100 festivale angazhohen për ta luftuar dhunën seksuale

Më shumë se 100 festivale në Mbretërinë e Bashkuar duke përfshirë Parklife dhe Boardmasters janë angazhuar që ta luftojnë dhunën seksuale.

Festivalet janë zotuar të marrin një qasje të udhëhequr nga të mbijetuarit e dhunës.

Dr. Hannah Bows nga Universiteti Durham tha se hulumtimi ka treguar se dhuna seksuale është një “përvojë e zakonshme për pjesëmarrësit e festivalit veçanërisht për gratë” dhe “shpesh minimizohet ose injorohet”.

Gati gjysma e frekuentuesve femra nën 40 vjeç thanë se janë përballur me sjellje të padëshiruara seksuale në një festival muzikor.

Si mund të ndalohen sulmet seksuale në festivale?

Profesori i asociuar për të drejtën penale, Dr Bows, tha se pavarësisht historive të përdhunimeve dhe sulmeve seksuale “duke goditur titujt kryesorë në shumicën e verës, nuk i është kushtuar pak vëmendje çështjes nga festivalet”.

Organizatat bamirëse duke përfshirë Krizën e Përdhunimit në Angli dhe Uells, Natën e Mirë dhe Koncerte të Sigurta për Gratë kanë dhënë kontributin dhe udhëzimin për iniciativën, e cila fillimisht u lançua në 2017.

Karta e praktikave më të mira në të cilën janë nënshkruar 103 festivale në MB, thekson se të gjitha akuzat për sulme seksuale, dhunë dhe ngacmime do të merren seriozisht, do të veprohet menjëherë dhe do të hetohen.

Festivalet, duke përfshirë gjithashtu Reading dhe Leeds, El Dorado dhe Latitude, do të përpiqen të ofrojnë një mjedis të sigurt për audiencën, interpretuesit dhe punëtorët./21Media / KultPlus.com

OKB: Duhet të hetohen akuzat për përdhunim dhe dhunë seksuale në Ukrainë

Rastet e raportuara të dhunës seksuale në Ukrainë po rriten, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së jordanezja Sima Bahous, drejtoresha ekzekutive e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për gratë (UN Women).

“Kjo luftë duhet të përfundojë. Ne po dëgjojmë gjithnjë e më shumë për përdhunimin dhe dhunën seksuale. Këto janë akuza që duhet të hetohen në mënyrë të pavarur për të garantuar drejtësinë”, tha Bahous.

“Ne po shohim një sërë shenjash paralajmëruese për shkak të kombinimit të zhvendosjeve masive të refugjatëve të brendshëm dhe një prani të madhe të rekrutëve dhe mercenarëve, shoqëruar me brutalitetin kundër civilëve ukrainas,” shtoi ajo.

“Rreziku i trafikimit të qenieve njerëzore po rritet ndërsa situata po bëhet edhe më  e vështirë, “ theksoi Bahous.

Deklaratat e saj erdhën pas një vizitë në Moldavi, për të cilën ajo tha se kishte mirëpritur rreth 95,000 refugjatë ukrainas. Ajo vuri në dukje se ata që mbërritën ishin kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar.

Bahous bëri thirrje për shtimin e forcave policore në kufirin midis Moldavisë dhe Ukrainës “në mënyrë që ato të mund të sigurojnë mbështetje për viktimat e dhunës dhe trafikimit me bazë gjinore. /Abcnews / KultPlus.com

Një viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës ngre padi kundër tre serbëve

Shoqata për Krimet e Luftës, “Gjakova 98-99”, ka dorëzuar në Departamentin për Krime Lufte në Policinë e Kosovës, 80 kallëzime penale që, sipas saj, lidhen me krimet e luftës të kryera nga forcat policore e ushtarake serbe në periudhën e luftës së fundit.

