madhe juria e çmimit “Kadare”.

Në fillim është rëndesa e emrit që mban ky çmim. Emri Kadare është e natyrshme që duhet të bashkëshoqërojë një vepër me vlera të spikatura, atë, siç quhet, “letërsia e madhe”.”

Pse çmimet letrare janë të rëndësishme?

Alda Bardhyli

“Seepersad Naipaul, shkrimtari fitues i çmimit “Nobel” (1971), i njohur në shqip përmes romanit “Qyteti bri lumit”, do të shprehej 10 vite më parë, në një tetor të zakonshëm para shpalljes së çmimit “Nobel”, se çmime të tilla nuk janë vetëm një trofe i madh në jetën e një shkrimtari, por jetë për letërsinë”, – shkruan Alda Bardhyli.

Këto dhe shumë të tjera i gjeni sot në suplementin “Leteratura” të “Gazetës Liberale” në print. /Gazeta Liberale / KultPlus.com

Shpallet i hapur konkursi letrar për çmimin ‘Kadare’ 2019

Çmimi “Kadare” është një konkurs letrar që ka në fokus letërsinë shqipe. Qëllimi i këtij konkursi është të kthehet në një institucion të rëndësishëm besimi mbi gjykimin dhe inkurajimin e letërsisë shqipe.

Kryetari i jurisë së këtij çmimi duhet të jetë një autoritet me kontribute në fushën e letrave apo të mendimit shqip. Një personazh që të gëzojë integritet të plotë, për t’u angazhuar në një punë dinjitoze në përzgjedhjen e seleksionimin e veprës fituese, që kjo e fundit të ketë të gjitha cilësitë e një vepre të mirë.

Anëtarët e jurisë së këtij konkursi duhet të jenë emra që kanë shënjuar një kontribut në fushën e letërsisë, kritikës letrare apo studimit. Juria e përbërë nga kryetari dhe anëtarët shpërblehen sipas një honorari që vendoset nga Instituti Europian “Pashko”. Ata angazhohen që në fund të këtij procesi të dorëzojnë nga një recensë për secilën nga pesë veprat e kaluara në fazën finale.

Bordi i Institutit “Pashko”, në kuadër të filozofisë së tij, ruan të drejtën të zgjedhë një prej pesë finalistëve si fitues të çmimit “Kadare”, për të mbështetur një kategori: tematik, brez, brez-autorësh, apo zhanre të caktuara letrare.

Veprat pjesëmarrëse në këtë konkurs duhet të jenë në dorëshkrim (të pabotuara më parë). Konkursi hap siparin të premten e parë të marsit dhe finalizohet me Ditët Letrare të Razmës, të dielën e parë të qershorit. Shpallja e fituesit shoqërohet në këto ditë me tryeza debati mbi tema të ndryshme me fokus letërsinë shqipe, ku marrin pjesë shkrimtarë, përkthyes, studiues, profesorë e personazhe të botës së librit.

Çdo autor që kërkon të jetë pjesë e këtij konkursi duhet të dorëzojë pranë adresës së bërë publike nga juria, një sinops (jo më shumë se dy faqe) mbi veprën e shkruar, bashkangjitur me 15 faqet e para të dorëshkrimit. Nga sinopset dhe dorëshkrimet e mbërritura pranë jurisë, kjo e fundit ka të drejtë që pas shqyrtimit me kujdes të secilës prej tyre, të zgjedhë vetëm 10 prej tyre për të qenë pjesë e garës së çmimit “Kadare”. 10 autorët e përzgjedhur për të vazhduar garën, duhet të dorëzojnë brenda pesë ditëve nga shpallja e emrave të tyre si fitues, dorëshkrimet pranë adresës së bërë publike nga juria.

Në ditët e para të majit, juria bën publike fazën e dytë të konkurrimit, vetëm pesë veprat e përzgjedhura nga 10 pjesëmarrëse për të vazhduar garën për çmimin e madh.

 E drejta e autorit të veprës fituese është e Botimeve UET PRESS, si pjesë e Kolanës Leteratura. I gjithë projekti i çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10 000 eurosh, ku përfshihen: Kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe Ditët Letrare të Razmës.

Autori, fitues i çmimit “Kadare”, angazhohet të jetë pjesë e tryezave letrare, promovimeve apo takimeve me lexues dhe median që i shërbejnë promovimit të librit dhe çmimit “Kadare”. Instituti Europian “Pashko”, përmes Botimeve UET PRESS dhe kolanës Leteratura, një kolanë kushtuar letërsisë shqipe, ka të drejtë për të përzgjedhur për botimin edhe dy vepra të tjera mes pesë finalistëve. / Tema / KultPlus.com

Shpallen pesë finalistët e Çmimit Kadare, me vlerë 10 mijë euro

Çmimi Kadare, një nga eventet më të rëndësishme letrare të vitit, tashmë ka hyrë në fazën finale ku dhe ethet e garës janë shtuar.

Të martën juria ka bërë takimin e radhës, për të përzgjedhur 5 veprat që do të mund të garojnë për çmimin e madh prej 10.000 eurosh, që do të ndahet këtë fundjavë në Ditët Letrare të Razmës (25-27 maj).

“Nuk ka qenë një zgjedhje e lehtë nga e jurisë, duke qenë se këtë vit prurjet ishin të një niveli të lartë, çka tregon se vazhdimësia e traditës në prozën shqipe do të jetë e mirë, por nga ana tjetër veprat e përzgjedhura kanë ardhur pas një diskutimi të gjatë nga ana e pjesëtarëve të jurisë, si dorëshkrimet që mbartin gjithë elementët e duhur të një teksti të mirëfilltë letrar”, thotë Alda Bardhyli, koordinatore e këtij çmimi.

Mes finalistëve janë emra të njohur në letrat bashkëkohore shqipe por dhe dy autorë të rinj përsa i përket njohjes së tyre me lexuesin.

Juria e çmimit Kadare këtë vit kryesohet nga Kim Mehmeti një emër i njohur i letrave shqipe dhe në përbërje janë emra të njohur të letrave si Genciana Abazi, Ledia Dushi, Agim Baçi dhe Eni Vasili.

Finalistët:

Vera Bekteshi- Një rrugë e gjatë pa krye-roman

Virgjil Muçi-Piramida e shpirtrave-roman

Gazmend Krasniqi-Triologjia e Shkodrës-roman

Rudina Çupi-Shenjat e pikësimit-roman

Thanas Dino-Prishja ose Ndërrimi dhe ndalimi-roman