Mbi 100 veta evakuohen nga Mariupoli

Mbi 100 persona janë evakuuar me sukses nga fabrika e çelikut Azovstal, në Mariupol të Ukrainës, konfirmoi Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Sipas koordinatorit humanitar të OKB-së, Osnat Lubrani, shumica e të evakuuarve kanë arritur në qytetin Zaporizhja, ku po marrin ndihmë humanitare.

“Falë operacionit, 101 gra, burra, fëmijë dhe të moshuar kanë arritur të largohen më në fund nga bunkerët poshtë fabrikës Azovstal dhe të shohin dritën e Diellit pas dy muajsh”, tha Lubrani.

Qyteti port i Maripolit është i rrethuar nga forcat ruse, që kanë nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Vetëm zona përreth Azovstalit mbetet ende nën kontrollin e ukrainasve.

Qindra njerëz kanë qenë të bllokuar në bunkerët nën Azovstal tash e sa javë, me mungesa ushqimesh dhe uji.

Mbi 50 veta janë evakuuar të dielën, por së paku edhe disa dhjetëra besohet se mbeten ende në bunkerë.

Zëdhënësi për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara, Saviano Abreu, tha të hënën se përpjekjet për t’i nxjerrë njerëzit nga Azovstali po bëhen në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe në koordinim me zyrtarët ukrainas dhe rusë.

Fabrika e hekurit dhe çelikut Azovstal në Mariupol të Ukrainës.

Vendndodhja strategjike e Mariupolit – pranë Gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia e ka aneksuar në mënyrë jolegale nga Ukraina në vitin 2014 – e ka bërë atë objektiv të bombardimeve të furishme ruse.

Qyteti, me një popullsi prej rreth 400,000 banorësh para luftës, është shndërruar tani në gërmadhë./REL/ KultPlus.com

Ariana Grande dhuron 5 milionë dollarë për terapi falas për shëndetin mendor

Ariana Grande ka njoftuar për partneritetin me ofruesin online të terapisë për shëndetin mendor “Better Help Sunday”, në nderim të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor.

Ky partneritet parasheh që këngëtarja e famshme amerikane të japë donacion në vlerë prej 5 milionë dollarësh, për terapi falas.

“Duke qenë në njohuri për barrierat kur bëhet fjalë për aksesin në burimet e shëndetit mendor, dhe derisa ky është një veprim simbolik, doja ta bëja këtë sërish me “Better Help”, me shpresë se do t’u ofrojë akses pak më shumë njerëzve, dhe ndoshta do të inspirojë dikë nga ju që të provoni diçka të re dhe ta bëni prioritet shërimin tuaj”, ka shkruar Grande lidhur me donacionin e saj.

Në qershor të vitit të kaluar, Ariana kishte bërë publike planet e saj për të dhënë 1 milion dollarë për këtë qëllim.

10 tetori është shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashshendkuara si Dita Botërore e Shëndetit Mendor.

Kjo datë është e rëndësishme, veçanërisht për shoqëri ende të pa stabilizuara dhe që kanë dalë nga shoqëri të traumatizuara, siç janë vendet që kanë kaluar luftëra, apo konflikte. / KultPlus.com