Drejtuesja e shoqatës, Shkëndije Hoda, ka deklaruar se deri më tani janë dorëzuar 80 kallëzime penale. “Faktikisht sot është kontingjenti i 15-të që është dorëzuar. Shoqata për  krime lufte “Gjakova 98-99”, e cila vazhdon te sjell dosjet, kësaj here kemi sjell 80 lëndë dhe 80 kallëzime penale që kanë të bëjnë me vrasje, tortura dhe dëme materiale të shkaktuara gjatë luftë”, ka deklaruar Hoda.

Hoda deklaroi se një viktimë e dhunës seksuale ka dorëzuar padi kundër tre serbëve, të cilët i ka identifikuar nëpërmjet shoqatës.

“Është një prioritet për shoqatën, por është edhe një shtyrje për gratë e tjera që përmes shoqatës tonë munden me paditë, se sot nëpërmjet shoqatës tonë kemi edhe një padi, një viktimë e dhunës seksuale e cila ka ngre kallëzim penale ndaj  tre kriminelëve të cilët i ka njohur dhe i ka identifikuar në zyrën tonë”, ka deklaruar Hoda./ KultPlus.com

Pas raportimeve për dhunimin e dy vajzave, reagon GGD: Nuk ka moshë të sigurt për vajzat dhe gratë

Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj abuzimit të një vajze 13-vjeçare nga Lipjani.

Përmess këtij reagimi GGD ka bërë thirrje që të mirren masat e duhura në këtë drejtim.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të GGD-së.

“Një fëmijë vajzë është përdhunuar për një kohë të gjatë. Mosha e saj është 13 vjeç e abuzimet e saj janë më shumë se kaq. Ajo është nga Lipjani por ngjarja e saj mund të ndodhte kudo. Kjo është raportuar dje e ndërkohë shtohet publikimi i detajeve të kësaj ngjarjeje.

Ne bëjmë thirrje si deputete që t’i dimë masat që janë marrë për këtë rast. Ndërkohë një 19 vjeçare rrëfen publikisht për përdhunim e trafikim pikërisht në moshën 13 vjeçare. Nuk ka moshë të sigurt për vajzat e gratë e fatkeqësisht nuk po ka as ambient. Rastet publike tregojnë se ka shumë viktima të tjera që mbesin gjithmonë anonime.

Grupi i Grave Deputete bën thirrje për kujdes dhe mbështetje maksimale ndaj të miturës në Lipjan. Ajo ka nevojë për trajtim shëndetësor por edhe përkrahje emocionale e psiqike. Atë që nuk ka arritur ta bëjë as familja duhet ta kompensojnë institucione në këtë rast. Siguri e mbështetje. Trajtim dinjitoz e përkrahje çdo viktime e dënim sipas ligjit për abuzuesit”. / KultPlus.com

“Kemi pasur viktima të moshës 2-vjeçare”, rrëfim nga vendi ku ekzaminohen viktimat e dhunës seksuale

Bergita Curri është gruaja që ekzaminon viktimat e dhunimeve seksuale në Kosovë. Nëpër dorën e saj kanë kaluar raste ndër më të tmerrshmet të dhunimit të të miturve. Curri thotë se më së shumti raste të tilla kanë ndodhur nëpër familje, në shtëpitë e viktimave apo edhe të dhunuesve.

Janë plotë 100 viktima të dhunës seksuale që brenda një viti kanë raportuar rastet e tyre, por që besohet se ky numër mund të jetë jashtëzakonisht më i madh. Pas ekzaminimit të tyre, viktimat mbetën në mëshirën e fatit pa përkrahje institucionale.

Dhuna seksuale cilësohet të jetë një prej krimeve më së paku të raportuara në Kosovë.

Por, ato raste të cilat raportohen duhet të ndjekin fillimisht një procedurë legjislative.

Viktima e dhunës seksuale duhet të kalojë në fillim nëpërmjet një procedure të raportimit në Policinë e Kosovës, e pastaj me urdhër të Prokurorit viktima dërgohet për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Bergita Curri, specialiste në këtë institucion ka treguar në detaje lidhur me ecurinë e punës që rrjedh gjatë ekzaminimit që i bëhet një viktime të dyshuar për dhunë seksuale.

