Festivali Ndërkombëtar i Filmit në New York, hapë thirrjen për aplikim

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në New York 2018-të, që nga sot ka hapë thirrjen për aplikim, shkruan KultPlus.

Ky festival fton autorët e filmave të metrazhit të gjatë, të shkurtër dhe atij dokumentar që t’i dërgojnë filmat e tyre për edicionin e shtatë të këtij festivali që nis nga 25 e përfundon më 29 maj në New York.

Të gjithë prodhuesit e filmave nga e gjithë bota që kanë prodhuar filmat këto 3 vitet e fundit kanë të drejtë aplikimi duke dorëzuar filmi online.

Në këtë edicion do të ndahen tetë çmime si në vijim:
Best Feature Film
Best Short Film
Best Feature Documentary Film
Best Short Documentary Film
Best Actor Award
Best Actress Award
Production Award
Best Photography Award./ KultPlus.com

http://iffny.com/

Fotografi kosovar fitues i edicionit të 7-të të PreFoto (FOTO)

Në Preshevë sot është mbajtur edicioni i 7-të i konkursit ndërkombëtar të fotografisë artistike, PreFoto.

Pjesëmarrës në këtë edicion ishin fotografë nga Kosova, Shqipëria dhe nga vende te ndryshme të botës.

Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë e ka fituar Bleron Caka nga Kosova.

Vendin e dytë e mori Anatolie Poiata nga Moldavia.

Kurse vendin e tretë Willem Halbach nga Holanda.

Fitues i çmimit special ishte Musa Talasli nga Turqia, ndërsa fituesi i çmimit Inkurajues Iljada Ndoci, po ashtu nga Kosova. E me çmimin karrierës u shpërblye, Seude Selimi, raporton KP. Të pranishmeve iu drejtua drejtori artistik i këtij konkursi, Edon Agushi i cili tha se ndjehet tejet i lumtur që kjo garë ndërkombëtare e fotografisë tashmë është tradicionale në Preshevë, gjë e cila sipas tij ndikon në promovimin e vlerave kulturore të këtij vendi në mbarë botën.

“Na vjen mirë qe PreFoto tashmë është bërë tradicionale dhe është bërë një vendtakim për të gjithë fotografët e rinj dhe profesionistë që veprojnë në të gjithë botën. Është një ndjenjë e mirë qe e kthejmë vëmendjen e Preshevës duke e njohur edhe më gjerë, e jo vetëm në trevat shqipfolëse. Kjo do të jetë ndoshta gjëja më e mirë që PreFoto do ta promovojë Preshevën edhe në vendet e tjera, duke e njoftuar me kulturën tonë këtu”, tha Agushi.

I pranishëm në këtë edicion, ishte edhe i deleguari i Ministrisë së Kulturës në Kosovë, Valon Kashtanjeva, i cili përcolli mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, sa herë që Lugina e Preshevës të marrë iniciativa të tilla kulturore e artistike. Anëtari i jurisë nga Kosova, Mumim Jashari, para ndarjes së çmimeve tha se ky eveniment është një tjetër dëshmi se është vetëm arti ai që i bashkon popujt e vendeve të ndryshme.

“Kjo është edhe një dëshmi se vetëm arti na bashkon, këto ngjarje kulturore të cilat janë shumë të rëndësishme për këtë vend. Artistët janë ambasadorët më të mirë, të gjithë ata që vijnë dhe vizitojnë Preshevën, te cilët kanë dëgjuar për Preshevën por tash po vijnë po e prekin Preshevën dhe po e përjetojnë këtu ku nuk mungon dashuria për artin”, tha Jashari.

Juria e konkursit ndërkombëtar të fotografisë artistike për këtë edicion ishte e përbërë nga: Albes Fusha nga Shqipëria, Vladimir Jovanovski nga Maqedonia dhe Mumin Jashari nga Kosova.

Edicioni i 7-të i PreFoto u mbështet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Ministria e Kulturës Kosovës, Komuna Preshevës, Komuna Bujanocit si dhe nga Këshilli Kombëtar Shqiptar./ KultPlus.com