Dikush nuk mund të përmbajë lotët nga dëshpërimi dhe humbja e shpresës që sjell depresioni

Nga Fitim Uka

Mund të jetë afër apo edhe larg jush, mund ta njihni apo mund të mos e keni parë kurrë…

Por, dikush, edhe sot nuk mund të përmbajë lotët nga dëshpërimi dhe humbja e shpresës që sjell Depresioni. Larg atje, një person nuk e duron terrin, nuk e duron ndarjen, përplitet me fobitë e tij sepcifike, që janë produkt i Ankthit të përditshëm. Mbase, secilit prej nesh, një tingull a zhurmë, na rikujton luftën dhe tmerrin që kemi përjetuar dhe na bën të strukemi e ta njohim Çrregullimin e Stresit Postraumatik. Afër jush, mund të fle dikush që përjeton tmerre të natës, sa për t’iu njohur me Çrregullimet e Gjumit, që kanë trajta e forma të ndryshme. Dikush tjetër, nuk e di kush është, harron dhe humbet në identitet të tjera, që e bëjnë të përjetojë format e Çrregullimit Disociativ.

Një tjetër, vazhdon të mos i besojë askujt dhe është në pritje të një ngjarje negative që i kanë orkestruar të tjerët, për të portretizuar kështu Çrregullimin Paranoid, një nga të shumtat çrregullime të personalitetit.

Një tjetër, e ka të pamundshme që të jetoi realitetin tonë, humbet në botën e tij imagjinare, mes halucinacioneve e deluzioneve të madhështisë, që e bëjnë skizofreninë e tij të mundimshme për trupin, po, po pikërisht trupin, që mund të jetë “mallkim” për imagjinatën e tyre që fluturon gjithandej.

Unë i takoj shpesh, e përpiqem t’i ndihmoj. Ata meritojnë më shumë vëmendje sot, meqë është Dita Botërore e Shëndetit Mendor, por meritojnë çdo ditë mbështetje e përkrahje. / KultPlus.com

Sot Dita Botërore e Shëndetit Mendor

10 tetori është shpallur nga OKB si Dita Botërore e Shëndetit Mendor.

Kjo datë është e rëndësishme, veçanërisht për shoqëri ende të pa stabilizuara dhe që kanë dalë nga shoqëri të traumatizuara, siç janë vendet që kanë kaluar luftëra, apo konflikte.

Kjo datë shënohet zakonisht me aktivitete të shumta, ku institucionet shtetërore shfaqin kujdesin e tyre ndaj kësaj kategorie me rrezik, duke u bërë të qartë bartësve të sëmundjeve të shëndetit mendor, se edhe ata, si gjithë të tjerët, mund ta çojnë jetën e tyre të përditshme sa më afër normales, me solidarizime, shfaqje publike, apo edhe protesta, transmeton KP.

Shëndeti Mendor në epokën moderne është përherë e më shumë një shqetësim për autoritetet, meqenëse vlerësohet se sot në botë, vuajnë nga shqetësime mendore më shumë se 450 milionë njerëz./ KultPlus.com