“Ne jemi në kujdestari prej 24 orëve në 7 ditë të javës. Në çfarëdo kohe mjeku kujdestar vjen edhe e bën ekzaminimin në mënyrë që të mos humbet kohë e cila është shumë e vlefshme për ruajtjen e provave që janë thelbësore për rastet e dhunës seksuale. Ne mandej e dërgojmë raportin te Prokurori dhe Policia dhe ata i ndjekin procedurat e mëtejme”, tha Curri.

Për ekzaminimin e dhunës seksuale ky institucion ka pranuar viktima duke filluar nga mosha 2-3 vjeçare. Derisa, sipas Currit, fëmijët e moshave më të prekura janë nga 11 deri në 16 vjeç.

“Ne kemi pasur viktima prej moshës 2-3 vjeçare e deri në moshat e shtyra. Ka numër të caktuar të këtyre rasteve. Statistikisht neve na kanë rezultuar që grupmoshat më të prekura janë prej 11 deri në 16 vjeç. Në mesin e tyre ka nga të dy gjinitë që janë të prekura nga dhuna seksuale”, theksoi Curri.

Fëmijët, viktima të dhunës seksuale dërgohen në Institut në gjendje të rënduar psikologjike, të frikësuar e me ndjenjë të fajit.

Specialistja Curri ka përmendur edhe detaje gjatë ekzaminimit që i bëhet viktimës, e që ka raste kur gjatë rrëfimit të tyre për dhunën e përjetuar, viktimat fillojnë të qajnë dhe të çrregullohen edhe emocionalisht.

“Ajo që i bashkon të gjitha viktimat e të gjitha gjinive dhe moshave është trauma. Personat që vijnë për ekzaminim zakonisht janë në gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjike, ata janë të frikësuar dhe kanë ndjenja të turpit, të fajit shumë herë. Nganjëherë është edhe shumë vështirë me vendos komunikimin me ta sepse duhet kohë me tentuar me marrë historikun se çfarë ju ka ndodhur. Ka raste që gjatë tregimit të historikut, viktima fillon me qajt ose të çrregullohet emocionalisht sepse është e vështirë me përsërit sërish ngjarjen e cila është traumatike dhe duhet të kohë me i qetësuar”, tha Curri.

Frika nga paragjykimet ka shtyrë shpeshherë viktimat ta mendojnë edhe vetëvrasjen.

“Ne kemi raste kur viktima na thotë unë kam tentuar të bëj vetëvrasje ose nëse merret vesh se çka më ka ndodh unë kam me bërë vetëvrasje”, theksoi ajo.

Por, nuk janë vetëm viktimat ata që përjetojnë gjendje të rëndur psikologjike derisa rrëfehen për tu ekzaminuar. Sipas Currit, janë edhe prindërit ata që i shoqërojnë viktimat e që gjendjen e kanë tejet të rënduar.

“Bazuar në shkencë dhe në legjislacion, dhuna seksuale që zakonisht ndodh te moshat e më e hershme nën moshën 14 vjeçare është akoma më e rëndë pikërisht për shkak të traumës psikologjike të cilën e shkakton dhuna seksuale. Viktimat që vijnë te ne janë në gjendje me të vërtetë shumë të keqe emocionale dhe përveç viktimave, ata që janë të ngarkuar dhe të shqetësuar janë edhe prindërit e tyre që i shoqërojnë ata”, u shpreh spcecialistja.

Curri ka theksuar se dhunuesi në 80% të rasteve dhunuesi është i njohur për viktimën pasi sipas saj, vendi i kryerjes së dhunës janë shtëpitë ku ndodhin ato.

“Ajo që është statistikisht e vërtetuar është se dhunuesi në diku rreth 80% të rasteve është i njohur për viktimën. Do të thotë është partneri, ose ish-partneri ose një shok i shkollës, apo dikush që ka marrë një fotografi të tyre dhe e shantazhin viktimë. Sipas statistikave vendi ku zakonisht ndodh dhunimi është shtëpia, qoftë e viktimës, dhunuesit apo e ndonjë personi të njohur”, u shpreh Curri.

Krahas kësaj, për specialisten Bergita Curri mbetet shqetësues fakti i mos raportimit i viktimave për dhunën seksuale.

Ajo thotë se në këtë institucion brenda një viti pranohen për ekzaminim rreth 100 raste të raportuara për dhunë seksuale.

Por, që sipas saj ky numër vlerësohet të jetë më i madh pasi në Kosovë viktimat ende hezitojnë t’i raportojnë këto raste për shkak të paragjykimeve nga familja dhe komuniteti.

“Ne kemi rreth 100 viktima në vit por, besojmë se numri është jashtëzakonisht më i madh se sa ky që ne e shohim, sepse shumë viktima vendosin mos me raportuar rastin për arsye të ndryshme dhe botëkuptimeve tradicionale të shoqërisë tonë”, u shpreh ajo.

Pas ekzaminimit që i bëhet, viktima e dhunës seksuale në Kosovë mbetet në mëshirë të fatit. Kjo pasi institucionet e vendit ende nuk kanë ndërtuar një mekanizëm që u mundëson këtyre viktimave të marrin trajtim të mëtejmë.

“Ne pas ekzaminimeve e lirojmë viktimën në mëshirën e fatit. Ne kemi tentuar me kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë, madje i kemi dërguar edhe shkresë që të mundohen të gjejnë një formë me institucionalizuar rastin pas ekzaminimit të dhunës seksuale, por fatkeqësisht nuk kemi hasur në asnjë veprim konkret nga kjo ministri”, tha Curri për Syri Kosova. / KultPlus.com

“Më njih përtej fjalëve” vjen si thirrje artistike për të pasur empati për të mbijetuarit e dhunës seksuale

Medina Pasoma

Punimet artistike të tyre janë shumëngjyrëshe, për të dëshmuar që nuk meritojnë një qasje “bardh e zi” nga shoqëria. Të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe azilkërkuesit e Kosovës janë bashkuar në ekspozitën virtuale “Më njih përtej fjalëve” të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës në 21 vjetorin e themelimit, shkruan KultPlus.

Të ekspozuara në dy hapësira të ndryshme, punimet artistike përçojnë dhimbjen e historisë jetësore të dy kategorive, mirëpo, në të njëjtën kohë janë edhe shenja shprese për ta. “Më njih përtej fjalëve” vjen si një thirrje artistike për të pasur empati me të kaluarën e palëve, dhunimin e trishtë që të mbijetuarit e kanë kaluar dhe vështirësitë e dhimbjen nga ndarja e atdheut me të cilat janë përballur azilkërkuesit.

Përderisa ekspozita virtuale është kuruar nga psikologia e QKRMT, Malisa Zymberi, realizimin e kanë mundësuar “trembelat” dhe “Lapsi360”.

Hapësira në të cilën ekspozohen punimet artistike të të mbijetuarve të dhunës seksuale është e mbushur me punime të qeramikës, piktura, tentene, çanta, byzylykë e varëse, vazo dhe llogo të organizatës të punuara në madhësi të ndryshme.

Njëra ndër punimet është edhe ajo e qeramikës, në të cilën shkruhet “cilët?”, e cila nëpërmjet artit përfaqëson një përpjekje për identifikim dhe drejtësi edhe sot e kësaj dite.

Të mbijetuarit e dhunës seksuale nëpërmjet artit kujtojnë edhe të kaluarën e bukur. Kështu, malli për kohën sa kishte qenë nuse e kishte shtyrë njërën nga to të qëndiste çorape të leshta, të cilat zakonisht e kishin traditë t’i dërgonin te shtëpia e burrit kur martoheshin.

Në anën tjetër, nuk kishte si të mungonte në ekspozitë anemona, lulja e cila simbolizon mbështetjen, ndjeshmërinë dhe brishtësinë. Ajo është e njohur si llogo e QKRMT-së dhe simbol i fushatës “Bëhu zëri im”, ndërkaq konceptimin e saj e patën realizuar organizatat e ndryshme për të mbijetuarit e dhunës seksuale, bashkë me ndihmën e artistes së ndjerë Arzana Kraja.

Një tjetër dhimbje e shndërruar në frymëzim arti janë edhe historitë e azilkërkuesve në Kosovë, të cilët në tentativë për një jetë më të mirë, kishin lënë vendin e tyre të dashur, duke u përballur me plotë vështirësi, sfida e probleme të cilat vazhdojnë t’i përcjellin gjatë jetës së tyre. Në këtë kategori janë përfshirë gratë dhe fëmijët, si dy grupe të ndjeshme të shoqërisë mirëpo, edhe që kanë një lidhshmëri të madhe mes vete.

Punimet artistike të tyre janë një përpjekje e përshtatjes në një vend të ri, duke mbajtur shpresë në vend të dhimbjes dhe humbjeve nga vendet e tyre si pasojë e luftërave të ndryshme. Hapësira në të cilën ekspozohen punimet artistike të këtij grupi kanë një gjallëri dhe pafajësi përbrenda vetes. Ngjyra të shumta, lodra dhe arusha të madhësive të ndryshme, libra të ngjyrosjes, piktura të varura në mur, maska të bukura, qafore të cilat kanë një domethënie dhe kujtim përbrenda tyre janë disa prej punimeve që ekspozohen nga ta.

Fëmijët e ardhur në Kosovë në një pëlhurë të bardhë kishin vendosur dikur duart e tyre të lyera me ngjyra të ndryshme, si një shpresë për të ardhmen mbi një faqe të re të historisë jetësore. Ata bartin pas vetes kujtime nga vendet e tyre si Siria, Iraku, Irani, Afganistani, Maroko dhe Algjeria.

Seancat psikologjike të QKRMT-së kanë edhe procesin e të shkruarit në një tabel, në të cilin çdo fëmijë do të mund të shkruante dëshirën e tij dhe ta vendoste aty. Njëri nga fëmijët kishte shkruar në gjuhën arabe një fjalë, e cila në shqip përkthehet si “Nuk po du me ec ma gjatë”. Kjo është një dëshirë e ardhur nga lodhjet e shumta që shkakton migrimi në këmbë nga një vend në një vend tjetër, gjatë së cilës nuk diskutohet pushimi dhe ushqimi i mirë.

Ikja nga vendet e tyre i ka bërë këta individ që pas tyre të lënë edhe gjërat e çmuara. Uma nga Siria ka lënë atje edhe qaforen e martesës, të cilën e improvizoj me materiale tjera në Kosovë pranë QKRMT-së.

Një tjetër vajzë, historia e së cilës është e prekshme është edhe Ajda, e cila gjatë shërbimeve psikologjike përdor vizatimin si mjet për t’u çliruar shpirtërisht. Ajo ende ka të pranishme frikën e Sirisë, në të cilën është traumatizuar nga lufta dhe frika e marrjes së babait të saj.

“Më njih përtej fjalëve” vet nga emri që ka është një përpjekje pranimi dhe empatie të këtyre grupeve të cilat kanë kaluar kohëra të vështira. Linkun për qasje te punimet artistike të të mbijetuarve të dhunës seksuale dhe të azilkërkuesve gra e fëmijë mund ta gjeni KËTU. /KultPlus.com

“Më njih përtej fjalëve”, ekspozita me punimet artistike të të mbijetuarve të dhunës seksuale

Si përpjekje për të luftuar me të kaluarën, të mbijetuarat e dhunës seksuale do të shfaqen para audiencës me një ekspozitë virtuale ku do të shpalosin punimet e tyre artistike, shkruan KultPlus.

“Më njih përtej fjalëve!” titullohet ekspozita e cila vjen me rastin e shënimit të 21 vjetorit të themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Kjo ekspozitë virtuale do të shfaqë punime/produkte që këto kategori të ndjeshme shoqërore i kanë punuar gjatë aktiviteteve psiko-terapeutike. Shumë nga këto punime janë gërshetim i artit me ngjarje e histori traumatike të ndrydhura thellë në nën-vetëdijen e autorëve.

“Modaliteti virtual i kësaj ekspozite, na ka mundësuar që këto punime të ekspozohen nga vendi ku janë punuar, në të cilin njëherësh mbahen edhe aktivitete të ndryshme psiko-sociale, duke e bërë këtë ekspozitë unike dhe origjinale”, thuhet në njoftim.

Kështu, publiku do të ketë rastin që virtualisht ta sheh bukurinë e artit dhe dhimbjen e historisë së tyre.

Ekspozita hapet më datë 13 dhjetor në ora 12:00. /KultPlus.com

Ngritet aktakuzë kundër krimeve të dhunës seksuale

Sot, kur kanë kaluar më shumë se 20 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime kundër njerëzimit të ndodhur gjatë luftës në Kosovë, respektivisht kundër krimeve të dhunës seksuale, si një nga krimet më mizore dhe më sistematike që kishin karakterizuar luftën në Kosovë.

QKRMT, si një organizatë jo-qeveritare e cila punon që dy dekada me të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, me qëllim të rehabilitimit të traumave dhe avokimit për të drejtat e tyre, konsideron që ngritja e kësaj aktakuze përbën hap të rëndësishëm në arritjen e drejtësisë për viktimat – të mbijetuar të dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë.

QKRMT, që nga viti 2017 ka punuar me viktimën, si në ofrimin e ndihmës psiko-sociale, gjithashtu edhe në përgatitjen sa më të mirë të këtij rasti.

“Falënderojmë Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë përgatitjes së kësaj aktakuze si në fazën e intervistimit, gjithashtu edhe në hapat e tjerë të rëndësishëm për mbrojtjen e identitetit dhe të dhënave të tjera konfidenciale të viktimës. Shpresojmë që ky hap i rëndësishëm për drejtësinë, do të pasohet me veprime tjera më dinamike, me qëllim të arritjes së drejtësisë për këtë kategori të ndjeshme shoqërore”, thuhet në komunikatë teksa shprehen që një veprim i tillë të shërbejë si shembull inkurajues për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, që sa më shumë të ngrisin zërin për krimet që kanë përjetuar, sepse vetëm përmes dokumentimit, krimi jo vetëm që nuk mund të mohohet por edhe do të ndëshkohet.

“Gjithashtu, u bëjmë thirrjeve të gjithë aktorëve relevantë, që kjo aktakuzë e ngritur të shërbejë si një motiv shtesë për të gjithë ne që angazhohemi në avancimin e të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale”, përfundon me këtë thirrje komunikata. / KultPlus.com

Shënohet Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt

Shfaqet dokumentari “Prokurorët” Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, zyra e UN Women në Kosovë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë shfaqin dokumentarin “Prokurorët”, pasuar nga një diskutim me regjisoren e dokumentarit dhe njëkohësisht fituesen e çmimit “Emmy”, Leslie Thomas.

Shfaqja e dokumentarit do të hapet në orën 17:00, me fjalime hyrëse nga drejtoresha e Zyrës së UN Women, Vlora Nushi, me folës kryesor: ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S.Kosnett, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt.

Po ashtu, Jasmin Mesiç, prokuror i dhunës seksuale në konflikt nga Bosnja dhe Hercegovina. “Prokurorët” është dokumentar që tregon historinë e tre juristëve të përkushtuar që dhuna seksuale në konflikt të mos mbetet e pandëshkuar. Filmi u konceptua nga besimi se ligji është për të gjithë, veçanërisht për ata që kanë përjetuar krime të paimagjinueshme gjatë konfliktit – qoftë dje apo njëzet vite më parë. Ky dokumentar mbështet fushatën për t’i dhënë fund mosndëshkimit të autorëve të dhunës seksuale në konflikt, si abuzim i të drejtave të njeriut që për shekuj me radhë ka prekur njerëzit e të gjitha gjinive.